KOHA PO AFRONTE

Haxhi i lamtumirës

Tashmë Qabeja ishte pastruar prej idhujtarëve, kështu që shtëpia e Allahut po njihej me adhurimin ashtu siç e meritonte. Ata që i bënin asaj tauaf as nuk duartrokisnin, e as nuk i hiqnin rrobat. Nuk kishte më asnjë pengesë që i Dërguari i Allahut të vinte e të kryente adhurimin e haxhit, dhe kur erdhi muaji i Dhilkades së vitit të dhjetë, Ai u tha të gjithë sahabëve të ecnin në drejtim të Mekës për të kryer adhurimin e haxhit. Njerëzit hynin drejt Medinës grupe-grupe dhe bënin përgatitje për ta kryer haxhin bashkë me të Dërguarin e Allahut.

Pesë ditë para se të mbaronte muaji i Dhilkades, një ditë të shtune, falën edhe namazin drekës dhe lëvizën prej Medinës. Morën rrugën e pemëve për të ardhur deri në vendin e quajtur Dhul Hulejfe. Me të aguar u kthye nga sahabët dhe u tha se gjatë mbrëmjes i kishte ardhur për vizitë një mëkëmbës i Allahut, i cili i këshilloi që të falte namaz në këtë luginë të bekuar. Njëkohësisht, Ai u tha atyre se kishte bërë nijet për haxh dhe për umre njëkohësisht gjatë këtij udhëtimi.

Profeti i Njerëzimit, para se të vishte ihramin, mori njëherë gusël, hodhi erëra të mira, dhe u nis në drejtim të Qabes sikur të ishte duke shkuar diku për të festuar. Para se të nisej, këshilloi mirë e mirë edhe sahabët e Tij dhe u dha informacion të nevojshëm në lidhje me çdo pyetje që ata mund të kishin. Me vete kishin marrë edhe afërsisht njëqind deve dhe për t’ua bërë të ditur atyre se ishin për të flijuar, u vendosi nga një shenjë në rrëzë të qafës.

Sakaq edhe sahabët filluan të lavdëronin Allahun bashkë me Të:

Lebbejk, Allahumme lebbejk. Lebbejk la sherike leke lebbejk. Innel hamde uenni’mete leke uel mulk; la sherike lek! - thoshin ata, dhe zëri ushtonte nëpër qiell.

Do të ndiqej e njëjta rrugë që e kishin ndjekur njëherë për të migruar. Pas gjithë atij udhëtimi që zgjati një javë, qëndruan për një pushim në vendin e quajtur Dhi Tua. Aty kaluan një natë. Ishte dita e katër e muajit Dhulhixhe. Resulullahu (s.a.s.) fali namazin e sabahut, mori gusul dhe u dha urdhër që të niseshin sërish në drejtim të Mekës. Në qytet hynë pikërisht në kohën kur dielli kishte arritur pikun e tij. Po hynte sërish nga ana e sipërme.

Me të mbërritur, u nis në drejtim të Qabes. Dha përshëndetjet dhe bëri prekjet e nevojshme dhe pastaj filloi nga tavafi. Hapat e para po i hidhte paksa të përshpejtuar. Katër veprimet e tjera i bëri më me ngadalë. Me të mbaruar tavafin, u kthye nga vendi i Ibrahimit të nderuar (a.s.) dhe tha:

Ne e bëmë Shtëpinë e Allahut një vend të sigurt ku njerëzit të mund të fitojnë shpërblim prej Allahut. Edhe ju bëjeni Qaben drejtim për namazet! Ibrahimit dhe Ismailit: “Ta mbajmë shtëpinë të pastër për ata që vijnë për adhurim, itikaf dhe për të bërë sexhde karshi Allahut (xh.xh.).” E mori në mes vendin e Ibrahimit dhe Qabes dhe filloi të falte dy rekate namaz. Lexoi suret Kafirun dhe Ihlas.

Pastaj erdhi sërish në Rukn dhe pasi e preku me dorë u drejtua kah Safaja:

Safa dhe Merue janë prej vendeve simbol të Allahut! Kush e viziton Qaben me qëllim haxhin ose umren, nuk ka problem nëse i bëjnë tauaf Qabes. Dhe kushdo që bën diçka të mbarë duke dhënë diçka prej vetes, megjithëse nuk e ka detyrim, ka për t’ia parë mbarësinë. Sepse Allahu e shpërblen çdo lloj mirëbërjeje. Ai i jep shpërblim të mirë çdo pune të mirë dhe di çdo gjë.

Tashmë Resulullahu po i jepte përparësi këndimit të ajeteve të Kuranit, dhe po lëvizte nga Safa në drejtim të Merves. Kur hipi mbi Safa, pa njëherë kah Meka, dhe pasi solli tekbir filloi të lutej.

Mandej u drejtua për në Haxhun. Ky ishte vendi ku Ai kishte kaluar plot tre vjet i kapluar prej gjithfarë vuajtjesh. Ebu Talibi, xhaxhai dhe mbështetësi më i madh i Tij kishte vdekur pikërisht këtu, por po ashtu edhe gruaja e Tij, shoqja e jetës së njëzet e pesë viteve. Edhe varret i kishin këtu. Ai ishte një njeri besnik, por këtë duhet t’ua tregonte edhe sahabëve të Tij fisnikë se si duhet të ishin njerëz mirënjohës dhe të besës.

Arafati

Profeti i Allahut paqja qoftë mbi Të kishte ndenjur plot katër ditë në Mekë gjer më tani. Ditën e enjte, shkoi në Mina bashkë me sahabët e Tij fisnikë. Në vendin e quajtur Nemira i ngritën një çadër, ku të mund t’i falte të pesë kohët e namazit. Kur ishte kthyer nga Lugina e Batnit për të ardhur në Arafat, kishte ndalur dhe po u mbante një hutbe sahabëve të Tij. Përreth kishte gjithsej njëqind e njëzet mijë besimtarë. Të gjithë po dëgjonin me vëmendje fjalët e arta që do t’u thoshte i Dërguari i Allahut.

