BUJARIA DHE THJESHTËSIA
Aliu ishte aq bujar, saqë edhe në ditët kur vetë vuante nga uria, do t’ua jepte atë pak ushqim që mund t’i gjendej në shtëpi atyre që kishin më shumë nevojë për të. Sipas Aliut, bota ka më pak vlera se flatrat e një mize. Njëherë, ai kishte thënë prerazi:
“Unë e kam ndarë botën nëpërmjet tri divorceve, me një betim për të mos u kthyer prapa.”
Një ditë ai pati një vegim në të cilin iu shfaq bota. Aliu i tha:
“Botë! M’u zhduk nga fushëpamja! Nuk më mashtron dot, shko gjej dikë tjetër!”
Sipas Aliut, bota ishte një vend nga i cili përfiton edhe e mira, edhe e keqja. Megjithatë, Dita e Gjykimit ishte e pashmangshme, dhe ishte një ditë në të cilën do të mbizotërojë vetëm Fuqia e Zotëruesit të vërtetë. Gjëja të cilës ai i frikësohej më së shumti ishte përhumbja e vetes në çështjet e kësaj bote duke ndjekur tundimet materiale, e si pasojë, dështimi në përkujtimin e vdekjes.
Siç kishte këshilluar edhe i Dërguari i Zotit, Aliu i mbylli të gjitha dyert që të çonin tek tundimet e kësaj bote dhe ia kushtoi jetën rrugës së Zotit. Kur u rikthye në Mekë, pas misionit të tij në Jemen, për t’iu bashkuar Haxhit të Lamtumirës së Profetit Fisnik, Aliu caktoi një person që ta përfaqësonte si lider të grupit të burrave që ishin nën mbikëqyrjen e tij. Në shenjë vlerësimi, përfaqësuesi i Aliut bleu rroba të reja për njerëzit për të cilët ai ishte përgjegjës, në mënyrë që të paraqiteshin sa më mirë para Profetit Fisnik. Sapo e pa këtë, Aliu bërtiti me zemërim:
“T’ju vijë turp! Ndërrojini këto rroba para se të arrijmë te i Dërguari Fisnik!”
Urdhri ishte respektuar, por kjo shkaktoi shqetësim mes ushtarëve. Ata ndiheshin të ofenduar. Kur u paraqitën para Profetit, ata u ankuan për ndryshimet e bëra me urdhrin e Aliut. I Dërguari Fisnik iu drejtua ushtarëve lidhur me këtë çështje dhe u tha:
“O njerëz! Mos u ankoni për Aliun. Ai është njeri parimesh të rrepta kur bëhet fjalë për shërbimin ndaj Zotit, kështu që mos u ankoni!”
Personaliteti i Aliut nuk ndryshoi kurrë, ai mbeti i njëjti person pavarësisht shumë ndryshimeve që ndodhnin rreth tij. Koha nuk e ndryshoi atë, dhe nuk do të jetë kurrë e aftë ta bëjë këtë! Koncepti i takvasë, vetëdija dhe devotshmëria karshi Zotit, pati marrë nën kontroll botën e tij, ndaj, në bashkëveprim me njerëzit, ai nuk vepronte sipas ndjenjave të tij, por sipas vlerave të përcaktuara nga Zoti dhe i Dërguari i Tij. Ky qëndrim nuk ndryshoi madje as gjatë betejave. Në betejën e Sifinit, kur Muavija dhe njerëzit e tij e kishin vënë në pikëpyetje dhe synonin autoritetin e Aliut si Kalif, Ibn Abasi i tha atij,
“Lufta është dredhi, përdor dredhi për t’i hutuar!” Aliu iu përgjigj:
“Pasha Zotin, jo! Kurrë nuk do të ndryshoja fenë time për botën e tyre!”
Edhe në ditët kur shpërndante mijëra dinarë për bamirësi, Aliu do e mbështillte belin me gurë për të përballuar urinë. Gjithmonë mendonte për të tjerët.
Kishte ditë kur ai vuante nga uria, mirëpo vazhdonte të punonte, duke transportuar ujë nga puset dhe shpenzonte kohën për fituar para të mjaftueshme që të ushqehej. Pastaj vinte menjëherë përkrah Profetit. Ai bënte jetë të thjeshtë. Kohën më të madhe e kalonte i shtrirë në rërë dhe i veshur me rroba të arnuara. Rrobat e tij ishin nga pëlhura të ashpra. Kur ishte pyetur se përse kishte zgjedhur të vishej në atë mënyrë, Aliu u përgjigj: “Kjo është më e paqshme.” Ai argumentoi gjithashtu se edhe ata që nuk kanë zgjedhje tjetër pos të vishen në këtë mënyrë, do të ndihen më mirë tek e shihnin atë të veshur kësisoj.
