PRIJËSIT E PËRHERSHËM

Mbreti i gjithë mbretërve, një ditë të hëne kishte filluar të falte namaz, në një gjendje të veçantë përuljeje përpara Zotit. E i vetmi njeri që i ishte lidhur nga pas në atë pasdite, nuk ishte tjetër, por vetë nëna jonë, Hatixhja e nderuar; ajo ishte e para që Ai e mësoi si të merrte abdes, e si të falej, pasi ia kishte mësuar Zoti. Kështu që, në një ditë të tillë që bota ishte mbërthyer fli prej kthetrave të injorancës, po fillonte lëvizja e parë që po e bënte të qeshur fytyrën e botës.

Tashmë Hatixhja e nderuar, ishte si një “ministre” besnike dhe mëse e denjë përkrah Profetit të Allahut Paqja qoftë mbi Të; sa herë që përballej me ndonjë gjë të papëlqyeshme, i vinte pranë dhe e ledhatonte me fjalë të ëmbla, duke ia fashitur atë mërzitje njëfarësoj. Ajo gjatë gjithë jetës së saj do të mundohej që t’i rrinte vetëm pranë, duke u përpjekur që ta ndihmonte në çdo pengesë që i zinte rrugën.

Vendimi i madh i Aliut

Telashet e përjetuar në familjen e Muhamedit, më besnikut ndër njerëz, vajtje-ardhjet në shtëpinë e Uarakas, telashi i asaj çka kishte ndodhur në Hira, tregonte se diç e re kishte ndodhur. Edhe vogëlushi Ali diçka kishte syzuar prej këndej. Ai i shikonte me vëmendje faljet e tyre, por nuk ishte veç dhjetë vjeç në atë kohë. - Çfarë bën kështu? Ç’është ajo që bën Ti? – e pyeti ai.

Po fal namaz për hir të Zotit të botëve, - ia ktheu Profeti i Allahut.

Kush është Zoti i botëve?

I Dërguari i Allahut, me sjelljen e një babai të dhimbsur, e mori dhe e uli në prehër, e saora filloi t’i rrëfente të gjitha ato që po ndodhnin:

Zoti i botëve është Allahu, i Cili është Një dhe i Vetëm! Ai nuk mund të ketë kurrsesi shoqërues. Është Ai që ka krijuar krejt gjithësinë, e është po Ai që ia jep të gjitha çka i nevojitet. Ai ka çdo gjë nën kontroll, sajë fuqisë së Tij të pashtershme, e është Ai që ia jep apo ia merr jetën gjallesave. Padyshim që Ai ka fuqi për çdo gjë.

Këto ishin si këshillat që mund t’i japë veçse një baba me një zemër të madhe, prandaj edhe e prekën menjëherë Aliun e vogël.

Aliu e kishte pasur gjithnjë bindjen se në çdo hap që hedh, njeriu i afrohet pak më tepër vdekjes, aq sa nuk lëkundej aspak karshi kësaj bindjeje. Vetëm se nuk mund të vendoste pa u këshilluar më parë me të atin. Sidoqoftë, vendin e babait nuk mund ta zinte asgjë tjetër. Vetëm se më parë, do të ishte Profeti ynë, i Cili do t’i kërkonte diçka; Ai do t’i lutej që për ato çfarë kishin folur, të mos i tregonte askujt.

Atë natë, Aliun e vogël e kapluan gjithfarë mendimesh. E ç’nevojë kishte për t’u këshilluar me nënën dhe babain për një çështje që kishte të bënte me besimin në Zot! Tashmë e kishte vendosur përfundimisht, me të aguar, do të shkonte pranë Të Dërguarit të Allahut, e do t’i thoshte:

Për çfarë më pate folur dje, e si ishte ajo ftesa që më bëre? - e pyeti ai.

