VITI I TRISHTIMIT

Megjithëse sjelljet jonjerëzore dhe bojkoti u hoqën, vitet prapë mbyteshin prej trishtimit. Dukej qartë se Allahu (xh.xh.) po i drejtonte robërit e Tij kah ahireti, andaj edhe i linte në një tokë vetëm me vuajtje dhe probleme. Me heqjen e bojkotit, ata vetëm mund të hynin sërish në qytetin e tyre, sepse vuajtjet dhe torturat nuk mbaronin me kaq. Ata idhujtarë që humbën betejën e djeshme, nisnin çdo ditë nga një betejë të re karshi myslimanëve, duke u munduar kësodore që të zëvendësonin edhe atë që mund të kishin humbur.

Jeta tre vjeçare në syrgjyn kishte lënë një shenjë të dallueshme te myslimanët, dhe klithmat e fëmijëve prej urisë ishin kthyer në makthet e nënave dhe baballarëve të tyre. Sëmundjet ngjiteshin gjithandej, duke ia thyer belin shoqërisë. Shtyllat kryesore, si Ebu Talibi dhe Hatixhja e nderuar, kishin marrë pjesën e tyre nga e gjithë kjo, e tani po dergjeshin në përleshje me sëmundje të rënda. Sot, ata po e nisnin gjithçka edhe njëherë prej fillimit, duke u kthyer në qytetin e tyre, Mekë. Edhe kjo nuk ishte aq e lehtë. Lëre pastaj, që Meka ishte e vendosur që të mos i linte të jetonin një ditë të mbarë.

Thirrja e fundit ndaj Ebu Talibit

Lodhja e viteve ia theu belin edhe Ebu Talibit. Kishte ardhur në një gjendje që edhe hapat i hidhte me vështirësi. Tanimë mund të quhej me një këmbë në varr. Deri më sot, mbi supe, nuk kishte mbajtur vetëm peshën e tij, por edhe të të gjithë anëtarëve të fisit. Sidomos përgjegjësia ndaj të nipit, gjatë kohëve të fundit, e kishte ngarkuar së tepërmi.

Ishte muaji i Ramazanit. Tashmë u sëmur edhe Ebu Talibi, dhe kësaj radhe dukej qartë se fundi i sëmundjes do të ishte udhëtimi për në botën tjetër. Dukej qartë se pas kësaj nuk do të kishte më shpëtim. Andaj nuk mund të mbante më ngarkesë përgjegjësie mbi supe.

Idhujtaria nuk linte asnjë çast që t’i shkonte dëm. Ngase e dinin edhe gjendjen e tij të rënduar shëndetësore, pa u vonuar aspak, Utbe dhe Shejbe ibni Rebia, Ebu Xhehli, Umeje ibni Halefi, apo edhe shumë të tjerë nga paria e Mekës, siç ishte edhe Ebu Sufjani, erdhën edhe njëherë pranë Ebu Talibit për t’i bërë një kërkesë për herë të fundit.

O Ebu Talib, ne nuk kemi dyshim që edhe ti e di mirë se në ç’gjendje jemi. Edhe problemin që na shqetëson më së tepërmi e dini. Të gjithë i dinë mirë ngatërresat që kemi përjetuar mes njëri-tjetrit për faj të kësaj këtë çështjeje. Thuaji atij që të rrijë larg nesh, në mënyrë që edhe ne të mos i fusim hundët në punët e tij. Ai të mos ngatërrohet me besimin tonë, që edhe ne të mos ngatërrohemi me fenë e tij.

Për Ebu Talibin, kjo do të thoshte zbutje e situatës. Nëse çdonjëri syresh do të jetonte një jetë si të dëshironte, pa u ngatërruar prej të tjerëve, atëherë askush nuk do të shqetësohej, e kjo përnjëherë do të thoshte edhe siguri për të nipin. Pas kësaj bisede, ai thirri pranë vetes të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) për t’i thënë:

O nip, këta janë të parët e fisit tonë. Kanë ardhur për të të dhënë fjalën e sigurisë, e nuk do të të ngatërrohen më në punët e tua, nëse edhe ti nuk ngatërrohesh në të tyret.

Unë nga ata dua veç një fjalë, që ka për t’i bërë më të fismit në mbarë Arabinë, asisoj që do të vijë dita kur edhe bijtë e Axhemit kanë për të kërkuar që të jetojnë si ata.

