UDHËTIMI PËR NË TAIF

Megjithë përpjekjet e Profetit tonë të dashur (s.a.s.) dhe sahabëve që i kishin besuar, në Mekë çdo gjë ishte taposur, dukë bërë që ata të ishin mosdëgjues karshi çdo gjëje. Por edhe kumtimi ishte gjithashtu i pashmangshëm. Duhej bërë medoemos. Toka e krijuar prej Allahut të Madhërishëm ishte mjaft e gjerë, dhe kishin nevojë edhe njerëzit e tjetër mbi të që të njiheshin me Islamin.

Patjetër, ishte premtimi i Allahut, dhe dihej, që do të vinte një ditë, që Islami do të mbizotëronte në mbarë botën. Veçse kjo dukej krejt e pamundur nëse do të shihej me syrin e perspektivës në Mekën e atyre ditëve. Ishte e domosdoshme që të përhapeshin, dhe pikërisht me këtë qëllim, një ditë prej muajit të Sheualit, Profeti i Njerëzimit mori me vete Zejd ibni Harithin, që të shkonin të dy tok në Taif.

Taifi ishte i famshëm me kopshtet dhe vreshtat e tij të pamatë. Distanca nga Meka ishte afërsisht nëntëdhjetë kilometra. Ai ishte edhe vendi ku jetonin të afërmit e Tij, nga ana e nënës. Njëkohësisht, ky ishte vendi ku Ai vinte për të ndenjur, teksa i duhej të ishte nën përkujdesjen e mëndeshës së Tij, Halimes.

Qëllimi kryesor ishte njohja e sa më shumë fytyrave të reja, e kësodore Ai do të mund të kumtonte. Përpara se të shkonte në Taif, Ai u ndal në tokat e Thakifëve. Sepse ata njiheshin si më të nderuarit në mesin e tyre, duke u vlerësuar prej të gjithëve rrethendanë. Bashkëbiseduesit e Tij të parë qenë tre djemtë e Amr ibni Umejrit, Abdijalejli, Mes’udi dhe Habibi. Madje njëri syresh ishte edhe i martuar me një vajzë prej kurejshëve. I Dërguari i Allahut erdhi pranë tyre, i përshëndeti dhe pastaj hyri menjëherë drejt e në temë. I ftonte ata që t’i dilnin krah në përhapjen e fesë së Allahut. Megjithatë, Ai, në fund, e kuptoi se Taifi nga ky aspekt dukej një vend shumë më i ashpër se Meka.

I pari e mori fjalën njëri prej dy vëllezërve, që Resulullahu i pati takuar më parë me përshëndetjen e Tij të paqtë:

- Nëse me të vërtetë ty të paska dërguar Allahu si profet, atëherë edhe unë mund të vjedh mbulesën e Qabes.

I Dërguari i Allahut kishte shkuar gjer tek ata për t’i ftuar në udhën e shpëtimit, ndërsa ata gjenin mundësi, që jo vetëm ta fyenin Atë, por edhe të kënaqnin shpirtin e tyre me fjalë të fryra krenarie. I Dërguari i Allahut, si shembull i drojës që ishte, parapëlqeu që edhe kësaj here, përgjigja e Tij karshi mohimit të ishte heshtja. Vetëm se kjo paturpësi nuk dukej se do të kufizohej vetëm me kaq.

A nuk gjeti Allahu kënd tjetër, më të përshtatshëm se ty, për ta dërguar si profet?

Dukej se çështja po dilte prej binarëve. Duhet të thoshte diçka edhe vëllai tjetër, kështu që u hodh menjëherë, dhe tha:

Vallahi, unë nuk mund të folkam më me ty! Sepse, nëse ti je me të vërtetë profet, siç na the, atëherë ti mund të na bësh diçka të atillë, që ne të pendohemi që kemi lindur, përse e thamë. Në të kundërt, nëse ti gënjen karshi Allahut, atëherë unë sërish nuk mund të flas me ty, sepse nuk është aspak e hijshme.

