EKSTREMIZMIT DHE SHPËRFILLJES
Të ishe kaq i afërt me të Dërguarin e Zotit nënkuptonte gjithashtu se duhej të përballeshe me prova dhe vlerësime të vazhdueshme. Afërsia me autoritetin shpesh nënkuptonte gjithashtu përgjegjësi nga më të rëndat dhe llogaridhënie. Njeriu duhej të ishte shumë i kujdesshëm në imitimin e personit përfaqësues. Gjithashtu ishte e rëndësishme të ishe vigjilent dhe syçelë kundrejt atyre që dëshironin të përfitonin nga afërsia e tyre me Profetin.
I Dërguari Fisnik, i cili ishte më i dashuri i të gjithë njerëzve dhe model kryesor për të gjithë heronjtë vetësakrifikues, ishte gjithmonë i gatshëm të vinte të tjerët para vetes së tij, duke u kujdesur vijimësisht për ta. Ai e harronte urinë e Tij dhe nëse kishte një pikë qumësht, do t’ua jepte personave që kishin nevojë për të. Shpesh qëllonte që të dhuronte edhe këmishën e shtatit, dhe në këmbim nuk priste asgjë prej gjëje. Kur nuk kishte asgjë për të dhënë, ai do të premtonte për ta ndihmuar më vonë personin në nevojë. Profeti Fisnik kurrë nuk i tha “jo” ndonjë kërkese për ndihmë dhe përgjatë të gjithë jetës së tij nuk ktheu asnjeri duarbosh nga dera e tij.
Aliu ishte nxënës i Vulës së Profetëve; kështu që, ai u soll ekzaktësisht si Udhëzuesi i tij Fisnik. Kishte edhe raste kur privohej nga diçka për hir të afrisë. Duke qenë se ishte në shërbim të një misioni të tillë kaq fisnik si profetësia, Ai duhej të bënte një jetë të thjeshtë dhe të mos priste asgjë nga kjo botë kalimtare, bash sikundër bënte Zotëruesi i profetësisë. Aliu ishte nga njerëzit e dorës së parë që e përjetuan këtë shembull, kështu që ai e dinte përpikërisht se si të vepronte kur paraqiteshin situata të caktuara. Një herë, bija e dashur e Profetit, Fatimja, kërkoi shërbëtor, por kjo kërkesë iu kthye mbrapsht. Në të njëjtën mënyrë, edhe kushëriri i tij Ibni Abasi kërkoi udhëheqjen, dhe kërkesa iu hodh poshtë.
Pas rimarrjes së Mekës, Aliu mendoi të kryente shërbime të caktuara rreth Qabes. Ai ia kishte bërë të ditura qëllimet e tij Profetit, i cili e thirri dhe i tha: “Pa dyshim, ti e ke marrë pjesën që të takon.” Më pas, Profeti Fisnik ia dha çelësat e Qabes mbajtësit të mëparshëm, Osman ibni Talhasë. Ajo çka nënkuptonte Profeti ishte që “në këtë botë, detyra jote është të punosh për kënaqësi të Zotit dhe të veprosh me ndjenjë përgjegjësie”. Familja e Profetit Muhamed ishte përqendruar vetëm në dhënie, nocioni i “marrjes” ishte fshirë një herë e mirë nga fjalori i tyre. Ata jepnin dhe ndihmonin pa pritur asgjë në këmbim, madje nuk kishin pritshmëri as për një falënderim të thjeshtë apo kompliment nga kushdo qoftë.
Kur njerëzit u zotuan për besnikëri para Aliut në kohën që u bë Kalif, ai u emërua udhëheqës i një prej shteteve më të fuqishme mbi tokë. Shumë njerëz do të kishin ëndërruar të arrinin në një pozicion të tillë, mirëpo Aliu kurrë nuk e çoi në mend ta përdorte këtë pozicion për përfitime vetjake. Përkundrazi, ky pushtet dhe ky autoritet ishte kthyer në makth për Aliun. Nëse do të ishte lënë në dorën e tij, ai do ta kishte hequr këtë titull nga shpatullat dhe do të ishte larguar sa më larg të kishte mundur.
Me sa duket, ndërkohë që disa do të ishin kënaqur nga kjo, të tjerët u shqetësuan së tepërmi. Si përfundim, Aliu u vu në objektivin e disave. Në të vërtetë, gjithsecili dëshironte diçka, dhe ata që nuk mbetën të kënaqur me paanshmërinë, kërkuan mjete të tjera për të kënaqur shpirtin e tyre trupor. Rrjedhimisht, trashëgimtari i Profetit Fisnik u kthye në shënjestër të shigjetave të tyre helmuese. Profeti Fisnik ia kishte bërë të qartë këtë Aliut një herë, teksa i kishte thënë:
O Ali! Ti do të bëhesh si Isai, biri i Merjemes. Disa prej hebrenjve ishin të pakënaqur me të dhe ngritën akuza kundër nënës së tij. Ndërsa disa të krishterë e ngritën në nivele ku nuk mund të jetë; kjo ishte rrjedhojë e dashurisë së tyre të madhe për të. Ata e kishin humbur drejtpeshimin.