Duket qartë, se Aliu ishte pjekur më herët sesa përparimi i viteve të moshës së tij. Ai po hynte tashmë në radhët e të parëve, pa ndjerë nevojën të fliste më parë nja dy fjalë me babanë e tij. Profeti i nderuar Paqja qoftë mbi Të e uli pranë vetes, e i kërkoi që të dëshmonte për ekzistencën e Allahut, të Vetëm e të Pashoq. Kështu, Aliu i nderuar, pas nënë Hatixhes do të ishte i pari që e pranonte njësinë e Zotit, për të hyrë kësodore në radhët e të parëve të Islamit, për të mos hequr më dorë prej dorëzimit të plotë ndaj Allahut Mëshirues. Tashmë Aliu nuk do të ndahej më prej Muhamedit të nderuar, Profetit të Njerëzimit, që ishte njëkohësisht edhe djali i xhaxhait të tij, sepse nuk donte kurrsesi që t’i dëgjonte ndonjë tjetër përpara tij ajetet që vinin për herë të parë nga goja e Profetit më të Madh.

Adhurimi dhe qetësia shpirtërore

Në ditët e para, namazi falej vetëm në mëngjes dhe në mbrëmje, me nga dy rekatë në secilën falje. Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të, kërkonte një vend të qetë për të kryer adhurimet e Tij karshi Allahut të madhëruar, andaj edhe shpeshherë dilte jashtë Mekës, ku në mes të pemishteve të hurmave ia hapte veç Atij dertet e mëdha që e shqetësonin. Një ditë prej ditësh, u larguan bashkë me Aliun e vogël, e kishin filluar sakaq të faleshin. Mirëpo, as babai e as xhaxhallarët nuk e dinin që Aliu i vogël ishte bërë mysliman. Mos të ndodhë që, pikërisht në atë kohë, të kalojë edhe Ebu Talibi, babai i Aliut të vogël, nga ato anë. Atë e habitën tej mase lëvizjet e trupave, të nipit dhe djalit të tij. Në mbrëmje, shkoi pranë tyre, e i pyeti se ç’kishte ndodhur kështu:

O djali i vëllait tim! Shpjegoma njëherë këtë fenë që ke pranuar? – e pyeti Ai.

O xhaxha, - filloi të fliste i Dërguari i Allahut, me një zë që të ndikonte menjëherë në thellësi të shpirtit, - ajo është feja e Allahut dhe e engjëjve, e profetëve, dhe e të parit tonë, profetit Ibrahim. Ajo është feja me të cilën Allahu më ka ngarkuar për të ftuar njerëzit në rrugë të drejtë. Ndërsa ti, o xhaxha, je njeriu më i denjë, më i parë që duhet të më ndihmosh, e njëkohësisht të përfitosh prej ditës së këtij dielli, - i tha Ai.

Mirëpo, Ebu Talibi nuk ishte assesi i një mendjeje.

O i biri i tim vëllai, unë nuk mund të heq dorë nga feja që ma kanë lënë si trashëgim të parët e mi. Megjithatë, dua që të më tregosh mua sa herë që të të ndodhë ndonjë gjë e papëlqyeshme, e unë do të jem përherë i gatshëm për të të ndihmuar me gjithë fuqitë e mia.

Megjithëse i thoshte këto fjalë, e po e mbyllte bisedën, nuk mund të duronte dot pa shtuar disa fjalë:

Nuk kam se ç’të të kundërshtoj për këto që po më thua, veçse nuk e di... nuk mund të dal kështu i kërrusur e i turpëruar në sy të njerëzve, - shtoi ai, e sakaq u kthye nga i biri.

Po ti more bir? Ç’të ndodhi që ke ndryshuar kaq shumë?

Baba, unë i besova Allahut dhe të Dërguarit të Tij, - u hodh të fliste Aliu me zërin e tij ende fëmijëror. Gjithashtu e pranoj me gjithë zemër çdo gjë që më thotë Ai. Bashkë me Të kemi falur edhe namaz, andaj këtej e tutje nuk kam ndërmend që të ndahem më prej Tij.

Ebu Talibi nuk kishte asnjë mundësi që të mund të kundërshtonte, megjithatë, teksa po largohej u dëgjua tek thoshte me vete:

Nëse është për Të, nuk kam kurrfarë dyshimi se të fton veçse për të mbarë; mos u nda asnjëherë prej Tij! Sepse prej Tij vijnë veçse të mira. Edhe unë e di se ato që thotë Ai janë veçse të drejta dhe të vërteta. Nëse nuk do të turpërohesha ndaj akuzave të grave të Kurejshit, patjetër që edhe unë do të kisha rendur pas Tij.