Një ditë, disa thanë se rrobat e tij nuk ishin të përshtatshme për pozitën e Kalifit. Ata thanë se ai duhet të vishet me rroba të endura nga materiale cilësore. Ky ishte një propozim që ai e kundërshtoi vendosmërisht. Sipas tij, një Kalif nuk drejton me veshjet e tij. Kalifi udhëhiqte me ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë që kishte karshi Allahut. Të shfaqurit sikur i kishte shkëputur të gjitha lidhjet me Zotin nuk ishte gjë me mend për t’u bërë. Pa kaluar shumë kohë, Aliu u përgjigj për qëndrimet e tij:
“Këto veshje më mbrojnë nga arroganca dhe mendjemadhësia. Njëherazi ato të shtojnë ndjenjën e qetësisë gjatë lutjeve të përditshme.”
Një ditë Aliu shiti shpatën e tij në pazarin e madh të Kufes, me qëllim që të blinte një copë pëlhure. Këtë kohë Aliu ishte udhëheqësi i myslimanëve dhe Kalifi i të Dërguarit të Zotit. Po të dëshironte, e gjithë pasuria e botës do të kishte qenë në dispozicion të tij, dhe asnjë nuk do ta kishte kritikuar. Megjithatë, ai e dinte se i Dërguari Fisnik dhe Profetët para tij e kanë bartur varfërinë në shpatullat e tyre si të ishte një stoli, pa shfaqur as hezitimin më të vogël.
Në ditën që Udhëzuesi i Madh paqja dhe bekimi qofshin mbi Të, kishte ndërruar jetë, mburoja e Tij ishte në duart e një hebreu që e mbante si garanci. Me mençurinë që Aliu mori nga Kurani, ai e dinte që Profeti Musa paqja qoftë mbi Të e kërkonte varfërinë nga Zoti i tij si të ishte një thesar i vlefshëm. Sipas tij, çdo gjë e dhënë në këtë drejtim do të konsiderohej pasuri e madhe. Profeti Isa gjithashtu paqja qoftë mbi Të zgjodhi të bënte jetë të varfër; parapëlqeu të vishte rroba të rreckosura duke i shpërfillur të gjitha joshjet e botës. Kjo është edhe arsyeja se përse shumicën e kohës bazamenti i Aliut ishin këmbët e tij, ndërsa shërbëtorët ishin duart e tij. Në vend që të hynte në borxh tek të tjerët, ai zgjidhte t’i bënte vetë punët e tij. Kur pyetej se përse, ai përgjigjej:
Të refuzosh të ndash pengesat e jetës me të tjerët ndërkohë që ata më pranojnë mua si kryetar të besimit më duket krejt e padrejtë. Pasha Zotin, nëse do të dëshiroja, do të mund të merrja mjaltin më të pastër, grurin më cilësor dhe veshjet më të shtrenjta. Megjithatë, kam frikë se do të pushtohesha nga tundimet e shpirtit tim trupor e të egos. Si rezultat i kësaj nuk do të arrij t’i vërej dot ata që vuajnë nga uria dhe varfëria. Aliu jo vetëm që bënte jetë tejet të thjeshtë, por këshillonte dhe ata që kishte nën kontroll të vepronin kësisoj. Ai dëshironte që guvernatorët dhe qeveritarët e tij të bënin një jetë të njëjtë me atë të varfërve. Atyre të cilët e kritikuan, ai do t’u përgjigjej:
“Nëse kjo pasuri do të më përkiste mua, do ta kisha shpërndarë në mënyrë të barabartë midis njerëzve. Mirëpo, kjo pasuri i përket Zotit, dhe këta janë shërbëtorët e Tij.”
Ai po i referohej pasurisë së disponuar nga Thesari i Kalifatit dhe dëshironte që ajo të arrinte tek të varfrit dhe nevojtarët, jo tek ata që ishin në pushtet. “Zoti u ka dhuruar pasuri të pasurve në mënyrë që të mund të përfitojnë të varfrit. Nëse të pasurit do ta kryenin detyrën e tyre siç duhej, varfëria dhe uria do të mpakej,” - thoshte ai herë pas here.