O njerëz, - filloi Ai nga fjala. Dëgjomini mirë këto fjalë që do t’ju them. Sepse unë nuk besoj se do të kem edhe njëherë mundësinë që të mblidhem me të gjithë ju në këtë vend.

Askujt nuk i shkonte në mendje se mund të vinte një ditë që mund të largohej i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Vetëm se Ai ishte vetë që po ua thoshte sot.

Me zemrat e tyre të djegura filloi të frynte një fllad pikëllimi. Resulullahu po jepte sinjale largimi pikërisht në këtë ditë që mund të quhej një prej më të bukura të jetës së tyre. Po u thoshte:

Gjaku juaj, pasuria e kësaj dite ju janë haram ashtu siç janë ky vend dhe ky muaj në të cilin jemi. Kujdes, çdo gjë e juaja që kishte lidhje me periudhën e injorancës është tashmë nën këmbët e mia!

Çështjet e gjakmarrjes nuk janë më, dhe çështja e parë që mori fund është gjaku i Rebia ibni Harithit, i cili u vra në vendin e Beni Sa’dit ndërsa gjendej për t’u mëkuar pranë shtëpisë së familjes Hudhejl!

Edhe fajdet e kohës së injorancës nuk janë më. Fajdeja e parë që hoqa ishte ajo që kishte për të marrë Abas ibni Abdulmutalibi, dhe padyshim që është zhdukur me rrënjë.

Jini më të kujdesshëm në lidhje me gratë, dhe kini frikë prej Allahut! Sepse ju i morët ato si amanet prej Zotit, dhe me lejen e fjalës së Tij ju quajtën të lejueshme. E drejta juaj është që ato të mos marrin askënd tjetër pranë, që nuk ju pëlqen juve. Nëse bëjnë diçka të këtillë, atëherë ju mund të mendoni ndonjë masë të arsyeshme që mund të merret. Që t’i mbani mirë dhe t’i vishni është një detyrim i juaji!

Unë po ju lë juve diçka aq shumë të vyer, që për aq kohë që kapeni fort pas saj, nuk mund të bini kurrsesi në ç’udhëzim; Libri i Allahut!

Këto ishin çështjet më themelore që duhet të kiheshin kujdes në mënyrë që struktura shoqërore të ecte e shëndoshë. Ai po ua tërhiqte vëmendjen sahabëve të Tij asisoj që çështja e Allahut të ecte përpara ashtu siç i shkonte. Këto fjalë të Tij përsëriteshin edhe prej të tjerëve në mënyrë që të mbërrinin deri te njerëz si Rebia ibni Umeje, të cilët gjendeshin në radhët e fundit. Pasi i tha të gjitha këto, u kthye nga sahabët dhe i pyeti:

Nesër do t’ju pyetet prej Meje; Si do të dëshmoni ju?

Sahabët shikonin nga njëri-tjetri të çmeritur. Ngritën kokat dhe thanë njëzëri:

Ne dëshmojmë se Ti e kreve përsosmërish detyrën Tënde të kumtimit, duke na udhëhequr me anë të këshillave të vyera!

Ky zë që ngrihej nga anët e Arafatit, përplasej njëherë në malet e Faranit e pastaj kthehej sërish mbrapsht. Profeti i Njerëzimit u kënaq shumë prej kësaj përgjigjeje të sahabëve të Tij, dhe vazhdoi të fliste:

O Zoti im! Ji Ti dëshmitar! – fjali të cilën e përsëriti plot tri herë.

Sakaq filloi të këndohej ezani. Do t’i falnin bashkë drekën me ikindinë. Pas namazit u afruan drejt vendit të quajtur Xhebeli Rahme, ku Profeti i Njerëzimit paqja qoftë mbi Të vendosi të bënin një ndalesë. Ishte kthyer nga Qabeja dhe po lutej duke u ngashëryer. Njeriu i dritës po i lutej Allahut porsi një statujë prej drite.

Kishte ardhur sërish Xhebraili Fjalëdrejtë, dhe mbi të Dërguarin e Allahut po shfaqeshin shenja të një mesazhi të ri prej Allahut.

Unë sot jua plotësova fenë tuaj! E përsosa mirësinë Time karshi jush, dhe jam i kënaqur prej Islamit si fe për ju!

Me sa dukej kjo do të ishte fruta e fundit e një rrugëtimi që niste nga Hira në malin e Nurit. Kishte nga ata që tërhiqeshin në ndonjë qoshe, dhe qanin me ngashërim sapo e dëgjonin. Kjo nuk kishte shpëtuar as syve të të Dërguarit të Allahut. U afrua pranë Omerit të nderuar dhe i tha:

Pse qan?

Gjithë ai Omer nuk gjente brenda vetes as forcë për t’u përgjigjur. E mblodhi pak veten, dhe i ktheu përgjigje:

Po qaj, se deri më sot ne vetëm po zhvilloheshim në rrugën e fesë. Tani po e kuptojmë më mirë, që këtej e tutje do të fillojë një periudhë rënieje.

Kjo ishte një zgjuarsi prej Omeri.

Ke të drejtë, - iu përgjigj Krenaria e Njerëzimit.

Mandej, bashkë me Usamen që e kishte pasur me vete gjer më tani,

u nis në drejtim të Muzdelifes. I fali namazin e akshamit dhe të jatsisë të bashkuara në një ezan të vetëm.

Mina

Kjo ishte dita e dhjetë e muajit të Dhulhixhes. Meqë koha i kishte hyrë, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të e fali namazin e sabahut në Muzdelife. Pas namazit u kthye nga Qabeja dhe filloi të lutej me përgjërim.

