ISRA DHE MIRAXHI

Që nga malli i përjetuar në Hira kishin kaluar gjithsej dhjetë vite. Koha tregonte ditën e njëzet e shtatë të muajit Regaib. Gjatë kësaj kohe, ata ishin përpjekur jashtëzakonisht shumë, por Meka prapë ishte treguar kokëmushkë për të mos e pranuar atë që i ofrohej prej të Dërguarit të Allahut. Në fakt, kishte edhe nga ata që nuk mohonin, por pas gjithë atyre përpjekjeve, jo të mohonin, apo thjesht pohonin me fjalë, por duhet të vinin duke rendur kah besimi dhe bukuritë e tij. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk jetonte vetëm për vete. Ai përdorte çdo mundësi që i vinte doresh, duke trokitur çdo ditë nga porta në portë.

Edhe përgjigja që merrte gjithë kjo rropatje përpjekjesh ishte e dukshme. Reagimi që treguan kurejshët pas vdekjes së Ebu Talibit dhe nënës sonë, Hatixhes së nderuar (r.a.), ato që përjetoi në Taif, ia kishin shqetësuar tej mase shpirtin, duke e bërë tani që të ndjente paqe vetëm duke u strukur në mëshirën e ngrohtë hyjnore. Zaten, po të mos ishin edhe këto frymë mëshire, ashpërsia e mekasve ishte e papërballueshme.

Sakaq, një mbrëmje, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkoi në shtëpinë e vajzës së Ebu Talibit, Umu Hamisë, e ç’të shihte, tavani u hap krejt, e së andejmi erdhi sërish miku i Tij më besnik, Xhebraili (a.s.). Ardhja kësaj here ishte ndryshe nga radhët e tjera. Me vete kishte një kafshë, mbi të cilën kishin hipur edhe profetët e tjerë më parë, por që kësaj here ishte pak më e madhe, diku në përmasa më të vogla se një mushkë, me emrin e veçantë “Burak”. Dukej qartë se bëhej fjalë për një ftesë, e për ta marrë kishte ardhur pikërisht miku i Tij më i mirë, Xhebraili. Mbreti i profetëve, Ahmed Mahmud Muhamedi (s.a.s.) ishte kësaj here i ftuari i veçantë i Allahut, të cilin po e ftonte në lartësitë qiellore.

Me një fjalë, gjithë ai pikëllim i përjetuar gjer më sot, do të shpërblehej me një qerasje të një natyre krejt të veçantë... Të vërtetat që Ai kishte kohë që i ndjente në thellësi të shpirtit të vet, tanimë Allahu po e ftonte që t’i dëshmonte me vetë sytë e Tij. Do ta merrte që nga Meka për ta gjezdisur në s’dihet se ç’vise të veçanta qiellore.

Vetëm se, para këtij udhëtimi, duhej kryer një procedurë si ajo që kishin ndjekur njëherë, teksa Muhamedi i vogël gjendej në shtëpinë e mëndeshës së Tij. Andaj, Xhebraili besnik i hapi Atij gjoksin, dhe ia pastroi me ujin e pastër të Zemzemit. Ia mbushi mirë e mirë edhe me xhevahiret e besimit dhe urtësisë, e pastaj ia mbylli. Sakaq, i besuari i qiellit, Xhebraili, do t’i printe të besuarit të tokës, Muhamedit (s.a.s.) drejt një udhëtimi të pashoq e të parrëfyeshëm në viset më të qashtra qiellore.

Isra

Buraku, të cilit i kishte hipur sipër lëvizte aq shpejt, sa në çdo hap që hidhte, dukej sikur e hidhte hapin pikërisht në pikën e fundme të horizontit, duke kaluar sakaq distanca marramendëse. Me të hipur në të zaten hapësira pati ndryshuar krejt, derisa Ai e kishte parë veten në Faltoren në Jerusalem. Shkoi dhe e lidhi Burakun pikërisht në vendin ku e patën lidhur edhe profetët e tjerë. Sakaq u nis për brenda faltores ku do të falte namaz.

Këtu ishin mbledhur robërit më të devotshëm të Allahut, të zgjedhur po nga vetë Ai, të cilët po prisnin të vinte vula e profetësisë, e cila ishte vetë Muhamedi (s.a.s.). Me ta parë që po vinte, ata e pritën me mijëra përshëndoshje, duke filluar një e nga një për t’u rreshtuar që të kryenin detyrën më të rëndësishme të botës. Të gjithë profetët ishin mbledhur në një saf të përbashkët për të falur dy rekatëshin e namazit. Tanimë u kishte ngelur të prisnin vetëm për të Dërguarin e Allahut. Dukej që linja e Ibrahimit (a.s.) do të finalizohej me emrin e Muhamedit, i Cili do ta ndiqte këtë çështje deri në ditën e Kiametit. Zaten ky ishte kuptimi i zgjedhjes posaçërisht të këtij, e jo ndonjë vendi tjetër. Duhej që kryerja e kësaj detyre të bëhej në një vend të përbashkët për shumicën e profetëve, por që më pas do ta kthente vëmendjen kah Meka. Nëse do të shihej nga këndi i takimit me disa prej profetëve paraardhës më tej, gjatë këtij rrugëtimi, do të vërehej vëmendja tek e njëjta temë, e cila theksonte medoemos bashkësinë e nevojshme të shpresës për të ardhmen.

Sakaq, Më i Dashuri Famëlartë zuri vend në krye të xhematit...

Ky ishte simboli që krijesat do të mblidheshin edhe njëherë tjetër, të gjitha, aty, përballë Krijuesit të tyre. Fëmijët e Ademit, pamja e ritakimit të tyre edhe njëherë, dhe personi me emrin e të cilit ai kishte kërkuar falje para portës së Allahut... Derisa profetët u lidhën të gjithë në namaz pikërisht prapa Tij, kjo tregonte se edhe bashkësitë e tyre, do të vinte një ditë, që do të lidheshin po pas fesë së Tij.

Në fund të faljes, përpara iu vendosën tri enë; njëra me qumësht, njëra me ujë dhe njëra me pije. Duhet të zgjidhte njërën syresh. Pa kurrfarë ngurrimi, zgjodhi atë me qumësht. Kjo zgjedhje e Profetit tonë të dashur e emocionoi jashtë mase edhe Xhebrailin e bekuar (a.s.).

