DHE SIHARIQI PËR NGADHËNJIM
Që prej marrëveshjes së Hudejbijes kishin kaluar gjithsej njëzet e dy muaj, dhe nga ana e Mekës nuk ishte vërejtur asnjë sjellje e papëlqyeshme. Ishte muaji Shaban i vitit të tetë pas emigrimit.
Një ditë në mëngjes, pak pasi i Dërguari i Allahut, bashkë me sahabët e Tij kishin falur namazin e sabahut, pranë tyre erdhi Amr ibni Salimi i Huzaajve bashkë me dyzet kalorës të mbërthyer mirë. Filloi të recitonte poezi aty në faltoren profetike, duke i rrëfyer atyre të keqen që u kishte ndodhur, që njëfarësoj të kërkonin ndihmë prej Resulullahut (s.a.s.).
Ai u tha atyre se Beni Kurejshi, Beni Nufase dhe Uetiri ishin mbledhur me njëri-tjetrin dhe i kishin sulmuar gjatë një nate, në tokat e tyre, teksa ata po vazhdonin jetën e tyre të paqtë falë marrëveshjes së Hudejbijes. Ata u kishin vrarë gjithsej njëzet e tri veta, prej të cilëve shumica ishin pleq, gra dhe fëmijë. Në mes të kurejshëve kishin qenë dhe shumë emra të parisë së tyre, si Safuan ibni Umeje, Ikrime ibni Ebi Xhehli, Huvejtib ibni Abdiluza, Shejbe ibni Osmani dhe Mikredh ibni Hafsi.
Dukeshin aq të tërbuar, sepse edhe ata nuk mund ta pranonin dot këtë padrejtësi që u bëhej Huzaajve. Aq u thellua çështja, sa në mesin e tyre filluan të artikuloheshin shprehjet e pakënaqësisë. Të gjithë ata që ndjenin ndopak ekzistencën e ndërgjegjes së vet, do të klithte me të madhe përballë kësaj padrejtësie që po bëhej.
Kurejshi, kur në mëngjes u qartësua se sa i madh ishte gabimi që kishin bërë, filluan të ndjenin pendesë. Sepse kjo do të thoshte fund e krye që ta shkelje me këmbët e tua Marrëveshjen e Hudejbijes. Tanimë çdo gjë kishte marrë fund. Në mendje u vinin çfarëdo rrugëzgjidhjesh, por që ishin larg mendjes.
Nga ana tjetër qëndronte i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të, i Cili pasi i dëgjoi të gjitha ato që iu thanë me vëmendje, tha:
Ne do të të ndihmojmë ty, o Amr!
Këto ishin fjalët që Amri po priste për ta ndjerë veten disi më të qetë. Veçse ishte shumë i mërzitur dhe dukej që nga shikimi se si turfullonte. Profeti ynë, i Cili ishte përpjekur aq shumë për të arritur një paqe në Arabinë e asaj kohe, më shumë për t’u përpjekur për zgjerime të tjera në të katër anët nga kishte njerëz të pashtruar, tani po përballej me veprat e shëmtuara të Kurejshit.
Duhet t’i ndihmoj medoemos ata njerëz, - tha Ai. Nëse ndodh që të mos e ndihmoj fisin e Kabit, atëherë edhe Allahu nuk më ndihmon mua! Betohem për Allahun që ka në dorë veten time, ju betohem që kam për t’i ruajtur ata ashtu siç ruaj veten dhe familjen time.
Këto ishin fjalët që shprehnin fund e krye vendosmërinë e të Dërguarit të Allahut. Mandej thirri pranë vetes një sahab të quajtur Damra, për t’i kërkuar që ta analizonte çështjen edhe nga një tjetër këndvështrim. Damra me të marrë urdhrin e Resulullahut (s.a.s.) shkoi drejt Mekës, për t’u takuar me kurejshët.
Ne po i bëjmë të ditur Atij se ne e kemi shfuqizuar marrëveshjen në mënyrë të ndërsjelltë, duke bërë kësodore që të ishte sërish Kurejshi ana që parapëlqente luftën.
Megjithëse thoshin “Nuk e kemi bërë ne!”, për t’u menduar edhe njëherë më mirë, përbrenda kishte filluar t’i gërryenin mendimet, se si mund të largoheshin prej këtij gabimi me sa më pak humbje. Harith ibni Hishami bashkë me Abdullah ibni Ebi Rebian shkuan te Ebu Sufjani që t’i kërkonin një zgjidhje, por edhe që ta paralajmëronin:
Ky është një gabim që duhet ndrequr. Nëse kjo nuk zgjidhet një orë e më parë, që të arrihet edhe menjëherë paqja, atëherë Muhamedi mund të vijë bashkë me sahabët e Tij e të na shpartallojë kur të dojë.
Ebu Sufjani, i cili po i dëgjonte me vëmendje, filloi të mendohej thellë-thellë.
Për Zotin, kjo punë nuk është as ndonjë punë që unë gjendem i papërfshirë, por as i përfshirë nuk jam, – filloi ai të fliste.
Aty kishin ardhur edhe të parët e kurejshëve. Ai po jetonte sakaq një prej çasteve më të vështira si lider i tyre. U kthye nga kurejshët, me pamjen e një njeriu që nuk ka asnjë zgjidhje për të sugjeruar, u kthye me një ton paralajmërues.
Kjo nuk është vetëm përgjegjësi e imja. Teksa është kryer kjo punë, askush nuk ka denjuar të vijë e të këshillohet me mua, por kjo nuk do të thotë që unë e kam pranuar fjalën e tyre si të vërtetë. Por ju betohem në Zot, se nëse nuk më gënjejnë parandjenjat, Muhamedi ka për të na hapur luftë, e mua më kanë dalë përherë të vërteta parandjenjat. Do të shkojmë të flasim me Muhamedin, që t’i kërkojmë ta rinovojë edhe njëherë marrëveshjen, sepse nuk shoh asnjë zgjidhje tjetër veç saj.
Pendesa filloi të shpërndahej te të gjithë kurejshët. Këta njerëz, që deri dje nuk dinin gjë tjetër veçse t’u bënin si trima të tjerëve, i ulën velat përballë kësaj mundësie për luftë me myslimanët.
Ke të drejtë, për Zotin! – iu përgjigjën të tjerët njëzëri, dhe si përfundim vendosën të shkonin për të folur me Muhamedin që ta zgjaste edhe njëherë marrëveshjen. Pa kaluar shumë kohë, Ebu Sufjani i mori ushtarët e tij, dhe u nis në drejtim të Medinës.
Nga ana tjetër, i Dërguari i Allahut po i fliste sahabëve të Tij në Medinë.
Ebu Sufjani bashkë me shokë sapo janë nisur për ta rinovuar edhe njëherë marrëveshjen që kanë me ne. Vetëm se do të kthehet duarbosh, pa kurrfarë zgjidhjeje.
Kësodore, Ai po i ndante me të tjerët të gjitha ç’po ndodhnin ndërkohë në qytetin e Mekës. Pika ku kishin ardhur ishte serioze. Çdo lajm që mund t’i shkonte palës tjetër, përbënte informacionin më të nevojshëm. Ja tek ishin lajmet që i Dërguari i Allahut po i jepte sahabëve të Tij.
