Aliu0%

NJERI I NATËS

Aliu kishte marrë shumë plagë gjatë betejave që kishte qenë përkrah të Dërguarit Fisnik të Zotit s.a.s.. Mbrojtja e Profetit ishte përparësia më e veçantë për Aliun; kështu pa hezituar aspak ai do të rrezikonte jetën e tij nëse do të nevojitej për t’i dalë Atij në mbrojtje. Ky luan trim luftoi fuqishëm në fushat e betejës, por ai gjithashtu ishte dhe një njeri i përshpirtshëm i natës. Pasi errësira e natës mbulonte mbrëmjet, ai do të gjente prehje në sexhde duke adhuruar Allahun. Bindjet dhe lutjet e tij përmbanin aq shumë thellësi, sa që kur ai shkonte në sexhde, ju do të mund të dëgjonit një zhurmë, e cila tingëllonte si vullkan që kishte shpërthyer brenda tij. Kurdo që shoku i tij i dashur Bilali, i cili gjithashtu ishte i larguar nga Meka, filloi të thërriste ezanin, Aliu do të fillonte të dridhej si ai njeriu që ka malarien dhe fytyra e tij do të zbehej.

Ai i përmbushi me përsosmëri të gjitha detyrat që i ishin besuar. Kurrë nuk do të përdorte ndonjë justifikim për t’u tërhequr nga ndonjë mision. Valëvitja e shpatës përgjatë fushave të betejës gjatë ditëve kur ishte e nevojshme, nuk ishte pengesë për netët e tij të shndritshme dhe të bekuara. Ai e dinte se rruga e tij ishte të dërgonte emrin e Zotit të tij në të katër qoshet e botës, dhe për ta arritur këtë qëllim, netët e tija duhet të ishin po aq të shndritshme sa dhe ditët. Një ditë, besimtarët pyetën nënën tonë, Aishen: “Cilën grua do më shumë i Dërguari i Zotit?” Pa asnjë hezitim, ajo ju përgjigj:

“Fatimen.”

“Po nga meshkujt?”

“Burrin e Fatimes”, - qe përgjigjur ajo.

Sipas Aishes, arsyeja përse Profeti Fisnik e donte aq shumë Aliun ishte kjo:

“Me sa di unë, ai i kalonte netët duke u lutur dhe ditët duke agjëruar.”

Të gjithë e kishin pranuar faktin se pas Profetit, Aliu do të ishte dijetari prijës shpirtëror i myslimanëve. Ky ishte një lajm i mirë i shpallur publikisht nga vetë Profeti. Siç konstatonte Ibn Abasi, kur Kurani thotë, “O ju që besoni,” Aliu duhet të jetë personi i parë të cilit i adresohet kjo.

Pas betejës në Tebuk, i Dërguari i Zotit vendosi ta dërgonte Aliun në Jemen. Atje, ai i ftoi njerëzit të përqafonin fenë e Zotit dhe të të Dërguarit të Tij. Me ta dëgjuar këtë lajm, Aliu erdhi tek i Dërguari i Zotit dhe i tha:

“O i Dërguar i Zotit! Ju po më dërgoni në Jemen, ku njerëzit do më pyesin për rregullat e Islamit. Unë nuk i zotëroj njohuritë e mjaftueshme për këtë mision.”

I Dërguari Fisnik i Zotit tha:

“Afrohu!”

Aliu iu afrua Profetit. Profeti Fisnik e goditi Aliun lehtë në gjoks dhe u lut:

“O Zot! Dhuroja Aliut fuqinë e fjalës dhe bekoje atë me zemër të drejtë!”

Më vonë, Aliu do të deklaronte:

“Pasha Atë që krijoi farën nga grimca, që nga ajo ditë, unë kurrë nuk kam hezituar në marrjen e një vendimi në lidhje me ndonjë mosmarrëveshje midis dy personave.”

Aliu, njeriu i njohur i fushave të betejës, ishte aq i thjeshtë në jetën e tij të përditshme, saqë sjelljet e tij admiroheshin nga të gjithë. Bujaria e tij e madhe dhe fuqia e përfaqësimit kishte fituar zemrat e shumë njerëzve. Menjëherë, ata erdhën fise-fise për të përfaqësuar Islamin.

Kur myslimanët rimorën Mekën, nga e cila u detyruan të migronin, i Dërguari Fisnik përsëri i dha Aliut detyrën për të shkatërruar idhujt në Qabe. Pasi Aliu filloi të shkatërronte idhujt, ai recitoi ajetet që njoftuan ardhjen e së vërtetës dhe rrëzimin e falsitetit. Ai gjithashtu punoi me gjallëri për të përgatitur Qaben për të falur namazin para se i Dërguari i Zotit të mbërrinte. Haxhi i Lamtumirës ishte haxhi i parë dhe i fundit i kryer nga i Dërguari i Zotit. Ishte në Haxh kur Ai u shprehu lamtumirën pasuesve të tij. Në atë kohë, Aliu nuk ishte në Mekë. I Dërguari Fisnik e kishte dërguar atë në Jemen për të ftuar popullin e Jemenit në Islam.

Aliu i vizitoi njerëzit një nga një në shtëpitë e tyre për t’u përcjellë mesazhin. Dëshira e tij e vetme ishte të rrënjoste dashurinë e Zotit në zemra. Sapo dëgjoi për Haxhin e Lamtumirës së Profetit, ai e la Jemenin dhe u nis për Mekë. Si mund të mungonte Aliu në një vend ku Profeti Fisnik do iu drejtonte për herë të fundit bashkësisë së tij të zgjedhur? Rendi për në Mekë për t’u bashkuar me mijëra njerëz që qëndronin para Profetit në Arafat teksa Ai mbajti hutben e Tij të lamtumirës.

Nuk kishte as më të voglin dyshim lidhur me forcën e gjykimit të Aliut dhe zgjuarsinë e tij. Një ditë, një burrë erdhi tek ai për ta pyetur për diçka në lidhje kaderin. Aliu i tha:

“Ai është një oqean i pafund, dhe sapo të zhytesh në të, nuk do të dalësh më që aty.”

Megjithatë, burri vazhdoi të ngulte këmbë. Aliu shtoi:

“Është një mister që i përket Zotit, ti nuk mund ta kuptosh, prandaj mos rrëmo kaq shumë për të.”

Përkundrazi, burri nuk bindej dhe vazhdimisht këmbëngulte që të merrte një shpjegim. Aliu Zoti qoftë i kënaqur me të e pyeti:

“O ti që bën këtë pyetje! Zoti të krijoi ty në atë mënyrë siç deshi Ai apo siç deshe ti?”

“Ai më krijoi mua ashtu siç deshi Ai!” - u përgjigj burri. Pastaj Aliu tha:

“Fuqia e rregullimit është në zotërimin e Tij, dhe Ai urdhëron siç Ai dëshiron.”

Shënimet

  1. 38.Hakim, Mustedrek, 3/171 (4744).
  2. 39.Hejthemi, Mexhmau Zeuaid, 9/125.
  3. 40.Ibn Ebi Shejbe, Musannaf, 6/365 (32068).
  4. 41.Hejthemi, Sauaiku’l Muhrika, 2/382; Mubarakfuri, Tuhfetu’l Ehuadhi, 6/279.