TAKIMI I PARË ME HATIXHEN

Ebu Talibi, me të marrë përgjigjen pohuese nga i nipi, rendi menjëherë për të folur me Hatixhen. Më tepër ai kishte një ndjesi se duhet t’i fliste vetë asaj për cilësitë e përsosura të të nipit. Sepse ai ishte njeriu më i mirë dhe më besnik i qytetit të Mekës. Këto ishin disa nga cilësitë që duhet të përcaktonin personin e zgjedhur si dorëzanë të kësaj tregtie. Për më tepër, edhe çmimi që do t’i jepej atij duhet të ishte i veçantë. Ai e dinte edhe çmimin që do t’u jepej të tjerëve, prandaj vendosi që t’i kërkonte dyfishin Hatixhes.

Pa kaluar shumë kohë, shkoi pranë Hatixhes. Pas përshëndetjeve të përzemërta, ai e pruri fjalën tek karvani dhe te tregtia, duke numëruar një e nga një të gjitha virtytet e pashoqe të nipit të tij.

Muhamedi... I sigurti... Ky emër sikur nuk ishte aspak i huaj për Hatixhen. Ishte ai emri që nuk i shkëputej kurrë prej goje djalit të xhaxhait të saj, Uaraka bin Neufelit. E kishte dëgjuar që në fëmijëri emrin e Tij të pëshpëritej; emri i Tij ishte pothuajse në të gjitha interpretimet e ëndrrave.

Ç’ishte gjithë kjo mirësi? Hatixhen e kishte kapluar një ndjesi se po e gjente në tokë atë që për kaq kohë e kishte kërkuar në qiell... Paracaktimi i kishte ardhur kaq afër, tanimë që karvani ende nuk ishte nisur, ajo filloi të ndjente kënaqësinë e fitimit më të madh që do të kishte arritur ndonjëherë, madje deri në rrëzë të palcës. Edhe sikur të gjithë pasurinë t’i kërkonte, prapëseprapë ajo do t’ia jepte pa u lëkundur aspak. U tremb shumë nga fjalët e Ebu Talibit; ai po vazhdonte t’i thoshte:

O Hatixhe! Kam marrë vesh se për këtë punë ke vendosur një shpërblim prej dy devesh; Muhamedi im është më Besniku ndër të gjithë njerëzit, dhe unë për të po të kërkoj dyfishin, jo dy, por katër deve.

Për njëfarë kohe e kaloi nëpërmend këtë kërkesë... A ishte e mundur të bëhej pazar për një tregti të këtillë? Sidomos tani që ishte një tregti që kishte të bënte me lumturinë, jo vetëm të kësaj bote, por edhe me atë të përtejmen? E ç’ishin tekevona katër deve. Me të mbaruar fjalën e tij Ebu Talibi, ajo tha:

O Ebu Talib! Të të them të drejtën, ti po më kërkon një çmim jo edhe aq të madh. Edhe sikur shumë më shumë të më kërkoje, prapëseprapë do të t’i kisha dhënë pa m’u dridhur syri. Sikur të ma kërkoje edhe për një njeri të parëndësishëm madje, lëre pastaj që ti je duke më folur për një njeri më se të dashur!

Ashtu siç ranë në një mendje edhe për çmimin, tashmë nuk kishte ngelur kurrfarë pengese që karvani të nisej në drejtim të Sirisë. Ebu Talibit nuk i ishin fshirë aspak prej kujtesës fjalët që i kishte këshilluar murgu Bahira në udhëtimin e parë drejt Sirisë, andaj e këshilloi me përkujdesje të veçantë nipin e tij që të bënte kujdes gjatë gjithë udhëtimit, sepse ishte tejet i shqetësuar që, teksa kërkonte të fitonte diçka në emër të kësaj bote, të humbte nipin e tij që e kishte aq të shtrenjtë.

E ajo ditë e mbrame erdhi. Mbreti i profetëve u nis bashkë me karvanin, por diçka e veçantë nuk po i shpëtonte askujt prej syve. Mejserja, një nëpunës i Hatixhes së nderuar në të tilla raste e ndiqte Besnikun Muhamed në çdo lëvizje dhe sjellje të Tij. Tekembramja ky ishte një udhëtim që do të zgjaste të paktën tre muaj. Udhëtarët krijuan një afrimitet të veçantë me njëri-tjetrin, e kësisoj kishin zënë në dorë një mundësi të artë për ta njohur më nga afër Profetin e profetëve.

