Aliu0%

AFROHET KOHA E RIBASHKIMIT

Duke qenë se nga njëra anë përballej me rebelimin e pamëshirshëm të harixhive, ndërsa tjetra me përçarjen mes ushtarëve të tij, Aliu nuk pati mundësi tjetër veçse të rikthehej në Kufe. Ai ndodhej mes dy zjarreve që ishin ndezur nga brenda. Në njërin krah ishin ata që përdornin vrasjen e Osmanit si justifikim për të shtënë në dorë kalifatin, ndërsa në tjetrin ishin vrasësit e pamëshirshëm që pretendonin se gjithçka e bënin në emër të Zotit. Ata po hidhnin vazhdimisht slogane të tilla, si: “Nuk ka gjykim tjetër përveç gjykimit të Zotit”. Aliu ishte i rrethuar nga vrasës të cilët pretendonin se e bënin këtë në emër të xhihadit, e për më tepër, kishte përçarje mes ushtarëve të tij. Shpirti i bindjes ishte dëmtuar nga rebelimi. Për ironi, të njëjtët persona që këmbëngulnin që Ebu Musai të përballej me Amrin në arbitrazh, tanimë e akuzonin Aliun si të pafe. Atë ditë, përkundër sugjerimit të Aliut për Ibni Abasin, ata ushtruan trysni ndaj tij për të pranuar përfaqësimin nga ana e Ebu Musait.

Këto zhvillime të paparashikuara kishin lënë gjurmët e tyre tek Aliu. Vetëm një person që ishte rritur përkrah të Dërguarit Fisnik mund të durojë një rebelim dhe presion të tillë kaq të skajshëm. Mirëpo, Aliu mund ta parashikonte atë që do të ndodhte në të ardhmen e afërt, e kështu e kuptoi se fundi ishte afër. Ai tregoi me gisht nga mjekra dhe koka e tij kur tha:

“Ngjyra e kësaj mjekre do të kthehet në të kuqe nga gjaku që do të derdhet nga kjo kokë!”

Një person që dëgjoi komentet e Aliut tha:

“Nëse dikush tjetër do të kishte qenë në vendin e kalifit, do t’i kishte shkatërruar të gjitha familjet e këtyre vrasësve.” Kjo e mërziti Aliun, i cili u përgjigj:

“Frikësoju Allahut! Unë vetëm do t’i kërkoj kisas, reciprocitet personit që do të më vrasë!”

Aliu gjithmonë bashkonte ato çka kishte dëgjuar nga i Dërguari Fisnik me çështjet më të cilat përballej, e mandej përpiqej të gjente një zgjidhje. Një ditë, i Dërguari Fisnik e kishte marrë mënjanë dhe i kishte pëshpëritur se nuk do të vdiste si pasojë e shkaqeve natyrore, porse do të binte dëshmor. Ai i kishte thënë se gjaku që do gulfonte nga koka do t’ia ngjyroste mjekrën në të kuqe.

Në ditën e Uhudit kur dëshmorët kishin hapur krahët për të fluturuar drejt jetës së përjetshme, ata që ngelen pas përkulën kokat nga zhgënjimi. I Dërguari Fisnik vërejti zhgënjimin e Aliut dhe i tha:

“Martirizimi të pret në të ardhmen. Do ta shohim durimin tënd në ditën që gjaku që do të gulfojë nga koka, e do të ta ngjyrosë mjekrën në të kuqe”.

Kjo nënkuptonte që Aliu më në fund do të bekohej me martirizimin që nuk e arriti dot në Uhud.

Në një tjetër rast, i dërguari i Zotit pyeti:

“Kush ishin rebelët e fiseve të mëparshme?”

“Ata që therën devenë e profetit Salih”, - u përgjigj Aliu.

“Atëherë kush do të jenë rebelët e së ardhmes?”, - pyeti sërish Profeti.

“Nuk ia kam idenë, o i Dërguari i Zotit”, - iu gjegj Aliu.

I Dërguari Fisnik më pas bëri një gjest me dorën që drejtoi tek qafa e tij dhe tha:

“Ata që do të të martirizojnë ty në këtë mënyrë!”

Teksa kujtoi gjithë këto, Aliu humbi oreksin. Ai e kishte lëshuar veten në krahët e kaderit, dukej sikur priste me padurim ditën që do të bashkohej me Zotin e tij. Aliu ndaloi tek shtëpia e Hasanit dhe Hysenit për të ngrënë dy kafshata bukë në syfyr dhe do të agjëronte atë ditë. Kur e pyetën se pse po hante kaq pak, ai u përgjigj:

“Kur të më vijë vakti, nuk dëshiroj të shkoj tek Zoti me stomakun plot.”

Ai ishte i sigurt se kjo pothuajse ishte koha që duhej t’i jepte lamtumirën kësaj bote. Kur ne analizojmë informacionin e përgjithshëm në lidhje me rrethanat në të cilat ra dëshmor ai, kuptojmë se ai e dinte vitin, muajin, ditën dhe natën e saktë që do të binte dëshmor.

Aliu kishte shikuar në ëndërr të Dërguarin e Zotit, të cilit i shpjegoi vështirësitë me të cilat po përballej. Madje edhe në kohët kur të tjerët mendonin se ai duhej të ishte duke mallkuar rebelët, kalifi hapi duart dhe u lut sa më poshtë:

“O Allah! Më bashko me shërbëtorët tuaj që janë më të bekuar se këta. Më zëvendëso mua me dikë që mund t’i mposhtë këta njerëz.”

Nga njëra anë, ai ndihej i lumtur duke ditur se do të ribashkohej me miqtë dhe me Zotin e tij, por nga ana tjetër ndihej i prekur nga ato që i kishin bërë. Pa dyshim që edhe zemra e të Dërguarit Fisnik e ndjente dhimbjen e Aliut. Tek ky përfundim mund të arrihet duke marrë parasysh një deklaratë të Profetit Fisnik, i cili një herë pat thënë:

“Çdokush që thyen zemrën e tij, thyen zemrën time gjithashtu. Çdokush që ka armiqësi ndaj tij, mbart armiqësi ndaj meje gjithashtu. Kush abuzon me të, më fyen mua gjithashtu. Allahu i do ata që e duan atë, dhe largohet nga ata që largohen nga ai. Armiqtë e tij mund të konsiderohen armiq të Zotit. Kushdo që i dorëzohet atij, i dorëzohet edhe Allahut, dhe çdokush që rebelohet kundër tij, rebelohet gjithashtu kundër Allahut.”

Shënimet

  1. 94.Ibn Abdil Berr, Istiab, 3/1126.
  2. 95.Hakim, Mustedrek, 3/122 (4590).
  3. 96.Ibn Abdil Berr, Istiab, 3/1127.
  4. 97.Hejthemi, Mexhmau Zeuaid, 9/133.