EMIGRIMET DREJT ETIOPISË
U bënë plot pesë vjet që kur filloi të zbrisnin ajetet kuranore. Ishte muaji i Regaibit. Shtëpia e Ibni Erkamit, megjithëse pjesërisht, ishte një atmosferë e përshtatshme për të folur çështjet e besimit. Vetëm se çështja nuk ishte e përshtatshme që të kufizohej vetëm brenda një shtëpie. Ata që largoheshin së andejmi, përndiqeshin, dhe ata që ishin më të dobët, e pa mbrojtje, dhunoheshin ashpërsisht. Mekasit, çdo ditë e më shumë, nuk ua njihnin të drejtën e jetës myslimanëve si të tillë. Prandaj, një zgjidhje e kësaj situate ishte më se e domosdoshme.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tregoi myslimanëve një rrugëzgjidhje, e cila kishte zbritur prej Xhebrailit Fjalëdrejtë.
Edhe Allahu vepron me mirësi karshi atyre që veprojnë me vetëdijen e mirëbërjes. Të mos keni fare dyshim se toka që ka krijuar Allahu është shumë e gjerë. Shpërblimi i atyre që durojnë ka për t’iu dhënë me bujari.
Ajeti jo vetëm që po i këshillonte për emigrim, por edhe për të mirat që do t’u sjellë ai në jetën e tyre adhurimore. Meqë toka ishte shumë e gjerë, atëherë duhej përfituar prej saj. Prandaj, i Dërguari i Allahut filloi që t’i këshillonte:
Ah sikur të mund të shkonit në Etiopi, pasi ai është një vend i sigurt. Madje atje është një mbret, që nuk lejon që t’i bëhet padrejtësi askujt.
Etiopia ishte një vend i njohur për mekasit, pasi ata shkonin atje shpesh për të bërë tregti, duke marrë shumë përfitime prej saj. Njohuritë e arritura prej këtyre vajtje-ardhjeve ishin të mjaftueshme. Kësodore, besimtarët po drejtoheshin kah shtëpia e Nexhashiut.
Emigrimi i parë
Ata filluan menjëherë nga përgatitjet. Për të shpëtuar njëherë e mirë prej mekasve, por edhe për ta jetuar më të qetë besimin e tyre, ata, katër gra dhe njëmbëdhjetë burra, u nisën për në Etiopi. Në krye kishin Osmanin e nderuar, dhëndrin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s). Padyshim që kjo lëvizje duhej bërë pa u marrë vesh kurrsesi prej mekasve. Ata po emigronin drejt një bote më të mirë, ashtu fshehurazi, në mes të natës.
Deri në breg shkuan, disa të hipur mbi deve, e disa të tjerë në këmbë. Ndihmesa e Allahut (xh.xh.) po ua hapte rrugët që të lëviznin lirshëm. Në breg u pritën prej dy anijeve, të cilat i morën në këmbim të gjysmë dinari për kokë. Kjo ishte nisja për në tokën etiopase.
Ndërkohë në Mekë, filloi të ndjehej mungesa e shumë njerëzve si Osmani i nderuar bashkë me nusen e tij, Rukijen, Mus’ab ibni Umejri, Abdurrahman ibni Aufi, Ebu Seleme bashkë me të shoqen, nënën tonë, Umu Selemen, deri te Osman ibni Ma’zuni. Paria e kurejshëve filluan pa humbur kohë nga kërkimet. Por, kur mbërritën ata, anijet ishin larguar prej bregut, të hapura drejt brigjeve të shpëtimit.
Më në fund, ata mbërritën shëndoshë e mirë në Etiopi. Tani nuk kishte më, as trysni të Ebu Xhehlit apo Ebu Lehebit, as fyerjet e panumërta të Utbes apo Shejbes, e as zënkat e ndërmjetme të Ukbes me Umejen. Tani ishin zhdukur të gjitha pengesat, që i dilnin përpara sapo të shiheshin se ishin duke adhuruar Zotin e tyre. Tani mund t’i falnin namazet e tyre me devocion, duke gjetur edhe një mundësi për të lexuar Kuran lirshëm.
Profeti i profetëve nuk mori lajm për një kohë të gjatë prej atyre që kishin emigruar për në Etiopi. Derisa më në fund, u gjend një grua që kishte ardhur nga ato anë, e cila erdhi t’i rrëfente se si i kishte parë Osmanin dhe Rukijen e Tij. I Dashuri Famëlartë u kënaq shumë prej atyre që dëgjoi.
- Padyshim që Osmani me Rukijen janë të parët prijës të shtëpisë së emigrimit, pas Ibrahimit dhe Lutit (a.s.),- ishin fjalët që tha ajo grua.
Kthimi
Që nga ajo kohë kaluan edhe dy muaj të tjerë. Një ditë të Ramazanit, i Dërguari i Allahut kishte ardhur sërish në Qabe, dhe po adhuronte Zotin e Tij. Rreth Tij u mblodh një kallaballëk, të cilët po prisnin të shihnin se ç’po bënte. Profeti ynë filloi të lexonte Kuran me të gjitha qelizat e trupit të Tij. Në atë kohë po lexonte suren Nexhm. Sureja që po lexonte Ai filloi t’i mblidhte të gjithë përreth për ta dëgjuar. Deri më tani nuk e kishin dëgjuar, pasi vetëm ishin orvatur si e si kush të bënte kush më shumë zhurmë, në mënyrë që të mos e linin të qetë. Dukej qartë, se kësaj here kishin vendosur ta dëgjonin deri në fund, por kjo ishte edhe hera e parë që po e dëgjonin me tërë rëndesën që zotëronte një fjalë e tillë.
