MIGRIM I SHENJTË
Kishte ardhur leja për të migruar, pasi edhe ajeti që kishte zbritur me Xhebrailin (a.s.) përsëritej në gjuhën e të gjithëve, dhe në çdo rast thoshin:
O Zoti im! Çomë mua në botën e së drejtës, dhe në një kohë të duhur falmë një mirësi të fitores, - lutej Ai.
Tanimë të gjitha lutjet ishin pranuar, dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte gati për të migruar në drejtim të Medinës.
Xhebraili fjalëdrejtë, fillimisht po i lajmëronte për kurthin që ishin duke ngritur mekasit:
Të mos flesh në shtratin që bie gjithmonë!
Ai po i mësonte gjer në planin se si do të shpëtonte prej planit të kobshëm të kurejshëve. Me pak fjalë, migrimi madhështor po fillonte me masat që kishte marrë Zoti që ishte Gjithëdijës dhe që kishte informacion prej gjithçkaje. Profeti ynë, i tha këto fjalë Xhebrailit besnik:
Kush do të jetë shoku im gjatë rrugëtimit?
Ebu Bekri, - u dëgjua përgjigja e Xhebrailit.
Zaten edhe Ebu Bekri kishte ditë që e priste këtë mundësi për të migruar. Sakaq, gjatë një kohëdreke, kur ishte kohë qetësimi për të gjithë, Resulullahu (s.a.s.) shkoi në drejtim të shtëpisë së Ebu Bekrit të nderuar. I kërkoi leje për të hyrë. Nuk ishte e mundur. Po rrinte përballë portës së Ebu Bekrit të nderuar, dhe po priste për të hyrë brenda.
Nëna dhe babai im të qofshin falë, o i Dërguar i Allahut! Meqë ke ardhur në këtë orë, duhet të kesh diçka të rëndësishme për të folur.
Pa humbur kohë, rendi në drejtim të derës, dhe e ftoi Profetin që të hynte brenda. Ebu Bekri po e priste gjithë merak këtë gjë. Sepse ardhjet gjer kësaj dite, ishin bërë gjithnjë në orët e agimit, ose të mbrëmjes. Resulullahu (s.a.s.) i kërkoi atij që t’i nxirrte jashtë pjesëtarët e familjes, në mes të të cilëve ishin edhe vajzat e tij, Esmaja me Aishen e nderuar.
Mos u shqetëso, o i Dërguari i Allahut! Ato janë bijat e mia, të cilat quhen edhe njerëzit e Tu. Nëna dhe babai im të qofshin falë, çfarë ka ndodhur? – e pyeti ai, duke u përpjekur ta kuptonte arsyen e kësaj vizite të papritur.
Përgjigja nuk u vonua:
M’u dha leja për të migruar në Medinë.
Bashkë do të ikim, o i Dërguari i Allahut? – pyeti ai.
Po, bashkë, – u derdh përgjigja prej buzëve të bekuara, me një zë sihariqdhënës.
Botët ishin të tijat tashmë. Zaten, Ebu Bekri (r.a.) ishte përgatitur për ardhjen e kësaj dite, dhe thjesht po priste urdhrin për t’u nisur. E kishte marrë sihariqin që më parë, atëherë kur i Dërguari i Allahut e këshillonte, teksa ai tregohej i nxituar për të kërkuar lejen e migrimit.
Mos u nxito! Ka shpresë që Allahu të të japë edhe një shok me vete, - i pati thënë i Dërguari i Allahut.
Pas kësaj, ata filluan të përgatiteshin për një udhëtim dyvetësh. Kishin katër muaj që i përgatisnin dy deve vetëm për këtë synim. Tashmë Resulullahu po priste këto përgjigje që po vinin. Tanimë po dëgjonte këto fjali.
Ky ishte fillimi i një tjetër hapi që do të ndryshonte gjithë rrjedhën e ngjarjeve. Të ishe bashkudhëtari i të Dërguarit të Allahut në një udhëtim të tillë... A mund të kishte mirësi më të madhe se kjo? Ebu Bekri i nderuar nuk po i mbante dot lotët, andaj filloi të qante me gulçe.
Mandej ai i pruri të dyja devetë pranë të Dërguarit të Allahut.
O mëkëmbësi i Allahut! I kam përgatitur këto kafshë pikërisht për këtë ditë.
Kishte mbetur vetëm që i Dërguari i Allahut (s.a.s.) të përgatitej për të udhëtuar. Mirëpo Ai duhet të ishte shembull për çdo çast të jetës.
Andaj u kthye nga Ebu Bekri i nderuar (r.a.) dhe i tha këto fjalë:
Do t’i pranonte vetëm duke i paguar koston e tyre, pasi një rrugëtim kaq i rëndësishëm nuk mund të ndërmerrej duke përdorur një mirësi të papaguar.
Dimensioni i masave të marra për të bërë hixhret
Meqë të gjitha kushtet ishin gati, kishte ngelur vetëm që të niste udhëtimi. Ebu Bekri do të tregonte se ishte Siddik. Ai do të merrte të gjitha masat që ky rrugëtim të kalonte sa më i paqtë. Sepse nuk mund të lihej çdo gjë në mëshirë të fatit. Pasi edhe një udhëtim kaq i gjatë vetëm me deve, nuk ishte aq e lehtë. Fillimisht ranë dakord me një person që quhej Abdullah ibni Urejkit, i cili do t’i printe gjatë rrugëtimit. Pas tri ditësh do të takoheshin në Theur. Kur të vinte, Abdullahu do të kishte me vete edhe dy devetë e marra prej të Ebu Bekrit të nderuar (r.a.), dhe sakaq do të niste më në fund rrugëtimi.
