DREJT BEDRIT
Ndodhitë e fundit tregonin, se në Mekë, Kurejshi e kishte mobilizuar krejt popullin. Mbi të gjitha kurejshët kishin zaptuar çdo gjë që migruesit e ngratë kishin lënë pas në Mekë. Ato që i shihnin si më të vyerat, i nisnin menjëherë me karvanë tregtie për t’i shitur në Siri. Po bëhej pak a shumë njëfarë plani që t’i dëmtonin myslimanët po me vetë fuqinë e myslimanëve. Karvani që u nis ishte i një pasurie afërsisht prej njëmijë devesh, dhe mbartte një pasuri prej pesëdhjetëmijë dinarësh. E kjo ishte një pasuri e konsiderueshme, e cila do t’ia bënte jo të vështirë luftën kurejshëve, pasi nuk kishin asgjë për të nxjerrë prej vetes. E gjithë kjo pasuri do të përdorej kundër të zotëve, por më interesantja ishte se ky karvan kërcënues, do të kalonte pikërisht prej Medinës për të arritur vendmbërritjen e synuar. Kështu që myslimanët kishin një mundësi të artë për t’i penguar.
Karvani i nisur nën prijës Ebu Sufjanin duhej penguar medoemos, kështu që edhe nuk do të ishte e mundur që kurejshët të zbatonin planin tjetër, atë të luftës.
Myslimanët po tregonin kujdes që të merrnin vesh çdo gjë në lidhje me karvanin që po vinte prej Sirisë. Kishin kaluar dhjetë ditë që kur patën nisur Talha bin Ubejdullahun (r.a.) dhe Said bin Zejdin (r.a.) për të marrë informata më të sakta nga afër, por nga ta nuk kishte asnjë përgjigje. Medina, një ditë u zgjua me lajmin se karvani, i cili e kishte mbaruar tregtinë në Siri po kthehej saora për në Mekë.
Islami kishte një sedër dhe krenari të vetën, e nuk mund të mendohej se do ta shpinte jetën vetëm nën zgjedhën e turpshme të injorancës.
E, ja, kur mendoheshin të gjitha këto, ai karvan nuk duhet të mbërrinte assesi në Mekë. Duheshin ndërprerë të gjitha lëvizjet e njëanshme, dhe Tabloja e Krenarsë së Njerëzimit duhet ta bënte sakaq të ndjeshme tek njerëzit, në tërë Arabinë, peshën e vërtetë të Islamit. Derisa një ditë, u dha urdhër besimtarëve që të mblidheshin pranë pusit të Ebu Inebes për t’u zënë pusi kurejshëve, e për ta ndalur përparimin e mëtejshëm të karvanit.
Trishtimi i atyre që nuk u thirrën
Profeti ynë i Nderuar, i Cili dha urdhër të mblidheshin të gjitha forcat e myslimanëve, me siguri që edhe do ta kontrollonte këtë “ushtri”, sepse në fund të fundit po niseshin për një çështje të rëndësishme, e duhet të tregoheshin jashtëzakonisht shumë të kujdesshëm.
Kudo që të ishte, qoftë edhe për në luftë, sahabët e Tij do të shkonin duke rendur dhe duke buzëqeshur. Sepse mësonin gjëra të reja, në çdo çast që rrinin pas Tij. Dëshmonin se si Profeti i tyre i Dashur komunikonte me Xhebrailin (a.s.), duke i kuptuar deri në imtësi mangësitë që kishin, të cilat të mund t’i kthenin menjëherë në cilësi të virtytit të pashoq. Emocioni i të rriturve i kishte mbërthyer edhe më të vegjlit; as ata nuk donin që të humbnin prestigjin e të ndenjurit pas gjurmëve të Tij, kështu që, atë ditë, qenë mbledhur edhe ata që ishin shumë të vegjël për të qenë aty.
Nga ana tjetër, karvani i Ebu Sufjanit ishte shumë i fuqishëm, e ndjekja e tij nga pas nuk ishte një gjë e lehtë, por e rrezikshme. Kështu që Ai Paqja qoftë mbi Të nuk mund t’i merrte të gjithë me vete. Prandaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) do t’u kërkonte të ktheheshin, pasi nuk do t’i merrte me vete, se ishin shumë të vegjël, Abdullah ibni Omerin, Usame bin Zejdin, Rafi bin Hadixhin, Bera bin Adhibin, Usajd bin Hudajrin, Zejd bin Erkamin, Zejd bin Thabitin, Umejr bin Ebi Uakasin (radijallahu anhuma).
Disa prej tyre, kur e shihnin se shokët e tyre nuk po i merrnin me vete në luftë, ngriheshin mbi majat e gishtave, që të dukeshin paksa më të gjatë, e të mos ishin prej atyre që do të rrinin në qytet përgjatë luftës.
Ata që ngeleshin pas përjetonin një dhimbje dhe një pikëllim të madh. Derdhnin lot të ngrohtë se këtë herë nuk do ta kishin dot mundësinë për të qenë me Të. Madje disa prej tyre ishin drejtuar për kah Ai, si e si që ta bindnin që këtë herë ta merrnin me vete. Me të marrë vesh se nuk do të merrte dot pjesë në luftë, Umejr bin Ebi Uakasi filloi të qante me ngashërim. I vëllai më i madh, Sad bin Ebi Uakasi, e pa të vëllanë duke qarë, e iu afrua që ta qetësonte:
Çfarë ke o vëlla pse qan? – e pyeti ai.
Kam frikë se mos Resulullahu mendon edhe për mua se jam i vogël, e nuk më merr me vete në luftën e bekuar, – ia ktheu Umejri i vogël.
Nuk mund ta pranonte dot, që të ikte Resulullahu Paqja qoftë mbi Të, e ai të rrinte aty. Qëllimi i vetëm që kishte ishte të luftonte bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) e të binte martir për fenë islame.
-Mirëpo unë kam dëshirë që Zoti të më falë gradën e dëshmorit, e të jem nga të parët martirë në fenë islame, – shtoi ai.
Përpjekjet e tij e patën dhënë më në fund rezultatin; Umejr bin Ebi Uakasi, i cili edhe nga mosha ishte pak më i madh se të tjerët syresh, arriti ta merrte lejen. Në dorë mbante një shpatë të gjatë, të cilën e kishte të vështirë për ta futur në mill. Vëllai i tij i madh, i cili ishte kënaqur shumë që edhe vëllai i tij do të merrte pjesë në këtë luftë, e ndihmoi që ta fuste shpatën në mill. Aq e madhe ishte shpata në krahasim me trupin e tij, saqë teksa ecte, maja e shpatës prekte në tokë.
Në Medinë fillojnë lëvizjet
Synimi kryesor ishte karvani, kohë për të humbur nuk kishte, prandaj nuk iu vu shumë veshi atyre që tregonin gjithfarë justifikimesh për të mos marrë pjesë në luftë. Ndaj askujt nuk do të tregohej kurrfarë mërzie, megjithëse në mes të tyre qëndronte dhe Osmani i nderuar, i cili sapo ishte martuar, por që nuk ishte ndarë kurrë nga pas Profetit të profetëve, Muhamedit Paqja qoftë mbi Të; nuk mund të largohej, pasi nusen e tij, vajzën e Krenarisë së Njerëzimit, Rukijen (r.a.) e kishte zënë një sëmundje e rëndë. Ishte e domosdoshme që Osmani i nderuar të rrinte e të kujdesej për të.
I Dërguari i Allahut, i Cili ishte shumë i ndjeshëm karshi adhurimeve dhe robërisë ndaj Allahut, kërkoi që namazet t’i falte Abdullah bin Umu Mektumi (r.a.). Në luftërat e mëparshme muhaxhirët dhe ensarët nuk kishin marrë asnjëherë pjesë së bashku, por këtë herë ishte ndryshe, madje do të luftonin krah për krah me njëri-tjetrin, sepse edhe situata ishte më e veçantë nga të tjerat. Çështja nuk kishte të bënte më vetëm me mekasit e ardhur, por me të gjithë Medinën. Ishte karvani i Ebu Sufjanit ai që po ngrinte themelet e një ushtrie që nesër pasnesër do të sulmonte, si një ushtri e plotë, tërë qytetin e Medinës.
Në krye të këmbësorisë vendosi Kajs bin Ebi Sasanë, dhe kur mbërritën në vendin e quajtur “Sukja”, i kërkoi që ta numëronte edhe njëherë ushtrinë. Numri i sahabëve që i doli atij pasi i kishte numëruar të gjithë ushtarët që rrinin pranë pusit të Inebes, të gatshëm për të luftuar ishte treqind e trembëdhjetë vetë. Ky lajm e kënaqi së tepërmi të Dërguarin e Allahut (s.a.s.).
-Sa njerëzit e Talutit, – u shpreh ai.
Një ditë të diele, i Dërguari i Allahut u nis për rrugë nga vendi i quajtur “Sukja”. Me vete kishin vetëm dy kuaj, dhe shtatëdhjetë deve. I ndërronin me njëri-tjetrin me radhë, gjatë gjithë rrugëtimit; Profeti i Njerëzimit nuk shihte te vetja asgjë të veçantë në krahasim me njerëzit e tjerë; Aliu i nderuar dhe Ebu Lubabja e ndërronin me njëritjetrin radhën për të hipur në deve. Derisa njëherë iu drejtuan të dy Resulullahut:
Hipni ju, o i Dërguar i Allahut! - këmbëngulnin ata, që edhe Ai të hipte në deve, e ata të ecnin, megjithëse Ai e pati refuzuar një mundësi të tillë.
As ju nuk jeni më të fuqishëm se mua për të ecur në këmbë, e as unë nuk jam ndokush që kam më pak nevojë për shpërblimin e këtij udhëtimi, - iu përgjigj Ai.
Nga ana tjetër qëndronte Ebu Sufjani me karvanin e tij. Ai e kishte marrë vesh se në Medinë gjërat kishin filluar të lëviznin paksa, prandaj vendosi të ndërronte rrugë, e të nisej menjëherë për në Mekë. Sa më shumë i afrohej Medinës, pak më tepër i shtohej frika. Teksa po kalonte nëpër Medinë, kur iu afrua Bedrit, foli njëherë me Mexhdi bin Amrin, të cilin e hasi diku aty gjatë rrugës.
A ke parë ndonjë njeri prej këtyre anëve gjatë rrugës? Ke vërejtur çdofarë ndryshimi? - e pyeti ai.
Nuk kam vënë re asgjë për t’u habitur; kam parë vetëm dy kalorës. Qëndruan për pak çaste majë asaj kodrës atje, pastaj zbritën për të pirë ujë prej pusit, - iu përgjigj Mexhdi.
Edhe ky lajm nuk ishte aq i lehtë për Ebu Sufjanin. U shqetësua menjëherë. Erdhi menjëherë për në vendin ku i tregoi ai, për të mësuar se kush ishin ata dy njerëz që kishin pritur, zbritur për të pirë ujë, e pastaj ishin larguar. Me të ardhur majë kodrës, përpara i doli një grumbull jashtëqitjeje deveje, e rrëmoi pak me majën e një shkopi, dhe u drejtua nga të tjerët:
Këto janë rrengjet e medinasve! Prej këndej kanë kaluar edhe spiunët e Muhamedit, – tha ai. Ebu Sufjani ishte i zgjuar. S’e pati hiç të vështirë ta kuptonte se ata dy njerëz ishin medinas.
U shqetësua së tepërmi, sepse tekembramja kishte përgjegjësi për të gjithë pjesëtarët e karvanit. U afrua më pranë të tjerëve, duke e drejtuar këtë herë udhëtimin për nga bregu. Kështu, karvani po përparonte nga një shteg më i sigurt. Ebu Sufjani dërgoi njërin me emrin Kajs bin Imrulkajs për në Mekë, që të lajmëronte kurejshët e tjerë, se nuk kishte më kurrfarë rreziku, këndej e tutje do ta bënin pjesën e mbetur të rrugës në siguri të plotë.
Ëndrra e Atike binti Abdulmutalibit
Ndërkohë, në Mekë po përflitej shumë mbi ëndrrën që kishte parë halla e Profetit tonë të Dashur, Muhamedit Paqja qoftë mbi Të. Ajo ia tregoi këtë ëndërr në fillim Abasit, vëllait të saj:
O vëllai im, kam parë mbrëmë një ëndërr të keqe, e kam frikë mos i ndodh ndonjë gjë familjes sonë,. – fliste ajo e shqetësuar.
Abasi, i cili e vuri re, që asaj nuk i ngeli më, as ngjyrë në fytyrë, foli:
Qoftë për hair, pa na i trego njëherë, moj motër!
Nuk ta tregoj jo, pa më dhënë më parë fjalën se nuk do t’ia tregosh asnjërit, sepse nëse dëgjohet në mes të këtyre njerëzve, kanë për të na bërë keq, e do të fillojnë të flasin gjëra aspak të hijshme, – e paralajmëroi ajo të vëllanë.
Edhe xhaxha Abasi ishte i një mendjeje me të, por gjithsesi ai nuk e përmbajti dot veten pa ia treguar ëndrrën, e cila ishte mesazhi i një ndodhie të vërtetë që do të ndodhte, mikut të tij më të mirë, Velid bin Utbes. Velidi do t’ia transmetonte të atit, e kështu ëndrra do të shëtiste në gojën e Kurejshit për një kohë të gjatë.
E gjitha kjo po ndodhte vetëm tri ditë para se Ebu Sufjani të niste kasnecin e tij, Damdamin. Atika kishte parë një burrë në ëndërr, i cili, i hipur mbi deve, pranë vendit të quajtur Ebtah, i thërriste njerëzit me një zë të lartë për në luftë.
Ejani, bëhuni gati të shkojmë të luftojmë! Dilni dhe shiheni vetë vendin ku do të humbni dhe do të shkatërroheni! Dhe saora, përreth qe mbledhur një kallaballëk shumë i madh. Mandej, ky burrë erdhi në Qabe, e qëndronte sërish mbi deve; deveja nuk lëvizte nga vendi, por veç zmadhohej e zmadhohej derisa mbërriti deri në Mekë. S’kaloi shumë kohë dhe deveja u bë sa mali i Ebu Kubejsit; ai burrë ishte sërish mbi deve, dhe po përsëriste të njëjtën fjali.
Ejani, përgatituni për në luftë! Ejani, që të shihni vendin ku do të mundeni dhe do të shkatërroheni!
Mandej mori një gur të madh prej toke, dhe e vërviti përposh malit të Ebu Kubejsit. Ai gurë sikur u bë thërrime në të mijtën e sekondës, e çdo thërrmijë që ndahej prej tij, godiste medoemos secilën nga shtëpitë e Mekës.