Të gjithë ishin tani sikur ta kishin harruar qëllimin e tyre të vetëm, ngaqë ishin mbërthyer në atë botën e magjishme të gjuhës së Kuranit. Ajo shprehje hyjnore kishte filluar t’u përkëdhelte shpirtin, dhe pisllëqet që u mbushnin mendjet ishin fshirë me një të kaluar të dorës. Tanimë ndiheshin sikur të ishin njerëz krejt të tjerë. Profeti ynë i dashur paqja qoftë mbi Të, me të ardhur në ardhur në ajetin e sexhdes, që gjendej nga ajetet e fundit të asaj sureje, u ul për të bërë sexhde. Po kjo ç’ishte? Të gjithë ashtu pavetëdijshmërisht filluan ta imitonin, duke shkuar të gjithë sa ishin në sexhde. Sikur nuk ishin ata që i kishin hapur luftë të Dërguarit të Allahut, i Cili vetëm sa ua bënte të ditur ardhjen e kësaj fjale. Sikur t’u kishte hapur Zoti perden e së vërtetës për ditët e ardhshme, e po ua tregonte gjindjes së Mekës.
Patjetër, kishte edhe shumë të tjerë, të cilët po e ndiqnin nga larg këtë tablo. Megjithëse me aq sa e shihnin, ata nuk po i jepnin dot kuptim gjithë kësaj që po ndodhte, madje disa syresh filluan t’i gjykonin keqazi mekasit që ishin ulur për të bërë sexhde. Ky ishte një gjykim për t’i kthyer edhe njëherë në vijën e mohimit, saqë ata u kthyen të gjithë duke thënë se vetëm sa ishin bërë pjesë e magjisë së Tij.
Kjo ndodhi ndërroi disa herë trajtë derisa mbërriti të transmetohej edhe në Etiopi, duke u treguar vetëm me aq sa përmbante forma e saj. Sipas lajmit, mekasit ishin kthyer në myslimanë. Atëherë nuk kishte më nevojë që të rrinin larg të Dërguarit të Allahut. Nëse edhe mekasit kanë arritur të pranojnë Islamin, atëherë nuk do të kishte as tortura a përndjekje. Ishin gëzuar shumë, saqë në sytë e tyre nuk mund të lexoje asgjë veç haresë. Nga njëra anë, nuk është se nuk habiteshin. Si mund të ndërronte vetëm brenda dy muajve gjithë ai mllef dhe gjithë ajo urrejtje. Si mund të zbuteshin ata aq shumë, sa t’ia deklaronin aty për aty Allahut dorëzimin e tyre. Por, nëse do Zoti, atëherë çdo gjë mund të ndodhë, kështu që në këto e sipër, vendosën të ktheheshin për në tokën e tyre.
Hipën sërish nëpër anije, dhe sakaq e gjetën veten në bregun përballë. Tanimë po përparonin me emocionin se do të takoheshin edhe njëherë me të Dërguarin e Allahut, me fëmijët dhe familjet, por edhe me Mekën e tyre. Por kur erdhën në një distancë që bëhej vetëm për një orë rrugë, e kuptuan të vërtetën. Ata ishin flijuar për faj të një keqkuptimi. Kjo ishte me të vërtetë një gjendje shumë e vështirë. Për një kohë ngelën ashtu, si ndërmjet Etiopisë dhe Mekës. Disa prej tyre vendosën që të ktheheshin për në Etiopi, ndërsa disa të tjerë vendosën që të prisnin natën, derisa ta kishin më të lehtë për të shkuar në shtëpitë e tyre në Mekë.
Ata që u kthyen prapë në Etiopi shpëtuan, megjithëse ishin të pikëlluar që nuk erdhën dot deri në Mekë, ku do të mund të vizitonin Qaben, të Dashurin e tyre, Krenarinë e Njerëzimit (s.a.s.), apo të vizitonin shtëpitë dhe të afërmit e tyre. Megjithatë ishin ruajtur prej dhunës së Mekës. Do të mund t’i kryenin prapë adhurimet ashtu siç nevojitej. Vetëm se të tjerët, ata që vendosën të hynin në Mekë, e gjetën veten përballë torturave akoma edhe më të vështira se më parë. Idhujtarët, duke e marrë parasysh ikjen e tyre të parë, tanimë kontrollonin çdo mundësi ikjeje, duke ua bërë të pamundur largimin.
Por, edhe torturat kësaj here nuk ishin më aq të lehta si më parë.
Gjendja e Mus’ab ibni Umejrit
Mus’ab ibni Umejri me të marrë vesh emigrimin e myslimanëve që u ishte bërë e pamundur jetesa në Mekë, filloi edhe ai të shpresonte se ndoshta Etiopia mund të ishte një mundësi për të shpëtuar prej burgut që kishte filluar t’i ushtrohej. Ishte edhe ai në mes të emigruesve të parë të Islamit. Ndërsa tani, ja ku e gjente edhe njëherë veten në fund të periudhës etiopase, të kthyer edhe njëherë në shtëpinë e tij në Mekë.
Kjo ishte një mundësi e arrirë për nënën e tij, kështu që, me ta marrë vesh ardhjen e të birit, ajo mendoi që ta burgoste në shtëpi. Të dy ishin më se të vendosur se nuk do të kthenin nga vendimet e tyre, mirëpo edhe të dy po qanin njëkohësisht. E ëma qante se si e kishte humbur djalin e saj për kaq kohë sikur të kishte qenë një imagjinim i çastit, ndërsa biri qante përse portat e zemrës së së ëmës ishin ende të mbyllura karshi njohjes së Zotit. Përplasja mes një djaloshi të mbushur me besim me të ëmën e tij që turfullonte prej inatit për të mos besuar, ishte njësoj si përplasja e besimit me mohimin në vetvete.
Kjo do të vazhdonte deri në çastin që e ëma do ta përzinte nga shtëpia të birin. Hunas binti Malik as që kishte ndërmend ta quante “djalë”, atë që nuk denjonte as t’i dëgjonte fjalën. Edhe gjatë kësaj dite ekzistonte e njëjta nxehje. E kishte privuar nga çdo gjë Mus’abin... Teksa mbyllte rezenë e portës së shtëpisë ndaj djalit të saj të vetëm, ajo po mbyllte edhe portën e zemrës së saj karshi besimit në Zotin e vetëm.
