SIFINI: FUSHËBETEJA E AMULLISË
Edhe pse rezultoi në dëshpërim, konfuzioni në Xhemel u zgjidh. Fatkeqësisht, trazirat në Damask ishin përshkallëzuar duke arritur nivele të rrezikshme. Aliu, i cili ishte ngulfatur me pikëllim në Basra, tanimë nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të marshonte drejtë Kufes.
Kur Aliu mbërriti në Kufe, ata i propozuan të vendosej në saraj. Aliu jo vetëm që e refuzoi propozimin e tyre pa hezitimin më të vogël, por ky lloj tundimi për këtë botë krijoi shqetësim në shpirtin e tij, bash sikur kishte bërë edhe në shpirtin e Omer ibni Hatabit r.a..
Aliu ishte njeri i ditëve të vështira. Pikë së pari ai kërkoi informacion lidhur me opinionin publik. Në mënyrë që t’ia arrinte sa më mirë këtij qëllimi, ai eci vazhdimisht në rrugët e Kufes, duke ndihmuar ata që kishin nevojë për ndihmë, e duke transportuar çantat e njerëzve apo duke udhëzuar ata që kishin humbur udhën. Ai gjeti ngushëllim të madh në zërat e dashur të atyre që e njohën. “O udhëheqës i besimtarëve!”, - do të thoshin ata, por para se të përfundonin fjalinë e tyre, Aliu recitonte ajete nga Kurani dhe i ndihmonte në sigurimin e nevojave të tyre. Ngandonjëherë ai do të blinte materiale për shtëpinë e tij, dhe teksa i transportonte përgjatë tregut, njerëzit i qaseshin për t’i ofruar ndihmë, porse kalifi i të refuzonte duke thënë se “babai i shtëpisë duhet ta sigurojë dhe ta transportojë atë që i takon!”.
Një ditë, ai kishte blerë një veshje zonjash për tre dinarë. Kur la vendin e tregtimit, kalifi ngjasonte me një varfanjak të Kufes teksa lëvizte rrugëve hipur mbi gomar. Disa prej njerëzve të tij iu afruan me një propozim, duke i thënë se mund të bindnin disa prej njerëzve të Muavijes që t’u bashkoheshin atyre duke i joshur me materiale të kësaj bote. Mirëpo Aliu refuzoi prerazi:
“Doni që unë të kërkoj ndihmë nga Zoti nëpërmjet mashtrimit?”
Ai po u mësonte ndjekësve të tij se “parimet e së vërtetës nuk mund të arrihen nëpërmjet mashtrimit”, dhe kërkonte ta zgjidhte këtë problem duke përdorur ndërmjetësues të respektuar nga Muavija.
Aliu ishte shumë i shqetësuar dhe ndihej në ankth atëbotë. Ndëshkimin e atyre që vranë Osmanin ia kishte lënë Allahut dhe gjithçka mund të bënte ishte që t’i mallkonte për shkaktimin e një përçarjeje të tillë në mesin e besimtarëve.
Kjo ishte një periudhë në të cilën të gjithë myslimanët e sinqertë dëshironin të hakmerreshin për vrasjen e Osmanit. Sikundër theksoi edhe Ibn Abasi:
“Nëse populli nuk do ta dëshironte këtë, mbi ne do të kishte rënë nga qielli breshër me gurë”.
Vrasja e kalifit Osman ishte shkaku kryesor që çoi në lindjen e mosmarrëveshjeve aktuale. Kishte vetëm një dallim të rëndësishëm, dhe ky dallim ishte metoda me të cilën kërkohej të zgjidhej ky problem. Ata që kishin peshën e të gjithë komunitetit mysliman mbi shpatulla, të tillë si Aliu, po përpiqeshin në mënyrën më të mundshme për të vendosur drejtësi absolute duke synuar të gjenin vrasësit e vërtetë të Osmanit dhe t’u jepnin atyre dënimin e merituar. Në anën tjetër, ishin ata që nuk arrinin ta shikonin tablonë e ngjarjeve në tërësi, kështu që kërkonin të arrinin drejtësi të atypëratyshme nëpërmjet metodave të tyre të tilla si vetëgjyqësia, vetë juri dhe vetë ekzekutues. Drejtësia që ata kërkonin ishte kryekreje relative.
