Aliu0%

PERIUDHA E TRETË E MBROJTJES

Zemrat e ngurtësuara me idhujtari nuk ishin të kënaqura me zhvillimet e reja. Me kalimin e çdo dite ata merrnin qëndrim më të vendosur kundër Dritës Hyjnore që u shfaq nga Mali i Dritës. Kjo ishte periudha e tretë e mbrojtjes, dhe edhe një herë tjetër, babai i Aliut, Ebu Talibi mori përgjegjësinë e mbrojtjes së Profetit Fisnik nga ligësia e kurejshëve. Ebu Talibi e mbrojti atë gjatë gjithë periudhës delikate, në të cilën Profetit Fisnik iu dha misioni i profetësisë, bash ashtu siç kishte bërë kur ai ishte një fëmijë jetim. Ebu Talibi mori masa nga më të skajshmet, në mënyrë që Atij të mos i ndodhte asnjë e keqe.

Numri i besimtarëve po rritej gradualisht, por në fytyrën e zbehtë të Aliut nuk kishte ende shenja buzëqeshjeje. Kjo pasi ai çdo ditë ishte dëshmitar i shumë njerëzve që pranonin Islamin, porse i ati dhe e ëma ende nuk e kishin përqafuar atë. Ai nuk vinte gjumë në sy duke menduar rreth faktit se nuk mund të prekte zemrat e pjesëtarëve më të afërt të familjes. Nuk mund të bënte asgjë, pasi Profeti ia kishte shpjeguar disa herë Islamin babait të tij, por pa sukses. Ndoshta, nuk kishte ardhur ende koha e duhur.

Kushtet në Mekë ishin përkeqësuar nga dita në ditë. Ata ishin përpjekur të fitojnë mbështetjen e qytetit të Taifit, por edhe atje nuk kishin gjetur përkrahje. Me kalimin e çdo dite problemet shtoheshin. Teksa numri i njerëzve që besonin shtohej dita-ditës, paria e kurejshëve u alarmua dhe filloi ta shikonte Islamin si një kërcënim për tërë jetën e qytetit të Mekës. Urrejtja dhe armiqësia e atyre që drejtonin qytetin arriti në nivele të tilla, saqë nuk mund të toleronte ekzistencën e Profetit dhe grupit të Tij të vogël të besimtarëve dhe nuk do të reshtnin derisa ata “të pastroheshin” nga jeta e qytetit. Mirëpo, ata nuk do të guxonin ta vrisnin Profetin ngase atë e mbronte Ebu Talibi, i cili ishte zotuar se do ta mbronte nipin e tij me ndihmën e të afërmve dhe myslimanëve. Përderisa kurejshët nuk mund të çliroheshin nga Profeti, ata vendosën të ndërpresin të gjitha marrëdhëniet me besimtarët, duke mos lejuar asnjë që të bënte tregti me ta dhe duke ndërprerë të gjithë burimet e të mirave, përfshi edhe ato të ushqimit dhe ujit.

Për shkak të këtij bojkoti të rëndë, besimtarët krijuan një kamp refugjatësh jashtë Mekës, në një vend të quajtur Shib Ebi Talib. Profeti dhe ndjekësit e Tij u dëbuan drejt kushteve vdekjeprurëse të ditëve dhe netëve të shkretëtirës së hapur dhe të heshtur, në mënyrë që ata të vdisnin nga etja dhe uria, pa qenë nevoja për grindje që mund të zgjasnin me shekuj. Ata u braktisën dhe u lanë ballë për ballë me vdekjen në një jetë rraskapitëse, me dhimbje dhe vuajtje në bojkot, që zgjati për plot tre vjet. Vetëm ata që e kanë përjetuar atë mund ta kuptojnë poshtërsinë e kësaj torture të hidhur. Në dukje, vendimi për të dëbuar myslimanët ishte i atillë që të gjithë binin në një mendje. Ata e dokumentuan vendimin e tyre tiran në formën e pikave dhe pafytyrësisht e varën atë në murin e Qabes, sikur po vepronin në një mënyrë të virtytshme. Për më tepër, ata bllokuan të gjitha rrugët në mënyrë që të pengonin njerëzit që t’i ndihmonin të dëbuarit.

Krahas vështirësive të tmerrshme, dhe skamjes së pafund, besimtarët pësuan të tjera dhimbje e vuajtje. Së pari, ndërroi jetë i ati i Aliut, Ebu Talibi. Pavarësisht këmbënguljes së Profetit, ai ndërroi jetë pa e përqafuar besimin. Ai u largua nga kjo botë pa lënë asgjë me vlerë për të birin, Aliun. Kjo ishte dhimbje e papërballueshme për luanin trim, që rrezikoi gjithçka në emër të besimit.

Pa kaluar as tri ditë nga vdekja e të atit, ndërroi jetë edhe Hatixhja, një grua të cilën ai e kishte dashur si nënë. Ajo ishte burim ngushëllimi për ta. Aliu përjetoi dhimbjen e humbjes së një tjetër fortese, të cilën ai mund ta thërriste sinqerisht, “Nënë!”. Jo shumë kohë më parë, ajo ishte një nga gratë më të pasura në Mekë. Aliu konkurronte me Zejdin duke ftuar njerëzit në banketet e përgatitura prej saj. E njëjta Hatixhe që kishte të gjithë sakrifikuar pasurinë e saj në rrugën e Zotit, dhe shumë nga ajo që ende posedonte iu sekuestrua pas këtij bojkoti, tashmë i kishte mbyllur sytë për këtë botë dhe e gjitha kjo ndodhi gjatë ditëve të vuajtjeve të mëdha të mërgimit torturues.

Ngushëllimi i vetëm për Aliun ishte fakti që e ëma, Fatimja, përqafoi Islamin pas vdekjes së bashkëshortit të saj. Për pak çaste ai i harroi problemet dhe u ndje i gëzuar. Kush nuk do të ishte i lumtur të shikonte hyrjen e nënës së tij në Islam?

Përkundër të gjitha vështirësive, Aliu e dinte se duhej të tregonte durim. Rëndësia e durimit në besim mund të krahasohet me rëndësinë e kokës në trupin e njeriut. Besimi i atyre që nuk kishin durim ishte në rrezik. Tani ishte koha për veprim, jo për gjykim, sepse veprat duhej të kryheshin para se të vinte Dita e Gjykimit.

Çdokush që erdhi për ngushëllim ishte i zbehtë në fytyrë. Ai shikonte që të gjithë ata po vuanin së bashku dhe kishin të njëjtën dhimbje. Përgjatë këtyre ditëve mes pluhurit dhe papastërtive, besimi i Aliut ishte forcuar edhe më. Shumë vite më vonë, kur gjeti pak rehati, ai do të kujtonte ditët kur sahabët e parë qanin derisa lotët u njomnin edhe rrobat. Kur këshillonte të tjerët, ai vazhdimisht do të shprehte mallin e tij të pashoq për këto ditë. Në një rast ai tha:

“Jini burimi i diturisë dhe drita e natës; mbani rroba të vjetra, por gjithmonë kini zemër të re. Kjo është mënyra se si ju gjithmonë do të kujtoheni me nderime në këtë botë.”

Shënimet

  1. 14.Ky vit është quajtur “Viti i Pikëllimit” pasi këtë vit ndërruan jetë Ebu Talibi, mbrojtësi më i madh i Profetit dhe bashkëshortja e tij e dashur Hatixhja, ngushëlluesja dhe ndihmësja e parë e Profetit.
  2. 15.Ebu Nuajm, Hiljetu’l Eulija, 1/77.