Ebu Bekri e pati paralajmëruar vajzën e tij, Esmanë, e cila do t’u përgatiste dhe do t’u çonte ushqime gjatë kohës që do të shkonin për në Theur. Ebu Bekri i nderuar kishte edhe një masë tjetër për të marrë. Thirri pranë vetes Amirin, i cili ishte bariu i gjedhëve të tij, të cilit i kërkoi, që pasi të niseshin ata të dy, t’ia ngjiste delet nga pas, në mënyrë që të fshinin gjurmët e tyre. Sepse e dinte mirë, që mekasit nuk do të hiqnin dorë aq lehtë. Andaj, nëse nuk ruheshin mirë, kurejshët mund t’i zbulonin dhe t’i fusnin në turlifarë telashesh.
Edhe Abdullahu, i biri i Ebu Bekrit do të vinte bashkë me Amrin, të cilët njëkohësisht do t’u sillnin atyre lajme nga ajo çfarë ishin duke bërë kurejshët. Abdullahu vinte çdo mbrëmje në shpellë, rrinte me ta gjer në mëngjes, ndërsa Amiri mbante delet për të kullotur aty rreth e rrotull Theurit. Dhe kjo, ishte një ndodhi e cila do të përsëritej çdo ditë gjatë atyre ditëve. Njëkohësisht, me këtë arsye, ata do të mund t’i ushqenin me qumësht udhëtarët më të vyer.
Një tjetër masë duhej marrë nga vetë Profeti ynë i dashur. Ai e kishte lënë Aliun, si mëkëmbës në dhomëzën e Tij, pasi kishte ardhur koha që t’i jepej amanetet t’u jepeshin të zotëve. Ç’madhështi ishte kjo, që ruante edhe mallin e atyre që përpiqeshin ta vrisnin, që edhe sikur të ishte duke vënë në rrezik jetën e gjakut të vet, ia dinte për borxh vetes që ta kryente detyrën gjer në cak, duke kërkuar që amanetet t’u ktheheshin atyre që u përkisnin.
Patjetër që gjithë këto masa nuk mund të mendohet se ishin të tepruara. Profeti i profetëve i kundronte me vëmendje të gjitha sa ndodhnin, duke mos parë asgjë si të parëndësishme. Sepse Ai ishte dërguar si mëshirë për umetin e Tij. E dinte që Allahu (xh.xh.) nuk do ta ruante Atë nëse nuk e kryente detyrën gjer në fund. Allahu (xh.xh.) ia kishte bërë të ditur se do ta mbronte, andaj Ai po i lexonte këto ajete në çdo rekat të namazit. Me një fjalë, çështja ishte krejt ndryshe.
I Dërguari i Allahut ishte një shembull model për të gjithë njerëzit e tjerë që ndiqnin veprimet e Tij një më një. Nëse do të nisej për të migruar bashkë me Omerin e nderuar, edhe umeti i Tij do të kishte ngelur i detyruar ta bënte diçka të këtillë. Dhe një veprim i tillë do të thoshte t’i hidhje të gjithë në duart e gjithë sprovave të mundshme me duart e tua. Andaj, Ai do të përllogariste edhe anëtarin më të ngathët të umetit të Tij, në mënyrë që çdo gjë t’i ecte sipas planeve të bëra. Kësodore, Ai nuk linte asgjë mangët nga masat që duheshin marrë, dhe njëkohësisht u jepte njerëzve një mësim të mirë në lidhje me ndjekjen e shkaqeve një më një.
Nga ana tjetër, Kurejshi ishte duke arritur disa përfundime sipas vetes. Ishin mbledhur të gjithë, dhe po rrethonin dhomëzën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Këta fatkeqë syerrësuar kishin rrethuar dhomëzën e Tij, e po prisnin minutat për të dhënë goditjen e fundit.
Vetëm se Allahu (xh.xh.) ishte zotërues karshi gjithçkaje, dhe i dinte më së miri të gjitha ç’po ngjasnin. E gjithë materia e tokës dhe qiellit ishte në duart e Tij të kontrollit, dhe Ai mund të vepronte si të donte me të, dhe askush nuk kishte se ç’të thoshte. Duke qenë kështu, nuk kishte asnjë rëndësi, dhe nuk kishte se si të kishte, se ç’do të paramendonte komandoja e vdekjes. Dhe përfundimi do të ishte pikërisht ashtu siç do të donte Ai.
Në kushtet normale, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shtrihej për disa çaste pasi falte namazin e jacisë. Kur të gjithë largoheshin për në shtëpitë e tyre, Ai shkonte në Qabe dhe fillonte të adhuronte Allahun (xh.xh.) me një qetësi të pashoqe shpirtërore. Vetëm se këtë natë çdo gjë ishte ndryshe. Me të marrë vesh ç’do të ndodhte, thirri pranë Aliun e nderuar (r.a.):
Merr atë shtrojën jeshile, dhe eja e shtrihu në shtratin tim! Mos u shqetëso aspak, veç shtrihu dhe fli. Sepse nuk kanë për të të shkaktuar asnjë dëm.
Saora, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) doli prej shtëpisë duke kënduar nëntë ajetet e para të sures JaSin. Përjashta shtëpisë gjendej një rojë prej kurejshëve, i cili bënte rojë.
Ne u vumë atyre nga një pengues, nga para dhe nga pas, dhe përpara syve u kemi vendosur nga një perde. Tanimë ata nuk mund të shohin dot asgjë.
Këto ishin fjalët e ajetit në fjalë. Ndërkohë, Ai mori një grusht dhè nga toka, dhe e hodhi mbi ata që i kishin rrethuar dhomëzën për ta ruajtur. Dhe teksa e kryente këtë veprim, thoshte:
Sytë iu errësofshin!
Çdo copë dheu kishte rënë mbi secilin syresh, dhe Ai, habitshëm, kaloi mespërmes tyre, duke mos e parë askush. Ata kishin ngritur një kurth për ta vrarë, për ta larguar prej vendit të Tij, Atë që veç i ftonte drejt besimit në Zot. Por nëse ata kishin një plan, edhe Allahu (xh.xh.) e kishte një plan për ta mbrojtur Profetin e Vet. Dhe ja tek po shihej sërish, se sado që të vlonte mohimi, nuk mund të dilej përballë vullnetit hyjnor, duke bërë që të dilte po ajo që thoshte Ai.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte larguar sakaq. Pranë atyre që ruanin përballë portës së dhomëzës së Tij erdhi dikush, i cili me t’i parë në këtë gjendje, u tha:
Pse prisni këtu ju?
