NJË SULM TJETËR DHE HENDEKU
U bë rreth një vit që Arabinë e kishte kapluar një paqe dhe qetësi e pashoqe. Megjithëse aty-këtu kishin dalë disa njerëz që kryengriheshin, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i kapte në kohën e duhur, duke i penguar që të mund të bënin gjë. Mirëpo, kjo nuk do të thoshte se do të vazhdonte përherë kësodore.
Disa prej hebrenjve si Selam ibni Ebi’l Hukajku, Hujej ibni Ahtabi, Kinane ibni Ebi’l Hukajku, Heuze ibni Kajsi dhe Ebu Amiri, të cilët bëheshin gjithsej diku te njëzet vetë, kishin filluar sërish diç të kurdisnin. Pa kaluar shumë kohë, ky ekip filloi të frymëmerrte në Mekë, ku edhe filloi të nxiste kurejshët me njëri-tjetrin.
Ne do të luftojmë bashkë me ju, kundër Muhamedit, derisa ta shkatërrojmë krejt.
Kjo ishte diçka tejet e pëlqyeshme për Kurejshin. Ata kishin shkruar kaq e kaq herë për një gjë të tillë, por nuk kishin marrë asnjëfarë përgjigjeje. Tanimë ishin ata që po ia bënin të njëjtën kërkesë.
Mirëdita, miqtë e mi! – përshëndeti Ebu Sufjani. Mirë se erdhët! Njeriu më i dashur për ne është ai që bëhet palë me ne kundër Muhamedit!
Zaten të gjithë kishin kaq kohë që prisnin për të marrë hakun e humbjes fatale që kishin pësuar në Bedër. Kurejshët nuk patën ardhur në Bedrin e dytë, në të cilin gjoja do të hakmerreshin për humbjet e mëdha që kishin pësuar në Uhud. Frika e tyre kishte zgjuar një reagim aspak të pëlqyeshëm nga shokët e tyre. Mungesa e trimërisë së tyre tashmë ishte bërë bisedë e përditshme e të gjithëve, duke u përfolur pa as më të voglën përgjegjësi. Të paktën tani kishin mundësi ta riparonin problemin e përjetuar. Mbi të gjitha, tani ata do të ndihmoheshin edhe prej hebrenjve të Medinës, të cilët ishin shumë të shqetësuar, pasi i gjithë kontrolli që kishin pasur mbi qytet, tanimë nuk ishte më i tyri. Aleatët ishin ndihma më e madhe që mund të merrnin, kështu që menjëherë vendosën vendin ku do të takoheshin dhe u ndanë.
Ebu Sufjani zgjodhi disa njerëz nga paria e çdo familjeje të kurejshëve, dhe bashkë me ta, që bëheshin diku te pesëdhjetë vetë, u nis në drej tim të Qabes. U futën poshtë mbulesës së Qabes, dhe u betuan se nuk do të ktheheshin nga lufta pa luftuar deri në pikën e fundit të gjakut.
Bashkësia hebreje, pasi u nda prej Ebu Sufjanit, e mbajti frymën për në Gafatan, ku do t’u bënin edhe atyre të njëjtën kërkesë. U thanë se do t’u jepnin atyre gjysmën e të ardhurave të Hajberit, dhe në rast se u binte të sulmonin mbi Medinë, atëherë do t’i mbulonin krejt në flori, e shumë e shumë të mira materiale të tjera. Ata gjithashtu nuk harruan t’u thoshin se në anën e tyre do të ishin edhe kurejshët, duke dhënë më tepër mesazhin,se si mund të mungoni ju në një luftë ku do të marrin pjesë të gjithë. Ata padyshim që nuk mund ta refuzonin një kërkesë të tillë.
Po thurej një kurth, të cilin, për ta zgjidhur, do t’u duhej një kohë e gjatë. Për një kohë të shkurtër, ata e gjetën veten tek Beni Sulejmët, madje ia arritën edhe t’i bindnin aty për aty. Kjo qepje dukej që do të mbante, pasi ata i kishin marrë me radhë të gjitha fiset më në zë të Arabisë. Çdo familjeje që binin në marrëveshje u linin vendin dhe kohën e takimit, duke u kërkuar, që deri në atë kohë, t’i kishin bërë përgatitjet e nevojshme për të luftuar. I patën bindur thuajse të gjitha fiset që të luftonin kundër të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Andaj edhe beteja e Hendekut, ngase të gjitha fiset po bashkëpunonin kundër Tij, u quajt ndryshe edhe “Tortura”.