Këta njerëz që nuk vlenin dy lekë, mendonin sipas tyre, se duke folur kështu, po talleshin me të Dërguarin e Allahut. I Dërguari i Allahut ishte prekur. Në fakt e kishte bërë gjithë atë rrugë vetëm si e si t’ua shpjegonte edhe të tjerëve të vërtetën me të cilën qe ngarkuar. Donte që t’ua tregonte edhe atyre portën e Xhenetit. Edhe nëse brenda vetes i vinte për t’u përgjigjur, Atij prapë do t’i jepej menjëherë një përgjigje jo e hijshme, e cila prapë do të ishte po në dëmin e atyre njerëzve, të cilëve duhej medoemosdo që t’u shpjegohej diçka. Kaq e gjerë ishin mëshira dhe dhembshuria e Atij njeriu. Në zemrën e Tij kishte vend edhe për armiqtë më të paepur, duke menduar se ndoshta vinte një ditë, që edhe zemrat e tyre të hapeshin karshi së vërtetës. Në fund të fundit, edhe nëse nuk dilte ndonjëri syresh, ku i dihet, në të ardhmen dilte ndonjë pjesëtar, apo pasardhës i familjeve të tyre, që besonte, kështu që duhej bërë durim.

Profeti ynë kishte vetëm një kërkesë:

Ndoshta, ju e bëtë zgjedhjen tuaj! Le ta lëmë me kaq gjithë këtë çështje që folëm gjer më tash.

Sepse, nëse ky lajm, për ç’kishte ngjarë, mbërrinte edhe në Mekë, kjo do të ishte një arsye feste për mekasit, duke e kthyer kësodore në një vend ku Islami do të ishte krejtësisht i pamundur për t’u jetuar.

Qëndrimi i Tij pikëllueshëm po i pasqyrohej tashmë edhe në të ecur. Dukej se po kthehej duarbosh. Sepse puna nuk bëhej duke u marrë parasysh vetëm përfundimi që arrihej. Ai (s.a.s.) e kishte bërë atë që mund të bënte. E kishte kryer detyrën e Tij të kumtimit karshi tyre. Përfundimi i takonte Allahut që ta përcaktonte. Ndërsa, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), siç ishte prijës në kryerjen e detyrës së Tij, ishte gjithashtu edhe shembull i përkryer në pritjen e përfundimit prej Allahut të Madhërishëm.

Profeti i profetëve ndenji plot dhjetë ditë në Taif. Deshi të takohej me shumë vetë ndërkohë, por asnjëri syresh nuk e kishte përzemër që të bënte ato që i kërkoheshin, dhe nga frika parapëlqenin të ishin më mirë kundërshtues.

Madje kishte edhe të paturpë që thoshin:

- Pa rriji larg vendit tonë, o Muhamed! Mund të shkosh ku të duash, por jo këtu.

Këta njerëz që nuk ishin aspak në dijeni se më e mira e të mirave u kishte shkuar gjer te fundi i këmbëve, nuk mjaftoheshin vetëm me kaq, por edhe nxisnin edhe më të ulëtit ndër ta që ta godisnin me gurë.

Zejdi e ktheu veten e tij në një mburojë, teksa mundohej që ta mbronte të Dërguarin e Allahut prej stuhisë së gurëve që lëshoheshin mbi Të. Gurët në fakt nuk dinin të reshtnin. Kjo ishte një sjellje që do ta meritonte nëse e zinte ndonjë stuhi gurësh prej qiellit. Kaluan gati tre kilometra ashtu të ndjekur prej gurëve. Nga këmbët e Profetit më të dhembshur kishte filluar të rridhte gjak. Zejdit zaten i ishte çarë koka, andaj ishte mbuluar i tëri në gjak.