Ebu Sufjani në Medinë
Ebu Sufjani, i cili kishte pak kohë që ishte nisur, tanimë gjendej në Medinë. Po mundohej ta qetësonte disi gjendjen e formuar, megjithëse do t’i duhej ta vinte veten në një pozicion tejet të vështirë. Mbërriti pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), dhe filloi t’i thoshte këto fjalë:
O Muhamed! Unë nuk kam qenë i pranishëm kur keni bërë marrëveshjen e Hudejbijes. Eja ta shikojmë edhe njëherë atë, madje edhe ta shtyjmë disi më tutje.
Po fliste sikur të mos kishte ndodhur asgjë prej gjëje.
A për këtë ke ardhur, o Ebu Sufjan, - ia ktheu Profeti ynë i dashur.
Po, - iu përgjigj ai.
Se mos keni bërë ndonjë gjë të papëlqyer para se të kërkoni diçka të këtillë? - e pyeti Ai kësaj here, me dëshirën për të nxjerrë në pah të vërtetën e çështjes.
Zot na ruaj! Ne jemi ende të një mendjeje me marrëveshjen që kemi bërë në Hudejbije. As nuke ndryshojmë, e as që bëhet fjalë që ta shkelim!
E dridhte e përdridhte llafin, por nuk thoshte asgjë tjetër veç kësaj fjalie. Sikur nuk ishte ai Ebu Sufjan që kishte folur me mekasit, pastaj kishte dëgjuar dhe folur edhe me Damren e nisur prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), dhe që e dinte çdo gjë me gjithë detajet e saj! Megjithëse e kishin shkelur, tani flisnin sërish për një marrëveshje të Hudejbijes.
- Në fakt jemi ne ata që po i qëndrojmë ende besnikë marrëveshjes së Hudejbijes. As nuk e kemi shkelur, e aq më pak nuk e kemi ndryshuar, – iu përgjigj i Dërguari i Allahut.
Nuk e kishte pëlqyer aspak sjelljen e Ebu Sufjanit, që megjithëse ishin ata që e kishin shkelur marrëveshjen, duke u vërsulur mbi Huzaajt, thoshin çdo herë të njëjtat gjëra. E shihte si të panevojshme që të flisnin më tej për këtë çështje. Për të mos e zgjatur më tej, mendoi se do të ishte më mirë sikur të largohej së andejmi.
Portat po i mbylleshin liderit të fuqishëm të Mekës. Shkoi menjëherë për tek Ebu Bekri i nderuar. Ia tha edhe atij të njëjtat gjëra, që njëfarësoj ta bindte për ato që nuk kishte arritur të bindte të Dërguarin e Allahut. Mirëpo edhe kjo portë ishte e mbyllur. E provoi edhe me shumë të tjerë Ebu Sufjani, me Omerin, me Osmanin, Aliun dhe Sa’d ibni Ubaden, por nuk ia arriti dot qëllimit të menduar.
Tanimë i ngelej veç të kthehej për në Mekë, në atë gjendje, gjysmë i kërrusur se nuk ia kishte arritur dot asaj që kishte menduar. I hipi devesë dhe u nis për rrugë.
Zotërimi i Hajberit dhe Këshillimet me të Dërguarin e Allahut paqja qoftë mbi Të
Pak pasi u pa që Ebu Sufjani po largohej, i Dërguari i Allahut shkoi për tek e shoqja e Tij, Aishja e nderuar (r.a.).
Bëj përgatitjet për rrugë, dhe mbaje të fshehtë këtë fakt,447 – i tha Ai asaj, duke e paralajmëruar që të mos fliste me askënd.
Kjo ishte një çështje shumë serioze, e cila duhej ndjekur me kujdes, që të mos hapte shtigje për probleme të mëtejshme. Do të nisej për në Mekë, në qytetin që i kishte premtuar Allahu, por teksa po nisej nuk donte kurrsesi që të derdhej gjak. Donte që t’u shfaqej përballë me një surprizë, të cilën nuk do të kishin si të mos e pëlqenin. Andaj donte që t’i provonte vetë të gjitha rrugët e nevojshme, duke mos lejuar që ndonjëri syresh të merrte vesh se ç’do të bënte ai. Sepse kjo ishte nga strategjitë më të rëndësishme të luftës. Një lajm i vogël i marrë gjatë luftës ndryshonte krejt rrjedhën e saj, madje e bënte të ndodhur edhe atë që nuk kishte ngjarë. Veçse kësaj here duhej marrë vesh përpara se të futej në Mekë. Prandaj kishte vendosur në çdo hyrje të qytetit njerëz, në krye të të cilëve ishte vendosur Omeri i nderuar. Omeri shëtiste në çdo pikëdezhurni, të cilët i paralajmëronte të mos linin askënd të kalonte pa e marrë më parë vesh qëllimin e tyre të vërtetë. E çdo lajm që arrinte të merrte prej tyre e çonte tek i
Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të.
Nuk harronte, që duke i bërë të gjitha këto punë në një fshehtësi të paparë, t’i lutej Zotëruesit të të gjitha shkaqeve:
O Zot! Mbyllua sytë dhe veshët kurejshëve që të mos e marrin vesh, por të na shohin e dëgjojnë në një çast krej surprizë. Ndihmona ne që të mos na kuptojnë se po u afrohemi, derisa ata të na gjejnë përballë, e të mos kenë çfarë të bëjnë.
I Dërguari i Allahut kishte edhe një tjetër masë për të marrë. Ai, nga mesi i sahabëve të Tij zgjodhi Ebu Kataden, të cilin e ngarkoi me detyrën që të shkojë deri në vendin e quajtur Batni Idham, gjatë rrugës për në Siri. Nëpërmjet këtij veprimi donte që të tjerët të shqetësoheshin mos Ai po e drejtonte ushtrinë andejmi pikërisht për të luftuar, duke dhënë përshtypjen se çdo ide se gjoja Ai i ishe drejtuar Mekës të dukej jo e vërtetë. Nga një tjerë anë, dërgonte kasnecë që të lajmëronin:
- Ata që i kanë besuar Allahut dhe të Dërguarit të Tij ta presin muajin e Ramazanit në qytetin e Medinës.
Tani, të gjithë sahabët, ishin e ku ishin, filluan të mblidheshin në Medinë. Vendi i grumbullimit u caktua pusi i Ebu Inebes, dhe çdokush që vinte, vendosej aty derisa të merrte urdhrin për të lëvizur së andejmi. Ndërkohë, njerëz si Hasan ibni Thabiti entuziazmonin grigjën e sahabëve me poezi e himne të lexuara me zë të lartë.
Lëvizja prej Medinës
Kishin kaluar tetë vjet prej emigrimit, dhe të gjithë myslimanët e deritanishëm filluan të grumbulloheshin në Medinë. Të gjithë, pa përjashtim, sapo dëgjonin urdhrin e Allahut, kapnin armën dhe niseshin në drejtim të Medinës.
Ishte ditë e mërkurë. Ishin ditët e para të muajit të Ramazanit. Natyrisht që të gjithë ishin në agjërim e sipër.
