DHE EKSTREMIZMI HARIXHI
Ndjeshmëria e Aliut i kishte dhënë Amrit shpirt të ri, por qëndrimi këmbëngulës i Muavijes për të dalë me një plan të ri për mposhtjen e Aliut, e bindi atë. Kështu, Amri kishte një strategji të re, të cilën ia shpjegoi Muavijes:
“Kam pasur një plan, por atë e kam ruajtur për ditën e fundit. Ju do ta mbani Kuranin mbi kokë dhe do t’i ftoni ata që të urdhërojnë në lidhje me zgjidhjen me anë të ndërmjetësimit të disa personave të zgjedhur si arbitra. Pak rëndësi ka nëse pranojnë apo refuzojnë, zgjidhja me anë të një dorëzani do të krijojë përçarje dhe mosmarrëveshje në mesin e tyre.”
Kur lajmi mbërriti në veshët e Aliut, ai e kuptoi se kjo ishte një dredhi e madhe që do të dëmtonte shpirtin e vëllazërisë dhe do të niste ndarje dhe përçarje në mesin e myslimanëve. Atypëraty, kalifi filloi të paralajmërojë popullin e tij.
Ç’lloj mashtrimi politik ishte ky? Shkatërrimi ishte aq i lehtë ndërsa ndërtimi kaq i vështirë. Kjo ishte një manovër politike nga e cila ai duhej të kërkonte strehim tek Zoti, sikundër kishte bërë për t’u mbrojtur nga djalli. Pa kaluar shumë kohë, gjithkush e kishte dëgjuar lajmin turbullues, përhapja e të cilit ishte më e keqe se vetë incidenti.
Përçarja në opinion tashmë kishte filluar të duket qartë, dhe mosmarrëveshjet mes njerëzve rriteshin me kalimin e minutave. Individë të tillë si Esh’ath ibni Kajsi dhe të tjerë nga recituesit e Kuranit po përpiqeshin t’i bindnin njerëzit se do të ishte më e shëndetshme të përdornin Kuranin për të kaluar gjykimin në këtë rast.
Në anën tjetër, kalifi po orvatej të qetësonte situatën:
“Unë do ta dija më të mirën kur është puna tek zbatimi i rregullave të Librit të Zotit, mirëpo, në këtë rast unë i di mirë qëllimet e tyre. Ata po kërkojnë gënjeshtrën nëpërmjet drejtësisë. A nuk shkova unë në betejë me ta për hir të ruajtjes së parimeve të Kuranit të Shenjtë? Si mund ta çoj nëpër mend t’u kthej shpinën parimeve të Tij? Po, ata po e mbajnë Kuranin mbi kokat e tyre dhe po pretendojnë se dëshirojnë të zbatojnë drejtësinë e tij. Kjo është e vërtetë, por ata po e përdorin këtë për t’ju mashtruar dhe për të krijuar kaos të mëtejshëm mes jush. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse një grackë!”
Përçarja mes njerëzve kishte krijuar ndërdyshje akoma edhe më të mëdha, asnjë nuk dëshironte të luftonte më. Ata ishin të lodhur e të rraskapitur nga vrapimi nga një betejë në një tjetër, qoftë edhe vetëm për këtë arsye, kjo dukej si një zgjidhje brilante. Muavija tashmë kishte emëruar Amër ibni Asin si arbitrin e tij. Siç njihej, Amri kishte një mendje të pashoqe për politikë, për të cilën njihej prej të gjithëve që prej kohës së injorancës. Ai ishte shumë i mprehtë dhe i zgjuar, çka i kishte dhënë statusin e të qenit njeri i kohëve të vështira. Strategjia që përdori gjatë përpjekjeve të tij për riatdhesimin e emigrantëve që kishin udhëtuar për në Abisini për t’u strehuar në mbretërinë e Nexhashiut nuk ishte harruar. Amri gjithmonë i kishte kundërshtuar myslimanët deri në Hudejbije, kur së bashku me Halid ibni Uelidin erdhi paqësisht për të përqafuar Islamin. Aliu ishte i vetëdijshëm për aftësitë e Amrit, dhe duke qenë se dita e ndërmjetësimit ishte e pashmangshme, ai kishte nevojë për një person të veçantë që të përballej me ibni Asin.
