REALITETE TË DHIMBSHME DHE PARAJSA
Kalifi Ali Zoti qoftë i kënaqur me të ndjeu tek iu prenë krahët me të dëgjuar lajmin për turmën e madhe, përfshirë Aishen, Zubejrin dhe Talhanë Zoti qoftë i kënaqur me ta, teksa ishin mbledhur për të kërkuar drejtësi të menjëhershme për vrasjen e Osmanit. Ai tha:
“A ia keni idenë se me kë po sprovohem unë? Me Aishen - më të bindurën e të gjitha qenieve njerëzore, me Zubejrin - më të rreptin, me Talhan - më gjeniun, dhe me Ja’lën - më bashkëpunuesin…”
Pa humbur kohë, ai u dërgon Ka’ka ibni Amrin si lajmëtar. Ai kërkonte t’i bindte ata sa më parë të ishte e mundur, pasi mund të parashikonte çfarë mund të ndodhte. Aliu duhej ta zgjidhte problemin para se të bëhej i pazgjidhshëm. Ka’ka erdhi tek Aishja dhe e pyeti me mirësjellje se përse kishin ardhur.
“Për të vendosur paqe mes njerëzve!”, - u përgjigj Aishja.
Në vijim ai u bëri të njëjtën pyetje edhe Zubejrit dhe Talhas. Përgjigjja e tyre nuk ndryshonte nga e Aishes. Me të dëgjuar këto përgjigje, ai i pyeti tok:
“Dhe si keni ndër mend ta arrini këtë?”
“Duke gjetur dhe ndëshkuar vrasësit e Osmanit”, - thanë ata.
Ka’ka mori ekzaktësisht të njëjtën përgjigje që priste, kështu që iu gjegj:
“Le të supozojmë se ju i vratë vrasësit nga Basra. A do të ndiheni më mirë pasi t’i vrisni këta njerëz? Në këtë konflikt, juve do t’ju duhet të vrisni 600 njerëz dhe më pas 600 të tjerë kanë për të mbushur rrugët. Ju dëshironi të ndëshkoni vetëm vrasësin e Osmanit, Harkus ibni Dhuhejrin. Mirëpo, nuk do të arrini ta kapni pasi gjashtëmijë njerëz e mbrojnë duke pretenduar se janë ata vrasësit e Osmanit. Në këtë situatë, a nuk duhet t’i jepni Aliut një mundësi që t’i gjejë zgjidhjen kësaj çështjeje? Pa dyshim që edhe ai dëshiron ta ndëshkojë vrasësin e Osmanit, por pikë së pari, ai dëshiron të vendosë rregull. Pastaj, ai patjetër që do ta kapë vrasësin dhe do ta ndëshkojë ashtu siç ai e meriton.” Në këtë pikë, Aishja ndërhyri:
”Na thuaj mendimin tënd personal mbi këtë çështje, Ka’ka!”
“Unë ju këshilloj të ruani qetësinë dhe të mos merrni vendime të pamenduara mirë. Përtërini zotimet tuaja ndaj Aliut dhe bëhuni figura kryesore të paqes dhe të drejtësisë, siç keni qenë edhe më parë. Mos lejoni këta nxitës të kaosit që të përfitojnë nga situata.”, - argumentoi Ka’ka.
Fjala e tij kishte qenë tejet emocionuese, dhe u duk sikur problemi po shkonte drejt një zgjidhjeje më paqësore. Ka’kaja u rikthye tek Aliu dhe i shpjegoi gjithçka kishte ngjarë. Me të dëgjuar lajmin, Aliu u gëzua jashtë mase. Atë e kënaqte fakti se problemi mund të zgjidhej pa qenë nevoja të derdhej gjak myslimani. Në ato çaste, nuk kishte më të lumtur se Aliu.
Teksa gjendja në Basra u qetësua, Aliu mendoi se mund të kthehej kah Damasku që të merrej me problemet e atjeshme. Ai urdhëroi ushtarët të përgatiteshin për udhëtimin që do të fillonte të nesërmen.
Ndërkohë, Aishja dhe ata që e shoqëronin mbërritën në rajonin e quajtur Heuab. Ata po ngrinin kampin, kur Aishja vuri re diçka interesante. Ajo stepi plotësisht kur dëgjoi lehjen e qenve aty pranë. Dukej sikur kishte një mister në fytyrë. Papritur, ajo pyeti:
“Ku ndodhemi?”
“Në Heuab.”, - i thanë.
