EDHE NJËHERË MEKA

Megjithëse Taifi mund të mos e kishte dhënë përfundimin e synuar, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i kënaqur pa masë nga pranimi i Islamit prej Adasit dhe xhindeve, u drejtua sakaq në drejtim të Mekës. Kur po i afrohej qytetit, vendosi të shkonte edhe njëherë në shpellën e Hiras, në malin e Nurit, si në kohët e vjetra. Mekën, e cila ia kishte mbyllur portat në fytyrë, e shihte tani të shpërfaqur krejt përpara syve. Shtëpia e Allahut si e ndrojtur, dhe besimtarët jetimët e saj. Me sa duket ndërmjet këtyre të dyja palëve po ndodhte një bashkëbisedim pa fjalë. Sepse edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), si një binjak i Qabes, ishte jetim e krejt i pikëlluar.

Në anën tjetër ishte Zejdi që po mendonte se si do të mund të hynin në Mekë, rrugëzgjidhjen e së cilës nuk po e gjente dot. Derisa erdhi një çast që nuk duroi dot më, por vendosi të pyeste të Dërguarin e Allahut (s.a.s.):

Si do të hyni sërish në Mekë, kur ata të përzunë prej andej?

Profeti i Mëshirës, si përherë, edhe kësaj here ishte tejet i vendosur. Brenda vendosmërisë së Tij ishin të fshehura mirë edhe mesazhet se Ai arrinte ta parashikonte që tani ato që do të ngjasnin:

Siç e sheh o Zejd, nuk ka dyshim se Allahu ta nxjerr një rrugëzgjidhje, e nuk të lë portë pa hapur. Padyshim që Allahu do ta ruajë fenë e Tij, dhe do ta nxjerrë fitimtar profetin e Tij.

Mandej, si plotësim të disa shkaqeve të nevojshme, Ai vendosi t’u niste lajmin e ardhjes disa prej prijësve të Mekës. Qëllimi ishte që të mos përballej me asnjë problem teksa kthehej në qytetin e Tij. Emri i parë që i erdhi në mendje ishte ai i Ahnes ibni Sherikut. Vetëm se ai iu përgjigj:

Unë vetë jam nën besë, dhe ata që janë në gjendjen time nuk mund të marrin nën besë dikë tjetër.

Pastaj Profeti i dërgoi të njëjtin mesazh oratorit të njohur kurejsh, Suhejl ibn Amrit, veçse edhe ai i ktheu:

Bijtë e Amirëve nuk kanë se si t’u japin siguri bijve të Ka’bit, - duke i pohuar kësodore se nuk ishte ende gati për të pranuar diçka të këtillë. Ndoshta nuk e gjenin dot guximin për një përgjigje shpërblyese. Vetëm diçka ishte e sigurt, se Profeti e kishte në axhendë emrin e Suhejlit dhe ishte një emër prej të cilit priste shumë.

Përgjigja pozitive erdhi pikërisht nga Mut’im ibni Adiji. Me t’i mbërritur kërkesa e Profetit tonë paqja qoftë mbi Të, thirri ushtarët e tij dhe u tha:

Merrni menjëherë armët dhe nisuni e më pritni në shtyllat e Qabes. Sepse unë i kam dhënë fjalën të Dërguarit të Allahut.

O kurejshë, dijeni se unë i kam dhënë besën Muhamedit. Askush të mos e prekë Atë, pasi çdokush që tentonte ta prekte atë do të kishte të bënte me Mut’imin.

Pas kësaj, Profeti i profetëve bashkë me Zejdin erdhën në Mekë. Synimi i parë ishte Qabeja, andaj ata e përshëndetën atë, filluan të falnin edhe dy rekate namaz, për t’u kthyer në fund në shtëpi. Gjatë gjithë kësaj kohe, Mut’im ibni Adiji rrinte e bënte rojë bashkë me djemtë e tij. Nuk do ta lejonte kurrsesi që dikush t’i bënte Atij ndonjë të keqe.

Në anën tjetër, Ebu Xhehli, i cili ishte i shqetësuar së tepërmi për kauzën që kishte përqafuar, u afrua pranë Mut’imit dhe e pyeti:

A i dhe vetëm besën, apo u bëre edhe vetë mysliman?

Jo, nuk jam bërë mysliman. I kam dhënë vetëm fjalën se nuk do të lejoj askënd që ta prekë me dorë.

Zaten kjo ishte edhe përgjigja që priste ai, kështu që iu drejtua edhe njëherë i gëzuar, për herë të fundit.

Atëherë, ne të japim fjalën se nuk i bëjmë asgjë njeriut që ti i ke dhënë siguri.

Çfarë pranimi ishte ky, që edhe nga mesi i armiqve më të ethshëm dilte një armik, i cili merrte përsipër që ta mbronte prej të keqes së të tjerëve. Merrte parasysh edhe sigurinë e fëmijëve të vet, por nuk lejonte askënd që të shkelte mbi fjalën e tij të dhënë. Me një fjalë, që fjala të fitonte forcë, dhe kërkesat të merreshin parasysh, njerëzillëku duhet të ishte i një niveli të atillë, që të mos mund të kundërshtohej prej askujt. Emri i kësaj kredie ishte besimi dhe themeli që buronte prej sinqeritetit. Vlera e kësaj kredie ishte aq e madhe, sa nuk mund të krahasohej me asnjë pasuri të kësibotshme. Sepse, edhe sikur të gjitha pasuritë e botës t’i shërbeheshin Mut’imit, ai prapë nuk do të rrezikonte për të marrë parasysh gjithë atë rrezik që i kanosej prej mekasve të irrituar. Edhe vetëm siguria, apo edhe qëndrimi tërë pafajësi i Muhamedit, mjaftonte që t’ia vinte shpirtin në lëvizje Mut’imit. E bënte ta ndjente deri në thellësi të shpirtit, se duhet të vinte një çast që dikush të thoshte “stop!”.