Një pranim dhe një shfaqje në Taif

Më në fund, u larguan së andejmi, e tani po qetësoheshin nën hijen e një peme. I Dërguari i Allahut fillimisht filloi të falte dy rekate namaz. Me ç’dukej, afrimi me të Zotin e fuqisë dhe forcës së vërtetë, ishte më se i domosdoshëm. Me një fjalë, që të largohej prej njerëzores kalimtare kah ngjyra e të Mëshirëplotit, duhej të tregonte një afrim më parë. E gjithë kjo nuk ishte tjetër pos një mesazhi që Ai donte t’ia linte umetit të Tij. Sepse Ai (s.a.s.) ishte një model i përsosur nga çdo anë, megjithëse ishte e pashmangshme që edhe Ai të haste në probleme që të nxehnin me të vërtetë, por prapëseprapë Ai nuk

devijonte prej shembullit që umeti i Tij duhet të ndiqte medoemos.

Me të mbaruar faljen, hapi duart me sa të mundte dhe filloi t’i lutej Allahut... Zejdi ishte zhytur i tëri në kundrim. I bëhej sikur përpara të kishte një statujë prej drite. Po e dëgjonte me vëmendje. Krenaria e Njerëzimit po derdhte këto fjalë nga buzët e Tij:

- O Zot! T’i shfaq vetëm Ty mangësinë në forcën dhe fuqitë e mia, dobësinë time në gjetjen e zgjidhjes, dhe që nuk e bëj dot veten time të denjë, për të mos u fyer prej tyre.

O mëshiruesi i mëshiruesve!

O Zoti i të dobëtëve dhe të mangëtëve!

O Zoti im!

Me kë më ke lënë?

Me këta armiq që nuk dinë tjetër veç të vjellin vrer, apo me të afërmit e pafytyrë që nuk dinë tjetër veç të sillen në mënyrë çnjerëzore?

Nëse nuk bëhet fjalë për ndonjë dënim Tëndin, atëherë ta dish, se nuk më bën aspak përshtypje. Më mjafton shëndeti dhe mirëqenia që më fal Ti! Kjo është mbi të gjitha!

Po i drejtohem dritës së mëshirës Sate, që të mos më lësh vetëm me dënimin apo me shfaqjen e plotë të forcës Sate!

Vetëm në portën Tënde do të qëndroj derisa të kem fituar kënaqësinë Tënde!

As nuk kam mbështetje tjetër veç Teje, e as nuk ka forcë tjetër kah e cila mund të drejtohem!

Profeti ynë nuk e kishte përfunduar ende lutjen kur, pranë i erdhi menjëherë Xhebraili Fjalëdrejtë bashkë me një engjëll tjetër, përgjegjës për mbajtjen e maleve! Me sa duket, lutjet e forta të të Dërguarit të Allahut kishin tronditur mëshirën e Allahut, dhe Ai kishte nisur posaçërisht dy engjëj që ta ndihmonin.

O Muhamed, pa dyshim që Allahu (xh.xh.) është në dijeni të asaj që të ka bërë populli yt, duke mos ta dëgjuar asfare fjalën. Dhe pikërisht, që t’u bësh atyre ç’të duash, të ka nisur dy engjëj përgjegjës për malet.

Ndërkohë edhe engjëlli i maleve filloi të përshëndeste të Dërguarin e Allahut.

Nëse do o Muhamed, kam ardhur që t’ua rrëzoj malet mbi krye këtyre njerëzve.

Kështu dilte në pah edhe dallimi i të Dërguarit të Allahut nga të tjerët. Megjithë ato që ndodhën, zgjedhja e Tij do të ishte e tillë, që të shërbente si shembull për gjithë të tjerët më pas. Andaj, i Dërguari i Allahut reagoi me një refleks të menjëhershëm.

Jo, kurrën e kurrës. Unë kam shpresë tek Allahu (xh.xh.), se nga fisi i tyre mund të nxjerrë besimtar dhe adhurues, i cili nuk i bën asnjë shok Atij.

Natyra e Tij e tregonte veten pikërisht në çaste të tilla vendimtare. Ja, ishin pikërisht këto reagime të të Dërguarit të Allahut, të cilat e vinin në tryezë, më se të qartë, se ç’njeri që ishte. Fjalët që i tha engjëlli Atij, pikërisht në çastin kur Ai mund të kishte kërkuar rrënimin e tyre, ishin:

Me të vërtetë, Ti qenke mëshirues dhe falës , pikërisht ashtu siç të ka emërtuar Allahu!