Përgjatë kalifatit të tij, Ai luftoi me këto dy mendime të skajshme. Disa e donin dhe e vlerësonin kaq shumë, sa shkuan deri aty sa ta hyjnizonin, teksa disa të tjerë e akuzonin për blasfemi.
Madje edhe në ditën e ceremonisë mortore të Profetit Muhamed, kishte nga ata që iu qasën duke i thënë që ai duhej të ishte Kalifi i radhës. Disa syresh shkuan në ekstrem duke u zotuar se do të formonin ushtri për të mbështetur udhëheqjen e tij. Megjithatë, Aliu i shtyu mënjanë të gjithë duke i thënë njërit prej atyre që i kishte ardhur me një propozim të tillë:
“O Ebu Handhala! Po më propozoni diçka që nuk pajtohet me natyrën tonë! Unë e kam mbyllur atë derë, e kam kyçur në një mënyrë të tillë saqë s’do të mund të hapet kurrë më.”
Me një qëndrim të tillë të palëkundur, Aliu u bllokoi rrugën të gjithë atyre që dëshironin ta provokonin. Pa kaluar shumë kohë, ai iu zotua Ebu Bekrit për besnikëri.
Pas vdekjes së Profetit, Aliu u përpoq shumë ta bindte veten se i Dërguari Fisnik nuk ishte më në mesin e tyre, por ishte e pamundur të mësoheshe me një jetë pa Të. Ngado që shkonte, i dukej sikur shikonte siluetën e tij, teksa zëri i tij i buçiste në veshë. Ngushëllimi i vetëm i Aliut ishte Fatimja, gjëja më e çmuar të cilën ia kishte besuar Profeti. Fatimja ishte trëndafili i shtëpisë së tij, por pa kaluar shumë kohë, ajo iu bashkua të atit duke e lënë Aliun të vetmuar në dhimbjen dhe misionin e vështirë. Shqetësimi i saj i vetëm ishin fëmijët, të cilët do të mbeteshin jetimë. Po kërkonte një rrugëzgjidhje, për dikë që të kujdesej për fëmijët e saj; për rrjedhojë, ajo i propozoi Aliut që të martohej me vajzën e motrës së saj, Zejnebit, Umamen, pasi ajo të ndërronte jetë. Ky ishte vullneti i Fatimes.
Vetëm gjashtë muaj pasi kishte ndërruar jetë Profeti Muhamed paqja dhe bekimi qofshin mbi Të atij dhe disa sahabëve të tjerë të dashur iu bashkua edhe Fatimja. Burimi i vetëm i ngushëllimit për Aliun nuk jetonte më.
Edhe pse ka disa raporte që nënkuptojnë se fillimisht Aliu kishte shtyrë zotimin e tij ndaj Ebu Bekrit, realiteti është se ai e ka dashur dhe respektuar atë kaq shumë, saqë i kishte caktuar pas një prej djemve të tij. Kur Ebu Bekri ndërroi jetë, Aliu u ul ndanë tij dhe tha:
Zoti të mbështjelltë me mëshirë, o Ebu Bekr!
Pasha Zotin, ti ishe i pari që përqafove Islamin! Ishe më i sinqerti në lidhje me fenë, dhe më i afërti në lidhjen me Zotin. Në një kohë kur gjithkush e mohoi Profetin, Ti dëshmove për profetësinë e tij. Kur nuk kishte asnjë që të ndihmonte, ti solle gjithçka zotëroje dhe e vendose para tij. Pasha Zotin, ti ishte fortesa e myslimanëve
dhe makthi i jobesimtarëve. Logjika dhe argumentet tuaja nuk
kanë qenë kurrë të pafuqishme, dhe gjithmonë e ke ruajtur gjykimin tënd brilant.
Kurrë nuk ke ditur se ç’është frika! Siç ka theksuar edhe i Dërguari i Zotit, edhe pse nuk ishe fizikisht i fortë, ti zotëroje besim të çeliktë.
Për më tepër, ti ishe njeri i thjeshtësisë.
Përfitofshim edhe ne nga shpërblimi yt!
Zoti na mbroftë nga devijimi dhe humbja e rrugës pas largimit tënd!
Aliu ishte i paarritshëm kur vinte puna tek trimëria dhe bujaria; ai gjithashtu kishte personalitet të pakrahasueshëm kur drejtësia vihej në pikëpyetje. Një ditë, i pyeti ata që ndodheshin rreth tij:
“Kush është qenia njerëzore më e guximshme?
“Ju jeni, o udhëheqës i myslimanëve”, - u përgjigjën ata.
“Jo, nuk jam unë”, - tha Aliu, i cili vijoi të shpjegonte: “Ebu Bekri ishte më guximtari. Gjatë betejës së Bedrit, ne ngritëm një hije për të Dërguarin Fisnik. Kur u pyet se kush do të mbronte Profetin nga jobesimtarët, betohem në Zot se Ebu Bekri ishte i pari që e kërkoi këtë detyrë. Ai nxori shpatën dhe mori qëndrim mbi të Dërguarin e Zotit. Pa më të voglin dyshim, ai ishte më i guximshmi nga të gjithë njerëzit.”
