ORVATJET PËR TË BINDUR EBU TALIBIN
Kurejshët nuk dinin të ngopur, e si e panë se lojërat e tyre filluan të mos ecnin, vendosën të trokisnin sërish në portën e Ebu Talibit.
Shiko, o Ebu Talib, ne e dimë se ti je më i madhi ndër ne, si moshë dhe si përvojë e jetës; ti je më i nderuari ndër të gjithë ne. Patëm ardhur edhe herë të tjera të të tregojmë për paturpësitë që nipi yt është duke bërë, mirëpo ti nuk na dëgjove. Por dije se fyerjet që po bëhen, fjalët e hedhura mbi zotat tanë dhe akuzimi i të parëve tanë si të devijuar, po na i sos durimin. Kur ke ndërmend ta pengosh këtë gjëmë? Nëse do, na e lër neve, dhe ta zgjidhim sa më parë, pa u shkatërruar ndonjëri nga ne më parë! - i thanë ata.
Edhe Ebu Talibi u mërzit shumë nga vizitat dhe fjalët e shumta të mekasve, andaj lëshoi fjalë t’ia thërrisnin pranë nipin e tij, Muhamed Fjalëdrejtin Paqja qoftë mbi Të.
O djali i tim vëllai! - iu drejtua ai, dhe filloi t’i tregojë për ato çfarë i kishin thënë kurejshët. - Të lutem të mendosh si për veten ashtu edhe për mua; mos më ngarko mua me një barrë, të cilën nuk do ta mbaj dot! - shtoi ai.
Resulullahu (s.a.s.) u trondit nga këto fjalë të Ebu Talibit, saqë për një moment filloi të mendojë mos vallë xhaxhai kishte ndërruar mendje, ndoshta ishte lodhur së mbrojturi, dhe këndej e tutje do ta linte të vetëm. Zemra iu copëtua, dukej që në thellësitë e shpirtit të Tij kishin filluar furtuna lotësh. Ndoshta ishte Allahu (xh.xh.) që nuk donte t’i linte tjetër portë shpëtimi pos Vetes.
O xhaxhai im, të betohem për Allahun, se edhe nëse hënën në njërën dorë, dhe diellin në dorën tjetër të më japin, unë nuk heq dorë prej kësaj çështjeje! Kam për të qëndruar gjithnjë i palëkundur, e asgjë e kësaj bote nuk do të ma ndryshojë dot mendjen.
Ishte prekur Krenaria e Njerëzimit... Teksa çohej për t’u ngritur, nga cepat e syve kishin filluar t’i rridhnin lotë, ndërsa nga brenda kishte kohë që qante. Mirëpo, kishte folur aq me ndjenjë, saqë dukej gjithandej vendosmëria e Tij në këtë kauzë. Ky reagim i të nipit, e preku tejmase Ebu Talibin. Ai ishte amaneti i babait të tij, Abdulmutalibit, jetimi i vëlla Abdullahut... Si mund ta linte ai të binte pre e atyre ujqërve të uritur?
Eja, o djali i vëllait, eja, - e thirri ai pranë vetes. Në çehre shfaqej një ton përqafues. Profeti i Trishtuar u drejtua nga i ungji, duke fshirë ato dy riga lot që i ishin lëshuar, ashtu pa i kontrolluar dot. Ngjante sikur sytë e kuptonin çdo gjë më parë se gjuha.
Shko në shtëpinë tënde! Shko dhe bëj si të të dojë zemra! Sepse unë, të betohem që nuk kam për të të lënë kurrë në duart e tyre!
E përcolli edhe me poezi madje, duke ia përforcuar bindjen se ai nuk do t’ia ndërpriste mbështetjen deri në fund të jetës së tij.
Mekasit, të cilët e panë se as Ebu Talibi nuk e kishte ndërmend ta bindte të nipin, madje tek e panë se ai ishte i vendosur, kësajhere ndryshuan mënyrë veprimi, andaj vendosën të shkonin edhe njëherë pranë Ebu Talibit. Me vete morën edhe një djalë tejet të pashëm dhe të fortë.