Atika u zgjua shumë e frikësuar. Nuk po shpëtonte dot nga ndikimi i ëndrrës së gjatë e të frikshme që kishte parë, prandaj ndjeu menjëherë nevojën që t’ia tregonte edhe Abasit, vëllait të saj më të dashur. Kjo ishte ëndrra e famshme që gjezdisi të gjitha rrugicat dhe rrethinat e Mekës.
Abasi, i cili doli për të kryer ritin e tavafit ndaj Qabes, në rrugë u ndesh me Ebu Xhehlin. Bashkë me disa të tjerë, po fliste mbi ëndrrën që kishte parë Atika, motra e tij. Ai, një të parë Abas bin Abdulmutalibin, u nis për nga ai!
O Eba Fadl! Mbaroje tavafin, dhe eja njëherë këtu! Kam për të folur disa gjëra me ty, - tha Ebu Xhehli.
O bijtë e Mutalibit, që kur na u bë profete kjo motra juaj, - vazhdoi të fliste ai si me të tallur.
Nuk e di, për çfarë po flet?! Për çfarë profeti e ke fjalën? – e pyeti Abasi i nevrikosur.
Për ëndrrën që na paska parë Atika, po të flas.
Abasi po mundohej të luante rolin se nuk e kuptonte se për çfarë ëndrre po bëhej fjalë.
Çfarë ëndrre paska parë? – vazhdonte lojën Abasi, por kjo mënyrë të foluri e tërboi fare Ebu Xhehlin.
O bij të Mutalibëve, sikur të mos ju mjaftonte që ju dalin djemtë, dhe pretendojnë se janë profetë, mos kanë ndërmend edhe gratë të thonë se janë bërë profete? Atika, ka tri ditë që ka filluar të thotë se do të na ardhka një e keqe e madhe së afërmi! Do ta shohim se sa të drejtë ka, pas tri ditëve, asgjë s’ka për të ndodhur! Por ta dini, se nëse nuk del ashtu, do të mblidhemi të gjithë, e do ta njollosim familjen tuaj, duke e quajtur familje gënjeshtare. Asisoj, që të mos keni mundësi një jetë të tërë që ta ndryshoni!
Abasi u largua prej andej, por më shumë i mërzitur se ishte detyruar të luante një lojë të atillë aspak burrërore. Këtë e kuptoi më mirë edhe kur bijtë e Mutalibëve u mblodhën bashkë në mbrëmje. Të gjithë ata që e kishin marrë vesh diskutimin e tij me Ebu Xhehlin, vinte aty që ta kuptonte më mirë se ç’po ndodhte.
Nuk mjaftoi që ka folur mbarë e prapë, si i ka dashur qejfi atij të paudhi, për burrat tanë, por flet edhe për gratë, e ti merhum rri edhe e dëgjon. Nxehjen e Atike bin Abdulmutalibit nuk kishte fjalë që e qetësonte. E kishin prekur aq shumë, sa Abasi vendosi të shkonte e t’i kërkonte llogari Ebu Xhehlit të paudhë.
Dita e tretë erdhi. Abasi, i cili e kishte marrë çdo gjë parasysh, kishte ardhur që herët pranë Qabes; edhe Ebu Xhehli ishte aty. Po e vështronte Abasin me sy zhbirues. Abasi sapo po i afrohej që t’i jepte përgjigjen e merituar Ebu Xhehlit, kur në mes tyre ia behu një zë shumë i lartë: ishte zëri i Damdam bin Amrit, që vinte prej luginës së Batnit. Që nga toni i zërit të tij mund të kuptohej se kishin ndodhur gjëra të rëndësishme. Ia kishte prerë devesë edhe veshin edhe hundën, ashtu siç e porositi Ebu Sufjani; kishte prerë gjithashtu ato pak jele, e nuk kishte harruar të griste edhe rrobën që kishte mbi trup. Të gjithë ishin drejtuar të shtangur kah ai; e gjithë Meka dëgjonte tashmë me vëmendje.
O kurejshë! – filloi të fliste Damdami, na zuri gjëma, gjëma... Mallrat dhe karvanin që nisët për në Siri, i ka marrë Muhamedi bashkë me njerëzit e tij! Nuk ma merr mendja se do të mund t’ia arrini.
Fjalët e Damdamit, e kishin bërë, si Ebu Xhehlin, ashtu edhe Abasin, t’i harronin fare ato për çfarë kishin ardhur deri aty.
Mos kujton Muhamedi, bashkë me shokë, se ky karvan është si karvani i Ibni Hadramit? – thoshin mekasit. Gjindja ishte tejet e tensionuar, madje ata kishin ditë që e ndjenin veten në angështi, por tanimë kuptohej, nuk kishte asnjë zgjidhje përveç luftës.
Ushtria e Mekës
Ky lajm ishte si një rrufe që ra mbi Mekën, që mezi po priste çastin që të plaste. I kishte ardhur më në fund dita e shumëpritur e njerëzve si Ebu Xhehli. Nuk kishte shans më të mirë, prandaj u mblodhën menjëherë që të bënin përgatitjet për në luftë. Ata thoshin se duhet të merrnin të gjithë pjesë në luftë, madje të pasurit bënin çmos që të ndihmonin edhe të varfërit, që edhe ata të ishin pjesë e luftës.
- Mos doni të bëni sikur nuk i shihni lojërat që na bëri Muhamedi bashkë me ato lodrat e veta, që ikën dhe ia mbathën prej jush? – thoshin njerëz si Suhejl bin Amri, Zem’a bin Esuedi, Tuajme bin Adiji dhe Hanzala bin Ebi Sufjani. – A nuk e shihni që populli i Medinës na mori të gjithë pasurinë e përftuar nga tregtia e Sirisë, bashkë me karvan, e me njerëzit tanë? Ai që do të vërë pasuri prej kësaj lufte, ja tek e keni pasurinë tonë; kush do forcë dhe fuqi, ja tek keni tonën; - shpreheshin ata me elokuencë poetike, për t’i nxitur sa më ethshëm drejt luftës.
Ata donin medoemos që si e si të nxirrnin në luftë edhe grupin e njerëzve, që nuk i dihej në ishin konvertuar në mysliman, apo ishin në prag... Ndërmjet tyre ishin Abasi, vëllezërit e Aliut, Akili dhe Talibi, bashkë me një tjetër nip të Profetit tonë të Dashur, Neufel bin Harithin.
Dalje nga Meka
Kishin kaluar dy ditë që nga koha kur Damdami pruri lajmin e luftës, e tanimë Kurejshi ishte i gatshëm e i armatosur deri në grykë. Kishin një vetëbesim aq të papërshkrueshëm te vetja, saqë ishin thuajse plotësisht të bindur se do të dilnin fitimtarë prej saj. Lëviznin duke u tundur, duke u bërë gjithë vështruesve nga një shfaqje trupash.
Mandej, të gjithë, ashtu si karvanët që nisen për të marrë nuse, u nisën për në luftë. Ishin aq të sigurt në vetvete, saqë me vete morën edhe pije, femra dhe daulle, që pas fitores t’ia hiqnin një zijafeti për qejfin e tyre.
Në ushtrinë e Mekës, e përbërë prej njëmijë e treqind vetash, e cila kishte për komandant Ebu Xhehlin, gjendeshin njëqind kuaj dhe shtatëqind deve. Tanimë karvani sikur nuk kishte më fare rëndësi, ata tanimë planifikonin se si ta përdornin këtë mundësi për ta zhdukur fare Muhamedin e Nderuar Paqja qoftë mbi Të, bashkë me myslimanët e tjerë, asisoj që të mos i dilnin asnjëherë më përballë.
Kur mbërritën në vendin e quajtur Xhuhfe, Xhuhejm ibni Salti, u drejtua nga të tjerët, e i tha:
A e patë atë kalorësin që rrinte bri meje pak më parë? – pyeti ai, por në fytyrat e të gjithëve shihej qartë përgjigjja se nuk kishin parë kurrfarë kalorësi.
Jo, - u përgjigjën ata.
Me siguri që u çmende edhe ti! Me shumë mundësi të hyrë dreqi në bark, e po luan me ty, –ishin përgjigjet e gatshme që kishin kurejshët në raste të tilla. Xhuhejmi, pati hyrë në një gjendje ëndrre dhe zhgjëndrre, mirëpo nuk po ia dilte dot që të shpëtonte nga ndikimi i saj. Megjithëse kishte edhe një deve tjetër si rezervë, nga përpara i vinte një kalorës, e i thoshte se ishin vrarë dy djemtë e Rebias, Utbja dhe Shejbja, Ebu Xhehli, Umeje bin Halefi, Ebu’l Bahteriu, dhe shumë e shumë emra të tjerë që i përkisnin parisë së qytetit të Mekës. Mandej, ky person i pret kokën devesë, i rreh mamuzet, duke rendur mes për mes ushtrisë sonë, e gjaku që i derdhet çurg njollos bezet e çadrave tona.
As kjo ëndërr nuk shpëtoi dot pa u kthyer në objekt kryesor bisedash. Me t’i ardhur në vesh Ebu Xhehlit, tha:
Ja ku keni edhe një tjetër profet në mesin e bijve të Mutalibëve, – reagoi ai. Pas gënjeshtrave të bijve të Hashimëve, tani u kishte ardhur koha edhe gënjeshtrave të bijve të Mutalibëve. Megjithëse ishte përmendur edhe emri i tij në mes të atyre që ishin vrarë, ai prapëseprapë i merrte me të tallur ëndrrat, duke u munduar që t’ua shpjegonte edhe të tjerëve se nuk ishin gjë tjetër pos shenja çmendjesh.
Keni për ta parë nesër se kush do të vritet, vetëm të na dojë fati të përballemi me ta, - shtoi ai.
Thirrja e Ebu Sufjanit për t’u kthyer mbrapsht
Edhe Kajs bin Imrulkajsi, që ishte dërguar, po nga Ebu Sufjani më vonë, mbërriti në Xhuhfe, ku takoi edhe ushtrinë e përgatitur të kurejshëve.
Me sa duket keni dalë për luftë ngase morët vesh se ju është vënë dorë mbi mallrat dhe karvanin tuaj; mirëpo ta dini se Zoti jua shpëtoi si veten, ashtu edhe mallrat, kështu që është e kotë të përparoni më tutje, mund të ktheheni të qetë për në Mekë, pasi nuk kemi më përse të luftojmë.
Me të marrë vesh, ata që që prej fillimi nuk ishin për luftë, si Harith bin Amri, Umeje bin Halefi, djemtë e Rebias, Utbja dhe Shejbja, Hakim bin Hizami, Ebu’l Bahteriu, Ali ibni Umejjeja, As ibni Munebihu, e të tjerë, filluan nga përgatitjet për t’u kthyer.
Ebu Xhehli i akuzonte si frikacakë të gjithë ata që bëheshin gati për t’u kthyer, e që nuk donin të luftonin. Mendonte, se duke i vënë në pozitë të vështirë në prani të të tjerëve, ata do të kthenin mendje. Atë e ndihmonte edhe Ukbe bin Ebi Muajti bashkë me Nadr bin Harithin. Këta ishin njerëz që villnin vetëm vrer urrejtjeje, e nuk e kishin për gjë që t’i nisnin njerëzit trumba-trumba drejt vdekjes. Ishte po ai që do ta merrte vendimin përfundimtar.
Për Zotin, që nuk kemi për t’u kthyer pas, pa shkuar në Bedër; shkojmë, rrimë atje nja tri ditë, hamë, pimë dhe bëjmë qejf me gratë që kemi marrë me vete. Kështu, arabët nuk do të talleshin me ne, pse kemi ardhur kot deri këtu. Hajdeni, vazhdojmë! – foli Ebu Xhehli.
Mirëpo, nuk ishin të gjithë të një mendjeje; Ahnes ibni Sheriku, u foli bijve të Dhuhres, e u tha se karvani ishte në duar të sigurta, kështu që nuk kishte më arsye për të luftuar. Ai e kishte vendosur që do të kthehej. Bijtë e Dhuhres i ndoqën ata të Adijëve. Asnjë nga këto familje nuk ishte më me grupin e nisur për në luftë.
Ebu Sufjani u tërbua fare kur mori vesh se Ebu Xhehli po mundohej si e si që t’i nxiste kurejshët për të luftuar.
Mjerë ky populli ynë se ç’po heq! Ja një tjetër ambicie e tepruar e radhës nga ana e Ebu Xhehlit! – thoshte ai.
Madje ai u mërzit shumë kur mori vesh prej kasnecit të kthyer, se ushtria me në krye Ebu Xhehlin, megjithëse kishte marrë lajmin se nuk ishte e nevojshme të luftohej, prapëseprapë po përparonte në drejtim të Bedrit. Për më tepër, ata po e thërrisnin që t’i bashkohej ushtrisë. I thoshin që ta çonte karvanin në Mekë, e t’ua arrinte gjatë rrugës; gjithçka ishte për t’u habitur, po rendnin të vetëdijshëm drejt vdekjes, kështu, Ebu Sufjani vendosi të mos shkonte, pasi nuk mund ta sakrifikonte jetën e vet për një çmenduri të Amr ibni Hishamit.
Çast i vështirë për një vendim të rëndësishëm
Profeti i Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të, i Cili kishte agjëruar përgjatë gjithë udhëtimit, vendosi t’u fliste sahabëve të Tij, të cilët nuk donin të bënin pushim së agjëruari.
Unë e mbarova agjërimin, mbylleni edhe ju! - u foli Ai.
Kështu e mësuan sahabët e nderuar (radijallahu anhum) se mund të mos agjëronin në rastet kur ishin duke udhëtuar, ose ishin nisur për në luftë. Kjo nuk lindi dosido, por ishte vetë ajeti që kishte zbritur po ato ditë nëpërmjet Xhebrailit (a.s.), të cilin, tani, Resulullahu po ua transmetonte edhe myslimanëve të tjerë.