Po presim Muhamedin, - u përgjigjën ata.
Burri u nxeh shumë. Njerëzit më të përzgjedhur, të cilët i kishin ngarkuar me vrasjen e Tij, ishin kthyer në nga një mace të butë pranë portës së Tij. Ata nuk e kishin ndjerë aspak dheun që u ishte hedhur sysh. Profeti ynë ishte nisur bashkë me mikun e Tij besnik, ndërsa këta rrinin urtë-urtë, si të përgjumur, përballë portës së Tij, gjoja duke bërë plane se si do ta vrisnin. Ky ishte një budallallëk i hapur.
Turp t’ju vijë, more të paaftë! Ai ju ka hedhur hi sysh, duke ju fluturuar me kohë duarsh.
Vallahi ne nuk e kemi parë.
Ishin thuajse të rrënuar prej këtyre që kishin dëgjuar. Sikur t’u ishin marrë shqisat e ndijimit, dhe megjithëse shihnin, nuk e kishin vërejtur dot të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) teksa largohej. I çuan duart mbi krye dhe filluan të shihnin njëri-tjetrin në sy. Fjalët e atij njeriu ishin të vërteta. Filluan të pastronin dheun që kishin mbi rroba.
Pa kaluar shumë kohë, kjo ndodhi u dëgjua edhe në mesin e
Kurejshit. Prijësit e tjerë, të cilit ishin duke pritur për lajmin “e mirë” të vrasjes, kur dëgjuan se i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte nisur për të kryer migrimin e Tij. Kur të gjithë të përzgjedhurit e fiseve hynë të gjithë njëherazi në dhomë, filluan të merrnin frymë me vështirësi, pasi shtrati nuk ishte bosh. Me një turfullim ndaj burrit që i kishte merakosur kot, thanë:
Ja tek është edhe Muhamedi.
Të gjithë filluan të mendonin se tërë ai shqetësim kishte qenë i kotë. Mirëpo edhe kjo nuk zgjati shumë. Sepse Aliu i nderuar u ngrit përnjëherë nga shtrati, dhe po u rrinte përballë me një qëndrim sikur të donte t’u tregonte vendin.
Ku është Muhamedi? - filluan ta pyesnin atë gjithë nervozizëm.
Nuk ia kam idenë. - u përgjigj Aliu i nderuar.
Ishin sërish ata që po dilnin të humbur. Përgjigja që po merrnin i mërziti akoma më shumë, dhe kërcënonin këdo që u dilte përpara. Nuk donin ta linin as Aliun e nderuar, të cilin filluan ta shtynin njëherë sa andej këndej, derisa me prunë deri në Qabe. Ndoshta mund t’u thoshte vendin ku gjendeshin udhëtarët, duke u dhënë ndonjë shenjë, madje edhe e burgosën për një kohë të shkurtër. Mirëpo e patën kuptuar se sado që ta detyronin, nuk do ta detyronin dot që të fliste. Zaten, të mos e lëshonin Aliun do të ishte akoma më keq për ta. Sepse ai kishte ndenjur pas pikërisht për t’u shpërndarë amanetet që ia kishin lënë duarve të sigurta të Muhamedit.
Ebu Xhehli, i cili ishte faraoni i asaj bashkësie, filloi të fliste disa fjalë, të cilat ia bënin të merituar këtë epitet:
Do t’i jap njëqind deve shpërblim atij që ma bie Muhamedin këtu, të gjallë a të vdekur!
Tashmë ishin duke e humbur krejt Muhamedin dhe Ebu Bekrin e nderuar, për të cilin ishin gëzuar aq shumë që do ta zhduknin njëherë e mirë. Dukej qartë, se vetëm nuk do t’ia dilnin dot, andaj i dolën të gjithë zot asaj që premtoi Ebu Xhehli, duke u bërë diçka e ditur, se ai që e kryente këtë detyrë do të merrte plot njëqind deve si shpërblim.
Njëkohësisht, Ebu Xhehli megjithëse nuk e përdorte siç duhej mendjen, ishte një njeri shumë i zgjuar. Pa humbur kohë, u nis për te shtëpia e Ebu Bekrit. Ishte Esmaja ajo që e hapi derën. Fillimisht ai e pyeti se ku gjendej i ati. Esmaja po i përgjigjej se nuk e dinte. Për Ebu Xhehlin ishte krejt e pamundur që ajo të mos dinte asgjë, andaj i dha një të goditur me shpullë, saqë Esmasë i ra njëri vëth që mbante në vesh. Mirëpo, sipas zakoneve të atyre ditëve, një sjellje e tillë karshi një gruaje shtatzënë shihej si një turp mjaft i rëndë. Vetëm se ky që po e kryente ishte Ebu Xhehli. Ajo nuk do ta harronte asnjëherë këtë goditje, dhe sa herë që të bëhej fjalë për Ebu Xhehlin, ajo thoshte:
Një njeri i ndyrë dhe krejt i pafytyrë!
Drejtuar Theurit
Ishte e njëzet e shtata ditë e muajit të udhëtimit. Migrimi i bekuar kishte nisur nga shtëpia e Ebu Bekrit në errësirën e natës. Vetëm se drejtimi po tregonte shpellën e Theurit, e cila gjendej rrugës së Jemenit, e cila të nxirrte edhe në Medinë. Do të bënin afërsisht tetë kilometra, derisa në fund t’i ngjiteshin, ndryshe nga të tjerët, atij shpati plot gurë dhe tejet të mundimshëm. Veç kësaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), megjithëse kishte një rrugë tejet të gjatë për të bërë, dhe të gjitha kushtet ishin mbledhur kundër Tij, ecte në majë të gishtave, pasi nuk donte të linte gjurmë. Me pak fjalë kishte nevojë ende për manevra të tilla. Do të rrinin për pak kohë këtu, për të ndjekur se ç’do të ndodhte sakaq në Mekë. Sepse Resulullahu e dinte mjaft mirë, që edhe sikur të dilte nga Meka, edhe atje ku do të shkonte nuk kishin për ta lënë të qetë, si dhe e merrte me mend se me ta marrë vesh që Ai ishte larguar, ata do të bënin çmos që ta pengonin disi. Mekasit e dinin ikjen e sahabëve të Muhamedit në Medinë, kështu që përdornin çdofarë metode për t’i penguar që t’i kthenin mbrapsht.