Betimi përpara të gjithëve

Pas një rrugëtimi të stërgjatë e shumë të lodhshëm, më në fund, ata mbërritën në Siri. Të gjithë, të preokupuar që të gjenin çmimet më të përshtatshme për mallrat që kishin prurë me vete. Edhe Muhamedi ishte brenda një orvatjeje të tillë, derisa arriti një marrëveshje të mirë me një tregtar vendës për t’i vendosur edhe pikën kësaj tregtie. Në këtë pikë, tregtari përballë ishte mërzitur paksa, sepse kërkonte që Muhamedi të kryente betimin tradicional. Madje, këtë po e kërkonte në emrin e dy idhujve, Latit dhe Uzës. A ishte e mundur që Ai të betohej mbi këto copa të gjora druri, të bëra veçse nga dora e njeriut? Edhe reagimi i Tij do të ishte ai më i natyrshmi:

Nuk do të betohesha asnjëherë mbi ta; zaten nuk kam asgjë tjetër që ta urrej më tepër se to, - u thoshte Ai, derisa personi përballë iu afrua Mejseres për ta pyetur se kush ishte ky njeri që guxonte të mos betohej mbi Latin dhe Uzën.

A e njeh ti këtë njeri? Kush është ky? - e pyeti ai Mejseren.

Megjithëse ai ishte duke e përfunduar vetë mendimin mbi këtë çështje, pa pritur për fjalët e Mejseres.

Mos të bëjë vaki që ta lësh të vetëm këtë njeri. Nuk ka kurrfarë dyshimi se Ai është një njeri i Dërguar prej Zotit.

Murgu Nastura

Më në fund të gjitha punët e tyre në Siri erdhën drejt fundit, andaj pa humbur kohë ata morën rrugën e kthimit për në Mekë. Rruga ishte bërë e stërmundimshme dhe të gjithë ishin lodhur mjaft, andaj vendosën të bënin një pushim nën hijen e disa pemëve aty pranë. Të gjithë u ulën, dhe ndërsa disa po përkujdeseshin me hesapet e tregtisë që kishin bërë, Profeti ynë ishte ulur pranë një peme të moçme e po freskohej sadopak në hijen e saj.

Pa kaluar shumë kohë, Mejsere pa dikë që po afrohej me një nxitim të pazakontë. Ky që po afrohej nuk ishte tjetër, pos murgut Nastura. Ai iu afrua Mejseres për ta pyetur:

Cili është ai që ka qëndruar nën hijen e asaj pemës atje?

Mejsere iu përgjigj se Ai ishte Muhamedi, i biri i Abdullahut, me një fjalë, një nga djelmoshët e familjes.

Murgu, në fillim tundi pak kryet kur dëgjoi këtë përgjigje. Nuk i pëlqeu aspak kjo përgjigje dhe mënyra me të cilën iu tha. Teksa pyeste, dallohej lehtë që kishte një qëndrim sikur donte të thoshte se as ju nuk e dini se cili është, kështu që vendosi ta pyeste edhe njëherë:

Mos ka një dozë të kuqeje në sytë e tij?

Po, ka, - ia pati Mejserja.

Murgu këtë herë u duk i bindur plotësisht. Filloi të thoshte disa gjëra të veçanta, për të cilat edhe betohej.

Ju betohem, se poshtë kësaj peme nuk ka qëndruar askush përpos profetëve.

Dukej që Nastura do të thoshte edhe shumë gjëra të tjera, dhe dukej se e folura e tij sikur nuk donte kurrsesi që të pushonte.

Nuk është aspak për të dyshuar se Ai është profeti për të Ci-

lin njerëzimi është kaq shumë i etur. Madje është Profeti i fundit i

Njerëzimit.

