Aliu0%

BRENGA E DITËS SË LAMTUMIRËS

Do vijë një ditë që edhe Drita e Pashuar do të “shuhet”. Edhe Ai ishte gjithashtu një qenie njerëzore dhe si të gjithë të vdekshmit, do të nisej në lundrim drejt “Mikut të Lartësuar” pasi të kishte përmbushur misionn e Tij. Fatkeqësisht, ajo ditë kishte mbërritur. Maja më e lartë ishte pushtuar, dhe nuk kishte ndonjë nivel më të lartë në tokë për ta arritur. Kështu që, për Profetin Fisnik paqja dhe bekimi qofshin mbi Të kishte ardhur koha për të kaluar në botën e përtejme.

Aliu u shkri si një qiri pas perëndimit të Diellit të Pashuar. Humbja e një personi, i cili ka qenë subjekti më i vlefshëm në jetën e tij që nga dita e parë që ia kishte hedhur sytë, ishte një brengë e padurueshme që përfshiu horizontin e Aliut. Ai ishte i shokuar. Po të mos zotëronte një besim të fortë, ai do të kishte zgjedhur të shkonte bashkë me Të. Mirëpo, Aliun e prisnin shumë detyra të rëndësishme. Ishte i përgatitur në një mënyrë të pashoqe për ditët edhe më të vështira që kishte përpara.

Aty ishte gjithashtu dhe vullneti i mjeshtrit të mjeshtërve. Kur për Profetin kishte ardhur koha t’i hapte krahët për fluturim drejt botës së përjetshme, Aliu kishte për detyrë të merrej me angazhimet e varrimit.

Burimi i jetës, njeriu që i dha jetë universit tashmë nuk merrte frymë më sipas ligjeve të kësaj bote. Një zemër që i dha jetë shumë zemrave të tjera nuk rrihte më. Ai kishte dhënë nga trupi i tij për të ringjallur zemrat e pajeta të të tjerëve. Teksa sytë e tij fisnikë u kthyen drejt përjetësisë, edhe trupi i tij i pajetë rrezatonte një mesazh të qartë tek ata që e kuptonin. Drita që lindi në Mekë nuk duhej të kufizohej vetëm në Gadishullin Arabik. Ajo duhej të përhapej anekënd botës.

Larja e trupit të Profetit Fisnik do të ketë qenë shumë e dhimbshme për Aliun. Dukej sikur po e lante me lotët e tij, të cilët rridhnin rrëke. Detyra e mbështjelljes së trupit të tij me qefin dhe vendosja në varr i ishte dhënë po Aliut. Për një moment, gruaja e Aliut, Fatimja, e bija e Profetit tonë të dashur, kishte humbur kontrollin dhe filloi t’u bërtiste atyre që po varrosnin trupin e të Dërguarit:

“Si mund të hidhni dhè mbi të Dërguarin e Zotit!”

Përsëri, ishte Aliu ai që e ngushëlloi atë. Në ditët në vijim, ata të dy do t’ia ngulnin sytë njëri-tjetrit për të shpërthyer në lot tek kujtonin ditët që kishin kaluar me Profetin Muhamed paqja dhe mëshira e

Zotit qofshin mbi Të. Çdo gjë u kujtonte Atë...

Ata e kishin gjetur veten nëpërmjet mësimeve të të Dërguarit Fisnik dhe i kishin ushqyer shpirtrat me njohuritë e Islamit për t’u bërë mishërime të gjalla të Kuranit. Ata kishin fituar aq sa ta vazhdonin vetë pjesën e mbetur të rrugës. I Dërguari i Zotit nuk ishte më me ta. Megjithatë, vlerat e jashtëzakonshme që ata kishin marrë nga Ai ishin të mjaftueshme për të ndriçuar jetët e tyre dhe për të zgjidhur problemet që mund të shfaqeshin në pjesën tjetër të jetës së tyre.