Ebu Xhehli, pasi nxori përfundimin se Muhamedi po i pranonte ato që kishin kërkuar ata, u hodh dhe tha:

Vetëm një fjalë?! Fjalë është ajo! Vetëm fjalë qoftë ajo që kërkon, pa ne ta japim menjëherë. Madje, jo vetëm një, por dhjetë.

Tanimë ngeli vetëm që t’i vihej pika kësaj çështjeje.

Ju do të thoni “La ilahe il’lallah”, duke e lënë çdo gjë që adhuroni përveç Tij.

Kjo ishte çështja në të cilën ftonte Ai çdoherë. Dhe si gjithnjë, ajo nuk do t’i pëlqente aspak të pranishmëve. Filluan të përplasnin duart, e nga ana tjetër thoshin:

Mos vallë, ti, o Muhamed, do t’i bashkosh zotat tanë në një të vetëm? Vallahi, o njerëz, ky nuk ka për të bërë asgjë prej atyre që kërkoni ju! Lëreni të bëjë ç’të dojë, vetëm ju mos hiqni dorë prej besimit që jua kanë lënë të parët tuaj si trashëgim.

Shpresa e fundit

Me t’u larguar Ebu Talibi prej parisë së Mekës, u kthye nga i nipi dhe i tha:

Vallahi, o i biri i tim vëllai, ti nuk kërkove ndonjë gjë të pamundur prej tyre.

Kjo ishte një fjali që i falte shpresë të Dërguarit të Allahut. Më në fund, tani po tregonte prirje ndaj Islamit edhe xhaxhai i Tij i dashur. Ndoshta ishte hapur një portë ndaj besimit të vërtetë. Profeti i Pëlqyer donte që ta vlerësonte siç duhej këtë mundësi, andaj u kthye nga ai gjithë shpresë. Megjithëse në fund do të hidhërohej së tepërmi, ngase ai do të largohej pa besuar siç duhej nga kjo jetë.

O xhaxha, thuaje edhe ti atë fjali, që të mund të dëshmojë në atëanë.

Ky njeri që ia kishte dedikuar jetën shpëtimit të besimeve të njerëzve, patjetër që do ta vlerësonte këtë mundësi që po i jepej. Dëshironte aq shumë që i ungji të besonte, vetëm se çështja e besimit nuk ishte çështje dëshire. Edhe sikur të dojë Profeti, nëse nuk do Allahu (xh.xh.), asnjë njeri nuk mund ta arrinte rrugën e drejtë, duke e futur në udhën e më të privilegjuarve. Siç e thoshte edhe revelata:

S’ka dyshim, se ti nuk mund të udhëzosh në të drejtën, vetëm Allahu e udhëzon atë që dëshiron.

Dhe një ndarje plot trishtim

Po, kjo ishte shenja e një dashurie të tejskajshme. Vetëm se nuk po bëhej. Nuk po ia arrinte dot. Prandaj, edhe kjo lëvizje e fundit, ishte një shpresë e fundit. Ebu Talibi, me ta parë dëshirën e madhe që vlonte brenda të nipit, tha:

O nip, - ndërkohë që në tonin e zërit dukej sikur thoshte: “Mos shpreso aq shumë, o i dashur!”, e pas një ngurrimi, tha: “Do ta thosha pa kurrfarë ngurrimi nëse nuk do të kisha frikë se kurejshët do të më përflisnin nga pas, se Ebu Talibi e tha këtë fjalë sepse kishte frikë nga vdekja, andaj, sakaq, hoqi dorë prej besimit që i kishin lënë trashëgim të parët e tyre.”

Prapëseprapë, i Dërguari i Allahut donte ta përdorte çdo mundësi që kishte në dorë, andaj deshi që i ungji t’i linte një shenjë sado të vockël.

Pranë xhaxhait të Tij erdhën sërish prijësit e mohimit. Ndërkohë, Resulullahu po afrohej më pranë trupit të xhaxhait të Tij. Një tjetër

xhaxhai i tij hyri dhe u hodh menjëherë duke u mllefosur më tej. Qëllimi i tij ishte që të mos e linte Muhamedin të mund të ndikonte mbi Ebu Talibin, që po jetonte çastet e fundit të jetës. Edhe në çastet e fundit të jetës së Ebu Talibit, mohimi tregonte mosbesimin e tij këmbëngulës. Nuk donte kurrsesi t’i hapte rrugë besimit.