Kush të dëshirojë, mund të vazhdojë ta mbajë agjërimin, ndërsa të tjerët mund edhe ta prishin.
Vetë ishte prej atyre që nuk e prishën. Fillimisht ai vendosi të niste një taborr të përbërë prej dyqind kalorësish si ekspeditë, nën komandën e Zubejir ibni Auamit. Më pas u nisën edhe vetë pasi falën edhe namazin e ikindisë. Bashkë me të ishin edhe turmat e ensarëve dhe muhaxhirëve, bashkë me parinë e çdo fisi. E gjithë ushtria përbëhej prej dhjetëmijë vetash. Ngaqë edhe rruga ishte tejet e gjatë, me vete kishin marrë edhe një sasi kuajsh rezervë. Ndërkohë që po përparonin të hipur mbi deve. Kur u afruan në vendin e quajtur Sulsul, i Dërguari i Allahut i tregoi me dorë një re, e cila ndryshonte prej të tjerave.
Unë e shoh nëpërmjet asaj reje triumfin e Beni Kab’it.
Koha ishte tejet e nxehtë, dhe kur mbërritën në vendin e quajtur Arxh, Profeti ynë vendosi që të freskohej me ujin e freskët që gjendej aty. Kjo ishte rruga e parapëlqyer prej Tij në kohën e emigrimit për në Medinë. Gjatë rrugës, Ai i thirri pranë vetes njëqind prej kalorësve, dhe u kërkoi që të ecnin më përpara. Pa kaluar shumë kohë, kjo qindëshe u ndesh gjatë rrugës me një spiun prej Heuazinit, të cilin e morën dhe shpunë menjëherë për tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Pasi e pyeti, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) mësoi se Heuazinasit ishin duke mbledhur enkas një ushtri kundër Tij.
Neve na mjafton Allahu. Ç’mbështetje e mirë që është Ai.
Thirri pranë vetes Halid ibni Velidin, dhe i kërkoi që ta ndiqte nga pas spiunin, në mënyrë që ai të mos i hapte andej-këndej ato që kishte dëgjuar.
Sa më shumë përparonin gjatë rrugës, aq më shumë shtohej numri i atyre që u bashkohej. Kishte edhe nga ata që vinin për të deklaruar se ishin bërë myslimanë. Ajo që ishte më e çuditshmja, ishte se shumica e sahabëve, as nuk e dinin se kundër kujt ishin nisur për të luftuar. Përpara u shfaqeshin tri alternativa: Kurejshi, Heuazini dhe Thakifi.
Kur mbërritën në vendin e quajtur Kudejd, u takuan me Sulejmin. Aty filloi të shpërndante flamujt që t’u shpërndaheshin të parëve të fiseve. Çdo fis parapëlqente të grupohej ndër vedi, ndërsa si tërësi nuk linin asgjë mangët që të ishin një e tërë. Aq sa në tërë ushtrinë mund të numëroheshin deri në tridhjetë flamuj.
Në Xhuhfe i priste një surprizë. Abasi i nderuar, kishte marrë një ngarkesë të madhe me vete, dhe po vinte për në Medinë. Në fytyrën e të Dërguarit të Allahut filloi të shfaqej buzëqeshja e Tij e bukur.
Fillimisht e nisi ngarkesën e tij për në Medinë, pastaj i tha:
- Ashtu siç profetësia ime është e fundit ndër profetë, edhe migrimi ka për të qenë i fundit i migrimeve.
Koha ishte errur kur erdhën në vendin e quajtur Merru Zehran. Ishte koha e jacisë, kështu që ushtrisë iu dha leje për t’u qetësuar. Vetëm se këtu, i Dërguari i Allahut kishte edhe një tjerë urdhër për të dhënë. Secili syresh do të dilte, e ç’të gjente, copë druri, ta binte aty, në mënyrë që të ndiznin një zjarr të madh. Prapë, në krye të tyre ishte Omeri i nderuar.
Ardhja e Ebu Sufjanit
Kurejshët ende nuk e dinin atë që po ndodhte me palën tjetër. Mendonin gjithsesi se prej tyre do të kërkohej një llogari e mirë, por se qysh e si, nuk ia kishin idenë. Prandaj kishin filluar të ndiheshin të shqetësuar sepse nuk po merrnin kurrfarë lajmi se ç’bëhej me ta. Andaj, si përfundim vendosën që të nisnin Ebu Sufjanin bashkë me Hakim ibni Hizamin që të kontrollonin se ç’po ndodhte në Medinë.
Nëse takoheni me Muhamedin, atëherë kërkoji atyre siguri për ne, – u këshilluan ata.
Të dy shokët që u nisën, njeriu i parë që takuan, ishte Budejl ibni Uerkaja. Donin që ta merrnin edhe atë me vete. Kësodore nisën rrugëtimin për në qytetin e Medinës. Në mbrëmje patën mbërritur në vendin e quajtur Erak, pranë Merru Zehranit, ishin gati të pësonin shok. Përpara kishin një ushtri të gjerë sa një det, e grumbulluar në çadra, dhe në mes tyre ngrihej një zjarr i madh. Me të dëgjuar hingëllimat e kuajve dhe deveve, u frikësuan së tepërmi. Tanimë kishin ardhur në fund të çdo gjëje.
Në anën tjetër, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të i kishte mbledhur pranë vetes disa prej sahabëve, të cilët i urdhëroi që të shkonin në vendin e quajtur Erak, e t’i sillnin Ebu Sufjanin që gjendej atje.
U takuan në një vend krejt të papritur. Në krye të dezhurnëve ishte Omeri i nderuar. Omeri i nderuar rendte vazhdimisht në drejtim të Resulullahut për ta mbajtur të mirinformuar. Kur shkuan tek Ebu Sufjani, ai ishte duke biseduar me dy shokët e tij të tjerë.
Për një çast u gjendën të rrethuar. I prunë pranë Omerit të nderuar. Vetë Omeri ishte duke rendur për tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ishte nisur edhe Abasi. Ai ishte i shqetësuar, se mos Omeri i bënte gjë Ebu Sufjanit, pa i gjetur më parë ndonjëfarë zgjidhjeje. Duheshin përdorur të gjitha rrugët që ai të bëhej mysliman. Edhe zgjidhja e atillë do të ishte. Forca e të Dërguarit të Allahut dhe sahabëve të Tij, duke u krahasuar me sjelljen që po tregonin, do të përbënte shkas për ndryshim brenda Ebu Sufjanit. Këndej e tutje do të ishte një tjetër Ebu Sufjan. Deri tash, për të, të gjitha rrugët ishin qorre. Nuk i ngelej asnjë zgjidhje tjetër veç asaj, kështu që Ebu Sufjani po hidhte hapat drejt një bote të re. Pas diskutimesh të zjarrta, nga buzët e dridhura filluan t’i derdheshin këto fjalë:
Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij!
Ndërkaq mysliman u bënë edhe Hakim ibni Hizami, duke i kërkuar të Dërguarit të Allahut dhe njerëzve të Tij që t’i falnin siguri këndej e tutje. Në mes do të hynte sërish inteligjenca profetike e Profetit, e cila e dinte mirë rëndësinë që kishte nëse do ta mburrnin Ebu Sufjanin, për arritjen e tij. Mbi këtë i Dërguari i Allahut tha:
Kush hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit, është i sigurtë!