Aq sa ishte e vështirë që një nënë të shkëputej prej të birit të saj, ishte e vështirë që edhe një djalë të duronte gjendjen në humbje, të mbyllur njëherë e mirë në një boshësi të përjetshme, ndaj besimit, të nënës së vet. Megjithatë, Mus’abi as që kishte ndërmend që të hiqte dorë prej detyrimeve të tij në këtë jetë. As që bëhej fjalë për pasurinë dhe mallin. Ai nuk kishte asnjëfarë shqetësimi për trashëgiminë. Sytë ia kishte mbushur veç besimi, aq sa edhe nënën e vet mund ta kundërshtonte. Tanimë ngjante sikur po i përgjërohej nënës së tij:
Nënokja ime, të përgjërohem dëgjomë njëherë! Eja beso edhe ti se nuk ka zot tjetër veç Allahut, dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij.
Aq sa ishte e ëmbël kërkesa e përgjëruar e të birit, aq më e egër dhe e palëkundur ishte përgjigja e nënës.
Të betohem për të gjithë yjet, se as kam humbur mendjen, e aq më pak ndërgjegjen që të pranoj fenë tënde.
Asnjë prej orvatjeve nuk po jepte fryte, kështu që ai u largua nga shtëpia pa kurrfarë zgjidhjeje, por duke u përshëndetur me njerëzit e familjes. Për t’u përzënë, ishte përzënë së andejmi, por zemra do t’i prehej në djepin më të ngrohtë të gjithësisë. Erdhi pranë të Dërguarit të Allahut, për të mos u larguar më asnjëherë.
Tani, edhe Mus’abi ishte si gjithë sahabët e tjerë, që të veshur me ndonjë veshje të ashpër, ç’t’u gjendej, jetonin një ditë të ngopur, e disa ditë të tjera pa futur asgjë në gojë. Tani ai kishte hyrë në mesin e Bilalëve dhe Hababëve. Lëkura e tij e butë, e mësuar me gjithëfarë erërash të mira, filloi të ashpërsohej si lëkura e gjarprit në thatësirë, nga uria dhe etja që u karakterizonte pjesën më të madhe të ditëve.
Madje kishte filluar edhe t’i rripej pjesë-pjesë.
Një ditë po vinte në vendin ku ishin mbledhur të gjithë. I Dërguari i Allahut, bashkë me sahabët e Tij të tjerë po e shihnin teksa afrohej. Dukej shumë i lodhur; mosha i kishte përparuar, e sytë i shihnin më thellë. Kokat e të gjithëve u ulën. Të gjithë po e ndjenin trishtimin që filloi t’i rrëqethte mishtë. Sepse Mus’abi ishte i veshur vetëm me një leckë të vjetër, që nuk shihej me sy. Kjo gjendje i prekte shumë të gjithë ata që e mbanin mend gjendjen e tij para se të pranonte Islamin. Bilali ishte vetë i varfër. Edhe Hababi me Amarin nuk e kishin më të mirë gjendjen e tyre ekonomike. Ata ishin të mësuar me varfërinë. Por Mus’abi nuk ishte si ata. As i Dërguari i Allahut nuk e duroi dot këtë pamje, andaj filloi të thoshte këto fjalë:
- Unë e kam parë edhe më parë Mus’abin. Në kohën që jetonte më nënën dhe babanë, ai ishte djaloshi më i pashëm i Mekës. Ai i la të gjitha dhe erdhi këtu, me Allahun dhe të Dërguarin e Tij.
Ndërsa ai vetë as që i jepte rëndësi gjithë këtyre. Sepse nuk ishte veshja ajo që ta falte kënaqësinë shpirtërore. Nëse nuk ka besim në një zemër, atëherë trupin e ke veç të mbuluar në dhimbje. Ai kishte vetëm një qëllim; ishte lidhur me një litar që të bashkonte me pjesën e përtejme të qiellit, e nga dita në ditë po ngjitej sa vjen e më tepër. Çdo ditë i mësonte përmendësh ajetet e zbritura, e duke i rrahur ato me të Dërguarin e Zotit (s.a.s.), Mësuesin e përsosur, mundohej që t’i jetonte gjatë çdo çasti të ditës së tij.
Emigrimi i dytë
Vuajtjet shtoheshin nga dita në ditë, kështu që Profeti ynë i dashur mendoi se zgjidhja më e mira do të ishte që disa prej tyre të emigronin sërish për në Etiopi. E kishin marrë vesh se si ishte pak a shumë gjendja e atyre që gjendeshin në Etiopi, andaj i Dërguari i Allahut mendoi se Etiopia do të ishte një vend më i mirë për të kryer adhurimet, por edhe për ta kumtuar Islamin te të tjerët. Vetëm se zemrat e tyre donin që ta kishin përherë afër të Dërguarin e Allahut. Osmani i nderuar, vendosi t’i thoshte kështu të Dërguarit të Allahut (s.a.s.):
O i Dërguari i Allahut, ne ikëm njëherë herën e parë, ndërsa tani do të shkojmë sërish te Nexhashiu. Sikur të vije edhe Ti me ne?..
Ju po bëni emigrim drejt Allahut, por edhe drejt meje njëkohësisht! Andaj, keni dyfishin e shpërblimit për emigrimin tuaj.
Kjo na mjafton o i Dërguari i Allahut!
Tanimë koha ishte për t’u nisur. Vetëm se kjo ishte një rrugë, të cilën e dinin edhe idhujtarët. Kishin marrë disa masa, por prapëseprapë duhet të tregoheshin shumë të kujdesshëm që të mos e nxirrnin veten hapur. Për më tepër, ky grup ishte më i madh se i pari. Gjithçka duhet të ishte e mirëkontrolluar.
Prapë ishte një kohë muzgu kur vendosën të largoheshin për në vendin nga niseshin anijet. Gjithsej ishin rreth njëqind vetë, prej të cilëve tetëmbëdhjetë ishin gra.
Megjithëse ata e kishin kryer çdo veprim në fshehtësi, kurejshët u tërbuan kur morën vesh për largimin e tyre. E dinin mjaft mirë se ç’kishte ndodhur me ikjen e tyre, si dhe sjelljen që kishte treguar Nexhashiu karshi tyre. Tanimë numri i atyre që po largoheshin ishte edhe më i madh. Gjendeshin përballë një problemi tejet serioz. Kjo çështje, të cilës nuk ia kishin gjetur dot zgjidhjen sa ishte ende e ngrohtë, ishte bërë një çështje shumë e gjerë, duke u hapur kaq gjerë. Jo, jo, çdo gjë ishte duke i ikur duarsh. Zaten ikja e dy burrave si Omeri dhe Hamzai i nderuar ia kishin thyer belin. Ardhja e tyre i kishte bërë edhe më të fuqishëm myslimanët. Tani çështja sikur zhvillohej jashtë duarve të tyre.