I hipi Kasuas ende pa aguar mirë, dhe u nis në drejtim të Minas. Këtë herë nga prapa kishte edhe Fadl ibni Abasin. Ndërkohë e kishte urdhëruar Ibni Abasin që të mblidhte gurët që do t’i përdornin për të goditur djallin. Kur erdhi në vendin e quajtur Muhasir e përshpejtoi të ecurën e devesë, sepse ky ishte vendi ku ishin shkatërruar njerëzit e elefantit.

Saora mbërriti në Mina. Dielli sapo kishte lindur dhe duke ardhur pranë rrëzës së Akabes, filloi të godiste shejtanin.

Profeti i Njerëzimit u kthye sërish nga sahabët e Tij, dhe filloi t’u thoshte këto fjalë, që ishin një lloj plotësimi i atyre çfarë u kishte thënë në hutben e pakmëparshme.

Nuk ka dyshim që prej sot e tutje, që koha, qiejt dhe toka erdhi në boshtin ku u krijua për herë të parë. Një vit është dymbëdhjetë muaj. Katër prej tyre janë haram, ndërsa tri prej tyre vijnë njëri pas tjetrit: Dhilkade, Dhulhixhe dhe Muharrem. Ndërsa tjetri është muaji Regaip që gjendet mes muajit Shaban dhe Xhemadijeleuel.

Shejtani e humbi shpresën se mund të presë adhurim prej ndokujt nga këto toka. Vetëm se është e vërtetë që shejtani do t’ju ndërhyjë në disa prej punëve tuaja, duke ju penguar..

Merreni sot prej meje shembullin e adhurimit të haxhit. Sepse nuk ma merr mendja se do të mund ta kryej edhe njëherë haxhin bashkë me ju!

Profeti i njerëzimit, që po u thoshte këto fjalë të hidhura sahabëve të Tij, ndërroi edhe mënyrën e të folurit, duke i pyetur se në cilin muaj dhe në cilën ditë të tij gjendeshin.

Më të drejtën e dinë veç Allahu dhe i Dërguari i Tij, - u përgjigjën sahabët, sepse menduan se Ai do t’u jepte tjetër kuptim datës dhe muajit që po u kërkonte.

A nuk është muaji i Dhulhixhes? – i pyeti Ai sërish.

Po, - u përgjigjën ata.

Po ky vend cili është? – pyeti Ai, kësaj here për vendin.

Më të drejtën e di veç Allahu dhe i Dërguari i Tij, - u përgjigjën sërish sahabët, që e kuptuan se Ai diku do ta nxirrte fjalën.

A nuk është vendi haram ky?

Po, - u përgjigjën njëzëri disa syresh.

Padyshim se ky vend ju është i ndaluar deri ditën kur të ritakoheni me Allahun, ashtu siç ju janë gjaku, pasuria, erzi, kjo ditë dhe ky muaj.

Në çdo fjali të Tijën mund të dalloje shenjat e një largimi. Po e kundronte atë që ishte mbledhur gjatë njëzet e tri viteve, pasi donte që të kishte një umet të përgatitur mirë, edhe pasi të ikte vetë.

Tanimë po e kuptonin më mirë pse i kishte bërë ato pyetje pak më parë. Ndërsa nga njëra anë lamtumirej me sahabët e Tij fisnikë, nga ana tjetër i kishte marrë dhe po u bënte një shëtitje përtej horizonteve. Mandej, u tha edhe diçka tjetër, për të cilën dukej që kërkonte vëmendje:

A e kreva unë detyrën time të kumtimit?

Po pyeste sahabët e Vet nëse e kishte kryer apo jo detyrën e profetësisë.

Po, - iu përgjigjën ata.

O Zot, ji Ti dëshmitari i këtyre fjalëve! – shtoi Ai.

Të gjithë ata që gjenden sot këtu le t’ua thonë atyre që do të vijnë më vonë. Sepse ka shumë njerëz të cilëve u kumtohet që janë më kuptues se dëgjuesit. Dhe në asnjë mënyrë të mos vrisni njëri-tjetrin pas ikjes sime, se ashtu bëjnë vetëm mohuesit!

Pasi i përfundoi këto këshilla ndaj sahabëve të Tij, radha i kishte ardhur prerjes së kurbaneve. Resulullahu (s.a.s.) atë ditë do të priste po aq kurbane sa edhe vitet e jetës së Tij, ndërsa për tridhjetë e shtatë të tjerë ngarkoi Aliun e nderuar me detyrën e prerjes. Pastaj thirri pranë vetes një prej sahabëve që ta ndihmontenë prerjen e flokëve. Ata hapën sërish duart që asnjë prej qimeve të bekuara të mos binte dëm në tokë. I merrnin në duar dhe derdhnin lot mbi to. Ndërkaq, disa sahabë si Ebu Bekri i nderuar ishin tërhequr mënjanë si përpara një ndarjeje dhe po e vështronin pa ia ndarë sytë.

Goditja e shejtanit dhe lamtumira

Sakaq u drejtuan sërish nga Meka. Do të shkonte në Qabe dhe pasi të bënte tavafin e “ifadasë”, fali namazin e drekës. Që aty shkoi pranë bijve të Abdulmutalibit. E pritën me ujë zemzemi, dhe Ai po e pinte.

Po atë ditë shkoi sërish në Mina, për të qëndruar një natë. Priti deri në fund të ditës tjetër, dhe me të parë se dielli ishte duke perënduar, erdhi pranë vendit të goditjes së shejtanit me gurë dhe e goditi tri herë. Deshi t’u fliste edhe njëherë sahabëve që t’ua ngulte mirë në mendje ato që donte t’u thoshte.

Pasi kreu goditjen e shejtanit u nis përsëri drejt Qabes dhe deri në orët e vona të natës i bëri tavaf Qabes. Tashmë ishte koha për t’u larguar, andaj u dha urdhër sahabëve që të largoheshin.

