PEIZAZHE DHUNE
Patën përdorur çdofarë mënyre deri atë ditë; por ç’e do që nuk ia kishin arritur dot qëllimit. Ndoshta, për t’ia dalë mbanë me myslimanët nuk mjaftonte që fjalës t’i përgjigjeshe me fjalë, andaj duhet të përdornin diçka ndryshe. Zaten dhuna, në planin mendor është mjeti që mund të përqafohet vetëm nga të mundurit, e Meka e atyre ditëve kishte kohë që i kishte hyrë kësaj udhe.
Për të thënë të vërtetën, nuk është se mungonin ata që e bënin këtë individualisht; mbyllja në hangar, i mbështjellë me hasra i Osmanit, nga duart e xhaxhait të vet, trysnitë shpirtërore të nënës për ta bërë Sad bin Ebi Uakasin të kthehej prej besimit të ri në atë të vjetrin, apo mbyllja e Mus’ab bin Umejrit, dhe rrahja nga nëna e vet, e cila arriti deri atje sa e përzuri nga shtëpia, duke mos i njohur kurrfarë të drejte karshi gjithë asaj pasurie. Akoma nuk ishin harruar torturat që ishin ushtruar ndaj Bilal Etiopasit nga Ebu Xhehli dhe Umeje bin Halefi.
Por dukej që kjo çështje nuk mund të ndryshonte me këto ndërhyrje individuale; duheshin marrë masa më gjerësisht dhe për ta penguar sa më paq përhapjen e Islamit duheshin marrë masa më të gjera. Në qendër të shënjestrës ishte Resulullahu Paqja qoftë mbi Të.
Një ditë, paria e Kurejshit u mblodhën të gjithë pranë Qabes, në një vend të quajtur Hixhr; kjo mbledhje kishte si temë qendrore ecurinë e jetës shoqërore në qytetin e Mekës. E patjetër që Islami do të ishte qendra e këtyre ndërbisedimeve.
Nuk mbaj mend të kemi duruar ndonjëherë ndokënd tjetër, sa e duruam këtë djalë! – u hodh e tha njëri syresh.
I akuzon të parët tanë se na paskan shthurur, e për më tepër nuk ka lënë as fjalë pa thënë për zotat tanë, e ne sërish, sikur nuk kemi ç’t’i bëjmë, rrimë dhe e durojmë, – foli një tjetër.
Po në këto çaste, ishte Resulullahu që kaloi andej, me ç’dukej kishte qenë ndokund, e po kthehej për në shtëpi. U afrua, e filloi të përshëndeste “Gurin e zi”. Mandej bëri dy tavafe rreth Qabes, e kur u afrua drejt Hixhrit, mekasit filluan të talleshin sërish. Dukej që u mërzit së tepërmi nga ato që i dëgjuan veshët; po nxirrnin nga goja fjalë të atilla, që nuk ishin aspak të hijshme për t’u thënë në një vend të bekuar si Qabeja. Po shanin me ç’t’u vinte për mbarë, e kë se, të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), robin më të dashur të Zotit (xh.xh.). Edhe në tavafin e dytë po e njëjta tablo... Edhe në të tretin e njëjta... E tepruan aq shumë sa e nxehën kësaj here Profetin më të Dashur, i Cili u kthye nga këta njerëz që villnin veç mllef, e u tha:
A po dëgjoni o kurejshë? Ta dini, se nëse vazhdoni kështu, fundi juaj ka për të qenë shumë keqardhës.
Shikimi dhe zëri i Tij, e kishin ndikuar aq shumë situatën, saqë dukej sikur çdo fytyrë e kaploi një cipë e ftohtë akulli. U ndikuan shumë nga fjalët e Tij; ishin prekur sikur të kishin nga një zog mbi krye, e dikush e kishte qëlluar; për njëfarë çasti e ndryshuan qëndrimin, e më të egrin ndër ta madje, e kaploi një ndjenjë mëshire dhe keqardhjeje.