Një grup i madh njerëzish i kryesuar nga Esh’ath ibni Kajsi këmbëngulnin se Ebu Musa el Esh’ariu duhej të dërgohej si arbitër që do të përballej me Amrin, mirëpo Aliu i kishte vënë syrin Abdullah ibni Abasit.
Kalifi e dinte se në këtë përballje, ndjeshmëria dhe devotshmëria nuk do të ishin të mjaftueshme. Personi në fjalë gjithashtu duhet të jetë njohës mjaft i mirë i çështjeve që kanë të bëjnë me jetën e kësaj bote. Ata që nuk do të kishin përvojë në çështjet e kësaj bote do të dështonin mjaft lehtë përballë dinakërisë së Amrit. Kjo çështje kishte rëndësi të madhe për sa kohë ushtria të cilën ata mund ta kishin mposhtur lehtësisht në fushën e betejës mund të korrë fitore në tavolinë.
Përkundër këndvështrimit të Aliut mbi këtë problem, shumica vendosi që Ebu Musa el Esh’ari do të ishte ai që do të përballej me Amrin në arbitrazh.
Pas një periudhe të gjatë negociatash në takim, u mor një vendim:
që si Aliu ashtu edhe Muavija të largoheshin nga postet që mbanin; për emërimin e imamit pasardhës do të krijohej një komision i ri.
Ishte koha për të shpallur vendimin e marrë; Amri ftoi Ebu Musanë për të njoftuar vendimin, ndërsa vetë do ta konfirmonte. Sipas marrëveshjes, kjo do të përbënte fillimin e periudhës në të cilën do të emërohej një kalif i ri.
Së pari, Ebu Musa doli dhe lajmëroi se si Aliu, edhe Muavija, ishin zhveshur nga detyrat e tyre, më pas Amri iu drejtua njerëzve:
“Siç e dëgjuat, Ebu Musa ka hequr Aliun nga pozicioni i kalifit. Unë konfirmoj largimin e Aliut nga udhëheqja dhe si kalif të ri emëroj Muavijen. Ai duhet të hakmerret ndaj vrasësve të Osmanit. I ftoj të gjithë që të zotohen për besnikëri para tij!”
Këto fjalë bënë që të drithërohej mishi i të gjithë atyre që ishin vënë përkrah Aliut, përfshirë edhe Ebu Musanë. Si mund të prishej bashkimi në një kohë kaq të shkurtër? Përkundër asaj që kishin vendosur gjatë takimit, Amri bëri një deklaratë; ai dinakërisht i paraqiti publikut një fakt të kryer që do të nxiste një mosmarrëveshje të re në mes të popullit. Si mund t’i qaseshin me kaq lehtësi një çështjeje aq serioze? Dukej sikur po luanin me reputacionin e kalifatit, sepse asnjë nuk ia kishte idenë se kujt mund t’i besonte tanimë.
Pa dyshim, kjo nënkuptonte se ata duhej të riktheheshin në fushën e betejës. Nuk kishte asnjë mundësi tjetër, pasi shpirti përbashkues ishte mpakur, ndërsa situata po dilte jashtë kontrollit. Mjerisht, ky nuk ishte një problem që do të zgjidhej kaq lehtësisht.
Sikundër Amri i tha Muavijas kur i propozoi zgjidhjen nëpërmjet ndërmjetësimit, përfundimi kishte shkaktuar më shumë amulli mes njerëzve. Autoriteti i kalifatit sapo kishte marrë një goditje të re.