Duke zgjedhur qumështin, Ti zgjodhe rrugën e së vërtetës, dhe umeti Yt ka për të qenë përherë udhëtar i rrugës së drejtë. Sepse ky ishte rezultati i leximit siç duhet të realitetit, dhe zgjedhja e bërë duhet të shprehte pikërisht natyrën njerëzore. Edhe zëri që jehonte aty këtë thoshte:

Nëse do të kishe zgjedhur ujin, atëherë umeti Yt do të ishte mbytur. Po të kishte zgjedhur pijen, atëherë bashkësia e Tij do të dehej, e do të nxirrte çdofarë ngatërresash rrethendanë. Por, derisa kishte zgjedhur pikërisht qumështin, edhe Ai, edhe bashkësia e Tij, do të ishin përherë në udhë të drejtë.

Miraxhi

Surprizat nuk kufizoheshin vetëm me Jerusalemin. Xhebraili (a.s.) e ftoi Atë që ta vazhdonin më tej udhëtimin e tyre qiellor. Për një çast krejt hapësira rreth e qark u shndërrua me njëmend, duke bërë që të niste një udhëtim gjithë të fshehta, dhe surpriza. Ngjiteshin kat më kat në qiell, dhe sapo prekën në portën e parë, u përballën me një zë që i priti:

Kush je ti?

Xhebraili.

Me kë ke ardhur?

Muhamedin!

Profet është Ai?

Po, profet!

Kodet ishin thënë siç duhej, kështu që qielli tokësor tashmë ishte shumë larg. Përballë profetit të nderuar po qëndronte njeriu i parë, Ademi (a.s.) Në fillim e priti dhe e përshëndoshi me një përgëzim, e mandej filloi të lutej për Të. Vetëm se në qëndrimin e tij vërehej diçka tejet e çuditshme. Kur shihte në anën e djathtë të tij, buzëqeshte, ndërsa kur shihte në të majtën, e kaplonte një e qarë e pandalshme. E pa edhe njëherë me vëmendje, dhe në të dyja anët nga shihte ai kishte grumbuj të mëdhenj njerëzish. Pa e lënë të pyeste, ishte Xhebraili (a.s.) ai që filloi t’ia shpjegonte:

Ky është Ademi. Ndërsa retë e njerëzve që i rrinë në të dyja anët janë pasardhësit e tij. Ata që janë në të djathtë, janë njerëzit e Xhenetit, ndërsa ata që rrinin në të majtë, ishin njerëzit e Xhehenemit, të cilët, sapo i shihte, e kaplonte një ndjesi dëshpërimi, pas së cilës nuk e mbante dot të qarën.

Tanimë në çdo portë të qiellit kishte nga një ceremoni më vete, dhe për më tepër edhe takohej me nga një profet të veçantë. Përshëndoshej me ta, e pasi merrte përgëzimet e secilit prej tyre nisej në drejtim të portës tjetër. Në të dytin Ai u pa me dy profetë, të cilët ishin djem tezesh me njëri-tjetrin, Jahjanë (a.s.) dhe Isain (a.s.), në të tretin pa Jusufin (a.s.), në të katërtin pa Idrisin (a.s.), në të pestin pa Harunin (a.s.), ndërsa në të gjashtin pa Musanë (a.s.), deri në të shtatin, ku u takua personalisht me Ibrahimin (a.s.). Secili nga ata i thurte lavde dhe përgëzime këtij njeriu, i cili do të ishte vula e profetësisë së Allahut. Gjatë këtij udhëtimi, Ai pati parë Musain (a.s.) që po qante, dhe e pati pyetur se ç’kishte:

Qaj, sepse ky djalosh është nisur si profet kohë pas meje. Numri i atyre që do të hyjnë në Xhenet prej bashkësisë së Tij është shumë më i madh se i atyre që do të hyjnë në Xhenet prej bashkësisë sime.

Miraxhi ishte emri i një udhëtimi tërë të papritura, e kryekrejet surprizues. Kishte edhe shumë gjëra të tjera që do t’i shihte gjatë këtij udhëtimi. Muri i Bejti Mamurit, ku ishte mbështetur Ibrahimi (a.s.), po qëndronte tani përballë Tij me të gjitha zbukurimet dhe gurët e tij të çmuar dhe ngjyrat laryshane që të verbonin bukurie. Një mur, në të cilin hynin nga shtatëdhjetëmijë engjëj njëherësh, e që nuk dilnin më, duke qenë se ky vend ishte pikërisht projektimi i Qabes së nderuar me rrethrrotullime, në qiell.

Xheneti

Profeti ynë (s.a.s.) gjatë këtij udhëtimi gjithë të papritura do të dëshmonte edhe disa pamje nga Xheneti dhe Xhehenemi, të cilat do t’i duheshin për t’i treguar bashkësisë së Tij se me ç’do të përballej gjithësecili për aksh veprim që do të kryente.

Xheneti iu hap përpara syve, ashtu, sa hap e mbyll sytë. I zbukuruar me xhevahire të panumërta, e ngjyrosur me ngjyra nga më laryshanet, të cilat nuk i pranon asnjë imagjinatë. Përpara syve të Tij po paraqitej një bukuri që sytë nuk mund ta kenë parë kund, që veshët nuk mund ta kenë dëgjuar kund, dhe që nuk mund të fantazoheshin kurrsesi prej një qenieje të përkohshme. Ç’pamje të mahnitshme, por edhe prekëse njëherësh... Kodrat e smeraldta të Xhenetit i shpërfaqeshin përpara syve perde pas perdeje, duke i përftuar Atij mijëra ndjesi ilaçesh dhe mahnie.

Për një çast, në vesh i erdhi një zë shumë i ëmbël.

Po ky, ç’zë të ishte?!

Ky është zëri i Xhenetit, - i tha Xhebraili (a.s.)

Nëse i vije veshin, e dëgjoi zërin teksa thoshte:

O Zot! Jepmi mua ato që më ke premtuar! Ja tek janë dhomat që më ke falur, mëndafshet dhe pëlhurat përrallore, diamantet dhe kristalet e shtrenjta, argjendet dhe florinjtë, kolltuqet dhe dyshemetë, kafshët dhe pijet e shumëllojshme, andaj bjermi sa më shpejt njerëzit që më ke premtuar.