Po ti ik në shtëpi o Eba Kasem! Sepse ti nuk je kurrsesi një i paditur!
Kuptimi i këtyre fjalëve ishte “Ne të lëmë sërish në atë gjendjen dhe sjelljet e Tua, veç mos na mallko ashtu. Le të vazhdojmë të gjithë në punën e vet, Ti në Tënden, e ne në tonën.” Profeti ynë i dashur u largua prej andej, e u nis për te një tjetër zemër nevojtare, të cilës i duhej t’i shpjegonte Islamin.
Ditën tjetër u takuan sërish në të njëjtin vend, e po flisnin sërish për të njëjtat gjëra.
Kujtohuni se ç’keni bërë ju për të, e ç’ka bërë ai për ju! Megjithëse ju tha gjithë ato fjalë, ju sërish u trembët, e po e lini të veprojë si t’i dojë qejfi!
Sikur të jetë e domosdoshme të ndodhë kështu, sërish ishte Resulullahu, që u shfaq aty. Ishin sërish përballë me Të. Dukej që nga pamja e fytyrave të tyre, se ishin duke thurur ndonjë tjetër plan djallëzor. Sapo do të niste nga tavafi i Qabes, kur ata iu mblodhën përreth:
Ti je ai që flet lart e poshtë për zotat tanë, që akuzon për devijim të parët tanë?! – thoshin ata me dhëmbët të mprehur.
Po, unë i kam thënë të gjitha këto, - u tha Ai, pa e ndryshuar aspak sjelljen Tij të përhershme të të thënit të të vërtetës. Veçse qëllimi i pyetjes së tyre ishte kryekrejet i keq. S’kaloi as një grimëçast dhe ata iu vërsulën sipër. Dikush e mbante për rrobe, një tjetër i varej për krahu, ndërsa disa e godisnin, që iu thafshin duart. Saora ishin kthyer në një kope ujqërish. Madje, Ukbe bin Ebi Muajti e kishte kapur për rripi të çallmës, ia kishte përdredhur për qafe, duke e shtrënguar atë me sa të mundte, me qëllimin që mbase e mbyste.
Në këtë çast ndodhi diçka e veçantë; në Qaben ku po vlonte kjo kusi inatesh të përbashkëta, u dëgjua një zë kumbues:
A mos doni ta vrisni vetëm pse thotë: “Zoti im është Allahu.”? – ishin fjalët e një burri që nuk kishte qenë aty deri më tani.
Ky ishte një zë aq kumbues sa zëri që ngrihej nga besimtari i familjes së faraonit. Mesa duket, një zë i tillë i bekuar ishte i nevojshëm në çdo kohë që injoranca përpiqej të bënte besimin të heshtte.
Në atë çast, të gjitha fytyrat u drejtuar për andej nga vinte zëri. Ky ishte zëri i Ebu Bekrit. Ky zë që tronditi gjithë Mekën e luajti rolin e tij, por kësaj here të gjithë sa ishin iu vërsulën Ebu Bekrit të nderuar, sepse duhej medoemos dikush tek i cili ata të zbraznin mllefin e tyre. Kjo ishte dita më e ashpër në Mekë për besimtarët. Në trupin e Ebu Bekrit, i cili arriti të kthehej në shtëpi vetëm në mbrëmje me rrobat të shqyera e të lerosura në gjak, nuk kishte ngelur vend pa u thyer e pa u nxirë.