Ata që deklaronin se Zoti është gjykatësi më i mirë, tashmë po braktisnin Aliun, të cilit i kishin shërbyer për vite të tëra. Për më tepër, disa prej tyre kishin krijuar një front të ri kundër tij. Ky grupim i ri provokonte njerëzit duke u pyetur pyetje të tilla si:
“A nuk është mosbesim të hedhësh poshtë vendimin e gjykimit të përfaqësuesve?”
Ata që u përgjigjën me “jo”, humbën kokat e tyre.
Aliu mori lajmin se Abdullahu tok me bashkëshorten e tij ishin vrarë nga këta rebelë harixhi. Abdullahu ishte i biri i Habab ibni Eretit, një sahab i çmuar që kishte qenë shok i dashur i Aliut dhe përkrahës i përkushtuar i Profetit në ditët e para. Imami ishte shkatërruar nga ky lajm. Rebelët harixhi e kishin kapur Abdullahun së bashku me bashkëshorten dhe u kishin lidhur duart për t’i marrë në pyetje. Abdullahu nuk devijoi aspak nga e vërteta, pikë së pari transmetoi një hadith që kishte dëgjuar nga i ati. Ishte një hadith që shpjegonte situatën ekzakte në të cilën ndodhej aktualisht. Profeti Fisnik paqja dhe bekimi qofshin mbi të ka deklaruar:
“Do të ketë përçarje djallëzore! Atë ditë, ata që do të qëndrojnë ulur do të jenë më të bekuar se ata që rrinë ngritur, teksa ata që do të qëndrojnë ngritur, do të jenë më të bekuar se ata që do të ecin, ndërsa ata që do të ecin, do të jenë më të bekuar se ata që do të vrapojnë.”
Dukej sikur këto fjalë nuk nënkuptonin asgjë për ta teksa e pyetën lidhur me Kalifin Ali.“Ai është i bekuar”, - u gjegj Abdullahu. Rebelët harixhi nuk qenë të kënaqur me përgjigjen e tij kështu që e tërhoqën zvarrë Abdullahun dhe bashkëshorten e tij për në një tjetër vend. Kjo ishte tepër ironike pasi gjatë rrugës ata panë një prej shokëve të tyre duke ngrënë fruta nga një pemë. Ata ndaluan dhe i bërtitën: “Si mund ta hash atë frutë? A ke paguar për të apo kërkuar leje nga pronari i tij? Është haram!”
Ironikisht, këta njerëz krejt paradoksalë, të cilët ishin jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj parimeve fetare, ishin në prag të therjes së dy myslimanëve që kishin pikëpamje të ndryshme me të tyret. Shoku i tyre e hodhi tej frutën dhe kërkoi menjëherë falje nga Zoti.
Pa kaluar shumë kohë, ata vranë Abdullahun, teksa bashkëshortja e tij shikonte e terrorizuar dhe në agoni të plotë. Kjo grua e pafajshme ulërinte në dhimbje: “Jam shtatzënë! Frikësojuni Zotit, të paktën për hir të foshnjës sime!” Të gjitha lutjet e saj për lehtësim ishin të kota, pasi ata e martirizuan atë sikundër edhe bashkëshortin e saj. Për më tepër, ata i çanë barkun dhe i vranë edhe fëmijën.”
Jo shumë kohë më parë, këta persona ishin pasues të Aliut, dhe morën pjesë në beteja krah për krah me të. Sikur të mos mjaftonte ajo që bënë, ata deklaruan se si Aliu ashtu edhe kampi kundërshtar ishin të gjithë së bashku në mosbesim. Ta deklarosh jobesimtar një njeri si Aliu, të cilit vetë i Dërguari Fisnik i kishte dhënë sihariqin e parajsës që në këtë botë, ishte diçka e tepruar. Aliu ishte dhëndri i dashur i Profetit, ishte udhëzuesi i dijetarëve, pronari i Dhulfikarit. Luani trim i fushave të betejës po etiketohej si i pafe!
