NJERI I DETYRAVE TË VEÇANTA
Me përjashtim të ekspeditës së Tebukut, Aliu mori pjesë në të gjitha betejat. Gjatë betejës së Tebukut atij iu kërkua që të qëndronte në Medinë si përfaqësues i Profetit. Aliu kurrë në jetën e tij nuk kishte kundërshtuar ndonjë urdhër; mirëpo, e kishte tepër të vështirë të pranonte një detyrë të tillë. Ai la Medinën me shpejtësi dhe arriti Profetin. Me ta parë të Dërguarin e Zotit, i tha:
“Po më lë pas me gratë dhe fëmijët?”
Aliu u trondit nga e gjithë kjo, sepse ishte një burrë që kishte qenë përherë në radhët e para të frontit. Ai ishte jashtëzakonisht i zhgënjyer për lënien jashtë fushës së betejës ku shpirti i bujarisë arrinte kulmin, ku rrezikoheshin jetët dhe shëndeti. I Dërguari Fisnik e ngushëlloi Aliun dhe i shpjegoi se sa i rëndësishëm ishte ai për Të:
“O Ali, a nuk do të doje të ishte me mua në statusin që ishte Haruni pas Musait? Do të kishte vetëm një ndryshim, dhe ky ndryshim është se pas meje nuk do të vijë asnjë profet.”
Aliu Zoti qoftë i kënaqur me të u bë njeriu i kërkuar për detyra speciale dhe praktike. Ai kishte shkruar kushtet e traktatit të famshëm të Hudejbijes. Atij iu dha detyra e informimit të Ebu Bekrit, i cili udhëhiqte pelegrinët drejt Mekës për haxh, për shpalljet e fundit dhe për vendimet e marra. Në disa raste ai ishte shkrues i shpalljeve hyjnore, teksa kur ishte e nevojshme, ai luftonte porsi luan trim në të gjitha fushat e betejës.
Ditën e Hudejbijes, kur ishte koha të shkruheshin kushtet e marrëveshjes, i Dërguari Fisnik thirri Aliun dhe i tha:
“Shkruaj, ‘Në emër të Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit’”.
I Dërguari Fisnik nuk e kishte mbaruar ende fjalinë kur, përfaqësuesi zyrtar i kurejshëve, Suhejl ibni Amri, ndërhyri në shenjë kundërshtimi. Ai kundërshtoi fjalët “i Gjithëmëshirshmi” dhe “Mëshirëploti”, duke pretenduar se nëse ata do të kishin besuar në këto fjalë, në mes të dy palëve nuk do të kishte pasur mosmarrëveshje. Ai këmbënguli për heqjen e këtyre fjalëve nga marrëveshja. Profeti Fisnik ishte njeri i paqes dhe nuk dëshironte t’i vinte gjërat në rrezik për shkak të makthit që Suhejli përjetonte prej këtyre dy fjalëve. Kështu, u ra dakord për heqjen e fjalëve të kërkuara. Edhe një herë tjetër ai i kërkoi Aliut të shkruante:
“Kjo është një marrëveshje e bërë mes Muhamedit, të Dërguarit të Allahut dhe Suhejl ibni Amrit”.
Suhejli ndërhyri sërish:
“Mos shkruaj ‘Muhamedi i Dërguari i Zotit!’. Pasi nëse do ta kishim pranuar profetësinë tënde, nuk do të të kishim luftuar.”
Ai po sugjeronte që emri i Profetit duhej të shkruhej thjesht, ‘Muhamedi, i biri i Abdullahut”. Profeti Fisnik u kthye kah Aliu dhe i tha: “Fshije!”
Ai po i kërkonte Aliut që të hiqte fjalët “i Dërguari i Zotit.” Çfarë ndryshimi do të sillte? Megjithatë, Aliu nuk mund ta bindte veten për ta bërë diç të këtillë. Ai i hodhi një vështrim Profetit me të cilën nënkuptonte, “A nuk u teprua pak si shumë?” Sytë e Profetit nga ana tjetër përcollën mesazhin se “për hir të paqes dhe të harmonisë, unë do të isha i gatshëm të hiqja edhe emrin tim”. Profeti Fisnik ishte i vendosur. Në marrëveshjen e Hudejbijes, e cila u bë mes shtetit të Medinës dhe fisit të kurejshëve në Mekë, në vitin 628 të erës sonë, dy palët ranë dakord për një armëpushim 10-vjeçar. Zhvillimet pas bisedimeve treguan se të gjitha përpjekjet e Profetit për një zgjidhje paqësore rezultuan të suksesshme, pasi Islami filloi të përhapej gjerësisht dhe me shpejtësi pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Por si mund të bëhej? Ai po i kërkonte Aliut të hiqte nga marrëveshja fjalët “i Dërguari i Zotit”. Aliu mendoi rreth kësaj për një çast dhe tha:
“Nuk mund t’i fshij, o i Dërguari i Zotit!”
Si mund t’i hiqte ai këto fjalë? Këto ishin fjalët të cilat ata kishin tentuar t’i përcillnin tek të tjerët sa herë që u jepej mundësia.
Duke parë ndjeshmërinë e thellë të Aliut në këtë çështje, Profeti Fisnik mori vetë përsipër të ndryshonte fjalët nga “I Dërguari i Zotit” në “Muhamedi, i biri i Abdullahut”.