Ishte dita e tetëmbëdhjetë e muajit Dhulhixhe. Po shkonin për në Medinë, kur në vendin e quajtur Xhuhfe qëndruan dhe po i këshillonte edhe njëherë sahabët e Tij:

Kini kujdes, o njerëz! Padyshim, unë jam një njeri dhe pa kaluar shumë kohë, mund të vijë një mëkëmbës i Allahut, dhe mua do të më duhet të iki me të. Unë po ju lë juve dy gjëra të rëndësishme; e para e tyre është libri i Allahut, brenda të cilit ka dritë dhe udhëzim; duhet të lidheni sa më fort pas tij. Ndërsa e dyta është Ehli Bejti, për të cilët ju këshilloj që të tregoheni të kujdesshëm. Ju ftoj që të tregoheni sa më të kujdesshëm me ta!

Ndërkohë e kapi nga dora Aliun e nderuar dhe i tha:

Dijeni se i pari të kujt jem unë, edhe ky është i pari i tyre. O Zot, pranoje atë si njeri të lartë, dhe shpalle armik atë që i kthen kurrizin atij.

Mandej gjatë rrugës për në Medinë thirri tri herë tekbire, ku tha këto fjalë:

Nuk ka zot tjetër veç Allahut, dhe Ai është i vetëm; Edhe malli është i Tiji, dhe lavdërimi vetëm Atij i takon, dhe është i fuqishëm për çdo gjë! Ne jemi nga ata që kthehemi te Zoti ynë! Edhe sexhden vetëm Atij ia bëjmë, duke e falënderuar për çdo gjë që na ka dhënë! Allahu e realizoi fjalën e dhënë, dhe e ndihmoi robin e Tij duke e shkatërruar ushtrinë e torturës.

Pas kësaj lutjeje Profeti ynë i nderuar erdhi në Medinë në një kohë afër paradites. Do të shkonte në fillim pranë faltores profetike dhe pasi të falte dy rekate namaz do të nisej për në shtëpi.

Në fillim jeta e dendur që kishte pasur para haxhit, tashmë do të fillonte sërish nga Medina, dhe të gjithë bashkë do të përpiqeshin që ta përhapnin Islamin edhe në vende të tjera.

Ushtria e Usames

Një ditë të hëne, katër ditë para se të dilte muaji i Seferit, i Dërguari i Allahut u dha urdhër sahabëve që të bëheshin gati për në luftë. Nga tokat e ortodoksëve po ngriheshin disa zëra kërcënimi, dhe atyre që besonin në Islam u ushtroheshin gjithfarë trysnish. Pika e fundit, aty ku nuk mbante më, ishin ato që i ndodhën valiut të Meanit, Ferue ibni Amrit. Bizanti që nuk po e duronte dot më fuqizimin e myslimanëve përreth, kishte gjetur brenda vetes forcën për të vrarë valiun e të Dërguarit të Allahut!

Vendi ku do të ngrihej vendqëndrimi ishte Xhurufi. Sahabët fisnikë i kaploi sërish emocioni i luftës. Nuk po prisnin dot, ngase ishin të emocionuar që po shkonin për në fushë të betejës. Ditën tjetër në mëngjes, Resulullahu thirri pranë vetes Usame ibni Zejd ibni Harithen dhe i tha:

- Të kam vendosur në krye të kësaj ushtrie! Vepro me shpejtësi duke i shkelur ata që të kanë vrarë babanë.

Po u tregonte vendin dhe drejtimin se si shkohej për atje. Madje, ndërsa po përparonte me ushtrinë e tij, u thoshte se duhet të ecnin medoemos më shpejt se sa lajmi që mund të përhapej, dhe se vetëm nëse merrnin gjithë informacionet që shpërndaheshin përreth, do të mund të ishin triumfuesit e luftës.

Resulullahu paqja qoftë mbi Të po ia jepte vetë, me duart e veta, flamurin Usame ibni Zejdit. Usame mori në dorë shpatën dhe flamurin, ia dha Burejde ibni Husajbit që t’ia mbante, dhe ndërkohë shkoi për të përgatitur ushtrinë, që të niseshin drejt Xhurufit një sahat e më parë.

Sëmundja e Profetit tonë të dashur

Ishte ditë e mërkurë. Profeti i njerëzimit ishte sëmurur pikërisht një ditë pasi ia kishte dorëzuar flamurin Usames (r.a.). Digjej i tëri si nëpër flakë dhe kishte dhimbje të tmerrshme të kokës. Megjithatë, sëmundja e Tij nuk do të përbënte problem në përgatitjen e kësaj ushtrie. Madje, përpos të gjithave, ata donin të arrinin sa më shpejt.

Brenda kësaj ushtrie ku do të printe Usame ibni Zejdi gjendeshin edhe shumë emra të njohur si Ebu Bekri, Omeri, Osmani dhe Aliu (r.anhum)! Me sa dukej, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) donte ta rinonte sadopak ushtrinë e Tij, andaj edhe po ia ngarkonte pikërisht asaj këtë detyrë të rëndësishme. Njëkohësisht, kjo do të thoshte edhe çrrënjosje e disa mentaliteteve të vjetra të së shkuarës. Usame ishte biri i një ish skllavi dhe arabët nuk do të dëshironin kurrsesi që në krye të ushtrisë ku bënin pjesë edhe ata të gjendej një skllav. Ja, i Dërguari i Allahut po i shfaroste të gjithë idhujt, sa ishin. Megjithatë kjo nuk ishte një çështje aq e lehtë, që gjithsecili ta kuptonte menjëherë, me të parën. Disa madje ia patën filluar nga puna që të prodhonin disa mendime të ndryshme në lidhje me moshën e vogël të Usames, që ishte prurë në krye të një prej dy ushtrive më të fuqishme të atyre kohëve. Njerëz si Ajash ibni Ebi Rebia thoshin:

Po vendosen komandantë djemtë e rinj, kur të vjetrit muhaxhirë janë ende këtu. – e shprehte ai çudinë e tij.

