Baraspesha mes shpresës dhe mungesës së shpresës

Në të emër të vazhdimësisë së besimit e të idealizmit, është shumë e rëndësishme që këto ndjenja të përfaqësohen në masën dhe në drejtimin e duhur. Pasi besimi është tjetër gjë, arritja e ekuilibrit në besim është tjetër gjë dhe kthimi i atij ekuilibri në një baraspeshë të përhershme është tjetër gjë. Së pari, Feja jonë na këshillon rrugën e mesme në çdo kohë e në çdo vend. Zoti i Madhëruar urdhëron e thotë: “Unë ju kam bërë një bashkësi të së mesmes...” (Bekare, 143) Kjo shpreh nevojën e përfaqësimit të një bashkësie që t’u qëndrojë sa më larg që të jetë e mundur të gjitha ekstremeve dhe që edhe në drejtim të mendjes, edhe të ndjenjave, edhe të shpirtit, të përfaqësojë të moderuarën. Kështu, në duatë e ibadetet që kryejmë, duke thënë më e pakta dyzet herë në ditë “Na udhëzo në rrugën e drejtë!” (Fatiha, 6), dëshirojmë prej Zotit të na mbajë në atë rrugë. Për më tepër, jetojmë në një kohë kur ekstremet shpërfaqen kudo e në shkallën më të tepruar. Veçanërisht në një kohë të tillë, pa gëzuar ndihmën e Allahut, është krejt e pamundur që të jetojmë në të drejtën.

Në ditët tona, gjithashtu, është e mundur të bëhet fjalë për mungesën e baraspeshës që vërehet në çështjen e marrëdhënies frikë-shpresë. Shumica e njerëzve që janë në pozitën e udhërrëfyesit për njerëzit, duke i vënë këta të fundit vetëm përballë Parajsës dhe Ferrit, në këto çështje i shtyjnë njerëzit ose në mungesë të plotë shprese, ose në vetëbesim të tepruar. Ndërsa njeriu, nga njëra anë, duhet të sillet me kujdes shumë të madh për të kryer më së miri veprat e veta dhe, nga ana tjetër, duhet të ruajë vetëdijen se asnjëherë nuk do të jetë në gjendje ta falënderojë e lëvdojë sa ç’duhet Zotin e Lartësuar për të mirat që i ka dhuruar dhe se asnjëherë nuk do të jetë në gjendje të shpëtojë vetëm në sajë të veprave të veta. Profeti ynë ka thënë: “Askush nuk shpëton dot me veprën e vet.” Kur sahabët e pyetën: “As ti, o i Dërguar i Allahut?”, ai u përgjigj: “Po... Po të mos jetë për mirësinë dhe bekimin e Allahut, as unë nuk shpëtoj dot.”

Për këtë arsye, mendime si: “E ç’mëkate kam unë? Përkundrazi, unë në këtë moshë kam besuar, kam falur namaz, kam agjëruar... Atëherë Allahu mua nuk më dënon”, janë shprehje e një kryelartësie e mungese respekti ndaj Allahut. Nga ana tjetër, edhe të mendosh më të keqen për veten duke rënë në mungesë shprese e duke rënë në mendime si: “S’ka shpresë për mua! Fundja deri më sot nuk kam bërë kurrfarë të mire. Sido që të jetë, do të shkoj në ferr, prandaj edhe nuk ia vlen të përpiqem më kot!”, përbën një mungesë respekti më vete, një shprehje kryelartësie më vete.

Kështu, për të ruajtur baraspeshën, nuk mjafton vetëm që të besojmë. Në këtë çështje, drejtimi i duhur në adhurimin ndaj Allahut mund të arrihet vetëm nëse njohim shprehjet e sakta në lidhje me besimin dhe nëse i vëmë në zbatim ato. Përndryshe, përcaktimi i drejtimit të duhur si në ndjenja e mendime, ashtu edhe në zgjidhjen e problemeve dhe në arritjen e së drejtës mbetet shumë i vështirë.

Shënimet

  1. 69.83 Buhari, Rikak, 18; Muslim, Munafikin, 71, 75.
  2. 70.84 Kushejri, Risale, 270; M. F. Gülen, Prizma III, 31.