ZHVILLIMET E NDRYSHME PAS LUFTËS SË BEDRIT
Në Bedër u triumfua, por ishte e qartë që asgjë nuk do të ngelej me Bedrin. Sepse mllefi i mekasve që po ktheheshin të drobitur, nuk ishte më i paktë se ai që kishin ndjerë teksa vinin. Nëse do të merrej parasysh popullsia e asaj kohe, shtatëdhjetë e tre të vdekur, dhe po aq edhe robër lufte, tregonte se në çdo shtëpi do të kishte diçka përse të vajtohej. Edhe ata që kishin dashur të ktheheshin që pa shkuar në Bedër, tashmë i urrenin myslimanët, ndaj edhe thoshin se në çastin më të parë që do t’u vinte, nuk do të linin pa e marrë hakun. Kishte nga ata që ia bënë të ndaluar vetes të shtriheshin në shtretër të rehatshëm, nga ata që thoshin se do të vajtonin derisa të merrnin hak, e disa të tjerë të cilët thoshin se nuk do të fusnin asgjë në gojë derisa të përballeshin edhe njëherë me myslimanët.
Shkurtimisht, ende pa u kthyer mirë, kishin filluar nga planet për t’u përballur sërish, madje edhe betoheshin se nuk do ta linin asgjë me kaq.
Ndërkaq, edhe në Medinë nuk ishin të paktë ata që ndiheshin të shqetësuar prej këtij triumfi të myslimanëve; këta ishin hebrenjtë hasetqarë, të cilët nuk donin kurrsesi që ndonjë forcë tjetër të dilte mbi ta, apo mbi idhujtarët e Mekës. Ata e dëshironin të qenët në krye e fitimtarë tërë sinqeritet. Njëkohësisht ishin edhe disa prej familjeve rreth e qark që filluan të shqetësoheshin, të cilët mendonin se formimi i një fuqie tjetër kaq pranë tyre mund të përbënte një kërcënim në të ardhmen.
Ndërsa në anën e myslimanëve çdo gjë ishte krejt ndryshe; ata, bashkë me këtë fitore që u ishte falur nga vetë Allahu i Madhërishëm, po shihnin se si kishte përfunduar gjithë ajo vuajtje që kishte zgjatur, jo pak, por një çerek shekulli. Aq sa tanimë e ndjenin veten akoma edhe më të lidhur me Krijuesin e tyre. Megjithatë, duke lexuar të tashmen, ata duhet të ngrinin çdo lloj strategjie, e Resulullahu paqja qoftë mbi Të, pikërisht me këtë çështje do të merrej.
Po agjërohej Ramazani i parë, dhe pas disa ditësh ishte Bajram. Edhe ky do të ishte i pari. E ndërkaq, i Dërguari i Allahu u ul pranë sahabëve të Tij, të cilët po hidhnin mendime mbi sadakanë e fitrit. Pas kësaj, për të gjithë, pa përjashtim, si për të lirin, ashtu edhe për robin, si për meshkujt, ashtu edhe për femrat, për çdo mysliman ishte vaxhib që të jepte sadakanë e fitrit përpara se të përfundonte muaji i Ramazanit.
Ndërkohë kishin mbërritur edhe ligjësitë e fundit në lidhje me zekatin. Profeti ynë (s.a.s.) filloi t’i ndante ato edhe me sahabët e Tij, që të bënin saora atë çfarë ishte e detyruar.
Pas kësaj, Ai ndau me ta edhe lajmin e mirë të festës së Bajramit. Ato ishin ditët e lumturisë dhe kënaqësisë shpirtërore, dhe prapëseprapë, ishte hera e parë, që ata, edhe njëherë do lidhnin safë pas Profetit të tyre të dashur për të falur namazin e Bajramit.
Po në këto ditë u realizua edhe nikahu mes bijës së Tij të dashur, Fatimes, me Aliun e nderuar, të cilët hynë në shtëpinë e tyre me një velime të pastër.
Ndërkohë ishte bërë mysliman edhe Ebu Derdaja prej ensarëve.
Të gjithë ishin kureshtarë të dinin se ç’i kishte thënë Profeti ynë i dashur dhëndrit të Tij kur i ishte përkulur drejt veshit për t’i thënë diçka përpara se ta lironte. Pas kësaj, e bija e të Dërguarit të Allahut, Zejnebja, nuk mund të binte në një shtrat me një idhujtar, andaj që pas asaj dite, Ebu Asi filloi përgatitjet për ta çuar të shoqen në Medinë.