Mejserja vazhdonte të ishte i çmeritur nga fjalët, që mbartnin një domethënie kaq shumë serioze, të murgut Nastura. Nuk po arrinte as t’i kuptimësonte dot. Ai nuk harroi t’i bënte të paktën veshët katër për ta çuar deri në fund, ashtu siç duhej, këshillën e zonjës së tij, Hatixhes; ai po e regjistronte çdo gjë pa humbur asnjërën prej detajeve të shprehura nga goja e këtij murgu të urtë.

Kishte shumë gjëra që mund t’i mësonte prej këtij murgu. Dukej qartë, se edhe ai kishte rënë pikërisht në atë që po kërkonte, andaj nuk reshti së kërkuar sa më shumë informacion për Muhamedin. Prandaj, tanimë ishte ai që e pyeste murgun për të Dërguarin e Allahut, duke i përmendur vazhdimisht edhe dukuritë e pazakonta që i kishin shoqëruar përgjatë gjithë udhëtimit. Ai nuk harroi t’i rrëfente atij dukurinë e betimit, rrëfim ky që ia shumëfishoi emocionet murgut të shtangur nga një takim kaq i veçantë. Dukej që po gërryhej nga përbrenda. Mendimi i tij tashmë ishte formësuar thuajse plotësisht, andaj, ashtu i sigurt në vetvete, ai i tha Mejseres këto fjalë:

Vallahi, që ky është Profeti i fundit që ne po presim prej kaq kohësh. Të lutem e të përgjërohem që të përkujdesesh sa më veçanërisht për Të!

Mandej, i mbërthyer nga emocionet shkoi në drejtim të vendit ku po qëndronte i Dërguari i Zotit. Fillimisht e puthi në ballë, e në fund iu përul në fund të këmbëve, duke i thënë:

Unë dëshmoj se Ti, je ai njeriu për të cilin flet Zoti në Teurat.

Sërish e njëjta re

Pas këtij pushimi, ata u nisën sërish në drejtim të Mekës. Koha ishte shumë e nxehtë, dhe rrezet e diellit të përvëlonin. Mejserja, gjatë rrugës pa dy engjëj bardhoshë, të cilët në trajtën e dy reve, po përpiqeshin që t’i bënin hije Profetit paqja qoftë mbi Të!, dhe për njëfarë kohe nuk po e merrte dot veten nga mahnitja. Dy re në një mot të tillë... Mbi të gjitha, dy re që ndjekin pa reshtur të njëjtin njeri... Dy re që e ndjekin teksa ecën, dhe që ngalakaqen teksa ai ndalon...

Ndërsa Ai, ashtu pa e prishur fare sigurinë dhe besimin në vetvete, e vazhdonte rrugëtimin sikur të mos kishte asfarë gjëje jo të natyrshme. Të gjitha këto shkaktuan përndezjen e një dashurie të atillë karshi këtij njeriu, që këtej e tutje do t’ia përkushtonte Atij gjithë qenien dhe ekzistencën e vet. Tashmë ai e shihte veten si shërbëtorin e Tij më të përkushtuar. Kur mbërritën në Mekë, koha ishte ndoshta më e nxehta e mundshme, dhe diellin e kishin thuajse mbi krye. Edhe Hatixhja, me të mësuar mbërritjen e karvanit, doli menjëherë në shesh për të pritur të dërguarit e saj. Në një çast u kap së tepërmi pas diçkaje të pazakonshme. Ishin dy engjëj që me krahët e tyre mundoheshin t’i bënin hije Muhamedit, më Besnikut. Ajo deshi që ta ndante këtë me të gjithë miqtë e saj. Nuk donte kurrsesi që të ngelej, askush, që të mos e shihte këtë gjë kaq të veçantë. Padyshim, ai ishte një peizazh që nuk mund të ngopeshe së bëri sehir. Çdokush që e shihte nuk e fshihte dot mahnitjen dhe habinë.

Raporti mbi rrugëtimin

Padyshim ky ishte ndoshta më i veçantë për Mejseren deri më tani; as nuk kishte hasur ndofarë padrejtësie, apo ndonjë lloj parehatie të brendshme gjatë udhëtimit. E patën çuar dhe vlerësuar mallin ashtu siç duhej, madje i kishin shitur ato me një çmim shumë më të lartë prej atyre çmimeve që mund të ofroheshin në qytetin e Mekës. Madje edhe mallrat e prura së andejmi, u shitën në Mekë me çmime me të vërtetë të majme. Më në fund, edhe Hatixhja e gjeti sigurinë që e kishte kërkuar për aq shumë kohë. Më herët kishte bërë tregti me çdofarë njerëzish, veçse Më Besniku ndër njerëz ishte krejt i veçantë.

