Aliu0%

VËLLEZËRIT SPROVOHEN NGA VËLLEZËRIT E TYRE

I Dërguari Fisnik u përpoq jashtëzakonisht shumë që të përcillte mesazhin hyjnor ashtu siç i ishte shpallur, por kishte lënë Aliun që të merrej me çështjet e ndërlikuara që mund të ngriheshin në të ardhmen, përsa i përket interpretimit të ajeteve. Aliu kaloi me sukses shumë ditë të vështira, u bë dëshmitar i të gjithë dimensioneve të sprovave mes vëllezërve dhe bëri mjaft sakrifica për të mbrojtur pandashmërinë e Islamit.

Në njërën prej këtyre ditëve të vështira, ai ndihej kaq i pashpresë, sa ndjeu nevojën që të shpjegonte se çfarë mendonte për të i Dërguari Fisnik: Betohem në Zotin që çan farat dhe kultivon bimët, i Cili shpërndan organizmat që jetojnë në faqe të tokës, se Profeti Fisnik më ka premtuar: “Besimtarët do të më duan dhe hipokritët do të më inatosin.”

Në një rast tjetër, i Dërguari Fisnik i përmendi emrin në mungesë, duke thënë se: “Hipokritët nuk e duan, ndërsa besimtarët nuk e mallkojnë atë.”

Për këtë arsye, disa sahabë të tillë si Xhabiri dhe Said Hudriu thanë: “Gjatë kohës që i Dërguari i Zotit ishte në jetë, ne arrinim të kuptonim nëse një person ishte hipokrit apo jo, thjesht duke parë sjelljen e tij kundrejt Aliut.”

Pa dyshim, Administruesi i kohës dhe i hapësirës, i Cili i kishte dhënë misionin Profetit, e kishte informuar atë edhe për zhvillimet që do të zinin vend në të ardhmen. Ai i dinte problemet me të cilët do të përballej Aliu në vijim, kështu që u la informacione të rëndësishme disa personave të caktuar në mënyrë që të mund të përballeshin me vështirësitë në momentin që ato të nxirrnin krye. Ky informacion do të përdorej si mjet për të gjykuar ata që do të zinin vend përkrah Aliut, dhe ata që do të rebeloheshin kundër tij në ditët e konfliktit.

Aliu ishte emëruar kalif gjatë ditëve të turbullta të trazirave dhe duroi shumë vështirësi mes ekstremeve dhe pamjaftueshmërive.

Konfliktet nuk kufizoheshin vetëm tek ata që nxisnin përçarjen, por përmes nxitjeve dhe provokimeve u zhytën në kaos edhe njerëzit e drejtë dhe qëllimmirë. Ishte tepër e lehtë të bije pre e dyshimeve; Osmani kishte rënë dëshmor, ndërsa vrasësit e tij ende nuk ishin kapur.

Për më tepër, qindra persona deklaronin se ishin vrasësit e Osmanit.

Detyra e Aliut ishte tejet e vështirë. Edhe ai dëshironte t’i gjente vrasësit dhe t’i ndëshkonte, por kishte nevojë për pak kohë. Ata që nuk kishin durim kërkonin rezultate të menjëhershme, kështu që filluan të ushqenin njëfarë pakënaqësie karshi kalifatit. Përshkallëzimi i situatës, e cila përfundoi në rebelimin e harixhive, solli lindjen e dy incidenteve të mëdha, të Xhemelit dhe të Sifinit. Kërkimi i vrasësit të një personi çoi në gjakderdhje akoma më të mëdha.

Shënimet

  1. 71.Ibn Ebi Shejbe, Musannaf, 6/365 (32064).
  2. 72.Po aty, 6/372 (32114).
  3. 73.Ibn Abdil Berr, Istiab, 3/1110.