Gjendja e pikëllueshme e të pambrojturve
Këtej e tutje Meka po vepronte më e planifikuar karshi myslimanëve. Fillimisht ata zgjidhnin ata që ishin më të dobët, e që nuk kishin kurrkënd që të mund t’i mbronte. Kështu kishin rënë në një mendje me njëri-tjetrin, që prijësit e çdo familjeje të gjenin anëtarët e fisit që ishin bërë myslimanë, e t’i rrihnin e torturonin me sa të kishin mundësi, derisa të ktheheshin prapë në fenë e tyre. Vetëm Ebu Xhehli, nëse dëgjonte ndokënd të thoshte “La ilahe il’lallah”, rendte menjëherë për tek ai, sidomos nëse ky do të ishte ndonjë i dobët e i pambrojtur, merrte kënaqësi së torturuari derisa ky i fundit të hiqte dorë prej Islamit.
Në këto tortura, Suhejb ibni Sinani humbi kujtesën, e nuk dinte më se ç’thoshte.
Ebu Kufejhen e lidhën me zinxhirë nga këmbët, e nxorën në rërën e nxehtë përvëluese të shkretëtirës, dhe e torturonin duke i vendosur gurë të rëndë mbi trup, ku ai rënkonte nga mëngjesi në darkë për pakëz mëshirë. Edhe ai humbi kujtesën, duke i humbur të gjitha funksionet e mendjes në nxehtësinë flakëritëse të dunave shkretëtirore.
Në trupin e Habab bin Eretit shihje vetëm shenja djegjesh; pronari e torturonte pareshtur derisa ai të hiqte dorë prej fesë së re, madje ndonjëherë nxehte një shufër hekuri, e ia ngjiste pas trupit. Një ditë tjetër, e patën kapur për flokësh dhe ishin munduar që ta hidhnin në zjarr; gjoja kjo ishte një mënyrë edukimi. Kjo ishte një pamje e padurueshme; ata e mbanin atë për një kohë aq të gjatë, saqë yndyra që dilte prej kurrizit të tij fiknin zjarrin, e cila shërbente si njëfarë mënyre, sado e vogël, “qetësimi”.
Pikërisht në këto tortura, shërbëtorja me emrin Dhenire do të humbte syrin, shërbëtorja e familjes së Dhuhres do të rënkonte nën kërbaçët e dhimbshëm të Esued bin Ebi Jegusit.
Njëra nga shërbëtoret që do të torturoheshin kaq keq ishte edhe shërbëtorja e Omerit, i cili nuk e kishte pranuar ende fenë islame në atë kohë.
Nëse nuk do të isha lodhur, ta tregoja unë qejfin ty, - thoshte ai.
Nesër do të jetë Zoti im, Ai që ka për të ta kthyer nesër në të njëjtën mënyrë, - ia kthente atij shërbëtorja si kundërpërgjigje të birit të Hatabit, vetëm se nuk do t’ia shihte hairin këtyre fjalëve në ato ditë aq të vështira.
Në familjen e Abdudarëve ishte një çift nënë e bijë që punonin si shërbëtore; nëna e humbi kujtesën përgjatë torturave që nuk dinin të mbaronin. Madje ajo arriti në një gradë të atillë që nuk dinte ç’thoshte.
Ishte pikërisht Ebu Bekri i nderuar, që si gjithnjë, rendte i pari për t’i ndihmuar këta njerëz që thuajse gjatë tërë jetës së tyre nuk e kishin njohur lirinë. Ai ia blinte ato të zotëve e u falte menjëherë lirinë. Madje, Ebu Kuhafja, i cili kishte dëshmuar një rast të tillë i tha:
Me ç’po shoh po i blen një e nga një gjithë shërbëtorët, e mandej po u fal lirinë. Të paktën sikur të kishe zgjedhur ata që janë pak më të fortë, mund të vijë një ditë që do të të duhen si mbështetje, e ata mund ta bëjnë këtë më mirë.
Synimi im i vetëm me këta të mjerë, është kënaqësia e Allahut, - ia ktheu Ebu Bekri, me një ton zëri që tregonte se nuk do t’ia hapte kurrë portën ndonjëfarë përfitimi personal.
Nuk do të kalonte shumë kohë, dhe ajetet do ta tregonin një e nga një se sa të drejtë kishte Ebu Bekri i nderuar (r.a.) teksa vepronte me një mënyrë të tillë.
