Mirësjellja

Mirësjellja ka kuptimin që të tregosh butësi, ëmbëlsi, fisnikëri, edukatë, kujdes dhe etikë në sjellje si të folurit, të ecurit, të ulurit. Ndërsa e kundërta e saj janë sjelljet e rënda, të ashpra, të vrazhda.

Në botën e sotme, kur marrëdhëniet mes njerëzve kanë marrë formë të vrazhdë e të ashpër, kur shpirti është dënuar me vetminë dhe materia sundon në gjithçka, që prej fjalorit tonë e gjer në modelet e sjelljeve tona, kur vendimet merren të mbështetura mbi paragjykime, me logjikë bardhezi e krejt pa nuanca, është e lehtë të kuptohet se sa e rëndësishme është të flasësh për mirësjelljen dhe fisnikërinë. Sa kaotike është një jetë shoqërore si kjo, ku koncepti i vlerës shihet paralel me rrobën dhe markën që kemi në zotërim, ku përdorimi i fjalëve shkon në kuadrin e logjikës së grindjes dhe ato mbruhen me zhargon, ku kuptimi i marrëdhënieve njerëzore, i forcës, i pushtetit, i statusit dhe i përfitimit është kaq i cekët.

Etika dhe mirësjellja janë dy shkallë themelore që përbëjnë një bar çudibërës për të zhvilluar marrëdhëniet mes njerëzve, për t’i bërë njerëzit që të afrohen e ta duan njëri-tjetrin dhe për të krijuar një shoqëri me dashuri e baraspeshë, mungesa e së cilës ndihet kaq shumë.

Profeti ynë (paqja qoftë mbi të), me mirësjelljen e tij, është një shembull për njerëzimin. Mirësjellja e tij e pashoqe rrëfehet kështu: Kur dikush e pyeste për diçka, Ai e dëgjonte me vëmendje të thellë dhe gjersa i interesuari të largohej, Ai nuk largohej dhe nuk e linte vetëm. Kur dikush i shtrëngonte dorën për ta përshëndetur ose kur i zgjaste dorën, Ai ia mbante dorën plot respekt, pa e lëshuar, derisa tjetri ta tërhiqte vetë. Nuk i shtrinte këmbët mes shokëve të vet. Kur takonte dikë, e përshëndeste Ai vetë i pari. Ata që i vinin për vizitë i mirëpriste, u shtronte rrobën e vet që të uleshin. Nganjëherë u jepte mysafirëve jastëkun ku ulej vetë dhe u bënte shenjë që të uleshin, ndërsa vetë ulej në vend të zbrazur, pa jastëk. Sahabëve të vet u vinte epitete të bukura, i thërriste me emra që atyre u bënin nder dhe u pëlqenin. Kurrkujt nuk ia priste fjalën dhe nuk ia linte të folurit në mes. Kurrë nuk ka goditur kurrkënd, as ndonjë shërbëtor, as ndonjë prej njerëzve të shtëpisë. Sipas shprehjes së Enesit (r.a.), ai s’ka prekur kënd as me majën e gishtit. Kur zemërohej, kurrë nuk ka ndodhur që të godiste me grusht ndonjë send të fortë.

Një mirësjellje e tillë u ndoq nga myslimanët, me në krye ithtarët e tasavvufit, për shekuj me radhë. Le të sjellim disa shembuj nga mevlevinjtë. Abdulbaki Gëlpënarllë, që e ka mbërritur hallkën e fundit të zinxhirit të të mëdhenjve të tasavvufit, shpjegon kështu për gjendjen në ditët e fëmijërisë së tij: Etika dhe mirësjellja shihet në gjithçka, si në të ushqyerit, në të pirit, në të ulurit, në të ngriturit, në të ecurit, në shtrat, në biseda, në ritual... Më kujtohet fëmijëria; pak më shpejt të ecja, pak ta përplasja këmbën në tokë, pak të zemërohesha, jo në mënyrë ndëshkuese, por bindëse, duke më shpjeguar, më thoshin: “Çfarë bën, Baki? Ç’është ajo ecje ashtu? Gjithçka ka shpirt, o bir, a nuk lëndohet trualli? Shih, truallin e shtrirë që na lejojnë të shëtisim mbi të. A s’na takon ta respektojmë, të mos e lëndojmë?”

Kur hanim, nuk mund ta përplasja gojën duke u mbllaçitur. Mjaftonte të më shihnin në sy. Sepse gjatë bukës, prej kurrkujt nuk dilte zë. Kur e vinim gotën në vend, ishte turp të nxirrte tingull. Gota dhe veti ku ajo vendosej nuk duheshin lënduar. Veç kësaj, të pinim ujë pa u përshëndetur me gotën, pra pa e puthur në anë, ose pasi kishim mirë ujë ta vinim në vend pa e përshëndetur, ishte gjë shumë e keqe. Më thoshin se ajo na bën shërbim, ndaj dhe ne duhet t’i shprehim mirënjohje.

Çdo natë, kur bija të flija, dhe në mëngjes, kur zgjohesha, puthja jastëkun dhe mbulohesha me jorgan, ose duke u mbuluar, përshëndetesha me të. Kur duhej zgjuar dikush që flinte, prekej lehtë jastëku dhe i thuhej me zë të ulët: “Zgjohuni, veli.” Në shtëpinë tonë nuk flitej duke bërtitur, nuk i pritej fjala dikujt që fliste, edhe kur grumbulloheshin shumë njerëz, nuk bisedohej në grupe. Pëshpërima në vesh, të qeshura me zë shumë të lartë nuk ndodhnin në shtëpinë tonë.”Unë” nuk thoshim dot, “i varfëri” thoshim për veten. Nëse prej goje shpëtonte fjala “unë”, menjëherë shtohej fjala “uni im mallkuar qoftë!”.

Këpucët e mysafirit që vinte nuk ktheheshin drejt derës, por drejt brendisë së shtëpisë. T’i ktheje nga dera, do të thoshte “mos eja më”. Veç kësaj, ai që i vishte këpucët i kthyer nga brenda shtëpisë, e bënte këtë pa u kthyer kurrizin njerëzve të shtëpisë, si dhe dilte jashtë nga dera sërish pa kthyer kurrizin.

Nuk goditej më shuplakë, njeriu nuk fyhej në asnjë mënyrë, gjithçka prej njeriut konsiderohej e paprekshme. Edhe flokët që binin në tokë kur shkurtonim flokët, i mblidhnim dhe i groposnim në një vend ku nuk shkelte këmba. Të gjitha këto dhe sjellje të tjera etike kishin të përbashkët bindjen se gjithçka kishte shpirt, se asgjë nuk ishte e veçuar prej nesh dhe se njeriu ishte një krijesë e vyer.

Dera nuk mbyllej duke u përplasur me zhurmë, por mbyllej ngadalë. Nuk thuhej “mbylle derën!”, por “mbuloje derën!” apo “fshihe derën!”. Allahu mos e mbylltë derën e kurrkujt! Nuk thuhej “fike llambën!”, por “qetësoje llambën!”.

Shënimet

  1. 76.91 A. Gölpınarlı, Mevlanadan Sonra Mevlevilik, 220.