LAJME TË ARDHURA NGA HEUAZINI
Kishin kaluar plot nëntëmbëdhjetë ditë që nga koha e triumfit. Ngase nuk kishte ndërmend të rrinte në Mekë, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të i falte namazet duke i shkurtuar. Duhet të arrinte njëfarë qëndrueshmërie në Mekë, e sakaq të kthehej sërish në Medinë. Vetëm se nuk ndodhi aspak asisoj, sepse nga anët e Heuazinit po vinin lajme të reja.
Për të mësuar mbi vërtetësinë e këtyre lajmeve, Resulullahu (s.a.s.) thirri pranë vetes Abdullah ibni Hadredin (r.a.) që të shkonte e të mësonte diçka më tepër:
Shko dhe merr vesh se ç’është duke ndodhur! – dhe ndërkaq e nisi për në Heuazin.
Abdullah ibni Hadredi shkoi deri në vendin ku jetonin ata, ndenji për disa ditë me ta derisa mësoi se si shkonte gjendja, e mandej u kthye. Kur mbërriti në Heuazin, pa se ata ishin përgatitur për luftë, andaj vendosi që të rrinte dy ditë aty, në mënyrë që të mund të mësonte diçka më tepër. Kazani i shpifjeve kishte kohë që vlonte. Bashkë me ngadhënjimin e Mekës, i Dërguari i Allahut dhe myslimanët e tjerë do të kishin mundësi të luftonin edhe kundër tyre. Të dyja familjet, ajo e Thakifëve dhe e Heuazinit shkonin shpesh te njëra-tjetra, në mënyrë që të binin në një mendje.
Tashmë radha na erdhi neve! Nuk ngeli më asnjë pengesë, kështu që Ai mund të na sulmojë nga çasti në çast. Më e mira e të mirave, eja bashkohemi dhe e sulmojmë ne të parët. Vallahi, Muhamedi gjer më sot, ka luftuar vetëm me njerëz që nuk e dinë se ç’është lufta. Mblidhni njerëzit, e ta sulmojmë një sahat e më parë, sa nuk na ka sulmuar Ai ne.
Zaten ishin të gjithë të përgatitur. Kishin thuajse një vit që prisnin pikërisht këtë çast, duke pritur vetëm që të merrnin mbështetje edhe nga fiset përreth. Ngadhënjimi i Mekës, për ta, do të thoshte vetëm se duhet të përshpejtonin përgatitjet e tyre, dhe ata atë po bënin. Brenda një kohe të shkurtër, ata bindën familjet e Heuazinit, Thakifit, Nasrit dhe Xhushemit, dhe të tërë bashkë siç ishin, u kthyen nëpër shtëpitë e tyre.
Abdullahu, pasi e kreu siç duhej detyrën e informimit, shkoi për të lajmëruar të Dërguarin e Allahut. Fatkeqësisht lajmet që vinin nuk ishin të mira. Po u vinte një ushtri e tërë për t’i luftuar, kështu që me ta marrë vesh, i Dërguari i Allahut i dha urdhër të gjithëve që të bëheshin gati për luftë.
Vendi ku do të rrimë, le të jetë atdheu i Beni Kinanes, kur njëherë e një kohë idhujtarët qenë ngritur kundër nesh. Sahabët menduan se çdo gjë kishte përfunduar me kaq, gjendeshin prapë përballë luftës si një portë që duhej kaluar. Duhej dhënë përgjigje pa iu afruar Mekës, pasi lufta nuk duhet të ndodhte kurrsesi në Mekë.
Ishte dita e gjashtë e muajit sheual. Në Beni Kinane ishte një ushtri që përbëhej prej katërmbëdhjetëmijë ushtarësh, të cilët prisnin vetëm një shenjë prej të Dërguarit të Allahut për t’ia nisur nga rruga. Resulullahu paqja qoftë mbi Të e dha urdhrin më në fund. Tashmë e gjithë ushtria po përparonte në drejtim të Heuazinit. Kësaj here, në luftë, Profeti i Njerëzimit kishte marrë dhe dy prej bashkëshorteve të Tij, Umu Selemen dhe Mejmunen.