Madje nëse do të shihej më me kujdes, halli i vërtetë i Hatixhes nuk ishte në faktin se Ai ia kishte shitur me një çmim shumë më të lartë. Këtë ajo e tregoi edhe në padurimin që po tregonte derisa të takonte Mejseren. Me ta parë, zuri ta pyeste për çdo gjë që kishte ndodhur përgjatë udhëtimit.

Mejserja fillimisht filloi t’i flasë asaj për fjalët e murgut Nastura. Mandej zuri t’i flasë për dy engjëjt që e mbronin Atë prej nxehtësisë përzhitëse të diellit. Nga kërkesa për t’u betuar në Siri deri te reagimi i Tij i veçantë, duke ia transmetuar një më një të gjitha fjalët e thëna nëpër këto biseda. Kishte aq shumë që po i rrëfente të gjitha këto, saqë herë-herë edhe i përsëriste ato, duke u dukur sikur nuk donte t’i përfundonte këto fjalë të mira kushtuar një besimi të veçantë.

Zaten, këto ishin ato fjalë që po priste të dëgjonte edhe vetë Hatixhja. Po vdiste përbrenda ngase nuk po i fashiste dot dallgët emocionuese që dallgëzonin në brendësi të shpirtit të saj, të cilat po përpiqej gjithashtu që t’i fshihte me sa të mundte. E si të mos jetë e mundur kjo, kur të gjitha veçse tregonin për Të.

Komentet e Uaraka bin Neufelit

U çua menjëherë për të shkuar pranë mësuesit të saj të përsosur, kushëririt të saj, Uaraka bin Neufelit. Kësaj here, ajo donte të ndante me djalin e saj të xhaxhait pikërisht ndodhitë e rrugëtimit tregtar të karvanit.

Edhe Uaraka u prek së tepërmi nga fjalët që po i thuheshin. Tashmë ishte edhe ai i sigurt se po i vërtetoheshin mendimet që kishte pasur deri më tash.

- Nëse këto që më tregove janë të vërteta, o Hatixhe, atëherë po ta them se nuk ka asnjë dyshim se Ai është profeti i fundit i njerëzimit! E di edhe unë, se për këta njerëz, herët a vonë do të vijë një profet. Zaten kjo është edhe koha që i ngjan më së shumti kohës në të cilën do të vijë Ai, - i tha ai kushërirës së tij, e cila po digjej për të dëgjuar fjalët e urta të djalit të xhaxhait.

Komentet e Uarakës ishin tejet të vërteta, dhe për më tepër, shumë të rëndësishme për Hatixhen. Siç dukej, çdo gjë po fliste vetëm për Të. Ato që kishte dëgjuar deri më tash, betimet e Mekës dhe rrëfimet e Mejseres, ishin pikëprerja e të gjithave syresh. Ato tregonin adresën e vërtetë të Muhamedit besnik. Hatixhja ishte tashmë e bindur plotësisht. Profeti i shumëpritur ishte tashmë kaq pranë saj. Martesën e kishte nxjerrë prej kohësh nga mendja, por tashmë mendimi për të qenë bashkë me Të sikur ishte më i gjalli dhe kënaqësindjellësi.

Rrugë që shkon kah bashkëshortësia

Hatixhja ishte martuar dy herë gjer atëherë, dhe as që e çonte nëpërmend që të martohej edhe njëherë. Sipas saj tashmë kishte arritur moshën e pjekurisë, si dhe nuk kishte nevojë për ekzistencën e një tjetri për t’u mbështetur karshi dallgëve të jetës. Me fjalët të tjera, ajo kishte një pasuri aq të madhe, saqë ishte e pamundur që të mund t’ia përcaktoje. Rrethi gjeografik i prejardhjeve të vartësve të saj ishte jashtëzakonisht i gjerë. Ashtu siç kishte punëtorë nga Bizanti, nga Iraku dhe Gasasina, ajo kishte punësuar edhe njerëz nga vendet e afërta si Siria dhe Hira.