Vilja e rrushit dhe Adasi

Kishte nja dy njerëz të cilët po e vështronin së largu se si falej i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Këta ishin ata, të cilët ishin gjithnjë të parët që merrnin pjesë në thurjen e komploteve, Utbja dhe Shejbja, të bijtë e Rebias. Mirëpo, ato që ndodhën atë ditë, ishin aq të dhimbshme, saqë edhe Utbja dhe me Shejben kishin filluar saora të ndjenin keqardhje. E ndiqnin së largu atë që ndodhte, duke ndjerë se edhe kaq ishte e tepërt. Derisa në fund, panë aty Adasin që ishte skllavi i tyre, dhe i thanë:

Mblidh ca rrush prej atij aty, vendosi në atë shportën aty dhe çoja atij burrit atje që t’i hajë. – duke treguar me dorë nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.).

Ad’dasi u çua dhe u nis për të kryer porosinë e ngarkuar, dhe bashkë me vilet e rrushit u afrua pranë Profetit tonë.

Merrni, hani prej tyre! – i tha ai atyre.

Ndërsa, krejt natyrshëm, i Dërguari i Allahut e zgjati dorën dhe tha “Bismil’lahi Rrahmani Rrahim”, e mandej filloi të hante prej tij. Adasi sapo e dëgjoi këtë fjalë mbeti krejt i habitur, sepse nuk kishte hasur askënd më parë ta thoshte këtë fjalë. I Dërguari i Allahut filloi ta shihte njëherë me vëmendje, pastaj i tha:

Të betohem që nuk ka asnjë prej këndej që mund ta thotë këtë fjalë.

Afrimiteti i tij i ngrohtë tërhoqi vëmendjen e Profetit tonë (s.a.s.). Dukej që Adasi nuk ishte aq i painformuar. E dinte se çdo të thoshte të nisje me emrin e Zotit, madje edhe donte të zbriste më tej në kuptimin e atyre fjalëve. Kësimënyre, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) filloi të fliste:

Nga je ti? Në cilën fe beson?

Jam nga Ninova dhe jam i krishterë. – iu përgjigj ai.

I Dërguari i Allahut, sapo dëgjoi emrin e atij vendi, vazhdoi ta pyeste:

Ai është vendi i vëllait tim të pastër, Junus ibni Metasë.

Ndërkohë sytë e Adasit u bënë katër.

Nga e di ti Junus ibni Metanë (a.s.)? Unë që prej kur jam ndarë së andejmi kam takuar a nuk kam takuar gjithsej dhjetë vetë që ta përmendin emrin e tij. Ku e ke mësuar ti Junus ibni Metanë? Kur me sa kam dëgjuar unë, ti je një njeri që nuk di lexim dhe këndim, madje edhe ke lindur në mesin e disa njerëzve krejt injorantë.

Ai është vëllai im. Edhe ai ishte profet si unë.

Pas kësaj nuk mund të kishte më pyetje të tjera, dhe nuk ngeli më asgjë tjetër për të bërë prej Adasit, veçse të përkulej para të Dërguarit të Allahut. Megjithatë dukej se edhe me kaq nuk mund të mjaftohej. Ai donte t’i puthte duart, derisa të ngopej... Mandej u ngrit dhe filloi ta puthte nga koka... Kjo ishte një ndodhi që t’i bënte të harrueshme të gjitha mundimet e ditës. Ai po përballej me një njeri të vërtetë, andaj nuk kishte rëndësi edhe sikur bota të shkatërrohej krejt.

Nga ana tjetër, Utbja dhe Shejbja, kur panë se ç’po bënte skllavi i tyre, Adasi, u kthyen në gjendjen e tyre të mëparshme, e nuk po i zinte më vendi. E patën dërguar Adasin me një qëllim krejt të mirë, kurse ai tanimë i puthte duart dhe kokën Muhamedit.

E shikon? Na e nxori edhe Adasin nga rruga...

Në fund, kur u kthye Adasi, ata nuk vonuan t’i kundërviheshin.

Çfarë të ndodhi ty që fillove t’i puthje duart dhe kokën atij njeriu?