Sakaq, koha erdhi, dhe po bëheshin përgatitjet e fundit për të nisur nga sulmi. Koha ishte sheual i vitit të pestë. Në vendin e quajtur Daru Nedue lidhën flamurin, të cilin ia dhanë Osman ibni Talhas për ta mbajtur. Çdo gjë ishte në rregull, dhe ushtria mekase prej katërmijë ushtarësh, nën komandën e Ebu Sufjanit, filloi të lëvizte në drejtim të Medinës.
Edhe fiset e tjera, me të dëgjuar lëvizjen e Ebu Sufjanit, u nisën për t’u bashkuar me të. Beni Sulejmi po merrte pjesë me shtatëqind ushtarë, Beni Fezara me njëmijë, Esxhaatë me katërqind, Beni Murre me katërqind ushtarë. Ky numër, nuk kaloi shumë kohë, dhe arriti shifrën e dhjetëmijë ushtarëve. Tanimë kishte nga një ushtar për kokë për gjithë ç’gjendeshin në Medinë, burra pleq, plaka, fëmijë e njerëz të pafuqishëm për të luftuar.
Po vinin prapë; këta njerëz, të cilët i lidhte me njëri-tjetrin ligësia, sikur nuk mund të bënin dot pa bërë keq. Ç’të keqe u pati bërë atyre qytetërimi i ri që po agonte në qytetin e Medinës? Po, ku kishte arsye e keqja! Ishin të vendosur që të vrisnin, e gjithë ç’kishin, mendje e tru, u ishin izoluar tek e liga. Horizonte të ngushta, mendje të ngrira!
E ç’po bënin tjetër, veçse po paraqisnin karakterin e tyre të vërtetë.
Dallimi i rrezikut dhe këshillimi me sahabët
Në anën tjetër, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) mori vesh për fiset arabe, që ishin bashkuar të gjithë kundër Tij, kështu që vendosi t’i shëtiste vetë një e nga një, për të kuptuar më mirë se si ia kishin arritur që t’ia bënin të gjitha palët armiq. Çdo rrjet që bashkohej, binte menjëherë në veshin e informatorëve të Tij. Ai mbi ato informata, mandej u gjente zgjidhje problemeve të gatshme. E kishte marrë vesh që katër ditë para se të nisej Ebu Sufjani, se ai po nisej për të bërë një ligësi të tillë. E pati këshilluar çështjen edhe me sahabët e Tij. Megjithëse nuk donte aspak që të luftohej, prapëseprapë kurejshët ishin mbledhur kundër Tij, kështu që Ai duhet të gjente një zgjidhje për ta kapërcyer sa më lehtë.
Fillimisht i pyeti të gjithë sahabët e Tij një e nga një, se çfarë strategjie do të ishte më e mira që të ndiqte. Të rrinin në Medinë, e kur të vinte armiku ta ngatërronin duke e shpërndarë që ta kishin më të lehtë për ta goditur, apo të dilnin jashtë qytetit ku ta prisnin armikun atje, e mandej të luftonin. Çdo çështje e flisnin duke e menduar mirë, pasi i kishin ende të freskëta kujtimet e mbledhjes së fundit.
Të gjithë i thanë ato çfarë kishin për të thënë. Të gjitha ç’thuheshin përmbanin rrezik brenda vetes. Nga fundi i grupit u dëgjua zëri i Selman Farisiut:
- O i Dërguari i Allahut, ne persët, kur ndjenim rrezik nga kalorësit që mund të vinin drejt nesh, hapnim hendeqe të mëdha uji për t’ia ndaluar kalimin.
Ky ishte një propozim ashtu siç e kërkonte Resulullahu (s.a.s.). Edhe sahabët e pëlqyen tej mase, dhe pasi folën për njëfarë kohe, u pa se ranë në një mendje pikërisht me mendimin e Selman Farisiut.
Vendimi u mor, mirëpo çështje ende nuk ishte përkapur me tërë rëndësinë që e karakterizonte. Andaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), nuk kaloi shumë kohë, dhe ua dha sihariqin se ndihmesa dhe përkrahja e Allahut do të ishte sërish me ta. Tanimë kohën e kishte mihja e hendekut të stërmadhe që do të pengonte kalimin e ushtrisë mekase.
Nuk ishte për t’u tallur, Meka ishte bashkuar me të gjitha fiset për reth, dhe si shënjestër të përbashkët kishin vendosur Medinën.