Lajmi se Kurejshi ishte nisur për të luftuar me ta, u erdhi teksa po përparonin në vendin e quajtur Dhefiran. Çdo gjë sikur kishte ndryshuar. Ngaqë nuk ishin nisur me qëllim luftën, ata nuk ishin të gatshëm as fizikisht, por as shpirtërisht për të luftuar. Profeti ynë i Nderuar (s.a.s.) e kishte kthyer në pjesë të natyrës së Vetë, që të këshillohej gjithnjë me njerëzit të kishte pranë, kështu që edhe këtë herë duhet të fliste medoemos me ta. Në fillim dhanë mendimet e tyre Ebu Bekri dhe Omeri (r.anhuma) nderuar. Mandej e mori fjalën Mikdad bin Amri:
O I Dërguari i Allahut, vazhdo të veprosh sipas udhëzimit që të ka dhënë Allahu; ne gjithnjë pas Teje do të jemi. Lëvduar qoftë Allahu, që ne nuk kemi për të të folur Ty, siç i foli populli i vet, Musait alejhi selam, “Ti shko bashkë me Zotin tënd e lufto, se ne po të presin këtu.”! Ne mund të të themi vetëm:
Ne nuk do të të themi Ty, shko e lufto bashkë me Zotin Tënd, por do të vijmë me Ju, do të të rrijmë Ty në të majtë e në të djathtë, nga para dhe nga pas, e do të luftojmë derisa të mos kemi më frymë. Të betohemi me emrin e Atij që të dërgoi Ty bashkë me Fjalën e Drejtë, se edhe sikur të ecësh deri në “Berki Gimad”, ne të gjithë, do të vijmë pas Teje, pa ndjerë as lodhjen më të vogël. – vazhdoi të fliste Mikdadi.
Këto shprehje ishin pasqyrim i emocionit dhe ndjenjave të zjarrta për të vrapuar pas Profetit të Dashur Paqja qoftë mbi Të, qoftë edhe kur e di se fundi mund të jetë vdekja. Fjalët e Mikdadit e kënaqën së tepërmi Profetin tonë (s.a.s.).
O njerëz, më jepni një mendim, si të veprojmë, - vazhdonte të pyeste Ai.
Me sa dukej, Resulullahu Paqja qoftë mbi Të, nuk donte që fjalët e Mikdadit të ishin vetëm në zemrat e disave prej tyre, e teksa e përsëriste fjalën, donte të tërhiqte vëmendjen e ensarëve. Sepse, ensarët teksa lidhën besën në Akabe, e kishin fjalën për Medinën. Tani çdo gjë bënte fjalë për jashtë Medinës, e çdo gjë po shkonte drejt një përballjeje të nxehtë. Për më tepër, ishin ata që e përbënin shumicën e këtij grupi. Prandaj, pa e zgjatur më shumë, Profeti i Njerëzimit vendosi të fliste edhe njëherë:
Thomëni diçka, si të veprojnë, - ishte kjo kërkesa e Tij e njëjtë prej tyre.
Le të flas unë në emër të gjithë ensarëve, - u hodh të fliste Sad ibni Muadhi, dhe u çua në këmbë. – Më ngjan sikur e ke me ne fjalën, o i Dërguar i Allahut? – shtoi ai.
Po, - iu përgjigj Krenaria e Njerëzimit.
E kuptova që në fillim, se keni një shqetësim se mos ensarët ju mbrojnë vetëm brenda, në Medinë, por jo, ja ku ju jap fjalën në emër të të gjithë ensarëve, se mund të vazhdosh sa të të dojë zemra... Lidh marrëdhënie me këtë të duash, e shkëputi me këtë të duash...
Merr sa të duash prej pasurisë sonë, e lër sa të duash për ne! Ta dish, se ai mall që do të marrësh prej nesh, do të ketë më shumë vlerë se ajo që do të na lësh neve. Këshilla Jote është urdhër për ne, se ne kemi për të qenë përherë me Ty!
Ne të besuam, e të kemi dhënë besën; të dhamë fjalën se do ta besojmë përherë se fjala që na prure, është më e drejta. Kështu që, tani, mund të drejtohesh nga të duash, o Profet i Allahut! Të betohemi mbi emrin e Atij që të nisi me këtë kauzë më të drejtë, se edhe sikur drejt detit t’i rrahësh mamuzet, ne prapë do të të ndjekim! Dhe ta dish, se kur e them këtë, asnjë prej burrave tanë nuk ka për t’u kthyer mbrapsht! E as frika se mos përballja do të jetë nesër, nuk na frikëson aspak! Sepse ne e mbajmë fjalën në luftë, e kurrë nuk harrojmë të durojmë çdofarë vështirësie. Keni për ta parë, me lejen e Allahut, me begatinë Tuaj dhe me mbështetjen tonë, Allahu ka për t’ju nxjerrë faqebardhë.
Mendoj se Allahu, të nxori tani një detyrë që nuk e pate llogaritur. Tani përparo sa të mundësh, bashkë me ne, me lejen e Zotit të Plotfuqishëm! Besona, se ne do të të qëndrojmë përherë, në të majtë dhe në të djathtë, para dhe pas, deri në vdekje.
Dukej qartë se çdo gjë kishte arritur formën dhe përmbajtjen e duhur. Dukej fuqia potenciale, e cila ishte e mjaftueshme për të vendosur gjithë botën me gjunjë përdhe. U drejtua nga sahabët e Tij, e filloi t’u fliste:
- Le të vazhdojmë atëherë, me lejen dhe ndihmesën e Allahut! E shoh që tani se si Allahu (xh.xh.) po ma jep mua njërën nga dy grupet. Më ngjan sikur po e shoh që tani vendin se ku po bien disa prej tyre.
Tashmë filloi rrugëtimi, e të gjithë ishin të mbushur me vetëbesim dhe emocione të shumta. Bedri po i priste.
Bedri i shumëpritur
Bedri, atë ditë, u kthye në një vend ku priteshin të gjitha rrugëtimet. Zaten edhe më parë, arabët mblidheshin këtu në një stinë të vitit, e ngrinin panaire. Me pak fjalë, Bedri nuk ishte një vend i panjohur, si për Mekën, ashtu edhe për Medinën.
Atë ditë që mbërriti Profeti i Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të, bashkë me sahabët e Tij, si yjet, ishte ditë e premte. Do të ngrysnin aty atë natë, ndërsa ditën tjetër do të niste furtuna.
Luftë do të thotë të mbledhës informata, kështu që edhe Profeti ynë, mundohej medoemos që të mësonte çdo gjë lidhur me palën e mosbesimtarëve. I nisi sërish Aliun e nderuar, Zubejr bin Avamin, Besbes bin Amrin dhe Sad bin Ebi Uakasin, që më përpara drejt Bedrit, që të shihnin se cila ishte gjendja në Bedër. Ky grup, i cili u nis në të errur, mbërriti pranë puseve të Bedrit, u takuan me dy njerëz që quheshin njëri Eslem, ndërsa tjetri Arid.
Në fakt, edhe ata kishin dalë po me të njëjtin qëllim. Kjo ishte edhe përballja e parë e nxehtë, ku pas një zënke të vogël, myslimanët i morën ata peng, e i çuan me një frymë pranë Të Dërguarit të Allahut! Profeti ynë i Dashur sal’lallahu alejhi ue sel’lem po falej.
Ne u afruam këndej për të gjetur ujë për kurejshët, - thoshin ata. Sahabëve nuk u pëlqeu fare kjo përgjigje. Ata mendonin se këta të dy, ishin nisur për aty nga karvani i Ebu Sufjanit. Prandaj ata vendosën t’i shtrëngonin edhe pak, se mbase flisnin. E shtuan pak dozën e torturës, derisa edhe ata vetë e kuptuan që më e mira e të mirave ishte të flisnin siç po u kërkohej, prandaj thanë se ishin të dërguar prej vetë Ebu Sufjanit.
Të gjitha këto ndodhën përgjatë kohës së rukusë dhe sexhdes së Profetit tonë të Dashur. Me të mbaruar namazin, Ai u drejtua nga sahabët, e u tha:
Kur këta njerëz ju tregojnë të vërtetën, ju vazhdoni t’i rrihni e t’i torturoni, ndërsa kur ju gënjejnë, i lëshoni! Ju betohem, që këta janë njerëz të Kurejshit.
Mandej, i mori pranë vetes, Eslemin dhe Aridin, dhe u tha:
Ku janë kurejshët?
Pas asaj kodrës atje, matanë, - iu përgjigjën ata.
Sa vetë janë?
Shumë.
Sa shumë?
Nuk e dimë, – u përgjigjën ata.
Po mirë. Sa deve therin çdo ditë, - e pyeti Ai tani, me zgjuarsinë e Tij profetike.
Ka ditë që therin nëntë, ka ditë që therin dhjetë.
Me të marrë këtë përgjigje, Profeti i mbarë Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të, u drejtua nga sahabët, dhe u tha?
Ata janë nëntëqind deri në njëmijë veta.Kishte edhe një pyetje tjetër për të bërë.
Po kush, nga të parët e Kurejshit, janë bashkë me ata që po vijnë?
Eslemi dhe Aridi u përgjigjën se në mes të atyre që po vinin, ishin dy djemtë e Rebias, Utbja dhe Shejbja, Ebu’l Bahteriu, Hakim ibni Hizami, Neufel bin Huvejlidi, Amr bin Hishami, Umeje bin Halefi, dy djemtë e Haxhaxhit, Nebihu dhe Munebihu, Suhejl bin Amri dhe Amr bin Abdiudi.
Me të dëgjuar këta emra, Profetit ynë i Dashur tha:
Ja tek e keni, Meka sot po ju shërben zemrën e saj.
Zgjedhja e vendit
Dy ushtritë i ishin afruar shumë njëra-tjetrës, dhe për vend ku do të përballeshin ishte zgjedhur Bedri. Prandaj, ishte e nevojshme që të mbërrinin atje një sahat e më parë, e ta bënin gati terrenin. Një mbrëmje, në natën e shtatëmbëdhjetë të muajit të Ramazanit, Profeti ynë i Dashur, Muhamedi (s.a.s.) u dha urdhër të gjithëve, që të mblidheshin të gjithë në Bedër.
Atëkohë, pranë iu afrua Hubab bin Munziri.
O i Dërguari i Allahut, - e filloi ai fjalën e tij.
Hubabi ishte ende i ri, dhe kishte frikë se mos po e kundërshtonte shpirtërisht të Dërguarin e Allahut. Dallohej që nga zëri, të cilin e kishte ulur fare, se po fliste me një zë më se të shqetësuar. Veçse, pa dallim kohe dhe hapësire, ai duhet t’i jepte hakun këshillimit. Ishte një ngjarje, që ishte një përvojë e mirë.
A ishit ju që e zgjodhët këtë terren si të përshtatshëm, apo ishte një vendim i ndryshuar pas një tjetri, apo ishte Allahu (xh.xh.) Ai që jua bëri të ditur me anë të kumtesës hyjnore? – pyeste ai, me fjalët që i ngatërroheshin si pasojë e shqetësimit se mos kryente ndonjë paturpësi ndaj Profetit teksa fliste.
Është një zgjedhje e bërë duke marrë parasysh të gjitha kushtet e kësaj lufte, – iu përgjigj Resulullahu.
Atëherë, dua t’ju them se ky vend nuk është aspak terren i përshtatshëm për të luftuar, prandaj është më mirë që t’i jepni urdhër njerëzve tuaj, që të zbresim atje poshtë, pranë puseve. Unë i njoh mjaft mirë këtë vend bashkë e me puset e tija. Atje poshtë është një pus me ujë të pijshëm, e që nuk shteret asnjëherë. Atje, edhe mund ta përshtatim vendin, që të mbushet me ujë, e prej tij të mund t’i kryejmë të gjitha nevojat tona me të. Ndërkohë që, puset e tjera edhe mund t’i mbyllim.
Atmosfera ishte si për luftë, dhe për më tepër kjo këshillë e ngrohtë ngjante më tepër se e sinqertë, duke qenë më afër mendjes. Ndërkohë, zbriti dhe Xhebraili Fjalëdrejtë, i Cili dha sihariq, se fjalët e Hubabit ishin me vend.
Fjalët e Hubabit janë me vend, - tha Profeti i Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të, e sakaq u nis drejt vendit të përcaktuar.
Saora, i mbyllën edhe puset e tjera, mirëpo kishte diçka të veçantë që u tërhiqte vëmendjen. Myslimanët duke bërë këtë zgjedhje, e kishin marrë nga pas dritën e diellit. Kjo i binte më shumë drejtimit për nga ishte Siria, ndërsa ana që do të merrnin idhujtarët ishte ajo e Jemenit. Atyre do t’u duhej të luftonin karshi ndriçimit verbues të diellit.
Një tjetër sahab, erdhi dhe i këshillonte se do të bënin mirë, që përpos diellit, kishin marrë edhe erën nga pas, e cila do t’i ndihmonte akoma më tepër, dhe që të gjitha këto ishin shenja të mbara të fatbardhësisë.
Unë tashmë i rregullova radhët e ushtrisë, dhe ja ku po e ngul edhe flamurin, - tha Resulullahu (s.a.s.); nuk do ta ndryshoj më, - vazhdoi ai, duke i bindur edhe njëherë më tepër se si duhet të ishte vendosmëria e një lideri.
Saora u thur edhe çadra ku do të qëndronte i Dërguari i Allahut, u vendos edhe qendra se nga do të fillonte sulmi. Profeti Muhamed (s.a.s), tanimë kërkoi të inspektonte edhe njëherë për herë të fundit fushën e betejës, andaj mori edhe një grup sahabësh me vete, ku teksa po shëtiste puset një më një, filloi të përmendte një e nga një, të gjithë parinë e Mekës. Ai po u tregonte vendet, me emrat e secilit, se ku do të vdisnin.
Profeti ishte kthyer në çadrën e Tij, e pa kaluar shumë kohë aty erdhi edhe Ebu Bekri i nderuar (r.a.). Ata pas vendosjes së strategjisë dhe masave që duheshin përgatitur për luftë, nuk mund të harronin se lidhjen me Allahun Fuqiplotë duhet ta mbanin të pandërprerë. Në çdo hap që hidhej duhet të arrihej medoemos kënaqësia e Tij, sepse pas kënaqjes së Tij vinte edhe ndihmesa, e nuk kishte vështirësi që mund t’u dilte më përballë. Po, tani ishte koha për pak bashkëbisedim me gjuhën e shpirtit.
Krenaria e Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të do të lutej deri në agim atë natë, duke i kërkuar Allahut që ta ndihmonte, Atë, bashkë me këtë grusht njerëzish që të arrinin ngadhënjimin.
O Zot, ja tek është Kurejshi, që erdhi deri këtu, me egoizmin dhe “madhështinë” e vet. Ata të paudhë, po mundohen të përballen me Ty dhe pretendojnë se i Dërguari Yt mund të gënjejë! O Allah, prej Teje, vetëm ndihmesën që më premtove Mua të kërkoj! Vendosi atë me gjunjë për dheu nesër në mëngjes, o Zot! – lutej Ai (s.a.s.).