Ishte ditë e shtunë. Profeti ynë i nderuar (s.a.s.) e mori vesh për këtë, kështu që vendosi çallmën mbi krye dhe doli mbi minber për të folur nja dy fjalë:

O njerëz! Vallahi, që ju, ashtu siç patët folur dikur për babanë e tij, ashtu po flisni edhe për Usamen, që sot është vendosur në krye të ushtrisë myslimane. Për hir të Allahut, ai është më i mbari për t’iu ngarkuar një detyrë e atillë. Një e vërtetë tjetër është që babai i tij ishte më i dashuri ndër njerëz, ndërsa Usame është më i dashuri për Mua!

Sahabët e tjerë që gjendeshin në krye të ushtrisë bashkë me Usamen, erdhën pranë të Dërguarit të Allahut për t’u lamtumirur. Kjo në fakt ishte me të vërtetë një skenë lamtumire. Sepse gjendja shëndetësore e të Dërguarit të Allahut po rëndohej nga dita në ditë.

Të mos bëjë vaki që ta ktheni mbrapsht ushtrinë e Usames! – i paralajmëroi Ai.

Ndërkohë sahabët kishin rrjedhur në drejtim të Xhurufit, ku kaluan edhe ditën e diel. Usame i nderuar erdhi sërish pranë të Dërguarit të Allahut ditën e diel, dhe nuk po i mbante dot lotët. Kjo sepse i Dërguari i Allahut po digjej prej temperaturës, dhe nga goja i jepnin disa pika ilaçi për t’i ndaluar dhimbjet. Kishte ardhur për t’i dhënë lamtumirën, mirëpo as duke e lënë në këtë gjendje, nuk mund të ikte. U përkul dhe e puthi. Profeti ynë i dashur nuk fliste dot! I ngriti paksa duart drejt qiellit dhe pastaj i zbriti mbi Usamen. Me sa duket, po lutej për komandantin më të ri të ushtrisë së Islamit.

Usame u kthye po atë ditë në Xhuruf, mirëpo zemra i kishte ndenjur atje, tek i Dërguari i Allahut. Do të vinte sërish ditën tjetër për ta vizituar. Ishte ditë e hënë. Resulullahu dukej sikur t’ia kishte hedhur paksa gjendjes së një dite më parë. Usame po priste që të nisej sërish për atje ku i ishte urdhëruar që të luftonte.

Drejt perëndimit

Nga njëra anë ishte një aksion që po vazhdonte, ndërsa nga ana tjetër ishte Resulullahu që lamtumirej me të gjithë, pasi do të shkonte për te më i Miri Mik! Kishte një vit të tërë që i jepte shenjat e këtij largimi.

Pak më ndryshe nga vitet e mëparshme, Ai ishte tërhequr njëzet ditë në itikaf. Njëkohësisht, kishte ardhur edhe Xhebraili, dhe të dy bashkë kishin kënduar Kuranin të plotë, dy herë, nga fillimi gjer në fund.

Vizitoi Uhudin, të cilin ua la porosi edhe sahabëve. Aty filloi të përshëndoshej me të pranishmit. Pasi u nda nga ata, hipi në minber dhe filloi të fliste në drejtim të sahabëve të Tij që gjendeshin të shtrirë nën dhe:

- Nuk ka dyshim që unë kam dëshirë të kthehem aty ku jeni ju! Unë jam dëshmitari juaj! Lëvduar Allahu që unë tani po dëshmoj thesarin Tim. Po shoh tek po më dorëzohen çelësat e tërë thesareve të universit. Vallahi unë kam frikë, jo se ju mund të bini në idhujtari, por kam frikë se do të akuzoni njëri-tjetrin për diçka të këtillë.

Ishte dita e fundit e hënë e muajit të Seferit. Erdhi në Xhenetin e Përjetshëm për të kryer një detyrim të fundit ndaj një sahabi të nderuar. Shkonte pranë tyre dhe u kërkonte leje për t’u larguar secilit.

Kur u kthye, i filloi një dhimbje e tmerrshme koke. Iu rrit edhe temperatura, e cila ndjehej edhe nga jashtë çallmës që i kishin lidhur mbi krye.

Dukej qartë se kjo nuk do të ishte ndonjë sëmundje e lehtë që mund të shkonte dosido, kështu që gjatë gjithë ditës, Ai mundi që t’i falte të gjitha namazet bashkë me sahabët e Tij fisnikë.

Nga çdo anë u jepte mësime edukate dhe mirësjelljeje. Në këtë kohë që sëmundja i ishte rënduar shumë, u kthye nga gratë e Tij fisnike dhe u tha:

- Ku do të jem unë nesër?

Ata ishin të gjithë njerëz që i kuptonin mjaft mirë gjërat, andaj vendosën që t’i thoshin se që të gjitha donin që Ai të qëndronte në shtëpinë e Aishes së nderuar.

E kishte të vështirë edhe për të qëndruar në këmbë, madje ndonjëherë ecte edhe duke i tërhequr zvarrë këmbët. Nga njëri krah e mbante Fadl ibni Abasi ndërsa nga tjetri Aliu i nderuar, të cilët e morën dhe e çuan në dhomëzën e Aishes së nderuar. Ky ishte vendi ku do të kalonte ditët e fundit të jetës.

Ditën e mërkurë sëmundja u ashpërsua më tej, dhe herë herë ngelej edhe pa ndjenja. Edhe në këtë gjendje nuk donte të rrinte larg sahabëve të Tij, sepse sapo vinte në vete, thoshte:

Derdhmëni shtatë herë nga ujërat e mbledhura nga puse të ndryshme, sepse dua të dal e të bëj marrëveshje me njerëzit.

Mjaft, mjaft më, - tha, dhe sakaq u drejtua kah faltorja.