Edhe Ebu Bekri sillej tërë kujdes. Dridhej i tëri nga frika vetëm se mos i bënte njeri keq të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ndonjëherë i dilte përballë, për t’i prirë rrugës, ndërsa disa herë rrinte pas që të ndiqte të ecurën e Tij. Profeti ynë e vërejti këtë sjellje, andaj i tha:
O Ebu Bekër! Çfarë të ka gjetur kështu, që njëherë më del nga përpara, e njëherë nga pas.
O i Dërguari i Allahut! Eci nga pas Teje për t’u siguruar se nuk do të të vijë ndonjë e keqe nga pas, ndërsa nga para të dal nga frika se mos përballemi me spiunët e ndokujt.
Profeti ynë, si për ta vlerësuar këtë sjellje kaq delikate, i tha:
O Ebu Bekër! Po pse, mendon ti se kam ndonjë gjë më të dashur se ty unë gjatë këtij rrugëtimi.
Jo, o i Dërguari i Allahut! Të betohem për Atë që të ka nisur me të vërtetën, se unë jap edhe shpirtin për Ty, dhe para se të të vijë Ty ndonjë e keqe, më mirë të më vijë mua! - ktheu Ebu Bekri kësodore një përgjigje që mund t’i përgjigjej disifarë komplimentit të të Dërguarit të Allahut!
Përkujdesja e Ebu Bekrit në shpellë
Në shpellën atje sipër duhet të hynte Ebu Bekri i nderuar i pari. Sepse çdo gjë e papëlqyer me të cilën mund të përballeshin, duhet të ishte ai që do ta parandalonte, në mënyrë që të mos dëmtohej Profeti i Allahut paqja qoftë mbi Të. Kjo ishte një përkujdesje a la Ebu Bekir. I gjithë meraku buronte nga frika se mos i ngjitej qoftë edhe një grimcë pluhuri të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Prandaj e pati copëtuar edhe rrobën që kishte veshur. Po mbyllte vrimat në mënyrë që të mos dilte ndonjë kafshë, e cila mund t’i bënte keq Atij. Mbetën vetëm dy vrima të cilat nuk i mbylli dot. Por edhe për to pati gjetur një zgjidhje. E thirri brenda të Dërguarin e Allahut pasi e mbylli njërën me këmbën e majtë dhe tjetrën me këmbën e djathtë. Ky ishte pikërisht ai veprim fisnik, për të cilën Omeri i nderuar do të thoshte: “Jepja çdo vepër timen për të pasur një natë si ajo në jetë.” Nga ato vrima që patën mbetur të hapur, prej njërës kishte dalë një gjarpër, i cili e kishte kafshuar në këmbë. E kishte ndjerë djegien e vendit të plagës, por nuk kishte nxjerrë zë, vetëm që të mos zgjohej i Dërguari i Allahut. Më në fund, kishin qenë pikërisht disa lot dhe djersët e ftohta që i kishin bërë përshtypje Profetit tonë të dashur, prandaj e pati pyetur:
Çfarë ke kështu, o Ebu Bekër?
Nëna dhe babai im të qofshin falë o i Dërguari i Allahut! Më kafshoi gjarpri.
Ndërsa e thoshte, në fytyrë i iknin dhe i vinin disa ndjesi turpi. Nuk donte që Resulullahu të mërzitej prej një çështjeje që kishte të bënte me të, për më tepër të humbte kohë duke u shqetësuar. Sakaq, i Dërguari i Allahut përhapi pak nga pështyma e Tij mbi plagë, dhe mandej iu lut Allahut (xh.xh.) që t’i jepte shërim. Për një grimëçast gjithçka u kthye në normalitet. Gjithçka ishte sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Sepse edhe vetë Ebu Bekri nuk kishte më asnjë dhimbje.
Ndërkaq punës ia kishte filluar një merimangë. Po thurte një rrjetë pikërisht në hyrje të shpellës. Aty ishin vendosur edhe dy pëllumba bashkë me çerdhen e tyre. Filloi të rritej një pemë mu në të hyrë, asisoj që e mbulonte krejt hyrjen. Të gjitha tok po fshihnin të Dërguarin e Allahut. Dukej qartë se Allahu (xh.xh.) nuk do t’ia linte askujt në dorë të Dërguarin e Tij, duke e mbrojtur vetë nga fillimi gjer në fund.
Ndjekësit kishin ardhur deri fare pranë Theurit. Donin të kontrollonin shpellën, pasi besonin se pikërisht aty duhet të ishin fshehur. Mirëpo, kur panë pemën e rritur, çerdhen e pëllumbave dhe rrjetën aq të vjetër të merimangës, njëri syresh belbëzoi:
Shihe pak atë rrjetë merimange! Ngjan të jetë thurur shumë kohë përpara se të lindte Muhamedi.
As të tjerët nuk mendonin më ndryshe. Megjithëse rrjeta e merimangës ishte tejet e hollë, Allahu e pati mbrojtur sërish Profetin e Tij, duke i bërë mekasit që të ktheheshin duarbosh për andej nga kishin ardhur.
Ebu Bekrit, me të kuptuar ardhjen e tyre deri në të hyrë të shpellës, filluan t’i rridhnin sërish djersë të ftohta. Ebu Bekri, i cili i ndjeu hapat e tyre që vinin si lopë të tërbuara, tha:
O Resulullah! Sikur vetëm njeri prej tyre të zgjatet e të shohë nga brenda vetëm nga largësia e një këmbe, ka për të na parë shumë qartë.
I Dërguari i Allahut, donte ta qetësonte mikun e Tij të shpellës, të cilit i kishte deklaruar “Ti je vëllai im”.