O Ebu Talib, ja, ky është Umra bin Velidi. Djaloshi më i pashëm dhe i fortë i Kurejshit. Le të bëhet ky djalë ndihmësi yt; mbaje, bëje djalë tëndin, ndërsa neve na jep atë nipin tënd, që guxon të ndërrojë fenë e të parëve tanë, që kundërshton çdo gjë që themi ne, e ta vrasim. Meqë edhe sipas zakoneve tona, një njeri kundrejt një njeriu; ja, le të jetë ky riosh bedel për të.
Ç’kërkesë e fëlliqur dhe e frikshme që ishte kjo! Nga njëra anë qëndronte Profeti i shumëpritur për shekuj nga njerëzimi, e nga ana tjetër një njeri që dallonte vetëm për pamjen e tij të jashtme. E si mund të bëhej fjalë që ky djalë të zinte vendin e Tij! Prandaj, edhe përgjigja e Ebu Talibit ishte e palëkundur:
Vallahi, ju jeni duke më bërë një kërkesë të fëlliqur! E shihni këtë djalë si të veçantë, e më kërkoni që ta marr në shtëpinë time, për t’ju dhënë juve që ta vrisni, Atë që e kam si ta kisha djalin tim, Muhamedin. As që ka për të ndodhur asnjëherë, nuk mund t’i mbyll sytë karshi një gjëje kaq të frikshme, - iu përgjigj ai.
Mut’im ibni Adiji, i cili e pa se Ebu Talibi sërish nuk do ta bënte atë që po i kërkohej, u hodh si me përvjelje:
Të betohem, o Ebu Talib, që populli ynë ty të deshi e të respektoi përherë, këtë duhet ta kesh parë dhe nga sjelljet që kanë treguar karshi teje. Ata asnjëherë nuk kanë vepruar asisoj që të të mërzisin.
Vetëm se po shoh që ti nuk u thua po asnjë prej kërkesave të tyre!
E çuditshme, tanimë kishin mbërritur deri aty sa kërkonin edhe vrasjen e Profetit të Mbramë të Njerëzimit, dhe kur bëhej fjalë për një “jo!” nga ana e Ebu Talibit, ata hidheshin përpjetë e pretendonin se kjo ishte një moskeqardhje nga ana e xhaxhait të palëkundur. Nuk mund të bëhej fjalë për paturpësi më të madhe, prandaj edhe përgjigjja duhej dhënë siç e meritonin.
- Ju betohem në Zot, se ju nuk jeni treguar asnjëherë keqardhës deri më tani! Ja, ti, a sheh veten se ç’je duke më kërkuar? Më kërkon që të bëhem i pashpirt, e t’u lejoj të tjerëve të bëjnë ç’të duan me familjen time! Provoje të bësh ç’të të vijë nëpërmend!
Kjo e folur nuk ishte veçse nxjerrja plotësisht e shpatave, të cilat kishin dalë pothuajse gjysëm nga milli i tyre. Armiqësia që deri më sot ishte shfaqur individualisht, tanimë do të zgjerohej në grupe më të gjera, për t’u përhapur në të tërë Mekën. Nuk ishte vetëm Resulullahu Paqja qoftë mbi Të synimi i tyre kryesor në këto plane prej shtrigash; të gjithë i quajnë armiq, mjafton që nga një familje të ketë dalë një person që ka zgjedhur dhe është lidhur pas Islamit. Atyre ishte filluar t’i hapej luftë haptas. Kishin filluar sërish të përdornin të gjitha metodat, nga më çnjerëzoret, për t’i bindur myslimanët që të hiqnin dorë prej fesë së tyre.
Ebu Talibi, që jo për keqardhje që nuk bëhej më fjalë, por tani po veprohej madje pa u përdorur fare mendja, vendosi të organizonte një mbledhje me vëllezërit të tij, për të bërë diçka që të mbronin nipërit e tyre. Mirëpo, ndërsa të gjithë bijtë e Abdulmutalibit dhe Hashimit vendosën të takoheshin me të, vëllai i tij, Ebu Lehebi, e shprehu qartazi pozicionin kundër nipit të tij, duke e refuzuar atë ftesë. Nuk kishte kulm të gëzimit të Ebu Talibit meqë kishte arritur të merrte dhe fjalën e mbrojtjes nga familjarët e tij të tjerë; ai vendosi t’i përshëndoshte ata me poezi në shenjë falënderimi, që u mblodhën edhe njëherë rreth trungut familjar, duke i hedhur lavde edhe nipit të tij, Muhamedit, me qëllimin që Ai të mos ngelej i përbuzur në sytë e askujt të pranishëm në atë besëtari.