Amar bin Jasiri, i cili ishte kthyer në mysliman bashkë me nënën dhe babanë njëkohësisht, ishte shërbëtor i Beni Mahzumit. Ebu Xhehli, bashkë me anëtarët e tjerë të familjes, i nxirrnin që me të aguar në mes të shkretëtirës, për t’i torturuar me të gjitha metodat, derisa ata vetë të lodheshin. Një ditë, Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të i pa në këtë gjendje, dhe i erdhi jashtëzakonisht shumë keq.
Vetëm pak durim, o familja e Jasirëve! Mos të kini dyshim, se vendi ku do të shkoni do të jetë Xheneti, - i pati përgëzuar Ai, që në të gjallë.
Me të vërtetë, baba Jasiri i moshuar, shkoi në Xhenet pikërisht në mes të këtyre torturave. Ndërsa nëna, Sumeja, vdiq nga një shigjetë e goditur nga dora e Ebu Xhehlit, i cili arriti kulmin e mllefit teksa shihte që as vdekja e të shoqit, nuk e bënte këtë grua të hiqte dorë prej fesë së re, të Islamit. Edhe ajo kishte arritur kësodore gradën e martires duke mos devijuar asnjëfarësoj nga e drejta dhe e vërteta, që përfaqësonte feja islame. Sumeja e nderuar, do të ishte kësisoj e para e dëshmorëve të Islamit.
Ajo që ishte më tepër pikëlluese ishte se të gjitha këto po ndodhnin në sytë e Amarit. Mbi të vendosej një gur më i nxehtë, nëse i mëparshmi shihej si i papërshtatshëm për torturë, pasi mund të ishte ftohur! E mbajtën aq gjatë në tortura fizike dhe mendore, saqë e humbi disa herë me radhë ndërgjegjen, duke ardhur në një gjendje që nuk dinte se ç’thoshte.
Nuk kemi për të të lënë të lirë pa na i përmendur me fjalë të mira Latin dhe Uzën, - i thoshin ata. Do ta linin menjëherë të lirë nëse i lavdëronte këta dy idhuj.
Amarin, për ta lënë, e lanë të lirë, por ai do të vuante përgjatë tërë jetës prej këtij fakti. Megjithëse nuk iu pakësua, gjatë gjithë jetës, asnjëherë dashuria që kishte për Allahun (xh.sh.) dhe Profetin e Tij Paqja qoftë mbi Të, prapëseprapë nuk ia falte dot vetes që e pati ndotur gjuhën duke përmendur emrat e atyre idhujve të rremë. Mund të thoshe se kishte mbaruar krejt... Ashtu, me krahë e brinjë të thyera, erdhi pranë Resulullahut (s.a.s.). I vinte shumë turp, saqë nuk e shihte dot në sy Profetin e Njerëzimit. Saora, Profetit filluan t’i zbrisnin fjalë të reja nga Mëshiruesi. Erdhi Xhebraili Fjalëdrejtë, i Cili thoshte, se fjalët e këqija të thëna në kushte të vështira nuk do të ishin shkak përuljeje, për aq kohë sa ishin thënë pa u ndjerë me zemër. Edhe Amari tanimë mund të merrte frymë më lehtësisht. Sikur nuk i ndjente më dhimbjet e tmerrshme, teksa rrinte tani pranë të Dërguarit më të fundmë të Allahut Paqja qoftë mbi Të.
Shënimet
- 82.Ibni Hiban, sahih, 14/526; Mu’min, 40/28
- 83.Ebu Xhafer et-Taberi, er-Rijadu-Nadira, 2/22
- 84.A’la, 87/14-21
- 85.Ibni Hisham, sire, 2/162
- 86.Nahl, 16/106
- 87.Ibni Abdiberr, Usudu’l Gabe, 1/809