O njerëz, afrohuni këtu.

Po i thërriste sahabët fare pranë vetes. Me sa duket kishte edhe ndonjë mesazh tjetër, për ndonjë çështje që kërkonte edhe vëmendjen e tyre. Në fillim u foli për gabimet e umetit.

Sakën se e ktheni varrin tim në një vend adhurimi!

Po e ndjente se së afërmi do të shkonte atje, andaj donte që t’u kërkonte leje të gjithëve, e më parë të merrte fjalën se nuk i detyrohej më asgjë askujt.

Këdo që mund ta kem mërzitur, ja tek e keni kurrizin Tim. Le të vijë e ta marrë hakun duke më goditur me dru. Kujtdo që mund t’i kem thënë ndonjë fjalë të rëndë, apo t’i kem thyer zemrën, le të vijë të ma thotë, në mënyrë që të lahemi.

Ai me të vërtetë thoshte kështu, por prej askujt nuk pipëtinte asnjë zë. Vetëm se Ai ishte këmbëngulës në këtë çështje! Pasi fali namazin e drekës, e përsëriti disa herë po të njëjtën pyetje. Ndërkaq u ngrit dikush që i tha se i kishte tre dërhemë për t’i dhënë. Sakaq, Ai, me të dëgjuar këto fjalë, u kthye nga djali i Tij i xhaxhait dhe i tha:

Jepja ato që i kam, o Fadl!

Mandej foli disa fjalë për ensarët:

Po ju lë amanet që t’i vlerësoni ensarët ashtu siç duhet. Sepse ata janë si drita e syve të mi. Ata e kanë kryer më së miri atë që u takonte, dhe kanë për ta marrë shpërblimin e saj.

Tashmë njerëzit ishin shtuar shumë, andaj ensarët kishin ngelur vetëm se një pakicë në mesin e tyre. Ata ishin si kripa e gjellës.

Kushdo që të bëhet prijës mbi ta, dhe sheh një të mirë apo një të keqe prej tyre, le ta pranojë të mirën, ndërsa të keqen le ta presë me fjalë falëse. Nuk ka dyshim se Allahu jep ç’të dojë prej bukurive të kësaj bote, andaj e la të lirë robin e Tij që të zgjedhë. Robi zgjodhi atë që jepet pranë Zotit.

Nuk i kishte mbaruar ende fjalitë, kur nga vendi ku po rrinte Ebu Bekri, që kishte disa ditë që nuk i ndahej nga kryet, u ngrit një klithmë.

Nëna dhe babai ynë të qofshin falë, o i Dërguari i Allahut!

Të gjithë po e shihnin të çmeritur vendin nga ishte ngritur klithma. E patën kuptuar edhe ata atë që kishte kuptuar ai. Sepse robi që ishte lënë i lirë, nuk ishte askush tjetër, pos Resulullahut (s.a.s.), andaj edhe reagonin kështu.

Profeti ynë i dashur, me ta parë këtë sjellje të mikut të Tij më të afërt dhe më të dashur, u tregoi myslimanëve Ebu Bekrin si shembull, pasi ndoshta edhe donte të vendoste gurët në vendin e duhur. E kishte kapur për dore, dhe po thoshte:

Ebu Bekri për mua, është njeriu më i sigurt për nga sakrificat materiale dhe shpirtërore. Nëse do të kisha mik tjetër veç Allahut, do të zgjidhja pa dyshim Ebu Bekrin. Mirëpo, që prej Islamit ne kemi vëllazërinë ndërmjet myslimanëve. Le të mbyllen të gjitha portat e faltores, dhe le të rrijë e hapur vetëm porta e Ebu Bekrit.

Tashmë çdo ditë e të Dërguarit të Allahut ishte një ditë lamtumire. Ishte e enjte. Deri më sot, i Dërguari i Allahut, megjithë temperaturën dhe dhimbjet e mëdha, kishte dalë përherë për t’i falur vetë namazet. Pas namazit u rëndua më tepër, dhe megjithëse kishte hyrë namazi i jatsisë, nuk po hynte ende në faltore. Zaten namazi i fundit që priu ishte namazi i akshamit të ditës së enjte, në të cilin lexoi suren Murselat.

Edhe për jacinë Bilali e pati thirrur ezanin, dhe xhemati ishte vënë në pritje të ardhjes së imamit.

Ata nuk dinin gjë se ç’ndodhte në dhomëzën e lumturisë. Sepse Resulullahu, që po përkeqësohej nga dita në ditë, ishte tashmë pa ndjenja.

Me të ardhur paksa në vete, pyeti Aishen e nderuar:

A u fal namazi?

Jo, o i Dërguari i Allahut! Po ju presin ju!

Përgatisni ujin që të marr abdes.

Dukej që sytë i mbante nga uji dhe nga mesxhidi! Vepruan ashtu siç u kërkoi Ai. U ngrit dhe mezi mori abdes. Sapo ishte bërë gati për të shkuar që të falte namazin, kur i ra sërish të fikët. Të gjithë rendën për tek Ai me vrap. Pas pak çastesh, u duk sikur erdhi paksa në vete.

Pyeti prapë:

A e falën njerëzit namazin?

Donte të shkonte për të falur namazin, por nuk kishte fuqi. Sepse i binte të fikët vazhdimisht. Më në fund kërkoi Ebu Bekri t’u printe në namaz. Mirëpo Ebu Bekri fisnik nuk donte, andaj tërhiqej që të vinte i zoti i kësaj pune për ta bërë. Ndërsa vetë kërkoi që të vinin nja dy vetë që ta ndihmonin për t’u ngritur.