Shiu dhe qetësia shpirtërore
Tani, në Bedër, sapo kishte filluar një shi i ngrohtë. Kjo ishte si një myzhde në prag të luftës që do të fillonte nga çasti në çast. Për myslimanët, ai ishte sihariqi se mëshira e Zotit do të ishte me ta përgjatë gjithë betejës. Patjetër, që edhe pala tjetër ishte ndikuar nga shiu që po binte, por ç’e do se shiu që sa vinte e bëhej më i dendur, po i rrënonte fare, duke i bërë të mos lëviznin dot në mes të asaj balte.
Atë mbrëmje, jo vetëm shiu, por në shpirtrat e sahabëve kishte zbritur vetë qetësia shpirtërore, dhe të tërë sikur, aty, në mes të shkretëtirës, të kishin bërë nga një banjë të ngrohtë po bëheshin gati të kalonin një mbrëmje të qetë. Deri në palcë e kishin ndjerë kënaqësinë e rënies së atij shiu. Ky ishte emri i “sekines”, qetësisë shpirtërore të dhuruar prej vetë mëshirës së Allahut (xh.xh.). Gjumi që bënë atë natë, sikur ia bëri të harrueshme të gjitha vështirësitë që kishin kaluar gjatë asaj kohe. Ditën tjetër duhet të ishin të gjallëruar, prandaj Allahu (xh.sh.), u kishte falur një mundësi qetësimi, që ditën tjetër të mos ishin të tendosur, e të dështonin. Madje, myslimanët, ngase donin ta ndjenin qëndrimin e tyre mbi tokë, mbështeteshin pas shpatave, por edhe në këtë gjendej i zinte gjumi.
Ndërsa në anën tjetër ishin idhujtarët, të cilët kishin ngelur në mes pellgjeve të formuara prej ujërave, baltës, ku e kishin të vështirë edhe të lëviznin. Që tani, kur lufta nuk kishte filluar ende, po përjetonin gjithfarë vështirësish.
Në agimin e asaj mbrëmjeje, kur ushtria politeiste nuk kishte mbërritur ende, Profeti ynë, Muhamed Mustafai (s.a.s.), mblodhi sahabët e Tij në Bedër, duke i ndarë në radhë, njëri pas tjetrit. Dukej, që përpos përgatitjes, Ai i jepte një rëndësi të veçantë edhe pamjes së jashtme. Edhe ky ishte njëfarë mesazhi që duhej dhënë; i këshillonte ata që dilnin një hap para ose një hap mbrapa, sepse pamja që donte të përftonte duhet të ishte sidoqoftë e njënjëshme. Ndërkohë, Profeti ynë i Dashur vërejti njërin, i cili rrinte një hap para nga të tjerët. Shkoi pranë atij, dhe filloi ta ngacmonte pak poshtë barkut me majën e një shkopi që mbante në dorë.
Hyr dhe ti në radhë, o Seuad, - i foli pa e humbur fare dhembshurinë tipike të fytyrës së Tij të ëmbël. Seuad ibni Gazija, u rregullua në radhë, por edhe shtoi disa fjalë:
O i Dërguar i Allahut, më vrave, - u ankua pakëz ai, -për hir të Atij që të ka dërguar, dua të shlyhemi me të njëjtën mënyrë!
Profeti ynë i Dashur u drejtua për andej nga vinte zëri, dhe pa kurrfarë ngurrimi, e la të lirë pjesën e barkut.
Kthema atëherë! - iu përgjigj Resulullahu (s.a.s.).
Ndërkohë, sahabët e Bedrit po prisnin çdo të ndodhte; të gjithë ishin skuqur nga turpi i kësaj që po ndodhte. Ky ishte një mësim, ndoshta më i miri, që i jepej njerëzimit lidhur me të drejtat e njeriut. Seuadi, të cilin po e ndiqnin të gjithë me sy, shkoi pranë Profetit të Njerëzimit (s.a.s.), fillimisht u ul në gjunjë, e pastaj e puthi në bark, e u çua e iu hodh në qafë. U kuptua qëllimi që kishte pasur.
Po pse veprove kështu atëherë, o Seuad, - e pyeti Krenaria e Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të.
O Resulullah, e shihni, që lufta po fillon, e unë nuk e di nëse do të dal dot gjallë prej saj. Desha që prekja e lëkurës sate prej times të ishte gjëja e fundit që merrja nga kjo botë. Doja të shkoja asisoj në praninë e Krijuesit tim!
Ky ishte emri i dashurisë për t’u bërë njësh me Resulullahun (s.a.s.), i flakës së dashurisë për Profetin që të ka dërguar vetë Krijuesi, i dashurisë që përpiqej të shlyente disi dashurinë e treguar karshi tij.
E gjithë kjo ngjarje nuk mund të kalonte pa u shpërblyer, prandaj, i Dërguari i Allahut Paqja qoftë mbi Të u lut për Seuadin duke i thurur lavde nga më të bukurat.
Pas pak fryu një erë e shpejtë, por që nuk zgjati shumë. Pas saj një erë e dytë, e mandej e treta. Bashkë me erën e parë erdhi Xhebraili Fjalëdrejtë (a.s.), me të dytën erdhi Mikaili (a.s.), ndërsa me të tretën erdhi engjëlli Israfil (a.s.), e secili kishte edhe nga njëmijë engjëj të tjerë nën vete. Ndoshta, kur njerëzit në tokë vinin në gjendjen e pëlqyer pranë Arshit të krijuesit, e kur tokësorët e kryenin pa asnjë mangësi detyrën e valëvitjes së emrit të Shenjtë, qiellorët nuk mund të bënin sikur nuk e shihnin, por s’kishin zgjidhje tjetër veçse të hidheshin e t’i ndihmonin ushtarët e së mirës. Mikaili (a.s.) bashkë me njëmijë engjëj të tjerë u vendosën në të djathtë të të Dërguarit të Allahut; njëmijë të tjerë, nën komandën e Israfilit morën përsipër anën e majtë. Po merrnin të gjithë një pamje ashtu siç mund t’u ketë hije vetëm atyre; në kokat e tyre kishin lidhur çallmat jeshile, të verdha dhe të kuqe, me një cep të hollë që u rrinte varur nga pas. Në ballët e kuajve të tyre kishte nga një shenjë të veçantë prej leshi.
Flamuri i madh i bardhë, i ishte dhënë Mus’ab bin Umejrit (r.a.) në emër të muhaxhirëve. Pranë tyre qëndronin dy flamuj që përfaqësonin ushtrinë e ensarëve, flamurin e hazrexhëve e mbante Hubab bin Mundhiri (r.a.), ndërsa flamurin e evsëve e mbante Sa’d bin Muadhi (r.a.).
Resulullahu (s.a.s.) i këshillonte ata në çdo rast të nevojshëm, duke ua kujtuar edhe njëherë të drejtat dhe detyrat e kujtdo që merrte pjesë në luftë. Gjithashtu, Ai nuk harronte asnjëherë t’i këshillonte se ajo që ishte më e rëndësishme, ishte durimi.
Gjendja e ushtrisë së mosbesimtarëve
Mosbesimtarët, ngaqë donin dhe ata të mblidhnin informacion mbi kundërshtarët, patën dërguar Umejr bin Uehbin për të parë më nga afër se si po përgatiteshin myslimanët. Umejri u ngjit mbi kodër, dhe filloi të kundronte se ç’po bënin myslimanët. Kur u kthye, ishte shend e verë.
Ata janë apo nuk janë treqind vetë. Ja treqind e pesë. Kanë gjithsej vetëm shtatëdhjetë deve dhe dy kuaj. Megjithatë, duhet të shoh edhe njëherë, nëse kanë apo jo ndokënd tjetër që i mbështet. I hipi kalit, shëtiti njëherë rreth e qark myslimanëve, e mandej u kthye sërish tek të parët e kurejshëve:
Nuk pashë asgjë më shumë. Ah po, pashë se si devetë e tyre përgatiten për të bartur të vdekur sipër tyre... Vura re se si devetë e Medinës po e përgatitin vetë fundin e tyre. Sepse ata nuk kishin asgjë me se të mbroheshin, përveç shpatës, e për më tepër as vend ku të mbroheshin nuk kishin. Nuk dalin fare, thua se kanë humbur aftësinë për të folur! Megjithatë po përgatiten edhe ata që të kapin ndonjë pre të majme. Ju betohem, se për çdo të vrarë nga të tyret, do të ketë një nga tanët. E ç’kuptim ka pas kësaj lufta, nëse gjithë këta njerëz nga tanët do të vdesin? Por e rëndësishme është sjellja që ju do të paraqitni karshi tyre, prandaj merreni vetë vendimin se çfarë do të bëjmë.
Ky ishte çasti më kritik për kurejshët. Zaten, disa prej njerëzve të tyre nuk donin të luftonin, madje disa prej tyre kishin kohë që thurnin edhe planet e kthimit. Disa prej tyre, për të ngatërruar disi situatën, thonë se Umejri ka prurë informata të gabuara, dhe ngulnin këmbë se duhet të nisnin edhe një tjetër për të parë. Kështu, ranë në një mendje për të nisur edhe një tjetër, dhe zgjodhën Ebu Seleme Xhushemiun.
Nuk pashë ndonjë ushtri kushedi çfarë, që ishte përgatitur për luftë, as ndonjë grup kalorësish që duhet t’u falim aq shumë rëndësi. Vetëm shpatën kanë që mund t’i ndihmojë, por brenda parzmoreve kanë disa si gurë çakulli, sikur të jenë sy bojëqielli të vendosur atje. Vendoseni vetë, tani, se ç’do të bëjmë, – ishin fjalët e Ebu Selemes, të cilat nuk ndryshonin fare nga ato të Umejrit.
Hakim ibni Hizami i dëgjoi të dy kasnecët, dhe shkoi menjëherë pranë Utbe bin Rebias:
O babai i Velidit, nuk kemi dyshim se ti je më i moshuari dhe prijësi i Mekës; në të tilla raste, fjala jote dëgjohet më shumë. A nuk ke dëshirë të bësh diçka, që të të përmendet për mirë gjatë gjithë jetës.
E kush nuk donte të bënte një punë të këtillë! Utbja, me ta dëgjuar Hakimin, u kthye nga ai.
Çfarë po kërkon të thuash, o Hakim? – e pyeti Utbja.
Merre ti detyrën, që ka bashkëpunëtori yt, Amr bin Hadrami, dhe kthejeni ushtrinë mbrapsht, për në Mekë! – iu përgjigj Hakim bin Hizami.
Në rregull, gjë që bëhet, por do të më ndihmosh edhe ti! Është e vërtetë, ai është bashkëpunëtori im, prandaj e paça borxh mbi qafë dieta dhe mallrat e vjedhura! Ti, shko menjëherë pranë Ibnu Handhalijes, sepse kam përshtypjen që është njeriu i vetëm, që nuk do të kthehej kurrsesi po t’ia thoshim mendimin e kthimit, pa luftuar, për në Mekë.
Pasi mbaruan këtë bisedë, Utbja filloi t’u fliste me zë të lartë gjithë gjindjes:
O popull i Kurejshit! Ju betohem se nuk jeni duke bërë një punë të mirë duke e luftuar Muhamedin bashkë me shokët e tij! Kush nga ne mund të dalë nesër përballë njëri-tjetrit, nëse do të kemi vrarë, njëri djalin e xhaxhait, tjetri të dajës? Më e mira e të mirave është të kthehemi mbrapsht, e të mos i ngatërrojmë më keq punët me Muhamedin dhe me arabët. Nëse ju nuk luftoni me ta, ata kanë për ta mundur një ditë, kështu që juve nuk ka se si t’ju ndodhë asgjë e keqe, pasi nuk do të jeni ngatërruar fare me të. Unë, për besë, jam duke parë njerëz që fluturojnë drejt vdekjes. Është e pamundur t’i mundim në këtë gjendje. Le të kthehemi tani, sa nuk është akoma vonë; vendimi ju përket juve!
O populli im! Nëse doni mund edhe të ma hidhni mua turpin, e të thoni se “Utbja u frikësua!”, megjithëse ju e dini shumë mirë që unë nuk jam aspak gënjeshtar.
Profeti ynë i Nderuar Paqja qoftë mbi Të, po e ndiqte nga larg afrimin dhe largimin e Utbes prej turmës, me sa duket po u fliste për diçka të rëndësishme. Ai, me të vërejtur diçka të tillë, u kthye nga sahabët e Tij.
Nëse ndonjëri prej tyre ka pak vlerë, ai mund të jetë ai që qëndron mbi atë devenë e kuqërremtë. Do të veprojnë me mend, nëse marrin mendimin e tij. – u shpreh I Dërguari i Allahut.
Kishte pak shpresa; me një fjalë, idhujtarët nuk kishin arritur as të binin në një mendje me njëri-tjetrin, nëse duhet të luftonin apo jo.
Profeti ynë u drejtua nga Aliu:
Thirrmë pak Hamzanë!
Në atë kohë, Hamzai (r.a.) ishte diku pranë armiqve. Me të marrë vesh se po e thërriste Profeti, rendi menjëherë për tek Ai. Ai e pyeti, Hamzanë, se cili ishte ai personi i hipur mbi atë devenë e kuqe, që po përpiqej t’i bindte të tjerët për diçka.
Ndërkohë, Hakim bin Hizami erdhi pranë Ebu Xhehlit, i cili kishte veshur të gjitha pajisjet, e po mprihte shpatën. Ai filloi t’i transmetonte tërë zhvillimet e fundit, duke i dhënë fillimisht përshëndetjet e Utbes. Ky ishte një zhvillim që e tërboi fare Ebu Xhehlin.
Me sa shoh, Utbja qenka dehur sapo ka parë Muhamedin me shokë, – tha ai, e mandej filloi të bënte be e rrufe se kurrsesi nuk kishte ndërmend të kthehej. – Nuk kemi për t’u kthyer kurrë, pa u vendosur diçka përfundimtare mes nesh dhe Muhamedit, - vazhdonte ai. Në fakt Utbja nuk është nga ata që do të mendojnë kështu, por me sa duket, kur ka parë myslimanët që janë aq pak sa mund të ngopen edhe me një deve të vetme, ka menduar se çdo të bëhej me djalin e tij, që gjendet në radhët e myslimanëve.
Patjetër që Ebu Xhehli, përballë një mendimi të tillë për t’u kthyer pa luftuar, do të shpallte edhe kësaj here injorancën e vet! U çua i nxehur që nga vendi ku ishte ulur, shkoi pranë Amr ibn Hadramiut, të cilit i ishte vrarë vëllai në ekspeditën e Abdullah bin Xhahshit. Të gjithë po prisnin se ç’vendim do të merrej. Ebu Xhehlit, që ngjante sikur po i dilte tym prej hundësh, i kujtoi Amirit Amrin, vëllanë e vrarë në Nahle.