I Dërguari i Allahut bashkë me sahabët e Tij erdhën në vendin e quajtur mali i Sel’it. Duke e menduar mirë e mirë, ata përcaktuan pikat prej nga do t’ia fillonin mihjes së hendekut. Ngaqë nga përreth ishte thuajse e pamundur që të prekej qyteti i Medinës, ata menduan se ishte e panevojshme, pasi armiku me më shumë mundësi do të vinte nga veriu, andaj edhe hendeku duhej hapur pikërisht atje. Fillimisht u vizatua një vijë e cila fillonte nga kështjella e Shejhejnit deri në Mezad, asisoj që malin e Sel’it ta kishin nga pas krahëve. Pasandaj, vendin e mbetur, nga Mezadi deri në Zubab dhe Ratixh duhej ndarë si detyrë ndaj dy grupe sahabësh. I ndanë sahabët në grupe dhjetëshe, ku secilit grup i takonte nga një tokë me gjatësi prej dyzetë pashësh. Edhe grupet e vogla, punonin po të organizuara ndër vedi. Muhaxhirëve u pati rënë vendi nga Ratixhi në Zubab, ndërsa ensarëve nga Zubabi deri në malin e Ebu Ubejdes.
Ensarët dhe muhaxhirët kishin rënë në një mendje me strategjinë e propozuar prej Selman Farisiut. Të dyja grupet patën folur njëlloj:
Selmani është yni!
Ai ishte njeri tejet i bëshëm dhe i fuqishëm. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i Cili e kuptonte çdo situatë më së miri, u hodh e tha:
Selmani është nga familja ime! – duke e lidhur çështjen me një përfundim, i cili do të ishte i kënaqshëm për të dyja palët.
Nuk kishin kohë fare, madje po garonin me të kush t’ia dilte më parë. Secili do të gërmonte pjesën që i binte për hise, dhe pa ardhur ushtria mekase, gjithçka duhet të kishte përfunduar. I ishin futur punës për të mihur, asisoj që të mos ngeleshin duarbosh kur ta shihnin ushtrinë e stërmadhe të mekasve përballë.
I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të, i Cili vetë po përdorte lopatë për të mihur, kur vinte koha, ngrihej e u shërbente qumësht sahabëve të Tij, të cilët dukeshin tejet të lodhur, e herë-herë për të mos i lënë që të binin në pesimizëm, u këndonte nga ndonjë këngë me melodi qetësuese.
Sikur të mos ishin të kërcënuar prej ndonjë ushtrie prej dhjetëmijë ushtarësh, vazhdonin të mihnin të lumtur. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i Cili kishte ndalur për pak, që t’i ndiqte nga larg sahabët e Tij teksa punonin tërë kënaqësi, tashmë e ndjeu se filloi të prekej jashtë mase.
O Zot, neve nuk na ka ngelur asnjë tokë tjetër ku të jetojmë të qetë, veç ahiretit. Mbështilli ensarët dhe muhaxhirët me mëshirën Tënde, o Zot, dhe falua mëkatet!
Ishin aq të dhënë pas punës që po bënin saqë nuk dinin se ç’mund të ishte lodhja.
Ne, që për aq kohë sa do të jetojmë, kemi dhënë fjalën se nuk do të ndalemi së i dali krah Muhamedit të dashur (s.a.s.), - ishin disa prej fjalëve që tregonin se brenda tyre nuk ishte përjetuar as edhe një tronditje më e vogël nga synimi i tyre parësor.
Po punonin me mish e me shpirt, mirëpo hendeku nuk ishte diçka që mund të mbaronte, ashtu, brenda pak ditëve. Edhe në duar nuk kishin asgjë. Shumicën e kohës përzienin miell egjre me pak vaj, e me të e mbanin shpirtin. Ky ishte një si tokmak që të ngelej në grykë, por që kur zbriste poshtë, mund ta shtyje urinë edhe për ca kohë. Megjithë erën e keqe që kundërmonin, ata nuk ankoheshin asnjëherë për njëri-tjetrin, veç ngulnin kazmat gjithë dëshirë, duke treguar edhe njëherë kësodore, se nuk ishte e domosdoshme që të kishin kushtet më të mira për të jetuar.
Edhe zemrat u rrihnin njëkohësisht. Secili me në krye imamin e vet, ishin lidhur aq fortë pas punës që po bënin, sa edhe për të kryer nevojat e tyre personale, shkonin me radhë tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.) për t’i marrë leje. Dhe me të mbaruar punë ktheheshin menjëherë në krye të detyrës.
Kishte ardhur mbrëmja, ashtu duke mihur atë hendek, të cilin e kishin nisur po në mëngjesin e asaj dite, menjëherë pas faljes së sabahut. Medina do të vinte përditë rreth e rreth malit të Sel’it gjatë atyre ditëve të hapjes së hendekut.
