Durimi
Durimi (sabr) ka kuptimin e të qëndruarit duke shtrënguar dhëmbët kundrejt dhembjeve, vuajtjeve, dukurive e ngjarjeve, përballimi i të cilave është shumë i vështirë. Si në mënyrë të hapur, ashtu edhe në fshehtësi, siç shprehen ajete si: “Kërkoni ndihmë me durim” (Bekare, 45) dhe “Bëni durim dhe garoni në durim” (Ali Imran, 200), durimi është një urdhëresë... ose siç tregohet në pohimet hyjnore: “Mos u ngut kundrejt tyre,” (Ahkaf, 35), “Mos ua ktheni shpinën e mos ia mbathni” (Enfal, 15), e kundërta e tij është e ndaluar; Siç pohohet në ajetin: “Durimtarët janë ata që e çojnë jetën në besnikëri” (Ali Imran, 17), për këto cilësi duhet treguar mirënjohje ndaj Zotit; sikurse në ajetin që shprehet: “Allahu i do të durueshmit,” (Ali Imran, 146) shpjegohet arritja e dashurisë së Allahut; siç dëshmohet në fjalët e bukura: “Allahu është me të durueshmit” (Bekare, 153), ata që jetojnë me durimin, shpërblehen prej afrisë hyjnore; siç mësohet prej pohimit udhëzues, “Nëse bëni durim, kjo është më e mira për ju” (Nahl, 12), ata që durojnë, gëzojnë mirësitë e durimit; sikurse me ajetin: “Pa dyshim, atyre që bëjnë durim do t’ua shpërblejmë me më të bukurat e veprave të veta.” (Nahl, 96), të durueshmëve u jepet sihariqi i shpërblimit me mrekulli në jetën e përjetësisë; sikurse me premtimin solemn: “Po, po! Nëse jeni të durueshëm e qëndrestarë dhe ata (armiqtë) ju mbërrijnë pikërisht tani, Zoti juaj e vijon më tej ndihmën ndaj jush..”, besimtarëve që durojnë e bëjnë qëndresë u sillet ndërmend ndihma hyjnore, shohim se durimi është një vepër e zemrës që na është paraqitur në shumë këndvështrime nga Allahu i lartësuar... dhe nga një tjetër këndvështrim, nëse durimi përbën mirënjohjen dhe falënderimin ndaj Allahut, që është gjysma e fesë, ai është edhe titulli i gjysmës tjetër të saj.
Këto mendime përforcohen prej fjalëve aq kuptimplote të Profetit tonë të dashur, që thotë: “Gjendja e besimtarit është për t’u habitur. Pse jo? Gjithçka për të është e mirë dhe kjo nuk vlen për askënd tjetër, përveç besimtarit. Ai, kur ndodhet në një gjendje që i shkakton lumturi e gëzim, falënderon Allahun dhe kjo është e mirë për të. Edhe kur gjendet në një situatë të vështirë, bën durim dhe kjo është e mirë për të.”94
Durimi, sipas çështjeve për të cilat ushtrohet, ndahet në kategoritë e mëposhtme:
Në kuptimin e pranimit të vështirësive që kanë të bëjnë me nënshtrimin ndaj Allahut, durimi në ibadet e në rite.
Në rrethanat kur rruga e mëkatit është joshëse për nefsin, durimi i ushtruar kundrejt ndjesisë së mëkatit.
Pranimi i kënaqësi i caktimit apo i kaderit të Allahut, duke ushtruar durim ndaj vështirësive tokësore e qiellore.
Durimi i treguar kundrejt bukurive joshëse të botës, duke ruajtur të pandryshuar rrugën dhe drejtimin.
Durimi i treguar kundrejt kohëzgjatjes së madhe në punët që kërkojnë kohë dhe përqendrim të lartë.
Edhe nëse disa prej këtyre janë të lidhura me vullnetin e njeriut, në disa të tjera ndërhyrja njerëzore nuk është aspak e mundur.
Veç këtyre, kuptimi i sabrit është shprehur edhe përmes çështjesh të tjera që kërkojnë durim, ndër të cilat si më të rëndësishmet mund të dallojmë: të mos e prishim edukatën kundrejt gjërave që mund të na ndodhin; të mos bëjmë dallim mes ngjarjeve që na ndodhin duke i cilësuar ca të këqija e ca të mira, por
të jemi mirënjohës njëlloj ndaj Allahut; pavarësisht nga gjithçka, të vazhdojmë jetën; t’i përballojmë me të njëjtën gjendje shpirtërore edhe të keqen, edhe të mirën; t’i pranojmë mesazhet që vijnë nga Libri i Allahut dhe nga Suneti i Profetit si ftesa për në Parajsë; në emër të dashurisë hyjnore të jemi të gatshëm të flijojmë gjithçka etj.. Të gjitha këto mund të jenë pjesë e kuptimit të sabrit apo të durimit.
Ndërkohë, edhe shkruesit e tefsireve, duke e lidhur durimin me disa ajete nga Kurani Fisnik, kanë bërë interpretime si këto që vijojnë: Në ajetin: “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” (Ali Imran, 200), me fjalën “isbiru” kuptohet durimi i nefsit të njeriut në ibadet e rite, me fjalën “ue sabiru“ synohet qëndresa kundrejt ndikimeve të jashtme, ndërsa me fjalën “ue rabitu“ synohet vijueshmëria e dashurisë dhe e përmallimit për Allahun.