Ky miku yt, Utbja, ka filluar t’u flasë njerëzve se do të ishte më e mira që të ktheheshin, – vazhdoi ai të bënte punën e vet. – Hajde e shihi njëherë me sytë e tu ato që po ndodhin, e filloi të fliste mandej me një zë gjysmë vajtues.
Amiri që e kishte mbështetur gjithnjë Ebu Xhehlin deri atë ditë, filloi të qahej se nuk kishte ç’të bënte.
Ah që më kujtove tim vëlla! Ç’të këqija që hoqi! – vazhdonte ai të qahej.
Qarjet e tij në fakt ishin mesazhe të lëshuara karshi Utbe ibni Rebias; ai ishte miku më i ngushtë i Amrit.
Sërish kishte ecur plani i Ebu Xhehlit. Të qarat e Amirit e patën nxehur më tepër situatën në mes të mosbesimtarëve, duke ia fshikur edhe një herë më tepër dëshirën për t’u hakmarrë. Utbja, i cili i mori vesh ato që kishin ndodhur me Ebu Xhehlin, e shau njëherë mirë e mirë, pastaj tha këto fjalë:
Nesër do ta shohim kush sheh më mirë, e kush më keq! Unë apo ai!
Zaten në ato çaste, Ebu Xhehli kishte kohë që i kishte rrahur mamuzet e kalit për të mbledhur ushtrinë e shpërndarë...
Përpjekjet e Profetit tonë të Dashur
Mbi të gjitha, Profeti i Mëshirës Paqja qoftë mbi Të, do të bënte dhe një përpjekje të fundit, duke nisur Omerin e nderuar në radhët e mosbesimtarëve, në një nga çastet më kritike, që t’u kërkonte që të hiqnin dorë prej luftës. Ndoshta e kishte bërë të shpresonte ajo pamja e Utbes mbi devenë e kuqe, që përpiqej t’i bindte për të njëjtën gjë.
Kthehuni mbrapsht! – i paralajmëronte Ai.
Nga tërë përpjekjet e Tij, duket qartë se Ai nuk kishte ndonjë inat ndaj askujt; qëllimi i Tij ishte vetëm kënaqësia e Allahut (xh.xh.). Ndërsa këta njerëz, që ishin ngritur që nga Meka, ishin pengesa kryesore që myslimanët të arrinin kënaqësinë e Allahut. Nëse hiqnin dorë, askujt nuk do t’i prekej as qimja e flokut, kështu do të rriteshin pak e nga pak mundësitë e fitimit të kënaqësisë së Zotit.
Por, ata nuk kishin as mend për të shpëtuar veten e tyre, e jo më të kuptonin ç’do të thoshte “kënaqësi e Allahut”! Patjetër, që populli, i cili e linte fatin në dorën e një njeriu si Ebu Xhehli, nuk mund të shpëtonte dot pa rënë nga fatkeqësia në fatkeqësi, dhe zaten atë ditë diçka e tillë do të ndodhte.
Kushëriri i nënë sonë, Hatixhes (r.a.), Hakim bin Hizami, me të dëgjuar këshillën që po transmetonte Omeri, u hodh, dhe tha:
Ai po tregohet i sinqertë, e po ju këshillon; dëgjojini ato që po thotë. Nuk mund të luftoni me ta, e të dilni të fituar! Tashmë, i takonte prapë Ebu Xhehlit që ta prishte këtë situatë shtendosjeje.
Nuk kemi pse të kthehemi tani, kur Zoti, na i ka dhënë të gjitha në dorë, e mund t’i mundim shumë lehtë, – foli sërish ai.
Tashmë çdo gjë ishte e qartë; kjo ushtri, e cila i përkiste kryesisht Ebu Xhehlit, do të luftonte medoemos. Edhe sikur tërë ushtria t’i dilte kundër, dashakeqësia e Ebu Xhehlit mjaftonte që ta shtynte sërish drejt luftës! Kështu që, nuk kishte fare pse të dilnin kundër luftës. Si qengjat shkonin sërish tek armët, e prisnin se cili do të ishte urdhri i radhës nga goja e Ebu Xhehlit.
Dimensioni i lutjes
Ato që mund të bëheshin prej njerëzores, ishin bërë, e tani ishte koha për t’u drejtuar nga Krijuesi i Shkaqeve. Njerëzit përballë ishin sa trefishi i myslimanëve, dhe luftërat e atyre ditëve zhvilloheshin më tepër mbi fuqinë njerëzore. Mirëpo, Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të, ngaqë e dinte se megjithëse ishin të paktë në numër, mund t’i dilnin përballë edhe shumë më shumëve se aq. Në fillim u drejtua dy rekate namaz kah kibla, e më pas hapi duart e filloi të lutej:
O Zot, mos më lër vetëm në këtë luftë të vështirë! Mbështillna ne me mirësinë Tënde, duke na i mbajtur premtimet e bëra! O Zot, sepse, nëse ky grusht njerëzish që të kanë besuar shkatërrohen, atëherë nuk ngelet askush, në tërë rruzullin, që të kryejë adhurime.
Megjithëse kundërshtarët e asaj dite ishin kurejshët, në fakt lufta bëhej në mes të besimit të pastër dhe politeizmit. Prandaj, nëse sot do të ishte politeizmi mbizotërues, atëherë nuk do të ngelej asnjë shenjë mbi epërsinë e vërtetë, e cila u përkiste besimtarëve. Sepse, as Resulullahu (s.a.s.), as sahabët fisnikë, nuk kishin ndërmend të ktheheshin nga ajo luftë pa arritur fitoren.
Sinqeriteti kishte arritur kulmin, e tërë qelizat e trupit të Tij sikur ishin bërë një; duart i kishte ngritur sipër sa të mundte, ndërsa koka zëre se i prekte në tokë. Ishte sërish Ebu Bekri i nderuar (r.a.), që do t’i gjendej sërish pranë, si në çdo rast të vështirë. E mori ashtu të mbështetur në sup, e filloi ta qetësonte:
O Resulullah! Pse e mundon kaq shumë veten, sa herë që kërkon diçka prej Allahut (xh.xh.)?! Mjaft, o i Dërguar i Allahut! Mos u bëj kaq këmbëngulës karshi Zotit Tënd! Nuk ka dyshim, që Allahu i qëndron Besnik premtimit të dhënë!
Kishte të drejtë; Allahu (xh.sh.) nuk e shkel kurrë fjalën e dhënë, por e realizon menjëherë, e në çastin e premtuar. Ngadhënjimi në Bedër ishte një nga premtimet e Tij. Vetëm se kjo ishte një cilësi vetëm e Zotit, e nuk duhet t’i ngatërronte aspak mendjet e njerëzve. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u bëhej shembull sahabëve, jo vetëm me anë të fjalëve, por edhe me anë të veprimeve të Tij. Kuptohej që mesazhi ishte se as në raste të tilla njeriu nuk duhet të shkëputej krejtësisht. Ndjeshmëria duhet të ishte përherë e mprehtë kur bëhej fjalë për bashkëbisedimin mes shpirtrave.
Profeti ynë, kishte dhënë gjithë ç’kishte, e tani i kishte ngelur vetëm t’i lutej Allahut. Aq sa, njerëz si Abdullah ibn Mes’udi e patën vënë re këtë lidhje të Resulullahut (s.a.s.) me Allahun (xh.xh.), e betoheshin se nuk kishin parë më vonë të realizohej një afërsi aq e madhe me Krijuesin.
E kishte premtuar Allahu, prandaj Resulullahu (s.a.s.), u kthye nga Abdullah bin Revaha:
O i biri i Revahës, unë patjetër që do t’i lutem Allahut që të na falë premtimin e Tij, sepse premtimi i Allahut nuk është kurrsesi i rremë.
Nuk kishte kaluar shumë kohë, kur u drejtua këtë herë nga të gjithë, në fytyrat e të cilëve ishin shfaqur disa shenja habie; shikimi i Profetit ngjante i hollë si cepi i hënës kur është ashtu e saponisur për t’u plotësuar.
Kemi sihariqe, o Ebu Bekër, - tha Ai. - Ja ku është Xhebraili (a.s.), i ka gati mamuzet e kalit, e po pret veç nisjen tonë. Po, e humba për një çast, shikimi im nuk po e përkapte askund, por ja, m’u shfaq sërish në majën e Bedrit. Më thotë pa ndërprerë: “Allahu e nisi ndihmesën e Tij, me t’i dëgjuar lutjet e Tua!”
Xhebraili (a.s.), sikur të donte t’u jepte një mësim të mirë gjithë njerëzve që do ta banonin botën, deri në ditën e Kiametit, thoshte:
Kujtojeni pak atë çastin, kur ju i luteshit Allahut, duke kërkuar me ngulm ndihmesën e Tij! E Ai ju pati thënë: “Unë do t’ju ndihmoj me njëmijë engjëj që zbresin njëri pas tjetrit.”, duke jua pranuar lutjet dhe kërkesat që kishit.
Ja, ky do të ishte ajeti kuranor, që i lajmëronte të gjithë për ndihmesën e përhershme të Allahut.
Kur po dilte nga çadra, Krenaria e Njerëzimit (s.a.s.), prej gëzimit, ndjente shtrëngim të parzmores.
Nuk ka dyshim që turma e këtij populli do të dalë humbëse, madje ata do të arratisen për andej nga kanë ardhur! Por, llogaria e tyre e vërtetë është në atë Ditën e Gjykimit, në çastin e Kiametit; ajo do të jetë koha më e hidhur dhe rraskapitëse për ta! - ishte ajeti që u përsëriste Ai (s.a.s.) besimtarëve.
Në Bedër nuk ishin dëgjuar asnjëherë më parë, aq vringëllima shpatash, e aq hingëllima kuajsh. Fuqia shpirtërore ishte përforcuar shumë prej ajeteve, sa dukej që çdo hap që hidhej mbi sipërfaqen e tokës, kishte një farë sigurie në brendësi. Forca e palës kundërshtare ishte pakësuar shumë, përkundër palës së myslimanëve që sa vinte e fuqizohej shpirtërisht.
Këto lajme, që nuk kaloi shumë kohë, por u përhapën në mes të të gjithë besimtarëve, ua kishte rikthyer buzëqeshjen të gjithë të pranishmëve. Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të kishte edhe një tjetër surprizë për sahabët e Tij fisnikë.
Tani më bëhet sikur e shoh me sytë e mi se kush po vritet prej idhujtarëve, dhe ku po vritet!
Profeti i Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të atë ditë nuk po lutej vetëm për të mirët, por edhe për armiqtë. Ai po i kërkonte Allahut që ashtu si t’u falte myslimanëve fitoren, ta shpërndante ushtrinë e mohuesve, duke ia përmendur Allahut, një e nga një, emrat e prijësve të mekasve: Ebu Xhehil, Umeje bin Halef, djemtë e Rebias, Utbe dhe Shejbe, Ukbe bin Ebi Muajt. Gjithsej shtatë vetë, kur Resulullahu i kërkonte Allahut që të merrej me ta.
Ishte lutur me aq sinqeritet të thellë, sa vetëm ajo lutje do të mjaftonte për t’u falur myslimanëve ngadhënjimin. Aq sa, ia tregoi një e nga një vendet se ku do të vriteshin këta të shtatë. Ky ishte një farë optimizmi që Ai po ua falte myslimanëve që përpara beteje.
Edhe ata i kishin mprehur shpatat, duke dhënë një imazh se ishin të gatshëm të dilnin në fushën e betejës. Nuk kishte ngelur shumë kohë nga përballja me armikun. Mori në dorë një grusht dhe, dhe ua drejtoi mosbesimtarëve.
Ju ndjektë turpi i kësaj lufte! - thoshte Ai, dhe i frynte dheut në drejtim të tyre. – O Zot, mbill frikën në zemrat e tyre; bëji ata të pafuqishëm karshi nesh! – vazhdonte Ai të lutej.
Këshilla e fundit, që Ai u dha sahabëve përpara betejës së Bedrit, ishte:
Hajt, bashkohuni të gjithë, ngjitur me njëri-tjetrin, që të jeni si një trup i vetëm!
Shkëndija e parë
Në krye të mosbesimtarëve ishte një burrë i pacipë, i ndyrë, që quhej Esued bin Esed. Ishte ai i pari që u hodh e foli:
- I jap fjalën Zotit, se o kam për të pirë nga pusi juaj i ujit, ose do ta shkatërroj, që edhe ju të mos e përdorni dot, o vdes!
Teksa thoshte këto fjalë, u nis në drejtim të pusit. Po afrohej me shpejtësi. Duart iu afruan milleve, e atmosfera e përhimë e luftës kaploi fytyrat e të gjithëve. Kjo ishte shkëndija e parë për luftën e Bedrit. Këtij të pacipi që po afrohej duhet t’i tregohej vendi, prandaj Hamzai i nderuar (r.a.) u hodh i pari për ta vrarë. Që në goditjen e parë iu pre njëra këmbë, dhe u rrëzua me shpatulla në tokë. Edhe në këtë gjendje, ai nuk hoqi dorë, por zvarritej andej nga ishte pusi, duke bërë disa përpjekje të kota me dorë, si e si ta rrëzonte. Madje e ndoti edhe ujin me gjakun që i rridhte çurg. Përpjekjet ishin të kota, por i solli disa dëme të vogla. Gjoja po mbante fjalën e dhënë në sy të të gjithëve. Sakaq, Hamzai i dha një të goditur tjetër, derisa e vrau, ashtu, të dorëzuar plotësisht ndaj shpatës.
Matja e forcave
Tashmë të dyja ushtritë i ishin afruar njëra-tjetrës. Nga të dyja palët duhet të dilnin nga tre trima, të cilët do të luftonin para të tjerëve, si një ceremoni e matjes së fuqisë së të dyja palëve. Ishte zakon që ndiqej në çdo luftë që bënin arabët; përpara nisjes së çdo beteje, nga të dyja palët dalin ata që mbahen për më trimat, duke qenë ata të parët në luftë. Ekzistonte gjithashtu njëfarë besimi, se kjo tregonte edhe mbarësi, por edhe se si do të ishte vazhdimësia e betejës. Kjo quhej ndryshe, “beteja e matjes së forcave”.