Kur panë se po hynte në faltore, ata që po e prisnin ndjenë sikur brenda të kishte hyrë hëna. Në faltore ishte përhapur një dallgë emocioni e veçantë. Ebu Bekri i nderuar donte që ta falte vetë Resulullahu namazin, mirëpo Resulullahu paqja qoftë mbi Të bënte me dorë nga ai, duke i thënë: “Rri aty ku je!”. Në hapësirat midis safeve erdhi deri pranë imamit. Nuk kishte fuqi as për të ndenjur në këmbë, kështu që e fali i ulur.

Tashmë Resulullahu, as namazin që e quante si “drita e syve” nuk e falte dot vetë! Këtej e tutje namazet do t’i printe Ebu Bekri i nderuar.

Koha për t’u ndarë dhe dita e fundit

Që nga e enjtja e deri më sot, i Dërguari i Allahut nuk kishte dalë dot nga dhomëza për t’i falur namazet me të tjerët, megjithëse pritja tërë shpresë e sahabëve vazhdonte ende. Megjithëse nuk kishte ardhur atë ditë, ku i dihej, ndoshta vinte ditën tjetër.

Ishte prapë një ditë e hënë. Ishte dita e dymbëdhjetë e muajit Rebiuleuel! Edhe në namazin e sabahut, ata menduan tërë shpresë se do të vinte Ai; donin që të vinte e t’u printe edhe njëherë në namaz. Faltorja i thirri besimtarët me zërin e Ibni Umu Mektumit. Zëri i Bilalit të nderaur kumbonte anembanë faltores. Prapë nuk erdhi. Namazin e sabahut do ta falte sërish Ebu Bekri i nderuar (r.a.).

Për një çast në një qoshe të faltores u ndje njëfarë lëvizjeje. U hap perdja e dhomëzës së Aishes së nderuar, e prej andej doli Drita e Bukur, porsi një hënë e plotë kur shfaqet në qiell. E kishte mbledhur sërish kokën me çallmë, dhe me fytyrën e bukur po shikonte nga imami. Nuk i shpëtuan as fytyrat e gëzuara të të tjerëve. Ishte tejet i kënaqur.

Ja, këta ishin vështrimet e fundit që u hidhte sahabëve në këtë jetë. Dukej sikur, nga gëzimi i tepërt, do të prishnin krejt atmosferën e namazit.

U ngritën për rekatin e dytë. Xhemati ishte lidhur më së miri, dhe ngase e ndjenin ardhjen e Tij mundoheshin t’i bënin vend. I vendosi duart mbi supet e Ebu Bekrit që deshi të tërhiqej, me sa dukej Ai donte që ai ta vazhdonte deri në fund namazin që kishte nisur.

Edhe Ai vetë e fali namazin pas imamit që u kishte caktuar besimtarëve të tjerë. Pasi dha selam imami, Ai vazhdoi edhe rekatin që nuk e kishte falur. Ja, ky ishte namazi i Tij i fundit. Pasi mbaroi namazin, nuk qëndronte dot më në këmbë, andaj u mbështet pas një shtylle dhe duke e ngritur zërin i paralajmëroi sahabët e Tij për shpifjen, duke u treguar Kuranin si mësues. E shihte si të tepërt praninë e dy feve në Arabi, duke mos dashur që të mos kishte asnjë botëkuptim tjetër veç atij që ofronte Islami. Ndërsa po largohej, tha:

Një profet, nuk vdes për aq kohë sa nuk del pas një imami që ta ketë zgjedhur vetë.

Dukej i përmirësuar. Dukej sikur shqetësimet ishin shumë mbrapa. U kthye sërish në mes tyre për të falur edhe njëherë namaz pas tyre. Çdo gjë dukej sikur ishte futur në hullinë e normalitetit.

Me të lindur dielli, dhe me t’u afruar koha e mëngjesit, thirri pranë bijën e Tij, Fatimen, e cila lëshoi një ulërimë. Po qante me klithma dhe e ngashëryer.

Oh mjerë për mua! Babushi im! – thoshte ajo.

U kthye edhe njëherë nga ajo, dhe diç tjetër i tha:

- Këtej e tutje, babai yt nuk do të heqë më asnjë të keqe.

Megjithatë kjo nuk mjaftonte për ta fashitur sadopak dhimbjen që vjen prej ndarjes. Fatimja e nderuar vazhdonte të qante.

Profeti i mëshirës nuk i duronte dot në shpirt të qarat e së bijës, kështu që i kërkoi edhe njëherë të afrohej. Filloi t’i pëshpëriste disa fjalë të tjera. Po ajo Fatime që deri para pak çastesh ishte kapluar nga të qarat, tanimë dukej sikur do të fluturonte prej gëzimit. Po buzëqeshte. Sikur të kishte ikur ajo Fatimja e vjetër, dhe tashmë kishte ardhur një e re.

Po i thoshte se “Unë do të iki!”, dhe Fatimja lëshonte të qarën. Tanimë po i thoshte: “Ti do të jesh e para që do të vish tek unë!”, dhe ajo me ta dëgjuar po fluturonte prej gëzimit.

Mori pranë nipërit e Tij të dashur, Hasanin dhe Hysenin, të cilët i puthte dhe u merrte erë gjithë dashuri.

Po ashtu thirri pranë edhe gratë e Tij të dashura, të cilat i këshillonte për të ardhmen.

Xhaxhai i Tij, Abasi (r.a.), kishte kohë që ishte i shqetësuar për ikjen e njeriut të tij më të dashur. E tërhoqi mënjanë Aliun e nderuar dhe e lajmëroi se Profeti i tyre i dashur paqja qoftë mbi Të ishte duke u përgatitur për të ikur, andaj do të ikte të fliste me Të për të marrë vesh testamentin.

Resulullahu (s.a.s.) po i këshillonte sahabët e Tij, duke i paralajmëruar që të punonin sa kishin ende mundësi për të fituar botën e përtejme në Xhenet. Sepse mundësitë që kanë në duar duheshin përdorur për të mirë, dhe nëse u vishej një rrobë përjetësie, atëherë mund të fitohej edhe ahireti.