Aliu e donte dhe e respektonte Ebu Bekrin kaq shumë, dhe ndjenjat ishin të ndërsjella. Ebu Bekri dëshironte gjithmonë ta shikonte Aliun në krah të tij. Kurdo që do të përballej me probleme dhe çështje të ndërlikuara, ai do të thërriste Aliun dhe do t’i thoshte:
“O Ebu Hasan! Na trego një rrugëdalje!”
Kur Ebu Bekri ndërroi jetë dhe Omeri u emërua në postin e tij, Aliu ishte një nga të parët që u zotua për besnikëri ndaj tij. Imami rezervoi vendin e tij në këshillin ee të parëve, duke siguruar kështu mbështetjen më të madhe për Omerin. Asnjë nuk mund të ishte më i sinqertë dhe zemërhapur se Aliu kur ofronte këshillat e tij. Ishte kaq i dobishëm, sa një ditë Omeri ndjeu nevojën të thoshte: “Pa Aliun, Omeri do të ishte shkatërruar!”
Nganjëherë, kur Omeri përballej me çështje të ndërlikuara në mungesë të Aliut, do të thoshte: “Ka një çështje të vështirë për t’u zgjidhur, por Ebu Hasani nuk ndodhet përreth që të na ndihmojë.”
Ishte Aliu ai që sugjeroi që kalendari mysliman duhet të nisë me Hixhretin, apo me shpërnguljen e Profetit në Medinë në vitin 622. Omeri e pranoi menjëherë propozimin e tij duke e komplimentuar Aliun për idenë e goditur, “Mes nesh, Aliu është më i sakti në gjykim!”.
Me vdekjen e Omerit Zoti qoftë i kënaqur me të u hapën edhe portat e kryengritjes dhe rebelimit. Ata që do të vinin pas tij i prisnin ditë të vështira. Aliu ishte në mesin e atyre që po qanin për Omerin. I pyetur se përse qante me ngashërim, ai tha: “Po qaj për Omerin! Vdekja e tij ka hapur një zbrazëti të tillë në Islam, e cila nuk do të mbyllet dot deri në ditën e Gjykimit.”
Omeri kishte zgjedhur gjashtë persona si anëtarë të një komiteti që do të emëronin kalifin e radhës. Aliu ishte në mesin e tyre, dhe njëherazi anëtari i parë që iu zotua për besnikëri Osmanit Zoti qoftë i kënaqur me të.
Mirëpo, Osmani nuk zotëronte autoritetin e Omerit. Tek ai dhembshuria dhe mëshira peshonin shumë më tepër. Osmani ishte thesar i pasur tolerance. Mjerisht, kjo përbënte një mundësi për ata që nuk mundnin të ngrinin zërin dhe të fillonin fushatat e tyre nxitëse gjatë kohës së Omerit. Kështu filluan të krijohen provokime dhe përçarje.
Në të katër anët e qytetit po shfaqeshin rebelime sikur kërpudhat pas shiut. Gjatë udhëheqjes së Osmanit, Aliu luajti një rol shumë të rëndësishëm në një përpjekje për të ndaluar zhvillimet negative të kurdisura kundrejt kalifatit. Osmani kishte refuzuar të luftonte kundër rebelimeve, ndërsa Aliu ishte në mesin e atyre që mendonin se duhej të luftonin. Teksa konfliktet u përshkallëzuan, Aliu vendosi bijtë e tij, Hasanin dhe Hysenin para shtëpisë së Osmanit në mënyrë që ta ruanin ndaj sulmeve.
Por kaderi nuk mund të ndryshohej, dhe shtëpia e Osmanit u sulmua. Rebelët u futën në shtëpinë e tij dhe e martirizuan Kalifin teksa recitonte Kuranin e shenjtë.
Aliu e mori lajmin e martirizimit nga Hasani dhe Hyseini. Ata ishin jashtëzakonisht të trishtuar ngase nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar. Aliu ishte i zemëruar me ta, aq sa ata nuk e kishin parë kurrë në një gjendje të tillë babanë e tyre. Nëse Osmani ka rënë dëshmor, atëherë pse janë ende gjallë nipërit e të Dërguarit të Zotit? “Në qoftë se nuk mundët ta mbronit, atëherë ju duhej të kishit vdekur tok me të!”, - u bërtiste Aliu të bijve.
Shënimet
- 61.Abdur Rezzak, Musannaf, 5/84 (9074).
- 62.Bejhaki, Sunenu’l Kubra, 5/137 (8488).
- 63.Tabari, Tarihu’l Umem ue’l Muluk, 2/237.
- 64.Hejthemi, Mexhmau Zeuaid, 9/48.
- 65.Po aty, 9/47.
- 66.Ibn Abdil Berr, Istiab, 3/1103.
- 67.Po aty, 3/1102-1103.
- 68.Po aty, 3/1102
- 69.Teufik Ebu Alam, Ehlu’l Bejt’ul Islam Ali, 91.