MJEDISI KU U RRIT
I ati quhej Abdi Menaf ibni Abdulmutalib, ndryshe Ebu Talib, ndërsa e ëma, Fatima binti Esed. Ai ishte lindur në Qabe, 30 vjet pas incidentit të elefantëve. Gjyshi i tij, Abdulmutalibi, ishte një nga udhëheqësit më të respektuar të Mekës. Familja Mutalib përfaqësonte një tablo njësimi me Qaben. Mbase, kjo është arsyeja se pse ai ishte fëmija i parë dhe i vetmi që lindi në Qabe. Asnjërit, as para dhe as pas tij, nuk iu atribuua një nder i tillë.
E ëma mendonte se “Hajdar” çka do të thotë “Luan”, do të ishte emri më i përshtatshëm për të, por i ati, Ebu Talib, e quajti Ali. Ebu Talibi ishte njëkohësisht edhe xhaxhai i Profetit. Babai i Profetit kishte vdekur para se Muhamedi paqja dhe kënaqësia e Zotit qofshin mbi Të të kishte lindur, pasuar nga nëna e Tij, vetëm kur ai ishte veç gjashtë vjeç. Muhamedi i ri ishte jetim tani, dhe sipas dëshirës së gjyshit Abdulmutalib, ai do të rritej nga xhaxhai, Ebu Talibi. Për këtë arsye, ata jetuan në të njëjtën shtëpi. Para se të vdiste, Abdulmutalibi e kishte tërhequr mënjanë djalin e tij, Ebu Talibin dhe i kishte thënë: “O Ebu Talib! E shikon këtë (birin tim), statusi i tij është tepër i rëndësishëm. Mos lejo që ta prekë as e keqja më e vogël.”
Nga kjo kohë kishin kaluar shumë vite, dhe më i Besueshmi mes qenieve njerëzore ishte rritur. Ai tanimë mund t’i bashkohej xhaxhait në udhëtime tregtare. Përmes këtyre udhëtimeve ai takoi Hatixhen, derisa mandej u martua me të. Pas martesës me Hatixhen, i Dërguari Fisnik u largua nga shtëpia e Ebu Talibit, por ai ishte njeri i besnikërisë, kështu që vazhdimisht vizitonte shtëpinë e xhaxhait për të pyetur nëse familja kishte nevojë për ndonjë gjë. Rreth kësaj kohe, lindi djali më i vogël i Ebu Talibit, Aliu.
Në Mekë kjo përkoi me periudhën e skamjes. Edhe familja e Ebu Talibit ishte prekur nga mungesa e ushqimit. Ata po kalonin kohë të vështira dhe Profeti Fisnik paqja dhe bekimi qofshin mbi Të ndjehej thellësisht i shqetësuar për gjendjen e tyre. Duke dashur ta ndihmonte, ai shkoi tek xhaxhai tjetër, Abasi, dhe i tha: “Pse nuk merr përgjegjësinë për një prej fëmijëve të tij dhe unë për të tjerët.”
Zgjidhja e Profetit të mëshirshëm ishte tepër e arsyeshme dhe Abasi e pranoi gjithë gëzim këtë propozim. Ata shkuan me ngut tek Ebu Talibi dhe tok së bashku e bindën të pranonte propozimin e tyre. Ebu Talibi u emocionua shumë nga propozimi prekës i nipit të tij, teksa kujtoi ditën që i kishte ardhur në shtëpi si jetim. Ai kuptoi sa i drejtë kishte qenë vendimi i tij, kur mes të gjithë vëllezërve të tjerë, ishte ai i cili mori përgjegjësinë për Muhamedin e vogël. Ai tha se vëllai i madh i Aliut, Akili mund të qëndrojë me të, porse ata mund të merrnin përgjegjësi për të tjerët. Xhaferi u mor nga Abasi, ndërsa Aliu shkoi me Profetin Muhamed paqja dhe bekimi qofshin mbi Të. Në atë kohë, Aliu ishte vetëm pesë vjeç.
Nga kjo ditë e në vazhdim, Aliu ishte nën mbikëqyrjen e Profetit
Fisnik paqja e Allahut qoftë mbi Të. Ai u rrit me moralin e të Dërguarit Fisnik në një marrëdhënie që do të zgjaste për pesë vjet, deri në ditën që Muhamedit, paqja dhe bekimi qofshin mbi Të, iu dha misioni i profetësisë. Ky bashkim e mbrojti Aliun nga papastërtitë e injorancës dhe e përgatiti si udhëzues për një jetë të pastër. Në fakt, Aliu ishte një ndër të paktët njerëz që hapi sytë ndaj Islamit në një moshë aq të re. Në të vërtetë ai u rrit nga i Dërguari i Zgjedhur, i Cili e kishte mësuar me mënyrën e Tij të sjelljes nga i Gjithëmëshirshmi dhe Mëshirëploti. Në këtë ambient të pastër, Aliu ishte i mbrojtur nga gjithë të këqijat e periudhës së injorancës, çka i mundësoi atij të zhvillonte një vullnet jashtë mase të fortë. Themelet e Aliut ishin tepër të shëndosha, por atë e prisnin shumë detyra sfiduese dhe situata të vështira.
Shënimet
- 4.Qëkur ushtria e Ebrehesë, udhëheqësit etiopas të Jemenit, solli disa elefantë me vete për të sulmuar Qaben në vitin 571 të erës sonë, fushata e tyre u njoh si Incidenti i Elefantëve, e cila përdoret si shënjues në historinë arabe.
- 5.Ibn Kethir, el Bidaje uen Nihaje, 2/281
- 6.Hejthemi, Mexhmau Zeuaid, 8/153.