I Dërguari i Allahut ishte prijësi i tërë asaj bashkësie, ishte dhënë aq shumë pas asaj pune, sa për një çast e gjeje duke mihur me kazmë, në një tjetër çast e gjeje të transportonte dhe me supe, tek për një çast vendosi të tërhiqej pak mënjanë për t’u çlodhur. Nuk kishte as ndonjë minder ku të ulej për t’u çlodhur, andaj edhe faqen e kishte mbështetur mbi një gur. E kishte kthyer gurin në jastëk. Ishte aq shumë i lodhur, sa me ta vënë kokën mbi atë “jastëk” aspak të përshtatshëm, e mbërtheu një gjumë i ëmbël. Kjo nuk i shpëtoi nga sytë as Ebu Bekrit, e as Omerit të nderuar. I erdhën menjëherë mbi krye dhe i kërkuan njerëzve që të pushonin për pak çaste, duke mos bërë zhur më që të shqetësonin të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Vetëm se gjumi i Resulullahut (s.a.s.) nuk ishte aq i gjatë, pasi pa kaluar shumë kohë, u ngrit në këmbë dhe filloi t’i pyeste ata që kishte përreth:
- Pse nuk më zgjuat?.. Të më kishin zgjuar pak më herët...
E mori sërish kazmën në dorë dhe filloi të mihte. Nga njëra anë lutej për bashkësinë e Tij, kurse nga ana tjetër i linte në duar të Allahut të gjitha të këqijat që i kishin bërë.
Gërmimi i hendekut ishte në fund të punës, kështu që ata që e kishin mbaruar pjesën e tyre merrnin pjesë tanimë për të ndihmuar ata që kishin ngelur pas, duke treguar kësodore se ata ishin si një trup i vetëm përballë armikut. Gërmimi zgjati gjithsej gjashtë ditë, por hendeku i formuar ishte aq i madh sa nuk do ta lejonte kalimin e armiqve. Zaten ata nuk ishin shumë larg, madje mund të thuhej se nga çasti në çast do të mësynin.
Tanimë lufta ishte te pragu i derës, andaj i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u dha urdhër fëmijëve dhe grave që kishin ndihmuar në gërmimin e hendekut.
Krah Tij kishte një ushtri të përbërë prej tremijë vetësh, të cilët po prisnin ardhjen e armikut. Shpinën do ta kthenin nga mali i Sel’it ndërsa hendekun do ta merrnin nga përpara, në mënyrë që ta prisnin ashtu armikun.
Të gjitha përgatitjet kishin përfunduar veç po pritej ardhja e armikut. Nuk kaloi shumë kohë, kur në horizont u duk ushtria e torturës, e përbërë prej dhjetëmijë vetash. Të jepte përshtypjen se toka dhe qielli ishin mbuluar prej ushtarësh.
Në fakt e gjithë kjo pamje ishte e atillë që duhet të të kallte mnerën, vetëm se myslimanët nuk i trembeshin asgjëje në këtë botë. Sepse fillimisht ishin të gjallëruar prej meditimit mbi mesazhet që u pati zbritur Xhebraili (a.s.), dhe e dinin më së miri se nuk do të largoheshin së andejmi të mundur.
Ndërsa, për sa i përket idhujtarëve, ishin më se të sigurt se do të fitonin, madje edhe do të merrnin hak për humbjen fatale që kishin pësuar në Bedër dhe Uhud. Sakaq, të mbytur në këto mendime mbërritën deri në vendin ku ishte gërmuar hendeku. Kjo ishte një situatë, të cilën nuk e kishin hasur asnjëherë më parë. As kishin dëgjuar e as kishin parë që të bëhej një mbrojtje e tillë.
Me ç’shpresa kishin ardhur gjer këtu, e tani një hendek i stërmadh, po ua thërrmonte të gjitha shpresat. Me mendimin se do të ishte hapur veç aty ku kishin hyrë ata, vendosën të shpërndaheshin majtas dhe djathtas se mos gjenin ndonjë boshllëk pa të hapur për të hyrë, por më kot, kjo ishte një përpjekje pa kurrfarë rezultati. Sepse nuk kishte ngelur asnjë hapësirë boshe, nëpërmjet të cilës ata do të mund të hynin në Medinë.
Po përjetonin një shok të madh ende pa përdorur njëherë shpatën. Kur ata po bënin planin se si, ashtu, dhjetëmijë veta, do t’i vrisnin të gjithë myslimanët, duke mos lënë asnjërin të gjallë. Zaten ky ishte edhe synimi i vetëm e përfundimtar me të cilin kishin ardhur gjer më këtu. Do të pushtonin gjithë Medinën, dhe do të ktheheshin duke u tundur, të gëzuar, se nuk kishin lënë asnjë gurë pa përmbysur në të. Ndërsa tani, e gjithë dëshira u kishte ngelur në duar, sepse po përballeshin me një situatë të pakëndshme.
