Aliu0%

FLAMURTAR I HERONJVE

Aliu Zoti qoftë i kënaqur me të ishte njeriu i zgjidhjeve. Kur ishte e nevojshme, ai i zgjidhte problemet me një lehtësi të pashoqe. Në anën tjetër, kur ishte i nevojshëm në fushën e betejës, do të ulërinte si luan, duke bërë që armikut t’i dridhej shtati. Në të shumtën e rasteve, problemet do të zgjidheshin veç me përmendjen e emrit të tij. Fisi Thakif shkaktoi konflikte me provokimet e tyre. I Dërguari i Zotit iu dërgoi atyre një paralajmërim:

“Tërhiquni nga ky qëndrim menjëherë ose do të më duhet t’ju dërgoj një burrë, i cili do t’ju heqë kokat, do t’ju burgosë familjarët, dhe do t’i mbledhë pasuritë tuaja si plaçka e lufte.”

Burri të cilit Ai i referohej në mesazhin e Tij nuk ishte tjetër pos Aliut. Përgjigja ishte e shpejtë. Nuk ishte e nevojshme që Aliu të shkonte më atje, sepse ata vendosën t’i zgjidhnin vetë problemet e tyre.

Në një tjetër incident, Hajberi ishte i rrethuar që kur ata ishin bashkuar me fiset Kurejsh dhe Benu Gatafan për të sulmuar Medinën, por kalaja e fortë e Hajberit nuk do të binte. Mirëpo, ai ishte një vend, i cili duhej pushtuar medoemos për shkak të tradhtisë së tyre të vazhdueshme. Koha erdhi, dhe i Dërguari Fisnik tha:

“Nesër do të dorëzoj flamurin në duart e një personi të tillë, me anë të duarve të të cilit Zoti do të dhurojë liri, sepse ai e do Zotin e të Dërguarin e tij, dhe Zoti me të Dërguarin e Tij e duan atë.”

A ekzistonte vallë ndonjë lavdi dhe gradë më e lartë se kjo? Nga kjo zgjedhje Aliu fitoi titullin “Murteda”, që do të thotë se Zoti ka fituar kënaqësinë e Zotit. Ishte një ditë në të cilën edhe sahabët si Omeri, i cili gjithmonë ka qenë i përmbajtur nga dëshira për të qenë lider, tha:

“Pasha Zotin, kurrë në jetën time nuk kam dëshiruar kaq shumë sa atë ditë që të jem lider. Gjithmonë shpresoja se i Dërguari Fisnik do të tregonte me gisht nga unë dhe do të thoshte, ‘Ai është lideri’.”

Ishte një natë ku asnjërit nuk i hynte gjumë në sy. Secili dëshironte të ishte ai i cili duhej prej Zotit dhe të Dërguarit të Tij. Ata të gjithë e imagjinonin veten e tyre si mbajtës të flamurit. Më në fund, me të aguar, koha e shumëpritur erdhi. Sytë e të Dërguarit të Zotit po kërkonin dikë. Ishte më se e qartë se personi që po kërkohej nuk ishte mes tyre. Ai pyeti: “Ku është Aliu?”

Menjëherë, ata lajmëruan Aliun, dhe ai nxitoi të paraqitej para Profetit paqja dhe bekimi qofshin mbi Të. Të gjithë po prisnin me padurim, duke hamendësuar lidhur me atë që do të thoshte i Dërguari Fisnik.

Më në fund, ai foli:

“Ky është burri që po kërkoja!”

Atë ditë Aliu kishte një infeksion në sy. I Dërguari i Zotit ia vuri pështymën e tij të bekuar në to dhe u lut për Aliun. Pastaj Profeti ia dorëzoi flamurin Aliut. Infeksionet kronike të syve e kishin platitur në shtrat këtë hero trimërie. Megjithatë, që nga ajo ditë, ai kurrë nuk do të vuante më nga ajo sëmundje. Nuk kishte asnjë shenjë hezitimi në fytyrën e Aliut pasi ai kapi flamurin dhe eci përpara me hapa të mëdhenj. Si mundet një njeri të hezitojë apo të kthejë mbrapsht një mision të caktuar nga i Dërguari Fisnik? Tek largohej, Aliu pyeti pa kthyer kokën përreth:

“A do të luftoj derisa ata të bëhen myslimanë si ne?”