Çfarë lumturie! Çfarë fatlumësie që ishte për Aliun e vogël; ai do ta kalonte kohën veçse me Të, do të adhuronin Allahun së bashku, e gjithashtu do të ishin po bashkë teksa i përgjëroheshin me gjithë zemër portës së Të Drejtit Allah.

Ardhja e Zejd bin Harithit

Një ditë prej ditësh, ishte Zejd bin Harithi, një tjetër banor i kësaj shtëpie, që hyri e iu afrua të Dërguarit të Allahut. Edhe ai e kishte kuptuar se diç e re kishte ndodhur, mirëpo nuk po e rrokte akoma se për çfarë bëhej fjalë konkretisht. Nuk i kishte parë asnjëherë më parë kaq të entuziazmuar zonjën e tij, Hatixhen e nderuar, as Muhamedin, më besnikun ndër mekas. Në ato çaste, ai i gjeti ata në një qëndrim të pazakontë, përpara rrinte Nderi i të nderuarve, e nga pas i rrinte e shoqja e tij fisnike, e për më tepër nga goja e Tij po dilnin disa fjalë, të cilat nuk i kishte dëgjuar asnjëherë më parë. Ata po faleshin. Fillimisht i ndoqi me sy, në ruku dhe në sexhde, derisa u çmerit fare...

Me ta mbaruar ritin, ai e pyeti menjëherë Të Dërguarin e Allahut se ç’kishte ndodhur. Tashmë kishte ardhur koha edhe për të; Ai e mori Zejdin pranë vetes, e si një baba, filloi t’ia tregonte të gjitha një e nga një. Profeti i Njerëzimit, i lexoi atij edhe disa ajete, derisa ai nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të shpallte besimin.

E si ishte mundur që të ndodhte ndryshe... Profeti të thoshte diçka, e Zejdi të mos e pranonte. Prandaj edhe hoqi menjëherë dorë nga një jetë e lumtur krah babait dhe nënës së tij, për të jetuar kësisoj si një i dashuruar kryekëput pas vargjeve hyjnore që i zbrisnin Profetit të Allahut Paqja qoftë mbi Të. Ai tanimë ishte përballë me ftesë që, jo vetëm po i jepte drejtim të ardhmes së jetës së tij, por edhe po e shpinte drejt një lumturie të përjetshme. E për më tepër, Ai që po ia bënte një ftesë të këtillë, ishte vetë i Dërguari i Zotit. Një grimëçast, dhe ai e tha menjëherë fjalën e dëshmisë, duke iu ngjitur edhe ai nga pas karvanit të besimtarëve, pas Hatixhes dhe Aliut. Këndej e tutje, së bashku me Aliun e nderuar, do të ishin nga më të dashurit e profetit, që do ta harxhonin krejt frymën për të thirrur veçse për në rrugën e

Profeti ynë, Muhamedi (s.a.s)

drejtë të Zotit.

Pa kaluar shumë kohë, u dëgjuan të trokitura në portë. Pas portës ishte Ebu Bekri i nderuar. Edhe ky tregtar i fisëm dhe me emër në Mekë, nuk kishte ardhur për gjë tjetër, por për të dëshmuar dorëzimin e tij të plotë ndaj të Dërguarit.

Profeti i Njerëzimit sal’lallahu alejhi ue sel’lem nuk ishte më i vetëm në detyrën e ftimit të njerëzve për në më të drejtën e rrugëve, pas Tij rrinin edhe sahabët e nderuar. Ai u lexonte atyre përditë ajetet e zbritura prej Allahut, dhe zemrave e mendjeve të etura për urtësi, ua mësonte pa treguar asnjëfarë përtese. Ndërsa ata, i përpinin ato dije, e ashtu të emocionuar prej tyre, nga dita në ditë thelloheshin në besimin e tyre, duke i ngjitur një e nga një shkallët e rrugëtimit për t’u bërë secili nga një njeri i përsosur.

Shënimet

  1. 47.Ibni Abdi’Berr, istiab, 3/1096
  2. 48.Ibni Is’hak, sire, 2/118
  3. 49.Ibni Hiban, sire, 1/63
  4. 50.Halebi, sire, 1/436
  5. 51.Gjatë atyre ditëve namazi ishte vetëm në dy kohë, në të aguar dhe në muzg, me nga vetëm dy rekate.