Dyfytyrësia/Rijaja

Fjala arabe “rija” mbart kuptimet e dyfytyrësisë, të shfaqjes së jashtme të rreme, të mungesës së sinqeritetit, të hipokrizisë, të dëshirës për t’u dukur. Rrënja e saj është fjala “ru’jet”, që ka kuptimin “shoh”. Pra, angazhimi në një sjellje me qëllimin që ta vënë re të tjerët. Si koncept, ka kuptimin e të kryerit të diçkaje të stisur, kryesisht ibadet, për hir të të tjera qenieve përveç Allahut, duke synuar të fitohen lëvdatat e njerëzve, me dëshirën që të fitohet

dashuria e të tjerëve, si dhe të ndiqen qëllime krejt të tjera, jashtë qëllimit për t’u afruar tek Allahu. Në rastin e rijasë apo të dyfytyrësisë, vepra nuk është e nevojshme që të përkojë me qëllimin. Prandaj edhe mund të thuhet kështu: kundërshtia e plotë ose e pjesshme e qëllimit të vërtetë të njeriut me veprën e vënë në jetë, pra të kryerit e diçkaje të kundërt me qëllimin dhe pritja e një rrjedhimi të caktuar prej kësaj, përbën rija ose dyfytyrësi. E kundërta e kësaj është ihlasi.

Në rastin e rijasë kemi të bëjmë me një gënjeshtër të dyfishtë. Dyfytyrëshi, duke thënë se po kryen për hir të Allahut një punë që, në të vërtetë, po e kryen për hir të njerëzve, thotë një gënjeshtër. Po ashtu, duke pohuar se e pret shpërblimin nga Allahu ndërkohë që, në të vërtetë, e pret nga njerëzit, shpreh edhe gënjeshtrën e dytë. Kjo është një rënie dhe degradim i plotë i individualitetit.

Rijaja ka lidhje të ngushtë edhe me nifakun, edhe me shirkun. Si në Kuran, ashtu edhe në Sunet, namazi përmendet në krye të ibadeteve në të cilin mund të shfaqet më së shumti rijaja apo dyfytyrësia. Është e qartë se namazi, si shtyllë e fesë, mbart një rëndësi shumë të madhe që të kryhet me ihlas e me pastërti të qëllimit.

Në lidhje me rijanë, dëshirojmë të citojmë një pjesë prej veprës së famshme “Er Riaje” të Muhasibiut:

“Rijaja është të synuarit nga ana e robit e dikujt tjetër në ibadete përveç Allahut. Argument për këtë është ky ajet i Allahut: “Kush kërkon (vetëm) jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, kundrejt veprave të tyre u dhurojmë vetëm në këtë botë, ndërsa në jetën tjetër për ta nuk ka kurrgjë veç zjarrit. Punët e kryera u kanë shkuar dëm dhe ç’janë ende duke kryer janë të kota.” (Hud, 15-16) Këta janë quajtur “murai” ose dyfytyrësh. Në një tjetër ajet thuhet: “Për ata që të ligat e tyre i bëjnë kurth, ka një dënim të ashpër. Dhe kurthi i tyre prishet.” (Fatir,10). Edhe për këta është thënë se janë dyfytyrësh. Në një tjetër ajet tregohet: “Ne ju ushqejmë ju për hir të Allahut. Andaj nuk kërkojmë prej jush as shpërblim e as nuk presim ndonjë falënderim.” (Insan, 9) Zoti i Madhëruar na bën të ditur se ai që, nëpërmjet veprës së vet, synon këtë botë dhe stolitë e saj, edhe

veprën e tij e ka të lidhur veç me botën. Në lidhje me këtë ka shumë ajete.

Ja edhe disa hadithe:

1.”Kur engjëjt ngrenë tek Allahu veprën e një robi, Ai u urdhëron atyre: ‘Ky rob imi, nëpërmjet veprës së vet, nuk më ka synuar Mua. Bashkë me veprën e vet, hidheni në Xhehenem!’” Edhe këtu flitet për dëshirën për të mirat dhe stolitë e kësaj bote. Kjo vlen vetëm për ata që nuk dëshirojnë asgjë tjetër veç kësaj.

Pyetjes “Ç’është shpëtimi?”, Profeti ynë (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i është përgjigjur në këtë mënyrë: “Shpëtimi mbërrihet kur njeriu, me ibadetin e tij ndaj Allahut, nuk synon admirimin e njerëzve.”

Profeti ynë ka thënë: “Kushdo që me veprën e tij bën rija e mundohet të bjerë në sy, Allahu e trajton sipas këtij synimi.”

Ebu Hurejre transmeton një hadith që shpjegon për fatin e tre njerëzve: njëri kish luftuar në rrugë të Allahut, tjetri kish dhënë sadaka prej pasurisë që kishte në zotërim dhe tjetri kishte lexuar shumë e shpesh librin e Allahut. Allahu u thotë atyre: “Ju gënjeni. Ju i bënit këto që njerëzit të thoshin: “Filani është luftëtari i mirë, filani është bujar, filani është i ditur.” Profeti ynë transmetohet t’i ketë përshkruar ata si “tre njerëzit e parë që do të shkojnë në zjarr.”

Në një hadith kudsi është thënë kështu: “Rijaja që i çon kot punët e njerëzve është rijaja kur njerëzit, në ibadetin ndaj Allahut, dëshirojnë (admirim nga) njerëzit.”

Ndërsa zemra e atyre që janë të drejtë e të pastër në punët e tyre rrëfen kështu: “Ne ju ushqejmë ju për hir të Allahut. Andaj nuk kërkojmë prej jush as shpërblim e as nuk presim ndonjë falënderim.” (Insan, 9)

Në përfundim, del se rijaja është dëshira për t’u dukur, që me veprën tonë të gjejmë kënaqësinë e tjetërkujt përveç Allahut apo me ibadetin tonë të gëzojmë admirimin e tjetërkujt përveç Allahut.

Rijaja, apo dyfytyrësia, është një prirje, një dëshirë. Ndahet në dy lloje, ndër të cilat njëra e rëndë dhe tjetra e lehtë, por sidoqoftë, që të dyja mbeten rija.

Shënimet

  1. 28.P.sh. shih: Bekare, 264; Nisa, 38; Enfal, 47; Maun; Ibn Maxhe, Zuhd, 26, 29.
  2. 29.Ibn Mubarek, ez-Zuhd, 67.
  3. 30.Buhari, Tefsiru sure, 3; Ebu Davud, Vesaja, 3; Nesai, Vesaja, 3.
  4. 31.Buhari, Rikak, 36, Ahkam, 9; Muslim, Zuhd, 47; Tirmidhi, Nikah, 11.