Beteja e matjes së forcave ishte një shpallje e vetvetes karshi të tjerëve, e pikërisht këtë tani po e bënte ushtria e mosbesimtarëve. Ndërkohë, që Utbja, i ati u hodh përpara për t’i shitur mend Profetit tonë Paqja qoftë mbi Të, nga ana e myslimanëve u hodh i biri, Ebu Hudhejfe, por Krenaria e Njerëzimit (sal’lallahu alejhi ues’selem) nuk e la të dilte. Megjithëse ai ishte mysliman, e tjetri i paudhë, nuk ishte e hijshme që t’i drejtohej shpata babait.
Nga radhët e ensarëve dolën dy djemtë e Afra binti Ubejdit, Aufi dhe Muadhi, bashkë me Abdullah bin Revahën. Mirëpo, Resulullahu nuk donte kurrsesi që të linte të parët ensarët për të luftuar. Pasi qëllimi kryesor i kurejshëve nuk ishin ensarët. Ai u kërkoi atyre që të ktheheshin në vendet e tyre.
Mosbesimtarët e panë këtë si një shenjë të mirë në drejtim të mbrothësisë së tyre.
O Muhamed! Nxirrna trima të atillë, që të jenë të sërës sonë, - bërtisnin ata.
O bijtë e Hashimit, çohuni dhe tregojuni vendin këtij grupi të paudhësh, të cilët mendojnë se mund të shuajnë dritën e Krijuesit. Tregojuni atyre se ç’do të thotë të luftosh për hir të emrit të Allahut (xh.xh.) dhe të Dërguarit të Tij (s.a.s.).
Se kush ishin ishte e përcaktuar; zaten, sytë e bekuar të Profetit ishin drejtuar kah fytyrat e Hamzait të nderuar, Aliut të nderuar, dhe djalit tjetër të xhaxhait të Profetit, Ubejde bin Harithit. Fluturuan menjëherë përpara, me të dëgjuar emrat. Sipër kishin disa rroba të bardha vezulluese. Aq shumë vezullonin, saqë mosbesimtarët nuk po i dallonin dot se kush ishin.
Po ju kush jeni?! – pyeti Utbja, - na tregoni se kush jeni?
Unë jam Hamzai, djali i Abdulmutalibit, gjithashtu luani i Allahut (xh.xh.), dhe i Të Dërguarit të Tij (s.a.s), - foli Hamzai, me një ton zëri që të kallte datën.
Edhe unë jam luani i miqve të mi, - u hodh të fliste Utbja, që nuk donte të ngelte pas, - kështu që mund të luftojmë, se me ty, po, jemi të barabartë.
Po ai që ke në krah, kush është? – vazhdoi të pyeste ai.
Janë Ali bin Ebu Talibi dhe Ubejde ibni Harith ibni Abdulmutalibi, - u përgjigj Hamzai i nderuar.
Edhe këta ishin njerëz të përshtatshëm, kështu që Utbja i kërkoi Velidit që ta bënte ai duelin e parë.
Përballë Velidit rrinte Aliu i nderuar (r.a.). Me dy goditje të vetëtimshme shpatash, Velidi gjendej tanimë i rroposur përtokë. Të gjithë po vështronin njëri-tjetrin të habitur. Dueli kishte përfunduar ende pa nisur mirë. Trupi i pajetë i Velidit u shtri i pari në fushën e betejës.
I erdhi radha tjetrit. Të paktën duelin e dytë duhet ta fitonin medoemos, përndryshe nuk mund t’ia kthenin më optimizmin e humbur ushtrisë, që tani dukej plotësisht e çoroditur. Kësaj here Utbja u hodh vetë përpara. Përballë kishte Hamzanë. Sapo nisën të luftonin, kur edhe Utbja ra përdhe. Gjithçka ndodhi si me Velidin. Tanimë, edhe ai gjendej i pajetë mbi sipërfaqen e pluhurt të tokës.
Tani radhën e kishte vëllai i Utbes, Shejbja. Megjithëse ishte ndoshta njeriu më i pikëlluar në mesin e mosbesimtarëve, ai po përgatitej me mish e me shpirt që ta bënte palën tjetër të vuante. E ngriti shpatën dhe u drejtua me shpejtësi në drejtim të Ubejdes së nderuar, i cili ishte ndoshta sahabi më i moshuar në mesin e myslimanëve të atyre ditëve. Andaj, dueli zgjati më tepër sesa dy të parët. Ubejdja i nderuar u plagos gjatë dyluftimit, por doli fitimtar. Në çastin që u plagos, përpara u vërsulën Hamzai me Aliun, që ia treguan më së miri vendin Shejbes.
Saora, lufta filloi. Meka po përpiqej që t’i shkatërronte myslimanët tërësej; myslimanët donin t’i jepnin fund pesëmbëdhjetë vjet mundimeve dhe torturave të hequra, si dhe t’ia mbyllnin gojën mohimit, duke i treguar se besimi ishte i pamposhtshëm, e që ata përpiqeshin vetëm që emri i Allahut të dallgëzojë në të katër anët e rruzullit. Mirëpo, ishin disa gjëra që mekasit nuk i kishin llogaritur; para së gjithash, muhaxhirët nuk ishin ashtu siç i patën pandehur, ata jo vetëm që ishin më të fortë tani, por vlonin përbrenda nga një pasion i madh i besimit. Ishte tejet e vështirë ta përballoje dëshirën e tyre për të luftuar. Ashtu siç do ta rrëfenin më vonë ata që arritën të dilnin të gjallë prej andej, atë ditë, ishte e vështirë të dalloje se cila shpatë kishte prerë cilën kokë, apo cilin krah e kishte këputur aksh shpatë. Ishte ndoshta një nga luftërat më të shpejta që është zhvilluar ndonjëherë.
Patjetër që, Ai që luftonte më ethshëm ishte Resulullahu sal’lallahu alejhi ue sel’lem. Aliu i nderuar, teksa e rrëfente më mbrapa këtë ditë, shprehej:
- Në çastet më të nxehta të luftës së Bedrit, ne shkonim për t’u mbrojtur duke ndenjur pranë Të Dërguarit të Allahut Paqja qoftë mbi Të. Vetëm atje arrinim të gjenim siguri.
Atë ditë, Ai Paqja qoftë mbi Të luftonte më pranë mosbesimtarëve, dhe ishte Ai i vetmi që ia jepte hakun luftës. Pas lutjeve dhe përgjërimit, patjetër që njeriu duhet ta tregonte fuqinë e tij me anë të krahëve. Ndoshta ishte hera e parë që të dyja qëndronin krah për krah me njëra-tjetrën, nga njëra anë Ai u mësonte pasuesve të Tij se si të nxiteshin për ta jetuar Islamin, nga ana tjetër u mësonte atyre artin e të luftuarit.
Fundi i Ebu Xhehlit
Një çast, pranë Abdurrahman bin Aufit që po luftonte në radhët e para të luftës, u afruan dy djelmosha, që dukeshin se ishin prej ensarëve. Këta ishin Muadh bin Amr bin Xhemuhu dhe Muadh bin Afra. Këta rioshë, që sapo kishte filluar t’u formohej mjekra, që me sa duket kishin dalë nga Medina për të ndjekur karvanin, kishin shpëtuar e tani kishin arritur të mund të arratiseshin deri këtu.
Abdurrahmani me të parë këta dy djem tek po i afroheshin, u kërkoi që të kishin me vete edhe nja dy vetë të tjerë, të denjë për të luftuar me të. Mirëpo, me ç’dukej qëllimi i tyre nuk ishte të luftonin me të; njëri prej tyre iu afrua urtë-urtë, dhe duke e ulur pak zërin, që të mos e dëgjonte tjetri, e pyeti:
O xhaxha! A e njeh Ebu Xhehlin?
Po, e njoh, - iu përgjigj Abdurrahman bin Aufi (r.a.), - por për çfarë të duhet more nipçe?
E dëgjova që po shante Resulullahun; por, ja ku po të betohem, se po e gjeta, do t’i bëhem hije gjersa ta vras!
Ndërsa ai thoshte këto fjalë, tjetri e tërhiqte për rrobe, e njëlloj si shoku i tij, interesohej se ku mund ta gjente Ebu Xhehlin. Abdurrahmani u çudit së tepërmi nga fjalët e këtyre djemve të rinj.
Ja tek e keni, - iu përgjigj ai, duke u treguar me gisht një person që luftonte duke lexuar poezi.
Me të marrë këtë shenjë, të dy djemtë, si dy shigjeta të nxjerra njëra pas tjetrës prej harkut, nisën të vraponin drejt vendit ku gjendej Ebu Xhehli. Abdurrahman bin Aufi, u çudit së tepërmi, e nuk po e merrte dot veten së i vështruari se ç’do të bënin.
Të gjithë flisnin se askush nuk mund t’i afrohej Ebu Xhehlit gjatë luftës, por ja, këta djem ia arritën qëllimit. S’kaloi shumë kohë, dhe Ebu Xhehlin e gjetën të shtrirë duke u përpëlitur, përdhe. E patën goditur të dy njëkohësisht, duke e lënë shakull në tokë nxitësin kryesor të mosbesimtarëve.
Të dy u afruan të kënaqur pranë Të Dërguarit të Allahut (s.a.s.); a ishte rrëzuar armiku kryesor i besimtarëve, nuk kishte ç’t’i thoshte gëzimit që i kishte kapluar ata të dy. Profeti ynë, që i dha një rëndësi akoma më të veçantë gëzimit të tyre, tha:
Po cili prej jush e vrau atë, - pyeti Ai.
Atë e vrava unë, - iu përgjigj njëri syresh, por edhe tjetri thoshte të njëjtën gjë.
A e fshitë gjakun që të ndoti shpatën?
Jo, o i Dërguar i Allahut, - u përgjigjën të dy.
Tanimë i nxorën menjëherë shpatat, për t’i vërtetuar Resulullahut,
se në fakt ishte ai që e kishte vrarë Ebu Xhehlin. I Dërguari i Allahut i pa me kujdes të dyja shpatat.
Të dy e paskeni vrarë, - i përgëzoi Ai me fjalët e Tij të ëmbla.Teksa Muadh bin Afraja po largohej nga Profeti ynë i Nderuar (s.a.s.), me kënaqësinë se kishte vrarë një të lig, që kishte nisur gjithë ushtrinë e Mekës, që andej për të luftuar me ushtrinë e Allahut, vërejti se ishte plagosur nga njëri krah. Gjaku po i derdhej çurg. Mesa duket, në kohën që Muadhi godiste Ebu Xhehlin, Ikrimja, i biri i këtij të fundit i pati dhënë një të goditur.
Ebu Xhehlin patën arritur ta rrëzonin, por jetonte akoma. Lufta mbaroi, dhe sahabët nën urdhrin e Resulullahut (s.a.s.), dolën për të parë rezultatet e luftës. Madje, Resulullahu Paqja qoftë mbi Të, pyeste në veçanti nëse kishte vdekur apo jo Ebu Xhehli. Sepse, përpara ritakimit në Hira, teksa ishin njëherë në banesën e Abdullah ibni Xhudanit, Ebu Xhehli e pati mërzitur së tepërmi, prandaj Profeti ynë i Dashur, e pati goditur. Nga kjo zënkë kishte ngelur një shenjë në kupën e gjurit të Ebu Xhehlit. Ajo shenjë i kujtohej njëlloj sikur të ishte hapur pak më parë.
Abdullah bin Mes’udi u habit së tepërmi kur pa, se Ebu Xhehlit i kishte ngelur edhe një fije frymë. E kishte mbuluar fytyrën me parzmore, dhe shpatën e kishte mbështetur mbi kupën e gjurit. Nuk kishte fuqi as të lëvizte. Fytyrën e kishte të drejtuar nga toka. Fillimisht, deshi të ngrinte shpatën e ta përfundonte vrasjen e nisur gjatë luftës, vetëm ndaloi pasi kujtoi se kjo do të ishte një vdekje e lehtë për të. Ebu Xhehli duhet ta përjetonte deri në palcë rrënimin. Mandej iu kujtuan edhe kërcënimet që ai i kishte bërë vite më parë.
Ta dish, se do të vijë një ditë, që unë do të të vras! - e kishte kërcënuar ai Abdullah bin Mes’udin. Gjithashtu, atij iu kujtua edhe ëndrra që kishte prarë sikur, ai e vriste Ebu Xhehlin, ndaj vendosi t’i afrohej më tepër, dhe ia preku lehtë kokën.
Lëvduar qoftë Allahu, që të rrënoi, e të bëri rezil në sy të të gjithëve, o armik i Allahut! A të erdhën mendtë tani? – iu rrëmbush ai.
Ebu Xhehli, edhe në këtë gjendje ishte po i njëjti. Nuk donte ta pranonte as humbjen, e nuk donte kurrsesi që të hiqte dorë prej mohimit. Këtyre fjalëve të Ibni Mes’udit, do t’i përgjigjej paturpësisht:
E pse u dashka që të turpërohem! Në fund të fundit, do të quheni
se keni vrarë një njeri. A mos prisni që të bëhem rezil, vetëm pse më ka vrarë një prej rrjepacukëve tuaj?
Ebu Xhehlit diku i rrihte; mendja i rrinte ende te lufta. Donte të mësonte se ç’bëhej me ushtrinë që ai vetë, e kishte prurë që nga Meka për kënaqësi të shpirtit të tij aventurier.
Më mirë më thuaj, kush e fitoi luftën, - pyeti ai ashtu me vështirësi.
Ngadhënjimi i përket Allahut dhe të Dërguarit të Tij, - klithi Abdullah bin Mes’udi.
Ky lajm po, që po e vriste me të vërtetë Babanë e Injorancës. Ky njeri, që nuk kishte devijuar kurrë nga mllefi dhe urrejtja, e pa njëherë Ibni Mes’udin me një fytyrë të pikëlluar. Ky farë shikimi sikur ishte simbol i zbehjes së dritës së mohimit. Megjithatë, prapë nuk pranonte kurrsesi që të hiqte dorë prej smirës dhe krenarisë së tepruar që ia verbonte të gjitha shqisat. Mundohej ta ulte sa më shumë Ibni Mes’udin dhe meqë po ikte, të paktën ta fyente me sa të mundte. Kjo ishte pika e fundit, që e mbushi dhe e bëri të derdhej gotën. Kështu, Ebu Xhehli ia përgatiti fundin vetes me duart e tij.
Dhe... Ibni Mes’udi i lëshoi goditjen e fundit Ebu Xhehlit, që mbante mbi qafë fajet e një të shkuare të gjatë dhe plot vuajtje. Ja dhe një kështjellë tjetër e shpëtuar në emër të Islamit. Vdekja e tij shënonte fitoren e vërtetë në betejën e Bedrit. Sepse, edhe mekasit, kishin filluar të largoheshin vetëm pasi kishin marrë vesh vdekjen e tij.
