Veraja/Takvaja

Në fjalor, kuptimi i këtyre termave është: të ruhesh prej gjërave të papërshtatshme, të pahijshme e të panevojshme, të sillesh me ndjeshmëri të lartë ndaj haramit dhe të ndaluarave, të jesh i

vëmendshëm dhe, me shqetësimin e rënies në të ndaluarën, t’u mbyllësh krejtësisht derën të gjitha çështjeve të dyshimta, të veprosh në përputhje me të vërtetën e shpjeguar prej parimeve islame: “Lëre atë që të shkakton dyshim dhe kalo në të padyshimtën.” “E lejuara është e qartë dhe e ndaluara është e qartë.”

Veraja që njohu njerëzimi gjatë Shekullit të Lumturisë, u bë thuajse qiellore në kohën e tabiinëve dhe të tebe tabiinëve dhe u kthye në qëllimin dhe në ëndrrën e çdo besimtari. Pikërisht në këtë periudhë, motra e Bishri Hafiut shkoi tek Ahmed bin Hanbeli dhe e pyeti: “O Imam! Unë shpesh mbledh fije me furkë mbi çati. Nganjëherë, atypari kalojnë nëpunësit e shtetit me pishtarë të ndezur dhe unë, pa dashje, përfitoj prej asaj drite... A trazohet kjo fije me haramin?” Kur i dëgjoi këto fjalë, Imami i madh derdhi lot e qau dhe dha fetvanë: “Në familjen e Bishri Hafiut nuk duhet të hyjë as kaq gjë ku trazohet dyshimi.”

Pikërisht kjo ishte koha kur dikush, që një herë të vetme gjatë gjithë jetës i shkiste syri në mëkat, vajtonte: “Ah, mëkati im!” Pikërisht kjo ishte koha kur nëse, pa e ditur, kapërdihej ndonjë kafshatë prej asaj çka nuk ishte e lejuar, më pas stomaku nxitej në të vjella e sytë derdhnin lot për ditë me radhë.

Për t’i kthyer të zotit një penë të futur gabimisht në xhep, në atë kohë dikush udhëtonte nga Merva në Mekë. Një rast të tillë e tregon njëri prej këtyre heronjve, muhadithi i madh, fakihu i shkëlqyer dhe zahidi i thellë Ibn Mubarek. Me mendimin se kishte mbi vete diçka që ishte haku i tjetërkujt, nuk ishte i pakët numri i atyre që ia kushtuan jetën shërbimit... Edhe zahidi i famshëm Fudajl bin Ijadi ishte ndër shprehësit e denjë të një gjendje të tillë! E sa e sa të tjerë shkëlqyen kështu në atë botë të ndriçimit! Librat kushtuar njerëzve të afërt të Allahut dhe jetës së njerëzve të famshëm për përkushtimin e tyre në atë kohë janë plot e përplot me shembuj të gjallë prej asaj që kanë përjetuar e vepruar këta shpirtra të artë.

Shënimet

  1. 88.Buhari, Buju,3; Tirmidhi, Kijame, 60; Musned, 3/153.
  2. 89.Buhari, Iman, 39; Muslim, Musakat, 107, 108.
  3. 90.Kushejrî, Risâle, 247.
  4. 91.Po aty. 248
  5. 92.Kushejri, Risale, 247; M. F. Gülen, Kalbin Zümrüt Tepeleri I, 80.