O zotëria im, po nuk ka njeri më të mbarë se Ai në botë. Ato fjalë që më tha Ai mua, nuk mund t’i thotë askush veç një profeti.

Të të vijë turp, o Adas! Të mos ndodhë në asnjë mënyrë që ai njeri të të largojë prej fesë së të parëve të tu. Sepse feja jote është më e mbarë se e tija.

Lëvizja drejt Mekës dhe dëshmia e xhindeve

Në fund të një dite tejet të hidhur, Profeti ynë i dashur, i Cili ishte përballur me një ndodhi-dhuratë krejt të pagjasë, u largua i trishtuar së andejmi, duke ndjekur rrugën që të çonte për në Mekë. Kur mbërritën në vendin e quajtur Nahle, Profeti ynë (s.a.s.) bëri një pushim të shkurtër ku të mund të falte namazin e tehexhudit. Me sa duket, i Dërguari i Allahut kishte vendosur të flinte disa net në atë vend. Mandej, qëndroi në namaz dhe filloi të lexonte suren Xhin.

Ndërkohë, pranë Tij erdhën shtatë prej xhindeve të familjes Nusajbin. Po ndiqnin namazin e Tij, dhe po dëgjonin pjesët e Kuranit që Ai po këndonte sakaq. Kur u afruan edhe pak, filluan t’i bënin njëri-tjetrit me shenja:

Ju lutem, pushoni ta dëgjojmë, – filluan ata të qortonin njëritjetrin.

Me të mbaruar Kurani që u këndua, u larguan për në familjet e tyre, ku edhe do të kumtonin ato që kishin parë.

O populli ynë, ne sot kemi dëgjuar një libër të atillë, që fton drejt të mirës dhe të bukurës; ne i besuam atyre fjalëve. Sepse ky libër, duke ardhur pas atyre të Musait (a.s.), jo vetëm që i mbështet ato që thuheshin atje, por edhe na thërret drejt më të drejtës rrugë, me mesazhe të plota dhe të qarta. Tashmë ne, pasi i dëgjuam me vëmendje ato fjalëve të drejta, i besuam, dhe ata që i besojnë Allahut (xh.xh.) nuk kanë pse të shqetësohen për asgjë.

Ndërkohë zbriti sërish Xhebraili Fjalëdrejtë, i Cili i bëri të ditur ngjarjen të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Kjo ishte surpriza e dytë pas ndodhisë me Adasin. Tanimë, i Dërguari i Allahut po krijonte lidhje edhe me xhindet, duke pasur edhe në mes tyre nga ata që do t’i besonin. Sepse, përveç njerëzve, Ai ishte një profet i dërguar edhe për xhindet.

Dy mbështetje të panjohura po vinin njëra pas tjetrës. Pas Xhebrailit (a.s.) dhe engjëllit të maleve, tanimë përballë të Dërguarit të Allahut po dorëzoheshin edhe xhindet.

Çdo ajet që zbriste kishte brenda vetes edhe kuptimin e nxitjes për besimtarët. Sidomos përmbajtja e ajetit ishte si një ilaç për kushtet e vështira nëpër të cilat po kalonin besimtarët.

Kushdo që i përgjigjet negativisht këtyre ftesave të sinqerta të Allahut ta dijë se nuk ka forcë që mund ta ndihmojë në këtë botë, dhe nuk mund të gjejë asnjë mbështetje dhe mik më të mirë. Këta njerëz padyshim që janë të devijuar.

Shënimet

  1. 136.Ibni Hisham, 2/266-7
  2. 137.Ibni Sad, Tabakat, 1/211-2
  3. 138.Ibni Hisham, Sire, 2/268; Ibni Ebi Shejbe, Musanef, 6/68; Ibni Kajm el-Xhezui, Zad’ulMead, 3/28
  4. 139.Halebi, Sire, 2/57-8
  5. 140.Ibni Hisham, Sire, 2/268-9
  6. 141.Ahkaf, 46/29-31; Xhin, 72/1-15
  7. 142.Ahkaf, 46/32; Gjithashtu shih: Xhin, 72/12