Po ashtu, kishte nga ata që kurrë nuk kishin pasur barrë mbi supe. Ata ishin myslimanët e rinj. Aliu ishte një njeri që jetoi me devotshmëri dhe duke iu shmangur kënaqësive të kësaj bote në pikun e tyre, edhe pse jetoi i rrethuar nga njerëz që jetonin në luks dhe madhështi të tepruar. Këta njerëz besonin se kishin marrë fund ditët e ndjeshmërisë së skajshme kundrejt zuhdit – tërheqjes së vetes nga thirrjet e bukurive të kësaj bote, dhe shumica e tyre ishin mbledhur përreth Muavijas. Mjerisht, guvernatori i Damaskut ishte ndikuar goxha shumë nga këta persona dhe besonte se duhej të vepronte në përputhje me kushtet e kësaj periudhe.
Pavarësisht zhvillimeve të reja, Aliu nuk e harroi kurrë faktin se ishte trashëgimtar i vlerave profetike, dhe nuk ishte i gatshëm të ndryshonte vlerat që kishte mësuar përgjatë jetës së tij. Çështjet që lidheshin me fenë ishin praktikuar në mënyrë të përkryer në krye të herës, ndërsa tani ata dëshironin t’i interpretonin ato në mënyrën që u vinte më për shtat atyre. Aliu nuk do të lejonte që çështjet fetare të binin viktimë e çështjeve të tilla kaq të thjeshta. Teksa kalifi u bë dëshmitar i ndryshimeve të tilla në mesin e popullit, ai iu shmang edhe më shumë kënaqësive të kësaj bote, duke u thelluar edhe më shumë në devotshmërinë e vet.
Siç ishte skajshmërisht i ndjeshëm me jetën e tij private, Aliu ishte gjithashtu jashtëzakonisht i përgjegjshëm drejt arritjes së harmonisë sociale. Kalifi ishte i gatshëm të bënte gjithçka kishte në dorë në emër të paqes. Kësaj radhe, ai dërgoi Xherir ibni Abdullahun tek Muavija me një letër nga Aliu.
Pikë sa pari, Muavija e mori në pyetje Xheririn nëpërmjet një prej njerëzve të tij në Damask, e më pas ata lexuan tërë kureshtje letrën e Aliut. Në letër, Kalifi përmblidhte çfarë kishte ndodhur kohët e fundit dhe parashikonte atë që pritej të ndodhte. Fatkeqësisht, as kjo letër nuk i bindi ata.
Më në fund, qëllimet e vërteta të Damaskut dolën në sipërfaqe, ata ia kishin ngulur sytë kalifatit ndërsa hakmarrja për vrasjen e Osmanit ishte vetëm një justifikim. Gjuhët e tyre flisnin për drejtësinë dhe të vërtetën, por nuk ishin të ndërgjegjshëm për faktin se po rrëshqisnin drejt padrejtësisë.
Përkundër kësaj, Aliu nuk do të lejonte askënd të fliste pas shpinës së atyre që tashmë ishin armiqtë e tij. Dy burra të quajtur Huxhr ibni Adij dhe Omer ibni Humku kishin folur për Muavijen dhe popullin e Damaskut që po i shkaktonte probleme Kalifit. Me të dëgjuar këtë, Aliu u dërgoi një mesazh të ashpër, duke i këshilluar që menjëherë të ndalonin së foluri pas shpinës së njerëzve.
Ç’lloj sjelljeje ishte kjo? Populli i Damaskut po i sfidonte hapur ata, ndërsa ata madje nuk ishin të lejuar as të flisnin pas shpinës së këtyre njerëzve. Të dy këta burra nxituan për tek Aliu dhe e pyetën:
“O udhëheqës i besimtarëve! A nuk përfaqësojmë ne të vërtetën dhe ata të pavërtetën?”
Ishte në natyrën e Aliut që gjithmonë të thoshte të vërtetën, kështu që, pa humbur kohë, u përgjigj:
“Betohem për Zotin e Qabes që ju keni të drejtë”.
Kjo ishte përgjigjja të cilën ata po prisnin, dhe aty për aty iu gjegjën:
“Atëherë pse na ndalon të flasim pas shpinës së tyre?”
Pa dyshim që këndvështrimi i Aliut ishte i ndryshëm, kështu që ai u përgjigj me këto fjalë monument, nga të cilat duhet të nxjerrim të gjithë mësim:
“Unë nuk dua që ju të jeni nga ata që shajnë njerëzit pas shpine. Ajo çka ju me të vërtetë duhet të thoni është: ‘O Zot! Mbroji ata dhe ne nga gjakderdhja, jepi fund këtij konflikti që ekziston mes nesh. Mbroji ata nga gjendja e tmerrshme në të cilën ndodhen dhe ndihmoji të largohen nga injoranca. Mbroji ata nga ekstremizmi dhe mundësoju të shikojnë të vërtetën’!”