Ishte tejet e pasur, dhe ishte përherë në qendër të vëmendjes së njerëzve të mençur, të bukur dhe të pjekur. Deri më atëherë, as që i kishte shkuar ndërmend që të martohej, ndoshta edhe nga një mendim për të mos ndotur martesat e mëparshme, ajo i refuzonte të gjitha kërkesat që i vinin nga njerëzit përreth. Tanimë, ishte e një tjetër mendjeje, veçse nuk dinte se si ta hapte një mendim të këtillë, andaj ishte zhytur në mendime të thella.

Ajo që e vuri re e para këtë ndryshim te Hatixhja, ishte Nefisja, e bija e Munjes, derisa iu afrua një ditë prej ditësh, për ta pyetur:

Ç’po ndodh kështu me ty, o Hatixhe? A e ke parë se sa shumë ke ndryshuar? Tërë jetën kam qëndruar pranë teje, por nuk të kam parë asnjëherë kaq të menduar!

Fillimisht ajo u lëkund nëse duhej apo jo ta fliste këtë çështje me Nefisen, andaj për disa çaste ndenji ashtu e heshtur. Edhe pa bërë asnjë lëvizje, nuk mendohej se e mira do të vinte e do t’i trokiste vetë në portë. Ajo vendosi që ta ndante këtë ngulç me mikeshën e saj të ngushtë.

Nefise, as që nuk kam më dyshime, se unë shoh te Muhamedi, i biri i Abdullahut, virtyte që nuk i kam parë tek asnjë njeri tjetër. Ai është shumë i drejtë, besnik dhe i sigurt; vjen nga një familje e sojshme, dhe e ke parë se sa i fisshëm që është. Ndoshta është njeriu më i hairit që mund të rastisësh. Mbi të gjitha, për të ka shumë sihariqe të mahnitshme! Një gjendje shumë e çuditshme... Kur dëgjon ato që rrëfeu Mejserja... Kur bëhesh dëshmitar i rrëfenjave të murgut Nastura dhe popullit të Mekës... Apo ndoshta kur sheh renë që e ndiqte përgjatë gjithë rrugëtimit të Sirisë, ta bëjnë të gjitha zemrën të të fluturojë prej vendit. Kam besim se Profeti i shumëpritur prej të gjithëve nuk është askush tjetër, pos Tij!

Mirë, po çfarë lidhje ka kjo tani me këtë zverdhje të çehres sate, apo me qëndrimin tënd kaq të mendueshëm? - ia ktheu Nefisja, e cila të thuash të drejtën, nuk po kuptonte asgjë prej gjëje.

Mesa dukej, ajo duhet të fliste pak më hapur. Andaj, pa humbur kohë, Hatixhja u kthye kah Nefisja:

Shpresoj se mund ta bashkoj fatin tim e të martohem me atë njeri, mirëpo nuk di si do t’ia arrij diçkaje të tillë?

Kësaj here çdo gjë ishte e qartë. Nefisja, e cila kishte kuptuar thuajse çdo gjë nga mimika e Hatixhes, e kënaqur se mund ta ndihmonte sadopak, i tha:

Nëse dëshiron, unë mund të shkoj e t’ua mas paksa pulsin njerëzve!

Ky ishte pikërisht edhe reagimi që po priste Hatixhja, andaj ashtu e ngazëllyer, iu kthye Nefises:

Nëse e bën dot diçka të këtillë, ta dish se duhet ta bësh sa më shpejt!

Nefisja, e bija e Munjes, u nis menjëherë. Pa humbur shumë kohë, filloi të pyeste se si mund ta gjente adresën e Muhamed bin Abdullahut. Pas pak kohësh e gjeti veten pranë Të Dërguarit të Allahut sal’lallahu alejhi ue sel’lem.

O Muhamed! - i foli ajo.

Muhamedi i nderuar u kthye i tëri kah ajo, e po e dëgjonte me vëmendje.

Çfarë të pengon që nuk martohesh? Pse nuk martohesh? - e pyeti ajo.

Kjo ishte një pyetje surprizë, të cilën Mbreti i mbretërve as që e kishte çuar nëpërmend se mund t’i pyetej.

