Aliu0%

PËRFUNDIM

Profeti Fisnik paqja dhe bekimi qofshin mbi Të na informon se një besimtar nuk duhet të pickohet dy herë në të njëjtin vend. Natyrisht që këtu është mjaft e rëndësishme edhe përvoja. Nëse e ndajmë nocionin e përvojës në dy pjesë, e para do të ishte përvoja individuale, ndërsa pjesa e dytë do të ishte përvoja sociale. Ajo çka mund të mësojmë nga kjo është se si individ ne mund të mbrohemi nga rënia në gabime të ngjashme ndërsa si shoqëri, duhet të përfitojmë nga këta shembuj historikë në mënyrë që të arrijmë paqen e vërtetë. Arritja e paqes varet nga aftësia jonë për të analizuar historinë dhe për të zhvendosur rëndësinë e saj në botën aktuale.

Megjithatë, ne kurrë nuk duhet të harrojmë që dukuritë historike t’i vlerësojmë brenda kontekstit të tyre dhe të mbajmë mend arsyet që bënë që incidente të tilla të përfundonin në këtë mënyrë. Një tjetër realitet është se pa marrë parasysh se sa gjerësisht janë analizuar ngjarje të caktuara historike, është e pamundur që t’i dimë të gjitha detajet minutë pas minute. Ata që vijnë pas mund të gjykojnë vetëm duke u bazuar mbi dokumentet që posedojnë. Mirëpo, është e pamundur që të arrijmë tek të gjithë informacionet në lidhje me një ngjarje që ka ndodhur shumë vite më parë. Ulja në tryezë dhe gjykimi i ngjarjeve që kanë ndodhur në fushëbeteja do të ishte tirania më e madhe nga të gjitha.

Për këtë arsye, do të ishte e përshtatshme që për situata për të cilat kemi mungesë informacioni, t’ia linim gjykimin Allahut. Ngjarjet duhet të vlerësohen nga kjo perspektivë, ndërsa kur hedhim një shikim mbi jetën e Aliut Zoti qoftë i kënaqur prej tij ne kuptojmë rëndësinë e shumë mesazheve që ka lënë për ne. Ai jetoi një jetë në kulm, jeta e tij me ditët e mira dhe të këqija së bashku, ka shumë për të na ofruar. Ka shumë shembuj dhe përvoja, të cilat ne mund t’i mbartim edhe në jetën tonë sociale.

Po ashtu, ka një tjetër çështje të cilën jemi të detyruar ta shpjegojmë: duhet të kujtojmë që të dyja palët përbëheshin prej sahabëve të Profetit; si pasojë është tepër e rëndësishme që të përmbahemi nga zgjedhja e njërës palë përpara tjetrës. Në lidhje me shembullin e Aliut në Xhemel, Sifin, apo me incidentin e ndërmjetësimit, ne madje nuk duhet as të çojmë në mendje mendime të tilla si pse nuk morën anën e Aliut apo se ata po bënin gjënë e gabuar duke qëndruar me palën kundërshtare.

Arsyeja është se çështja nuk kufizohet vetëm tek individët, por ka lidhje me një periudhë që përfshin një shoqëri të tërë. Kjo ishte një periudhë në të cilën gëzuan rebelët. Kushtet ua kishin shtuar oreksin, dhe prisnin si gjuetarë që të merrnin kënaqësi nga peshkimi në ujëra të turbullta. Me çdo mundësi që u jepej, ata nxisnin ngjarje që të thyenin zemrat.

Sot, ne nuk duhet ta shohim çështjen nga perspektiva se kush ishte në rrugë të drejtë dhe kush në rrugë të gabuar; më tepër, ne duhet ta përdorim atë si një shembull për zgjidhjen e problemeve aktuale. Në të kundër, ne do të bëjmë gabim të madh duke supozuar rreth palës tjetër, të cilët gjithashtu ishin sahabë të cilët ishin ulur përkrah Profetit Fisnik, kishin mësuar direkt nga ai, dhe që kishin kryer obligimet fetare me kaq ndjeshmëri. Mbartja e pikëpyetjeve sado të vogla në lidhje me individë të tillë do të përbënte një deficit të madh për ne. Siç ka thënë edhe Omer ibni Abdulazizi:

“Sikundër Zoti na ka mbrojtur nga këto ditë, kur besimtarët i kishin duart e gjakosura apo kanë humbur kokat në konflikte të tilla të përgjakshme, ne duhet gjithashtu të mbajmë gjuhët dhe të mos flasim për ta, në mënyrë që jetët tona të përjetshme të mos vihen në rrezik.”

Aishja, Zubejri dhe Talha Zoti qoftë i kënaqur me ta ishin në mesin e sahabëve më të rëndësishëm. Atyre të gjithëve u ishte dhënë sihariqi i parajsës ndërkohë që ende jetonin. Muavija gjithashtu ishte shkruesi i përsosur i shpalljeve. I Dërguari Fisnik paqja dhe bekimi qofshin mbi të i pat thënë një herë: “Nëse bëhesh ndonjëherë udhëheqës, qeveris me dhembshuri.”

I dërguari fisnik ua kishte ndaluar rreptësisht njerëzve që të flisnin negativisht për shokët e tij. Ai ka shtuar se ata që e bënin këtë, nuk kishin vend në bashkësinë e tij. Në të tilla raste, duhet të mbajmë gojën nga lëndimi i njerëzve. Duhet t’i kujtojmë këta sahabë veçse me vlerësime dhe lutje.

E fundit fjalë do të ishte: Nuk ka dyshim se të dyja palët që përbëheshin nga sahabë qartësisht do të marrin vendin e tyre nën “Flamurin e Lavdërimit”, i cili do t’i përkasë Profetit në Ditën e Gjykimit, duke formuar një linjë pas Profetit të Zotit atë ditë. Kjo do të thotë se ne nuk duhet të rrezikojmë mundësinë tonë për të qenë me ta nën flamurin e Profetit në atë ditë duke folur kundër tyre. Përkundrazi, ne duhet të mësojmë nga përvoja e tyre për të ndërtuar një botë më të mirë për vete…