Aliu0%

ANËTARËT E FAMILJES SË TË DËRGUARIT FISNIK

Ishte nderim i madh që kurdo që përmendej termi “familja e të Dërguarit të Zotit”, në mendje të vinte Aliu. Një ditë, i Dërguari Fisnik vendosi mantelin e tij mbi Fatimen, Aliun, Hasani, Hysenin, dhe recitoi ajetin e mëposhtëm:

“Allahu ka për qëllim që nga ju, o familje e shtëpisë (së Profetit) të largojë ndotësinë e mëkateve dhe t’ju pastrojë deri në skaj.” (Ahzab, 33/33)

Një delegacion nga të krishterët e Nexhranit vendosi ta vizitonte Profetin pas ftesës që u kishte bërë i Dërguari i Allahut s.a.s.. Kur delegacioni i përbërë nga 60 të krishterë të mirë-edukuar mbërriti në Medinë, ata debatuan me Profetin në një dialog hetues për dy ditë me radhë në xhaminë e Profetit. I Dërguari u siguroi atyre një vend afër xhamisë së tij. Megjithëse delegacioni, gjatë takimeve, pati mospajtime me Profetin lidhur me natyrën e Jezusit dhe mbi konceptin e Qenies Hyjnore, që as nuk lind e as nuk ka lindur, dhe askush nuk është e krahasueshme me të, ata ranë dakord të bënin një pakt social me të dhe u kthyen në Nexhran me një garanci të shkruar nga Profeti se jetët, pasuria dhe feja e tyre do të ishte e mbrojtur.

Për shkak të mosmarrëveshjeve gjatë bisedimit, ata ranë dakord të bënin mubahala, çka nënkupton të lutesh që mallkimi i Allahut të bjerë mbi palën që gënjen, si mjet për të provuar vërtetësinë e dikujt, gjë e cila do të zhvillohej ditën tjetër në një vend të hapur. Të nesërmen, Profeti doli nga shtëpia e tij për tek takimi i organizuar, dhe me vete mori edhe Aliun, Fatimen, Hasanin dhe Hysenin. “O Zot, kjo është familja ime”, - tha Ai, duke recituar në vazhdim ajete nga Kur’ani fisnik:

E vërtet, çështja e Isait, (të lindur pa baba) tek Allahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj i tha atij: “Bëhu!”, e ai u bë. E vërteta është (kjo) nga Zoti yt e ti kurrsesi mos u bëj nga ata që dyshojnë. E kush të kundërshton ty në çështjen e tij (Isait) pasi të është bërë e ditur e vërteta, ti Thuaj: “Ejani i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju, mandej sinqerisht të lutemi për mallkim, dhe mallkimin nga ana e Allahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve. (Al-Imran, 3/59-61)

Profeti pohoi se nëse ata ishin me të vërtetë të sinqertë në besimin e tyre, atëherë ata do t’i rrezikonin jetët e tyre për të, nëpërmjet një mallkimi të ndërsjellë. Mirëpo, kur të krishterët e Nexhranit panë Profetin me Hysenin që ishte ulur në prehrin e tij, Hasanin që i mbante dorën, dhe Aliun e Fatimen duke qëndruar pranë tij, ndryshuan menjëherë mendje. Ata e kuptuan sa i vendosur ishte i Dërguari Fisnik kur e dëgjuan tek i thoshte familjes së tij:

“Kur unë të lutem, ju duhet të thoni “Amin”!”

Ishte fakt që kjo nuk ishte një çështje për t’u marrë lehtë. Duke shmangur lutjen ndaj Zotit që të shkarkonte zemërimin e tij mbi ta nëse gënjenin, delegacioni u tërhoq nga të përbetuarit se kishte të drejtë dhe ra dakord të hynte në një traktat, i cili parashikonte se të gjithë ata do të jetonin nën qeverisjen myslimane.

Ndodhia mubahala tregon qartë se sa i afërt ishte Aliu për Profetin si anëtar i familjes së tij, të ashtuquajtur Ehli Bejt. Pa dyshim, afërsia e Aliut me të Dërguarin Fisnik nuk ishte e kufizuar vetëm tek ky shembull. Një ditë i Dërguari do ta merrte mënjanë dhe do t’i thoshte: “Ti je nga unë, dhe unë jam nga ti.”

Shënimet

  1. 31.Kurtubi, Tefsir, 4/104.
  2. 32.Buhari, 2/960 (2552).