Me të dëgjuar këtë, Aishja filloi të dridhej. Secili që gjendej aty u habit nga reagimi i saj. Të gjithë donin të dinin pse nëna e besimtarëve u soll në atë mënyrë. Të gjithë ia ngulën sytë fytyrës së saj të penduar, teksa ajo tha:
“Pasha Zotin! Unë jam ajo të cilën i Dërguari i Zotit e paralajmëroi lidhur me qentë e Heuabit!”
Asnjë nuk ia kishte idenë ç’po ngjiste, e ç’kuptim kishin ato fjalë. Të gjithë po prisnin me kureshtjeje për një shpjegim. Aishja tha:
“E kam dëgjuar të Dërguarin e Zotit tek u thoshte anëtarëve të familjes, ‘çfarë do t’i ndodhë njërit prej jush kur qentë e Heuabit fillojnë të lehin’?”
Përveç kësaj, sipas nënës sonë Umu Seleme, një ditë i Dërguari i Zotit kishte theksuar se një nga gratë e tij më të pastra do të nisej për një udhëtim të tillë. Me ta dëgjuar këtë, Aishja buzëqeshi. Profeti Fisnik më pas tha: “Hap sytë Humejra (Aishe)! Sepse ky person mund të jesh ti!”
Fjalët e tij fisnike tingëllonin shumë të qarta tani. Aishja e zbuloi misterin. Kjo ishte arsyeja se pse Aishja u shqetësua kaq shumë me të dëgjuar lehjen e qenve në Heuab. Ajo kishte kujtuar deklaratën fisnike.
Ajo ndjeu tek i rrëqethej mishi.
“Drejt ke folur, o i Dërguari i Zotit”, - mendoi me vete. Me të vërtetë kjo ishte dita kur dëgjoi qentë e Heuabit tek lehnin dhe fatkeqësisht ajo ishte nisur për një rrugëtim të tillë.
A mund ta injoronte nëna e myslimanëve një realitet të tillë? Pa dyshim që jo! Aty për aty, ajo thirri Zubejrin, dhe qetësisht i tha se duhej të ktheheshin pas, menjëherë.
Megjithatë, kaderi kishte rezervuar të tjera gjëra për ta. Një ushtri po lëvizte drejt tyre. Një burrë mbi kalë kalëroi për në kampin e tyre dhe i gënjeu duke u thënë se Aliu po vinte me ushtrinë e tij. Burri i cili ishte caktuar për të provokuar dhunën kërkonte dëshpërueshëm ndihmë. Ai i bëri të besojnë se ushtria e Aliut u kishte ngritur pusi. Në fakt, grupi i burrave që u kishte ngritur pusi ishte i njëjti njëmijëburrësh që deklaronin se kishin vrarë Osmanin. Në errësirën e natës, ata menduan se ishte ushtria e kalifit Ali që i kishte sulmuar.
Situata u transformua në atmosferë kaotike. Nuk kishte kthim prapa pasi ushtria u ishte afruar. Për më tepër, kishte nga ata që ndjenin se mund të përfitonin nga situata të tilla. Pa kaluar shumë kohë, filloi të qarkullojë lajmi për një sulm të ngjashëm kundër ushtrisë së Kalifit Ali. Papritur, në Xhemel u shfaq një skenë kaotike. Kishte përleshje, por kush po luftonte kë? Mjerisht, vëllezërit që besonin në të njëjtin Zot, në të njëjtin libër të shenjtë dhe në të njëjtin Profet, po derdhnin gjakun e njëri-tjetrit. Individët e të njëjtit komunitet të njësuar deri më tani kishin nxjerrë shpatat kundër njëri-tjetrit.
Ishte një situatë e tillë, në të cilën as këshillat e Aliut dhe as përpjekjet e Aishes për të vendosur paqe nuk patën efekt. Talha dhe Zubejri dëshpërimisht u rrekën t’i jepnin fund kësaj mosmarrëveshjeje të tmerrshme, por edhe përpjekjet e tyre dështuan. Çdo pikë gjaku e derdhur u copëtonte zemrat dhe çdo gjymtyrë e prerë i hante të gjallë.
Ç’lloj sprove ishte kjo? Nëse do të refuzonin të nxirrnin shpatat, do të vriteshin, ndërsa në anën tjetër, nëse do të merrnin pjesë në përleshje, do të derdhnin gjakun e vëllezërve të tyre. Në këtë pikë, Aliu vuri gjithçka në rrezik duke iu afruar vëllezërve të tij të kaderit. Dukej se ata ishin liderët dhe vetëm nëpërmjet tyre mund të zgjidhej kjo çështje.