Kishte kaluar afërsisht një muaj që nga lufta e Bedrit, kur i Dërguari i Allahut nisi Zejd ibni Harithin bashkë me një shok të vetin për në Mekë, që t’ia sillnin në Medinë vajzën e Tij, Zejnebin.
Zejdi bashkë me shokun e tij arritën ta sillnin më në fund Zejneben e nderuar në Medinë, pas gjithë atyre andrallave, pritjeve dhe peripecive që i pritën në Mekë.
Brenda kësaj kohe, ushtria e mekasve, me në krye Ebu Sufjanin ishte afruar deri në të hyrë të qytetit të Medinës, kishin djegur disa kopshte dhe vreshta, kishin vrarë edhe dy sahabë, dhe ishin larguar. Ngase i kishin grisur thasët me miell, të cilat u përbënin pengesë, për të rendur më shpejt, atyre u dha llakabi “Beteja Sevikut”, do të ndiqej mandej prej të Dërguarit të Allahut bashkë me sahabët e Tij të nderuar.
Edhe beteja e Gatafanit, pikërisht në këto kohë do të realizohej.
Teksa po kthehej, pikërisht në këtë luftë do të përballej me një tentativë për t’u vrarë, veçse që ngeli diçka e parealizuar.
Megjithatë, nuk u duk se idhujtarët do të hiqnin dorë lehtë prej huqit të tyre të vjetër.
Një tentativë për vrasje
Umejr ibni Uehbi, të cilit i ngeli i biri, Uehbi, i vrarë në luftën e Bedrit, iu ankua Safuan ibni Umejes, të cilin e gjeti në afërsi të Qabes, duke i derdhur gjithë pikëllimin që i kishte shkaktuar ajo luftë. Edhe ai ishte i shqetësuar, andaj Umejri vendosi t’ia thoshte Safuanit atë që po mendonte:
Betohem për Zotin, se ato borxhet që kam, por nuk kam mundësi t’i shlyej, dhe ata fëmijë që kam në shtëpi, të cilët do të rrënoheshin krejt, nisesha pa ma bërë syri tërrt me gjithë deve, e shkoja në Medinë, dhe e vrisja Muhamedin! Sepse gjithë ç’më ka gjetur, për fajin e tij më ka ndodhur; djalin e kam ende në duart e tyre, si rob lufte.
Për Safuanin, ky burrë ishte një rast i mrekullueshëm, andaj u hodh menjëherë:
Borxhet që ke janë borxhi im; i paguaj unë! Edhe fëmijët i quaj si të mitë; për aq sa të kenë jetë, nuk ia lë njeriu në dorë, e nuk i lë pa ia dhënë të gjitha kushtet që mund t’u jap.
Nga njëra anë një njeri që e kishte marrë parasysh se do të vriste një njeri, por kishte vetëm shqetësimin se kishte borxhe për të larë, dhe kishte disa fëmijë, të cilët mund t’i linte në mes të katër rrugëve, ndërsa në anën tjetër një sakrifikues që mund t’i merrte përsipër gjithë këto të fundit! Ngjante të ishin marrë vesh. E panë njëherë njëri-tjetrin, me kujdes, ashtu sy më sy. Ky vështrim ishte treguesi se ata ishin marrë vesh më së miri mbi këtë çështje. Në fund, Umejri e paralajmëroi kështu Safuanin:
Kjo të ngelet vetëm midis nesh! As ajo që do të bësh ti, e as ato që t’u zotova unë, nuk duhet të merren kurrsesi vesh prej askujt.
Në rregull, nuk ia tregoj askujt! - u përgjigj Safuani. Çdo gjë ishte në vijë, andaj ata u ndanë që të bënin përgatitjet e nevojshme.
Me të mbërritur në shtëpi, Umejr ibni Uehbi filloi nga përgatitjet, nxori shpatën, e mprehu mirë e mirë, e leu me një helm vdekjeprurës, e sakaq ajo ishte gati për vrasjen e paramenduar. Në pamje të jashtme, të gjithë do të mendonin se ai po shkonte për të liruar djalin e tij, që kishte ngelur peng.
Sakaq u nis, dhe disa ditë më pas e gjeti veten në qytetin e Medinës. E uli devenë pranë Xhamisë së Profetit, e sakaq u pa prej Omerit të nderuar, heroit të vështrimit të thellë, i cili u shqetësua shumë kur e pa. Ai u tha kështu atyre që ishin përreth tij për të dëgjuar mbi triumfin e Bedrit:
Erdhi ky qeni, Umejri! Armiku i Allahut! Pa dyshim që duhet të ketë ardhur për ndonjë gjë të kobshme!