Nuk do ta linte vetëm me kaq. I Dërguari i Allahut tha gjithashtu se edhe ata që strehoheshin në shtëpinë e ibni Hizamit, por edhe ata që strehoheshin në Qabe, do të ishin të sigurtë.
Sakaq aty ia behu e keqja. Po mundohej që t’i fuste sa më shumë dyshime Ebu Sufjanit. Për një çast, mendoi sikur ta sulmonte përnjëherë të Dërguarin e Allahut paqja qoftë mbi Të. Por teksa po i rreshtoheshin në mendje këto mendime, nga pas supit e kapi një dorë:
Atëherë Resulullahu të turpëron, e ne prapëseprapë të mundim, – u dëgjua një zë.
Kur u kthye pa se dora nuk ishte e askujt tjetër veç e Të Dërguarit
të Allahut. Po i vinte turp.
Unë dëshmoj se Ti je di Dërguari i Allahut!
Sepse kjo ishte një çështje, të cilën e dinte vetëm ai. Nuk ia kishte thënë askujt, veç po e shkonte ashtu nëpër mend. Atë vetëm Allahu që ishte Njohësi më i mirë i të fshehtës mund ta dinte, i Cili ishte gjithashtu i vetmi që mund t’ia bënte të ditur të Dërguarit të Tij. Andaj tha këto fjalë, me një ton përgjërimi:
Lus Allahun të ma falë, e të më ndihmojë të dal prej kësaj gjendjeje. Deri tani kam pasur shumë dyshime nëse Ti mund të ishe me të vërtetë i Dërguari i Allahut, e mendohesha ashtu ndër vete. Tani u zdhukën të gjitha si me një të fshirë të lapsit. Të betohem, se ajo që më fuste në dyshime, nuk ishte veçse një gënjeshtër e radhës, që më bënte egoja ime.
Patën jetuar aq shumë surpriza njëra pas tjetrës. Kishte aq shumë gjëra që donte t’ia tregonte miqve të tij në Mekë kur të kthehej. Saora kishte ardhur koha për t’u kthyer në Mekë, kështu që vendosën të kërkonin leje për t’u larguar. Mori edhe Hakim ibni Hizamin, dhe sakaq u larguan. Vetëm se Abasi donte të kërkonte edhe diçka tjetër prej të Dërguarit të Allahut:
O i Dërguari i Allahut, unë nuk jam i sigurt nëse Ebu Sufjani do të kthehet me të vërtetë në Mekë. Sikur ta kishe mbajtur edhe për ca kohë këtu, të rrinin bashkë me ushtarët, e kësodore ta kuptonin më mirë çështjen tonë.
Edhe Ebu Bekri, në të njëjtën mendje ishte. Shkoi ta arrinte Ebu Sufjanin, për ta kthyer mbrapsht. Ishte Abasi ai që rendi pas tij. Me ta parë, e pyeti:
Mos kemi të bëjmë me ndonjë tradhti, o bijtë e Hashimëve?
Përgjigja e Abasit nuk u vonua të vinte. Ata që lidhen pas të Dërguarit të Allahut nuk tradhtojnë asnjëherë. Nuk kemi për të të bërë padrejtësi. Vetëm se duam që ti të rrish disa kohë me ne, në mënyrë që t’i mësosh më qartë disa gjëra të rëndësishme.
Parakalimi i ushtrisë
Mëngjesin e asaj dite, në vendin e quajtur Merru-Zehran, u dëgjua zëri i kasnecit të Profetit tonë të dashur (s.a.s.):
Çdo fis të përgatitet për rrugë, dhe le të mblidhen të gjithë pas prijësit të vet, sepse do të nisemi.
Me këtë urdhër po bëhej e ditur se po niste rrugëtimi i ushtrisë së myslimanëve. Tanimë kishte ardhur radha që në praninë e Ebu Sufjanit të jepej një mësim i mirë. Njerëzit do të kalonin me bylykë përpara Ebu Sufjanit.
Në krye të një njësie prej njëmijë vetësh qëndronte Halidi i nderuar. Po mbanin dy flamuj. Kur u afrua Halidi, filloi të lëshonte tekbire, të cilat përsëriteshin njëzëri edhe nga ushtarët e tjerë. Kjo u përsërit tri herë. Merru Zehrani që ishte tashmë i mbuluar prej brohoritjeve të myslimanëve, po kumbonte prej tekbireve të njëpasnjëshme. Kjo ishte një tablo rrëqethëse. Teksa kalonin, Ebu Sufjani ia pyeste Abasit se cili kush ishte, ndërsa ai i përgjigjej për të gjithë me një ndjenjë të thellë respekti. Nga përgjigjet që merrte, Ebu Sufjanit i rritej edhe një shkallë më tepër besimi që i ishte ndezur në zemër. E kishte pasur pak të vështirë ta kuptonte ndryshimin që ndodh te njerëzit, aq sa i mbahej edhe gjuha kur donte të shprehte ndonjë emocion.
Ebu Sufjani, i cili kishte kohë që po e ndiqte parakalimin e ushtrisë, tashmë pyeti se kur do të kalonte grupi i ushtarëve të të Dërguarit të Allahut. Më në fund, përpara syve po i kalonte një grup ushtarësh, i përbërë prej njëmijë vetësh, flamurin e së cilës e mbante në dorë Sad ibni Ubade. Teksa ecnin dëgjohej zëri buçitës i Omerit të nderuar, i cili mundohej që t’i fuste në rregull. Flamujt në duart e ensarëve dhe muhaxhirëve ishin të shumëngjyrshëm. Edhe nga armatimet, mund të thuhej se ishin të plotësuar. Me ta parë atë grup, Ebu Sufjani, papritur tha:
E kush mund t’i dalë përballë një ushtrie të tillë?
Tronditja e përjetuar në Mekë
Tashmë çdo gjë ishte e gatshme për të ngadhënjyer. Do të lëviznin prej Merru Zehranit në drejtim të Mekës.
Ishte Ebu Sufjani ai që po ia përhapte i pari lajmin mekasve. Veçse kësaj radhe nuk po hynte ashtu siç kishte dalë. Me të mbërritur, filloi të bërtiste me sa të kishte fuqi:
O popull i Kurejshit! Ja tek e keni Muhamedin. Madje me një ushtri, të cilën ju nuk mund ta përballoni dot!
Tashmë po e shihnin se si po u afrohej ajo që i ishin frikësuar më tepër. Shpresat u kishin vdekur, dhe sakaq puna e kurejshëve kishte marrë fund. Çfarë mund t’i bënin një ushtrie të tillë, e cila po u afrohej deri poshtë hundës? Ç’ishte më e habitshmja? Kërkesa këtë herë po u vinte prej Ebu Sufjanit të tyre.
E dini ç’është më e mira, ejani dhe bëhuni myslimanë! Kush futet në shtëpinë e Ebu Sufjanit është i sigurt për jetën. Edhe ai që mbyllet brenda shtëpisë së vet është i sigurt! Edhe ata që futen në Qabe do të jenë të sigurtë! Askush nuk ka për t’i prekur ata.
