Aliu0%

NJË EPISOD PREJ HEROIZMIT TË TIJ

Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të ishte personi i parë që të vjen ndërmend kur përmendet trimëria në mesin e shokëve të Profetit. Ai ishte heroi që u dallua në çdo betejë ku mori pjesë, duke filluar që nga beteja e Bedrit.

Kur Zoti i Plotfuqishëm shpalli ajetet që dëshmonin vdekshmërinë e të Dërguarit të Zotit, sikundër të atyre që erdhën përpara tij, si dhe urdhëroi ndjekësit e tij të qëndrojnë në rrugën e drejtë pas vdekjes së Profetit, duke mos devijuar, ishte zëri i Aliut që u dëgjua nga radhët e komunitetit të hershëm mysliman: “Betohem në Zot, meqenëse është Ai, i Cili na udhëzoi në rrugën hyjnore, ne kurrë nuk do të devijojmë. Ne duhet të luftojmë në rrugën e Tij deri në vdekje, madje edhe nëse Ai bie dëshmor”.

Teksa kaderi i solli ata të gjithë tok në betejën e Hendekut tri vite më vonë, nuk kishte asnjë ndryshim në gatishmërinë dhe vendosmërinë e tij. Kundrejt betejave të mëparshme, Profeti Muhamed paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi Të kishte ndryshuar strategjinë e Tij të mbrojtjes. Ai kishte urdhëruar gërmimin e hendekëve përreth qytetit. Plani i tij ishte ta frenonte armikun pa mbërritur në kufijtë e e vendndodhjes së Tij. Pavarësisht kësaj, disa ushtarë armiq arritën t’i kapërcenin këta hendekë. Në mesin e tyre ishte edhe një burrë i quajtur Amër ibni Abdiud. Ato ditë, ai mbante llagapin e njeriut që kishte forcën e një mijë burrave. Ai jo vetëm që kishte kapërcyer mbi hendek, por i ftoi myslimanët në dyluftim, duke ulërirë: “A ka ndonjë në mesin tuaj, që guxon të përballet me mua?”

Aliu i ri, i cili kishte mbathur parzmore, nuk mund të përmbahej më, andaj kërkoi leje nga Profeti Fisnik: “Më lejo të përballem me të, o i Dërguari i Zotit!”.

Profeti e dinte që nuk ishte e lehtë të mposhtje Amrin, prandaj u përgjigj: “Ky është Amri, kështu që rri aty ku je!” Siç duket, Profeti po priste për dikë që mund të krahasohej me forcën dhe përvojën e Amrit. Mirëpo, Amri vazhdoi të provokonte duke gërthitur akoma edhe më shumë: “Nuk paska asnjë burrë mes jush që të gjejë brenda vetes guximin për t’u përballur me mua? Ku është parajsa që besoni se mund të hyni si dëshmorë?”

Synimi i tij ishte t’i frikësonte myslimanët duke i shkurajuar. Aliut i ishte sosur durimi. Si mund të mbizotëronte zëri i një jobesimtari në fushën e betejës? Edhe një herë, Aliu iu drejtua Profetit Fisnik duke i thënë: “Lërmë të përballem me të, o i Dërguari i Zotit!” Megjithatë, Profeti vazhdoi t’i kërkonte t’i mëshonte vendit.

Atëbotë, Aliu u nervozua shumë. Ai dëshironte t’u jepte fund fyerjeve arrogante të Amrit një çast e më parë. Nuk mundi të përmbahej më, andaj tha: “Më lejoni të luftoj o Profet Fisnik, sepse unë kam në mendje dy skenarë të këndshëm. Nëse unë e mposht atë, ai do të shkojë në Xhehenem; nëse jam unë ai që humbet, unë do të shkoj në Xhenet!”

Ja, ky është mishërimi i një besimi të fortë. Kur ishte e nevojshme, ai e tregonte se ishte i gatshëm për të dhënë jetën në udhë të çështjes së Zotit. Megjithatë, qëllimi i tij nuk ishte të bëhej një pre e lehtë për Amrin. Përkundrazi, qëllimi i tij ishte ta dërgonte Amrin në skëterrën që ai meritonte.

