ALIU GJEN STREHË NË MBROJTJEN E ZOTIT
Përgjatë ditëve të kryengritjeve dhe trazirave sociale, disa vendosën që vendqëndrimi i Aliut duhet të ruhet kundër përpjekjeve të mundshme për vrasje. Aliu i shikoi njerëzit që po ruanin shtëpinë e tij dhe i pyeti pse po qëndronin aty. Kur ata i treguan qëllimet e tyre, Aliu iu gjegj:
“Po më mbroni prej këtyre në tokë, apo nga ata në qiell dhe përtej?”
Kalifi e dinte se pa qenë e shkruar në kader, askush mbi faqen e dheut nuk mund ta dëmtonte. Mirëpo, nëse kjo ishte koha e tij, ai nuk mund të mbrohej dhe kaderi do të vihej në vend.
Në një kohë që rebelimi dhe konfuzioni mbizotëronin në popull dhe Aliu vendosi ta zgjidhë problemin një herë e mirë, kishte nga ata që refuzuan të merrnin pjesë në luftime. Aliu vendosi t’u japë një paralajmërim të fuqishëm, dhe në fjalimin e tij tha:
“Turp për ju! Turp për Ju! Turp për qëndrimin tuaj që huton mendjen dhe shkatërron zemrën! Ata janë në rrugën e gabuar, por gjithsesi qëndrojnë të bashkuar. Pa shikoni njëherë ju veten tuaj! Megjithëse jeni në rrugën e drejtë, ju po përçaheni dhe po silleni si burracakë! Jeni kthyer në objektiva të qartë dhe shigjetat po bien shi mbi ju, dhe ende nuk po kundërpërgjigjeni. Ata po i rebelohen Zotit mu para syve tuaj, dhe ju ende nuk po bëni asgjë. O ju që vetëm nga jashtë dukeni burra! Ju nuk jeni asgjë tjetër veç dordolecë! Ju u ngjani atyre që vendosin aksesorë në këmbë! Pasha Zotin, ju i keni shkatërruar planet e mia me sjelljet tuaja të pabindura. Ma keni mbushur zemrën me dëshpërim dhe pikëllim. Zoti është dëshmitar se unë kam filluar të angazhohem në beteja kur isha vetëm njëzet vjeç. Tani jam mbi të gjashtëdhjetat. Ç’ka duhet dituria dhe përvoja nëse asnjëri nuk të dëgjon? A do të besonte njeri madje edhe nëse zotëron një mijë talente të ndryshme?”