PËRQAFIMI I ISLAMIT DHE SHPIRTI I TIJ FISNIK
Drita e përjetshme ishte ngritur nga shpella e Hirës në majën e Malit të Dritës për të ndriçuar universin, dhe rrezet e tij të para zbritën mbi Mekë. Pa dyshim, aleati i parë i të Dërguarit Fisnik do të ishte Hatixhja. Ajo ishte personi i parë që përqafoi dritën hyjnore. Entuziazmi në shtëpinë e Profetit, besnikët dhe vizitat e shpeshta te Uaraka ibni Neufelit ishin tregues se diçka e re po ndodhte. Aliu i ri ishte në dijeni të ndryshimeve, duke qenë se i ndiqte përherë me sy kureshtarë teksa falnin namaz. Ai ishte vetëm 10 vjeç atëkohë. Së pari Aliu pyeti se ç’po bënin, dhe i Dërguari i Zotit u përgjigj:
“Unë po fal namaz për Zotin e botëve.”
Kjo ishte hera e parë që Aliu dëgjonte diçka të tillë. Ai pyeti sërish akoma më kureshtar:
“Kush është Zoti i botëve?”
I Dërguari i Zotit e uli Aliun në prehër, dhe si një baba i dhimbshëm, filloi t’i shpjegonte përvojën e përjetuar në Malin e Dritës dhe se si i ishte dhënë misioni i profetësisë. “Zoti është Një dhe i Vetëm. Nuk ka ortak. Ai ka krijuar të gjitha qeniet dhe siguron jetën e tyre. Gjithçka është në zotërimin e Tij. Është Ai që ka krijuar jetën dhe vdekjen. Ai është i Gjithëfuqishmi, i Cili zotëron fuqinë për të bërë çdo gjë”, - tha Profeti Fisnik.
Këto ishin fjalët e një personaliteti të dhembshur atëror, të cilat depërtuan drejt e në zemrën e Aliut të ri. Ai i besonte kaq shumë Profetit, saqë përkrah Tij nuk do të hezitonte as të ecte drejt vdekjes. Mirëpo, ky ishte një vendim i rëndësishëm, kështu që ai ndjeu nevojën që të këshillohej me të atin. Për çdo çështje, vendi i babait ishte i pazëvendësueshëm. Edhe Profeti Fisnik kishte një kërkesë; Ai e këshilloi Aliun që të mos i tregonte tjetër njeriu për bisedën mes tyre.
Atë natë, Aliu mendoi për çështjen në tërësi dhe në mendjen e tij përpiqej të nxirrte përfundime, “Pse duhet të këshillohem me prindërit për një çështje të tillë kaq të rëndësishme, si besimi në Zot?”. Përfundimisht, ai e kishte mbledhur mendjen. Teksa dielli i mëngjesit u ngrit mbi Mekë, ai shkoi tek i Dërguari i Zotit dhe i tha,
“Çfarë më shpjeguat dje dhe cila është thirrja Juaj?”
Ndoshta Aliu po përjetonte pjekurinë në një moshë të tillë të re duke vendosur të arrinte tek një vendim përfundimtar pa u këshilluar me të atin. Kjo do të bënte që ai të përfshihej në mesin e atyre pak personave të veçantë të cilët kanë përqafuar Islamin të parët. Profeti Fisnik e udhëzoi të ulej pranë tij dhe e ftoi të deklaronte fjalën e dëshmisë, shehadetin, e cila ishte dëshmia e parë e besimit. Aliu ishte vetëm 10 vjeç kur zbritën shpalljet e para, dhe u bë personi i parë pas Hatixhes që pranoi Islamin. Ai recitoi fjalën e njësisë “La ilahe il’lallah Muhammedun Resulullah”, çka do të thotë “ S’ka Zot tjetër veç Allahut, dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij”, madje edhe para të afërmve më të mëdhenj, dhe besoi tek Mëshiruesi dhe Mëshirëbërësi me vullnetin e tij të lirë. Si mund të përmbahej ai nga besimi, duke jetuar në një shtëpi ku zëri i zbulesës hyjnore jehonte vazhdimisht dhe planet e së ardhmes në emër të Islamit ishin vizatuar në muret që dridheshin nga shpalljet hyjnore?
Duke nisur që nga kjo ditë e në vazhdim, Aliu i ri nuk do t’i ndahej kurrë djalit të xhaxhait, Muhamedit, të Dërguarit të Zotit. Ai dëshironte të ishte i pari që dëgjonte shpalljet hyjnore kur zbrisnin dhe rridhnin nga buzët e të Dërguarit Fisnik. Teksa Profeti Fisnik përdorte gjerësisht shtëpinë e Ibn Erkamit për bisedat e ngushta fetare, Aliu shkonte me Të duke u bërë kështu një anëtar i rregullt i këtij komuniteti të ri. Aliun tashmë e priste një detyrë e rëndësishme. Ai duhej të sillte lajme nga zhvillimet përjashta, ndërkohë që në të njëjtën kohë konkurronte me të tjerët në mësimin e shpalljeve hyjnore përmendësh. Me kalimin e çdo dite, një fytyrë e re do të zhytej në hauzin e besimit, pastrohej nga panjohuria, duke për t’u përfshirë sa vjen e më thellë në radhët e fesë.