Sa tha këtë, e u çua e mbërriti në Xhaminë e Profetit, u duk sikur nuk kaloi as edhe një grimë-çast, rendi menjëherë për te Krenaria e Njerëzimit:
O i Dërguari i Allahut! Po vjen Umejri, armiku i Allahut, ka edhe shpatë të veshur në bel!
Lejoje të vijë pranë meje, - iu përgjigj i Dërguari i Allahut.
Kjo ishte një leje e papritur për Omerin e nderuar. Ishte e qartë se ai po vinte me një qëllim kryekreje të keq; i kuptohej që nga qëndrimi, e ecura dhe vështrimi, mirëpo Më i madhi i profetëve kërkoi që t’ia çonin pranë. Ishte e pamundur, vetëm se duhet të silleshin më të kujdesshëm.
U drejtua kah Umejri. Ndërkohë kishte kapur shpatën pas trupit, e iu drejtua ensarëve që gjendeshin aty asokohe:
Lëreni të vijë te Profeti këtë njeri të ndyrë, vetëm mos ia ndani sytë për asnjë çast, sepse nuk është aspak i besueshëm, - fjalë këto të cilat nuk mund të rrinte dot pa ua thënë.
Më në fund, ata u futën në faltore. I Dërguari i Allahut me t’i parë në këtë gjendje, u tha:
Lëre atë, o Omer! - Ndërsa Umejrit i tha:
Afrohu o Umejr, afrohu.
Sakaq edhe Umejri po afrohej për nga Ai. Zor se po e mbante veten për ta fshehur qëllimin e tij dinak.
Allahu i Madhërishëm na nderoi ne me një përshëndetje më të madhërishme se kjo e jotja, o Umejr! Pa dyshim që përshëndetja e sinqertë është cilësi e bukur e banorëve të Xhenetit, – tha Njeriu i mëshirës dhe dhembshurisë, Profeti Muhamed paqja qoftë mbi Të. – Ç’e mirë të pruri gjer këtu, o Umejr?
Erdha për pengun që keni ju në duar. Mos e privoni mirësinë tuaj për të, - u përgjigj Umejri.
Pyetje-përgjigjet nuk kishin të mbaruar, derisa Profeti i dashur vendosi t’i bënte një pyetje që do të nxirrte në shesh ndërliqjen e synimit të keq me të cilin kishte ardhur deri këtu Umejri:
Në qoftë ashtu, atëherë ç’është ajo shpatë që ke lidhur pas qafe?
Allahu e shkatërroftë edhe këtë shpatë! E ç’na ka ngelur në dorë, përveç kësaj! – iu përgjigj ai. Teksa e thoshte këtë, ishte i bindur dhe vetë se po thoshte diçka që nuk mund të besohej aq lehtë. Dukej sikur Profeti ishte në dijeni të të gjithë planit që ai kishte thurur. Umejri kishte një dëshirë që t’ia drejtonte më në fund shikimin Atij, ndaj të cilit nuk kishte guxuar ende që ta shihte në sy. Edhe Ai (s.a.s.) nga ai po shihte sakaq. Për një çast erdhën sy më sy, dhe Profeti i tha diçka që donte të thoshte “Le t’i lëmë mënjanë të gjitha këto, e thuama ti të vërtetën përse ke ardhur, përpara se të ta them unë!” - Thuamë të vërtetën! Për çfarë ke ardhur këtu?
Nuk kam asnjë qëllim tjetër përpos asaj që të thashë. Andaj erdha, - arriti ai të nxirrte nga goja. Nuk mund ta nxirrte veten e vet kaq hapur, vetëm se po e ndiente se si po ngucej në qoshe. Ndërkaq, ishte Profeti i Njerëzimit Ai që filloi të fliste me tërë madhështinë që kishte ndërsa fliste:
Jo! Ti, bashkë me Safuan ibni Umejen, u ulët diku pranë Hixhrit, dhe folët mbi të vdekurit e luftës së Bedrit. Pastaj ti i the: “Po të mos kisha këto borxhe për të larë dhe fëmijët për të rritur, shkoja dhe e vrisja Muhamedin.”, e saora, Safuani t’u zotua se do t’i merrte ai përsipër si borxhet, ashtu edhe familjen. Vetëm mos harro, se Allahu do të vendosë një pengesë ndërmjet teje dhe asaj vepre, e ti nuk ke për ta realizuar dot!