Nuk kishin asnjë zgjidhje tjetër, veç të hidhnin ndonjë shigjetë në anën tjetër, apo tevona të kërkonin ndonjë hapësirë më të ngushtë të hendekut për t’u dhënë, sadopak, dëm palës së besimtarëve. Me t’i kapur shigjetat filluan të sulmonin në drejtim të besimtarëve. Ndërsa në anën tjetër ishte Beni Kurejdha, e cila e kishte organizuar ushtrinë e torturës gjer këtu, por që po përgatiste një tjetër mundësi tradhtie karshi tyre. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i Cili u informua menjëherë për këtë, vendosi që si fillim të përçante kundërshtarët në sa më shumë pjesë, e mandej të merrej pas Hendekut me Beni Kurejdhat.
Për një çast, hendeku kalohet
Pritja e shqetësuar përpara hendekut zgjati për disa ditë me radhë. Çdo ditë bëheshin përpjekje të reja, por kalimi në anën tjetër ishte thuajse e pamundur. Nuk kishte pasur asnjë luftë tjetër ku të ishin hedhur kaq shumë shigjeta nga të dyja anët e palëve që luftonin.
Mirëpo, nuk po ia arrinin dot asnjë përfundimi. Ebu Sufjani, Ikrime ibni Ebi Xhehli, Dërar ibni Hatabi, Halid ibni Velidi, Amr ibni Asi, Neufel ibni Muauije, Neufel ibni Abdullahu, Amr ibni Abdiudi, Ujejne ibni Hëthni, Harith ibni Aufi dhe Mes’ud ibni Ruhajli, bashkë me prijësit e Beni Esedit ishin marrë vesh ndër vedi. Do të sulmonin në pikën e tyre më të dobët. Medoemos do të përpiqeshin që të kalonin në anën tjetër.
Dhe e bënë atë që mezi po e prisnin. Gjetën një kalim tejet të ngushtë, dhe Ikrime ibni Ebi Xhehli, Dërar ibni Hatabi, Neufel ibni Abdullahu, Hubejre ibni Ebi Uehbi, Amr ibni Abdiudi, goditën mamuzet e kuajve të tyre dhe për një çast e gjetën veten në anën e myslimanëve. Të tjerët, rrinin të shtangur e i ndiqnin me sy nga ana tjetër. Ata që e kaluan hendekun, iu drejtuan Ebu Sufjanit:
Po ti, nuk do të kalosh?
A keni kaluar ju; nëse do të jetë e nevojshme, atëherë do të kalojmë edhe ne.
Këta njerëz që kishin kapur rastin për të dhënë shembuj trimërie, filluan t’i drejtonin kuajt në drejtim të malit të Sel’it. Do të hiqnin dhimbjen që i kishte kapluar, ngase kishin ditë që nuk kishin me kë t’i vringëllinin shpatat. Me ndërhyrjen e tyre nga pas krahëve, myslimanët do të pësonin një goditje të dhimbshme. Vetëm se gjërat nuk përfunduan ashtu siç e prisnin ata. Besimtarët, me ta parë kalimin e idhujtarëve në anën e tyre, u nisën me shpejtësi, në mënyrë që t’u dilnin para e t’i pengonin.
Me një fjalë, kjo ishte dhe strategjia e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). I kishte lënë enkas disa vende si të kalueshme kollaj, në mënyrë që të mund t’i thyente grupe grupe ata që do të përpiqeshin të kalonin në anën e tyre. Kësimënyre, Ai do ta kishte dobësuar ndjeshëm fuqinë dhe psikologjinë e kundërshtarëve. Një trim, prej idhujtarëve, si Amr ibni Abdiudi do të bëhej fërtele nën goditjet e shpatës së Aliut të nderuar (s.a.s). Atyre që e kishin ndjekur këtë përballje nuk u ngelej asgjë tjetër veçse t’ia mbathnin me të katra për andej nga kishin ardhur, me një hidhërim akoma më të madh.
Duar që ngrihen në lutje
Kishte ndenjur dhjetë ditë prapa, dhe pritja e shqetësuar po vazhdonte ende. Ushtria e torturës po mundohej të gjente ndonjë boshllëk për të kaluar në anën tjetër, mirëpo myslimanët mundoheshin që të mos ua jepnin këtë mundësi, duke i sulmuar në çdo përpjekje të tyren. Resulullahu i pati paralajmëruar disa herë sahabët e Tij në lidhje me ushtrinë mekase, e cila ishte mbledhur aq shumë vetëm për t’i bërë keq atyre kësisoj:
O njerëz, mos e kërkoni me dëshirën tuaj përballjen me armiqtë në luftë! Kërkoni shëndet prej Allahut! Vetëm nëse do të dilni ballë përballë me armikun, atëherë përballini ata me durim. Padyshim që Xheneti gjendet nën hijen e shpatave.