Ibni Mes’udi u nis përnjëherë për te Profeti ynë i Dashur.
O I Dërguari i Allahut, - iu drejtua ai, dhe sakaq i tregoi se Ebu Xhehli më në fund ishte i vdekur.
Profeti ynë, me të marrë këtë lajm, fillimisht pyeti edhe njëherë për të siguruar. Nuk ishte një lajm dokudo:
A u vra me të vërtetë? – pyeti Ai, dhe me të marrë edhe njëherë aprovimin e miqve të Tij më të afërt, u ul në sexhde, duke falur dy rekate namaz nga gëzimi.
Lëvduar qoftë Allahu që i nxjerr gjithnjë krenarë myslimanët.
Tanimë që e drejta ishte ndarë nga e zhdrejta... Tanimë, që dallimi mes tyre ishte edhe më i qartë, do të ishte Profeti i Njerëzimit ai që do t’i ndiqte këmba-këmbës.
“Ushtria e tyre ka për t’u mundur, e ata do të tërhiqen zvarrë për t’u tërhequr.”, ishte ajeti që nuk po i hiqej nga goja. Patën kaluar plot pesë vjet që kur pati zbritur ai ajet, e ata ishin në Mekë asohere. Që nga ai çast, të gjithë besimtarët myslimanë prisnin që të vinte dita kur do të mundej ushtria e mosbesimit. Sahabët, tani që ushtria kundërshtare ishte mundur, e ajeti po përsëritej pareshtur në gojën e Profetit tonë të Dashur, e kuptuan, madje nuk u ngeli kurrfarë dyshimi ndër mendje, se ky ajet nuk ishte tjetër pos sihariqit për ngadhënjimin në luftën e Bedrit.
Ushtria e kurejshëve që shtrihej tani para shikimit të tyre përbëhej vetëm nga robërit e luftës dhe trupat e pajetë të të vrarëve. Eh, me ç’shpresa ishin nisur nga Meka ata! Madje, duke i lënë të gjitha gjërat me vlerë për ta atje. Për ta, Bedri ishte një luftë e përfunduar që pa nisur. Sepse pa nisur mirëfillti që të luftonin, u ishin prerë kokat. Sikur u vinin disa të pahasur më parë, që i vrisnin. Të gjitha çfarë u rrëfyen më pas, nga ata që arritën të shpëtonin kokën, si nga ata që patën nderin të hynin në Islam më vonë, e vërtetonin atë më së miri:
Kurejshin atë ditë e pati mundur një dorë prej të panjohurës.
Teksa rrekeshin të sulmonin me gjithë shpirt ushtrinë e myslimanëve, u shfaqej një re, që më tepër u shtonte një frikë lëkundëse përbrenda. Sepse, aq shumë ishin treguar deri atë ditë ndodhitë që u ngjanë Ebrehesë, bashkë me ushtrinë e tij, saqë nuk u shqiteshin askujt nga mendja. Dhe ajo që shihnin nuk ishte një re si gjithë të tjerat; nga brenda resë vinin zëra buçitës, që të trembnin. Zëra buçitës që ngatërroheshin me hingëllima kuajsh jehonin gjithandej në Bedrin e asaj dite. Aq shumë tronditëse u dukej kjo, saqë ushtria e myslimanëve, e cila gjer atëherë u ishte dukur sa një e katërta e tyrjes, tani u dukej sa dyfishi. Gjithçka sikur kishte ndryshuar brenda një grimë-çasti, e ua kishte afruar jashtëzakonisht shumë vdekjen.
Dëshmorët
Atë ditë, në radhët e myslimanëve ranë vetëm katërmbëdhjetë dëshmorë. Gjashtë prej tyre ishin muhaxhirë, ndërsa tetë prej ensarëve, ku dy prej tyre ishin evsë, ndërsa gjashtë hazrexhë.
Po, kishin fituar, por megjithëse kishin dalë fitimtarë, ata i kaploi një ndjesi trishtimi. Për Profetin më të Dashur të Njerëzimit, një njeri ishte i barabartë me një botë, dhe kjo ishte tejet e rëndësishme. Tani Ai ishte i detyruar të kthehej për në Medinë me katërmbëdhjetë vetë më pak.
Nga pikëllimi, Resulullahu e kishte të pamundur të nisej menjëherë, kështu që vendosën të rrinin edhe tri ditë aty, e pastaj të ktheheshin. Aty ata do t’u falnin namazin të rënëve në luftë, si respekti më i veçantë treguar karshi atyre që pinë të parët prej shurupit të ëmbël të martirit. Ai (s.a.s.) do t’i lutej Allahut pa reshtur për ta, duke i përcjellë vetë, bashkë me sahabët e tjerë, për në botën tjetër.
Kaluan tri ditë që kur lufta kishte mbaruar; para se t’i hipte kalit, për t’u kthyer në Medinë, Profeti i Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të, iu afrua komandantëve të ushtrisë së mosbesimtarëve, dhe filloi t’u fliste:
O Filani i biri i Fistekut! O Ebu Xhehl bin Hisham! O Utbe bin Rebia! O Shejbe bin Rebia! O Umeje bin Halef! A e patë se ç’ndodh kur ngrihesh për të kundërshtuar Të Dërguarin e Allahut?! A e patë se si Allahu i nxori të vërteta fjalët që paratha për ju? Ja, unë tani po i shoh një për një të gjitha ato që më pati premtuar Allahu. Nuk kam dëgjuar për kënd që t’i kenë sjellë kaq të këqija profetit të tyre! Në kohën që njerëzit më shpallnin mua besimin e tyre, ju më përgënjeshtruat! Në kohën që ata më fusnin mua në zemrat e tyre, ju më përzutë mua prej vendit tim! Dhe Allahu (xh.xh.) ju dënoi ashpër, për të gjitha të këqijat që më bëtë. Prapëseprapë, megjithëse unë ju thosha vetëm të vërtetën, ju thoshit të kundërtën; më quanit edhe “gënjeshtar”.
Ndërkohë, Omeri i nderuar, që i dëgjoi të gjitha sa foli Profeti i Njerëzimit, ndërhyri:
O Resulullah! Kanë kaluar tri ditë, e Ti u je drejtuar e po u flet sikur të ishin të gjallë; si është e mundur që flet me trupat e tyre të pajetë e kundërmues, madje edhe duke ngritur zërin, që të të dëgjojnë pak më mirë!
Ju, nuk po i dëgjoni më mirë se ata fjalët e mia! Ndërkohë, ata po i dëgjojnë të gjitha ato që po u them unë, vetëm se nuk e kanë fuqinë që të më përgjigjen. - iu përgjigj Ai.
Profeti ynë dallonte nga të tjerët
Çfarë thellësie mund të ketë mëshira e Profetit tonë të Dashur Paqja qoftë mbi Të, që megjithëse të parët e vetë janë arratisur e i kanë lënë aty, vendos që t’i varrosë edhe ata të vdekur që ishin nga ana e kurejshëve. Madje do të merrte edhe vetë pjesë në të gjithë këtë. Ishte Ai që e dha urdhrin të varroseshin ata njëzet e katër vetë, që kishin vdekur prej kurejshëve.
Ndërsa përpiqej të fuste në tokë Utbe bin Rebian, shikonte me keqardhje të birin e tij, Ebu Hudhejfen, dhe zemra i copëtohej, teksa shihte furtunën që rrihte përbrenda tij. Ebu Hudhejfe ishte i pikëlluar, i kishte ikur fare ngjyra e fytyrës. Me sa dukej, ishte mërzitur shumë pse babai i tij ishte larguar nga kjo botë pa u njohur me bukurinë e besimit. Një ta parë kështu, iu afrua dhe filloi t’ia përkëdhelte flokët me dhembshuri.
Më duket se je mërzitur shumë, ngaqë babai yt nuk besoi sa ishte gjallë, - i tha Ai.
Jo... – u përgjigj Ebu Hudhejfe, - nuk më mërzit aspak pse vdiq, e e kam këtu të shtrirë pa jetë, përpara syve; ajo që më mërzit më shumë është se babai im kishte një shpirt të butë, ishte i mençur dhe i virtytshëm, e nuk ishte për të ikur kështu. Të qenët e tij i tillë më jepte shpresë se një ditë mund të ndryshonte, madje çdo natë çohesha me këto shpresa, e po me këto shpresa gdhihesha. Tani që shoh këtë pamje, më pikon në zemër, – e sakaq ra përgjunjë.
Ishte vërtetë shumë e dhimbshme, dhe për ta qetësuar atë Resulullahu (s.a.s.) hapi duart dhe filloi t’i lutej Allahut, për ta shpërndarë sadopak mërzinë mbytëse që kishte kapluar zemrën e Ebu Hudhejfes.
Madje, edhe armikun e betuar, që nuk kaloi çast pa vjellë vrer ndaj Tij, Ebu Xhehlin, e varrosi me duart e veta.
Tanimë çdo gjë ishte më e qartë, dhe megjithëse ishin të paktë në numër, myslimanët kishin arritur një fitore legjitime në betejën e Bedrit. Në fakt, sërish kishte vështirësi, pasi e gjithë kjo fitore mund të çonte që ta humbnin fillin e të binin më lehtë në gabime. Sepse, njerëzit mund ta lidhnin fitoren me njerëzit, e në mënyrën më të keqe, me vetveten. Andaj erdhi dhe Xhebraili (a.s.), që të mos i linte të binin në gabim.
Në fakt, ata nuk i vratë ju, por i vrau Allahu; edhe ato që mbanit në duar e i hidhnit, nuk ishit ju, por Allahu, që i hidhte. I bëri të gjitha këto për t’ju sprovuar ju! Sepse Ai është Semi’, Dëgjues i gjithçkaje, prandaj është në dijeni të të gjithave. Është Alim, që me na mbështjell të gjithëve me diturinë e Tij!
Sihariqi mbërrin në Medinë
Profeti i profetëve, për t’i lajmëruar gjithë të pranishmit në Medinë, nisi përpara Zejd bin Harithin me Abdullah bin Revahën. Një ditë pas luftës, aty në të hyrë të drekës, mbërritën deri në vendin e quajtur Akik, e aty u ndanë që të hynin në Medinë nga vende të ndryshme, e asisoj ta përhapnin myzhden e fitimit të betejës. Pa kaluar shumë kohë, u dëgjua zëri i Abdullah bin Revahës.
O ensarët, lajme të mira për ju! Resulullahu është shëndoshë e mirë! Ndërsa mosbesimtarët, disa u vranë, ndërsa disa të tjerë i kemi zënë robër. Dy djemtë e Rebias dhe dy djemtë e Haxhaxhit, bashkë me Ebu Xhehlin, Zem’a bin Esuedin dhe Umeje bin Halefin u vranë, ndërsa Suhejl bin Amrin e kemi zënë rob, dhe e kemi me vete.
Medinën e kaploi hareja. Abdullah bin Revaha, ngase donte që ta ndante me të gjithë këtë gëzim, shëtiste nga porta në portë dhe lajmëronte. Aq sa, të gjithë fëmijët e Medinës iu qepën nga pas, dhe bërtisnin edhe ata:
U vra fëlliqësira! U vra Ebu Xhehli! Të gjithë, përfshi këtu edhe Umeje bin Zejdin, e morën mësimin e merituar.
Kthimi dhe robërit e luftës
Profeti ynë i Dashur mbërriti në Medinë një ditë para se të mbërrinte edhe grupi i robërve. Njerëzit ishin mbledhur të gjithë majë kodrës së Uedasë, e po i këndonin vargje të bukura Të Dërguarit të Allahut Paqja qoftë mbi Të.
Shumë njerëz, që e panë atë tek kthehej nga lufta ashtu, i gëzuar dhe ngadhënjimtar, vinin dhe dëshmonin se këtej e tutje, edhe ata ishin myslimanë. Sepse nuk u kishte ngelur më degë për t’u mbajtur, përveç ushtrisë së mosbesimit. Madje edhe Abdullah ibni Ubej ibni Seluli ishte ndërmjet robërve.
Hebrenjtë, kur e panë duke ardhur, thanë:
- Ja, ky është profeti, të cilit ne ia kemi lexuar cilësitë në Teurat. – ishte shprehja e tyre e dorëzimit.
Ndërkaq, i këshilloi sahabët që të tregoheshin të kujdesshëm ndaj robërve, madje të silleshin mirë me ta. Për t’iu bindur këtij urdhri të
Profetit të Dashur Paqja qoftë mbi Të, sahabët, edhe nëse vetë po hanin hurma, robërve mundoheshin që t’u çonin ushqimet më të mira.
Ngase lufta ishte e para, edhe koncepti i robit të luftës nuk do të thoshte asgjë për ta. Ende nuk kishte zbritur asnjë urdhër prej qiellit. Ngaqë nuk ishte marrë asnjë vendim, ata nuk jepnin dot as urdhër që ata të ktheheshin mbrapsht për në Mekë; në fund të fundit, kjo do të thoshe si t’u hidhje gjalp mbi fetën e bukës, nëse u lejoje që të largoheshin pa marrë asnjë mësim të mirë.
Prandaj, I Dërguari i Allahut Paqja qoftë mbi Të i mblodhi sahabët, dhe filloi të këshillohej me ta se ç’do të bënin me robërit. Ishte hera e parë që përballeshin me një situatë të tillë, e hapat që do të ndërmerreshin sot, do të shërbenin si një metodë për ata që do të vinin në të ardhmen.
- Ç’mendim keni për robërit e luftës? Ç’të bëjmë me ta? – i pyeti Ai sahabët e Tij, – “Megjithëse shumë prej tyre janë vëllezërit tuaj të djeshëm, sot i la në dorën tuaj.”
Mendimi përfundimtar ishte që më mirë t’i lëshonin në këmbim të një shpërblese. Kjo shpërblesë do të ishte një pagesë prej katër mijë ukijesh. Megjithatë çdo vendim ishte elastik, e ata i toleronin edhe ata që nuk kishin mundësi ta paguanin shpërblesën.
Mes tyre kishte edhe njerëz tejet të varfër; zemra donte që edhe zemrat e tyre të afroheshin, kështu që ia gjetën një zgjidhje. Ndër ta u zgjodhën ata që e kishin të pamundur të paguanin shpërblesën, e iu kërkua që secili syresh t’u mësonte shkrim dhe këndim dhjetë myslimanëve. Në fund të saj, edhe ata quheshin se e kishin kryer shpërblesën.
Në të njëjtën mënyrë u veprua edhe me ata, që as nuk kishin se ç’të paguanin, por nuk dinin as vetë shkrim dhe këndim. Ata u liruan prej myslimanëve vetëm me kushtin se këtej e tutje nuk do të flisnin më kundër Islamit, e as nuk do të mbështesnin askënd që mbante këtë qëndrim.