O Ebu Talib, mos po heq dorë prej fesë së Abdulmutalibit, për t’u kthyer në fenë e nipit tënd.

Jo, unë jam ende me fenë e Abdulmutalibit, - u përgjigj Ebu Talibi.

Tashmë nuk kishte ngelur më nga vdekja. Në anë të tij kishte vëllanë tjetër, Abasin. Po mundohej t’i lexonte lëvizjen e fundit të buzëve. E sakaq, xhaxhai më i dashur dhe i dhembshur po i mbyllte sytë nga kjo botë.

Resulullahu (s.a.s.) nuk do të hiqte kurrë së u luturi që t’i faleshin mëkatet xhaxhait të tij të dashur, i cili nuk e pranoi asnjëherë haptas fenë e të nipit.

Për aq sa të kem unë në dorë, unë vetëm do të lutem për faljen tënde, - premtoi i Dërguari i Allahut.

Abas ibni Abdulmutalibi, pasi u kujdes për ceremoninë e varrimit, shkoi pranë të Dërguarit të Allahut, i cili ishte mbytur i tëri në një trishtim të pashpjegueshëm:

O nip, të betohem se më duket se e dëgjova Ebu Talibin teksa e tha fjalën e bekuar.

Profeti fisnik nuk ishte i një mendjeje me xhaxhanë e tij, kështu që i tha:

Unë nuk e dëgjova.

Pasi dëgjoi këto fjalë, Abasi i tha nipit të tij që këtej e tutje të tregohej lutës dhe i butë me xhaxhanë e Tij. Vetëm, se Ai ishte vetë një njeri i ekuilibruar. Të gjithë, prej Tij duhet ta mësonin ekuilibrin. Andaj Abasit i tha këto fjalë:

Besoj se ndërmjetësimi im do të mund ta ndihmojë atë, e ndoshta edhe ia pakëson dënimet në Xhehenem.

Lamtumirë Hatixhes së nderuar

Kishin kaluar veç tri ditë nga përcjellja e Ebu Talibit në botën e përtejme. Profeti i dashur u përpoq shumë që ai të jepte të paktën një shenjë sado të vockël, se e pranonte fenë e Allahut, por nuk kishte dëgjuar asnjë fjali që të mund të pohonte diçka të këtillë. Lëre që pastaj, kurejshët pasi e llogaritën se tani nuk kishte më Ebu Talib që ta mbronte të nipin, do t’i rëndonin më tepër tanimë, duke ia bërë më se të ndjeshme mungesën e tij. Ishte një tablo shumë hidhëruese, sepse i kishte ikur njeriu më i dashur, madje pa dëshmuar njësinë e Allahut.

Këto ishin çastet kur errësira ishte errësuar akoma më shumë. Ishte i shqetësuar për gjendjen e së shoqes së bekuar, të cilën e kishte lënë të shtrirë në dhomëzën e tyre, andaj vendi i parë ku shkoi, ishte tek ajo... Sepse atje ishte një tjetër krahdalëse e Tij, e cila po përpëlitej në shtrat prej sëmundjes. Përveç mungesës tanimë të një shtylle si Ebu Talib, në zgrip të çështjes qëndronte edhe largimi i të dashurës së shpirtit të Tij.

U afrua, dhe me të pasmen e dorës u mundua të hapte çadrën... Gjendja e pikëllueshme e Hatixhes ishte për të vajtuar. Këto ishin klithma që shprehnin veç vetminë... Hatixhja, e cila kishte qenë dikur femra më e pasur e mbarë Mekës, tani ishte kërrusur në një gjendje të mjerueshme, prej urisë dhe etjes. Po largohej nga kjo botë, duke i përshëndetur lamtumirshëm të gjithë ata që gjendeshin pranë saj.

Ishte thelluar në trishtimin e Tij, dhe bashkë me vajzat e Tij po shqetësoheshin, sepse pas pak çastesh, do të ngeleshin të gjithë fillikat. Po ikte, ama zemrën e kishte të burgosur në Muhamedin, Mbretin e mbretërve, dhe fëmijët e saj, të cilët mund t’i liheshin në kujdes vetëm Allahut, ndërsa në anën tjetër ishin dy fëmijët e vdekur, të cilët e prisnin.

