Këshillimi
“Pyet një të ditur! Dy njohuri janë më të mira se një njohuri e vetme.”
Fjala “istishare” (këshillim, konsultim) mbart kuptimin e të kërkuarit të mendimit të një individi apo të një grupi, të pranimit të gjykimit të tyre, të të këshilluarit me ta.
Këshillimi është kushti i parë që vendimet që do të merren të jenë të sakta. Nëse një çështje e caktuar nuk mendohet e nuk peshohet mirë, vendimet që merren pa u njohur me mendimet dhe kritikat e të tjerëve, në shumë raste përfundojnë me humbje dhe dështim. Dikush që është i mbyllur ndaj mendimeve të të tjerëve, që nuk u njeh ndonjë vlerë gjykimeve të tjerëve, që e vendos gjithçka vetë, edhe në zotëroftë ndonjë zotësi tejet të lartë, madje edhe në qoftë gjeni, vëren se bie më shpesh në gabim në krahasim me ndonjë tjetër njeri që e diskuton me të tjerët çdo mendim.
Njeri më i mençur është ai që tregohet më respektues ndaj shkëmbimit të ideve dhe që përfiton më shumë nga mendimet e të tjerëve. Shpirtrat e paarrirë, që në punët që do të kryejnë ndjekin vetëm mendimet e veta, madje që i detyrojnë edhe të tjerët t’ua pranojnë mendimet, gjithmonë përballen me urrejtje e mospëlqim. Sikurse kushti i parë i arritjes së përfundimeve të dobishme është shkëmbimi i mendimeve, një mjet i rëndësishëm për t’u ruajtur nga
fatkeqësitë dhe nga humbjet është që të mos shpërfillet përfitimi prej mendimeve të vyera të miqve.
Shkëmbimi i mendimeve është një rrugë për t’i bërë të pakufizuara mendjen e kufizuar dhe mendimin e kufizuar. Nuk ka asnjë shtet aq të pasur dhe asnjë ushtri aq të fortë sa këshillimi. Sahabët e nderuar nuk janë lëvduar e vlerësuar me ndonjë tjetër pohim përveç atij të ajetit: “Ata, në punët e tyre, këshillohen me njëri-tjetrin”. (Shura, 38).
I mençuri që është disa hapa më përpara e më i mençur se të tjerët, është ai që i vlerëson mendimet dhe gjykimet e të tjerëve. Eliksiri më i fortë që mund ta shpërbëjë ndryshkun në mendime është konsultimi. Nëse dy mendje janë më mirë se një mendje, pa tjetër që qindra mendje janë më mirë se një mendje e vetme. Ata që kanë besim vetëm te mendja e vet dhe nuk u marrin mendime të tjerëve, qofshin edhe gjeni, mbeten krejt të pamend për arsye të braktisjes së shkëmbimit të mendimeve, që i jep thellësi gjykimit.
Përpara se të niset një punë, duhet të këshillohemi dhe të marrim të gjitha masat që më pas të mos shkohet në rrugë të gabuara si fajësimi i njerëzve përreth, kritikat për caktimin e Allahut apo ankesat prej fatkeqësisë. Po, po! Nëse përpara se të vendoset për diçka, nuk mendohet mirë për përfundimin e saj dhe nuk merren këshilla nga ata që kanë përvojë, në fund, zhgënjimi dhe pendimi janë të pashmangshme.
Ndërsa në rastin e konsultimit dhe të këshillimit të kryer me njerëzit që kanë njohuri e përvojë, me shpirtrat që i kanë vuajtur disa përvoja në kurriz të tyre dhe që janë të ndjeshëm e të përgjegjshëm, edhe përgjegjësia vetjake bie. Zgjidhja e problemeve të mëdha të së ardhmes brenda mekanizmit të këshillimit dhe shmangia e të vepruarit në mënyrë individuale është e drejtë dhe nevojë e istishares.
Profeti ynë është ndër të parët që i ka dhënë kësaj çështjeje vendin që meriton. Madje edhe në çështje familjare e vetjake, ai këshillohej me shokët e vet. Në të vërtetë, Allahu i Lartësuar e porosit atë që të vepronte në këtë mënyrë: “Pikërisht për shkak të mëshirës së Allahut, ti u solle butë ndaj tyre. Nëse do të ishe i ashpër e i vrazhdë, ata do të largoheshin prej rrethit tënd e do të iknin. Prandaj, mos u avër re dhe kërko mëshirë për ta. Këshillohu me ta për çështjet dhe pasi të vendosësh, mbështetu tek Allahu; Allahu i do ata që mbështeten dhe kanë besim tek Ai.” (Ali Imran, 158)