Në përpjekje për të zgjidhur problemin, Aliu i dërgoi një mesazh personal Amr ibni Asit, i cili gjithashtu kishte marrë krahun e Muavijes. Amri ishte një person i rëndësishëm për Muavijen, kështu që Aliu besonte se Muavija e respektonte atë kaq shumë se mund të dëgjonte gjithfarë t’i thoshte ai. Por, sikundër të tjerat, edhe kjo përpjekje për paqe dështoi.
Të gjitha përpjekjet kishin dështuar, kishte mbetur vetëm një mundësi e fundit: Lufta. Kjo nuk ishte një çështje që mund të merrej lehtë, pasi vëllezërit ishin në prag të betejës me njëri-tjetrin. Në situata të tilla, këndvështrimet personale nuk ishin të rëndësishme, e vetmja gjë e rëndësishme ishte vullneti i Zotit.
Atë natë, kalifi mblodhi ushtarët e tij dhe u tha:
“Jini të kujdesshëm! Nesër do të përballeni me ushtrinë në fushëbetejë. Kaloni pjesën më të madhe të natës duke u falur dhe duke lexuar Kuran. Lutuni për mëshirë, falje dhe durim nga Zoti!”
Ky ishte Aliu! Jo vetëm që qëndrimi i tij gjatë kohës së luftës nuk ndryshonte nga qëndrimi i tij gjatë kohës që vendi ishte në paqe, por ai i këshillonte edhe ushtarët e tij që të silleshin në të njëjtën mënyrë.
Më në fund, Aliu dëgjoi lajmin se guvernatori i Damaskut, Muavija, kishte lënë Damaskun i shoqëruar nga ushtria e tij. Tashmë nuk kishte më kthim prapa...
Ushtria nga Damasku kishte mbërritur në Sifin dhe mori kontrollin e rrugëve që të çonin në lumin Eufrat. Ata kishin planifikuar të privonin ushtrinë e Aliut nga uji. Asgjë nuk mund të ishte më zemërthyese se kjo, as rëra përvëluese e shkretëtirës, as rrezet djegëse të diellit, dhe as egërsia e betejës. Vëllezërit me të cilët ndanin kiblën, po i privonin ata nga uji, me qëllim që t’i dobësonin para betejës.
Buzët ishin plasaritur nga etja e madhe, e madje as imami i madh nuk mund të bënte asgjësendi për këtë. Ky ishte problemi që duhej të zgjidhej pikë së pari, kështu që ata sulmuan bllokuesit e rrugëve për në lumë. Fushata rezultoi e suksesshme dhe problemi i ujit gjeti më në fund zgjidhje.
Pas tërheqjes, Amri dhe Muavija biseduan si më poshtë, bisedë e cila tregon përmbledhtazi karakterin e Aliut që fitoi edhe vlerësimin e armiqve të tij:
“Ç’po thua, o Muavija? Çfarë do të ndodhte nëse Aliu do të vepronte në të njëjtën mënyrë si ti, duke i privuar njerëzit e tu nga uji i freskët?”
“Hajde Amr! Ke menduar ndonjëherë qoftë edhe për një moment të vetëm se Aliu mund ta bënte diçka të tillë?”
“Pa dyshim që nuk mendoj se Aliu do ta bënte ndonjëherë atë që ti i ke bërë atij, ngase ai ka ardhur këtu për arsye të tjera, e jo për ujë.”
Më në fund dy ushtritë u vunë ballë për ballë. Aliu ende kishte shpresë për paqe, prandaj dërgoi katër lajmëtarë tek Muavija, të cilët mbajtën negociata të gjata, por dështuan në arritjen e një rezultati pozitiv.
Aliu kishte përdorur çdo mjet në dispozicion për të vendosur paqen, por për fatin e tij të keq, asnjë nuk funksionoi. Kështu që në mënyrë përfundimtare ai urdhëroi njerëzit e tij të përgatiten për betejë para lindjes së diellit. Disa prej të tijve propozuan që të sulmojnë në mesnatë në mënyrë që ta zinin në befasi armikun. Aliu refuzoi ashpër, me shpresën se ende kishte një shans për paqe. Ai mblodhi njerëzit e tij dhe mbajti këtë fjalim:
“Mos luftoni derisa ata t’ju sulmojnë të parët. I lavdëruar qoftë Allahu, ju jeni në rrugën e drejtë. Duke shmangur nisjen e betejës, ju do ta dëshmoni edhe një herë tjetër këtë. Kur të arrini fitoren, mos i cytni ata që zgjedhin të largohen nga fushëbeteja. Tregoni mëshirë për të plagosurit, respektoni ata që vdesin në fushën e betejës dhe përmbahuni nga ngacmimet. Kur të merrni kontrollin e qyteteve, mos hyni në shtëpitë e tyre pa leje. Mos vini dorë mbi pronat e tyre, mos i bezdisni gratë e tyre edhe nëse ata fyejnë liderët tuaj dhe njerëzit e drejtë. Kujtojeni Zotin në mënyrë që të gjeni shpëtim!”