Nga ana tjetër, Amri ishte në sulm. Vetëbesimi i tij u rrit në momentin që asnjë nga të atyndodhurit nuk pranoi ta sfidonte. Ai recitoi poezi me nënkuptime fyese dhe përqeshi myslimanët me gjithfarë fjalësh poshtëruese.

Një kryeneçësi e tillë duhej të trajtohej në mënyrën që meritonte. Edhe një herë, Aliu ulëriti si luan duke kërkuar leje. Mjerisht, përgjigjja e të Dërguarit ishte e njëjtë. “Ai është Amri!”, - tha Profeti Fisnik, duke paralajmëruar Aliun, fjalë të cilat ia kujtonin edhe njëherë reputacionin e kundërshtarit të tij.

Megjithatë, Aliu ishte i qartë me mendjen e tij. Sipas tij, askush nuk kishte të drejtë të vepronte në një mënyrë të tillë në praninë e Profetit Fisnik. Ata që guxonin duhej të ndëshkoheshin në përputhje me rrethanat, në mënyrë që t’u dërgohej mesazh edhe keqbërësve të së ardhmes. Këtë herë, Aliu u ngrit në këmbë dhe iu përgjërua: “Edhe pse është Amri, më lejo të luftoj, o i Dërguari i Zotit!”

Ndoshta besimi i Aliut ishte mjaftueshëm i fortë për të mposhtur forcën e Amrit. Kështu që i Dërguari Fisnik u dorëzua përballë këmbënguljes së tij dhe i dha leje për të luftuar.

Aliu, pa humbur kohë, i doli përballë Amrit. Amri pyeti se kush ishte ai dhe pasi dëgjoi se kush ishte ai, u bë akoma më i pacipë, duke bërtitur në mënyrë që të shtojë frikën tek kundërshtari: “ O bij të Menafit! O bir i vëllait tim! A nuk mundët të gjenit dikë më të madh në mesin e xhaxhallarëve tuaj për të më sfiduar?! Nuk do marr aspak kënaqësi nga derdhja e gjakut tënd!”

Fjalët ishin magjike në thelb, dhe Aliu dëshironte t’i shfrytëzonte në mënyrën më efikase. Ai kishte kryer me sukses lëvizjen e parë. Amri, në anën tjetër, turfullonte me tërbim. Me shpejtësi filloi të vërtiste shpatën. Goditjet erdhën në mënyrë aq të shpejtë saqë nga mburoja e Aliut u përhapën shkëndija.

Mirëpo, këtë herë kundërshtari i Amrit ishte Aliu, ai luan trim. Papritur, dhe për habinë e të gjithëve, Aliu e mundi Amrin me një lëvizje të mrekullueshme. Të gjithë ia ngulën sytë njëri-tjetrit me fytyra të tronditura. Trupi i pajetë i legjendarit Amr ra përdhe. Kush mund t’i dalë para këtij të riu që mposhti Amrin me kaq lehtësi? Ndërkohë që myslimanët filluan të brohorisnin Allahu Ekber - Zoti është më i madhi, Profeti fisnik mori frymë i lehtësuar. Aliu më në fund e dërgoi Amrin në vendin e përjetshëm, të cilin Allahu e kishte caktuar për të; këtë asnjë nuk e vinte në dyshim. Lajmi që erdhi me fjalët Allahu Ekber ishte pritur me durim nga të gjithë ata që po luteshin për fitore. Aliu buzëqeshi teksa iu afrua Profetit Fisnik. Duke parë këtë, Omer ibn Hatabi pyeti:

“Pse nuk e more parzmoren e tij? Asnjë në mesin e arabëve nuk ka parzmore më të mirë.”

“Më erdhi turp t’ia hiqja parzmoren”, - iu përgjigj Aliu.

Kush ishte Aliu, ky hero i njëmendtë i shpirtit të bujarisë? Ku është rritur, dhe ç’edukim mori? Cilat ishin dinamikat që e formësuan Aliun? Ç’lloj të ardhmeje kishte rezervuar kaderi për të? Le të analizojmë tani jetëshkrimin e tij dhe të zbulojmë se çfarë e ktheu atë një model për të gjithë ne...

Shënimet

  1. 2.Hakim, Mustedrek, 3/136 (4635).
  2. 3.Bijtë e Menafit ishin pasardhësit e Abdi Menafit, i cili ishte katragjyshi i Profetit dhe lider i kurejshëve.