Në Mekë kishin lënë si prijës Atab ibni Esidin, i cili ishte vetëm njëzet vjeç, ndërsa Muadh ibni Xhebelin e kishin lënë që t’u mësonte Islamin njerëzve të atjeshëm.
Në ditën e dhjetë të po këtij muaji kishin ardhur deri në Hunejn. Ishte ditë e martë. Ditën tjetër, në agim, Resulullahu e vendosi ushtrinë në rreshtim, e ajo tani dukej më e disiplinuara ndër ushtri. Flamurtarët dalloheshin lehtësisht në mesin e të gjithëve. Vetë kishte veshur dy parzmore, një heshtë dhe një mburojë. Po i përgatiste luftëtarët e Tij për luftë duke i dhënë edhe sihariqin se fitorja dhe ndihmesa e Allahut do të ishte me ta.
Tashmë ushtria ishte gati për të nisur luftën, duke u zgjatur sa tërë fusha e Hunejnit. I shëtiste radhët një e nga një që t’u tregonte rrugën që duhet të ndiqnin.
Në një të tatëpjetë aty nga fundi i Hunejnit, u përballën me një kurth të pallogaritur se mund të ndodhte. Ashtu siç kishte ndodhur edhe nëpër beteja të tjera, në atë kohë që menduar se çdo gjë ishte gati, nga të tëra anët u ishte vërsulur një ushtri sikur të ishte një ushtri karkalecash që dilnin nga të tëra anët, duke i zënë ngushtë ushtarët myslimanë. Aty nuk kishte as dyluftim e as përballje me fjalë përpara luftës. Sot, Heuazini i kishte lënë mënjanë rregullat e luftës, duke u munduar që në vend të kritereve të përgjithshme të luftës të zgjidhte rrugën më të shkurtër që të nxirrte te fitorja. Ushtria e Islamit nuk kishte nxjerrë ende shpatat prej millit, ku radhët e para të ushtarëve i përbënin disa djelmosha të emocionuar të Mekës, por që ishin krejt pa përvojë për të luftuar. Në duart e më të shumtëve prej tyre as shpatë nuk kishte, që edhe sikur të kishte nuk mund të luftonin dot si duhej. Të gjithë, kur panë majtas dhe djathtas se çfarë po ndodhte, ç’të shihnin! Të katër anët ishin mbushur me ushtarë të palës kundërshtare.
Hunejni ishte tashmë një peizazh i pavështrueshëm. Forcat e para u tronditën jashtë mase. Zgjidhje të vetme kishin të kthyerin për andej nga kishin ardhur. Ata që po i ndiqnin nuk ishin veçse mekas që si qëllim të parë kishin plaçkën e luftës. Kjo pamje ua kishte prishur emocionet të gjithëve, kështu që atë ditë, në Hunejn, në mes të myslimanëve filloi një shkartisje.
Sahabët, të cilët atë ditë, morën epërsi ndaj kundërshtarëve pas pak çasteve, nuk kishin parë ndonjë njeri më trim, që të luftonte aq pa frikë përballë shpatave të armikut, sa Resulullahu (s.a.s.). A ishte afruar rreziku deri tek i Dërguari i Allahut? Atëherë zemrat e tyre u mbushën me gëzim, e ndjenjat u ngopën siç nuk mund të ngopeshin kund tjetër. Si në të gjitha çastet kur ata kishin qenë keq, u zbriti sërish qetësia shpirtërore, duke i bërë që t’i harronin të gjitha shqetësimet e luftës!