Umejri ndjeu sikur po i këputeshin kupat e gjunjëve. Për çdo çast ndërronte nga një ngjyrë në tjetrën. Si ishte e mundur, që një burrë, të merrte vesh diçka të këtillë nga një distancë më e gjatë se pesëqind kilometra, e për më tepër që nuk i ishte treguar askujt tjetër. Këtë sikur ta kishte thënë, vetëm Safuani mund ta kishte thënë, sepse edhe nuk kishte dëshmitar tjetër të planit të tyre. Mirëpo, përsa i përket kësaj çështjeje, ai ishte edhe më i vendosur se Umejri. Këtë tregonte më së miri edhe zotimi i tij se do t’i merrte përsipër të gjitha borxhet, e madje edhe do të kujdesej për familjen e tij. Jo... Në asnjë mënyrë... Ishte e pamundur që diçka e këtillë të bëhej prej një njeriu. Kështu që ngelej vetëm një zgjidhje. Umejri, tashmë i turpëruar se çdo gjë i doli në shesh, u kthye nga i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të dhe i tha:
Unë dëshmoj se Ti je i Dërguari i Allahut! Ne vetëm gënjyem dhe mashtruam për fjalët që Ty të zbritën prej qiellit. Kjo ishte një punë, të cilën e dija vetëm unë dhe Safuani. Të betohem, që nuk ka mundësi të ta ketë lajmëruar tjetërkush, pos Allahut. Lëvduar qoftë Allahu që më pruri gjer këtu, e më bëri të mundur që të njihesha edhe me Islamin njëkohësisht. Eshhedu en la ilahe il’lallah ue eshhedu enne Muhammeden abduhu ue Resuluh.
Të gjithë sahabët që gjendeshin aty saora, përfshi edhe Omerin e nderuar, nuk po e merrnin dot veten prej çudisë. Si mund të ndodhte, që një njeri, i cili erdhi duke turfulluar prej të keqes që i ziente përbrenda, të ishte shkrirë porsi qiriri, e zemra t’i ishte bërë si dylli i tij i shkrirë. Kësodore ata e kuptuan, se ta vrisje dikënd, ishte puna më e lehtë. Resulullahu ishte i veçantë, dhe pikërisht me veçantësinë e Tij, jepte mësime të paharrueshme. E rëndësishme nuk ishte eliminimi, por përftimi brenda Islamit të një njeriu, nga më të egrit ndoshta. Duhej jetuar një asilloj jete që, ata që vinin, me çfarëdolloj qëllimi të vinin, të mos ktheheshin assesi pa diçka të përfituar. Duhet të ishin njerëz të ndryshëm nga ata që vinin.
Sakaq, I Dërguari i Allahut u kthye nga sahabët e Tij, dhe u tha:
Ndihmojeni vëllanë tuaj, që të mësojë rregullat e fesë së re. Mësojini atij Kuran, si dhe lërjani të lirë skllavin.
Ndërkohë që në Medinë ndodhnin gjithë këto ngjarje të reja, Safuani mundohej t’u tregonte planin njerëzve që e rrethonin në Mekë.
Së shpejti, unë kam për t’ju prurë një sihariq të atillë, që ka për t’ju bërë t’i harroni të gjitha hidhërimet që ju kanë kapluar që nga dita e Bedrit.
Të gjithëve që ktheheshin nga Meka i pyeste për Umejrin. Mezi po priste që lajmin e shumëpritur, ta merrte, e kësodore ta ndante dhe me të tjerët. Pa kaluar shumë kohë, nga Medina erdhi dikush tjetër, por që i tha se Umejri ishte bërë mysliman. Tanimë ai po jetonte tronditjen më të madhe të jetës së vet. Nëse ky lajm ishte i vërtetë, me ç’fytyrë mund t’u dilte ai përballë mekasve. Si ishte e mundur që një njeri që nisej për ta vrarë dikë tjetër, të përulej para tij, e t’i deklaronte dorëzimin. E për më tepër të hiqte edhe dorë prej tërë idealeve të tij... Tanimë nuk kishte ngelur më asnjë sihariq për t’u dhënë.
Tani betohej gjithandej se nuk dinte si t’ua përshkruante urrejtjen që ndjente për Umejrin. Nuk do t’i fliste më me gojë, e kësisoj nuk kishte për t’i dhënë as edhe aromën e ndonjë gjëje të mirë nga pasuria e vet.