Që prej moshës pesëvjeçare, Aliu nuk i ishte ndarë kurrë Profetit, me përjashtim të disa rasteve të veçanta, kur vetë i Dërguari Fisnik i kishte dhënë detyra të caktuara. Ai e zotëronte Kuranin në një shkallë të tillë, saqë për gjashtë muaj i organizoi ajetet në rendin që ishin shpallur. Për të kuptuar më mirë shkallën në të cilën Aliu e zotëronte Kuranin, duhet t’i hedhin një sy asaj çka thotë i Dërguari në lidhje me Aliun:
“Nëse unë jam qyteti i diturisë, Aliu është porta e këtij qyteti. Cilido që ka nevojë të marrë dije, duhet të hyjë nëpërmjet kësaj dere.”
Gjatë kohës së Profetit paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi Të Aliu gjithmonë mbante një fletë në millin e shpatës së tij, në të cilën shkruante hadithe. Letra përmbante informacion dhe vendime në lidhje me çështje të tilla si shuma e kompensimit që duhet të paguhet në rastet e vdekjes apo plagosjes; strategjitë që duhej të përdoreshin për të shpëtuar të burgosurit myslimanë nga duart e armikut; normën ku thuhej se një mysliman nuk mund të vritej për të shpëtuar jetën e një jobesimtari; dhe informacione rreth kufijve të shtetit të Medinës si dhe zonën e shenjtëruar të Haramit.31
Ai ishte kaq i ndjeshëm kur vinte puna tek transmetimet e haditheve, sa personin që pretendonte se po transmetonte një hadith e detyronte të betohej se e kishte dëgjuar personalisht nga i Dërguari Fisnik.
Një njeri, i cili kishte arritur thellësinë e besimit duhej ta përmbante dashurinë për botën, ose bota do ta braktiste atë. Aliu kishte arritur në thellësitë më të mëdha të besimit, dhe vazhdimisht ishte sprovuar me brengosjet dhe tragjeditë më të zorshme në jetë. Nëna e tij e dashur po ashtu kishte ndërruar jetë, dhe përveç Profetit Fisnik, nuk kishte njeri tjetër që ta mbështeste.
Kur ndërroi jetë e ëma e Aliut, Fatimja, Profeti Fisnik dërgoi mantelin e tij që të përdorej si qefin, dhe gjatë varrimit, Ai e vendosi trupin e saj në varr me duart e Veta. Profeti Fisnik e dinte mirë se çdo të thotë të humbësh nënën. Kur u pyet se pse tregoi kaq shumë interes për përcjelljen e saj në banesën e fundit, Ai u përgjigj:
“Pas vdekjes së nënës time, Fatimja ishte si nënë për mua. Unë nuk do ta harroj kurrë dhembshurinë dhe ndjeshmërinë që ajo ka treguar ndaj meje.”
Profeti kishte treguar rëndësinë e besnikërisë me një shprehje që reflektonte admirim për Fatimen.
Profeti do ta vizitonte vajzën dhe dhëndrin herë pas here për t’u interesuar për gjendjen e tyre gjatë çdo johe. Një ditë, gjatë vizitës shikoi që Aliu nuk ishte në shtëpi. E pyeti Fatimen për vendndodhjen e bashkëshortit të saj. Siç ndodh me të gjitha familjet, ata kishin pasur një keqkuptim të vogël mes tyre dhe Aliu kishte lënë shtëpinë duke vendosur që kishte nevojë për kohë që ta zgjidhte këtë çështje. Profeti Fisnik nuk mund të duronte ta shikonte dhëndrin e tij në gjendje të trishtuar. Ai e kishte rritur Aliun në shtëpinë e tij. Problemi duhej të zgjidhej sa më parë të ishte e mundur, sepse martesat e mëdha në të cilat flladi i dashurisë dhe qetësisë fryn në të gjithë shtëpinë, nuk duhej të viheshin në rrezik me çështje të tilla të parëndësishme. Ai u ngrit dhe shkoi të kërkonte për Aliun. Ku mund të kishte shkuar një hero i besimit, netët e të cilit ishin gjithaq të ndritshme sa edhe ditët? Sikundër parashikoi edhe Profeti, Aliu kishte shkuar në xhami. E kishte zënë gjumi nga lodhja e madhe. Profeti Fisnik iu afrua dhe e preku me majën e këmbës së tij të bekuar. Pastaj, duke e vështruar me dhembshuri, butësisht i tha: “Zgjohu, o Ebu Turab!”
Kjo ishte një shaka e hijshme, pasi Ebu Turab do të thotë “baba i tokës”. Aliu kishte fjetur me kokë në tokë dhe në fytyrë i kishin mbetur disa shenja. Teksa u ngrit, fytyra e tij u pa se ishte bërë me pluhur. Komplimenti i të Dërguarit Fisnik i fali Aliut një tis kënaqësie. Atij i pëlqeu jashtëmase titulli “baba i tokës”.
Shënimet
- 27.Muslim, 4/1870 (2404).
- 28.Muslim, 3/1409; Sallabi, Ali ibn Ebi Talib, 116.
- 29.Hakim, Mustedrek, 3/137 (4637). 31 Buhari, 6/2662 (6870).
- 30.Hakim, Mustedrek, 3/116 (4573).