U mblodhën edhe njëherë për ta rrahur çështjen, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare. Vendimi që morën ishte që ta bindnin disi Nexhashiun që t’ia kthente mbrapsht njerëzit që u kishin ikur. Kështu që zgjodhën disa syresh që të shkonin e ta flisnin këtë mesele me mbretin e Etiopisë, Nexhashiun.
Kurejshët nuk donin që ta linin në dorë të fatit këtë ngjarje. Andaj i tregonin me detaje njëri-tjetrit se si duhet të vepronin në çdo rrethanë që mund të përballeshin. Madje edhe përgatitën dhurata të panumërta për Nexhashiun dhe për njerëzit që e rrethonin. Edhe mënyrën se si do t’ua paraqisnin dhuratat nuk e linin mangët pa e folur me njëritjetrin deri në imtësi. Më parë duhet t’ia jepnin njerëzve të mbretit, që më parë të ishin ata që do të bindeshin prej tyre. Në fund do të shkonin te Nexhashiu, që t’i parashtronin dëshirën e tyre të epërme. Nëse bindeshin të tjerët, edhe Nexhashiu nuk do të kishte ç’të thoshte përballë një tabloje kur të gjithë do të thoshin: “T’ia kthejmë!”.
Letra që i shkon Nexhashiut, dhe përgjigja e tij
Ndërkohë, i Dërguari i Allahut i nis letër Amir ibni Umejes, që t’i kërkojë Nexhashiut që t’ia marrë në mbrojtje njerëzit që po shkojnë atje, në prijësinë e Xhafer ibni Ebi Talibit (r.a.). Me sa duket asgjë nuk lidhej vetëm me ato që dëgjoheshin, por me anë informacionesh edhe më të thella e të sigurta. Sepse duhej medoemos që të parandalohej ndonjë situatë e pakëndshme që mund të bënte vaki. Në letrën e Profetit tonë shkruhej:
- Bismil’lahi Rrahmani Rrahim.
Nexhashiut, nga i Dërguari i Allahut, Muhamedi
Përshëndetja e Allahut qoftë mbi ty! Unë falënderoj Allahun që është Melik, Kuddus, Mumin dhe Muhejmin. Unë dëshmoj se Isai, i biri i Merjemes, është shpirti i Allahut dhe fjala e Tij, e cila erdhi nëpërmjet gruas së nderuar, Merjemes. Ai që e la me barrë Merjemen, ashtu siç krijoi Ademin (a.s.)
Ndërkohë, unë të ftoj ty të bëhesh mik i Allahut të pashoq dhe të vetëm; Të ftoj që të besosh në ato që them unë, e që më thuhen mua nëpërmjet revelacionit. Sepse unë jam i Dërguari i Allahut.
Unë kam nisur për te ty një grup myslimanësh, me në krye djalin tim të xhaxhait, Xhaferin. Jepu atyre mundësinë të rrinë në vendin tënd, duke u treguar bujarinë tënde.
Unë të ftoj ty bashkë me gjindjen tënde që të bashkohesh me fenë e Allahut. Unë e kreva detyrën time të këshillimit, ju kërkoj që t’i prisni me mirëkuptim.
Paqja qoftë mbi ata që zgjedhin rrugën e udhëzimit për t’iu bindur!
Nexhashiu, pasi e lexoi letrën e Muhamedit (s.a.s.), shkroi një letër ku shprehte ndjenjat e tij më të sinqerta. Në atë letër shkruhej:
Të Dërguarit të Allahut, Muhamedit, nga mbreti i Etiopisë, Nexhashiu.
Paqja, begatia dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ty, o Profeti i Allahut! Ai, që përveç Tij nuk ka zot tjetër, e që më udhëzoi mua me rrugën e Islamit.
Më mbërriti si letra jote, si ato që thuhen aty për Isanë, të birin e Merjemes. Lëvduar qoftë Allahu, që Isai nuk ka thënë asgjë më tepër se sa ato që përmendje Ti! Prej të ardhurve, me në krye djalin Tënd të xhaxhait mësuam shumë. Unë dëshmoj se Ti je i Dërguar i Allahut, që është Besnik dhe që kërkon besnikëri. Tani unë jam i bindur ndaj Teje, duke t’i dorëzuar në dëshminë e Zotit. Po të nis sakaq djalin tim, Eriha ibni Es’hame ibni Ebxherin. Unë jam mbret vetëm i vetes sime, nëse më kërkon, atëherë unë do të vij menjëherë për te Ty. Sepse unë e di shumë mirë se çdo gjë që thua Ti është e drejtë.
Ashtu siç kuptohej edhe prej letrës së Nexhashiut, ai tashmë po i dorëzohej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), duke dhënë edhe fjalën se myslimanët do të ishin nën mbrojtjen e tij. Madje ishte edhe i gatshëm që ta jepte postin e mbretit, për të shkuar pranë Tij, nëse Ai e dëshironte diçka të këtillë. Madje thoshte se për këtë mjaftonte edhe vetëm një shenjë.
Edhe ky bashkëbisedim ishte, për disa, një burim për prodhimin e strategjive të nevojshme.
Nexhashiu dhe mëkëmbësit
Më në fund, myslimanët patën ardhur në Etiopi, ku mund të faleshin dhe lexonin Kuran pa u penguar prej askujt. Pa kaluar shumë kohë, në Etiopi ia behën mëkëmbësit e kurejshëve. Kishin ardhur të mbushur plot me dhurata. Filluan që nga më të vegjlit, drejt të madhit, të shpërndanin dhuratat e prura dhe lajkat e gatshme. Të gjithëve që u shkuan për vizitë u kërkonin që ta bindnin mbretin që t’ua jepnin atyre myslimanët mekas që kishin emigruar për në mbretërinë e tyre.
