ALIU NË UHUD
Kurejshët kishin pësuar disfatë dërrmuese në betejën e Bedrit dhe tani kërkonin të hakmerreshin në një tjetër betejë në Uhud. Edhe një herë tjetër, Aliu ishte në qendër të vëmendjes. Ai luftoi me aq trimëri, saqë ishte e pamundur për cilindo që të përballej me të. Beteja filloi si në Bedër; mirëpo, një çast i shkurtër shpërfilljeje dhe moskuptimi i rëndësisë së bindjes, çoi në katastrofë. Myslimanët thuajse sa nuk deklaruan fitoren, kur papritur, ngjarjet morën një kthesë dramatike. Fati i betejës pothuajse po ndryshonte dhe jetët e myslimanëve ishin në rrezik të madh. Për ta tejkaluar këtë moment të vështirë, duheshin luanë trima si Aliu.
Le të dëgjojmë shpjegimin e Aliut për ngjarjet dramatike që ndodhën në rrethanat kur mbizotëronte kaosi në betejën e Uhudit:
“Në një fazë të betejës, unë nuk arrita ta shoh të Dërguarin e Zotit. Ai nuk ishte as në mesin e të rënëve. Më pas mendova me vete, ‘Pasha Zotin, i Dërguari Fisnik nuk do të largohej kurrë nga fusha e betejës. Mundësia tjetër, e vetme, është se mbi ne ka rënë ndëshkimi i Zotit për shkak të gabimeve që kemi bërë, dhe Ai e ka larguar Profetin Fisnik prej nesh. Nga ky moment, unë nuk kisha asnjë mundësi tjetër veçse të luftoja deri në vdekje’. Më pas theva millin e shpatës dhe mësyva drejt linjave të armikut. Teksa avancova në radhët e armikut, pashë të Dërguarin Fisnik në dyluftim.”
Nga njëra anë, Aliu luftonte pamëshirshëm për të përmbushur zotimin e tij; nga tjetra, ai përpiqej të mbronte të Dërguarin e Zotit paqja dhe bekimi qofshin mbi Të. Flamuri i Islamit kishte rënë në tokë nga duart e Mus’abit, të cilat ia prenë si të ishin degë peme. Ai u rrek ta mbante flamurin lart me gjoks. Fatkeqësisht, një shigjetë shpoi trupin e tij të ri dhe Mus’abi ra përdhe duke rënë dëshmor në Uhud. I Dërguari i Zotit udhëzoi Aliun të ngrinte flamurin. Ai mori flamurin dhe riorganizoi radhët e myslimanëve. Menjëherë pas kësaj, Profeti Fisnik përgëzoi Aliun duke thënë:
“Nuk ka të ri si Aliu, nuk ka shpatë (e tija) si Dhulfikari!”
Gjatë betejës Aliu mori një sërë plagësh të rënda që asnjë nuk mund t’i shëronte. 16 prej plagëve mund të kishin rezultuar fatale. Ai kishte rënë përdhe shumë herë, por ishte ngritur po aq herë me guxim dhe kishte vazhduar luftimin. Më në fund, i Dërguari Fisnik u informua për plagët e Aliut, dhe tha:
“Një njeri që duron vuajtje të tilla për hir të Zotit, mund të falet për gjithçka”.
Kaosi i përkohshëm që u përjetua në Uhud ishte i kushtueshëm. Profeti Fisnik kishte marrë një plagë në fytyrë dhe dy nga dhëmbët e tij të bekuar ishin thyer. Përkundër të gjitha mosmarrëveshjeve, Profetit paqja qoftë mbi Të duhej t’i jepej ndihma e parë, madje edhe nëse duhej t’i hiqej dhëmbi. Pak kohë më pas, Fatimja dhe Aliu mjekuan
Profetin Fisnik duke i pastruar gjakun që i kishte mbuluar fytyrën.
Shënimet
- 21.Ibn Ebi Ja’la, Musned, 1/415 (546).
- 22.Ibn Hisham, Siretu’n Nebeuije, 4/51.
- 23.Buhari, 3/1066 (2754).