Trysni ushtrohej edhe karshi dhëndurëve
Kurejshi po vepronte aq tinëzisht, saqë nuk ishte vetëm Profeti i profetëve Paqja qoftë mbi Të ai që do të torturonin, por edhe së shoqes, nënës sonë, Hatixhes së nderuar vendosën që t’i gjenin rrugët si ta hidhëronin. Ata vendosën që t’i shtynin djemtë që ishin martuar me tri vajzat e Profetit Muhamed (s.a.s.) dhe Hatixhes së nderuar, t’i ndanin ato. Ata madje u premtonin atyre, se nëse hiqnin dorë prej vajzave të Profetit, do t’u jepnin atyre kë vajza të donin. Dy prej vajzave, Rukija dhe Umu Kulthumi, ishin të martuar me dy djemtë e Ebu Lehebit, Utben dhe Utejben. As Utbja dhe as Utejbja nuk ishin nga ata që mund të qëndronin përballë premtimeve të këtilla, andaj me të dëgjuar se do t’i martonin me ato vajza që dëshironin, u ndanë menjëherë prej vajzave të Profetit Paqja qoftë mbi Të. Rukija dhe Umu Kulthumi... Këto çerdhe të rrëzuara, një tjetër shkak që Profeti i Njerëzimit dhe Hatixhja e bekuar të ndjenin akoma më shumë trishtim.
Ndërsa për një baba dhe një nënë në kushte normale, ishte hidhërim i madh edhe ndarja e vetëm njërit prej fëmijëve, këtyre po u ndaheshin dy njëkohësisht. Kur, në fakt nuk kishte kurrfarë shkaku pse të bëhej diçka e tillë. Arsyeja e vetme që u tregohej ishte se ishin të bijat e të Dërguarit të Allahut.
Vetëm Ebu Asi, bashkëshorti i nënës sonë, Zejnebes, nuk ishte ndikuar prej propagandës së kurejshëve, e nuk hoqi dorë prej saj. Sepse ai ishte aq i ndershëm e aq krenar sa t’i merrte vetë vendimet e jetës së tij. Kishte aq sedër sa të mos linte askënd tjetër të fuste hundët në punët e familjes. Nëse kishte ndonjë gjë për të vendosur, ai ishte i bindur se duhet ta bënte vet, nuk kishte pse të dëgjonte vullnetet e të tjerëve përpara vullnetit të vet. Në familjen e tij ishte ngritur një çerdhe lumturore, kështu që kurrsesi nuk mund të bënte diçka të këtillë. Ishte një familje mëse e lumtur, lumturia e së cilës nuk ndikohej fare nga mendimet që kishte e shoqja. Madje, këto mendime të arta të së shoqesh e shtonin akoma edhe më shumë rehatinë shpirtërore të familjes. Prandaj, ai zgjodhi që më e mira e të mirave do të ishte të mbyllte veshët ndaj këtyre broçkullave të pakuptimta.
Asgjë nuk arrihet pa u lodhur
Në anën tjetër, Kurani mundohej të pastronte mendimet e njerëzve në këtë tollovi mendimesh nga më të shumëllojshmet, porse të gabuara. Ai u sillte atyre mendimin e drejtë mbi të gjitha temat që ata diskutonin gjatë ditës.
Sepse, si çdo herë në historinë e njerëzimit, përfaqësuesit e mohimit e shihnin veten të ndryshëm, duke u dhënë vetes një të drejtë përbuzjeje karshi besimtarëve. Ajejet zbrisnin, jepnin shembuj nga profetët e mëparshëm, duke u treguar mënyrën e tyre të të jetuarit, dhe me këtë rast i këshillonin myslimanët që “të bënin durim”. Teksa një ajet përshkruante me detaje vështirësitë e kaluara prej profetit Nuh alejhi selam, duke treguar fjalët që i ishin thënë profetit Nuh prej mosbesimtarëve, u jepte atyre një mesazh.
Sipas nesh, ti nuk ke asnjë ndryshim me ne! I njëjtë je! Lëre që, ata që të ndjekin ty janë shtresa më e ulët në mesin tonë. E gjitha kjo i thuhej atij para syve. Prandaj, ne nuk mendojmë se ju mund të keni diçka më tepër se ne, madje mendojmë se ju jeni veçse disa gënjeshtarë.