Si për t’i kthyer përgjigje atij zëri të sinqertë, kësaj radhe u ngrit një tjetër zë buçitës:

Nuk do të kalojë shumë kohë, që çdo besimtar dhe besimtare, çdo mysliman dhe myslimane, që më beson Mua dhe të Dërguarin Tim, që vepron përherë mirë, e që nuk më bën shok në krijim, që nuk përkulet para asnjë force tjetër veç Times, ka për të mbushur hapësirat e tua!

Kush vepron brenda rregullave të vendosura prej Meje është i sigurt. Unë i jap çdokujt, atë që ai kërkon prej Meje. Kush kërkon diçka paraprakisht prej Meje, atëherë Unë ia jap. Dhe kush më dorëzohet Mua, duke më lënë në dorë përfundimin e gjithçkaje, atëherë Unë i jap finalizim punëve të tij. Sepse nuk ka kurrfarë dyshimi, që Unë jam Zoti që nuk ka kënd tjetër të barazvlershëm. Unë e mbaj gjithnjë premtimin e dhënë! Padyshim, që ata që besuan do të shpëtojnë. Sa krijues i mirë dhe i përsosur që është Allahu!

Xheneti, me ta dëgjuar këtë zë, filloi të thoshte këto fjalë:

U kënaqa, o Zoti im!

Pa edhe njëherë brenda me kujdes. Atje kishte trima të ulur nëpër kanape, të cilët bashkëbisedonin me njëri-tjetrin buzë përrenjsh freskues... Nga të katër anët të rrethuar me shërbëtorë, ata mund të kërkonin ç’t’u donte zemra. Rrethendanë ishin të rrethuar prej hurive, dhe teksa përfitonin prej gjithë këtyre mirësive, ata as nuk ngopeshin, e as nuk tregonin shenja të ambientimit me to. Aromat dhe shijet ndryshonin vazhdimisht, asisoj që të jepnin kënaqësi të vazhdueshme, e të papërsëritshme.

Përballë kishte njerëz të grumbulluar në xhemate. Çdo ditë mbillnin gjëra të reja, frytet e të cilave i merrnin po brenda ditës.

Kush janë këta? - e pyeti Ai Xhebrailin fjalëdrejtë.

Këta janë ata që përpiqen në rrugën e Allahut. Që përdorin çdo pasuri e çdo fuqi në rrugën e Allahut. Shpërblimi i çdo vepre të tyre është i shumëfishtë, si kalliri i grurit, që nga një farë e hedhur në tokë, jep shtatëqind kokrra gruri. Allahu u jep atyre pasuri të reja për çdo gjë që ata kanë dhënë në rrugën e Tij. Sepse Ai jep atë që është më e mira, - e përmbylli përgjigjen Xhebraili.

Në të katër anët kishte lumenj dhe përrenj të ëmbël. Në disa prej tyre kishte qumësht në vend të ujit, e në disa të tjerë kishte mjaltë. Atyre që ishin më të dallueshmit syresh u thoshin Nil dhe Eufrat. Ndoshta kjo tregonte sipërfaqen në të cilën do të përhapej Islami në të ardhmen, duke ia shpërfaqur përpara syve në trajtën e një fotografie, e cila ishte njëkohësisht edhe sihariq.

Kushedi sa e sa të mira të tjera gjendeshin atje, dhe me sa e sa përgëzime e patën mirëpritur në çdo vend që hynte. Çdo njeri, pasi t’i tregoheshin gjithë ato gjëra të bukura, do ta kishte të pamundur të donte edhe njëherë që të kthehej mbrapsht, në mes të njëmijë e një vuajtjeve. Vetëm se synimi i Tij i vërtetë ishte ta përqafonte krejt njerëzimin me mëshirë dhe dhembshuri, dhe qoftë edhe sikur të pranonin vetëm pjesën e parë të dëshmisë, pra pa emrin e Tij, veç “La ilahe il’lallah”, Ai prapë nuk do të hiqte dorë së kërkuar që aty të hynin të gjithë njerëzit. Edhe Ai vetë ua kishte thënë: “Kush thotë La ilahe il’lallah, hyn në Xhenet”.I gjithë ai vend ishte krijuar enkas për Të, andaj edhe ardhja e Tij në të ishte e fundmja. Ngase ishte mbreti që do të vendoste rimën e fundit në varg, bashkimi i trupit me shpirtin ishte lënë posaçërisht në fund.

Xhehenemi

Patjetër, jo çdo vend ishte aq i ëmbël sa Xheneti. Kur u larguan së andejmi, për të shkuar në një tjetër vend, dëgjoi disa zëra tejet të frikshëm, për të cilët pyeti menjëherë se cili ishte burimi i tyre:

Është zëri i Xhehenemit, – u përgjigj Xhebraili (a.s.)

O Zoti im! Jepmi tashmë ato që më ke premtuar! E sheh se si vlojnë flakët, limfa dhe ujërat e nxehta! Thellësia arriti një pikë të paarritshme, dhe nxehtësia që është formuar është e padurueshme. Nismi ato që më ke premtuar!

Sakaq, u dëgjua sërish i njëjti zë me atë që kishte folur teksa ishin duke parë Xhenetin:

Po, çdo njeri, mashkull apo femër që më bën mua shok në krijim; çdo mohues që më mohon mua, dhe çdo zullumqar që nuk beson në ditën e gjykimit dhe në librin Tim do të vijë. Mos u nxito!

Në rregull, unë jam i kënaqur prej Teje o Zot! – i njëjti zë.

Kur pa nga vendi prej nga vinin të gjitha ato ulërima dhe klithma, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pa Xhehenemin të trupëzuar para syve të Tij, me të gjitha ato pamje, të cilat nuk të bënte zemra t’i shihje. Patjetër, këto ishin vetëm disa pamje, të cilat do t’i duheshin Atij si dëshmi për t’u folur të tjerëve në lidhje me ndalesat që duheshin zbatuar, në mënyrë që të mos përfundojnë atje. Ato ishin tufane flakësh që ngriheshin prej drurësh dhe gurësh të djegur... Një hungërimë e thellë dëgjohej gjithandej. Përbrenda ndjehej një uri e madhe për të pritur njerëz.