Megjithëse kishin dëshirë që të merrnin një vendim që do ta vendoste shumica, atë ditë, njerëz si Ikrime ibni Ebi Xhehl, Suhejl ibni Amr, dhe Safuan ibni Umeje, po fillonin të bënin përgatitjet e nevojshme për të kundërshtuar. Ndër vedi thoshin:
Ne nuk kemi për ta lënë kurrsesi Muhamedin që të hyjë në Mekë si t’i dojë qejfi.
Pas kësaj dëshire rendën menjëherë shumë prej tyre. Ndër ta ishin Huzejlët, Eslemët, Ebi Bekrët dhe Kurejshët.
U vinte për mbarë që në anën e tyre kishin edhe disa prej familjeve më të fisme. Sepse tekembramja të kundërshtoje një ushtri kaq të fuqishme nuk ishte aq e lehtë. Një orë e më parë duhet të merrnin një vendim përfundimtar.
Fillon triumfi i madh
Nga ana tjetër, sahabët ishin larguar prej vendit të quajtur Merru Zehran në drejtim të Dhu Tuvas. Këtu do të mblidheshin, për të hedhur pastaj hapat e parë drejt triumfit. Kjo binte në ditën e trembëdhjetët të muajit të Ramazanit, dhe ishte një ditë e premte. I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të, ende pa zbardhur mirë, i hipi Kasuasë së Tij, mori edhe Usamen me vete, dhe u fut në mes të radhëve të kolonës jeshile. Të gjithë donin të mblidheshin e grumbulloheshin vetëm përreth tij, dhe donin si e si të hynin bashkë në Mekën, prej së cilës i patën përzënë njëherë e një kohë. Në mesin e sahabëve ishte hapur një atmosferë sikur tashmë e kishin në dorë Mekën e tyre. Në planin e shkaqeve ajo ishte e triumfuar, e sakaq Allahu po u nënshkruante atyre një tjetër triumf. Vetëm se Ai rrinte mbi Kasuën, i tëri i kapluar prej thjeshtësisë që e karakterizonte në çdo veprim të Tijin. Mjekra gati sa nuk i prekte në jelet e devesë.
O Zoti im, - thoshte Ai, – më e rëndëshimja nga të gjitha është jeta e ahiretit.
Me këtë sikur donte të thoshte, se çfarëdo arritje që të arrini në këtë botë, prapëseprapë e rëndësishme është fitorja e jetës së ahiretit. Në kokë kishte lidhur një çallmë të re, bishtin e të cilës e mbante të varur nga pas.
Nuk donte që të kishte kurrsesi gjakderdhje, kështu që i këshillonte vazhdimisht sahabët e Tij të bekuar. Leja për të luftuar ishte vetëm karshi atyre që i sulmonin. Prandaj edhe hyrja e Tij për në Mekë ishte allasoj. E kishte ndarë bashkësinë e Tij në grupe të ndryshme, që secili syresh të hynte nga një portë e veçantë e qytetit.
Ai po hynte nga pjesa e sipërme e Mekës. Sakaq gratë filluan të lëshonin klithmat e gëzimit, duke luajtur shamitë që nga mbi deve ku gjendeshin. Ebu Bekri i bekuar, me ta parë këtë gjendje të tyren, tha:
Ç’pati thënë Hasani?
Njeriu i inteligjencës (s.a.s.) e kuptoi menjëherë se ku e kishte fjalën. Andaj filloi të thoshte një poezi, e cila e paraqiste më së miri situatën e krijuar. Kjo ishte një poezi e thënë prej Hasan ibni Thabitit, përgatitur shumë kohë përpara triumfit të Mekës, ku motivi kryesor ishte gëzimi i grave teksa hynin në Mekës, por nga drejtimi i Kedas. - Hyni për në Mekë andej nga ju udhëzon Hasani, - i këshilloi Ai.
Ndërkohë, pranë vetes thirri Zubejrin, të cilit i tha që ta linte flamurin te Haxhuni, e ta priste aty, derisa të kthehej. Sepse përpara se të triumfonte mbi Mekën, ai deshi të vizitonte njëherë varrin e Hatixhes së nderuar me të cilën kishte kaluar plot njëzet e pesë vjet, e që nuk e shihte qyshkurse ia kishte besuar Haxhunit.
Me pak fjalë, nga të katër anët kishte filluar të ndjehej atmosfera e triumfit. Po kthehej në Mekë, prej të cilës ishte larguar bashkë vetëm me tetë vetë. Sot po kthehej me plot dymbëdhjetëmijë vetë.
Me të ardhur në vendin e quajtur Edhahir, pa shtëpitë e Mekës, dhe ndali aty, dhe filloi të falënderonte Allahun Bujar (xh.xh.).
Teksa ecte mbi devenë e Tij, Kasuanë, këndonte suret Fet’h dhe Nasr, ku thuhej:
- Ja kjo është ajo që Allahu ju pati premtuar.
Tashmë ngadhënjimi u plotësua. Meka u lirua lehtësisht. Ashtu siç qe premtuar edhe prej kasnecëve, ata që do të qëndronin brenda shtëpive të tyre, apo që do të strehoheshin në shtëpinë e Ebu Sufjanit, Hakim ibni Hizamit, apo në Qabe, ishin të sigurt e nuk duhet të shqetësoheshin për kurrfarë gjëje. Të gjithë, ishin strehuar diku, prej nga prisnin se ç’do të bëhej me ta. Si do të vepronte Profeti ynë i dashur paqja qoftë mbi Të me këta njerëz? Sidomos ata njerëz, që që prej ditës së profetësisë, nuk kishin lënë çast pa ngritur bajrakun kundër mëkëmbësisë së Tij. Nuk kishin dyshim se do të vriteshin, andaj po kërkonin vrimë ku të futeshin.
Hyrja në Qabe
Tashmë terreni sikur ishte qetësuar paksa. Mekasit i kishte mbërthyer një qetësi e butë. I Dërguari i Allahut mori abdes në çadrën e ngritur në Haxhun, dhe si shenjë falënderimi për ngadhënjimin që u ishte falur, fali tetë rekate namaz. Kur mbaroi, kërkoi që t’i sillnin devenë. Kasuaja u afrua deri në hyrje të çadrës, mirëpo Profeti i Njerëzimit (s.a.s.) u kthye edhe njëherë për të marrë mburojën dhe armët.
Gjatë kësaj kohe, sahabët lëviznin sa nga Handemeja, sa nga Haxhuni, duke bërë atë një copë rrugë të sigurt për të Dërguarin e Allahut.
Qabeja po përgatitej për festën e Bajramit.
Teksa vinte Resulullahu, nga të dyja anët e rrugës ishin rreshtuar fëmijë, të cilët po e prisnin hareshëm të Dërguarin e Zotit (s.a.s.). Sidomos vajzat, i kishin zgjidhur gërshetat, dhe me shamitë që mbanin në duar, i luanin përpara fytyrave të kuajve.
Tanimë, synimi i Resulullahut ishte Qabeja. Ai po përparonte tanimë në drejtim të atij vendi që quhej disifarë edhe binjaku i Tij.