Tanimë kishte ndodhur edhe përballja e pritur me armiqtë, kështu që koha kishte ardhur te durimi. Mirëpo, megjithëse ditët kapnin njëra-tjetrën, armiqtë nuk dukej se donin që të ktheheshin mbrapsht, madje vinin sërish me ndonjë taktikë të re, të paprovuar më herët.
Ishte ditë e hënë. I Dërguari i Allahut hyri në faltore në një kohë mes namazit të drekës dhe atij të ikindisë, dhe pasi ngriti duart drejt qiellit, filloi të lutej:
O Zoti im që ke zbritur librin, e që ndjek hesapin fije e për pe! Prishja harmoninë kësaj ushtrie torturuese, duke i bërë që të thërrmohen, duke u bërë copë e çikë. Falna ne ndihmesën Tënde, duke na nderuar me triumf!
Kishin dashur veç ta mërzisnin, e ta bënin të vuante, të Dërguarin e Allahut, i Cili ishte një profet i mëshirës dhe dhembshurisë, që edhe kur falej, lutej për më të padhembshmen. Edhe Ai, po në këtë gjendje, sërish nuk hiqte dorë prej veprimit në bazë të shkaqeve, dhe megjithëse nuk kishte asgjë të mangët, Ai prapë i lutej Allahut (xh.xh.) që t’i jepte ndihmesën e Tij në triumf.
Të njëjtën lutje e përsëriti edhe ditën e martë dhe të mërkurë. Madje sahabët fisnikë, ngase ishin mërzitur prej gjithë këtyre përndjekjeve u kthyen nga Ai dhe i thanë:
O i Dërguari i Allahut! Na erdhi shpirti në majë të hundës. A nuk ka ndonjë gjë që mund ta bëjmë ne për të shpëtuar prej kësaj përndjekjeje?
Po, ka, - u përgjigj i Dërguari i Allahut. “O Zot, mbulona gabimet dhe paturpësitë tona, dhe jepu fund frikërave dhe shqetësimeve tona!”
I Dërguari i Allahut ua këshilloi këtë lutje sahabëve të Tij, andaj atë ditë kishte vetëm lutje. Për një çast e patën dëgjuar teksa lutej kësodore:
- O Zot, kërkoj prej Teje që të na falësh përfundimin e premtuar! Përndryshe, o Zot, kam frikë se nuk ka për të ngelur asnjë adhurues në rruzull.
Profeti ynë, pas lutjes u kthye si një frymë e re për të gjithë sa gjendeshin aty. Të gjithë e vërejtën habinë që e karakterizonte tani fytyrën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Të gjithë u gëzuan sakaq, sepse kishte zbritur sihariqi që triumfi dhe ndihmesa e Allahut do të ishte me ta.
Një sulm i përnjëhershëm
Idhujtarët, kur panë se Amr ibni Abdiudi u vra keqas, dhe të tjerët ngelën të detyruar që të tërhiqeshin, të gjithë sa ishin filluan të grupoheshin për të bërë një sulm të përbashkët. Të gjithë nxisnin njëritjetrin.
Dhe agimin tjetër, të gjithë filluan të realizonin sulmin e shumëpritur. Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e kishte përgatitur ushtrinë e Tij për luftë, e sakaq ata po prisnin në krahun tjetër të hendekut. Me të marrë lajmin e sulmit prej idhujtarëve, Resulullahu (s.a.s.) u këshilloi atyre që të bënin durim, sepse fitorja do të ishte e tyrja.
Sulmi pasonte sulmin, duke i bërë besimtarët të përjetonin dhimbje pas dhimbjeje. Sepse ishte tejet e vështirë që të kuptoje se nga do të të sulmonin. Në çdo anë kishte idhujtarë, të cilët mbinin si kërpudhat pas shiut. Edhe nëse ia dilje një grupi, atë e pasonte një tjetër, kështu që bregu i hendekut ngelej përherë një vend i sulmuar.
Ndërkohë, një grup prej dyqind vetash, me në krye Halid ibni Velidin, kishin marrë në shënjestër çadrën ku gjendej Profeti i Njerëzimit. Ishte bërë si i tërbuar dhe po rendte pa u menduar drejt vdekjes.
Kjo panoramë do të vazhdonte deri në mbrëmje atë ditë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe sahabët e Tij nuk kishin falur as namazin gjatë kësaj zullumahie, që do të thoshte se ishin duke luftuar për emrin e Allahut, por nuk po kryenin një prej detyrimeve karshi Tij.
