NATYRA E SHKATËRRIMIT DHE MARTIRIZIMIT
Si përfundim, një njeri i quajtur Abdullah ibni Mulxhem, i cili ishte prej harixhive, ngriti një komplot me dy prej shokëve të tij për të vrarë Imam Aliun. Ata mendonin se kjo ishte zgjidhja e vetme, pasojat e këtij veprimi nuk kishin asnjë rëndësi për ta. Gjithçka dëshironin, ishte të kënaqnin hakmarrjen dhe krupën e tyre. Ata i kishin ngulur sytë mbi kokën e autoritetit teksa pretendonin se është e ligjshme të derdhësh gjakun e një vëllai në emër të Zotit.
“Në qoftë se ne rrezikojmë jetët tona për të vrarë udhëheqësin që ka devijuar nga rruga e drejtë, ne do të hakmerremi për vdekjen e vëllezërve tanë”, - argumentonin ata.
Sa logjike ishte të marrësh jetën e një besimtari, për më tepër udhëzuesit shpirtëror të besimtarëve, kur miliona idhujtarë po derdheshin në zjarrin e Xhehenemit? Megjithatë, ajo u bë. Me krijimin e një ideologjie ekstremiste, nuk kishte rrugë për parandalimin e daljes së saj nga kontrolli. Ata po vepronin emocionalisht dhe asnjë nuk po i llogariste pasojat e veprimeve të veta. Ata thjesht deklaronin se po e bënin këtë në emër të Zotit. Si mundej dikush të vriste Luanin e Zotit, po në emër të Zotit?
Teksa dy prej shokëve të tij u nisën drejt Damaskut për të vrarë Muavijen dhe Amrin, Abdullah ibni Mulxhemi erdhi në Kufe me qëllim që të vrasë Aliun me një shpatë të helmuar, të cilën e kishte përgatitur më herët. Asnjë nuk kishte dijeni për qëllimet e tij djallëzore. Abdullah ibni Mulxhemi kishte kaluar shumë ditë duke planifikuar sulmin, pasi nuk dëshironte që të linte gjë në dorë të fatit.
Ishte dita e shtatëmbëdhjetë e Ramazanit, mëngjesi i një dite të premte. Aliu ishte ngritur tok me anëtarët e familjes së tij dhe po përgatitej për faljen e sabahut, teksa la shtëpinë dhe iu drejtua xhamisë. Pavarësisht faktit se ishte ende kalif, ai nuk mbante asnjë truprojë pranë vetes. Ishte ende errësirë dhe mendoi se personi që po i afrohej ishte besimtar si ai dhe po shkonte të falte sabahun. Mirëpo Aliu e kishte gabim, ishte ibni Mulxhemi, i cili me shpejtësi nxori nga milli shpatën e tij me helm dhe e goditi Aliun nga pas shpine.
Heroi i fushëbetejave mund të kishte mposhtur me lehtësi dhjetë
ibn Mulxhemë, mirëpo dëshironte që gjaku i tij t’i jepte fund gjakderdhjes së vazhdueshme të myslimanëve. Imami ishte plagosur rëndë dhe vazhdoi të humbiste gjak. Sikundër kishte parashikuar edhe Profeti Fisnik shumë vite më parë, gjaku që i gulfonte nga koka ia kishte bërë mjekrën të kuqe. Me besimin se e kishte përmbushur misionin e tij, ibn Mulxhemi bërtiti tërë hare:
“O Ali! Gjykimi i takon Allahut, as ty e as shokëve tuaj!”
Sipas tij, ai kishte kryer xhihadin më të madh që ekzistonte. O Zot! Ç’sprovë ishte kjo? Këto ishin një seri sprovash që vetëm Aliu mund t´i duronte. Ai nuk shqetësohej fare për veten, pasi po linte pas sherret e kësaj bote për t´iu bashkuar shokëve të tij të dashur. Vetëm pak ditë më parë, ai i ishte drejtuar popullit të Kufes duke i thënë:
“Betohem në Zot se dëshiroj që të më marrë nga këtu dhe të më ribashkojë me mëshirën e tij!”
Shumë vite më parë, Mjeshtri i Mjeshtrave paqja qoftë mbi të i kishte thënë:
“Nëse një ditë njerëzit bëhen të pandjeshëm kundrejt botës tjetër dhe fillojnë të ndjekin kënaqësitë dhe tundimet e kësaj bote... Çfarë do të ndodhë me ty kur ata të fillojnë të vlerësojnë pasurinë dhe të përdorin fenë e Zotit për të mashtruar të tjerët dhe të besojnë se ajo është e çmuar, me vlerë, vetëm për njerëz të caktuar?”
“Atëherë unë do ta braktis botën e tyre dhe do t’i lë ata me ato që duan. Unë do të zgjidhja të isha me Zotin dhe të Dërguarin e Tij në botën e përtejme. Nuk do resht së qeni i drejtë deri në ditën që do të bashkohem me Ju.”
