VESHJA E PETKUT TË KALIFIT
Pas martirizimit të Osmanit, situata u përkeqësua. Rebelimet dhe konfliktet u shumëfishuan, duke hedhur hije të errët mbi qytet. Këto ishin kohët të cilat i Dërguari Fisnik i kishte përshkruar me detaje. Edhe pse Aliu dëshironte të largohej nga gjithçka, kaderi vendosi petkun e Kalifit mbi shpatullat e tij. Ishte një kohë në të cilën, për të vendosur paqen, popullit i duhej një lider brilant si Aliu. Allahu e kishte ruajtur këtë shpirt trim që ishte rritur pranë Profetit që të merrte përgjegjësinë e udhëheqjes së myslimanëve në kohë të tilla të problematike.
Aliu kishte qenë mbështetësi më i madh i tre kalifëve që kishin shërbyer para tij, dhe nuk kishte pritshmëri nga kjo botë kalimtare. E lëshoi veten në krahët e vetmisë, duke u endur si i mexhnun. Kishte rezerva të mëdha për të ardhmen dhe ishte tej mase i pikëlluar. E dinte se do të vinin tek ai, teksa pritmëritë e tyre ndaj kësaj bote ishin rritur.
Mirëpo, askush tjetër nuk mund t’u jepte fund mosmarrëveshjeve të vazhdueshme. Kur u mor në konsideratë për pozicionin e Kalifit, ai u rrek të qëndronte larg. Fatkeqësisht, as Talha, as Zubejri, as Sa’d ibni Ebi Uakasi dhe as Abdullah ibni Omeri nuk mund të merrnin përsipër një detyrë të refuzuar nga Aliu. Të gjithë sytë kërkonin atë. Aliu nuk mund të qëndronte larg për shumë kohë ngase duhej të falte xhumanë, kështu që përfundimisht duhej të vinte në xhaminë e Profetit. Atë ditë, ai u zgjodh kalif i myslimanëve me vendim të njëzëshëm. Aliu nuk kishte zgjidhje tjetër, pasi edhe liderët e komunitetit kishin ardhur dhe i ishin zotuar për besnikëri.
Përderisa detyra e rëndësishme iu besua atij, ai duhej të shërbente në mënyrën më të përshtatshme. Me të vërtetë, ishte e domosdoshme që Aliu të shkonte në Kalifat duke shfaqur përpjekjet e nevojshme për të mbajtur lart flamurin e Islamit.
Në të vërtetë, posti nuk nënkuptonte asgjë për të, sikundër tha edhe një i njohur:
“Aliu nuk kishte ç’të përfitonte nga posti i kalifit. Përkundrazi, posti i kalifit do të dekorohej me praninë e Aliut.”
Mjerisht, vrasësit e Osmanit qarkullonin lirshëm në popull, dhe një grup i madh personash fshihte identitetin e tyre. Për më tepër, ata erdhën tok së bashku dhe të gjithë njëzëri pretenduan se ishin vrasësit e Osmanit.
Kjo ishte një periudhë në të cilën përpjekjet për të shfuqizuar autoritetin ishin të shumta. Në rrethana të tilla trazirash, vënia nën kontroll e bandave të rrugës ishte e pamundur. Teksa ndërdyshja u përshkallëzua në selinë e kalifatit, rebelimi ishte përhapur edhe në rajonet administrative përreth.
Këto rajone kishin nevojë për vëmendje që në krye të herës, kështu që Aliu e nisi udhëheqjen e tij duke u marrë me guvernatorët. Ai emëroi guvernatorë të rinj në rajonet ku kishte probleme të qenësishme. Ata që paraqiteshin të plogësht dhe nuk i kryenin detyrat me efikasitet, u thirrën përsëri në administratën qendrore duke u zëvendësuar me gjak të ri. Guvernatorët e rinj të emëruar në Basra, Jemen, Kufe dhe Egjipt tashmë kishin filluar shërbimin e tyre. Mirëpo, Suhejl ibni Hunejfi, i dërguar me shërbim në Damask, ishte kthyer mbrapsht nga guvernatori i mëparshëm, Muavija, i cili kishte kundërshtuar emërimin e ri.