Në fytyrë, pak përpara se të ikte, i shfaqej një buzëqeshje e ëmbël. Me sa duket, tani kishte filluar t’i shfaqej sihariqi i Xhebrailit (a.s.). Megjithatë, tërë ky pikëllim, pasi u përplas edhe me pikëllimin e shfaqur në shikimin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), u kthye në hidhërim. Të dy ishin të pikëlluar ndërsa shihnin gjendjen e secilit.

Kjo ishte një pamje shumë e dhimbshme, e cila hapte plagë në zemrën e Muhamedit të bekuar (s.a.s.)! Tashmë kishin filluar të rridhnin edhe përrenjtë e lotëve të bekuar, dhe pikat e saj kishin filluar t’i lagnin mjekrën e bekuar. Në fyt iu kapën disa gulçe të njëpasnjëshme.

I Dërguari i Allahut u afrua pranë gruas së tij të bekuar me një drojë të veçantë, dhe filloi të numëronte këto fjali, për të cilat çdo lloj fjalësh ishin tejet të varfra për t’i përshkruar:

- Prej meje, o Hatixhe! U detyrove edhe ti t’i duroje gjithë këto vuajtje, duke u privuar prej një jete, e cila me të drejtë të takonte! Në fakt ti nuk ishte një grua për të përjetuar gjithë këto vuajtje. Kur edhe mund të përballeshe me fisnikëri, si fisnike që je, pe veç vuajtje dhe tortura. Vetëm mos harro se Allahu ka fshehur mbarësi të shumta për ata që i përballojnë këto vuajtje.

E sakaq, edhe mbështetja e fundit më e rëndësishme, pas Ebu Talibit, nuk jetonte më. Duke i dhënë fund të gjitha vuajtjeve të kësaj bote, por edhe tërë asaj, ajo po i thoshte lamtumirën, duke mos treguar kurrfarë lodhjeje apo zhurme. Po shkonte drejt asajbote, e cila duhet të ketë qenë e rrethuar prej brilantesh të vyer.

Kështu, ajo po e linte këtë botë po në një natë Kadri, ashtu siç edhe kishte bujtur në të. Ishte vetë i Dërguari i Allahut që e varrosi në varrin e saj në varrezat e Haxhunit, ku do të prehej në botën e varrit.

Për të Dërguarin e Allahut, pas babait, nënës, gjyshit dhe xhaxhait më të dashur, tani nuk kishte më as një shoqe të jetës aq besnike, të dashur dhe fisnike siç ishte Hatixhja e nderuar. Andaj, Kurejshi sikur vlonte përbrenda, që t’ia niste edhe njëherë, madje kësaj here edhe më egërsisht. Një ditë, njëri prej më të shthururve syresh u ngrit dhe i hodhi baltë mbi shpinë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). E kur e pa se u ndot, Ai, pa thënë as gjysmë fjale u nis për në dhomëzën e Tij. Njëra prej vajzave të Tij, kur e pa në këtë gjendje, ndërsa nga njëra anë rrekej që ta pastronte, nga ana tjetër nuk i mbante dot lotët e dhimbjes që i shkaktonte pamja. Nga goja e urtësisë dilnin këto fjali:

- Mos qaj, dhe mos u mërzit bija ime! Allahu nuk e nxjerr babanë tënd të humbur!

Pas gjithë këtyre ngjarjeve të hidhura, të cilat kishin ndjekur njëratjetrën këmba këmbës, ky vit meritonte të quhej viti i trishtimit. Sepse, ndërsa nga njëra anë rrinin mërzitë e padrejta të idhujtarëve, duke u bërë krejt të padurueshme, Resulullahut (s.a.s.) tani i udhëtuan drejt botës së përtejme edhe dy mbështetje tokësore që i gjendeshin në këtë botë. Të gjitha këto ishin zhvillime, të cilat e trishtonin krejt të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Dhe ky emër i ngeli atij përherë si një cilësor i pandashëm.

Shënimet

  1. 130.Kasas, 28/56
  2. 131.Buhari, 1/457
  3. 132.Ibni Hisham, 2/265-6
  4. 133.Hejthemi, Mexhmau’z-Zeuaid, 9/218
  5. 134.Ibni Sad, Tabakat, 8/18
  6. 135.Ibni Hisham, 2/264