Nuk është se kam ndonjë mundësi të tillë, - ia ktheu Ai. Dhe vërtet, Ai nuk i kishte mundësitë ekonomike për t’u martuar. Të paktën, Ai duhet të kishte një njeri mbështetës që ta merrte përsipër e të kujdesej për martesën e Tij.

Nefisja do të mundohej me gjithë shpirt që t’i tregonte se kjo në fakt nuk përbënte asnjë problem. A nuk ishin të gjitha, pasuria, malli dhe paraja veç një lojë kalimtare? E cilësitë e mira, si qetësia, besnikëria dhe karakteri i pastër, nuk ishin ndonjë pasuri e vogël që mund të gjendej kudo! Përderisa porta ishte hapur kaq shumë, duhej të mos mbyllej.

Nëse nuk do të kishe këtë problem që përmende, e të të dilte përpara një grua e pastër, e bukur, e pasur dhe me karakter të lartë, a nuk do të martoheshe? - e pyeti ajo.

Fjalët tregonin se në fakt ekzistonte një njeri me këto cilësi. Dhe Mbreti i Fjalës vendosi që ta pyeste:

Kush na qenka kjo, oj Nefise?

Hatixhja, - ia ktheu Nefisja.

Ishte e pamundur të mos e njihte Hatixhen, të bijën e Huvejlidit; vetëm pak ditë më parë kishte qenë ai që e kishte shpënë karvanin e saj në Siri, duke ia dorëzuar përsëri pas një tregtie vërtet të majme.

Vetëm se martesa nuk ishte aq e lehtë sa tregtia. Andaj, ai e pyeti:

E si mund të ndodhë diçka e këtillë?

Halli i Nefises nuk ishte se si mund të ishte e mundur diçka e këtillë, por mezi priste që të merrte një “Bëhet!”. Ja, edhe kjo fjali ishte në njëfarë mënyre një pohim, dhe me të dëgjuar këto fjalë nga goja e Mbretit të mbretërve, ajo zuri të merrte frymë thellë. Sepse kjo donte të thoshte: “Për mua nuk përbën asnjë pengesë.” Këndej e tutje, edhe për Nefisen ishte disi më e lehtë.

Ti lërma mua se si mund të realizohet. Atë e zgjidh unë, - i tha ajo.

Heshtja ishte pohim deri diku, andaj Nefisja u nis menjëherë për te Hatixhja që t’i jepte sihariqin. Donte të ishte pikërisht ajo e para që ia thoshte këto fjalë. Rendi me një frymë, e zuri t’ia rrëfente një e nga një të gjitha. Lajmi që Nefisja i pruri, e bëri Hatixhen të merrte frymë më lehtë. Dhe me të mësuar se Ai nuk ishte kundër diçkaje të këtillë, ajo i nisi Atij menjëherë kërkesën dhe pëlqimin e saj për t’u martuar me Profetin e përmalluar. Ja, kërkesa niste me këto fjalë:

O i afërmi im! S’ka dyshim se unë nga afrimiteti që kemi midis familjeve tona, si dhe nga karakteri dhe sjelljet e tua të përsosura, nga fjala e drejtë që nuk ndahet kurrë prej gojës sate, dhe nga besnikëria e pashoqe që të karakterizon, po të them se dua të martohem me Ty. Thuaja këto edhe xhaxhallarëve të Tu, që të bëjnë përgatitjet e nevojshme!

Dukej qartë se të gjitha këto nuk ishin gjë tjetër veçse shprehje të kujdesshme që shprehnin dashurinë dhe lidhjen shpirtërore që kjo grua kishte karshi të Dërguarit të Allahu paqja qoftë mbi Të! Mirëpo edhe Muhamedi i nderuar nuk donte të vepronte nxituar, pa u këshilluar më parë me më të mëdhenjtë e Tij. Me të marrë këtë kërkesë, Ai shkoi menjëherë pranë xhaxhait të Tij, Ebu Talibit, për t’i treguar një për një të gjitha ato që ishin folur mes Tij dhe Hatixhes.