A nuk ka më? – klithte ai. Ata që gjendeshin brenda tij duke kryer dënimin, nuk e kishin mundësinë që për disa çaste të tërhiqeshin mënjanë për të kaluar disa çaste pa vuajtjet e dënimit. Sa herë që trupi të tretej, e të shkrumbosej e të bëhej hi, çdo gjë fillonte nga fillimi, kockat rikrijoheshin, e përsipër u mvishej një shtresë mishi.

Nga thellësitë e Xhehenemit dilnin vetëm klithma torturash:

Ah, sikur të kthehesha edhe njëherë në tokë!

Ah, sikur t’ia vija veshin atyre që më thuheshin, e të mos kisha rënë në këtë gjendje!

Të përgjërohem, o Zot! Të paktën lehtësoma dënimin veç për një ditë të vetme.

Të paktën të isha dhe.

Grumbuj të ndryshëm njerëzish ishin mbledhur në vende të veçanta, të cilat dënoheshin me mënyra të ndryshme. Mbi trup u rrinin engjëjt zebani, ndërsa në buzëqeshje nuk mund t’i vëreje as minimumin e ekzistencës së saj. Kishte njerëz të atillë, të cilët shkriheshin sikur ta kishin diellin afër vetëm sa maja e një shigjete.

Në një tjetër anë rridhnin rrëke të stërgjata gjaku dhe limfe, në të cilat lundronin të përmbytur gjithësoj mëkatarësh e njerëzish të pabindur. Çdo fatkeqi që tërhiqej paksa në anë, fillonin t’i binin me gurë, dhe teksa përgjëroheshin, goja u mbushej prej gurëve, duke u detyruar që të villnin sërish gjak dhe limfë prej gjithë trupit.

Aty pa edhe disa njerëz, të cilët torturoheshin duke u goditur me hekura dhe gurë, andaj pyeti menjëherë Xhebrailin, se po këta kush ishin?

Këta janë njerëzit që përtonin të kryenin adhurimet farze, dhe që e kryenin vetëm sa për të kaluar radhën.

Ndërsa në anën tjetër, qëndronin njerëzit të cilët nuk e kishin dhënë zekatin e pasurisë së tyre. U jepej vetëm limfë dhe helm për të gjerbur, e mandej tërhiqeshin zvarrë sikur të ishin kafshë. Këtu Ai po dëshmonte se ç’ngjaste kur nuk i kryeje ato që urdhëronte Allahu (xh.xh.). Kishte edhe shumë gjëra të tjera për të parë. Në një cep tjetër qëndronin ata që kishin ngrënë prej asaj që i përkiste jetimit, të cilëve u jepeshin copëza zjarri për të gëlltitur. Në një tjetër anë ishin ata që nuk kishin qëndruar besnikë në fjalën e dhënë, të cilëve u ngarkoheshin pesha sa vjen e më të rënda. Gojët e atyre që kishin ditur veç të nxirrnin ngatërresa rrinin të shtrembëruara, me gjuhë të bërë gjak. Edhe gjendja e atyre që ishin bërë mjet në kryrjen e një padrejtësie karshi njerëzve ishte me të vërtetë për të ardhur keq.

Në një tjetër anë ishin ata njerëz që e kishin barkun edhe njëherë më të madh se veten. As nuk çoheshin dot në këmbë, e as nuk ecnin dot përpara. Kur pyeti se cilët qenë këta, përgjigja ishte se ata ishin njerëzit që ishin orvatur për të fituar para prej parave. Me një fjalë njerëzit e fajdeve.

Disa njerëz po i bënin shumë përshtypje. Ndërsa njërën anë e kishin mirë e tu mirë, anën tjetër e kishin krejt të dekompozuar, sikur të ishin trupa të rrënuar. E linin vendin e pastër për t’u vendosur atje ku ishte bataku. Kur i pa me kujdes, edhe këta ishin njerëzit imoralë, që kishin rendur nga një gjë e ndaluar kah një tjetër.

Dhe shumica e këtij kallaballëku përbëhej prej atyre që kishin rënë pre e rrjetës së dëfrimeve të kota, që jo vetëm kishin rënë vetë, por ishin munduar edhe të tërhiqnin të tjerët andej. Aty në anë ishin edhe femrat, të cilat kishin shërbyer si tërheqëse të tyre, të cilat rrinin të varura prej organit me të cilin i kishin qesëndisur mëkatarët.

Klithma u mbulonte klithmën e pakmëparshme.

Sidretu Munteha

Pas kësaj, Ai erdhi në Sidretu Munteha (Pikën e fundme). Tani ishte përballë një përgëzimi akoma edhe më të veçantë. Ishte si një ceremoni ku nuk kishte asnjë ngjyrë që të mos ishte pjesëmarrëse nëpër motive. Ky ishte një vend i shenjtë ku bashkohej e mundshmja me të domosdoshmen, për më tepër, kësaj radhe Ai nuk e kishte as Xhebrailin me vete. Sepse bota e së mundshmes kishte ngelur shumë prapa. Nuk kishte pasur asnjë botë shpirtërore heroike që ta kishte tejkaluar këtë kufi gjer më sot, për të ardhur në këtë dhomë, e cila dukej se ishte e ndarë për miq të veçantë. Domethënë, Qenia njerëzore më e vyer do të ishte miku i parë, i vetmi dhe i fundit i kësaj dhome. Ashtu si nuk kishte pasur paraardhës, ashtu nuk do të kishte as pasardhës. Sepse Ai ishte i fundit i vargut të profetëve.

Resulullahu po dëshmonte kështu bojën në majën e penës së kaderit, bashkë me zhurmën e tij karakteristike. Ky ishte përfaqësimi i sekretit të projektimit të Qabes. Kishte kaluar nëpër gjithë ato vende, e tanimë, kur nuk kishte ngelur më asnjë vend pa shkelur, vendi ku kishte mbërritur ishte hapësira pa hapësirë.

Megjithatë, në këndvështrimin e të Dërguarit të Allahut nuk ndryshoi asgjë, ngase në moralin e Tij nuk po vërehej as ndryshimi më i vogël. Për një çast përrethi u kthye në dritë, dhe vendin e kaploi një dritë e njohshme, por e parrëfyeshme me fjalë për nga bukuria.Çdo gjë kalimtare u kthye në dritë, dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), po e shihte Allahun (xh.xh.) të trupëzuar si një dritë e kulluar. Bukuria e Allahut, të cilën Ai e pati premtuar se do të shihej në Xhenet, do të dëshmohej pikërisht këtu. Zoti i madh, që më parë kishte nderuar Musanë (a.s.) duke i folur, dhe Ibrahimin e nderuar (a.s.) me miqësinë, të dërguarin e fundmë të zinxhirit profetik po e nderonte me një takim të drejtpërdrejtë, me anë të cilit po tregonte edhe njëherë vendin e Tij në shkallën e Allahut.