Ndërkaq në qiell buçiti një zhurmë e stërmadhe, dhe frika që shkaktoi ajo në radhët e armikut, i goditi drejt e në zemër. Prej qiellit diç po vinte në ndihmë të myslimanëve; Allahu (xh.xh.) kishte nisur plot pesëmijë engjëj për të luftuar krah për krah me myslimanët, që njëfarësoj edhe të forconte fuqitë e tyre. Vinin të gjithë tufa tufa, dhe me bishtat e çallmave të tyre, që u tundeshin nga pas, shpërndanin dhimbje në shpirtrat e kundërshtarëve. Madje kishte nga ata prej heuazinasve, të cilët, të ndikuar prej kësaj frike, u detyruan të ktheheshin mbrapsht.
Tashmë, ky ishte fundi për ushtrinë e heuazinasve. Malik ibni Aufi, që ishte edhe komandanti i tyre, mori një pjesë të ushtarëve, dhe u arratis për t’u strehuar në Taif.E ata që ngelën pas, u detyruan të dorëzoheshin robër pranë të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi Të. Lugina e Hunejnit ishte mbushur plot e përplot me deve të kuqerreme, kope dhensh e gjithfarë kafshësh të tjera. Kishte edhe shumë gjëra të tjera që do të merreshin xhaba. Shumë prej mekasve që kishin qenë të lëkundur gjer asaj kohe, kur panë ndihmesën dhe mirësinë e Allahut që erdhi për të ndihmuar myslimanët, nuk mund të bënin gjë tjetër veç të bëheshin edhe ata myslimanë. Kalorësit që luftonin në emër të Allahut i mundën ushtarët e Latit dhe Uzës, duke i bërë të shijonin një humbje që nuk mund t’ia merrte as mendja.
Taifi
Mundësi mundej, por prapë nuk ngopej. Ata që u arratisën prej Hunejnit e mbajtën frymën për në Taif. U mbyllën brenda kështjellave të Taifit, që të përgatiteshin prapë, të merrnin veten mirë e mirë e të vërsuleshin edhe njëherë mbi myslimanët. Kishin përgatitur një stok me ushqime për afro një vit, pasi ishin në dijeni se me shumë gjasa, do të ishin ata që mundeshin. Aty kishin çdofarë arme. Nuk harruan t’u kërkonin ndihmë edhe fiseve përreth, me disa prej të cilave ranë menjëherë në marrëveshje.
Çdo gjë ishte në pah. Profeti i Njerëzimit e mori vesh këtë lajm, kështu që u kërkoi sahabëve të përgatiteshin për t’u drejtuar kah Taifi. Në krye të ushtrisë rrinte Halid ibni Velidi me njëmijë ushtarë.
Taifasit ishin mbyllur në kështjellë, dhe përjashta nuk shihej askush. Halid ibni Velidi, me të mbërritur hodhi një vështrim rreth e qark, mirëpo nuk kishte ngelur askush me kë të fliste. Mandej, erdhi përballë portës së kalasë, dhe filloi të thërriste:
Le të zbresë njëri prej jush, e të flas me të! Mos të kini dyshim, se nuk do ta gjejë asgjë derisa të kthehet prapë midis jush. Ose jepmani ju mua sigurinë, e vij unë brenda për të folur me ju.
As prej nesh nuk do të vijë njeri për të folur, e as ty nuk të japim leje të hysh, o Halid! Shoku yt, deri më sot, u përball vetëm me ushtri që nuk dinin të luftonin, - erdhi përgjigja nga brenda mureve të kalasë.
Kjo ishte një shitmendje e bërë haptazi, pas së cilës erdhi urdhri i të Dërguarit të Allahut që të suleshin në drejtim të Taifit.
Për Të, Taifi ishte një qytet që mbartte kujtime të hidhura. Me ç’shpresa pati ardhur këtu para dhjetë viteve, mirëpo jo vetëm që ishte përballur me një reagim të papëlqyeshëm aspak, por edhe ishte detyruar të kthehej sërish për në Mekë, ashtu i plagosur dhe i përgjakur. Edhe sot, Taifi po paraqiste të njëjtën sjellje, dhe megjithë ato zhvillime, ajo prapë ishte në të njëjtin stad të reagimit.