Ky ishte një tregues i ditëve të vështira që shtriheshin në horizont. Si fillim, Aliu i shkroi një letër Muavijes, në të cilën e ftonte atë në paqe. Mirëpo, ajo që pasoi tregoi se gjërat ishin më keq nga ç’dukeshin. Teksa hapi përgjigjen e Muavijes, Aliut i rrodhën lot. Ishte vetëm një fjali e vetme ku thuhej: “Nga Muavija, biri i Ebu Sufjanit, për Aliun, birin e Ebu Talibit!”
Një hije e zbehtë mbuloi fytyrën e Aliut pasi kjo nënkuptonte se kalifati i tij nuk njihej nga Muavija. Pa kaluar shumë kohë, lajmi i keq që erdhi nga Damasku rezultoi i vërtetë; Muavija po përgatiste një ushtri të madhe me qëllim që të marshonte kundër kalifit.
Në një tjetër zonë, nëna jonë Aishja ishte në Mekë për të kryer umren, kur dëgjoi se Osmani ishte rrëzuar dëshmor. Atë e përshkoi një ndjenjë e madhe trishtimi: Si mund të vritej aq mizorisht kalifi i të Dërguarit Fisnik nga banditët rrugaçë?
Gjithkush dëgjoi lajmin u mblodh përreth Aishes. Në mesin e sahabëve kishte pikëllim të madh. Sahabë të tillë si Talha dhe Zubejri kishin ardhur gjithashtu në Qabe për të kërkuar ngushëllim.
Gradualisht rrugët u kryqëzuan në Mekë dhe u mor vendim për të marrë hak ndaj atyre që kishin vrarë brutalisht Osmanin. Tashmë ishte mbledhur një grup i madh i cili kërkonte të lëvizte drejt Basrës. Qëllimi ishte i mirë, por kush do e merrte kontrollin e një grupi të tillë kaq të madh?
Ndërkohë, pas letrës që mori nga Muavija, Aliu kishte përgatitur një ushtri të madhe dhe marshoi drejt Irakut për të rivendosur autoritetin në vend. Ai ishte përgatitur duke supozuar se lëvizja e tij mund të përfundonte në betejë. Sipas Aliut, për sa kohë nuk kishte siguri në Damask, rajoni ishte një minë me sahat në prag të shpërthimit.
Në këtë gjendje, Aliu dëgjoi lajmin se Aishja, Talha dhe Zubejri ishin rrugës për Basra në krye të një grupi të madh, i cili kërkonte hakmarrje. Aliu u trondit dhe ngriu në vend me të dëgjuar lajmin. U zbeh në fytyrë. O Zot! Ç’sprovë ishte kjo? Aq e lehtë sa ç’ishte t’i provokoje turmat, aq e vështirë ishte t’i bëje zap ato. Turma të mëdha, të tilla si këto, mund të dilnin lehtësisht nga kontrolli.
Natyrisht, pikë së pari duhej të bindeshin personat që kishin lënë Mekën me qëllime të mira. Sigurisht që vrasësit e Osmanit si përfundim do të kapeshin dhe do të dënoheshin për krimin e tyre të pamëshirshëm, mirëpo duke qenë se aktualisht kishte trazira shoqërore, kalifi duhej të merrej më parë me vendosjen e rendit dhe të qetësisë. E për këtë Aliu kishte nevojë për kohë. Për më tepër, ekzistonte një sistem qeverisës i cili përfundimisht do të gjente fajtorët dhe do t’i dënonte. Ndërmarrja e veprimeve irracionale mund të përfundonte në katastrofë dhe mund të shkonin dëm shumë jetë njerëzish. Qëllimet e mira nuk mjaftonin për të zgjidhur problemet. Shpeshherë, informacioni i pamjaftueshëm vetëm sa i shtonte benzinë zjarrit.
Me të analizuar gjendjen në tërësi, teksa po lëvizte në drejtim të Irakut për të vënë nën kontroll rrezikun potencial në Damask, Aliu ndryshoi drejtim dhe marshoi në drejtim të Basrës.
Dy grupet e mëdha u takuan në Dhikar…
Shënimet
- 70.Hatib Bagdadi, Tarihu’l Bagdad, 1/135.