Urdhër i ardhur pa ndërmjetës: Namazi

Ky ishte vendi ku revelata po vinte pa ndihmën e asnjë ndërmjetësi. Detyra më e rëndësishme, pikërisht në një vend të këtillë mund të urdhërohej. Namazi, i cili duhet të falej gjithsej pesëdhjetë herë gjatë një dite. Kjo ishte formula, që edhe besimtarët e tjerë të mund të arrinin diçka si miraxhi.

Sakaq kishte ardhur koha e kthimit për Profetin tonë të dashur (s.a.s.). Kur erdhi pranë Musait të nderuar (a.s.), ai i tha:

Çfarë të bëri Allahu të detyrueshme për umetin Tënd?

Pesëdhjetë vakte namazi, - iu përgjigj Ai.

Shko e fole edhe njëherë me Allahun, - e këshilloi Musai, i cili e dinte më së miri se ç’kishte hequr me izraelitët. – Shko dhe kërkoji Allahut (xh.xh.) që t’ua lehtësojë këtë ngarkesë, pasi unë kam përjetuar shumë gjëra të ngjashme me hebrenjtë, dhe e di mirë se sa mund të përballohet.

Pa kaluar aspak kohë, duart e bekuara u ngritën për t’u lutur:

O Zot, lehtësoja këtë ngarkesë umetit Tim!

Një i vyer, që ishte nderuar me tërë ato përgëzime, nuk mund të lihej pa një përgjigje pozitive. Përgjigja e ardhur, thoshte se ua kishte zbritur me pesë numrin e kohëve, gjatë të cilave do të faleshin. Musai i nderuar thoshte se edhe kjo do të ishte e tepërt, andaj Ai u lut edhe njëherë asimënyre, dhe përsëri përgjigja ishte se po u ulej edhe me pesë kohë të tjera. Në fund, çështja shkoi deri në pesë kohë të ndryshme. Musai i nderuar edhe për këtë mendonte se do të ishte tepër, mirëpo Krenaria e Njerëzimit mendoi se nuk duhet ta tepronte me kërkesat e Tij përballë portës së Mëshiruesit. Ja, pikërisht në këto çaste, u ngrit një zë buçitës:

O Muhamed! Këto janë pesë kohë të detyruara brenda një dite të vetme, nga agimi deri në mbrëmje. Vendimi im nuk ndryshon më! Vetëm se çdo kohë prej tyre do të jetë si dhjetë kohë. Kësodore, shpërblimi i tyre do të jetë i barabartë me pesëdhjetë kohë. Kushdo që të kërkojë të bëjë një të mirë, por që nuk do ta arrijë ta bëjë dot, ka për të marrë një shpërblim, por nëse orvatet që ta bëjë, dhe ia del mbanë, atëherë atij do t’i shkruhet me dhjetëfishin e saj. Njëkohësisht, kushdo që rrëshqet drejt kryerjes së një vepre të keqe, por që nuk e kryen dot, atij nuk i shkruhet dënimi i asaj të keqeje, mirëpo nëse e kryen, atëherë do t’i shkruhet vetëm njëfishi i së keqes që do të ketë kryer.

Pasqyrimet që pasuan kthimin

T’i lije pas të gjitha këto, për t’u kthyer në atdheun e dhimbjeve, ishte diçka që mund ta bënte vetëm një profet si puna e Tij. Donte t’ia tregonte edhe bashkësisë me të cilën jetonte. Donte t’ua bënte edhe të tjerëve të dëgjueshme ato që kishte dëgjuar. E kishte gjezdisur gjithë horizontin, deri atje ku shkonte shikimi, dhe teksa ishte kthyer, e kishte lënë hapur portën që shkonte kah gjithë ato bukuri të rralla e të harmonishme. E vërteta e kësaj çështjeje, ashtu siç kishte qenë para se të dëgjonte, ashtu po kthehej, e ashtu siç kishte qenë po kthehej, edhe pasi e kishte parë çdo gjë me sytë e Tij. Ashtu si ikja ishte një mësim i mirë për të gjithë ata që e rrethonin, apo që do t’i pasonin, por edhe ardhja ishte një tjetër mësim i veçantë.

Dhe... Profeti ynë (s.a.s.) e kishte realizuar atë udhëtim aq të gjatë, duke arritur të kthehej më në fund pas tërë atyre peripecive të jetuara. Patjetër që njerëzit e parë, të cilëve do t’ua tregonte këtë çështje ishin ata që i gjendeshin më pranë. Me të falur namazin e sabahut u kthye pranë familjes së Tij dhe filloi t’u tregonte ngjarjen që kishte përjetuar.

Umu Hani me të dëgjuar të gjitha ato që kishin ngjarë, fillimisht u shqetësua shumë, andaj i kërkoi që të mos ia tregonte askujt tjetër. Madje u ngrit dhe e kapi për rrobe të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) Sepse armiqtë e Tij të paepur do të përpiqeshin që disi t’ia ndalonin. Ata mund ta sulmonin shumë ashpër nëse e dëgjonin ç’kishte ndodhur.

O i Dërguari i Allahut! Mos ia trego askujt këto që më tregove mua! Sepse ata do të të përgënjeshtrojnë, madje edhe mund të të bëjnë keq, - i tha ajo.

Lëvduar qoftë Allahu, se edhe këtë do t’ua tregoj, - duke theksuar se një mirësi e tillë prej Allahut nuk mund të mbahej e fshehtë.

Umu Hani, e shqetësuar, kur e pa se ishte i vendosur, doli dhe thirri pranë njërin prej shërbyesve:

Shko pas të Dërguarit të Allahut, dhe lajmëromë se cili do të jetë reagimi i njerëzve kur t’u rrëfejë ç’i ka ndodhur.

Ajo ishte shumë e shqetësuar se ç’pasoja mund të sillte tregimi i asaj ndodhie në mes të mekasve.