Megjithëse Ai u shkonte deri afër portës së kalasë për të folur njëherë me ta, ata i përgjigjeshin me breshëri shigjetash. Me sa duket nuk mendonin asnjë zgjidhje tjetër pos luftës, kështu që filloi rrethimi. Taifasit dolën mbi bedena, nga ku ta kishin më të lehtë që ta mbanin ushtrinë legjendare të myslimanëve nën stuhinë e shigjetave, dhe me katapulta u hidhnin gurë dhe shufra të nxehta hekuri. Nga qielli binin breshëri shigjetash, duke bërë që dymbëdhjetë prej sahabëve të binin dëshmorë.
Profeti i Njerëzimit e tërhoqi mbrapsht ushtrinë e Tij, duke urdhëruar që ta ngrinin vendqëndrimin diku më poshtë, që ta kishin më të lehtë për ta rrethuar kalanë.
Askush nuk e merrte parasysh që të dilte përballë kundërshtarit për të luftuar fytafyt.
- A nuk keni ndonjë dyluftues që të dalë e të luftojë haptazi me mua, - bërtiste Halid ibni Velidi.
E përsëriti disa herë me radhë këtë thirrje, mirëpo nuk merrte asnjë përgjigje. Nga kështjella nuk vinte asgjë tjetër pos shigjetave dhe hekurave të nxehtë. Megjithëse kërkesa për të biseduar u përsërit disa herë gjatë asaj dite, prapë nuk u arrit gjë.
Asnjëri prej nesh nuk ka për të dalë në dyluftim. Ne do të vazhdojmë t’ju presim këtu, brenda në kala. Kemi stoqe që të na dalin për vite me radhë, andaj nëse ju prisni derisa t’i mbarojmë ato, atëherë po, ne mund të dalim për të luftuar me ju.
Asnjë zgjidhje tjetër, pos hedhjes së shigjetave nuk dukej në horizont. Edhe sahabët fisnikë kishin zënë vendet e tyre, e po i kundërpërgjigjeshin po me shigjeta sulmeve të mohuesve!
Meqë rrethimi po vononte shumë, dhe nga brenda nuk po pipëtinte asnjë zë, i Dërguari i Allahut (s.a.s) vendosi të fliste nëpërmjet njërit prej sahabëve të Tij:
Çdo skllav që del prej bedenave për t’u strehuar te ne, është i lirë!
Kjo thirrje do të prishte gjithë ekuilibrat e Thakifasve që gjendeshin brenda kështjellës. Ishte një taktikë e re, kështu që do të bënte efekt medoemos. Pas kësaj thirrjeje, atë ditë prej kështjellës dolën aq shumë njerëz, dhe një pjesë e mirë e tyre, të gëzuar pse kishin fituar lirinë, shkuan pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Numri i atyre që kishin braktisur kështjellën për të ardhur në mesin e myslimanëve ishte gjithsej njëzet e tre veta. Profeti i profetëve, Muhamedi (s.a.s.) i jepte lirinë çdokujt që vinte, duke i dhënë secilit nga një sahab që t’u mësonin Kuranin.
Kjo ishte një gjendje për të cilën Thakifasve nuk u vinte aspak mirë. Nuk e pranonin dot brenda vetes që skllevërit t’i linin pikërisht për të shkuar pas Muhamedit.
Megjithëse kishin filluar të iknin shumë skllevër, nga Thakifasit nuk kishte ende asnjë pipëtimë. Vazhdonin nga hedhja e shigjetave.