Kjo nuk ishte një çështje me të cilën mund të bëje shaka, pasi vetë i Dërguari Fisnik i kishte paralajmëruar besimtarët për sjellje të tilla; akuza të tilla si këto gjithmonë e kanë gjetur objektivin e tyre. Nëse personi i akuzuar si i pafe ishte i pafajshëm, atëherë akuza rikthehet tek akuzuesi. A nuk e kishte parashikuar Profeti çdo gjë që po ndodhte? Ai i kishte paralajmëruar se një ditë njerëzit do të devijonin nga feja teksa gjoja do të vepronin në emër të saj?
Pak më vonë, lajmi për vrasjen e Abdullahut dhe bashkëshortes së tij mbërriti në veshët e Aliut. Ç’vrasje barbare ishte kjo kështu? Shpatat e përdorura me qëllime të tilla djallëzore do të kishin marrë shumë jetë njerëzish, veçanërisht nëse autorët deklaronin se e bënin këtë në emër të Zotit.
Gjendja ishte tepër kaotike. Në njërën anë ishte një flamur i frikësuar që duhej të transportohej në të katër anët e botës; ky ishte flamuri që Profeti Fisnik kishte mbajtur që prej ngjitjes në shpellën e Hirës! Në anën tjetër, ishin ata që vendosnin mënjanë çështjet e rëndësishme për të filluar një gjueti shtrigash. Ekstremistët harixhi kishin marrë kontrollin e rrugëve. Ata pretendonin se ishin myslimanë. Në jetën e tyre të përditshme, ata ishin shumë të ndjeshëm kundrejt parimeve të fesë, madje veprimet e jetës së përditshme i kryenin sipas gjykimit të Librit të Shenjtë.
Mirëpo, disiplina e tyre e ashpër nuk kufizohej vetëm këtu. Ata nuk ia kishin idenë çështjeve të kësaj bote dhe shoqërisë gjithnjë në ndryshim. Ky ishte rezultat i dështimit në njohjen e nevojave dhe të qenit të paaftë për të dalë me zgjidhje të arsyeshme. Dhe më e keqja e të gjithave, ishte fakti se ata besonin që ishin të vetmit që e kuptonin Librin e Shenjtë.
Aliut i ngriu gjaku me të dëgjuar lajmin, nuk dinte çfarë të bënte dhe kundër kujt supozohej se po luftonte. Ai ishte pushuar nga detyra e kalifit në publik. Aliu mund të mënjanohej dhe të thoshte se kjo gjendje nuk e shqetësonte më, pasi ai nuk ishte më një kalif në sytë e popullit, por vetëm një qytetar i zakonshëm në mesin e myslimanëve.
Por, ai nuk mund ta bënte këtë. Si mundej një luan trim, i cili ishte rritur nga vetë i Dërguari Fisnik, të qëndronte mënjanë dhe të shikonte shkatërrimin e komunitetit nga largësia? Pa dyshim, ata që e kishin rrëzuar Aliun sot mund të rrëzonin edhe kalifët e së ardhmes. Atëherë nderi i kalifatit do të shndërrohej në një lojë të cilën njerëzit do ta luanin si të dëshironin. Ai kujtoi një pohim që i kishte bërë të birit, Hasanit, gjatë ekspeditës në Xhemel, ku përballeshin me Zubejrin, Talhan dhe Aishen. Asokohe, Aliu i tha të birit:
“Nëse unë lë gjithçka pas dhe rikthehem në shtëpi, ky do të ishte një akt tradhtie ndaj bashkësisë islame!”
Aliu nuk ishte i vetmi person që ndjehej jashtëzakonisht keq me zhvillimet negative. Kishte edhe individë të tjerë të cilët kishin refuzuar t’u bashkoheshin atyre gjatë incidenteve të Xhemelit dhe Sifinit. Ata nuk kishin dëshirë të luftonin kundër myslimanëve. Njëri prej tyre ishte edhe Abdullah ibni Omeri r.a., i cili, kur e thërriti Aliu, u përgjigj:
“Unë i jam betuar Zotit se kurrë nuk do t’i drejtoj shpatën një personi që thotë fjalët ‘La ilahe il’lallah, Muhammedun Resulullah’.”
