Guximi/Trimëria
Fjala arabe “shexhaat” përshkruhet si një shkallë të tillë guximi që shkon deri në gatishmërinë për të dhënë edhe shpirtin në mbrojtje të të drejtave fetare e tokësore. Ajo është përshkruar, gjithashtu, me përkufizimin: “Në rast nevoje, zemra të mos dridhet për të ecur kundër dhunës dhe rreziqeve dhe të mos i trembet vdekjes, por ta nënvlerësojë atë.” Në gjuhën tonë, mund të përkthehet thjesht “guxim”. Ndërsa fjala “nexhdet” (trimëri) ka kuptimin e të treguarit durim dhe qetësi kundrejt gjendjeve të jashtëzakonshme në çastet që shkaktojnë frikë e tmerr, duke ruajtur gjakftohtësinë e duke vepruar me qetësi, pa u pushtuar nga paniku. Të dyja këto cilësi të karakterit kanë njohur majën e tyre te Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!).
I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ishte një njeri i veçantë që në shpirtin e vet mbartte së bashku të tilla cilësi të mira që duken të kundërta me njëra-tjetrën; kur shprehte guximin e vet të shenjtë, drithëronte edhe luanët; kur ndiente vajtimin e ndonjë të mjeri, ulej e i qante hallin dhe përlotej me të.
Këto cilësi, që duket sikur janë të kundërta me njëra-tjetrën, është e mundur të shtjellohen dhe të vlerësohen në kuadrin e interpretimit të “rrugës së drejtë” (siratul mustekim), që është një bërthamë e rëndësishme në Islamin si fe e qartë. Për shembull,
Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!), para së gjithash, ishte një përmendore e guximit. Kështu, Hz. Aliu (r.a.), që ishte njëkohësisht luan dhe dhelpër në fushën e betejës, duke u shprehur për një prej cilësive të tij, thotë: “Ne, në fushëbeteja, kur ziheshim ngushtë, strehoheshim tek I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!).” Kështu, si në Hunejn, ashtu edhe në Uhud, ai ia doli që xhematin e thyer e të rrënuar dhe thuajse të paralizuar, ta vërë sërish në lëvizje aq sa të ngjallë frikë mes armikut; e vuri në lëvizje dhe ai xhemat i thyer e i ligështuar, zotërues i së vërtetës së ajetit: “Ti nxjerr të gjallin prej të vdekurit dhe të vdekurin prej të gjallit” (Ali Imran, 27), u ngrit sërish si një ushtri krejt e gjallë dhe e freskët dhe u vu në ndjekje të afërt të armikut, duke e zbuar atë gjer në Mekë. E pra kjo është një shprehje e guximit të tij të shenjtë e të pashoq në këtë drejtim.
Kush do të të shpëtojë?
Ngjarja e ndodhur mes Profetit tonë dhe mosbesimtarit të quajtur Gavres është një shembull domethënës në drejtim të paraqitjes së madhështisë së trimërisë e të guximit dhe të mosnjohjes së frikës nga ana e Tij. Ndërsa i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) pushonte në hijen e një peme, Gavresi, duke përfituar që Ai ishte në gjumë, i mori shpatën që qëndronte varur në pemë dhe i tha me një ton kërcënues: “Po tani kush do të të shpëtojë prej duarve të mia?” Në përgjigje të kësaj pyetjeje, i Dërguari i Allahut, pa treguar as shenjën më të vogël të frikës dhe krejt i sigurt në vetvete, i tha: “Allahu!” Me atë vetëbraktisje ndaj vullnetit hyjnor, me atë siguri e besim që tregoi, Gavresi, që qëndronte përballë tij, i ra shpata nga dora. Shpatën që ra përdhe ia mori, kësaj radhe, në duar Tabloja e Krenarisë Njerëzore (paqja qoftë mbi të!) dhe e pyeti: “Po tani, kush do të të shpëtojë ty?” Gavresi i trembur nisi të dridhej si i sëmurë në ethet e malarjes, ndërsa në atë çast ata që dëgjuan zërin e të Dërguarit i Allahut rendën për aty. Kur mbërritën, mbetën krejt të habitur prej pamjes që iu shfaq para syve. Atyre iu shtuan dyfish besimi e siguria, ndërsa Gavresi, pas atyre që pa e dëgjoi aty, i dha El Eminit fjalën për besim dhe u largua i mbushur me ndjenja admirimi për guximin dhe trimërinë e të Dërguarit të Allahut.
Shënimet
- 85.103 Kadi Ijad, Shifa, I, 114.
- 86.Buhari, Xhihad, 84, Megazi, 31; Muslim, Fiten, 119.