- Pse shqetësohesh për dy veta, kur i treti me ta është Allahu? – ishte pyetja e Tij aq kuptimbukur.
Ishte vetë i Dërguari i Allahut (s.a.s.) që e thoshte këtë fjali. Ai ishte robi më i dashur i Allahut. Dhe ishte pikërisht Ai që ia kishte parathënë, se do ta ndihmonte karshi të gjithë keqbërësve.348 Fliste krejt i sigurtë. Sepse e dinte, që edhe nëse nuk e ndihmonte Kurejshi prej moskuptimit, Allahu kishte për ta ndihmuar ashtu siç kishte ndihmuar të gjithë mëkëmbësit e tjerë më parë! Do ta ndihmonte edhe duke i dërguar ushtri të tëra, të cilat nuk i shihte syri, dhe me një qetësi shpirtërore të parrëfyeshme.
E dinte mjaft mirë edhe Ebu Bekri i nderuar. Mirëpo veç ta dije, nuk mjaftonte për t’u përballur me tërë vështirësitë e atyre ditëve. Sepse ai me këtë shfaqte të gjithë merakun që duhej treguar, pasi nuk bëhej fjalë vetëm për shënjestrimin e një njeriu të vetëm, por për mbarë njerëzimin, nëse bëhej fjalë drejtpërsëdrejti për të Dërguarin e Allahut.
Më në fund, edhe ata që patën ardhur gjer në të hyrë të shpellës po ktheheshin, dhe rruga, qoftë edhe për pak do të ishte e sigurt. Ebu Bekri ndërkaq dilte shpesh për të parë terrenin. Kur u pa se të tjerët ikën, pranë tyre vinte edhe Abdullahu, djali i Ebu Bekrit, i cili u sillte lajme mbi ato çfarë ndodhnin në Mekë. Ndërkaq kishin ardhur edhe dy udhërrëfyesit, Amiri dhe Abdullah ibni Urejkiti. Me vete kishin marrë edhe devetë që do t’i shpinin gjer në Medinë.
Ebu Bekri i mori devetë, dhe atë që dukej më e mbajtura, ia dha të Dërguarit të Allahut.
Nëna dhe babai im të qofshin falë! Hip o Resulullah!
Mirëpo u përball me një përgjigje, të cilën nuk e priste:
Unë nuk mund të hipi mbi një deve që nuk është e imja.
Ebu Bekri do të vepronte pikërisht ashtu siç i shkonte emrit Siddik, kështu që i tha:
Nëna dhe babai im të qofshin falë! Ajo është e jotja, o i Dërguari i Allahut!
Vetëm se as kjo nuk ishte zgjidhje. Resulullahu, akoma edhe më i vendosur:
Jo, vetëm me kushtin që të të paguaj paratë që ke harxhuar për ta marrë.
Ebu Bekri e tregoi i detyruar.
Edhe unë me atë çmim e mora.
Kësodore, në një pikë kaq kyçe, umetit po i jepej një tjetër mësim.
Lajmet që vinin nga Meka, tregonin se ashpërsia e ditëve të para nuk ishte më e njëjta. Me pak fjalë, kishte ardhur çasti për t’u nisur. U larguan sërish një ditë të hëne nga shpella. Në fillim shkuan në drejtim të perëndimit, andej nga bregu, ku nga Deti i Kuq morën drejtimin për drejt e në qytetin e Medinës. Në fakt rruga Mekë-Medinë ishte një rrugë me të cilën nuk ishin mësuar. Nisi prej Theurit dhe zgjati plot shtatë ditë, dhe me shumë mundime. Bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) ishin Abdullah ibni Urajkiti, Amir ibni Fuhejre, pa harruar edhe Besnikun, Ebu Bekrin e nderuar. Vështrimi i fundit hedhur kah Meka
Ndërkohë, Resulullahu (s.a.s.) u kthye edhe njëherë, për të parë për herë të fundit në drejtim të Mekës. Ishte pikërisht pikëllimi që po largohej nga vendi ku kishin vizituar të gjithë profetët, dhe vendit ku ishte shtëpia e Zotit, dhe qytetit që quhej binjaku i saj. Po e linte zemrën aty dhe po largohej. Ai kishte pritur plot dyzet vjet për t’i ardhur revelata; prej aty ngjitej deri në Hira; lutej me radhë të tëra që të mund të adhuronte siç duhej, duke u zhytur në meditime në lidhje me të ardhmen. Nuk ishte e lehtë. Profeti më i dashur, robi më i dashur i Allahut, dhe njëkohësisht hallka e fundit e zinxhirit profetik, po largohej prej shtëpisë së Allahut (xh.xh.) dhe po përparonte në drejtim të një tjetër qyteti.
Këto ishin vështrimet e fundit kah Meka, dhe dukej sikur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po shihte sikur të ishte duke folur me Mekën. Edhe Ebu Bekri e kishte përqendruar vëmendjen pikërisht atje. Po shihte i heshtur ç’po ndodhte.
- Vallahi, moj Mekë! Unë ngela i detyruar të largohem prej teje! Padyshim që ti je qyteti më i dashur për Allahun! Allahu ka mirësi të veçanta për ty. Të betohem, se po të mos ishin banorët e tu që më detyruan të dilja, nuk do të largohesha kurrsesi prej teje!
Pas këtij çasti meditimi dhe bisedash të ndjeshme, Profeti i profetëve, Muhamedi paqja qoftë mbi Të, bashkëudhëtari i Tij i dashur, Ebu Bekri i nderuar, idhujtari mekas, Abdullah ibni Urajkiti, u nisën për rrugë, dhe filluan të përparonin në drejtim të Medinës prej rrugës së bregdetit.
Ndjekja e Surakës
Nga ana tjetër, shumica e atyre që rendnin për t’i gjurmuar, më shumë duke rendur pas shpërblimit të ofruar, edhe po të ktheheshin duarbosh, kishte nga ata që do të ndiqnin qoftë edhe sa për inat.