Tanimë ishin bashkuar edhe mimberi me mihrabin, dhe Resulullahu mbërriti në Qabe. Resululullahu me ta parë vendlindjen e Tij, filloi t’i ndriçonte fytyra, dhe me një të ngritur të kërrabës që mbante në dorë filloi të klithte tekbire. Aq sa edhe toka filloi të dridhej. Idhujtarët që kishin filluar të arratiseshin nga pas maleve filluan të frikësoheshin. Të gjithë, me të dëgjuar tekbirin e Resulullahut (s.a.s.) klithte edhe ai. Megjithatë, nuk mund të thuhet se ata nuk u ndikuan prej gjithë këtyre thirrjeve. Çdo minutë që kalonte, bënte që t’i rritej njëkohësisht, si meraku, ashtu edhe kureshtja. Donin t’i ndiqnin nga afër zhvillimet më të fundit. Në atë kohë, Profeti ynë i bekuar paqja qoftë mbi Të çoi dorën pranë buzëve dhe filloi të thoshte këtë fjalë:
-Heshtni!
Sepse tani do të fillonte rrethrrotullimi rreth Qabes. Jelet e devesë së Profetit po i mbante Muhamed ibni Mesleme. Në fillim, Resulullahu u afrua tek vendi i Haxheru’l Esuedit, dhe pasi e përshëndeti për së largu, u nis kah Qabeja.
Atë ditë, në Qabe, kishte plot treqind e gjashtëdhjetë idhuj të bërë të gjithë me duar, nga plumbi. Idhujtarët i thernin flijimet e tyre përpara këtyre idhujve, dhe prej tyre kërkonin ndihmë për çfarëdolloj gjëje. Tani që Qabeja ishte bërë njësh me Islamin, ajo duhej pastruar nga disa idhuj të shëmtuar siç ishin Hubeli, Isafi apo Naileja. Profeti ynë i dashur e tregonte secilin me shkop teksa kalonte, e ndërsa Ai përshkonte shkopin mbi to, ato rrëzoheshin, duke u bërë copë e çikë kësodore.
Tani erdhi e vërteta, dhe e gënjeshtërta u mund. Zaten e pavërteta është e destinuar që të humbë, – ishte ajeti që derdhej prej buzëve të Tij.
Në çdo të kaluar andej, Ai përshëndeste gurin e zi, dhe kësodore i kishte rënë Qabes qark plot shtatë herë. Tani po zbriste nga deveja, mirëpo nuk po gjente asnjë vend të përshtatshëm ku ta hidhte këmbën. Sahabët ishin ata që po mundoheshin për ta ndihmuar. Me të zbritur u drejtua nga vendi i Ibrahimit, dhe shpatën e mburojën i kishte ende mbi trup. Fali dy rekate namaz aty, e kësodore u nis për te Zemzemi.
Nëse bijtë e Abdulmutalibit nuk do të më kishin dalë kundër, atëherë do të kisha nxjerrë një enë me ujë prej tij. Ndërkohë, Abasi u përkul dhe mbushi një enë me ujë. Piu, dhe pastaj filloi të merrte abdes me të. Të gjithë u rreshtuan e po garonin njëri-tjetrin kush të përfitonte më tepër prej ujit të abdesit të Profetit të tyre të dashur
(s.a.s.).
Mandej i Dërguari i Allahut dha urdhër që ta thërrmonin Hubelin. Tashmë, Hubeli, të cilit të gjithë mekasit i rrinin gatitur, nuk ishte veçse një copë guri. Tani po thërriste Aliun e nderuar (a.s.), i cili po priste urdhrin e Tij:
Përkulu!
Urdhri i Resulullahut duhej zbatuar menjëherë. Aliu i nderuar (a.s.) u përkul ashtu siç i kërkoi i Dërguari i Allahut (s.a.s.), që Ai të hipte mbi supet e Tij.
Hajde, çohu në këmbë tani!
Aliu i nderuar sa po çohej në këmbë, kur i Dërguari i Allahut i tha edhe njëherë që të mos çohej. Ishte i Dërguari i Allahut që po ulej tashmë, e po i kërkonte Aliut, që të hipte ai tanimë mbi supet e
Resulullahut (s.a.s.).
Edhe ky ishte një urdhër, prandaj tani Aliu i nderuar (r.a.) rrinte mbi supet e të Dërguarit të Allahut. Ai po e ngrinte atë sipër, në lartësinë e Qabes. Aliu tanimë e ndjente veten sikur do të kapte qiellin me duar, madje edhe më sipër.
Tanimë Aliu i nderuar kishte hipur mbi murin e Qabes.
Hiq së andejmi idhujt që gjenden atje. Mirëpo idhulli prej bakri që gjendej mu në majë ishte i kapur mirë, sepse nuk lëvizte që nuk lëvizte vendit. Tani Qabeja po kthehej sërish në gjendjen e saj të natyrshme, dhe aty ishte i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i Cili po tregonte se si duhet të vepronin besimtarët teksa kryenin adhurimet e tyre. Në krye qëndronte edhe Ebu Bekri bashkë me shumë të tjerë, të cilët rrinin në gatishmëri për çdo të papritur që mund të ngjaste. Mekasit që po e ndiqnin të gjithë këtë pamje, kishin ngelur të habitur.
Ne nuk kemi parë asnjë mbret gjer më sot që të mbahet kaq me të mirë prej të gjithëve, pa harruar t’i akuzonin për idiotësi ata që nuk kishin arritur të bënin dot gjë.
Brendia e Qabes
Ndërkohë, i Dërguari i Allahut thirri Bilalin pranë vetes. I kërkoi që të thërriste Osman ibni Talhan të vinte bashkë me çelësat e Qabes. Osmani pasi arriti t’i merrte çelësat me njëmijë përpjekje prej nënës së tij, shkoi me një frymë për t’ia dhënë të Dërguarit të Allahut. Sa e çuditshme, sapo po mbërrinte pranë Tij, u bë pis diku. Çelësat që mori prej të ëmës tashmë gjendeshin diku, aty, nëpër vendin ku ai u rrëzua. Vetëm se edhe këtu duhet të ketë një mbarësi. Sepse familja e Beni Talhas, e cila kishte qenë mbajtësja e çelësave historikisht, mendonin se atë portë nuk mund ta hapte dot askush tjetër veç tyre, duke i falur kësodore edhe njëfarë shenjtërie dukurisë. Dhe ja, edhe një tjetër mendim i gabuar, do të zgjidhej po me dorën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Shkoi pranë vendit ku kishte rënë çelësi, dhe e mori në dorë me anë të njërit prej cepave të rrobës së tij. Pastaj, shkoi dhe e hapi portën e Qabes me duart e veta. Kjo ishte hera e parë kur Qabeja po hapej për të zotin e saj.
Vetëm se brendia e Qabes ishte e tejmbushur me piktura, andaj i Dërguari i Allahut (s.a.s.) urdhëroi Omerin e nderuar, që të merrej me zhdukjen e tyre një orë e më parë. Nuk hynte brenda Qabes, pa u pastruar ajo nga tërë ndotjet e saj idhujtare. Tanimë në mesin e sahabëve kishte nisur një tjetër telash i ëmbël. Njëri mbartte ujë zemzemi, një tjetër mundohej të pastronte muret e Qabes me një copë beze në dorë.