Idhujtarët ishin përpjekur aq shumë, me mish e me shpirt, madje i ishin afruar edhe vdekjes, por prapë nuk po arrinin dot asnjë rezultat. Ngadalë-ngadalë filluan të tërhiqeshin. Ndërkaq, Usajd ibni Hudejri ishte larguar për të bërë rojë te vendi prej nga vinin idhujtarët.
Në këtë kohë, i Dërguari i Allahut po falte namazin të cilin nuk e kishte kryer dot në kohë. Kishin ardhur gjer në vendin e quajtur But’han. Fillimisht mori abdes për të falur namazin e pakryer, dhe pas tij menjëherë, fali edhe namazin e akshamit. Pasi kreu namazin, tha:
- Ashtu siç ata nuk na lanë që të falnim namazin e ikindisë, Allahu u mbushtë shtëpitë me flakë.
Namazi ishte gjithçka për besimtarët, prandaj Resulullahu (s.a.s.) po
i kërkonte Allahut dënim për ata që nuk i kishin lejuar që ta kryenin atë.
Në Medinë ishin Beni Kurejdhat, të cilët po prisnin që të sulmonin gratë dhe fëmijët e myslimanëve. Këto ishin të gjitha zhvillime që ta ngrinin zemrën, por Beni Kurejdha nëpërmjet planit për të shkatërruar veten, po shkatërronte të tjerët.
Edhe kjo është një e vërtetë, që ushtria e torturës po shkrihej nga dita në ditë. Madje ushtria idhujtare pati humbur një emocion tejet të madh me disa njerëz si Nuajm ibni Mes’udi, i cili u bë mysliman, dhe mandej luajti disa manovra strategjike kundër palës me të cilët kishte qenë gjer më tash. Ata ishin duke hequr dorë. Vetëm po prisnin që të mos mbante më gota.
Ndihmesa hyjnore
Ndihmesa hyjnore e kishte shfaqur edhe njëherë veten, dhe pika që po e mbushte përfundimisht gotën ishte Hendeku. Resulullahu (s.a.s.) pa Xhebrailin, dhe duke u kthyer nga sahabët e Tij, u tha:
Bëni kujdes! Gëzohuni prej sihariqit që na pruri Allahu!
Me të mbaruar së thëni këto fjali, Hendeku u kthye në një katrahurë të paparë ndonjëherë. Çadrat ngriheshin prej vendit, e syri nuk të shihte kurrfarë gjëje. Sepse, pikërisht në vendin ku gjendej ushtria e torturës, e cila ishte përçarë nga brenda, atë natë, filloi një furtunë. Ia kthente të gjitha plaçkat përmbys, duke ia hedhur sa andej këndej. Zjarret iu shuan, dhe çadrat iu shkatërruan. Për një çast u err gjithandej, dhe Hendekun e kaploi një zhurmë që uturinte. Ata nuk po mundnin as të shihnin gishtërinjtë e tyre. Zaten, idhujtarët, të cilët po ngrinin nga të ftohtët, filluan të kishin akoma më tepër ftohtë pas kësaj furtune, derisa u rrënuan krejt.
Ishin përballë ushtrish me të cilat nuk ishin përballur asnjëherë gjer më tani, dhe ishin me të vërtetë në telashe. Gjithçka ishte bërë tym, e nuk kuptohej se kush çfarë bënte. Mundoheshin të lidhnin çadrat që u zgjidheshin, duke u munduar që t’i ngulnin edhe njëherë për shkopinjsh. Por prapë vinte një tjetër stuhi e cila i paralizonte, e nuk mund as që të lëviznin vendit. Nga frika filluan të dridheshin. Lideri i çdo grupi thërriste pranë vetes njerëzit e tij, por edhe ata nuki bindnin dhe me shqetësimin se mos sulmoheshin nga ndonjë anë, klithnin:
Ndihmë! Ndihmë! Ju kanë rrethuar, dhe po ju sulmojnë nga të gjitha anët! – ishin disa prej fjalëve që përdoreshin për t’i çoroditur.
Kontrolluesja e hendekut tashmë ishte vetëm era, të cilën e kishte nisur Allahu për të ndihmuar besimtarët. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) bashkë me sahabët e Tij u kishin hedhur dhe syve idhujtarëve që po përgatiteshin t’u sulmonin familjet që gjendeshin në Medinë. Armiqtë e Allahut përpëliteshin tashmë në dhimbje e sipër.
Edhe hipokritët që ishin trembur për vdekje, kërkonin leje duke përdorur si justifikim se kishin lënë familjet fillikat, derisa sa fironin ashtu nga një e nga dy.
Vetëm besimtarët e ndjenin veten më të fuqishëm duke pasur shpresë te ndihmesa që po i vinte prej Allahut. Sepse furtuna, ashtu siç trembte mosbesimtarët, u falte shpresë besimtarëve.