Derisa erdhi një çast që i vizituan të gjithë. Nëpërmjet shpurës së mbretit, u mor leja për t’u takuar me të. Pasi kryen të gjitha përshëndetjet e nevojshme, Amr ibni Asi dhe Abdullah ibni Ebi Rebia parashtruan kërkesën e tyre.
O mbret! Morëm vesh, se disa të rinj nga vendi ynë, pa e ditur se ç’janë duke bërë, kanë ardhur për të kërkuar strehim në vendin tuaj. Mirëpo, ata janë në kundërshtim me fenë tuaj. Kanë dalë e thonë se paskan një fe të re, ndryshe nga e jona dhe juaja. Të kërkojmë, që për hir të respektit që ti ke për të parët tanë, të na i japësh neve, që t’i kthejmë mbrapsht. Ata vetëm këta fëmijë kanë. E kuptojnë mjaft mirë se ku është duke shkuar kjo mesele.
Abdullah ibni Ebi Rebia, teksa i thoshte këto fjalë, mendjen dhe vështrimin e ngulmët e kishte mbi shprehjet e fytyrave të tyre. Pamja e tyre dhe mënyra e të folurit nuk i pëlqeu aspak Nexhashiut. Ata mendonin se etiopasit po e shihnin çështjen pa kurrfarë shqetësimi, madje për më tepër, dukej sikur nuk po i dëgjonin fare. Megjithatë, mekasit duhet të përdornin çdo mundësi, tekembramja nuk kishin ardhur kot gjer këtu. Njerëzit e fesë dhe vezirët e mbretit rrinin dhe shikonin. Nëpërmjet tyre ndoshta mund të ndryshonte mendje mbreti i drejtë i Etiopisë, Nexhashiu. Kjo ishte shpresa e fundit që u ngeli mekasve të drobitur, që edhe dhuratat u kishin shkuar dëm. Gjithashtu, ata kishin mbledhur disa të dhëna për myslimanët e emigruar, kështu që u munduan edhe njëherë që ta bindnin Nexhashiun. Ata edhe përshëndetjen e kishin të ndryshme, kështu që me shumë mundësi, ata nuk do të vepronin asnjëherë ashtu siç mund t’i kërkonte ai.
Kjo pikë mund të përbënte ndofarë kuptimi vetëm nëse dikush nga etiopasit mbante anën e kurejshëve. Ndërkohë, nga mesi i tyre doli një prift, i cili bëri një hap para, dhe tha:
O mbret! Këta kanë të drejtë! Gjithë populli i tyre ka filluar të merret vetëm me ta.
Duhet t’ia lëshonte emigrantët, që ata t’i gjenin vetë një zgjidhje këtij problemi të popullsisë së tyre.
Nexhashiu, i cili nuk kishte thënë asnjë gjysmë llafi gjer në këtë çast, u nxeh shumë. Kjo ishte punë shteti, andaj kërkonte një seriozitet të veçantë. Andaj nuk mund të jepej një vendim i shpejtë dhe i atypëratyshëm, vetëm sepse disa njerëz kishin ardhur të shprehnin një problem të tyre. Zaten, nëse do të ishte ashtu, këta njerëz të pafajshëm nuk do të kishin zgjedhur shtetin e tij, por niseshin drejt ndonjë vendi tjetër. Me një refleks të menjëhershëm, ai filloi të thoshte këto fjalë:
Jo, për Zotin që nuk bëhet! Disa njerëz zgjodhën pikërisht vendin tim për t’u strehuar, duke zgjedhur pikërisht drejtësinë time, ndërsa unë, vetëm prej fjalëve të këtyre t’i lë në baltë! Është e pamundur. Lëre pastaj që, nëse çështja ishte ndryshe nga ç’paraqitej, atëherë ai nuk kishte për t’ua dhënë kurrë ata njerëz, sepse më parë duhet t’i dëgjonte se ç’thoshin ata. Nëse ishte siç thoshin ata, atëherë ndoshta edhe mund t’ua jepte me vete. Nëse nuk ishte e vërtetë, atëherë ai tha se do t’i ndihmonte madje me ç’t’i jepej mundësia. Madje edhe ndihmesën e nevojshme që ata të mund ta jetonin lirshëm besimin e tyre.
Për një çast ambienti aty u duk sikur u ftoh, u bë akull. Ç’qëllim që kishin kurejshët, dhe ç’lojë që po mundoheshin t’i luanin një mbreti si Nexhashiu. Asnjë prej alternativave nuk po jepte zgjidhjen e kërkuar. Mbreti vepronte njësoj siç dinte vetë. Megjithatë nuk duhet të dorëzoheshin menjëherë.
Kësisoj, Nexhashiu ftoi pranë tij myslimanët e emigruar, sepse donte të dëgjonte edhe se ç’thoshin ata. Me t’i ardhur ftesa e Nexhashiut, besimtarët, të cilët ishin paksa të informuar për ato që po ngjasnin, filluan të bisedonin njëherë me njëri-tjetrin:
Çfarë do t’i themi këtij njeriu kur t’i dalim përballë? – pyeste njëri syresh.
Unë nuk kam për t’i thënë asgjë më tepër se sa ato që kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut, – përgjigjej një tjetër.
Erdhi koha të dilnin përpara mbretit. Dolën përpara tij, dhe po prisnin se nga do të fillonin pyetjet. Në ardhjen e tyre sikur vërehej një ndryshim, i cili nuk i shpëtoi asnjërit prej të pranishmëve. Përshëndesnin, por nuk i përuleshin mbretit. Nexhashiu u kthye nga ata, dhe filloi t’i pyeste:
Pa më thoni, ju! Pse keni ardhur këtu? Pse zgjodhët pikërisht këtë vend, cili është problemi juaj? Çfarë kërkoni prej meje dhe vendit tim? Kush është ky profeti juaj, dhe cili është thelbi i kësaj çështjeje? Dhe pse nuk më përshëndetët siç bënë edhe njerëzit e tjerë? Si dhe ç’mendoni për Isanë, të birin e Merjemes? Pa më thoni edhe, cili është botëkuptimi juaj fetar, që keni braktisur vendin dhe fenë tuaj, duke ardhur pikërisht në mbretërinë time?