Vëmendja drejtohet nga fiset përreth

Dukej qartë se Meka po mbyllte të gjitha portat. Nuk e kishte marrë dot përgjigjen e shumëpritur prej taifasve, por për aq kohë sa shpirti do të gjendej brenda atij trupi, kumtimi ishte një detyrë nga e cila nuk mund të hiqje dot dorë aq lehtë. Këtu ishte fshehur kënaqësia e Allahut. Andaj i Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke e vlerësuar siç duhej edhe stinën e haxhit, e cila ishte duke afruar, po mendonte si të kishte një rreth më të gjerë dëgjuesish. Andaj vendosi që të shëtiste fis më fis. Çdo fisi që vizitonte, u prezantohej, duke i ftuar edhe ata në fenë e Tij. Sa e çuditshme, dukej sikur edhe këto familje të kishin arritur ndonjë marrëveshje me kurejshët, pasi Resulullahu (s.a.s.) po merrte të njëjtën përgjigje si të atyre. Çdokush e priste me nga një kërkesë të veçantë, duke pritur diçka ndryshe nga ajo që kishte kërkuar folësi para tij.

Në mes tyre gjendej edhe një grup prej gjashtë vetash, të cilët kishin ardhur nga Medina. Profeti ynë i mendoi ata si alternativën e fundit, andaj shkoi pranë tyre, e pasi i kishte përshëndoshur mirë e mirë, i pyeti:

Po ju, kush jeni?

Ne jemi një grup prej hazrexhëve. Hazrexhi ishte një emër i njohur për Të.

Hazrexhi që ishte bashkëpunëtor i Dhuferit, apo..? – drejtoi Ai një tjetër pyetje kësaj here. Dhuferi ishte një njeri i rëndësishëm, i cili u fliste hazrexhëve për profetin e fundit që do të vinte.

Po, - u përgjigjën ata. Ata po përgjigjeshin gjithë sinqeritet.

Si thoni, sikur të ishim ulur e të flisnim për pak kohë, - pyeti Ai sërish.

Patjetër, - ishte përgjigja e tyre e njëzëshme.

Pas këtyre fjalëve, i Dërguari i Allahut u ul pranë tyre dhe filloi të fliste me ta gjerë e gjatë. U këndoi disa prej ajeteve të zbritura prej Allahut. Ky grup ensarësh që përbëhej nga Es’ad ibni Dhurare, Aus ibni Harithi, Ukbe ibni Amiri, Kutbe ibni Amiri, Rafi ibni Maliku dhe Xhabir ibni Abdullahu. Kohë-kohë atyre u vinin ndërmend fjalët që kishin dëgjuar prej të parëve të tyre. Të parët e tyre thoshin vazhdimisht, se nga mes maleve të Faranit do të vinte një profet prej fisit të Ibrahimit. Madje kur ishin mundur prej hebrenjve në luftë, ata e patën pranuar humbjen, por patën thënë, se do të vinte një ditë që nga mesi i tyre do të dilte një profet. Fjalë, të cilat shkurt e shqip do të thoshin: “Atëherë kemi për t’ju copëtuar.”. Lëre që, pastaj ata që do të besonin të parët do të ishin njerëzit më të nderuar të Gadishullit, për të cilët do të fliste vetë historia. Andaj këta njerëz e dëgjonin me aq vëmendje të Dërguarin e Allahut, e nga brenda kishte filluar sakaq të vlonte ndjenja e besimit te Zoti.

Pas përpjekjeve të shumta për të kërkuar burra në mes të asaj shkretëtire burrash, kur duheshin me kohë të tëra që të përftoheshin dy njerëz në fenë e Islamit, tanimë po hynin gjashtë njëherësh. Kjo po e gëzonte pa masë të Dërguarin e Allahut. E vetmja gjë e hidhur ishte ardhja e çastit të hidhur. Mirëpo tani kishte ardhur koha për të shkuar në Medinë. Ata do ta linin Mekën për të shkuar në Medinë, në vendlindjen e tyre.

Pa u larguar ata ranë në një mendje me njëri-tjetrin, se vitin që vinte, ata do të vinin edhe njëherë për t’u takuar me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), madje duke marrë me vete edhe ata njerëz, të cilëve do të kishin mundësinë t’ua bënin të vërtetat të pranueshme.

Medina sapo kishte filluar ta përshëndeste qytetërimin e ri.

Resulullahu (s.a.s.) pas kaq e kaq kohësh, më në fund po buzëqeshte, teksa kthehej për në Mekë.

Shënimet

  1. 143.Ibni Sad, Tabakat, 1/212
  2. 144.Taberi, Tarih, 1/555: Mubarekfuri, er-Rahiku’l-Mahtum, fq. 127-8