Aliu dukej si binjaku i vogël i Mjeshtërit të të gjithë mjeshtërve… ai ishte bërë aq i ngjashëm me Profetin saqë në rastet kur e pikëllonin, Aliu bërtiste me zemërim: “Mund të më pyesni çfarëdo të dëshironi…sa të dëshironi…pyetmëni çfarëdolloj gjëje nga libri i Allahut…! Pasha Allahun, unë e di mirë se për çfarë arsyeje zbriti secili ajet, ku dhe kur!”
Ai ishte nxënësi më i shquar i Profetit Fisnik, dhe i pari në mësimin e Kuranit të shenjtë. Në garën drejt Islamit, Aliu kishte lënë pas shumë të mëdhenj, duke u bërë kësodore një udhërrëfyes besnik për ata që erdhën pas.
Ebu Talibi ishte një baba tolerant dhe kishte besim të plotë tek nipi i tij, Muhamedi, i Besueshmi. Një ditë, ai e kishte parë Aliun teksa falte namaz pas Profetit të nderuar. Ai dinte rreth shpalljeve që i kishin zbritur të nipit dhe për muajt e izolimit në Malin e Dritës, porse nuk kishte dijeni rreth zotimit të Aliut ndaj Muhamedit paqja dhe bekimi qofshin mbi Të. Në fillim, ai parapëlqeu të heshtte për ca kohë, por Aliu i ri u tregua i shpejtë, duke përdorur si gjithnjë një prej sjelljeve të tij madhëshore. Duke supozuar se i ati mund të arrinte në përfundime, ai nxitoi për tek ai pas përfundimit të namazit dhe ia tregoi të gjitha një e nga një.
Toni i zërit të tij ishte i butë dhe i ndjeshëm, teksafliste: “O babai im i dashur, unë besoj në Zot dhe në të Dërguarin e Tij. Baba, unë… unë zotohem se dua të ndjek Muhamedin.”
Ebu Talibi nuk do ta kishte dhënë kurrë pëlqimin e tij nëse s’do ta kishte njohur kaq mirë nipin e tij, Muhamedin. Mirëpo, njeriu, që djali i tij kishte zgjedhur të ndiqte, nuk ishte tjetër pos Muhamedit paqja dhe bekimi qofshin mbi Të. Prandaj, ai iu përgjigj me këto fjalë të tij monument: “Vazhdo në rrugën tënde biri im, sepse ai do të të ftojë veçse në të mirë!”
Në një rast, Aliu u rreshtua pas Profetit për të falur namazin. Duke parë këtë, Ebu Talibi iu kthye djalit tjetër, Xhaferit dhe i tha: “Shko biri im, qëndro prapa djalit të xhaxhait dhe fal namaz!”
Pa kaluar shumë kohë, atyre iu bashkua edhe një tjetër person që ishte bekuar me mundësinë e rritjes në shtëpinë e Profetit. Ai ishte një skllav i ri, i cili ishte çliruar nga i Dërguari Fisnik. Ai ishte Zejd ibni Harithi, dhe ai jo vetëm që ishte liruar nga Profeti, por ishte ngritur në nivelin e udhëzuesve. Këta që ishin përreth Profetit ishin të rinj, por përfaqësonin shpirtin e heroizmit. Secili prej tyre i ishte dedikuar përcjelljes së mesazhit të Profetit tejembanë Mekës. Teksa i Dërguari Fisnik i fliste Aiut dhe Zejdit, të cilët jetonin me Të, Ai po i përgatiste ata për ditët e vështira që do të vinin në të ardhmen. Ai dëshironte t’i edukonte ata si heronjtë, të cilët do të mund t’i jepnin zgjidhje çdo problemi që mund t’u dilte përballë.
Me të vërtetë Aliu ishte mysliman tani, por ato ditë përqafimi i Islamit sillte me vete shumë vështirësi, dhe Aliu ishte tepër i vetëdijshëm për këtë. Ata ndiqeshin nga afër nga ana e idhujtarëve kurejshë dhe ndiqeshin në çdo hap të rrugës së tyre. Kudo ku shkonin, kujtdo që i flisnin, do të kishte medoemos nga një palë sy që i shikonte. Çdokujt që bashkëveproi me ta do t’i afroheshin dhe to t’i flisnin. Jobesimtarët përdorën lloj lloj justifikimesh të rreme dhe gënjeshtrash në mënyrë që t’i devijonin njerëzit nga përqafimi i Islamit.