Ndërhyrja e Xhafer ibni Ebi Talibit
Sakaq Nexhashiu i ftoi priftërinjtë pranë vetes, duke i thënë që të hapnin para librat e tyre. Me sa duket do të krahasonin burimet e tyre fetare me fjalën e këtyre njerëzve, për të arritur në fund në një përfundim. Pas një heshtjeje të shkurtër, Xhafer ibni Ebi Talibi hodhi një hap përpara.
O mbret! Ne të përshëndetëm ty me përshëndetjen e Resulullahut, që është njëkohësisht edhe përshëndetja e gjithë njerëzve të Xhenetit! Me të, ne gjejmë rehati shpirtërore. Ndërsa, për sa i përket sexhdes, ne ulemi në sexhde vetëm përballë Allahut, dhe po tek Ai mbrohemi nga të përulurit para ndonjë tjetri. Me këto fjalë ata bënë të qarta dy çështje njëherësh! Ne duam prej jush që t’i pyesni vetëm tri pyetje këtyre mëkëmbësve të Mekës.
Pyetini atëherë, - tha Nexhashiu.
Ne skllevër të ndonjë pronari jemi, që na thoni se qenkemi arratisur prej tyre, e ju do të na kthekeni mbrapsht?
Kjo ishte një ndërhyrje e menjëhershme, andaj Nexhashiu u kthye sakaq nga mekasit:
Skllevër ishin këta, o Amr?
Edhe nëse duhej t’i vrisnin, ata shprehnin trimërinë e tyre.
Jo, e kundërta, ata janë njerëz të nderuar në mesin tonë, - u përgjigj Amri.
A i pyesni o mbret? A kemi thyer ndonjë ligj duke vrarë ndokënd, që sakaq të arratisemi nga frika, që këta dashkan të vendosin drejtësinë në vend të vet?
Nexhashiu u kthye edhe njëherë nga mekasit.
A kanë vrarë ndokënd? – pyeti mbreti sërish.
Jo, nuk kanë derdhur asnjë pikë gjaku.
Zaten, virtyt i vërtetë është ai që ta pranon edhe armiku. Tani radhën e kishte pyetja e tretë dhe e fundit.
A nuk i pyet, o mbret! Jemi gjë njerëz që t’i kemi zhvatur ndosend ndonjërit prej tyre, që ata ardhkan për të na gjykuar?
Sytë e mbretit u drejtuan sërish nga Amr ibni Asi dhe Abdullah ibni Ebi Rebia. Ata, as nuk kishin vrarë, as nuk kishin grabitur, e as kishin ndonjë përgjegjësi ndaj ndokujt që të largoheshin pa marrë leje. Nexhashiu, teksa po i drejtonte pyetjen e tretë Amrit, e kishte ndryshuar krejt qëndrimin e tij, andaj dhe i tha këto fjalë:
Nëse ata të kanë ndonjë borxh, atëherë e marr unë përsipër.
Për mekasit çështja e kishte humbur kontrollin që me ardhjen e Nexhashiut. Ishte e domosdoshme që të mos ndaheshe nga besnikëria në provat dhe argumentet që përdorje.
Nuk kanë as edhe një qindarkë borxh, - u përgjigj Amri.
Kësaj here radhën e kishte mbreti Nexhashi, që të pyeste:
Atëherë ç’kërkoni prej këtyre njerëzve?
Kjo ishte një pyetje që i jepte fund qetësisë që kishte kapluar gjithandejmi. Kishte vetëm një përgjigje që mund të jepnin kurejshët.
Më parë, ne besonim të njëjtën fe, dhe ishim si një e tërë rreth besimit tonë. Ndërsa tani, këta e thyen njësinë, kështu që neve na ra për pjesë që t’i gjurmojmë nga pas.
Me sa kuptohej, tani kishin zbritur në thelbin e vërtetë të çështjes.
Mbreti u kthye nga Xhaferi, dhe e pyeti:
Cili ishte botëkuptimi që ju kishit deri më tani? Cila është feja që keni përqafuar së andejmi?
O mbret! Ne, më parë ishim një popull lodër në duart e injorancës dhe qoftëlargut. Besonim në idhuj dhe hanim mish të ngordhur. Kryenim çdofarë imoraliteti, dhe nuk kujdeseshim për asnjë lidhje farefisnore, madje fqinjin as që e kishin në listë. Në fakt, lidheshim pas atij që ishte më i forti ndër ne, duke e shkelur fare atë që ishte më i dobët. Sakaq, Allahu na nisi një profet nga mesi ynë, të Cilit ia njohim mjaft mirë drejtësinë, virtytet, besnikërinë që tregon ndaj fjalës së dhënë, dhe që për nga morali është për t’u marrë shembull. Ne vendosëm që të pranonim vetëm një Zot të vetëm, dhe Muhamedin si të Dërguarin e Tij. Vendosëm që të mos i kryenim askujt tjetër, pos Allahut, adhurime, duke hequr dorë kryekëput nga idhujt, të cilët i bënim nëpërmjet lëndësh të ndryshme, me vetë duart tona. Ndërkohë Ai na urdhëroi që të tregojmë kujdes në thënien e vetëm të vërtetës, në kalimin mirë me fqinjët dhe të afërmit. Krahas këtyre, na urdhëroi që t’i largohemi çdo vepra të pahijshme, gënjeshtrës, ngrënies së pasurisë së jetimit, apo shpifjes për gratë që shisnin edhe nderin e tyre. Na urdhëroi që të adhurojmë vetëm Allahun, i Cili është i Plotfuqishëm dhe i Vetëm, të mos i bëjmë asnjë shok në krijim, të falim namaz dhe të agjërojmë. Ne, duke e besuar çdo fjalë të Tij, premtuam se do të bënim çdo gjë që na këshillonte Ai. E njihnim si të ndaluar atë që na e ndalonte Ai, dhe e dinim të lejuar vetëm atë që na e lejonte Ai. Derisa, këta, që janë njëkohësisht fisi ynë, filluan të na paragjykonin, të na torturonin me çdofarë mënyre, në mënyrë që ne të ktheheshin në sjelljet e mëparshme. Donin të na shtynin edhe njëherë tek ata idhujt e shpifur, duke përdorur çdo mënyrë keqbërjeje. Kështu, kur e shtuan dozën e torturave deri aty ku nuk durohej më, ne vendosëm të kërkonim ndihmë në mbretërinë tënde. Të zgjodhëm pikërisht ty, e jo ndonjë mbret tjetër, sepse patëm dëgjuar se atyre që strehohen në mbretërinë tënde nuk u bëhet kurrfarë padrejtësie.