Kjo ishte dita në të cilën Aliu ua la botën atyre. Ai po i përshëndeste me dorë Zotit dhe të Dërguarit të Tij, duke u kërkuar leje për t´iu bashkuar. Imami ishte zotuar se do të ishte i durueshëm deri sa të vinte vdekja për ta marrë.
Çdokush që dëgjoi lajmin vrapoi për tek Aliu. Plagët e tij ishin fatale, dhe ata dëshironin ta transportonin në shtëpi, por edhe në një gjendje të tillë, imami u tha:
“Më lini mua dhe shkoni falni sabahun me xhemat!”
Ibn Mulxhemi u kap dhe u soll para Aliut, i cili mezi hapte qepallat.
Imami i hodhi një shikim dhe e pyeti:
“Ti je personi që më sulmoi?”
Ai mezi fliste, dhe në zërin e tij kishte shenja të një pikëllimi të thellë. Me një gjest ai mund të urdhëronte vrasjen e tij, por përkundrazi ai e shikonte dhe buzëqeshte me trishtim. Ç’madhështi ishte kjo? Megjithëse po i jepte lamtumirën kësaj bote, ai ende shqetësohej për kaosin që mund të pasonte vdekjen e tij. Teksa nga plagët vijonte t’i gulfonte gjak, ai shikoi njerëzit përreth dhe i këshilloi sa më poshtë në lidhje me sulmuesin e tij:
“Dërgojeni në burg dhe trajtojeni mirë. Nëse do të jetoj, do të vendos unë se ç’do bëhet me të. Mund ta fal ose të zbatoj gjykimin e Allahut. Nëse unë vdes, kërkoj që ju të zbatoni kisasin, të merrni vetëm jetën e tij kundrejt simes. Mos ia dëmtoni kufomën.”
Edhe pse ishte në prag të nisjes për udhëtimin e përjetshëm, imami i madh nuk dëshironte që të tjerët të dëmtoheshin për shkak të vdekjes së tij, pasi Zoti nuk ishte i kënaqur me njerëzit që përfundonin në skajshmëri.
Kur u soll në shtëpi, Aliu ishte në gjendje tepër të rëndë. Një shok i quajtur Omer erdhi ta vizitonte dhe Imami e pyeti nëse mund t’i shikonte plagët e tij.
“Nuk janë plagë serioze, shpresoj se do të përmirësohesh shpejt”, - tha ai në përpjekje për t`i dhënë moral kalifit.
Mirëpo, Aliu ishte i sigurt se i kishte ardhur vakti; kështu që ishte gati të niste udhëtimin e përjetshëm që e priste.
“Sot do t’ju lë!”, - ishin fjalët e tij.
Në këtë moment, vajza e tij, Umu Kulthumi, të cilën e kishte martuar me Omer ibni Hatabin filloi të ulërinte nga pas perdeve. Aliu u kthye nga ajo dhe e pyeti:
“Pse qan o bija ime e dashur? Nuk do qaje nëse do t´i shikoje ato që shikoj unë!”
Një prej shokëve që kishte përkrah e pyeti:
“Çfarë po shikon, o udhëheqës i myslimanëve?”
“Ata janë këtu…Profeti është rreshtuar së bashku me engjëjt…
Krenaria e Njerëzimit paqja qoftë mbi të po më flet: ‘O Ali! Vendi ku do të shkosh është më i bekuar se vendi ku ndodhesh tani!’”
Kishte një aromë që e kishte mbajtur për vite të tëra. Ishte një suvenir i Profetit Fisnik. Aliu e kërkoi atë, dëshironte t´i merrte erë sikur Profeti Fisnik t’i ishte bashkuar.
Në këtë kohë, sekush kuptoi se Aliu po u jepte lamtumirën e fundit. Para syve të tyre, Imami i madh po largohej për te sahabët e tij të dashur. Ata nuk donin amulli të mëtejshme, pas largimit të Aliut nga kjo botë, kështu që iu afruan duke i kërkuar që djali i tij, dhe nipi i Profetit, Hasani, të emërohej si kalifi i ri. Aliu u përgjigj me “jo” atypëraty, teksa më pas tha:
“Unë as nuk do t’ju udhëzoj në këtë çështje, dhe as nuk do t’ju ndaloj në vendimin që do të merrni ju!”
Me dëshirën për të ushtruar trysni mbi ndërgjegjen e tij, ata i thanë:
“Çdo t’i thuash Zotit tënd kur të na lësh pa udhëheqës?”
Ata ndodheshin në gjendje të vështirë, kështu që dëshironin të konfirmonin emërimin e kalifit të ri sa më parë të ishte e mundur. Nuk kishte kohë për të humbur, mungesa e udhëheqësit nënkuptonte më shumë mundësi për mosmarrëveshje mes popullit. Mirëpo, Aliu ishte i palëkundur në vendimin e tij tek u përgjigj:
“Unë do t’i them Allahut se erdha tek Ti sikundër ka ardhur i Dërguari Yt më parë, pa emëruar një kalif të ri”.