Kur pastrimi mori fund, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) hyri brenda, dhe aty pa disa piktura që thuhej se ishin të Ibrahimit të nderuar (a.s.), të Ismailit dhe Merjemit të nderuar. Ndoshta nuk i patën hequr prej respektit që ndjenin karshi tyre. Vetëm se i Dërguari i Allahut ishte tejet i vendosur në këtë çështje, andaj u kthye menjëherë nga Omeri, dhe i tha:
- O Omer, - por nga zëri dukej se ishte nevrikosur. A nuk të thashë unë, të mos lije asnjë pikturë të varur brenda? Allahu i shkatërroftë! Kur ata të gjithë e dinë, se shigjetën e fatit nuk e hidhnin për Ibrahimin apo Merjemin e nderuar. Pastrojini të gjitha pikturat. Allahu i shkatërroftë këta njerëz që pikturojnë gjëra që nuk e kanë mundësinë t’i vënë në lëvizje.
Kjo përkujdesje që po tregohej prej të Dërguarit të Allahut filloi t’i vinte në lëvizje të gjithë sahabët që gjendeshin aty. Ata filluan sakaq të garonin me njëri-tjetrin kush të pastronte më tepër, madje me rrobat që kishin veshur mundoheshin të pastronin.
Tani po, gjithçka ishte në rregull. I Dërguari i Allahut filloi të hynte në Qabe, e me vete kishte edhe Usamen, Bilalin dhe Osman ibni Talhan. Hyrja në Qabe u ishte bërë e mundur vetëm këtyre tri vetave. Tanimë porta ishte mbyllur edhe njëherë me urdhër të Profetit, e nuk lejohej që të hynte asnjëri prej të tjerëve.
Në atë kohë, i Dërguari i Allahut gjen atje një staturë pëllumbi të bërë prej degësh të gjata hurme, të cilën e theu menjëherë me duart e veta. Profeti ynë po shëtiste në të katër anët e Qabes duke thirrur tekbire dhe duke falënderuar Allahun.
Pas një çasti, i Dërguari i Allahut megjithëse kishte çelësat e Qabes doli së andej drejt e në avlëmend. Filloi të falte dy rekate namaz drejt Qabes dhe nga pas tha:
- Ja, kjo është kibleja.
Me këtë përgjigje, Ai do t’u jepte fund të gjitha dyshimeve që mund të kishin njerëzit përreth.
Ndërkaq, hyri vakti i drekës, dhe Resulullahu (s.a.s.) thirri sërish Bilalin e nderuar pranë vetes. Donte të dilte mbi Qabe e të thërriste ezanin. Kjo kishte gjithashtu kuptimin se do të thuhej fjala e fundit në lidhje me Mekën. Tashmë, zëri i Bilalit, po vinte nga të katër anët e Mekës kumbueshëm, “Ehad”, “Ehad”, “Ehad”, pasi ishte përplasur njëherë rrëzë maleve Faran.
Thirrje të gjithëve
Ndërkohë, njerëzit ishin mbledhur rreth Qabes, e po prisnin ato që do të ngjasnin. Po prisnin se çfarë vendimi do të jepte i Dërguari i Allahut për ta. Tashmë, radha u kishte ardhur këtyre njerëzve për të folur, andaj i Dërguari i Allahut (s.a.s.) doli deri te porta e Qabes për të folur më lehtësisht. Fjalët i nisi me lavdet dhe falënderimet që i takonin Krijuesit të plotfuqishëm.
Lëvduar qoftë Allahu që e mbajti premtimin e Tij! – thoshte Ai. Ai Allah që është Një dhe i Vetëm. Që i la të rrënuara ushtritë e torturës, duke e mbajtur fjalën që u kishte dhënë besimtarëve. Mandej vazhdoi:
O kurejshë! Çfarë vendimi prisni që unë të marr sot për ju?
Për një çast, Meka u zhyt brenda një qetësie të plotë. Sepse nuk kishin lënë gjë pa bërë gjer asaj dite. Po mendonin se e kishin sjellë drejt fundit. Ishin nisur aq shumë herë për rrugë, por prapëseprapë kishin ngelur pjesë e shumë vuajtjeve, madje edhe e tentativave për ta vrarë. Ishin mëkatarë, dhe nëse do të ishin vetë gjykuesit, e dinin mjaft mirë se ç’u takonte. Rrinin krejt gojëqepur. I kishin përkulur kokat përpara, e po prisnin se cili do të ishte vendimi i marrë për ta.
I Dërguari i Allahut filloi të fliste në drejtim të atyre fytyrave të mahitura e të zverdhura prej frikës:
- Unë sot, do t’ju them atë që tha vëllai im Jusufi: “Sot nuk do të ketë dënim për ju, shpresoj që Allahu t’jua falë gabimet, sepse Ai është më i mëshirshmi i të gjithë të mëshirshmëve!” Hajde ikni, - dhe sakaq u largua së andejmi.
Mekasit, të cilët po prisnin, që në emër të tyre të dilte ndonjë urdhër vrasjeje, po përjetonin një tjetër shok të rëndë përballë këtyre fjalëve, të cilat shkurt e shqip do të thoshin falje. Ishte e pamundur. Resulullahu (s.a.s.) nuk po u mbante mëri. Një veçori kaq e pastër trimërie veçse te një profet mund të vërehej. Tanimë u vinte ta gëlltitnin gjuhën. Të falësh atëherë kur ke mundësitë e plota për të dënuar, mund të ishte veçse përfundim i gjykimit të një sistemi hyjnor. Mbi të gjitha, më e çuditshmja, ishte se ata po përjetonin edhe disa ndjesi pendese. Ndoshta ky ishte triumfi i vërtetë. Zemrat ishin zbutur në krahët e dhembshurisë, dhe sakaq po thoshin se ashtu siç ishin, të gjithë së bashku, po parapëlqenin Islamin.
Nga Meka dolën me njëqind e tetëdhjetë e gjashtë familje, ndërsa tani gjendeshin me mijëra myslimanë. Njeriu i dritës po rrinte i qetë e i pafolur, duke falënderuar Allahun (xh.xh.). Atë ditë i këshilloi ata për shumë çështje të ndryshme të fesë. Po i përgatiste për të ardhmen të gjithë këta myslimanë të rinj. Kishte edhe nga ata që ia drejtonin vetë pyetjet, e Ai sakaq i përgjigjej menjëherë e me kënaqësi.
Qabeja po dëshmonte emocionet dhe entuziazmin e mekasve që po hynin në Islam. Ata thoshin se kishin besuar Allahun, dhe duke thënë fjalën e njësimit, po shprehnin besnikërinë e këtejetutjeshme karshi të Dërguarit të Allahut. Mekasit, atë ditë që u takuan atë ditë me grumbujt e mëdhenj që vinin prej maleve Faran, po rendnin të gjithë drejt vendit ku gjendej i Dërguari i Allahut (s.a.s.), preknin dorën e Tij, dhe garonin me njëri-tjetrin se kush t’ia jepte më parë dorën. Kjo garë vazhdoi për disa ditë me radhë.
