Tevekkuli
Fjala arabe “tevekkul” mbart kuptime si: të kesh besim, të mbështetesh, të caktosh përfaqësues, të mos lësh asgjë pas dore në shkaqe dhe në masa paraprake, të kesh besim tek Allahu, t’ia lësh çështjen në dorë Allahut, të mbështetesh në diturinë dhe në kontrollin e tij; shkurt, të caktosh Allahun si përfaqësues dhe këtij Përfaqësuesi t’i njohësh autorizim të plotë. Mund të thuhet edhe kështu: pasi të kesh bërë të gjitha përpjekjet e të kesh marrë të gjitha masat e mundshme, t’ia lësh punën me besim të plotë Allahut; pra, pasi ta kesh “lidhur devenë”, t’ia lësh amanet Allahut. Kjo quhet “tevekkul”; duke i zënë besë asaj që gjendet tek Allahu, të mos ia ngulësh sytë asaj që gjendet në duart e njeriut.87
Tevekkul do të thotë që zemra të jetë e lidhur plotësisht me Allahun, më siguri e besim vetëm tek Ai. Madje, sipas shprehjes së tasavvufit, ka kuptimin që zemra të ndihet e shqetësuar prej çdo mendimi për të tjera burime fuqie. Nëse nuk kemi një siguri e besim të këtyre përmasave, nuk mund të bëjmë fjalë për tevekkul. Për sa
kohë që portat e zemrës mbeten të hapura ndaj mendimeve për të tjera fuqi, nuk mund të arrihet tevekkuli i vërtetë.
Tevekkul do të thotë që të besojmë dhe t’i mbështetemi plotësisht vetëm Allahut, duke respektuar ata që qëndrojnë pranë Tij, dhe që dyert e zemrës t’i kemi të mbyllura për gjithkënd veç Tij. Kjo mund të konsiderohet si kyçje e trupit në ubudijetin dhe të zemrës në rububijetin. Nga një tjetër këndvështrim, tevekkul është thuajse për gjithkënd emërtimi i besimit dhe i mbështetjes tek Zoti; është dorëzim, është gjendja e atyre që zgjohen në jetën e zemrës e të shpirtit.
Krahas të vepruarit (tevessul) përmes shkaqesh fizike, të mos ua njohësh këtyre të fundit ndikimin e vërtetë, sipas shkallës përkatëse përbën edhe tevekkul (për gjithkënd), edhe një nënshtrim ndaj Allahut (për ata që flenë pas perdes së lëndores), edhe një dorëzim e vetëbraktisje tek Allahu (për njerëzit e paqes shpirtërore). Sa bukur e shpreh i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) se si vullneti dhe përpjekja janë të ndërthurura me tevekkulin dhe vetëdorëzimin tek Allahu, teksa urdhëron e thotë: “Sikur të mund t’ia dorëzonit veten Zotit të Lartësuar siç e meriton, Ai do t’ju begatonte siç i ushqen zogjtë që dalin nga foletë e tyre në mëngjes të uritur dhe kthehen në to sërish në mbrëmje të ngopur.” Prej kësaj fjale profetike, gjithkush kupton diçka sipas nivelit të vet:
Njerëzit e thjeshtë e kuptojnë tevekkulin në linjën e shpjegimit nga ana e Mevlanës të një ajeti përmes hadithit: Po, po! Sado që tevekkuli të përbëjë një udhërrëfyes, edhe ndjekja e shkaqeve është prej Sunetit profetik. I Dërguari i Allahut (për beduinin që erdhi ta pyeste: “A ta lidh devenë, apo ta lë në dorë të Allahut), duke thënë me zë të lartë: “Hidhja gjunjëve litarin devesë dhe pas kësaj lëre në dorë të Allahut!”, shënjon qartësisht në kuptimin e ajetit: “Ata që do të bëjnë tevekkul, t’i besojnë e t’i mbështeten vetëm dhe vetëm Allahut.” (Ibrahim, 12)
Ndërsa ata që e kalojnë jetën në shpatet e zemrës e të shpirtit, ata që, krejt të ndarë prej forcës e fuqisë së vet, i dorëzohen forcës e fuqisë së Allahut, e kuptojnë si shndërrim të vetvetes në një trup të vdekur në duart e larësit të xhenazes, çka e sjell ndërmend
urdhëresa hyjnore: “Në qofshi besimtarë të vërtetë, mbështetuni krejtësisht tek Allahu!” (Maide, 23)
Kur vijmë tek rendësit nëpër majat e fenafil’lah-ut dhe të Bekabil’lah-ut, ata, porsi Profeti Ibrahim që edhe kur e hodhën në zjarr mbështetej në garancinë: “Meqë Zoti i Madhëruar e di hallin tim, unë s’kam nevojë t’i kërkoj kurrgjë” (Zumer, 38), ose porsi Tabloja e Krenarisë Njerëzore që, kur hijet e armikut ranë brenda shpellës dhe kërcënimet drithëruese për gjithkënd jehuan pasi u përplasën në muret e yjësisë së Demit, tha në siguri e besim të plotë: “Mos u shqetëso, Allahu është me ne!” (Tevbe, 40), e kuptojnë mbështetjen tek Allahu si një të vërtetë që u vjen ndërmend prej pohimit: “Në këtë mënyrë, i mbështetet Allahut dhe kjo atij i mjafton.” (Talak, 3).
Dorëzimi tek Allahu (tefviz) është më e larta shkallë, siguria tek Allahu (thika’) është më e larta pozitë. Ai që e mban në këmbë këtë shkallë dhe që i jep hakun kësaj pozite, jo vetëm me mendjen, arsyen e besimet, por me të gjitha ndjesitë e jashtme e të brendshme shkrihet krejt në urdhëresat dhe në shpjegimet e tij dhe kthehet në një pasqyrë të shndritshme të Tij.
Në lidhje me mbështetjen tek Allahu, fjalët më të bukura i përkasin Ibrahim Hakiut, që në hyrjen e “Tafviznamesë” së tij, shkruan:
“Perëndia të këqijat i kthen në të mira,
Mos mendo se i lë pas dore, Të shohim, Perëndia ç’bën, Gjithë ç’bën, e bën të bukur.
Ti në Zotin mbështetu,
Dorëzohu e rri i qetë,
Bëj durim edhe kënaqu,
Të shohim, Perëndia ç’bën,
Gjithë ç’bën e bën të bukur.”
Shënimet
- 73.Tirmidhi, Zuhd, 33.
- 74.Tirmidhi, Kijame, 60.
- 75.Kushejri, Risale, 302; M. F. Gülen, Kalbin Zümrüt Tepeleri I, 101.