Po, nipi i tij ishte shumë i rëndësishëm për xhaxha Ebu Talibin. Askush nuk e kishte vlerën e Tij në sytë e Ebu Talibit. Edhe Hatixhja nuk ishte një femër që mund të mos vlerësohej nga çdokush. Të gjithë e dinë që ajo bënte një jetë në ndershme për t’u krenuar. Ishte e sojshme dhe tejet e fisshme. E kuptoi edhe prej të nipit që nuk është se nuk i pëlqente, andaj mendoi, “Pse të mos bëhet?”, derisa më në fund e uroi i pari të nipin.

Lidhja e martesës

Më në fund erdhi koha për bashkëshortësinë e lumtur që do t’u ndryshonte rrjedhën viteve. Dhe pa kaluar shumë kohë, një ditë, djemtë e Abdulmutalibit me Ebu Talibin në krye u nisën për të kërkuar dorën e Hatixhes.

Pas bisedave të ngrohta që u bënë midis dy familjeve, u krijua një çerdhe e re. U therën deshë e deve pa masë, madje kishte grupe të tëra që përkujdeseshin për shërbim. Ishte ngritur një martesë 25-vjeçare, e vështirë disi, por plot rehati shpirtërore.

Kështu do të fillonte një jetë pesëmbëdhjetëvjeçare derisa erdhi kumti hyjnor, që mund t’i shërbejë si një shembull i mirë çdokujt. Muhamedi i nderuar, më besniku ndër njerëz, do të shërbente këndej e tutje si shembulli më i shndritshëm për një kryefamiljar. Ai nuk rrinte asnjëherë pa e ndihmuar të shoqen në punët e saj, pasi arrinte që të gjitha problemet e tija t’i zgjidhte menjëherë, madje me lehtësinë më të madhe. Kësodore u ngrit ajo çerdhe shembullore që karakterizohej nga respekti i ndërsjellë dhe nga lumturia e pashoqe. Megjithëse ishte e zonja të mbante shumë shërbëtore, ajo parapëlqente përherë t’i shërbente vetë bashkëshortit të saj. I bënte aq e lumtur, sa mund të thoje se ajo i bënte ato sikur t’i kishte hallkat e një adhurimi të përditshëm. E kishte dedikuar gjithë fuqinë e saj për lumturinë e harenë e Tij. Sikur të ishte një shërbëtore e Tij, ajo nuk duronte dot që të mërzitej qoftë edhe sadopak. Hatixhja tregonte kujdesin më të veçantë të mos kishte asnjë avari që mund ta shqetësonte.

Frytet e kësaj çerdheje

Pa kaluar shumë kohë, edhe kjo familje si çdo simotër e saj filloi të jepte frytet e saj të para. Fillimisht lindi Kasemi. Profeti ynë paqja qoftë mbi Të!, pikërisht prej këtij fakti thërritej edhe me emrin “Ebu Kasem”, vetëm se ai ishte shumë i përkohshëm në këtë botë kalimtare. Nuk kishte shumë kohë, që sapo kishte filluar të ecte këmbadoras, kur iu desh të hapte krahë e të fluturonte, për të mos u kthyer më, drejt Xhenetit.

Kaluan dy vjet prej vdekjes së Kasemit, kur Profetit tonë të Nderuar i lindi vajza e parë, e cila është për të gjithë ne Nënë Zejnebi. Ajo ishte edhe vajza e parë dhe më e madhe e Tij. Pas një viti lindi Rukija, dhe tre vjet pas Rukijes erdhi në këtë botë edhe Umu Kulthumi. Ndërsa, nëna jonë, Fatimja do ta nderonte këtë botë me ardhjen e saj në jetë në vitin e parë të revelacionit profetik.

Shënimet

  1. 29.Ibni Sad, tabakat, 1/157; Suhejli, raudu’l unf, 1/122
  2. 30.Ibni Sad, tabakat, 1/130
  3. 31.Ibni Sad, tabakat, 1/130
  4. 32.Po aty.
  5. 33.Po aty.
  6. 34.Sujuti, el-Hasaisu’l Kubra, 1/51
  7. 35.Ibni Sad, tabakat, 1/130-1; Taberi, tarih, 2/196
  8. 36.Taberi, tarih, 2/197
  9. 37.Ibni Hisham, sire, 2/10
  10. 38.Në kuptimin “babai i Kasemit”