Kjo ishte një sjellje aspak e hijshme, e cila arrinte deri atje, sa e shihte lumturinë shpirtërore tek përzënia e disa të varfërve nga mesi i shoqërisë. E njëjta situatë po ndodhte, vetëm se kishte ndryshuar dimensione; po mundohej që të arrihej diçka e vyer pa u munduar aspak.
Idhujtarët e Mekës vinin herë pas here për të dëgjuar fjalët e Profetit Muhamed (s.a.s.) dhe ajetet kuranore, por më tepër me qëllimin për të kuptuar se si funksiononte ky mekanizëm, i cili ngelej prapëseprapë i pakuptueshëm nga ana e tyre. Ata nuk synonin kurrsesi se do të fitonin diçka nga besimi, qëllimi ishte si të mbaheshin më fort pas mohimit që u kishte verbuar sytë. Ato çfarë dëgjonin nuk kishin kurrfarë kuptimi për ta, ndaj ata, me t’u larguar nga mexhlisi vazhdonin me sjelljet e tyre përtallëse. Sepse, lëre që mendonin se ishin ata që besonin me të vërtetë te Zoti, por si çdo sjellje të tyren mundoheshin ta fusnin brenda një kornize të së drejtës.
Nëse edhe këta do të shkojnë në Xhenet, atëherë padyshim, që vendi ynë atje ka për të qenë më i madh dhe më i bukur, - thoshin ata. Kësisoj e vendosnin veten e tyre në parajsë që prej këtu, por derisa fjalët e Xhebrailit alejhi selam t’ua fiknin këto shpresa:
Ç’u ka ndodhur kështu këtyre mosbesimtarëve, që bredhin sa majtas sa djathtas, e që zgjaten ashtu për të të dëgjuar, me demek se duan të tallen! Mos u ka hipur në kokë se do të shijojnë Xhenetin e Bekuar pa besuar? As të mos u shkojë nëpërmend! Sepse, asnjë njeri nuk ka të drejtë të krenohet përpara një tjetri! Sepse Ne, i krijuam ata, si gjithë njerëzit e tjerë, nga një droçkë e pistë uji!
Fqinjë të këqinj dhe kërcënues
Një tjetër pasqyrim i Kaderit ishte se këta që e kundërshtonin më ethshëm, e që ia donin të keqen, ishin pikërisht fqinjët e tij më të afërt. Zaten, shtëpia e Ebu Lehebit ishte ngjitur me atë të Të Dërguarit të Allahut Paqja qoftë mbi Të. Megjithëse edhe ata që nuk e kishin shtëpinë ngjitur nuk ishin shumë ndryshe: Hakem bin Ebi’l As, Ukbe bin Ebi Muajt, Adij bin Hamra dhe Ibnu Esda Huzeliu, ishin njerëz që ndjenin një urrejtje po aq të keqe sa ajo e Ebu Lehebit, të cilët kërkonin çdo cep mundësie, si e si ta mërzisnin sa më tepër Mëshirën
e Botëve (s.a.s.)
Një ditë prej ditësh, teksa i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po falte namaz, i hodhi përsipër pisllëqe nga të deleve; ndërsa dikush tjetër, i mori ato dhe ia hidhte brenda enës së ujit nga Ai merrte abdes. Derisa situata u rëndua aq shumë, sa Profeti i Njerëzimit ndërtoi një mur që e ndante shtëpinë e Tij nga të tjerët. Një ditë tjetër, Ai e mori pisllëkun që i patën hedhur përkëndej murit, e nxori me majën e një shkopi, duke i thënë: - Ç’është kjo fqinjëri, o bijtë e Abdimenafit.
Ukbe bin Ebi Muajt, mendohej si të gjente diçka më të rëndë, madje një mbrëmje shkoi në shtëpinë e Ebu Xhehlit, që të merrej vesh me të për të gjetur një mënyrë me të cilën të mund të fyenin më Të Mirin në mesin e njerëzve Paqja qoftë mbi Të. Ata dolën një ditë dhe pyesnin, se kush donte t’i hidhte një plëndës deveje mbi krye, teksa Muhamedi i Nderuar do të ishte duke u falur!