Kur Muavija dëgjoi që Abdullahu kishte refuzuar ftesën e Aliut, ai i dërgoi një lajmëtar, duke e ftuar që t’i bashkohet frontit të tij. Këto ishin zhvillime të pabesueshme, rebelimi ishte i tejskajshëm. Abdullahu u gjegj aty për aty:
“Më lejoni që përmbledhtazi t’ju them këtë; dyshoj se dëshironi të më tërhiqni në krahun tuaj ngase keni dëgjuar se kam refuzuar t’i bashkohem ushtrisë së Aliut. Betohem në jetën time se kurrë nuk munda ta arrij thellësinë e besimit të Aliut dhe hapësirën e tij të pafund në lidhje me hixhretin. Po ashtu, unë kurrë nuk munda të arrij të jem aq i afërt sa ai me të Dërguarin Fisnik dhe trimërinë që ai shfaqi në beteja. Fatkeqësisht, unë i kam bërë një premtim të Dërguarit fisnik në lidhje me këtë, dhe kjo është arsyeja pse unë nuk iu bashkova atij. Kështu që hiqi duart nga unë dhe mos ushqe shpresa të rreme.”
Ky sahab i madh, biri i kalifit fisnik, Omer ibni Hatabit r.a., me keqardhje tha mes lotësh se:
“E vetmja gjë për të cilën më vjen keq në jetën time është që nuk munda të luftoj përkrah Aliut kundër të gjitha kryengritjeve të djallëzore.”
Gjithçka ishte e qartë si kristali; Profeti Fisnik e kishte përgatitur Aliun për ditë të tilla të vështira dhe kishte paralajmëruar secilin pranë tij lidhur me zhvillimet e ardhshme. Nëse nuk kishte prova të tjera për drejtësinë e Aliut, Amari ishte një nga sahabët e parë i cili ia kishte kushtuar jetën e tij shërbimit ndaj Profetit, dhe që ra dëshmor teksa luftonte për Aliun. Shumë vite më parë, Profeti Fisnike kishte tërhequr mënjanë Amarin dhe i kishte thënë:
“Ndjej keqardhje për ty Amar! Ti do të biesh dëshmor nga një grup rebel dhe agresiv!”
Shënimet
- 86.Tahkim do të thotë të thotë të vendosësh një mosmarrëveshje mes dy palëve për arbitrazh të përputhje me Kuranin. Në situatat e konfliktit, një arbitër gjykimi i të cilit gjykohet autoritativ do të zgjidhet nga të dyja palët për të gjykuar dhe vendosur në lidhje me mosmarrëveshjen.
- 87.Ibn Kethir, el Bidaje ue’n Nihaje, 7/273.
- 88.Ky grup i ri që u formua nën emrin e harixhive, e ndau veten nga rrjedha e Islamit. Ata ishin një grup radikal dhe reaksionar, i cili ishte i vendosur për krijimin e një shoqërie ideale nëpërmjet përdorimit të dhunës.
- 89.Sheukani, Nejlu’l Eutar , 7/350.
- 90.Kishte shumë sahabë të tjerë, të tillë si Abdullah ibn Selam, Usame ibn Zejd, Sa’d ibn Ebi Vakas, Ebu Ejub Ensari, Ebu Hurejre dhe Muhamed ibn Mesleme, të cilët refuzuan të luftojnë kundër myslimanëve, edhe pse të gjithë mbështetën kalifin Ali. Shiko Halid Muhammad Halid, Fi Rihabi Ali, Daru’l Maarif, p.152; Sallabi, Ali ibn Abi Talib, p.468.
- 91.Ibn Abdil Berr, Istiab, 3/1117.
- 92.Dhehebi, Siyeru’l A’lami’n Nubala, 3/232.
- 93.Hakim, Mustedrek, 2/162 (2653).