Sakaq i Dërguari i Allahut kishte dalë, dhe me të mbërritur në Qabe, filloi t’u rrëfente njerëzve që gjendeshin atje për ato që kishte jetuar gjatë natës, Isrën dhe Miraxhin. Të gjithë që e dëgjonin përjetonin një habi të madhe. Si ishte e mundur? Si ishte e mundur që një njeri i vetëm, në mes të natës, të largohej prej Mekës në drejtim të Jerusalemit, të bënte një udhëtim të magjishëm në qiell, e mandej të kthehej po brenda natës në Mekë? Përveç kësaj, jo vetëm një udhëtim, por kur i shtoje edhe ato që ishin kaluar atje, ngjarja merrte një trajtë të cilës ata nuk mund t’i jepnin dot kuptim. Si njerëz të thjeshtë që ishin, kjo ishte diçka të cilën nuk mund ta përkapnin si duhej...

Dëshmia e dy karvanëve

Mirëpo Allahu ishte i tërëfuqishëm për ta bërë diçka të këtillë. Ai mund t’ia bënte të përjetueshëm robit të Tij më të dashur një udhëtim të tillë, madje edhe ua tregonte njerëzve të tjerë këtë fuqi, duke u treguar se në mes botëve ekzistonin vetëm perde të holla sa një cipë. Pasi të donte Ai, nuk kishte asgjë të parealizueshme, andaj Allahu, njeriun e Tij më të dashur, Profetin e fundit, donte që t’i tregonte triumfin e Tij përballë gjithë vuajtjeve me të cilat i ishte dashur të përballej. Kësisoj, edhe Profetit të fundit, por edhe atyre të mëparshmëve, të cilët nuk i kishte nderuar me një udhëtim të këtillë, i kishte falur një kënaqësi të veçantë, duke i treguar njerëzve edhe lartësinë e Tij ndaj njerëzve të tjerë.

Po kjo, ç’shenjë është o Muhamed? – e pyetën ata. “Ne nuk jemi përballur asnjëherë më parë me diçka të këtillë.”

Patjetër që kjo ishte një mirësi hyjnore, dhe për ta kuptuar tërësisht duhej një besim shumë i fuqishëm. Nuk mund të perceptohej pa qenë besimi dhe lidhja e plotë me Zotin. Veçse duhej folur me gjuhën e përshtatshme për ata njerëz që e shihnin çdo gjë, të cilën nuk e kishin parë më herët me sytë e tyre, me syrin e dyshimit dhe të mosbesimit. Andaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha:

Dëshmitar i saj është karvani i aksh familjeje, e cila, tani gjendet në aksh luginë. Kur më pa mua, njëra prej deveve u tremb, dhe filloi ta braktiste karvanin duke rendur në një tjetër drejtim. Unë i ndihmova ata duke u treguar vendin ku kishte shkuar deveja, dhe ata shkuan që ta merrnin. Drejtimi im ishte në drejtim të Sirisë, ndërsa mandej unë u drejtova kah Daxhinani. Atje ndesha me një karvani të filanit, të cilët po flinin për t’u qetësuar gjatë udhëtimit. Madje piva edhe ujë prej torbave të tyre, të cilat i kishin mbuluar, të cilën e vendosa sërish në vendin prej nga e mora. Edhe ai karvan është një dëshmi e fjalëve të mia. Tanimë gjendet në Bejda të Ten’imit, gati për të hyrë në Mekë. Mbi deve kanë dy thasë, njëri prej syresh është i zi, ndërsa tjetri i kuqerremtë.

Të thuash të vërtetën, të gjitha këto ishin për t’u çuditur. Si mund të veçoheshin gjithë këto imtësi prej një udhëtimi aq të largët dhe të mistershëm? Thua të ishin të gjitha të vërteta? Jo, jo... Kaq ishte e tepërt. Kësaj here ishte e pamundur që ajo që thoshte Muhamedi të dilte e vërtetë, prandaj nëse pyesnin, dhe nuk dilte ashtu, Muhamedi do të ngelej me gisht në gojë. Ata kishin gjetur një rast të florinjtë që ta mbyllnin njëherë e mirë çështjen e Muhamedit.

U nisën menjëherë në drejtim të vendit, për të cilin Ai u foli dhe filluan të prisnin. Cila do të ishte ngjyra e devesë së parë që do të shihnin teksa hynte në Bejda? Dhe a ishte me të vërtetë e asaj ngjyra e ngarkesës, ashtu siç ua kishte treguar Muhamedi?

Pa kaluar shumë kohë, mbi atë kodrën e Ten’imit u duk të vinte një karvan, i cili lëvizte me ngadalë. Me të vërtetë, në krye ishte një deve ngjyrë të murrme. Ata u çmeritën. Vetëm se nuk kishin hequr dorë ende, pasi kjo nuk mund të ishte pjellë e rastësisë. Kështu pritën më mirë që karvani të afrohej. Donin që të shikonin edhe ngjyrën e ngarkesave të mbartura. O Zot, ngarkesa e devesë së parë ishte me të vërtetë me thasë të dy ngjyrave. Njëri i zi, e tjetri i kuq. Mekasit po përjetonin një humbje të madhe.

Ende nuk mendonin të tërhiqeshin prej kokëfortësisë. Ishte folur edhe për një karvan të dytë, kështu që bënin mirë ta kontrollonin edhe atë, përpara se të thoshin diçka. Me ta parë edhe karvanin e dytë teksa i afrohej Mekës, pyetën nëse ishte e vërtetë, se gjatë udhëtimit u kishte ikur një deve e frikësuar.

- Po, është e vërtetë, - iu përgjigjën ata, njëra prej deveve u frikësua dhe u largua prej karvanit. Mandej dëgjuam zërin e atij burrit, i cili na tregoi vendin nga kishte ikur deveja, kështu që ne mundëm ta gjenim sërish devenë e larguar. Për sa i përket faqores së ujit, ne e patëm mbushur atë dhe e patëm futur brenda torbave. Kur u ngritëm deshëm të pinim prej ujit, por, megjithëse nuk ishte hapur, ujë nuk kishte. Kësaj nuk i dhamë dot kuptim.