Kishte ardhur njëri prej bijve të Mudlixhit, i cili u thoshte atyre që ishin ulur, se i kishte parë të dy burrat, për të cilët Meka kishte vendosur të shpërblente me njëqind deve për kokë. U ishin bërë sytë katër prej kësaj “të mire”, sikur mbi krye t’u ishte ulur zogu i fatlumësisë, ata u drejtuan për te Suraka ibni Maliku. Burri që i kishte parë udhëtarët e patën kuptuar se me këtë duhet ta flisnin këtë çështje, kështu që tha:
O Suraka! Pak më parë pash një si hije që përparonte përgjatë rrugës së bregut. Besoj se mund të jenë Muhamedi bashkë me shokun e tij.
Edhe Suraka njësoj mendonte. Ky lajm që po merrte vetëm sa po ia përforconte hamendësimin, duke bërë që të mos i mbetej më asnjë mëdyshje. Tashmë kjo çështje nuk ishte më e atillë që të mund të flitej lart e poshtë prej të gjithëve. Nuk donte të dilte hapur, andaj tha:
Ata nuk mund të jenë burrat që mendon ti. Edhe unë i pashë pak më parë ata që ke parë ti. Ata janë filani dhe fisteku. Me këtë qasje, po shuheshin të gjitha imagjinimet e thurura gjer më tash. Për të mos ia bërë të ditur të gjithëve, u ul pa e prishur stivën e mendimit.
Tashmë koha kishte ndryshuar, duke bërë që tema të rrëshqiste kah një tjetër, për të mos menduar më aq shumë për udhëtarët. Suraka u ngrit prej vendit për të shkuar në shtëpi. Atje i kërkoi shërbëtorit që t’i përgatiste kalin, të shkonte tek aksh luginë dhe ta priste. Mandej mori heshtën, e mprehu mirë e mirë, doli nga shtëpia, dhe u nis për atje ku kishte nisur shërbëtorin që të priste. I kishte kapërcyer të gjithë, sepse donte të ishte vetë fituesi i shpërblimeve të premtuara.
Kësodore nisi edhe një tjetër udhëtim i fshehtë.
Nga ana tjetër, kishin kaluar plot tri ditë që kishin dalë prej Theurit. Udhëtarët e këtij udhëtimi të bekuar panë një tym resh që afrohej në drejtim të tyre. Tek Ebu Bekri dallohej ende telashi që e kishte kapluar gjatë kohës që gjendeshin në Theur. Tani nuk kishin më, as një shpellë ku të fusnin kokën, e as ndonjë rast që të mund t’u shërbente si mbrojtës i mundshëm.
O i Dërguari i Allahut! Njeriu që është duke na ndjekur po na afrohet shumë!
Mos u shqetëso! Allahu është me ne! – u përgjigj Ai me po të njëjtin vetëbesim dhe mbështetje të plotë tek Allahu.
Patjetër që nuk do t’i bënin keq një njeriu që kishte ardhur për të kryer një detyrë, të mendojë kush të dojë e si të dojë. Ndihmesa hyjnore për ta ishte vendi i vetëm më i sigurt për ta. Vetëm se shqetësimi i Ebu Bekrit shtohej nga çasti në çast, andaj duke menduar se u erdhi fundi, filloi të derdhte lot. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i Cili e vërejti këtë gjendje të mikut të Tij, e pyeti:
Po ti, pse po qan?
Vallahi që jo për veten. Kam frikë mos të gjen Ty ndonjë e keqe, o i Dërguari i Allahut!
Kur u afruan mirë, u kuptua se ai që po vinte ishte Suraka. Sado që shqetësimi i Ebu Bekrit vazhdonte të ishte po ai, Resulullahu paqja qoftë mbi Të pa fillimisht mbrapa, andej nga po vinte Suraka. Dukej qartë se donte që ta çarmatoste e ta ndikonte nëpërmjet shikimit. Po e ndalte Surakën vetëm me anë të atij vështrimi, derisa e rrëzoi përdhe.
Në pah kishte edhe një drejtim nga vendi i shenjtë. Buzët e të Dërguarit të Allahut diç po belbëzonin. Me ç’dukej, po lutej:
O Zot! Ndihmona ne me këtë burrë që po vjen për të na ndjekur, - lutej Ai, ndërsa nuk e ndante aspak shikimin prej Surakës.
Këmbët e kalit të Surakës u zhytën në tokë bashkë me vështrimin e syve profetikë, madje në një çast krejt të papritur. Në vendin ku gjendej ai u ngrit dheu përpjetë, duke ngritur një re tymi drejt qiellit.
Ai në fillim mendoi se ky mund të ishte thjesht një aksident. Megjithëse nuk ngjante aspak si i tillë. Edhe nga aspekti i shkaqeve, nuk shihte asnjë që të mund të shkaktonte diçka të këtillë. Mos ishin të vërteta ato që thuheshin? Mos Muhamed besniku ishte me të vërtetë një profet? Po sikur të ishte e gjitha e vërtetë? I kaloi nëpërmend njëherë e mirë. Dukej që nuk kishte asnjë rrugëzgjidhje, andaj filloi ta shihte të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) më me kujdes.
Lutju Allahut për mua që të mund të shpëtoj prej këndej! Do të heq dorë prej ndjekjes. Të jap fjalën, se me t’u liruar do të kthehem andej nga erdha.
Ai (s.a.s.) ishte një profet. A mund të ndodhte që dikush t’i kërkonte diçka, e Ai ta kthente mbrapsht duarbosh? Qoftë kërkuesi njëri prej idhujtarëve.
Suraka shpëtoi sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kjo mirësi që po i ndodhte ia kishte zotëruar të gjitha ndjesitë, dhe me t’i hipur kalit i rrahu mamuzet. Nga vendi ku kishte rënë ai u ngrit një re e madhe pluhuri. Po kalonte një shok të mirëfilltë. Pa pasur kurrfarë shkaku, këmbët e kalit të tij ishin zhytur brenda në tokë, ishin zhytur edhe më thellë se më parë, prej nga nuk po dilte dot.