Një ditë, një prej njerëzve të tij erdhi dhe e informoi se Thesari ka mbledhur një bollëk me pasuri. Me t’i dëgjuar këto fjalë, ai përlartësoi Allahun me fjalë të bukura. Pastaj menjëherë shkoi pranë përgjegjësit të Thesarit dhe deklaroi:
“O monedha ari! O argjend i ndritshëm! Ju nuk mund të më mashtroni! Shkoni trokisni në një tjetër portë!”
Më pas bëri një shenjë me dorën e tij, e cila tregonte se çdo gjë duhej shpërndarë. Në pak kohë, në Thesar nuk kishte mbetur asnjë monedhë e vetme ari apo argjendi.
Më tej, Aliu urdhëroi pastrimin e plotë të vendit. Aty për aty ai lavdëroi Zotin duke shqiptuar: “Allahu Ekber” dhe fali dy rekate namaz. Ai besonte se dy rekatet e falura aty do të dëshmonin në favor të tij Ditën e Gjykimit. Pas vdekjes së Aliut, Dirar ibni Demrahu e qau atë me poezi. Në një elegji, Dirar shkruante:
E kujtoj Aliun tek thoshte një ditë, “O Botë! O Botë!
E di se e ke zbukuruar veten me stoli dhe pret me padurim të vish tek unë. Mos e harxho kohën më kot; se vetëm vet do lodhesh ti. Shko kërko dikë tjetër nëse ke fuqi! Unë të kam ndarë nëpërmjet ty tri divorceve, që më të mos kthehesh ti në fjalën time. Ti ke një jetëgjatësi të shkurtër dhe standardet e jetesës tënde janë të ulëta; megjithatë dëmet që shkakton janë të mëdha. Të të vijë turp! Udhëtimi është i gjatë, ka shumë pengesa, e arsyet janë të mangëta!”
Me ta dëgjuar këtë, Muavija eci drejt tij dhe tha: “Zoti pastë mëshirë për babanë e Hasanit. Ai ishte ekzaktësisht siç ju e përshkruat.” Pastaj vazhdoi me një pyetje: “Ti pate shumë dhimbje pas vdekjes së Aliut. Sa e madhe ishte brenga jote?” Dirar u përgjigj: “Ndjeva dhimbjen që ndjen një nënë tek mban në krahë fëmijën e saj të mbytur!”
Siç ishte udhëheqës në devotshmëri dhe drejtësi, Aliu ishte udhëheqës edhe në zemërgjerësi dhe bujari. Një ditë, ai priu në namazin e sabahut dhe ishte ulur me shokët e tij. Dukej i mërzitur. Shokët u shqetësuan nga paraqitja e tij, andaj u mblodhën dhe filluan të formonin rrathë rrotull tij. Në shenjë respekti, asnjëri nuk pyeti gjë prej gjëje. Ata thjesht dëshironin të ndanin mërzinë me të. Në vijim, rrezet e diellit në lindje ndriçuan pjesën e brendshme të xhamisë. Aliu e mori veten dhe u ngrit për të falur dy rekate namaz. Fytyra i ishte zbehur tek tundi kokën me dëshpërim. Pastaj filloi të fliste: Pasha Zotin, unë i kam parë sahabët e Profetit. Mjerisht, nuk mund të gjej asnjë si ata sot. Pa dyshim, në mëngjes, shikonit ndriçimin e natës mbi fytyrat e tyre.
Ata e kalonin natën në sexhde dhe duke lexuar Kuran. Ata luteshin tërë natën, herë të ngritur në këmbë e herë shtrirë. Kur e kujtonin Zotin, dridheshin si një pemë dhe qanin deri sa rrobat e tyre njomeshin me lot.
Sikundër theksoi Aliu në predikimin e tij të famshëm, një besimtar i përsosur duhet të zotërojë dy cilësi të njënjëshme: diturinë dhe aftësinë e meditimit shpirtëror. Për më tepër, një besimtar duhet të heqë dorë nga tundimet e kësaj bote. Jeta e pashmangshme e ahiretit ishte mbretëria e vërtetë e të gjitha qenieve njerëzore. Teksa bijtë e tokës e harxhuan jetën e tyre duke vrapuar pas botës kalimtare, ata të cilët i kanë sytë të fiksuar tek përjetësia e përdorën këtë botë si një shkallë ngjitjeje për të siguruar jetën e një lumturie të përjetshme. Kjo ishte mënyra e vetme, dhe një njeri i cili do që ta provojë këtë, duhet të përmbahet nga tundimet trupore dhe t’i përdorë energjitë e tij në kërkim të kënaqësisë së Zotit.
