MISIONI I ALIUT GJATË MIGRIMIT TË PROFETIT
Vdekja e Ebu Talibit dhe e Hatixhes rriti vetëbesimin e kurejshëve, të cilët përpiqeshin vazhdimisht të thurnin plane djallëzore. Ata kishin dëgjuar për thashethemet e migrimit masiv dhe druheshin, se një ditë edhe i Dërguari i Zotit do ta linte Mekën. Duhej që të përgatisnin një plan para se të ishte tepër vonë. Më në fund, paria e Mekës u mblodh në Daru Nedua, komisioni ku u morën vendime mjaft të rëndësishme. Anëtarët e komisionit propozuan zgjidhje të ndryshme për këtë çështje, por një burrë që nuk ishte parë kurrë më parë, Shejtani, dora vetë, vazhdonte të refuzonte duke pohuar se asnjë prej propozimeve nuk do ta zgjidhte problemin. Ai argumentoi se zgjidhja duhej të ishte asisoj që ta shkulte problemin nga rrënjët.
Më në fund, ishte propozimi i Ebu Xhehlit që mori miratimin e të gjithë komitetit. Ai sugjeroi: “Duhet ta vrasim. Për të shmangur gjakderdhjen mes fiseve tona, të zgjedhim nga një të ri prej çdo fisi e ata ta sulmojnë Muhamedin njëkohësisht. Në këtë mënyrë ne mund të bëjmë që hashimët të mos kërkojnë hakmarrje”. Këtë propozim e pranoi edhe Shejtani, i mishëruar në trajtën e një burri të moshuar e disi të çuditshëm. Ata ishin në një mendje me verdiktin e tyre për të vrarë të Dërguarin, të Cilit po ata vetë i kishin dhënë titullin “i Besuari”. Profeti do të vritej nëpërmjet një pusie, e cila do të ngrihej dhe kryhej gjatë natës.
Ata nuk e dinin se asnjë skenar i ndërtuar në tokë nuk kryhej dot pa miratimin e qiejve, dhe kjo ishte ekzaktësisht ajo që ndodhi.
Leja qiellore kishte ardhur dhe Profeti Fisnik i shoqëruar nga Ebu Bekri, synonin të migronin për në Medinë. Mirëpo, para se të niseshin, kishte disa probleme të rëndësishme që kërkonin vëmendje të menjëhershme. Profeti Muhamed paqja qoftë mbi Të thirri Aliun e guximshëm dhe i shpjegoi gjithçka duhej të bënte pasi ata të ishin larguar nga Meka. Aliu duhej të përmbushte detyrën dhe më pas të takohej me ta në Medinë.
Çështja kryesore dhe më e rëndësishme ishte që të siguroheshin që kurejshët nuk do të merrnin asnjë informacion në lidhje me migrimin. Kurejshët duhej të futeshin në qorrsokak, të besonin se Profeti ishte ende aty. Aliu veshi rrobat e Profetit dhe u shtri në shtratin e Tij. Nëse dikush duhet të sakrifikohet për këtë mision të shenjtë, ai person duhet të ishte ai, mendoi me vete Aliu, i cili iu nënshtrua dëshirës së Zotit sikur Ismaili që u vendos nën thikën e Ibrahimit. Ai nuk ndjente frikë, veçanërisht pasi Mbreti i zemrave i kishte thënë: “Mbështillu me mantelin tim të gjelbër dhe rri aty. Dashtë Zoti, ti nuk do të pësosh kurrfarë të keqeje“.
Në atë kohë, Aliu ishte 23 vjeç. Kurejshët kishin vendosur ta ekzekutonin planin e tyre atë natë, andaj me të rënë ajo, ata rrethuan shtëpinë e Profetit tonë të dashur s.a.s.. Grupi i vrasësve të rinj mësynë shtëpinë me shpejtësi dhe u vërsulën brenda. Mirëpo, plani i tyre dështoi. Në këtë kohë, Profeti Fisnik kishte mbërritur në malin Theur, në juglindje të Mekës. Ishte radha e tyre të kapeshin nga paniku, teksa të shokuar pyetën: “Ku është mësuesi yt?”
Ata kurrë nuk do të nxirrnin dot gjë nga Aliu. I vënë nën trysni të madhe, ai tha vetëm kaq: “Ju dëshiruat ta dëbonit nga Meka, kështu që edhe ai iku!”
Aliu kishte edhe një çështje tjetër për të zgjidhur, kthimin e gjërave me vlerë te pronarët e vërtetë, që mekasit ia kishin besuar Muhamedit të besueshëm për ruajtje. Ç’besim ishte ky që i kishte shtrënguar ata t’ia jepnin gjërat më të vlefshme për t’i ruajtur një personi, të cilin ata bënë çdo lloj plani për ta vrarë? Ai ishte një kujdestar i pashoq, i Cili do të mbronte gjërat e çmuara të atyre që dëshironin ta vrisnin edhe nëse kjo kërkonte rrezikimin e jetës së Aliut të tij të dashur.
Për tri ditët në vazhdim, Aliu shpërndau gjërat e çmuara që i ishin dhënë Profetit Fisnik për t’i ruajtur. Kur e përmbushi me sukses misionin e tij, Aliu mund të migronte po ashtu. Në udhëtim Aliut iu bashkuan e ëma, pak shokë, dhe bashkëshortja e tij e ardhshme,
Fatimja, vajza e Profetit Fisnik, paqja dhe bekimi qofshin mbi Të.
Edhe pse u larguan nga Meka pak ditë pas Profetit, ata kishin planifikuar ta takonin Atë në Kuba, në një rrethinë aty pranë Medinës. Profeti Fisnik dhe Ebu Bekri për disa ditë qëndruan në një shpellë në Malin Theur, në mënyrë që të siguroheshin se nuk do të kishte rrezik për pjesën tjetër të udhëtimit. Aliu gjatë të gjithë rrugës kishte nxituar me qëllim që të mund ta arrinte Profetin sipas planifikimit. Ai kishte ecur me tërë energjinë e tij, aq sa këmbët i ishin ënjtur dhe gjithandej i kishin dalë flluska. Në momentin që arritën në Kuba, Aliu nuk ishte në gjendje të ecte më. Profeti Fisnik pyeti:
“Ku është Aliu, thojini të vijë menjëherë këtu.”
“O i dërguari i Zotit, - i thanë ata, - ai nuk është në gjendje të ecë!”
Profeti zemërdhembshur shkoi nxitimthi tek Aliu për të parë gjendjen e këmbëve të tij. Nuk i mbajti dot lotët. Aliu kishte dhimbje, pasi tërë trupi i ishte mbuluar me flluska. Profeti vendosi pështymën e tij të bekuar mbi plagët e Aliut, ndërsa të gjithë ata që ishin të pranishëm u bënë dëshmitarë të një mrekullie. Flluskat në këmbët e Aliut u shëruan menjëherë, asisoj që ai nuk pati më kurrfarë problemi me këmbët.
Shënimet
- 16.Benu Hashim, ose fëmijët e Hashimit, është dega e Kurejshëve të cilës i përkiste Profeti.
- 17.Ibn Hisham, Siretu’n Nebeuije, 3/5.
- 18.Taberi, Tarihu’l Umem ue’l Muluk, 1/568.