Kurejshtë kërkojnë përshkrimin e Jerusalemit

Nuk kishte ngelur asnjë degëz pas të cilës të mund të kapeshin kurejshët. Të gjitha portat në të cilat patën shpresuar, po i mbylleshin tanimë njëra pas tjetrës. Ishin të detyruar të bënin një zgjedhje mes mohimit dhe besimit. Zaten nuk donin kurrsesi që ta pranonin si të vërtetë. Po përdornin çdofarë mundësie për të bërë diçka të këtillë. Të mohoje kur në duar kishe prova të prekshme, nuk ishte aspak afërmendsh. Andaj, nga mesi i tyre doli njëri, i cili filloi të fliste:

- Po na thua se ke qenë në Faltoren e bekuar në Jerusalem. Nëse është e vërtetë, a na i përshkruan pak se si ishte. Sa porta kishte faltorja, sa dritare...

Tanimë gjetën rastin të bënin një frymëmarrje paksa më të qetë. Me të vërtetë, mirë që thoshte se kishte shkuar gjer atje, atëherë duhet t’ia kishte parë dritaret dhe portat. Sipas tyre mendonin se kishin gjetur ndonjë gjë të madhe, sepse zemrat e tyre të mbyllura karshi shpirtërores mundoheshin që ta kuptonin gjithçka nëpërmjet shqisores.

Vetëm se i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk kishte bërë një udhëtim me përmasa kohë-hapësinore. Andaj nuk kishte informacion të plotë se sa mund të kishin qenë dritaret dhe portat e faltores. Megjithëse i kishin marrë të gjitha provat e nevojshme, duke mos e pasur si ndjesi të tyren besimin, kërkonin prova të tjera, e pikërisht ky kërkim këmbëngulës e shqetësonte jashtë mase Profetin tonë të dashur paqja qoftë mbi Të. E ndjente veten të mbytur prej këtyre reagimeve të cilat vinin era mohim.

Vetëm se Ai kishte Zotin e Tij mëshirues. Ishte Ai që do ta ndihmonte edhe kësaj here. Ai (xh.xh.) ia pruri Jerusalemin përpara syve. Mandej përpara Qabes iu ngrit një si ekran i stërmadh, nga ku pasqyrohej çdo cep i Jerusalemit. Asisoj që Resulullahu, tanimë mund t’i kthente përgjigje çdo lloj pyetjeje që mund të vinte prej idhujtarëve kokëfortë. Kësisoj Ai u mbyllte atyre çdo portë justifikimi.

Kjo ishte një pamje e cila e frynte në kulm mllefin dhe urrejtjen e pranishme... Ja, edhe pak dhe i dhamë fund, mendonin ata, por vinte një përgjigje prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), e cila ia linte në baltë të gjitha përpjekjet. Zaten nuk kishin ndërmend të besonin, por vetëm mendonin se duke vepruar kështu mund ta ndotnin me ndonjë njollë, andaj gjatë gjithë kohës vetëm thurnin intriga për ta larguar prej njerëzve që e dëgjonin, të cilët shtoheshin nga dita në ditë.

Kësaj radhe, Ebu Xhehlit i ra rruga andej nga Qabeja. Kur pa tërë atë zullumahi u afrua, sepse do ta fuste edhe ai një thumb, andaj filloi të fliste me një ton tallës:

- Po sonte, ç’paskeni? Ka ndonjë gjë të re?

I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të u kthye nga ai dhe iu përgjigj.

Po. Mbrëmë, Zoti im më çoi mua në Faltoren e shenjtë.

Ebu Xhehli u turbullua krejt.

Pastaj u ktheve sërish këtu te ne, apo jo?

Sepse përllogaritja që bënin ata ishte ajo e një udhëtimi që do të zgjaste për ditë të tëra me radhë.

Po, madje fala namaz edhe me vëllezërit e mi të mëparshëm. - u përgjigj pa kurrfarë lëkundjeje Muhamedi (s.a.s.).

Ebu Xhehli fillimisht lëshoi një të qeshur gaztare. Për të, kjo ishte një mundësi e rrallë.

Po ta mbledh popullin tim, a do t’ua tregosh edhe atyre këto që më tregove mua? – e pyeti me një ton përtallës Ebu Xhehli kësaj radhe.

Këtu nuk kishte asgjë për të fshehur! Zaten po e tregonte. Sepse, të mos tregoje një mirësi të falur prej Krijuesit, ishte e pamundur.

Po, - i tha.

Ebu Xhehli e kishte marrë edhe këtë përgjigje! Kënaqja e Ebu Xhehlit kishte arritur kulmin. Filloi të bërtiste me sa të kishte zërin.

O bijtë e Ka’bit, ejani menjëherë këtu!

Ndryshimi i Ebu Bekrit të nderuar

Nuk kishte ngelur askush në Mekë të mos kishte dëgjuar për këtë. Në fund erdhën pranë Ebu Bekrit. Ishin më se të bindur. Këtu do të ndaheshin rrugët mes Ebu Bekrit dhe të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Sepse kjo donte të thoshte se Ai kishte mbaruar krejt!

Ato që shoku yt thoshte gjer më sot ishin disi të besueshme dhe të pranueshme, mirëpo ato që po thotë sot, janë krejt të papranueshme. Eja t’i dëgjosh njëherë!

Ebu Bekri ishte njeri shumë i butë, andaj me frikën se idhujtarët mund t’i kishin bërë disa të keqe të Dërguarit të Allahut, tha:

Turp t’ju vijë! Çfarë i ka ndodhur mikut tim? A i ka ndodhur gjë?

Tani e ke në Qabe, tek po u thotë njerëzve që ka qenë në Faltoren e Jerusalemit.

Ka shkuar përgjatë një kohe gjatë natës, ndërsa në mëngjes ishte kthyer sërish tek ne.

Tanimë çështja po kuptohej më mirë. Ebu Bekri i nderuar i pa fillimisht me dhimbje.

O popull, - nisi të fliste ai, duke dashur që të hynte drejt e në ndjenjat e tyre. - E çfarë ka këtu? Mos doni të thoni se po ju gënjen? Lëre që unë kam besuar disa gjëra më të vështira se kjo gjer më tani. Unë besoj se Ai merr lajme dhe kumte gjatë çdo çasti prej Zotit krijues.

Me ç’ëndrra patën ardhur ata gjer këtu, e me ç’po përballeshin. Edhe një tjetër lëvizje me të cilën ata mendonin se do t’i jepnin fund çështjes, po u ikte duarsh. Atëherë kur mendonin se do të rrihnin kambanat e gëzimit, po u binte edhe njëherë të gëlltitnin humbjen. Nga Ebu Bekri erdhi një përgjigje që u jepte goditjen e fundme të gjitha ëndrrave të tyre.