Vdekja e nënë Rukijes
Ishte data njëzet e tre e muajit të Ramazanit. Kishin kaluar dhjetë ditë që kur ishin nisur për të ndjekur karvanin. Por dhjetë ditë, brenda të cilave çdo çast kalonte sikur të ishte një dhjetëditësh më vete. Sahabët kishin mësuar brenda këtyre dhjetë ditëve, pasi ishin përballur me dukuri që ndoshta do t’u duhej një jetë e tërë që t’i jetonin, dhe e kishin marrë mënyrën e zgjidhjes së tyre nga Mësuesi i Përsosur. Tanimë e dinin fare mirë se si duhet të vepronin, mirësi pas mirësish rridhnin njëra pas tjetrës, e mëshira e Zotit nuk dinte të pakësuar. Megjithëse ishin nisur për të ndjekur karvanin, Allahu (xh. xh.) u kishte nxjerrë përballë ushtrinë e Kurejshit, e Saora atyre u ishte dashur që të luftonin. Tani edhe lufta mbaroi, e ata ishin fitimtarët e një lufte që u admirua prej të gjithëve.
Veçse, në atmosferën e Medinës sikur kishte një tkurrje. Ishin turrur të gjithë për të ndarë me njëri-tjetrin fitoren mbi mekasit, por askush nuk e kishte hequr nga mendja vdekjen e Rukijes, vajzës së
Profetit Paqja qoftë mbi Të.
Nënë Rukija kishte vdekur në Medinë, pikërisht në kohën që myslimanët luftonin në fushën e betejës. Zejd ibni Harithi mbërriti në Medinë pikërisht në çastin që po i thoshin lamtumirën e fundit, duke e përcjellë për në Xhenetin e Përjetshëm. Nëna jonë Rukija ishte shumë sëmurë që pa u nisur ata, andaj edhe Resulullahu i pati dhënë leje Osmanit të nderuar, që të rrinte e të kujdesej për të.
U dëgjua një zë tekbiri që i drejtohej Xhenetit të Përjetshëm. Osmani i nderuar, e dinte se ky zë po vinte bashkë me një lajm të mirë, madje edhe e kuptoi se për çfarë bëhej fjalë. Pa u munduar ai fare që të mësonte diçka, i zoti i zërit kishte mbërritur, gjithnjë duke thirrur tekbire.
Kur pa që mbi Kasuanë ishte Zejdi, u shqetësua pak. Të gjithë po prisnin lajmet që ai kishte prurë. Po fliste për një fitore. Allahu i Lavdëruar i kishte shtrirë mbi Bedër disa prej parisë së Mekës, ndërsa të Dërguarit të Tij i kishte falur fitoren. Askush nuk dinte çfarë të thoshte; a të gëzoheshin për ngadhënjimin në Bedër, apo të mërziteshin për Rukijen e nderuar, të cilën po ia jepnin tokës pa e parë Profeti ynë i Dashur!
Meqë edhe në Bedër gjithçka ishte mbyllur me sukses, Resulullahu pritej të mbërrinte nga çasti në çast. Si do t’ia jepnin Atij këtë lajm të kobshëm? Si do t’i thoshin: “E varrosëm ne përpara se të mbërrije Ti.”?
Në Medinë po përjetohej një tjetër kohë e vështirë; Profeti i profetëve, i Cili ia kishte dhënë edhe më parë të tre djemtë tokës, po humbte edhe vajzat. Me sa duket, Allahu e afronte Atë vazhdimisht për nga miqësia e pavdekshme, duke ia shtuar, qoftë edhe në çastet më fatlume, trishtimin, i hapte mundësi të tjera prej nga mund të trishtohej.
Më në fund e kishte marrë edhe ai lajmin e hidhur; nuk mund ta pengoje dot atë që ishte e paracaktuar. Ai ishte Dhënësi, e patjetër që edhe Marrësi Ai do të ishte. Rukija tanimë kishte shpëtuar prej vuajtjeve të kësaj bote, dhe kishte shkuar pranë nënës së saj, Hatixhes së nderuar, dhe vëllezërve të saj të vegjël. Sido që të ishte, gjithçka vazhdonte, e megjithëse sot ishin përballë një ndarjeje kalimtare, do të vinte një ditë që do të ritakoheshin. Prandaj, u çua dhe vazhdoi të ecte në drejtim të Parajsës së Përjetshme, për të vizituar varrin e nënë Rukijes. Me zemër të copëtuar, sytë të mbushur me lot, Ai Paqja qoftë mbi Të iu lut gjatë-gjatë Allahut për vajzën e Tij.
Lajmi i hidhur mbërrin në Mekë
Ai që e çoi i pari lajmin e keq në Mekë ishte Hajthuman bin Ijathi. Mekasit ishin mbledhur në “Hixhr” dhe po kuvendonin me njëritjetrin. Kur e panë ashtu flokë shpupurisur, të frikësuar e të zhytur në mendime, e kuptuan menjëherë se si ishte gjendja.
Ç’ka ngjarë? Çfarë lajmesh na keni prurë? – ishin pyetjet e tyre, që e bënë Hajthumanin të mos dinte nga t’ia fillonte.
U vra, – thoshte ai, - Utbe bin Rebia, Shejbe bin Rebia, Ebu Xhehli, Umeje bin Halefi, Zem’a bin Esuedi, dy djemtë e Haxhaxhit, Nebihu dhe Munebehu, si dhe Ebu Bahter ibni Hishami.
Fjalët e Hajthumanit, që dukej sikur do të numëronte një e nga një vdekjen e të gjithëve, e ndërpreu Saufan bin Umeje, i cili dukej sikur do t’i ndalte zemra prej shqetësimit:
Me ç’shoh, ky njeri paska luajtur mendsh! Edhe zemra i paska ndalur! Pyeteni njëherë, po mua, mua më ka ndodhur gjë, - filloi të ngërdheshej Saufani.
Njerëzit përreth e morën gjithçka si të mirëqenë, dhe e pyetën se me të vërtetë, ç’i kishte ndodhur Saufanit. Ndërsa ai, duke parë nga Hixhri, iu përgjigj:
Ja tek e keni! Ju betohem, se edhe i ati edhe vëllai i tij u vranë në luftë, – shtoi ai.
Për një çast u ndje sikur jeta mori fund në Mekë! Hajthumani e kishte edhe mendjen edhe zemrën në vend. E pati njohur Saufanin, madje edhe e lajmëroi se i ati dhe i vëllai ishin vrarë në luftë. Meka tani sikur ishte e mbështjellë e tëra në brymë.
Të gjithë u mblodhën përreth Hajthumanit, i cili e kishte vërtetuar gjer më tani, se po thoshte të vërtetën. Ata donin të mësonin më tepër nga ç’kishte ndodhur në Bedër. Meka kishte humbur prijësit e saj. Tashmë nuk ishte më asnjëri nga ata që mund të merrnin përsipër detyrën e Liderit në Mekë.
Nuk ishte aspak e lehtë; të gjithë ata që mbaheshin për të parë kishin vdekur. Ushtria e Kurejshit kishte lënë shtatëdhjetë të vdekur nga nëntëqind e pesëdhjetë ushtarë që kishte, e po ktheheshin të drobitur, mbasi u kishin ngelur edhe shtatëdhjetë të tjerë peng në duart e myslimanëve. Mbi të gjitha, ushtria ishte plot e përplot me të plagosur.
Po i shihnin sot frytet e pemës së urrejtjes, që kishin mbjellë këtu e shumë vite më parë në Mekë. Ndoshta atëherë nuk ua merrte mendja, por lutja që kishte bërë Profeti i Njerëzimit pasi ata i kishin hedhur plëndësin e devesë mbi krye, teksa falej, nuk ishte e lehtë të harrohej:
- O Zot! Vetëm Ti mund të më ndihmosh me Kurejshin! O Zot! Vetëm tek Ty mbështetem për t’u mbrojtur prej së keqes së kurejshëve. Po ta lë Ty, o Allah, Ebu Xhehlin... Utbe bin Rebian... Shejbe ibni Ebi Rebian... Velid bin Utben... Umeje ibni Halefin... Ukbe bin Ebi
Muajtin... Vetëm Ti ke fuqi të përballesh me ta, o Zot!
E të gjithë ata, që ishin përpjekur kaq e kaq herë që ta vrisnin Profetin, që i kishin hedhur mbi krye plëndës deveje, që e kishin lidhur për çallme, për t’u tallur mandej duke e tërhequr zvarrë, kishin ngelur tashmë në Bedër. Nuk kishte ngelur asnjë prej atyre, emrat e të cilëve i Dërguari i Allahut i kishte numëruar, se ia linte Allahut të merrej me ta.
Vdekja e Ebu Lehebit
Ndërkaq, Ebu Lehebi po vinte në drejtim të Qabes duke e tërhequr zvarrë rrobën e tij. Erdhi dhe u ul duke i mbështetur supet pas murit të saj. U ul, por për pak sa nuk u mbështet mbi shpinën e robit të Abas ibni Abdulmutalibit, i cili ishte duke punuar sakaq në pusin e Zemzemit. Aty ishte edhe e shoqja e Abasit.
Nuk kaloi shumë kohë, dhe u pa që po vinte Ebu Sufjan ibni Harithi, i cili po binte lajmin e humbjes së betejës. Të gjithë, sa e panë filluan të belbëzonin:
Shihni, po vjen Ebu Sufjan ibni Harithi, - dhe ndërkaq filluan të tregonin për nga ai.
Gjithandej mbizotëronte një ndjesi çudie; sikur të gjithë dinin diçka por nuk e thoshin. Veç Ebu Lehebit, i cili u hodh menjëherë që ta pyeste: - Pa eja njëherë! Eja pranë meje, o nipçe! Të betohem, që po rri sikur ke diçka për të na lajmëruar! Eja tregoma mua, se edhe njerëzit i shqetësove!
Kështu, ai u afrua pranë Ebu Lehebit, e u ul diku aty në anë ku gjeti vend për t’u ulur. Të gjitha shikimet ishin mbledhur mbi të, e po prisnin gjithë merak se ç’kishte për t’u thënë:
Po, Ebu Sufjani kishte shumë gjëra për t’u treguar.
Ne, kur u përballëm me ta, ishte sikur ne u zgjatnim atyre qafat tona, e ata mund të vrisnin kë të donin, e mund të merrnin si peng kë të dëshironin. Krahas kësaj, dijeni se unë nuk mund të akuzoj askënd, por ne u përballëm me ushtarë të atillë, të veshur në veshje borë të bardha, me kuaj shtatmadhori, që ju betohem, jo që t’i luftoje, por as t’i arrije nuk ishte aspak e mundur.
Ibni Harithi nuk e kishte mbaruar ende fjalën, kur Ebu Rafiu, duke mos e përmbajtur dot emocionin që e kaploi, doli nga perdja dhe tha:
Për Zotin, ata nuk mund të jenë tjetër, pos engjëjve.
Një ta mbaruar fjalën, u tund mirë nga një shpullë e rëndë. Zaten, Ebu Lehebi tërsëllente tanimë që po dëgjonte këtë lajm të keq, e nuk e kontrollonte dot më veten, kështu që i dha një të goditur me të prapmen e dorës. Inatit të Ebu Lehebit as kjo nuk i mjaftoi, por u hodh i tëri, me sa të kishte fuqi, e e rrahu paq Ebu Rafiun e gjorë.
Mirëpo Ebu Rafiu, ishte një burrë i dobët; Të bëheshe objekt i dhunës së ashpër të një njeriu mizor e armiku të fesë siç ishte Ebu Lehebi, e dëmtoi rëndë. Tanimë ai gjendej i shtrirë pa ndjenja dhe pa fuqi mbi sipërfaqen e tokës.
Kjo gjendje e bëri të vihej në lëvizje edhe Umu Fadlin, e cila deri atëherë kishte ndenjur thjesht si vështruese. Mori në dorë një shkop nga të çadrave dhe iu vërsul përballë Ebu Lehebit.
Si mund ta rrahësh kështu një rob, kur nuk e ka këtu të zotin.
Edhe ajo turfullonte prej inatit. Ishte gruaja e vëllait halis të Ebu Lehebit, Abasit, e sakaq me hurin e çadrës që mbante në duar, filloi ta godiste në kokë Ebu Lehebin. Nga koka e tij filloi të rridhte gjaku çurg. Edhe ai u habit së tepërmi; i kuptohej nga gjendja dhe qëndrimi i tij, se ende nuk e dinte se ç’ishte kjo gjë që po përballej, teksa me duar mundohej të dallonte gjakun.
Veçse, këto goditje, ishin ato që po i përgatitnin fundin edhe atij. Përveç lajmit se këndej e tutje do të ishte vetëm, pa shokët e tij të
rrugës së mosbesimit, po hante edhe këto goditje të rënda, e saora po largohej prej kësaj jete. Po e kaplonte e zeza prej mërzisë. Shtatë net më pas, banorët e Mekës do të merrnin lajmin e vdekjes së Ebu Lehebit. Një tjetër kështjellë e mohimit po fshihej në faqet që do të pluhuroseshin të historisë.
Shënimet
- 214.Ibni Sej’jidinas, Ujunu’l Eser, 1/321; Subulu’l-Huda ue’r-Reshad, 4/18
- 215.Taberi, Tarih, 2/26; Salihi, Subulu’l-Huda uer-Reshad, 4/25
- 216.Ebu Fadl – (arab.) Baba i mirësisë, i virtytit.
- 217.Maide, 5/24
- 218.Ibni Sad, Tabakat, 2/21; Ibni Abdiberr, Istiab, 1/43
- 219.Ibni Sad, Tabakat, 2/15
- 220.Salihi, Subulu’l-Huda, uer-Reshad, 4/43-4
- 221.Ibni Hisham, Sire, 3/170; Taberi, Tarih, 2/30-1
- 222.Taberani, Muxh’emu’l Kebir, 10/147; Bejheki, Delail, 3/32
- 223.Enfal, 8/9; Muslim, Sahih, 3/1384; Ahmed ibni Hanbel, Musned, 1/30
- 224.Kamer, 54/45; Taberi, el-Xhamiu’l-Bejan, 27/109; Ibni Kethir, Tefsir, 4/267
- 225.Enfal, 8/44
- 226.Kamer, 54/45
- 227.Taberani, Muxh’emu’l Kebir, 10/202
- 228.Shih: Enfal, 8/17
- 229.Muslim, Sahih, 3/1418-1419