Profeti i profetëve, nuk u kënaq shumë as nga kjo strategji, kështu që mblodhi edhe njëherë sahabët e Tij që të mendonin për ndonjë zgjidhje tjetër. I pari u hodh Selman Farisiu, i cili tha se në raste të tilla do të ishte më mirë që të ngrinin katapulte përballë mureve të kalasë. Ky ishte një propozim i pëlqyer prej të tjerëve që ishin të pranishëm. Ata e pranuan këtë mendim, andaj sakaq ia filluan nga përgatitjet. Tanimë ai bëhej prej gurësh më të mëdhenj dhe më të rëndë. Ndërkohë ai do t’i ruante myslimanët prej shtizave dhe shigjetave të idhujtarëve. Përveç atij u ndërtuan edhe dy mbrojtëse që quheshin “debade”. Me këto ata do të mund të afroheshin afër mureve, për të menduar pastaj se si mund të depërtonin deri brenda. Vetëm se hedhjet e Thakifasve për të mos i lejuar myslimanët që të afroheshin u dendësuan akoma më shumë, duke marrë si shënjestër vetëm katapultën dhe mbrojtëset e reja. Nuk kaloi shumë kohë, dhe ato u përfshinë nga flakët, duke i detyruar myslimanët që gjendeshin brenda tyre, që të braktisnin vendet ku ishin fshehur. Edhe kjo qe përmbyllur me rënien dëshmor të disa prej sahabëve, por ende nuk kishin arritur ndonjëfarë përfundimi.
Koha po ecte, dhe Thakifasit nuk po mundeshin që nuk po mundeshin. Kishin thuajse njëzet ditë që jetonin të rrethuar, derisa një ditë, Resulullahu (s.a.s.) thirri pranë vetes sahabët e nderuar, dhe u tregoi atyre për një ëndërr që kishte parë. Atij i ishte dhuruar një enë plot me qumësht, të cilën pas gagaritjes së një gjeli, i ishte rrëzuar nga duart. Me sa duket, duhet të tregohej më i kujdesshëm që qumështi që gjendej brenda enës të mos derdhej më tej. Ëndrrat e besueshme, të cilat përbënin një të dyzetën e më tej të profetësisë, patjetër që kishin një përmbajtje të veçantë për të Dërguarin e Allahut. Resulullahu e pati marrë mesazhin që duhej marrë, kështu që duhet të vepronte ashtu siç nxirrte kuptim prej ëndrrës. Vetëm se për këtë duheshin vënë në dijeni edhe sahabët, dhe për një çast i kërkoi Ebu Bekrit, që ta komentonte edhe ai përmbajtjen e kësaj ëndrre.
Unë besoj se nuk do t’ia arrish dot sot qëllimit që ke me taifasit, - u përgjigj Ebu Bekri i nderuar.
Edhe unë ashtu mendoj, - foli i Dërguari i Allahut.
Ditën tjetër, në orët e para të agimit, Resulullahu lajmëroi gjithë ushtrinë se do ta linin me kaq betejën, dhe do të ktheheshin mbrapsht.
Ndërsa kalonte përbri mureve të kalasë për t’u tërhequr, Profeti ynë i dashur paqja qoftë mbi Të hapi duart dhe filloi të lutej:
-O Zot! Falu Thakifasve udhëzimin, duke i sjellë edhe ata pranë nesh, – duke u lutur kësodore edhe për ata njerëz që deri atë ditë kishte luftuar me ta.
Sakaq, patën ardhur prapë deri në Xhirane. Kishte edhe trembëdhjetë ditë prej përfundimit të muajit të Dhilkades, andaj i Dërguari i Allahut u fut në një faltore që gjendej në pjesën e poshtme të luginës, ku filloi të vishte ihramin, pasi, me sa duket, do të shkonin në Mekë për të vizituar Qaben.
Kështu u takuan edhe njëherë me Qaben, kryen detyrën e rrethrrotullimit të saj, dhe pasi kishin bërë edhe kalimin nga Safa për në Merue, prenë flokët dhe kafshët e flijimit, dhe po brenda asaj mbrëmjeje u kthyen sërish për në Xhirane. Në Xhirane mbërriti në mëngjes. Të enjten tjetër mori rrugën për të shkuar në Medinë. Profeti i Njerëzimit mori rrugën e Serefit dhe Merri Dhehranit, nga ku, tri ditë para përfundimit të Dhilkades, mbërritën në Medinë. Koha që kur ishte nisur drejt Mekës për ngadhënjim dhe kësaj dite që po kthehej sërish në Medinë ishte afro tre muaj. Brenda kësaj kohe ishte fituar Meka, ishte arritur fitorja e Hunejnit, dhe pasi kishin lënë të hapur portat e Taifit që taifasit të vinin një ditë me vullnetin e tyre, madje edhe ishin kthyer sërish në qytet. Ishin bërë myslimanë shumë vetë, madje edhe disa prej atyre që ishin përpjekur aq shumë herë për të pushtuar Medinën, e njëkohësisht për të vrarë Muhamedin Fisnik.