Nëse i thotë Ai, atëherë janë plotësisht të drejta.

Sipas tij, që një gjë të dihej nëse është apo jo e vërtetë nuk vërtetohej nga ajo që mund të thoshin të gjithë arabët së bashku, por me atë që thoshte Resulullahu (s.a.s.). Ja kjo ishte grada e besnikërisë së vërtetë, andaj që këndej e tutje Ebu Bekri do të njihej me emrin “Siddik - Besniku”. Sepse me të dhënë këtë përgjigje, Ebu Bekri u nis në drejtim të Qabes. Donte që këtë çështje ta dëgjonte drejtpërsëdrejti prej të Dërguarit të Allahut.

O Resulullah! A i ke thënë ti këtyre se ke shkuar mbrëmë për të parë Faltoren në Jerusalem?

Po, - u përgjigj i Dërguari i Allahut (s.a.s.).

Ebu Bekri bëri edhe njëherë të ndërronte vendin ku ndodhej. Qëllimi ishte që të zbuste paksa qëndrimin e idhujtarëve, e kësodore edhe të mbronte Resulullahun (s.a.s.).

A ma tregon edhe mua se si ndodhi? Sepse unë kam qenë atje, dhe e di se si është.

Teksa Profeti ynë (s.a.s.) rrëfente, Ebu Bekri i nderuar i ndërhynte:

Po, kështu është. Unë dëshmoj se Ti po thua të vërtetën, o i Dërguari i Allahut.

Pikërisht ky veprim e ngjiste atë drejt majave të besnikërisë.

Këndej e tutje, ti je Siddik o Ebu Bekër.

Tashmë shenja e profetësisë do të ishte një pjesë e pandarë për Ebu Bekrin, e ai do të njihej me këtë emër deri në ditën e kiametit.

Përcaktimi i kohëve të namazit

Ishte përjetuar miraxhi dhe nëpërmjet namazit që ishte urdhëruar, u jepej mundësia tërë besimtarëve që edhe ata të nderoheshin me miraxh. Pa kaluar shumë kohë, Xhebraili fjalëdrejtë ishte sërish pranë Resulullahut (s.a.s.). U ishte thënë, “falni namaz!”, por nuk u ishte thënë se si do ta falnin atë. Në fakt ekzistonte një namaz që falej dy herë me nga dy rekate që nga koha e takimit në malin e Hirës, pa harruar edhe namazin e tehexhudit, i cili kishte qenë i detyruar. Mirëpo tani kuptohej, se çështja ishte krejt ndryshe. Andaj edhe kishte ardhur Xhebraili, për t’i dhënë informacionin e nevojshëm në lidhje me të:

Ishte prag muzgu, andaj me të anuar dielli, Xhebraili filloi namazin. I Dërguari i Allahut u lidh në namaz pas tij. Përfundoi namazi i drekës, dhe sakaq po hynte namazi i ikindisë. Në këtë kohë kur hija e trupit ishte po aq sa gjatësia e trupit të tij, filloi të falte këtë namaz. Sërish, xhemati i Xhebrailit (a.s.) ishte i Dërguari i Allahut. Kur perëndoi dielli, falën namazin e akshamit, ndërsa në darkë, kur drita e diellit kishte humbur krejt, falën atë të jacisë. Namazin e falën sërish me xhemat. Në çastet e para, kur mbrëmja po ia linte vendin agsholit, filluan të falnin namazin e mëngjesit. Kësodore u plotësua radha e namazeve të një dite.

Vetëm se jo çdo gjë do të përfundonte me kaq. Xhebraili (a.s.) erdhi sërish në drekë. Tanimë dielli kishte ecur shumë, dhe hija ishte sërish po aq e gjatë sa trupi i tij. Sërish ishte formuar xhemati i përsosur, teksa e kryenin këtë namaz. Ikindia falej atëherë kur hija e trupit bëhej dyfish e gjatë sa gjatësia e trupit. Jacia do të falej pasi pas të kishte ngelur dy e treta e natës. Ndërsa namazi i sabahut do të falej pak kohë para se të dilte dielli.

Xhebraili (a.s.), pasi ia mësoi si duhej radhën e faljes së namazeve, bashkë me kohën e tyre, u drejtua nga i Dërguari i Allahut dhe i tha:

- O Muhamed! Ja, namazet do të falen pikërisht brenda periudhave kohore në të cilat ne i falëm namazet gjatë këtyre dy ditëve.

Ndodhia e isrës dhe miraxhit e kishte qartësuar edhe më shumë dallimin mes besimit dhe mohimit. Ndërsa mohuesit thelloheshin në mohimin e tyre, duke rendur nga kurthi në kurth, besimtarët e rifreskonin dëshirën e tyre për t’ua shpjeguar edhe të tjerëve të vërtetën, duke e kthyer në një garë orvatjen për të pasur sa më shumë fytyra të jetësuara prej besimit.

Shënimet

  1. 146.Ibni Hisham, Sire, 2/242-3
  2. 147.Taberi, Tefsir, 8/3
  3. 148.Ibni Kethir, Tefsir, 3/18; Taberi, Tefsir, 15/7
  4. 149.Buhari, Sahih, 5/2193
  5. 150.Taberi, Tefsir, 15/1
  6. 151.Taberi, Tefsir, 15/1
  7. 152.Ibni Kethir, Tefsir, 3/33; Kadë Ijad, Shifa, 1/147
  8. 153.Muslim, Sahih, 1/159
  9. 154.Për përshkrimin më të saktë të këtyre çasteve shih në Kuran: Nexhm, 53/17-8
  10. 155.Taberi, Tefsir, 27/48
  11. 156.Muslim, Sahih, 1/145
  12. 157.Ibni Hisham, Sire, 2/248-9
  13. 158.Ibni Sad, Tabakat, 1/215
  14. 159.Ebu Xhafer et-Taberi, er-Rijadu’n-Nadira, 1/403
  15. 160.Hakim, Mustedrek, 3/65; Hejthemi, Mexhmau’z-Zeuaid, 9/41; Ibni Hisham, Sire, 2/244; Ebu Xhafer et-Taberi, er-Rijadu’n-Nadira, 1/403
  16. 161.Nesai