Nexhashiu, menjëherë pas këtij fjalimi të rrjedhshëm nga ana e Xhafer ibni Ebi Talibit, e pyeti:
A keni me vete nga fjala që ju është zbritur prej Allahut?
Mesa duket majaja po mbante, andaj edhe Nexhashiu filloi të ndjente nevojën për të bërë disa pyetje.
Po, kemi, - iu përgjigj Xhaferi.
A më lexon edhe mua disa pjesë prej tyre, - i tha ai, dhe ndërkohë Xhaferi filloi t’i lexonte një pjesë prej sures Merjem. Ky ishte një zë fluid, që e ndjeje tek rridhte deri në thellësi të venave. Aq sa, nuk kaloi shumë kohë, dhe nga sytë e Nexhashiut filluan të rridhnin nja dy çurga lotësh. Edhe të tjerët që gjendeshin asokohe, filluan ta ndjenin dridhjen brenda syve të tyre. Edhe priftërinjtë, nuk e mbajtën dot veten, por filluan të qanin edhe ata, bashkë me mbretin e tyre. Mjekrat u lageshin prej lotëve, dhe në librat që mbanin përpara filloi të latërzyehej boja e shkrimit. Nexhashiu, pas një pike të caktuar vendosi të fliste:
Vallahi, këto nuk dallojnë aspak nga ato që tha Isai, madje ngjasojnë aq shumë, saqë e kupton menjëherë se ato janë pjesë e së njëjtës dritë. Të gjitha sa thatë deri tani, janë të vërteta. Edhe ju, edhe Profeti juaj Besnik thotë të drejtën.
Pastaj u kthye nga dy të ardhurit nga Meka, dhe u tha këto fjalë:
Hajde, ikni edhe ju andej nga keni ardhur. Vallahi që nuk kam kurrsesi për t’jua dorëzuar.
Mekasit e ardhur aty u shokuan tërësisht. Patjetër që bashkë me ta, ishin bërë si të goditur,e dhe priftërinjtë dhe murgjit e ftuar. Nga mungesa e një alternative tjetër, ata ulën kokat. Vetëm se nuk dukej se do të mjaftoheshin me aq. Nuk ishte e vështirë për të gjetur edhe shumë të tjerë që do të ishin po aq të pakënaqur sa edhe ata. Amr ibni Asi, që e ndjeu këtë atmosferë, u kthye nga shokët e tij, dhe i tha:
Ju betohem për Zotin, se nesër kam për të gjetur disa argumente të atilla, që kam për t’i shkatërruar fare.
S’ka nevojë. Ata megjithëse na kanë mohuar neve dhe vlerat tona, prapëseprapë janë kushërinjtë tanë, - iu përgjigj Abdullahu që e kishte kuptuar tërësej çështjen. Folën edhe pak ndër vedi, dhe vendosën, që ditën tjetër, të dilnin edhe njëherë përpara mbretit.
Ditën tjetër në mëngjes filloi edhe njëherë po e njëjta ceremoni, dhe dy mëkëmbësit e parisë mekase dolën përpara mbretit.
O mbret! Ne nuk kemi dyshim se ata mendojnë keq për Isanë, të birin e Merjemes, - thanë ata.
Një dyshim më tepër i hedhur në tryezë, për ta do të thoshte një shpresë më shumë. Isai (a.s.), për ta, do të thoshte gjithçka. Për një çast, mendjet e tyre u mbërthyen nga pyetje të panumërta. Vallë ç’kishin thënë për Isanë e bekuar? Çështja duhet të qartësohej edhe njëherë para të gjithëve. Një informatë e këtillë, e cila i përfshinte brenda të gjithë, e bënte të domosdoshme praninë e të gjithëve. Andaj, Nexhashiu, vendosi t’i ftonte edhe njëherë pranë vetes myslimanët.
Çfarë thoni ju për Isanë, të birin e Merjemes? - i pyeti ai.
Përgjigja i ngelte sërish Xhafer ibni Ebi Talibit për ta dhënë.
Unë po të përgjigjem me ato që na ka thënë i Dërguari i Allahut. Padyshim që Ai është robi dhe i Dërguari i Allahut. Isai ishte një fjalë prej vetë shpirtit të Merjemes të ndershme dhe që e kishte shumë mirë të ngulitur ndjenjën e drojës.
Zaten kjo ishte edhe përgjigja që priste Nexhashiu. U çua nga vendi tërë emocion, mori në dorë një bastun dhe me të vizatoi një vijë të drejtë mbi dhe. “Ndryshimi ynë mes njëri-tjetrit është aq inekzistent sa kjo vijë që vizatova unë”, tha ai.
Disa nga priftërinjtë e pranishëm, të cilët i dëgjuan mirë fjalët e të afërmve të tyre, filluan të murmurisnin, duke shprehur kësisoj pakënaqësitë e tyre. Megjithatë, Nexhashiu u kthye nga Xhafer ibni Ebi Talibi dhe shokët e tij, duke i thënë këto fjalë:
Ju betohem për Zotin, se ju do të jeni të mbrojtur prej së keqes së këtyre njerëzve posaçërisht në vendin tim. Kush ju gjykon juve, ka për të më pasur mua si kundërshtar. Ju betohem, se nuk do të doja që t’ju dhimbte as koka, nëse në këmbim do të më jepnin malet me flori.
Një të thënë këto fjalë, Nexhashiu u kthye nga vezirët e tij. Dukej që do të thoshte edhe diçka të fundit. I zhytur në ndjenjat e pastrimit, ai u tha atyre se nuk mund të merrte asnjë vendim të drejtë, për aq kohë që aty gjendeshin këta njerëz.