Më parë u kthye nga sahabët dhe i tha:

- Kini kujdes! Të gjithë që kuptonin shenjat e ardhjes së vdekjes, kërkonin që të largohej prej kësaj bote me një mendim të mirë prej të gjithëve.

Xhebraili Fjalëdrejtë dhe ardhja e engjëllit të vdekjes

Ditën e shtunë dhe të diel, pranë i erdhi sërish Xhebraili Fjalëdrejtë. Mirëpo me një ndryshim, se kësaj here kishin ardhur edhe shumë engjëj të tjerë. Secili kishte nën kontroll edhe shtatëdhjetëmijë engjëj të tjerë.

O Muhamed! – iu drejtua Ai. Allahu të përshëndet. Ai të respekton dhe të nderon Ty! Megjithëse Ai e di mjaft mirë, më nisi që të pyes. Si ndihesh? Si je?

Jam pak pa qejf dhe më dhemb i gjithë trupi, o Xhebrail! – dhe sikur donte që t’i afrohej pak më tepër.

Zoti yt thotë se nëse do Ai, Unë i jap shërim, duke e mbështjellë me mëshirën Time!

Kjo është një çështje që i përket Allahut (xh.xh.). Ai mund të bëjë ç’të dojë me mua!

Mandej Xhebraili Fjalëdrejtë e njohu Atë me engjëllin e vdekjes, kështu që i kërkoi leje:

Përshëndetja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Ty, o i Dërguari i Allahut! Mua më nisi Allahu (xh.xh.), dhe më kërkoi të bëj atë që do të duash Ti. O Ahmed! Nëse Ti më urdhëron që ta kryej detyrën, unë do ta bëj, por nëse më kërkon që të largohem, edhe atë do ta bëj menjëherë.

Në zgjedhjen e Tij nuk kishte kurrfarë ndryshimi.

O engjëll i vdekjes! Bëj atë që të është urdhëruar!

Ndërkohë me dorën paksa të lagur filloi të fërkonte pak barkun.

O Zoti im! Ndihmomë mua për dhimbjet e vdekjes!

Koha e lamtumirës

Koha erdhi. Kishin filluar të shfaqeshin shenjat e rrugëtimit, dhe Profeti ynë i dashur ishte veç një perde larg kalimit për në botën tjetër. E mbështeti kokën pas kraharorit të nënës sonë të nderuar, Aishes (r.a.) dhe i nguli sytë për nga tavani.

Ndërkohë në dhomë hyri Abdurrahmani, i biri i Ebu Bekrit të nderuar (r.a.). Misuaku që mbante në duar tërhoqi vëmendjen e të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi Të. Aishjae nderuar që dallohej për inteligjencën e saj e kuptoi se donte misuak.

A ta marr për Ty? – e pyeti ajo.

Ai tundi kokën duke dashur të thoshte po.

Aishja e nderuar e mori prej të vëllait dhe ia dha Profetit të universit. Mirëpo misuaku ishte shumë i ashpër.

A të ta zbus pak? – e pyeti ajo.

Po, - thoshte Ai. Me sa duket gjuha nuk donte të fliste më tej.

E mori misuakun dhe pasi filloi ta zbuste pak, ia zgjati sërish të Dërguarit të Allahut.

E mori dhe filloi ta gjezdiste në mes të dhëmbëve. Edhe ndërsa po ikte në botën tjetër po i pastronte dhëmbët.

La ilahe il’lallah! Padyshim që para vdekjes është sekerati, - thoshte Ai.

Për një çast i hodhi sytë nga nëna jonë, Aishja e nderuar, e cila donte ta mbante nga duart dhe të lutej për të.

Jo, - thoshte Ai.

Me sa dukej nuk donte që të rrinte këtu për kohën që ishte duke migruar për matanë. Andaj ia shtyu tutje dorën.

I ra sërish të fikët.

Pas pak erdhi sërish në vete.

Ngriti edhe njëherë gishtin tregues në ajër. Sytë iu drejtuan nga tavani, dhe buzët filluan të lëviznin. Nëna jonë e nderuar, Aishja (r.a.) u përkul deri pranë buzëve të bekuara të Profetit tonë të dashur për të dëgjuar se ç’thoshte:

- O Allah mbështillmë dhe falmë edhe mua me mëshirën Tënde, siç veprove me mirësi ndaj profetëve të tjerë, dëshmorëve dhe siddikëve. Pranomë mua tanimë në miqësinë Tënde! O Allah, dua miqësinë Tënde!

Në jetën e Tij njëzetetre vjeçare, kur i kishin zbritur tërë ato ajete, kishte bërë një jetë të atillë që do t’u gjente zgjidhje gjithfarë problemesh. Po ua linte amanet atyre që vinin pas, dhe po vazhdonte rrugën për të cilën kishte ditë që ishte nisur.

Në dhomë u përhap një aromë e mirë.

Sakaq dora i ra brenda një ene me ujë që gjendej aty afër, ndërsa misuaku që i rrinte midis gishtërinjve, i ra përtokë.

Profeti ynë i dashur tashmë ia kishte lënë të gjitha porositë e nevojshme, prandaj po udhëtonte i qetë në drejtim të ritakimit të dëshiruar aq shumë atje, në botën e përtejme.

Tashmë flamuri i Tij do të valëvitej në krahët e trimave të palëkundur si Usame (r.a.).

Shënimet

  1. 284.Bakara, 2/125
  2. 285.Bakara, 2/158
  3. 286.Maide, 5/3
  4. 287.Buhari, Salih, 1/451; 3/1317; Muslim, Sahih, 4/1795
  5. 288.Shih: Buhari, Sahih, 1/236, 1/240; Muslim, Sahih, 1/313
  6. 289.Shih: Muslim, Sahih, 4/1905; Ibni Maxhe, Sunen, 1/518; Taberani, Muxhemu’l-Kebir, 22/415