“Talha! Zubejr!”, - thirri Aliu.
Dy trimat u shkëputën nga kampi kundërshtar dhe Aliu i foli fillimisht Talhasë:
“O Talha, si munde ta lësh familjen tënde në shtëpi dhe të marrësh familjen e Profetit Fisnik në fushën e betejës?”
Miqtë thonë gjithmonë të vërtetën dhe e vërteta ndonjëherë të dhemb. Talha nuk u përgjigj. Ç’lloj përgjigje mund të jepje kundrejt një argumenti të tillë?
Më pas Aliu iu kthye Zubejrit:
“O Zubejr! E kujton ditën kur ti ishte më të Dërguarin Fisnik dhe unë ju bashkova juve? Ti buzëqeshe teksa unë afrohesha dhe Profeti Fisnik të pyeti: ‘A e do Aliun?’ Dhe ti u përgjigje: ‘Po!’ Më Pas Profeti Fisnik tha: ‘Fatkeqësisht, një ditë ju do të silleni ashpër kundër tij, do të keni mosmarrëveshje dhe do të luftoni kundër tij!”
Zubejrit iu përmbys bota në moment. Kjo ishte fuqia e fjalës. Gjithçka thoshte Aliu ishte e vërtetë.
“Ti the të vërtetën, o Ali! Më kujtove diçka të cilën e kisha harruar”, - tha i turpëruar Zubejri. Hodhi shpatën përdhe dhe u largua nga fushëbeteja. Në anën tjetër, Talha tashmë kishte marrë të njëjtin vendim, dhe sakaq u largua.
Një tjetër faktor që ndikoi në vendimin e Talhas dhe Zubejrit për të ulur shpatat ishte fakti se ata panë një tjetër sahab në anën e Aliut. Sahabi ishte Amar ibni Jasiri r.a., ç’ka u solli ndërmend një ndodhi të rëndësishme të kohës së Profetit Fisnik. Një ditë, i Dërguari i Zotit i tha Amarit:
“Më vjen keq për ty Amar! Ti do të biesh dëshmor nga një grup kryengritës, të cilët do të jenë shumë agresivë!”
Kjo ishte dita që Amari qëndronte përkrah Aliut. Përveç Amarit, Aliu kishte edhe Hindin në krahun e tij; ai ishte një person që ishte rritur nga Profeti dhe kishte qenë përkrah me të që në ditët e para të profetësisë.
Pa kaluar shumë kohë, Aliu shikoi se sikundër Amari, edhe Hindi kishte rënë dëshmor. Kjo i shkaktoi pikëllim të madh, porse ai gjithashtu kuptoi se kishte qenë në anën e duhur; kështu që falënderoi Zotin që ia kishte falur këtë mundësi. Ardhja në fushëbetejë ishte e lehtë, por kthimi nuk ishte edhe aq. Fati hyjnor kishte të tjera plane si për Talhan, ashtu edhe për Zubejrin. Zubejri ra dëshmor tek kthehej në qytet nga një grup kryengritësish që i kishin ngritur pusi, ndërsa pak pas vdekjes së tij, Talha u qëllua nga një shigjetë fatkeqe.
Tërheqja e tyre nga fushëbeteja nuk qe kapërdirë dot aq lehtë nga ata që e ushqenin kaosin. Tashmë nuk kishte më liderë në forcat e Basras; si Talha ashtu edhe Zubejri kishin rënë dëshmorë. I vetmi person që kishin, ishte Aishja, e cila u ul në dhomëzën e saj të vendosur mbi një deve. Ata e rrethuan si të ishin duke bërë tavaf përreth Qabes. Ndodhia rreth devesë vazhdoi të përshkallëzohej (prej së cilës e merr emrin edhe lufta – Incidenti i Xhemelit – Devesë). Ata dëshpërimisht po përpiqeshin të rifitonin qetësinë, çka tregonte për një rrezik më të madh. Atypëraty, Aliu thirri Muhamedin, vëllanë e Aishes, të cilit i kërkoi t’i dërgonte një mesazh asaj, ku i propozonte që të merrej në një vend të sigurt. Vendimi i përkiste Aishes; Ajo mund të zgjidhte të rikthehej në Mekë ose të shkonte në Medinë. Aliu e siguroi Muhamedin se nëna e myslimanëve do të mbrohej me kujdesin më të veçantë. Incidenti i Xhemelit ishte drejt fundit, mirëpo kjo ishte një periudhë në të cilën mund të bëheshin të tjera gabime. Për këtë arsye, Aliu u kthye kah ushtarët e tij dhe tha:
“Mos gjurmoni për robër lufte, tregoni mëshirë ndaj të plagosurve, dhe mos mendoni të mblidhni plaçkë lufte. Le të mos harrojmë, kushdo që çarmatoset dhe mbyll derën duhet të jetë i sigurt!”