Jepuani me vete edhe dhuratat që prunë, sepse nuk kam nevojë për asgjë të tyren. Sepse Zoti kur ma dha gjithë këtë mbretëri, nuk më kërkoi ndofarë rryshfeti, që të ngrihem e të marr unë tani prej tyre.
Kjo ishte një thyerje e madhe në emër të kurejshëve. Gjendja e rraskapitur kishte filluar t’i shfaqej edhe në mënyrën se si ecnin. Çfarë kishin pritur, e me çfarë po përballeshin saora.
Këndej e tutje, Etiopia për myslimanët ishte një vend ku mund të faleshe rehat, të lexoje Kuran sa të doje, dhe të mund t’i ndaje me të tjerët pasuritë e Kuranit. Madje, pas njëfarë kohe në shtetin e Nexhashiut u krye një masakër, e cila do t’i fuste myslimanët në telashe. Por prapëseprapë ishte Nexhashiu ai që e mori nën kontroll mbretërinë, kështu që nuk ngeli asgjë për t’u shqetësuar. Ata e mbështesnin jo vetëm materialisht, por edhe shpirtërisht me anë të lutjeve të tyre të herëpasherëshme. Muhaxhirët e Etiopisë nuk përmbaheshin dot nga hareja kur morën vesh se ishte sërish Nexhashiu ai që kishte triumfuar. Ata nuk dinin se si ta falënderonin Allahun, ashtu siç Ai e meritonte.
Mrekullia e ndarjes së hënës
Nga ana tjetër, mekasit bënin ç’të ishte e mundur që ta shqetësonin Resulullahun (s.a.s.). Një ditë, të parët e Mekës u mblodhën në kodrën e Minës, dhe po i kërkonin të Dërguarit të Allahut një tjetër mrekulli që t’i besonin. Madje, kësaj here kishin mbërritur deri atje sa edhe e kishin përshkruar vetë mrekullonë që donin të shihnin. Nëse arrinte ta bënte, atëherë do t’i besonin. I Dërguari i Allahut, që, megjithëse e dinte mirë se ata prapë nuk do të besonin, por që njëkohësisht e dëshironte shumë besimin e tyre, filloi të shpresonte me të vërtetë tek fjala e tyre.
Po, nëse arrin ta ndash hënën në mes, atëherë ne do të të besojmë, - i thanë ata.
Profeti ynë i dashur e ngriti gishtin e Tij tregues në drejtim të hënës, dhe duke treguar hënën filloi ta ulte poshtë. Sakaq ajo që pritej ndodhi, hëna tashmë u nda më dysh. Aq sa njëra pjesë rrinte mbi malin e Ebu Kubejsit, e tjetra mbi majën e malit të Kuajkëanit. Me ta realizuar mrekullinë, i Dërguari i Allahut u kthye nga kurejshët, të cilët ishin kapluar nga një habi e madhe. Si ishte e mundur, që hëna aq e largme, të ndahej në dy pjesë vetëm me një të lëvizur të dorës, e pastaj të kthehej prapë në gjendjen e mëparshme? Mbi të gjitha, ata dhanë edhe fjalën. Që nuk kishin për të besuar, kjo dihej, por nuk dinin si të dilnin nga situata edhe kësaj here. Nga mesi i tyre doli një i atillë, të cilët ishin të shumtë, që ishin të aftë t’ia hidhnin edhe vetë djallit, dhe tha:
Kjo është veçse një magji e Ibni Ebi Kebshes. Ai ju hodhi hi syve. Pa pyetini njerëzit që kanë qenë duke kaluar andejmi! Nëse e kanë parë edhe ata atë që pamë ne, atëherë Muhamedi thotë të vërtetën.
Ama, nëse nuk i ka parë asnjeri, atëherë ta dini se Muhamedi ju ka bërë magji.
Të paktën kjo ishte një rrugëdalje e çastit. Hapën lajm në të katër anët, dhe ia pyetën ngjarjen çdokujt që rastisnin në rrugë. Përgjigja që merrnin nuk ishte aspak ashtu siç e parapëlqenin mekasit. Të gjithë dëshmonin se ishin përballur me një ndodhi të pagjasë. Ishte ndarë hëna më dysh, secila prej syresh rrinte mbi majën e një mali, derisa u kthye sërish në gjendjen e saj të mëparshme. Çdo portë po u mbyllej përpara syve. Ajo që e kishin parë me sytë e tyre, tanimë mohohej edhe pse po u dëshmohej edhe prej të tjerëve. Pas ngelte vetëm një alternativë e mundshme. Të shtrëngoheshin fort pas shpifjeve të mëparshme, duke vazhduar të ishin të flijuarit e inatit të tyre.
Kjo nuk është asgjë tjetër veç magjisë së Ibni Ebi Kebshes.
Nuk mund të fshihej dielli me shoshë. Ai që mbyllte sytë, vetëm sa i bënte errësirë vetes. Pa kaluar shumë kohë, erdhi prapë Xhebraili fjalëdrejtë, i cili solli ajetet që do të vulosnin të vërtetën e së vërtetës:
Ora e fundit afroi dhe hëna u nda më dysh. Mirëpo ata idhujtarë edhe po të shohin ndonjë mrekulli, prapë kthejnë shpinën, duke ngulur këmbë se “ajo është veçse një magji”.
Shënimet
- 115.Dhumer, 39/10
- 116.Taberi, Tarih, 1/547
- 117.Muslim, Sahih, 2/631
- 118.Taberi, Tarih, 1/547
- 119.Hakim, Mustedrek, 4/50; Ibni Sad, Tabakat, 1/203 e më tej; Taberi, Tarih, 2/222
- 120.Fussilet, 39/26
- 121.Ka edhe disa transmetime, të cilat e paraqesin sikur kanë qenë njëqind e dy vetë, prej të cilëve, nëntëmbëdhjetë kanë qenë gra. Shih: Ibni Sad, Tabakat, 1/207
- 122.Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/83-84
- 123.Ibni Hisham, Sire, 2/167 e më tej; Ibni Sad, Tabakat, 1/207 e më tej; Isfehani, Delail, 100 e më tej; Gjithashtu shih: Hakim, Mustedrek, 2/329
- 124.Taberi, Tefsir, 11/543
- 125.Kamer, 54/1-2