Kaloi një tjetër ditë. Ishte e shtunë kur Aliu thirri djemtë e tij, duke u kërkuar t’i uleshin pranë. Me ç’dukej, kërkonte t’u jepte këshillat e fundit. Imami po e sforconte veten për të folur, sepse nuk kishte më fuqi. Me gjysmë zëri, ai i këshilloi të bijtë t’i frikësoheshin Allahut dhe kurrë të mos e braktisnin vetëdijen ndaj Zotit, e kështu të vepronin në përputhje me rrethanat. Ai këshilloi që ata të ndiqnin me çdo kusht parimet e Islamit, pa marrë parasysh rrethanat me të cilat do të përballeshin; u kërkoi që t’i largoheshin përçarjes dhe të kapeshin fort pas paqes dhe qëndrueshmërisë sa më vendosmërisht të mundeshin; i këshilloi qe gjithherë të ishin konstruktivë dhe që gjithmonë të ishin besnikë ndaj Kuranit të Shenjtë; i udhëzoi që të ishin tepër të ndjeshëm ndaj të varfërve dhe personave në nevojë; u tha se duhet të ftonin njerëzit që të besonin në Zot dhe në fenë e tij, duke bërë këtë, ata duhej të refuzonin personat që përpiqeshin t’i përqeshnin ata; i këshilloi të konkurronin në ndershmëri dhe në sjellje të mira; më pas tha:
“Niveli i epërm i pasurisë është inteligjenca, niveli i epërm i varfërisë është injoranca, niveli i epërm i mizorisë është arroganca, dhe kulmi i bujarisë është karakteri dhe sjelljet e mira”.
“Ç’farë tjetër?”, - pyetën edhe një herë ata. Imami u përgjigj:
“Mos u shoqëroni me injorantë, sepse edhe nëse dëshirojnë t’ju ndihmojnë, mund t’ju shkaktojnë dëm. Mos pranoni persona të njohur si gënjeshtarë, pasi do t’ju largojnë shokët e besuar dhe do t’jua zëvendësojë ata me të largët. Mos mbështesni kurnacin sepse ai do të bëhet shok me ju vetëm për t’ju mashtruar dhe për t’ju bërë të besoni se ai është në nevojë. Mos u shoqëroni me të shthurur, pasi do t’ju braktisin në kohët më vendimtare.”
Më tej filloi të recitonte Kuran dhe dha frymën e fundit me këto ajete:
“Kush bën një të mirë, qoftë edhe sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush bën një të keqe, qoftë edhe sa një thërrmijë, do ta shohë atë.
(Zilzal, 99/7-8)
Koha e tij si kalif prej katër vite e nëntë muajsh mori fund. Asokohe ai ishte 63-vjeç.
I Dërguari i Zotit kishte thënë një herë se Parajsa ishte e përmalluar për Selmanin, Amarin dhe Aliun. Më në fund, Aliu kishte fluturuar drejt parajsës, e cila e priste atë me padurim.
Bijtë e tij, Hasani dhe Hyseni e lanë trupin e tij dhe e përgatitën për xhenaze. Hasani priu në faljen e xhenazes e më pas trupin e tij të bekuar e varrosën pa zbardhur mirë drita në një vend në Kufe. Është mjaft interesant fakti që vendi ku ai u varros mbetet edhe sot e kësaj dite i panjohur, bash sikundër vendndodhja e varreve të shumë figurave të tjera të rëndësishme.
Një ditë, Ibni Abasi e kujtoi Imamin e madh mes lotësh duke thënë:
“Ai ishte bashkëshorti i gruas më të bekuar, ishte babai i dy nipave të Profetit. Kurrë nuk kam parë dikë të ngjashëm me të, dhe nuk do të shoh deri në ditën e ringjalljes.”
Ai do të vijonte duke shpjeguar se ata që nuk arritën të konstatojnë bekimin e tij dhe e torturuan do të jenë objektiv i zemërimit të Zotit.
Aliu gjithmonë kishte fytyrë të qeshur, mund t’ia shikoje dhëmbët tek buzëqeshte. Ai nuk i kishte adhuruar kurrë idhujt, madje as kur ishte fëmijë. Njerëzit e kujtonin Aliun me formulën “kerremallahu uexheheh” (Zoti e nderoftë) sa herë e përmendnin. Lutja për të me këtë formulë është kthyer në traditë. Aliu kishte një gradë të veçantë kur bëhej fjalë për urtësi, dije, devotshmëri, dhembshuri, heroizëm dhe dashamirësi. Sulmet e ndërmarra kundër Aliut dhe familjes së tij të bekuar nuk ndaluan as pas vdekjes së tij. Periudha e përçarjeve dhe provokimeve djallëzore vazhdoi gjatë gjithë jetës së Hasanit dhe të Hysenit. Kjo ishte një humnerë që do të gëlltiste edhe bijtë e dashur të Imamit gjithashtu.
Shënimet
- 98.Huzai, Tahrixhu’d Dalaleti’s Sem’ijja, 1/277.
- 99.Ibn Abdil Berr, Istiab, 3/1127.
- 100.Bejhaki, Sunenu’l Kubra, 8/183.
- 101.Teufik Ebu Alam, Ehlu’l Bejt Imam Ali, 245.