Në këmbë u çua më i ndyri ndër ta, i cili nuk ishte ndokush i panjohur, pos vetë Ukbes. E prunë plëndësin aty, dhe prisnin kohën kur Më i Dashuri ndër njerëz të niste adhurimin. Me të filluar Ai namazin, u afruan e ia lëshuan mes dy shpatullave ndyrësinë. Kjo është vetëm një tablo nga fqinjëria që ata po tregonin ndaj Fqinjit më të Sigurt.
Në njërën anë qëndronin Ukbja me miqtë e tij, të cilët po rrekeshin të nxirrnin kënaqësinë më të mundshme; nga njëra anë fërkonin barqet e rëna, nga ana tjetër lëshonin gajasje të frikshme. Aq shumë patën qeshur atë ditë, sa mbaheshin fort pas njëri-tjetrit që të mos rrëzoheshin.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk i ngriti kryet për një kohë të gjatë. E bija e Tij, Fatimja e nderuar, ishte dëshmitare e të gjitha sa kishin ndodhur. Shkoi menjëherë tek i Ati, e pastronte, e nga ana tjetër lëshonte ulërima ndaj atyre të pafytyrëve që bënë diçka të këtillë. Ai ishte robi më i dashur për Allahun e Madhërishëm; mjaftonte që Ai të dëshironte, dhe Allahu i bënte ata njësh me tokën; mjaftonte një fjalë e tij, dhe i priste menjëherë porta e Xhehenemit. Por ç’e do, Ai Shembull i Urtësisë nuk u largua asnjëherë prej rrugës së mëshirës. Kishte një besim të fortë, se në mos sot, do të vinte një ditë që do të kuptonin. Megjithatë, dukej se kjo e fundit e kishte prekur jashtë mase; s’ishte gjë e lehtë. Bashkë me kokën, ngriti edhe duart të hapura e të drejtuara kah qielli:
- O Zot, po ta le ty Kurejshin, nuk kam se ç’të bëj me ta!
Aq shumë ishte prekur, sa e përsëriti tri herë këtë lutje. Mandej filloi t’i përmendte me emra, një e nga një... – O Zot, po t’i le Ty Ebu Xhehlin, Utbe bin Ebi Rebian, Shejbe bin Ebi Rebian, Velid ibni Utben, Umeje bin Halefin, Ukbe bin Ebi Muajtin; Vetëm Ti mund t’ua tregosh atyre të drejtën, o Zot!
Lutja ishte aq e sinqertë dhe e përshpirtshme, saqë lënia vetëm për vetëm me Allahun, i pati trembur paq. Sepse e dinin, që lutjet që bëheshin në këtë vend të bekuar, pranoheshin, e kështu mund t’u ndodhte ndonjë gjë e papritur. Sidomos kur lutjen e bënte një njeri rob i dashur për Allahun!
Ebu Xhehli, ishte ndoshta më profesionisti në të bërit rolin e armikut; ndonjëherë, vinte pranë të Dërguarit të Allahut Paqja qoftë mbi Të, e e dëgjonte teksa këndonte ajetet kuranore; mandej shkonte pranë miqve të tij, për t’i kthyer ajetet në objekt loje dhe talljesh. Ky njeri e kishte kthyer në profesion talljen me të Dashurit Fisnik të Zotit (s.a.s.), dhe talljet i shihte si diçka me të cilat mund të krenohej që i kishte; kjo ndjesi i kapardisej më tepër kur shihte entuziazmin dhe duartrokitjet e të tjerëve.
Që kur e pa për herë të parë teksa falte namaz, përpiqej gjithsaherë për ta penguar; donte medoemos ta pengonte në këtë adhurim që donte të thoshte afrim me Zotin, Krijues të Gjithësisë.
A ulet dhe pranë jush Muhamedi, duke ulur kokën në tokë? - i pyeti ai shokët e tij.
Po, - iu përgjigjën ata.
Ju betohem për Latin dhe Uzën, se nëse e shoh edhe njëherë duke vepruar ashtu, do t’i hidhem sipër e do t’ia shtyp kokën me gur, - u betua ai. A keni dëgjuar të ketë çmenduria rregulla? I ishte tiposur kështu, dhe kaq.
