Drejtësia
Drejtësia është një gjendje e mesme mes dy ekstremeve. Pra, është një rrugë e balancuar mes teprimit dhe indiferencës. Drejtësia ka të bëjë me një numër prirjesh të natyrshme që gjenden në thelbin e njeriut, si dhe me përdorimin e tyre në drejtimin e përcaktuar prej Krijuesit. Energji dhe prirje si epshi, zemërimi, gjykimi e mendja, nëse kanalizohen siç duhet, lind drejtësia; e nëse përdoren me ekstremizëm, lindin perversionet.
Për shembull, ndjenja e epshit te njeriu, për nga kuptimi i përgjithshëm, ka të bëjë me të ndierit e dëshirës që bëhen shkak si për vazhdimin e jetës së njeriut, ashtu edhe për vijueshmërinë e llojit njerëzor. Dëshira si të ushqyerit, të pirit e të tjera si këto, që përbëjnë një drejtim të kësaj ndjenje, mundësojnë ruajtjen e ekzistencës dhe të shëndetit material të njeriut. Po kështu, nëse këtë ndjenjë e shqyrtojmë jashtë këndvështrimit të paraqitur më sipër, atëherë ose do ta shohim atë si një xhelat që na pret rrugën drejt përsosjes dhe, siç bëjnë disa, do ta braktisim krejt, çka përbën teprim e shpërfillje, ose do të veprojmë sipas kuptimit të mjerë të kohës së sotme dhe do ta pranojmë si legjitime çdo marrëdhënie në këtë kuadër, pa njohur asnjë kufi, çka përbën teprim e mospërmbajtje.
Edhe zemërimi i tillë është. Ndërsa ndezja prej zemërimit për gjëra krejt të parëndësishme dhe, sipas shprehjes popullore, “djegia e jorganit për një plesht”, përbën teprim e mospërmbajtje, qëndrimi në heshtje përballë shkatërrimit të vlerave më të larta e më të shenjta apo shkeljes së nderit përbën, gjithashtu, një teprim e shpërfillje. Kurse drejtësia është gjendja e zemërimit dhe e kundërvënies ndaj kufrit, dhunës e shkatërrimit, si dhe e përballimit me durim të gjithçkaje përtej këtyre, veçanërisht e sjelljes së butë e të përkorë në rastet kur kjo sjellje mund të bëhet shkak për të mirë.
E njëjta gjendje vlen edhe për frikën e kotë. Frika dhe shqetësimi prej gjërash që nuk ndodhin, janë një teprim që e kthejnë jetën në vuajtje. Ndërsa të mos kesh frikë prej gjërash që mund të ndodhin vërtet, përbën një shpërfillje të tepruar. I pari shpreh frikën prej gjithçkaje në gjithësi, çka përbën një mendim që i vesh gjithçkaje cilësi hyjnore (uluhijet); brigjet e Gangut janë të mbushur me idhujt që kanë lindur prej këtij shqetësimi. Kurse e dyta është një budallallëk që shtyn për të mos pasur frikë prej asgjëje në tokë e në qiell, një çmenduri që mund t’i çojë drejt vdekjes ata që kanë besim kaq të tepruar te vetja. Drejtësia, nga ana tjetër, përbëhet si prej përkujdesjes për marrjen e masave, duke futur në llogari të gjitha sendet që mund të paraqesin rrezik e rëndësi jetësore, ashtu edhe prej shmangies së mbivlerësimit të atyre gjërave shqetësuese që kanë fare pak mundësi të ndodhin.
Edhe për mendjen mund të bëhet fjalë për të tilla forma kontrolli. Nëse nuk i marrim parasysh produktet e dëshmive dhe të ndjesive, duke u mbështetur vetëm te mendja, kjo përbën shkarje në teprim. E nëse e përjashtojmë mendjen krejtësisht dhe hyjmë në një misticizëm të rreptë, duke llogaritur si thelbësore vetëm shpirtin dhe duke përjashtuar gjithçka përveç tij, kjo përbën, po ashtu, shpërfillje të tepruar.