Ndërsa ata që kishin marrë pjesë bashkë me të Dërguarin e Allahut në luftë ishin kthyer nëpër shtëpitë e tyre me goxha plaçkë lufte.
Profeti i Allahut paqja qoftë mbi Të, që po hynte në Medinë pas një kohe shumë të gjatë, fillimisht shkoi në faltore, siç edhe vepronte përherë, për t’i shprehur Allahut falënderimet nëpërmjet adhurimit.
Një vizitë dhe një portë e re, hapur kah e ardhmja
Para se të kthehej në dhomëzën e Tij të lumturisë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkoi të trokiste në portën e shtëpisë së vajzës së Tij, Fatimes. Ndoshta do ta takonte se e kishte marrë malli shumë pas gjithë kësaj ndarjeje të gjatë!
Portën e hapi vetë nëna jonë, Fatimja. Kur pa se para porte rrinte i ati, u emocionua ç’të thuash. E pa njëherë me një kujdes të përmalluar. Ishte habitur së tepërmi, por me të ardhur në vete, iu përkul t’i puthte duart. Donte t’ia puthte gjer sa të ngopej. Vetëm se as kjo nuk ishte e mjaftueshme që ta hidhte tej mallin që e kishte kapluar, andaj e përqafoi dhe filloi të qante me ngashërim. Lumturia e ritakimit u kthye në lot, andaj nga faqet filluan t’i rridhnin disa pika loti-kristal.
Qetësimi i saj duhej bërë po prej të Dërguarit të Allahut:
Pse qan kështu, kaq shumë, o Fatime?
Ngashërimet i ishin bërë komb në fyt, andaj nuk po i përgjigjej dot fjalëve të të atit. U mundua shumë që të merrte veten, derisa më në fund, tha:
Nuk e mbajta dot veten, o i Dërguar i Allahut! Sepse e shoh, që paske hequr mjaft keq! Të janë ngatërruar flokët, e të qenkan pluhurosur tej mase. Rrobat të janë grirë, e ngjyra e fytyrës të ka ikur fare. Nuk durova dot, o i Dërguar i Allahut!
Po vlerësonte vetëm pamjen e jashtme të të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi Të. Vetëm se i Dërguari i Allahut shihte edhe ato që ajo nuk i shihte dot. Nga njëra anë Ai rrekej të qetësonte vajzën e Tij të dashur, e nga ana tjetër i tha këto fjalë:
Mos qaj bija ime, mos qaj! Sepse Allahu e ka nisur babanë tënd me një detyrë të atillë, që ka për ta kapluar rruzullin ashtu siç e mbështjell drita e ditës dhe errësira e natës. Nuk do të ngelet asnjë shtëpi e ndërtuar prej tullash, qerpiçësh a guri që të mos hyjë Ai. Asnjë çadër e thurur prej lëkurës së devesë, leshit të deles a qimes së dhisë, që të mos depërtojë Ai brenda saj!
Shënimet
- 278.Për këtë ndodhi ka disa transmetime të ndryshme, ku thuhet se ka pasur tetëmbëdhjetë, shtatëmbëdhjetë, pesëmbëdhjetë, madje edhe dhjetë, ku ka mundësi që të mos jenë numëruar ditët e hyrjes dhe të daljes. Megjithatë shih: Salihi, Subulu’l-Huda ue’r-Reshad, 8/231
- 279.Shih: Uakidi, Megazi, 1/932; Zejlai, Nasbu’r-Raje, 3/280; Ibni Kethir, el-Bidaje ue’n-Nihaje, 4/398, Sire, 3/657