Përgjigja pohonte se synimi parësor do të ishte ftesa e tyre në Islam, e madje edhe nëse do ishte e nevojshme për të luftuar, dëshira e thirrjes së tyre në nënshtrimin ndaj Zotit nuk duhej harruar për asnjë çast. I Dërguari Fisnik e shpjegoi këtë me deklaratën e mëposhtme:

“Pasha Zotin, nëse një prej tyre përqafon besimin me vullnetin e Zotit sajë ftesës tuaj, kjo është më e bekuar për ju se të qenit pronar i një lugine plot me deve të kuqe dhe dhurimi i tyre për kënaqësinë e Zotit.”

Pastaj filloi beteja e Hajberit. Kishte shumë trima në Hajber, një prej tyre ishte një burrë që quhej Mehrab. Udhëheqësit e Hajberit e inkurajuan atë të përballej me Aliun. Megjithatë, asnjë nuk përbënte më sfidë për Aliun. Kështu që, ai i dha fund Mehrabit me një lëvizje të vetme. Me ta parë këtë, i Dërguari Fisnik buzëqeshi tek tha: “Gëzohu, sepse së shpejti Hajberi do të bjerë.”

Atë ditë kishte ndërdyshje të mëdha. Në njërën fazë, Aliut i kishte rënë mburoja dhe nuk kishte asgjë me se të mbrohej nga sulmet e vazhdueshme. Të gjithë ishin në ankth dhe pyesnin veten se çfarë do të bënte Aliu pas kësaj. Pasi hodhi një vështrim përreth, Aliu shikoi portat e kështjellës përtokë. Ishte e qartë se e kishte një plan. Me të shpejtë ai u përkul dhe e kapi portën nga doreza. Pastaj ulëriti si luan duke thirrur me zë të lartë fjalët “Allahu Ekber!” Me portën në duar, Aliu çau përmes një grupi të madh burrash, duke hapur boshllëqe brenda vijave të armikut.

Ebu Rafi, sahabi i dashur i Profetit rrëfen:

“Pas incidentit, bashkë me shtatë nga shokët e mi u përpoqëm ta ngrinim portën nga toka. Pasha Zotin, ne nuk mundemi as ta lëviznim atë.”

Megjithatë, sjelljet e mira të Aliut, përulësia dhe thjeshtësia nuk ndryshuan kurrë, madje as në fushat e betejës. Gjatë betejës së Bedrit, me një goditje ai kishte hedhur përtokë Ebu Sa’d ibni Ebi Talhanin. Aliu sapo do bënte lëvizjen e tij të fundit për t’i dhënë fund atij, kur papritur u zmbraps. Disa nga shokët e Aliut iu afruan dhe e pyetën përse e kishte bërë këtë. Aliu u përgjigj:

“Isha gati t’i jepja fund atij kur vura re që i ishin zbuluar pjesët intime. Për të shmangur shikimin e haramit, u largova. ”

Shënimet

  1. 33.Ibn Abdi’l Berr, Istiab, 3/1110.
  2. 34.Devetë e kuqe ishin shumë të çmuara në shoqërinë arabe asokohe. Një person që kishte në pronësi një deve të tillë konsiderohej i pasur, teksa personat që kishin një tufë devesh të kuqe ishin ekstremisht të pakët.
  3. 35.Muslim, 4/1872 (2406).
  4. 36.Ibn Kethir, el Bidaje ue’n Nihaje, 4/189.
  5. 37.Tabari, Tarihu’l Ume ue’l Muluk, 2/63.