Ebu Dherri, prej fisit të Gifarëve, që gjendej i vendosur në luginën Uedan, jashtë Mekës, kishte dëgjuar për ndryshimet që kishin ngjarë në Mekë. Një ditë prej ditësh, kureshtja e solli në Qabe. Meqenëse ishte i vetëdijshëm për rrethanat delikate, nuk foli me askënd. Ai vendosi të presë në Qabe, duke shpresuar se Muhamedi s.a.s. do të vinte aty. Në ditën e tretë, Aliu iu afrua dhe pa zhurmë e pyeti se cila ishte arsyeja e vizitës së tij. Pasi kuptoi qëllimin dhe duke parë sinqeritetin që dallohej në fytyrën e tij, i tha:
“Pa dyshim, Muhamedi paqja dhe bekimi qofshin mbi Të është i vërtetë. Ai është i Dërguari i Zotit. Kur të zgjoheni nesër në mëngjes, do të shkojmë bashkë për tek Ai. Ju do të më ndiqni nga pas, duke mbajtur njëfarë distance. Nëse unë vërej ndonjë rrezik, do të ndaloj, ndërsa ju do të vazhdoni rrugën normalisht. Në të kundërt, thjesht ndiqmë mua, e do të shkojmë tek i Dërguari i Allahut s.a.s.”.
Kjo është mënyra se si Aliu e udhëzoi Ebu Dherrin për në rrugën e besimit.
Zejdi dhe Aliu ishin si dora dhe këmba e të Dërguarit Fisnik. Ata ishin si fluturat e natës rreth dritës, që vërtiteshin rreth Profetit. Ata po jepnin shpirtin në përpjekje për të ftuar njerëzit në rrugën e drejtë. Në disa raste, ata ftonin njerëz për darkë dhe mbështesnin Profetin teksa u shpjegonte Islamin të ftuarve të tij. Zoti e di se sa herë ata kanë organizuar festa në anët e malit Kubejs, ku i Dërguari i Zotit ka ftuar njerëzit në Islam!
Mënyra e ftesës ishte e sinqertë dhe e sjellshme, kërkesa ishte mjaft e thjeshtë, dhe personi që i ftonte ata ishte i Besuari, porse akoma zemrat e tyre ishin në ngurta dhe thelbi i natyrës së të tyre i tmerrshëm. Gjithçka Ai donte ishin dy fjalë, dhe jeta e tyre e përjetshme do të shpëtohej. Bekimi i të dy mbretërive ishte në këtë rrugë dhe njeriu vetëm duhej të ishte një mbështetës i devotshëm, mbrojtës i paepur dhe një mik i sinqertë në arritjen e tyre. I Dërguari i Zotit kërkonte vazhdimisht individë të tillë me karakter të veçantë. Kurdo që Ai ia kujtonte të afërmve këtë kërkesë, edhe pse Aliu ishte më i riu në mbledhje, ai gjithmonë ngrihej dhe duke vendosur dorën në kraharor, do të bërtiste: “Jam këtu, o i Dërguari i Zotit!”.
Në shumicën e rasteve, Profeti do të përsëriste veten duke i kërkuar Aliut të ulej. Mirëpo, ai gjithmonë dëshironte që mbështetja e Aliut të ishte një shembull për të tjerët.
Aliu ishte një i ri trim dhe jashtëzakonisht i zgjuar. Ai i planifikonte me kujdes të gjitha lëvizjet e tij. Kurrë nuk vepronte pa llogaritur më parë përfundimin që do ta pasonte atë. Kjo është arsyeja pse Profeti Fisnik i diskutonte aq shpesh problemet posaçërisht vetëm me të. Ditën e Taifit, kur Profeti kishte vendosur të udhëtonte atje me shpresën se do të gjente zemrat e hapura ndaj mesazhit të Tij, Ai thirri veçanërisht Aliun për t’u këshilluar me të gjerë e gjatë. Të pakënaqur nga kjo, disa kishin shkuar deri atje sa të flisnin hapur në lidhje me këtë çështje. Fjalët e folura arritën në veshët e Profetit Fisnik, i cili mori nën kontroll situatën duke deklaruar: “Këshillimi privat me Aliun nuk ishte zgjedhje e imja; ishte vullneti i Allahut.“14
Me këtë deklaratë, ai vuri në dukje vendimmarrësin e vërtetë. Me këtë ai po u mësonte pasuesve se çdo hap dhe çdo vendim i marrë ishte në dijeninë dhe me miratimin e Zotit të Plotfuqishëm.
Shënimet
- 7.Ibn Abdil Berr, el Istiab, 3/1090.
- 8.Ibn Erkam ishte një nga sahabët e rinj të Profetit, i cili ofroi shtëpinë e tij në Mekë që të përdorej për bisedate para fetare ku Profeti mësoi grupin e tij të vogël të shokëve, u recitoi shpalljet dhe u priu në faljet me xhemat për shumë vite gjatë të cilave besimtarët përndiqeshin dhe ngacmoheshin nga politeistët Kurejshë, të cilët synonin ndalimin e përhapjes së Islamit.
- 9.Mizzi, Tehzibu’l Kemal, 20/487.
- 10.Ibn Hisham, Siretu’n Nebeuije, 2/86.
- 11.Dhehebi, Mizanu’l I’tidal, 3/355.
- 12.Taberani, el Mu’xhemu’l Eusat, 3/109 (2633).
- 13.Ibn Hanbel, Musned, 1/159 (1371) 14 Ibn Kethir, el Bidaje ue’n Nihaje, 7/357.