PENDIMI I MUAVIJES
Duhet të tërheqim vëmendjen se Muavija ishte gjithashtu një bashkëkohës i Profetit, paqja dhe bekimi qofshin mbi Të. Edhe pse ai nuk ishte korrekt në vendimin në lidhje me aktgjykimin në çështjen që ka të bëjë me Aliun, ne nuk mund të vazhdojmë pa vlerësuar një shpirt të tillë të rëndësishëm, kur parimet e Islamit tregojnë se të gjithë ata që bëjnë içtihad marrin shpërblim, madje edhe nëse vendimet që marrin rezultojnë të gabuara.
Muavija, jo shumë kohë pas vdekjes së Aliut, për gjithçka kishte ndodhur, shikoi përgjegjës veten e tij. Vetëgjykimi i tij për këtë çështje do të mbetet si shembull për të gjithë besimtarët deri në ditën e Gjykimit. A nuk është fakt që ne mund të ndalojmë ripërsëritjen e historisë vetëm duke nxjerrë mësime nga ajo? Pak pas vdekjes së Aliut, Muavija po qëndronte në postin e kalifit. Ndjehej thellësisht i pikëlluar për gjithçka kishte ndodhur. Megjithatë, në mënyrë që të vendosnin rend dhe qetësi, duhet të kishin autoritet. Çdokush që nuk donte më konflikte tanimë po vinte tek Muavija për t’iu zotuar për besnikëri. Mes tyre, kishte edhe nga ata që nuk iu bashkuan asnjërës anë gjatë konfliktit.
Një prej personave të rëndësishëm që ishte ngujuar në shtëpinë e tij gjatë konflikteve ishte edhe Sa’d ibni Ebi Uakasi. Ai ishte një komandant i njohur i vijave të frontit, buzët e të cilit vazhdimisht lëviznin tek recitonin lutje të shenjta. Ishte një prej sahabëve veteranë të ditëve të para. Sa’d ibni Ebi Uakasi shpjegoi se në jetën e tij kishte derdhur lot vetëm tri herë; në ditën që i Dërguari i Zotit ndërroi jetë; ditën që ishte martirizuar Osmani; dhe në ditën që ishte goditur drejtësia, duke iu referuar martirizimit të Aliut. Pastaj bërtiti: “Selam të drejtëve!”
Një ditë, Sa’d ibn Ebi Uakasi erdhi për të vizituar Muavijen. Muavija e pyeti se pse nuk kishte marrë pjesë në betejat që kishin filluar me incidentin e Xhemelit.
“O Ebu Isak! Ju nuk miratuat pikëpamjet tona, por nuk ishit as kundër nesh!”, - i tha Muavija. Dukej sikur kalifi ishte i zhgënjyer nga ai. Kështu, Sa’di u përgjigj:
“O udhëheqës i myslimanëve! Ato ishin ditë errësire. Ishte aq errësirë saqë unë nuk mund ta shihja fundin e rrugës. Kështu që i thashë vetes: ‘Ulu dhe mëshoji vendit’. Sigurova banesën dhe qëndrova në shtëpi derisa konfliktet morën fund.”
Muavija ishte jashtëzakonisht inteligjent dhe e përdorte mençurinë e tij diplomatike në mënyrë tejet efikase. Me mençuri iu përgjigj:
“Pasha Zotin, unë e kam lexuar Kuranin nga fillimi në fund, dhe asgjëkundi nuk kam ndeshur një ajet që thotë të rrish aty ku je”. Më pas vazhdoi: “Me sa di unë, Kurani konstaton se ‘Nëse dy grupe besimtarësh tentojnë të luftojnë ndërmjet vete, ju pajtojini ata, e në qoftë se ndonjëri prej tyre e sulmon tjetrin, atëherë luftoni atë grup që vërsulet pa të drejtë, derisa t’i bindet udhëzimit të Allahut, e nëse kthehet, atëherë me drejtësi bëni pajtimin ndërmjet tyre, mbani drejtësinë, se vërtetë Allahu i do të drejtët.” (Huxhurat, 49/9) Pasha Zotin! Ju nuk morët anën e kryengritësve për të luftuar ata që ishin në të drejtë. As nuk morët anën e atyre që ishin në të drejtë për të luftuar kryengritësit. Ju madje nuk zgjodhët as të ishit ai që do të vendoste paqe mes dy palëve, sikundër porositi Zoti.”
Edhe pse Muavija ishte kalifi atë ditë, Sa’di nuk do të duronte pa e thënë të vërtetën:
“Ti po më ftoje të luftoja një burrë, të cilit Profeti Fisnik i është drejtuar ‘Ti je për mua sikur ishte Haruni për Musain. Mirëpo, pas meje s’do të ketë profet tjetër’. Më që po këmbëngul kaq shumë, atëherë më lejo t’ju tregoj se e kam dëgjuar Profetin Fisnik tek i thoshte Aliut:
‘Kurdo qofsh, ti je me të drejtën, dhe e drejta është me ty!’” Me të dëgjuar këto, Muavija pyeti:
“A e ka dëgjuar njeri tjetër këtë? Duhet të sigurosh prova.”
“Po” - u përgjigj Sa’di duke shtuar: “Filan e filan persona e kanë dëgjuar këtë, po ashtu atje ishte edhe Umu Seleme.”
Muavija ishte befasuar teksa përsëriste fjalët e Sa’dit:
“Filan filan persona dhe Umu Seleme?”
Nëna jonë, Umu Seleme ishte ende në jetë, kështu që ata erdhën për verifikim.
“O nënë e besimtarëve. Këto ditë, njerëzit po i atribuojnë fjalë të Dërguarit të Zotit, edhe pse ai asnjëherë nuk ka thënë të tilla gjëra. Sa’di pretendon se e ka dëgjuar Profetin fisnik tek i thoshte Aliut: ‘Kurdoherë, ti je me të drejtën dhe e drejta është me ty’. Ti ç’thua rreth kësaj?”, - pyeti Muavija.
Umu Seleme mendoi për pak çaste, mori frymë thellë dhe u përgjigj:
“Ishin në këtë shtëpi kur i Dërguari i Zotit ia tha këto fjalë Aliut.”
Situata ishte serioze dhe Muavija ishte zverdhur në fytyrë. Keqardhjen e thellë mund ta vëreje edhe në shprehjet e tij, teksa tha:
“O Ebu Isak! Që tani e tutje, unë kurrë nuk do të kritikoj njeri, dhe do të hesht në lidhje me Aliun. Betohem në Zot se sikur t’i kisha dëgjuar këto fjalë nga i Dërguari Fisnik, kurrë nuk do ta kisha luftuar Aliun. Do të isha bërë shërbëtor i tij për të gjithë jetën!”
Edhe pse nuk mund ta zhbënte atë që kishte bërë, pendimi dhe keqardhja që shprehu ishin të veçanta. Më e pakta, Muavija, do të ishte si një libër që është menduar të lexohet, rilexohet, dhe të reflektohet mbi të nga ana e atyre që do të vinin pas. Ka shumë mësime që mund të nxirren nga pendimi i tij. Ai po linte pas një shembull të madh në mënyrë që të tjerët në të ardhmen të mos bënin të njëjtat gabime kur të përballeshin me situate të ngjashme.
Shënimet
- 102.Hejthemi, Mexhmau’z Zeuaid, 7/235; Abdur Rahman Akk, Meusu’atu’l Uthamai Resul, vol. 1, 361-362.