Sipas të mëdhenjve të hakikatit, një tjetër qasje ndaj sabrit është që, me vetëdijen se gjithçka, e mirë a e keqe qoftë, vjen prej Allahut, të falënderosh me mirënjohje Allahun për atë çka, në vështrimin e jashtëm të mendjes, duket e mirë dhe po kështu, të pranosh me kënaqësi edhe ato gjëra që, në pamje të parë, duken të papëlqyeshme. Sidoqoftë, në raste të fatkeqësive të rënda që e vënë njeriun përfund, në raste të përgjegjësive që njeriut mund t’i bëhen shumë të vështira për t’u zbatuar dhe në raste të shqetësimit serioz për rënie në mëkate, nëse njeriu i drejtohet Allahut dhe kërkon prej Tij ndihmë për të tilla përgjegjësi të rënda e mbrojtje prej frikës së rënies në mëkate, kjo nuk përbën kurrsesi ankesë e mosmirënjohje ndaj Zotit. Një sjellje e tillë jo vetëm që nuk është ankesë, por përkundrazi, mund pranohet si modesti, si dua e sinqertë, si lënie e gjithçkaje në dorë të Allahut dhe si nënshtrim ndaj vullnetit hyjnor. Vajtimi i Ejubit (a.s.), që tha: “O Zoti im, vërtet mua më cenoi dëm i madh; Ti je më i Mëshirshmi ndër të mëshirshmit!” (Enbija, 83)... dhe thelbi i vajtimit të Jakubit (a.s.), që thirri: “Unë këtë hidhërim e pikëllim ia paraqes vetëm Allahut!” (Jusuf, 86), është pikërisht një modesti e përgjërim i tillë, me një përmasë të qartë lutjeje dhembshurie. E në fakt, Zoti i Lartësuar, duke thënë për Profetin
Ejub (a.s.): “Në të vërtetë, Ne e pamë se ai ishte i durueshëm. Sa shërbëtor i mirë që ishte! Pasi ai kurdoherë ishte pendestar dhe sytë i mbante në derën e Allahut.” (Sad, 44), a nuk i pranon si formë mirënjohjeje e falënderimi, të thëna brenda kontekstit të durimit, fjalët e tij plot vetëdorëzim e nënshtrim të thellë?
Durimi është një burim force edhe për njerëzit që kanë arritur majat, edhe për të tjerët që janë rrugës për në majë. Ata që kanë arritur majat, për shkak të domosdoshmërisë së asaj pozite, përfaqësojnë të gjitha llojet e durimit, madje në formën më të mirë, dhe përpiqen, në këtë mënyrë, të shlyejnë borxhin për mirësitë që u janë dhuruar. Të tjerët, që janë bekuar duke u udhëzuar për t’u ngjitur majave, dalëngadalë, duke vuajtur e duke u nënshtruar, arrijnë me dinamizmin e durimit ato maja që të tjerët i arrijnë me njëmijë lloje ibadetesh. Në një hadith urdhërohet e thuhet: “Zoti i Madhëruar, kur i mundëson robit të Vet një pozitë që ai e ka të pamundur ta arrijë me veprat e veta, e bën atë që të gjendet në një hall e shqetësim të madh për veten dhe për familjen e vet... Pastaj, ndaj atij halli i dhuron durim. Në këtë mënyrë, ai e lartëson robin e Tij dhe e bën të arrijë atë pozitë.”
Nga ky këndvështrim, mund të thuhet se pesha e përgjegjësisë dhe trysnia e mëkatit përbëjnë nga një bekim të mundshëm, ndaj dhe mbajtja e qëndrimit të duhur kundrejt tyre mund të thuhet se përbën thelbin e mëshirës hyjnore. Ndërsa thelbi i këtij thelbi është pikërisht fakti që si për këtë barrë të rëndë, ashtu edhe për brendinë e pranimit të saj me durim, njeriu nuk është i vetëdijshëm.
Po, po! Njeriu duhet të digjet si vatrat brenda vetvetes, por nuk duhet të shprehë kurrfarë vuajtjeje të jashtme. Brenda vetes, duhet të qëndrojë si të ishte nën peshën e maleve e të shtypet nën to, por kurrkujt nuk duhet t’i qahet. Një mendim të tijin për një durim të këtyre përmasave, Mevlana në “Mesnevijen” e tij, e përmbledh kështu:
Në mënyrë që një kokërr gruri të mund t’i japë njeriut ushqim e fuqi, t’ia mbajë gjunjët të fortë, t’i dhurojë dritë të syve e t’i mundësojë të jetojë, është kusht e detyrim që ajo të varroset në tokë, të hyjë në përpjekje me dheun dhe kështu të hedhë shtat e të zgjerohet, pastaj të korret e të rrihet, të ndahet prej kashtës e të
bluhet në mulli, të mbruhet nëpër enë e të bëhet brumë, të hidhet në furra e të piqet në zjarr, pastaj të copëtohet sërish nëpër dhëmbë e të dërgohet në stomak.
Në mënyrë të ngjashme, dhe njeriu, që të ngrihet në shkallën e njerëzores, që të bëhet i dobishëm, është i detyruar që të shkohet shumë herë nëpër shumë sita, që të mpikset duke gjetur esencën e vet. Përndryshe, duke qenë thjesht i pajisur me aftësi njerëzore, njeriu nuk e arrin dot qëllimin dhe mund të mbetet rrugëve.
Shënimet
- 78.Bejhaki, Shuabu'l-iman, 4/109 94 Muslim, Zuhd, 64.
- 79.Ibn Hibban, 4/248; Kenzu’l-Ummal, k. 3, hadithi nr. 822.
- 80.Kuşeyri, Risale, 323; M. F. Gülen, Kalbin Zümrüt Tepeleri I, 141.