Largimi prej Hendekut
Ushtrisë së torturës nuk i ngelej gjë tjetër, veç të tërhiqej për andej nga kishte ardhur. Idhujtarët, të cilët nuk e kishin harruar Uhudin dhe Hamrau’l Esedin, e kishin lënë atje një ushtri prej dyqind kalorësish, nën komandën e Halid ibni Velidit dhe Amr ibni Asit, për të pasur një si farë garancie teksa ktheheshin. Kur agoi dita tjetër, në fushë nuk kishte ngelur as edhe një ushtar i vetëm i palës kundërshtare.
Duke parë nga pas, Resulullahu (s.a.s.) tha këto fjalë si shenjë falënderimi:
Ai, që veç Tij nuk ka zot tjetër! I ka vlerësuar në kulm ushtarët e Tij, i ka ndihmuar t’ia dalin mbanë me anë të fuqisë së Tij, duke i treguar vendin gjithë asaj ushtrie të torturës. Këtej e tutje nuk do të ketë më diçka të këtillë. Sepse, këndej e tutje, nuk do të jenë më ata që na sulmojnë, por do të jemi ne që i përcaktojmë kushtet e luftës.
Ebu Sufjani, ndërsa largohej prej fushës së betejës, i kishte lënë një letër të Dërguarit të Allahut nëpërmjet Ebu Usame el-Xhushemiut, ku i shkruante:
“Me emrin e Zotit, duke t’u betuar mbi Latin dhe Uzën. Të sulmova me një ushtri të stërmadhe, duke menduar se do të të shfarosja njëherë e mirë, për të mos lënë asnjë mysliman më të gjallë. E shoh që ti nuk ke dëshirë që ne të përballemi me njëri-tjetrin. Por ta dish, se do të ketë edhe një ditë kur ne do të pritemi me njëri-tjetrin, madje edhe gratë, si në Uhud.”
Ishte e qartë që pehlivani i mundur nuk do të ngopej me kaq. Edhe Ebu Sufjani që kishte sa e sa beteja nga dilte i humbur, vazhdonte të bënte si trim nga larg, për të mos dëmtuar egon e tij, duke ditur mirë si të mbrohej edhe atëherë kur i ishte dashur të tërhiqej si frikacak.
Letrën të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) ia lexoi Ubej ibni Ka’bi. Pasi e dëgjoi nga kreu deri në fund, Profeti i profetëve iu përgjigj:
“Letra jote më mbërriti. Po vazhdon ende të jesh rob i egoizmit tënd duke u mbështetur në sasinë e ushtarëve. Ke të drejtë, nuk po mendoje asgjë tjetër vetëm të vije e të na vrisje të tërëve. Vetëm se kjo është një çështje midis nesh, përfundimin e të cilës mund ta përcaktojë vetëm Allahu. Dhe Allahu ka vendosur shëndet për ne. Mos harro, se Allahu ka për të ta treguar ditën kur Allahu do të më mundësojë që unë t’jua shkatërroj Latin, Uzën, Isafin, Nailen dhe Hubelin. Ja ku po të lajmëroj që sot, o i ngrati i Beni Galibëve!”
Dukej që ashtu siç kërkohej mjeshtëri në përdorimin e shpatës në sheshin e burrave, ashtu nevojitej edhe mjeshtëria në disa aspekte të tjera, prandaj edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po i niste këtë letër të qëndisur bukur, e cila i tregonte vendin Ebu Sufjanit, që sillej ende sikur të ishte ndonjë gjel i krekosur, duke ia parathënë ato që do të ndodhnin në të ardhmen.
Derisa idhujtarët ishin larguar, nuk kishte kuptim përse të rrinin më tej në Hendek. Kështu, Profeti ynë dha urdhër që të përgatiteshin të gjithë, pasi do të ktheheshin për në shtëpitë e tyre në Medinë.
Bilanci i kësaj lufte që zgjati afro një muaj ishte vrasja e vetëm tre idhujtarëve, dhe rënia dëshmor e tetë prej besimtarëve. Ndërkaq zbriti edhe Xhebraili, i cili u tregoi atyre si drejtim visin e Beni Kurejdhës.
Edhe Profeti i Njerëzimit, që ende nuk e kishte hequr parzmoren nga trupi, do të shkonte atje bashkë me sahabët, me përfundimin e një triumfi të ri.
Shënimet
- 254.Uakidi, Megazi, 1/454; Salihi, Subulu’l-Huda ue-Reshad, 4/371
- 255.Ahzab, 33/9; Muslim, Sahih, 2/617; Ahmed ibni Hanbel, Musned, 1/223
- 256.Ahzab, 33/9