Vërtet, jeta në tokë është shumë e shkurtër, dhe për të fituar lumturinë e përjetshme, njeriu duhet ta bëjë këtë udhëtim të shkurtër me shumë durim. Për të pasur sukses, njeriu duhet të jetojë siç kanë jetuar paraardhësit, duke rënë në sexhde gjatë natës dhe duke kërkuar kënaqësinë e Zotit gjatë ditës. Po, këta sahabë të pashoq të Profetit i shfrytëzuan netët e tyre në mënyrë aq të përsosur, sa që gjatë ditës, fytyrat e tyre ishin aq të zbehta, sa njerëzit mendonin se ishin të sëmurë, paçka se nuk ishin, dhe nga ana tjetër ata nuk hiqnin dorë së jetuari jetë normale. Kishte një nuancë të rëndësishme këtu, dhe ajo ishte më e rëndësishme nga çdo gjë që mund të merret me mend.
Aliu po ashtu ishte tejet i thjeshtë. Ai do të ishte vetë që do t’i kryente pazaret e shtëpisë. Kurrë nuk do të lejonte ndonjë njeri tjetër që t’i transportonte çantat; madje edhe ata që këmbëngulnin pa pushim, nuk lejoheshin. Kur futej në një dyqan bashkë me shërbëtorin e tij, Aliu priste deri sa shërbëtori të zgjidhte një veshje për vete, dhe pastaj imami zgjidhte një nga ato që ngeleshin. Ai dhuronte nga malli i tij gjatë gjithë ditës dhe natës, si në fshehtësi ashtu dhe haptazi. Nuk dëshironte të zotëronte asgjë me vlerë. Gjatë tërë jetës, Aliu e harxhoi të gjithë kohën dukë u përpjekur të përçonte mesazhin e besuar, të cilin e kishte marrë nga i Dërguari Fisnik, tek të gjithë ata që mundi të arrinte.
Kishin propozuar ndërtimin e një pallati kalifati për të, por Aliu refuzoi me forcë, duke thënë: “Unë kurrë nuk do të kaloj në një pallat që nuk ka të ardhme!”
Çfarë mendoni? A nuk vazhdon Aliu Zoti qoftë i kënaqur me të të na mësojë dhe këshillojë si një dijetar që jeton akoma. A nuk është ky një fakt që sot, ai vazhdon t’i udhëheqë besimtarët me devotshmërinë dhe maturinë shembullore nga kënaqësitë e kësaj bote?
Me të vërtetë ai mund të mos jetë fizikisht mes nesh, por kjo ndarje mund të konsiderohet si një pikëllim i përkohshëm. Për më tepër, kur ne analizojmë thesaret e çmuara që i kishte dhuratë nga
50 ALIU Simboli i trimërisë
Zoti, bujarinë, mirësinë, durimin, rezistencën, urtësinë, njohuritë dhe veprat e mira, ne kuptojmë se ai është ende në veprim dhe vazhdon të shpërndajë bujarisht perlat e mençurisë tek ata të cilët trokasin në derën e tij.
VITE TË MUNDIMSHME MES
Shënimet
- 42.Termi “tre divorce” është një dekret i pakthyeshëm që përdoret për ndarjen në mënyrë të papajtueshme.
- 43.Ebu Nuajm, Hiljetu’l-Eulija, 1/85.
- 44.Po aty.
- 45.Bejhaki, Shuabu’l-Iman, 7/369 (10614).
- 46.Ibn Hanbel, Musned, 3/86 (11865).
- 47.Taberi, Tarihu’l Umem ue’l Muluk, 2/704.
- 48.Ibn Hanbel, Musned, 1/157 (1367).
- 49.Al-Hannad, Zuhd, 2/385 (749).
- 50.Po aty, 2/368 (705).
- 51.Ibn Mubarek, Zuhd, 1/261 (756).
- 52.Ibn Abdil Barr, istiab, 3/1111.
- 53.Al-Bayhaqi, as-Sunanu’l-Kubra, 7/23 (12985).
- 54.Sallabi, Ali ibn Abi Talib, 245-246.
- 55.Ebu Nuajm, Hiljetu’l Eulija, 1/85.
- 56.Po aty.
- 57.Ebu’l Ferexh, Sifatu’s Safuah
- 58.Hanbel, Fedailu’s Sahabe,1/549 (916).
- 59.Po aty, 1/544 (911).
- 60.Po aty, 1/539 (899).