Profeti ynë kishte edhe një tjetër myzhde për ta. U kthye nga sahabët dhe tha:
- Këndej e tutje, ky vend nuk ka për t’u pushtuar më asnjëherë prej mohimit.
Meqë mekasit dorëzuan të gjitha armët që kishin, tashmë në Mekë, të gjithë ata që besonin Allahun dhe në ditën e gjykimit, të mos linte asnjë gjurmë të ndonjë idhulli në shtëpinë e tij, madje t’i thyejë menjëherë. Ky ishte zëri që kumbonte. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) kishte nisur tellallë nga të katër anët, dhe të gjithëve u kishte thënë të lajmëronin të njëjtën gjë, thyerjen e idhujve. Mandej, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) do të zgjidhte disa prej sahabëve për t’i nisur që të thyenin disa prej idhujve, të cilëve u tha edhe emrat. Halid ibni Velidi do të thyente Uzën, Said ibni Zejdi Menatin, ndërsa Halid ibni Sa’d Uranen dhe Hisham ibni Asin i nisi për të bërë një punë të ngjashme në drejtim të Jemlemlemit.
Thirrje ensarëve
Për një çast doli mbi kodrën e Safasë. Po e shihte shtëpinë e Allahut për së largu, duke ngritur duar për ta falënderuar Atë. Njëkohësisht edhe i lutej nëpërmjet lavdërimeve që i thurte. Pasi po lutej asisoj, mbi Profetin filluan të shfaqeshin sërish shenjat e revelacionit. Ndoshta po vinte një tjetër mesazh.
Pasi erdhi revelata, dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po qetësohej paksa, filloi të thërriste:
O ensarë!
Po thërriste veçanërisht ensarët. Sepse edhe ajo që kishte ardhur lidhej drejtpërsëdrejti me ta. Zaten edhe ata ishin ulur diku pranë Profetit tonë, e po flisnin nëse i Dërguari i Allahut do të kthehej apo jo edhe njëherë në qytetin e tyre. Me të dëgjuar emrat e tyre që po i thirreshin, u përgjigjën:
Leb’bejk, o i Dërguari i Allahut! – dhe sakaq rendën për kah Ai.
Ju ndoshta po thoni, se tanimë ky burrë u kthye në qytetin e vet, e nuk do të kthehet me ne, por do të rrijë këtu bashkë me të afërmit e vet, për të cilët edhe e ka marrë malli, apo jo?
Me të vërtetë e kishin thënë diçka të këtillë. E kishin shprehur disifarë se ishin të shqësuar nëse Ai do të zgjidhte Mekën kësaj here për të qëndruar. Sepse nuk ia donte aspak zemra që vetë të ktheheshin në Medinë, e të Dërguarin e Allahut ta linin në Mekë.
E thamë këtë o i Dërguari i Allahut! – thanë ata.Ndërkaq, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u përgjigj:
A nuk kam emër unë që më quani “Ai”! Jo, jo, unë jam robi dhe i dërguari i Allahut. Unë mërgova për te ju dhe tek Allahu! Jeta ime është dhe jeta juaj, e vdekja ime është edhe vdekja juaj.
Fjalët e Profetit i prekën ata jashtë mase.
Ne i thamë ato fjalë vetëm për të shprehur dashurinë që kemi karshi të Dërguarit të Allahut.
Zaten s’kishte se si të mendohej ndryshe. Kur po kënaqeshin prej ngadhënjimit të Mekës, nuk mund të mendonin të rrinin pa të Dërguarin e Allahut. Nuk mund ta ndanin atë me ata që deri më sot nuk kishin lënë hidhërim pa i përjetuar. E gjitha kjo buronte prej sinqeritetit të tyre të brendshëm. Krenaria e Universit vazhdoi të fliste:
Padyshim që, edhe Allahu edhe i Dërguari i Allahut, e kuptojnë gjendjen tuaj mjaft mirë!
Besimtarët e triumfit
Me ngadhënjimin e Mekës ishte bërë e mundur që të hynin edhe në zemrat e disa njerëzve të rinj. Edhe ata po përgatiteshin për ngadhënjimin e madh shpirtëror. Megjithëse Meka e atyre ditëve ishte bërë myslimane pothuajse tërësisht. Mirëpo kishin ngelur ende disa për të cilët as që ta merrte mendja se mund të vinin e të pranonin Islamin. Ata e kishin kaluar gjithë jetën e tyre në armiqësi ndaj të Dërguarit të Allahut. Nuk ishin ruajtur asnjëherë së e shfaquri mllefin e tyre karshi Islamit. Madje kishte disa syresh që ishin epiqendra e propagandës kundërthënëse, dhe nëse bëheshin edhe ata myslimanë, atëherë nuk do të kishte më palë kundërshtare. Ndërdyshja dhe paragjykimet që i kishin pushtuar, i kishin penguar vazhdimisht që të vinin gjer këtu, duke mos gjetur as mundësi për t’i kuptuar ato që thoshte Ai. Ja, për ta, ngadhënjimi ishte një pikë kthese tejet e rëndësishme, përderisa formonte një terren kaq të përshtatshëm.
Kishte edhe nga ata që u arratisën prej Mekës. Shumë emra madje, si Abdullah ibni Zibara, Ikrime ibni Ebi Xhehli, Safuan ibni Umeje, Uahshi ibni Harbi, Dhu’l Xheusheni, Harith ibni Hishami, Saib ibni Safiji, Adij ibni Hijari, Ukbe ibni Harithi, Muauije ibni Ebi Sufjani, të cilët arratiseshin prej dhembshurisë së të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi Të. Megjithatë, Ai do të përpiqej me mish e me shpirt për t’u folur atyre një fjalë të mirë, derisa ata erdhën të gjithë një e nga një për të pranuar fenë e bukur të Islamit. Jo vetëm që i hynin rrugës së drejtë të udhëzimit, por po i hapnin një faqe të re jetës së tyre, duke u dorëzuar nën këmbët e të Dërguarit të Allahut.
Shënimet
- 270.Ibni Hisham, Sire, 5/51; Taberi, Tarih, 2/154; Suhejli, Raudu’l Unf, 4/148 447 Uakidi, Megazi, 1/796
- 271.Thuhet se me të gjithë të tjerët, që do të futeshin në radhët e tyre, numri i tyre arrinte te dymbëdhjetëmijët. Shih: Kurtubi, el-Xhami’li ahkami’l-Kuran, 8/97; Ibni Kajim, Zadu’l-Mead, 3/411; Ibni Esir, el-Kamil fi’t-Tarih, 1/335; Salihi, Subulu’l-Huda uer-Reshad, 5/266.
- 272.Salihi, Subulu’l-Huda uer-Reshad, 5/214 e më tej; el-Akk, Abdurrahman, Meusuatu Uzamai Haule-r’Resul, 2/1044
- 273.Uakidi, Megazi, 1/813; Salihi, Subulu’l Huda uer’Reshad, 5/219
- 274.Isra, 17/81
- 275.Uakidi, Megazi, 1/833; Salihi, Subulu’l-Huda ue’r-Reshad, 5/235
- 276.Uakidi, Megazi, 1/833; Salihi, Subulu’l-Huda uer-Reshad, 5/237
- 277.Jusuf, 12/92