Nuk po i jepte dot kuptim asaj që po ngjaste... Kishte vite që rendte me kalë në këto anë, por ishte hera e parë që përballej me diçka të këtillë. Jo... Jo... nuk ishte Ebu Xhehli ai që kishte të drejtë, por Ebu Bekri. Prandaj, të mundohej për t’u bërë keq këtyre njerëzve që ishin nën mbrojtjen e Allahut, ishte diçka e kotë. Kësaj here Ai do t’u fliste atyre me zemër:
O Muhamed! E kuptove, se këto që më kanë ngjarë më kanë ardhur prej lutjes Sate! Unë kam devetë në filan vend. Merr kë të duash prej tyre, por të përgjërohem, lutu edhe njëherë për mua që të gjej shpëtim. Të jap fjalën, që nuk do të të bie më në qafë!
Unë nuk kam nevojë për devetë, - tha i Dërguari i Allahut (s.a.s.).
Pas saj, u lut që ai të gjente shpëtim. Suraka ishte edhe njëherë në këmbë.
Ndërsa po ngrihej nga vendi i pluhurosur i tëri, ku i dihet se ç’bëhej në botën e tij shpirtërore; tashmë ishte një qëndrim krejt ndryshe ai i tiji. Ebu Bekri i nderuar po i ndiqte të gjitha me kujdes. Po e falënderonte Allahut nga kënaqësia që e kishte mbrojtur. Sepse, Suraka ishte gati për t’iu ulur në gjunjë të Dërguarit të Allahut. Dukej sikur do të dorëzohej nga çasti në çast. Në fjalët e Profetit të nderuar ngjante sikur Profeti i Njerëzimit donte të thoshte: “Edhe ti?” - Po, edhe unë o i Dërguari i Allahut.
Mandej i dha fjalën dhe u kthye mbrapsht për t’ia treguar mekasve ato që i kishin ndodhur. Sidoqoftë, të gjithë duhet të tregoheshin sakrifikues dhe vetëtregues, duke e treguar aftësinë e tij. Tashmë, edhe ai kishte hyrë në të drejtë, duke u bërë një prej dëgjuesve të bindur të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Profeti i Njerëzimit i tha këto fjalë:
Ditën që do të jesh sundues i dy byzylykëve të Kisras, eh si ke për të qenë o Suraka!352
Ashtu siç nuk kishte paguar asgjë për shpëtimin e tij, por edhe ishte njohur me të vërtetën, me Islamin, ndërsa tani po njihte edhe një sihariq në lidhje me të ardhmen. Kjo tregonte se njëri prej vendeve më të fuqishme të asaj kohe do të mundej, dhe se dy duart e Kisrës do të ishin nën kontrollin e Surakës. Në fillim nuk mund ta besonte, andaj pyeti:
Kisra, i biri i Hurmuzit? – pyeti ai kureshtar.
Po, - i tha Ai.
Kjo, jo vetëm për Surakën, por për të gjithë myslimanët do të thoshte një tjetër synim i ri. Suraka, që kishte qenë një ndjekës, ndërsa tani mysliman, mori fermanin e shkruar prej Resulullahut dhe detyrën e re, dhe mori rrugën e kthimit për në Mekë. Ky njeri që deri pak çastesh kishte pasur si synim të vetëm vrasjen e të Dërguarit të Allahut, po kthehej si një hero i këtij harku kohor, andaj do të tregonte një sjellje të atillë trimërore, që do t’i kthente mbrapsht edhe të tjerët që ishin vënë në ndjekje të Dërguarit të Allahut, duke u thënë të gjithëve se nuk kishte asnjë njeri që duhet të kapej.
Gjithë ato kujtime u përjetuan gjatë atij udhëtimi, por ai ishte i qetësuar prej mirësive të shumta që e rrethonin sakaq. Të gjithë ata që bëheshin mysliman si fryt i kësaj rruge, nuk ngeleshin vetëm duke u bërë mysliman, por edhe bënin hixhret. Tashmë ditët e errëta i përkisnin të shkuarës, kështu që hap pas hapi po lindte një qytetërim.
Emocioni i takimit të parë
Ndërkohë Medina po përjetonte një emocion të madh, sepse po priste ardhjen e të Dërguarit të Allahut një sahat e më parë. Ata u takuan në vendin e quajtur Harra, nga po e shihnin me sy të përlotur prej gëzimit. Emri i përgjithshëm i këtij vendi ishte Kuba.
E mbanin mend shumë mirë ditën kur kishin dalë prej Mekës, duke e hamendësuar ditën e mbërritjes. Të gjithë kishin dalë për ta pyetur në të hyrë të qytetit. Prisnin derisa fillonte vapa përvëluese e drekës, dhe kur shihnin se nuk po vinte ende qetësoheshin përgjatë kohës së ikindisë. Nuk e dinin se sa kohë kishin qëndruar në Theur, andaj edhe ndiheshin të trishtuar që nuk po vinte. Dhe kjo gjendje zgjati plot tri ditë.
Ishte një ditë e hënë, data tetë e muajit Rebiuleuel. Kur erdhi koha e drekës së ditës së tretë të pritjes, u tërhoqën sërish nën hije dhe po prisnin. Ndërkohë, së largu u dëgjua zëri i një kasneci. Të gjithë e drejtuan vështrimin andej nga vinte kumbimi i zërit. Ky ishte zëri i një hebreu nga Medina. Atë që ensarët dhe muhaxhirët po e prisnin me aq dëshirë, Allahu ua kishte bërë të mundur një hebreu. Ndoshta me këtë donte t’u jepte atyre një mesazh të caktuar. Sepse hebrenjtë si popullsi, përbënin shumicën e popullsisë së Medinës. Zëri i hebreut thoshte:
- O bijtë e Kajles! Ja tek po vjen njeriu që po e prisni!
Medina tashmë quhej emocion dhe entuziazëm. Zemrat rrihnin me rrahje tejet të shpeshta. Të gjithë nisën të rendnin për t’i dalë përpara. “Allahu Ekber”-et ndërthureshin me “La ilahe il’lallah”-et, duke bërë që të formësohej një atmosferë festive. Udhëtimi i nisur prej Theurit në ditën e parë të Rebiuleuelit, po përfundonte në Kuba.