O popull i Kurejshit, siç e shihni të gjithë, Muhamedi këmbëngul në fyerjet e tij karshi fesë së paraardhësve tanë, madje duke na akuzuar neve si të pafe. Na shan zotat, e na fyen të parët tanë. Ja ku ju betohem; nesër do të shkoj pranë tij me një gur të madh në dorë, e në çastin që do të fillojë të ulet në sexhde, do ta godas, e kështu kjo e keqe do të na largohet. Pasi ta kem bërë këtë, bëni si të doni, ndaç më ndaloni, ndaç godisni edhe ju! Le të përpiqen të bëjnë ç’të dëshirojnë bijtë e Abdimenafit, nuk më intereson! – fliste Ebu Xhehli i shfytyruar, sikur fjalët të kishin një efekt të tillë.
Kjo, me kushtet e jetës shoqërore të asaj kohe, quhej shkurt e shqip “çmenduri”. Pas një veprimi të tillë, fillonin luftëra gjaqesh në mes fiseve, ku mund të vdisnin me mijëra njerëz. Kujtimi i luftërave famëkëqija të Fixharit ishte ende i freskët.
Edhe ne të betohemi, se nuk kemi për të të ndihmuar, bëj ç’të duash. Pasandaj, edhe Ebu Xhehli, akoma edhe më i xhindosur, u largua prej andej.
Ditën tjetër, Ebu Xhehli kishte marrë në dorë një gur të madh, njësoj siç ishte betuar një ditë më parë, e po vinte në drejtim të Qabes. U ul diku aty, e filloi të priste.
Profeti i Njerëzimit mbarë Paqja qoftë mbi Të erdhi, si çdo ditë, pa e kuptuar se ç’mund të kishte ndodhur, erdhi për të kryer adhurimet e Tij të përditshme. Rretheqark qëndronin të gjithë ata që e kishin dëgjuar premtimin e Ebu Xhehlit, të cilët po prisnin të shihnin se çfarë do të bënte ai.
Ebu Xhehli po rrinte e po priste çastin e duhur për të kryer veprimin e premtuar. U çua, e filloi të ecte në drejtim të Profetit tonë të Dashur (Paqja qoftë mbi Të), por çuditërisht, e atëherë kur askush nuk po priste diçka të këtillë, ai u kthye duke rendur për andej nga kishte ardhur me gurin në dorë, të cilin mundohej ta fshihte mirë, sikur të mos donte që t’ia shihte ndokush. E hodhi gurin diku andej, në një cep, ndërsa në fytyrë nuk i kishte ngelur pikë ngjyre. Të gjithë po e ndiqnin me kujdes; por nuk po shihnin kurrfarë shkaku që Ebu Xhehli të bënte një veprim të atillë. Sepse, edhe Profeti Muhamed, nuk e kishte prishur fare faljen, e për më tepër nuk kishte bërë asnjë lëvizje të çuditshme, dukej që ishte plotësisht i përqendruar në namaz. Për të kuptuar më mirë dimensionet e kësaj ndodhie, njerëzit filluan të shkonin e ta pyesnin Ebu Xhehlin se ç’i kishte ndodhur që nuk e kishte mbajtur fjalën.
Ç’po të ndodh kështu o Eba Hakem? Pse ike ashtu me vrap? – e pyetën ata Ebu Xhehlin e çmeritur.
Përgjigjja që ai dha, tregonte një pendesë të thellë për veprimin e pakmëparshëm.
Në çastin që po afrohesha të veproja ashtu siç jua premtova, përpara syve m’u shfaq një deve. Nuk kam parë asnjëherë një deve aq të madhe, e cila turrej drejt meje me thonj të nxjerrë që mezi prisnin të më godisnin; nëse nuk ikja ashtu me vrap, kam frikë se do të më hante të tërin.
Ata pyetën edhe të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) për ta kuptuar më mirë se ç’kishte ndodhur, e ai iu përgjigj me këto fjalë:
Ai ishte Xhebraili (a.s.); po të ishte afruar edhe një grimë, do ta kishte shkatërruar plotësisht Ebu Xhehlin.
Shënimet
- 74.Ibni Is’hak, sire, 2/135
- 75.Ibni Hisham, sire, 2/101
- 76.Ibni Hisham, sire, 2/104
- 77.Hud, 11/57
- 78.En’am, 6/52; Kehf, 18/28
- 79.Mearixh, 70/36-9
- 80.Halebi, sire, 1/470
- 81.Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/43; Kadi Ijad, shifa, 1/688