Mëngjesi kishte mbërritur dhe përkundër përpjekjeve të Aliut për paqe, beteja kishte filluar e vazhdoi deri në perëndim të asaj dite. Atë mbrëmje, kalifi dërgoi një tjetër mesazh tek Muavija, ku shkruante:
“O Muavije! Pse po i lejojmë njerëzit të vdesin në emrin tonë? Le ta zgjidhim këtë problem vetëm për vetëm. Kushdo që të mbetet në këmbë, le të marrë udhëheqjen e vendit!”
Ç’propozim i ndjeshëm ishte ky! Përmasa e besnikërisë dhe vetësakrifikimit që propozonte Aliu ishte e pamatshme.
Me të marrë këtë mesazh, Muavija u këshillua njëherë me Amrin, i cili e këshilloi:
“Ai është njeri i ndjeshëm dhe i mëshirshëm. Pranoje sfidën e tij.”
Megjithatë, Muavija e dinte se ata që ndodheshin në fushën e betejës do të ishin të pakënaqur me propozimin e Aliut. Me ta kuptuar këtë, Amri doli me një tjetër propozim:
“Më lejoni që ta sfidoj unë Aliun në emrin tuaj!”
Muavija nuk u përgjigj, heshtja nënkuptonte se ai e miratonte këtë.
Mëngjesin tjetër Amër ibni Asit i lëshoi një zë Aliut duke e informuar se e kishte pranuar sfidën e tij. Ata filluan dyluftimin teksa secili priste me padurim përfundimin.
Dyluftimi i tyre ishte vendimtar, pasi do të vendoste se kush do të ishte fitimtari i kësaj beteje. Për habi, pritja nuk zgjati shumë pasi Aliu e goditi Amrin, dhe ky i fundit u rrëzua nga kali. Amri shtrihej përdhe, ndërsa sytë e tij luteshin për mëshirë. Megjithëse Aliu kishte të drejtë t’i jepte fund, ai u përmbajt teksa u largua nga dyluftimi pa ia dhënë goditjen përfundimtare. Mbase atij iu kujtua ngjarja në të cilën ishte përfshirë dikur vëllai i tij i dashur, Usamja. Ai kishte vrarë një burrë, i cili në çastet e fundit kishte deklaruar pranimin e tij të Islamit, mirëpo Usamja kishte menduar se ai ishte kthyer në fenë islame pa besuar mirëfilli, por thjesht nga frika e vdekjes. Me ta dëgjuar këtë, Profeti Fisnik e thirri dhe e pyeti me pakënaqësi Usamen:
“A ia hape zemrën për të shikuar nëse ishte i sinqertë apo jo?”
Një luftëtar i vërtetë është një person i cili e përdor më së miri vullnetin e tij për të kontrolluar veten në situata, kur ai ndodhet përmbi kundërshtarin. Kalifi e kishte dëgjuar këtë nga vetë i Dërguari Fisnik:
“Një luftëtar i vërtetë nuk është ai që vë me shpatulla në tokë kundërshtarin e tij, por ai i cili kontrollon zemërimin e tij në kulmin e nervozizmit.”
Edhe një herë tjetër më parë, Aliu ishte larguar nga fusha e betejës kur kishte pasur të gjithë mundësitë për t’i dhënë fund kundërshtarit. Asokohe, kundërshtari e kishte pështyrë në fytyrë, por Aliu qe larguar në çastin përfundimtar, pasi kishte shkuar në fushën e betejës për kënaqësi të Zotit, e jo për të kënaqur egon e tij.
INCIDENTI I NDËRMJETËSIMIT
Shënimet
- 81.Ibn Ebi Shejbe, Musannaf, 6/360 (32034).
- 82.Taberi, Tariku’l Umem ue’l Muluk, 3/84.
- 83.Zejlai, Nasbu’r Raya, 3/463.
- 84.Hanbel, Musnad, 5/207 (21850).
- 85.Hannad, Zuhd, 2/608 (1302).