Të gjithë ensarët medinas kishin marrë edhe armët e tyre me vete, që të mos linin pas dore masat për të mos pasur asgjë të papëlqyer.
Ata po e prisnin në Harre të kapluar prej një gëzimi të thellë.
Pushimi i bërë në Kuba
Njerëzit, me të hyrë në Kuba, po prisnin gjithë kureshtje se kush do të ishte njeriu fatlum që do të kishte fatin ta priste në shtëpinë e vet. Mirëpo Ai do të zgjidhte pikërisht vendin e bijve të Nexharit. Ata ishin edhe kushërinjtë e Abdulmutalibit njëkohësisht. Njerëzit ishin lidhur si zinxhir, dhe e shoqëronin gjatë ecjes. Po e prisnin ata të Dërguarin e Allahut, për të Cilin mekasit ishin betuar se do ta vrisnin. Të gjithë kishin hipur nëpër çati për të parë bukurinë e dritës së Tij, dhe për ta bërë që ta kthente vështrimin njëherë kah ata, kishin vendosur rroba të bardha të varura nëpër dritare.
Cili? Cili është? – pyesnin ata.
Të gjithë vareshin nëpër dritare. Fjala që u derdhej prej gjuhës ishte po e njëjta.
O Muhamed!
O Resulullah! - O Muhamed!
O Resulullah!
Ensarët ishin bërë sikur të ishin së mbaruari prej mungesës së ujës për një kohë të gjatë, ndërsa Profeti i njerëzimit ishte mëshira e etjes së tyre. Teksa i përmendnin emrin, gëzimi i mbërrinte deri në qendër të qelizave të trupit.
Njerëzit kishin dalë të gjithë nëpër rrugë. Po vinin, se do të shihnin Profetin më të madh. U kishte ardhur aq pranë... Të mos dilnin për ta pritur. Kishin me muaj që e shihnin nëpër ëndrra, duke ëndërruar pikërisht për këtë ditë. Të gjithë ishin entuziazmuar dhe po luteshin për këtë gëzim që po u falej. E kishin aq pranë!
Vendi ku po rrinin si mysafirë ishte lagjja Kulthum ibnu Hedm. Mirëpo Ai, ashtu siç bënte në Mekë, as këtu nuk do të rrinte në një vend, por do të vizitonte menjëherë vendin ku po rrinte për t’u treguar njerëzve ndonjë gjë të re. Për këtë, shkoi në shtëpinë e Sa’d ibni Hejthemes, dhe bisedoi me djemtë e rinj që ishin mbledhur për ta pritur. Shtëpia e Sa’d ibni Hejthemes njihej si shtëpia ku mblidheshin beqarët. Madje disa thonë se ishte pikërisht kjo shtëpia ku bujti i Dërguari i Allahut, ndërsa qëndroi në Kuba.
Në anën tjetër, Aliu i nderuar (r.a.) që e kishte kryer siç duhet detyrën e ngarkuar prej të Dërguarit të Allahut; ia kishte ndarë të gjithëve amanetet e tyre, dhe megjithëse pranë kishte Suhejb ibni Sinanin, që ishte prej të parëve, pas tri ditësh u nis në drejtim të Medinës, prej ku u takua me Profetin e Njerëzimit dhe me Ebu Bekrin e nderuar. Këmbët i kishte të gjakosura dhe të fryra prej udhëtimit. I Dërguari i Allahut, me ta parë në këtë gjendje, në fillim hapi krahët për ta pritur, dhe i kapluar prej ndjenjave të dhembshurisë filloi të derdhte disa pika lot. Vendosi pak pështymë mbi plagët, dhe u lut që t’i shëroheshin sa më shpejt. Nuk kaloi shumë kohë, dhe ato filluan të shëroheshin, duke bërë që të merrnin fund të gjitha thirrjet.
I Dërguari i Allahut dhe Ebu Bekri i nderuar ndenjën për njëfarë kohe në Kuba. Madje aty ndërtuan edhe një faltore. Kjo faltore që më vonë do të merrte emrin faltorja e Kubas, ishte edhe faltorja e parë në historinë e Islamit.
Me të ardhur dita e premte, i Dërguari i Allahut i mblodhi të gjithë në këtë faltore dhe u fali për herë të parë namazin e xhumasë.
Mandej kaluan edhe katër ditë, dhe një ditë të hëne, i Dërguari i Allahut u drejtua kah Medina. Tashmë ky drejtim ishte fillimi i një qëndrimi që do të zgjaste plot dhjetë vjet.
Shënimet
- 168.Isra, 17/80
- 169.Ajni, Umdetu’l-Kari, 17-46; Ibni Kethir, Tefsir, 2/400
- 170.Hakim, Mustedrek, 3/6
- 171.Taberi, Tarih, 1/569; Ibni Hisham, Sire, 3/11
- 172.Buhari, Sahih, 3/1087
- 173.Hakim, Mustedrek, 3/7, Mishkatu’l-Mesabih, 2/556; Mubarekfuri, er-Rahiku’l-Mahtum, fq. 155-6
- 174.Ebu Xhafer et-Taberi, er-Rijadun-Nadira, 1/450
- 175.Isbehani, Delail, 1/76-77; Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 3/231
- 176.Teube, 9/40 348 Maide, 5/67
- 177.Halebi, Insanu’l Ujun, 2/195-6
- 178.Isbahani, Delail, 1/62
- 179.Muslim, Sahih, 4/2309; Mubarekfuri, er-Rahiku’l-Mahtum, fq. 159 352 Ibni Abdiberr, el-Istiab, 2/581
- 180.Ibni Hisham, Sire, 3/16 e më tej; Ibni Esir, Usudu’l Gabe, 2/414; Bejhaki, Sunen, 6/357
- 181.Ibni Sad, Tabakat, 1/233
- 182.Ibni Sad, Tabakat, 1/233