Ata e kishin marrë këshillën nga imami, kështu që nga ai moment e në vazhdim argjendi dhe ari nuk kishte asnjë vlerë për ta. Ata madje as nuk ua hodhën sytë! Disa prej tyre menduan: “Nëse pasuria e tyre nuk është e lejuar për ne, atëherë a ishte e ligjshme të luftonim me ta?”, pasi nuk mund ta shpjegonin ndryshe gjithë atë gjak që ishte derdhur. Ky ishte gjaku i vëllezërve të tyre.
Imam Aliu përsëriti: “Si mund të zihet rob lufte një besimtar?” duke u dhënë më shumë arsye për të rishikuar pozicionin e tyre. Aliu u dha një mësim të vlefshëm duke vënë në pah faktin, se nëse Aishja, nëna e myslimanëve, do të binte robëreshë lufte, kush do të kishte zemër ta burgoste? Ky ishte një mospajtim për të cilin asnjë nuk kishte menduar deri në atë çast.
Tek Aliu mbërriti Amr ibni Xhurmuzi, i cili kishte vrarë Zubejrin, një njeri të cilin Profeti e kishte quajtur “Apostulli im”. Ai kërkoi leje për t’u futur në seli, dhe për sa kohë kishte vrarë dikë nga kampi kundërshtar i Aliut, besonte se do të përshëndetej si hero. Ai priste që kalifi ta përgëzonte, mirëpo Aliu ulëriti si luan: “Pra, ti je ai që mban shpatën e Zubejrit!”
Amri u trondit dhe nuk arriti të kuptonte sjelljen e Aliut. Papritur kalifi i mori shpatën e Zubejrit, e ngriti në ajër duke e mbajtur me të dyja duart dhe më pas me pasion e çoi tek buzët dhe filloi ta puthte me pikëllim. Në këto momente, Aliut i dolën lot, të cilat i rrodhën poshtë faqeve.
“Pronari i kësaj shpate, e ka mbrojtur me pasion të Dërguarin e Zotit paqja e Allahut qoftë mbi Të kundrejt të gjitha rreziqeve”, - tha ai.
Më pas me zemërim u kthye kah vrasësi i Zubejrit dhe bërtiti:
“O vrasësi i djalit të Safijes! Shpërblimin për këtë do ta marrësh në Xhehenem!”
Teksa linte selinë e udhëheqësit nga i cili priste përgëzime, ai murmuriti:
“Është e pamundur t’ju kuptoj. Unë vras armikun tuaj, dhe ju më shpërbleni me Xhehenem!”
Këtu Aliu duhej të dyluftonte me njerëz që i kishte njohur përgjatë të gjithë jetës. Disa syresh ishin sahabët e tij të dashur me të cilët kishte ndarë shumë vështirësi gjatë ditëve të dëshpërimit. Mirëpo, në këtë situatë, parimet e fesë vinin para miqësisë. Kalifi derdhi lot edhe për ata që dhanë jetën në anën e kundërt, si dhe mori pjesë në funeralet e të gjithë atyre që mundi të arrinte.
Shënimet
- 74.Ibn Hajar, Fathu’l-Bari, 13/55.
- 75.Hakim, Mustedrek, 3/129 (4613).
- 76.Humejra, “grua e vogël me çehre të bukur, rozë”, ishte një epitet që Profeti ia kishte vënë bashkëshortes së tij të dashur.
- 77.Hakim, Mustedrek, 3/129 (4610).
- 78.Hindi ishte i biri i Hatixhes, të cilin e kishte me bashkëshortin e saj të parë, Ebu Hala.
- 79.Bejhaki, Sunenu’l Kubra, 8/181.
- 80.Ibn Kethir, el Bidaje ue’n Nihaje, 7/250; Huzai, Tahrixhu’d Dalaleti’s Sem’ijje, 1/551.