Zuhdi
Fjala “zuhd” në fjalor ka kuptimin e mungesës së dëshirës, të kërkesës, të rëndësisë. Si koncept, kuptimi është ky: të mos i japësh vlerë botës dhe lëndores, të mos jesh egoist, hedonist, interesaxhi, përfitues e mendjemadh, të mos mbartësh në zemër dashurinë për botën dhe përfitimet materiale, por zemra jote të jetë e ftohtë kundrejt këtyre, të mos ushqesh ambicie të tepruara gjer në egoizëm, të jesh i kënaqur me atë që ke, të besosh se vlerat shpirtërore janë më të larta dhe më të rëndësishme se vlerat materiale.
Zuhdi është çështje e mungesës së interesit ndaj parasë, ndaj përfitimit, ndaj pozitës, ndaj famës, ndaj mallit, ndaj grave. Zuhdi, që mbart kuptimin e braktisjes së kënaqësive të kësaj bote dhe të kundërvënies ndaj prirjeve lëndore, prej sufistëve kuptohet më shumë si mungesë e interesit ndaj kënaqësive të kësaj bote, madje si të jetuarit e një jete në dietë... në sjellje, duke ruajtur si thelbësor përkushtimin, t’i kundërvihesh me vendosmëri lëndores, madje të ushqesh neveri e urrejtje për të.
Në një tjetër kuptim, zuhdi është interpretuar si braktisje e të mirave të kësaj bote për të përfituar lumturinë e jetës së përjetshme, çka pasqyrohet edhe në komentin e mëparshëm. Të jesh i ndjeshëm ndaj të ndaluarës (haram) dhe të lejuarës (hallall), përbën hapin e parë në zuhd. Ndërsa hapi i dytë dhe shkalla e përsosmërisë është të treguarit e kujdesit që edhe prej asaj çka është legjitime dhe mubah, të përfitohet vetëm në minimumin e masës së nevojshme.
Njeriu i zuhdit është ai që, kundrejt përgjegjësive që ka marrë përsipër, kundrejt të këqijave e shqetësimeve me të cilat përballet dhe kundrejt mëkateve e mendimeve të këqija që i presin rrugën, tregohet i durueshëm në maksimumin e mundshëm... që është i kënaqur prej çdo vlerësimi të Krijuesit, por që urren kufrin dhe dalaletin... dhe që me ato çka Ai ia ka dhuruar, sërish për kënaqësinë e Tij, ushqen si qëllim e ëndërr të vetën vendin e Përjetësisë dhe udhëzimin e njerëzve drejt hakikatit absolut. Në veshin e tij jehon vazhdimisht e vërteta: “Thuaju: ‘Përjetimi i kësaj bote, sido që të jetë, është i pakët. E për të përkushtuarin, jeta tjetër është shumë më e dobishme.’” (Nisa, 77), në çdo kënd të trurit të tij gjen strehë e vërteta: “Në gjithçka që të ka dhënë Allahu kërko vendin e Përjetësisë; krahas kësaj, mos e harro edhe pjesën që të takon prej kësaj bote.” (Kasas, 77) dhe në çdo horizont të shikimit të tij shtrihet pohimi hyjnor: “Jeta e kësaj bote është veçse një argëtim e lojë. Ndërsa vendi i Përjetësisë është jeta e vërtetë, sikur ta dinin.” (Ankebut, 64)
Disa e kanë përshkruar zuhdin edhe me përkufizimin: të ruash e të ndjekësh kufijtë e sheriatit edhe në çastet më të vështira, apo të jetosh për të tjerët kur ke në zotërim pasuri e mundësi... Të tjerë pohojnë se zuhd do të thotë që mirësitë që Allahu t’i ka dhuruar prej hallallit të Vet t’i pranosh me falënderime e mirënjohje, pastaj ta përdorësh atë dhuratë siç duhet, duke i dhënë hakun që i takon... Po ashtu, disa interpretojnë se zuhd do të thotë që të mos mbledhësh kurrfarë malli e pasurie dhe të mos ushqesh kurrfarë shpresash e dëshirash përveçse me mendimin e lartësimit të Islamit.
Njerëz të mëdhenj si Sufjan Thevriu kanë pohuar se zuhdi, më tepër sesa të hash ushqime të rëndomta e të veshësh rroba të thjeshta, është vepra e një zemre që është programuar sipas kënaqësisë së Zotit të Vërtetë dhe që qëndron e mbyllur përballë dëshirave egoiste. Sipas këtij koncepti, shenjat e zuhdit të vërtetë janë tri:
Të mos gëzohesh prej sendeve që i shtie në dorë në emër të kësaj bote dhe po ashtu, të mos hidhërohesh për atë çka humb prej kësaj bote;
Të mos gëzohesh kur të lëvdojnë dhe të mos zemërohesh kur të shajnë;
Të pëlqesh robërimin ndaj Zotit të Vërtetë dhe të qenit pranë Tij më shumë se gjithçka tjetër.
Zotërimet tona, që i grumbullojmë për pasardhësit. Banesat tona i ndërtojmë që koha t’i shkatërrojë. Sa e sa ndërtesa janë ndërtuar në mjedisin tonë, që tani janë rrënuar krejt... Dhe të vdekshmëve u vjen vdekja. Edhe nëse thuajse tek të gjithë ka njëfarë frike prej vdekjes, ajo çka i mban ata gjallë kundrejt kësaj bote janë shpresat. Njeriu ato i shpalos, i ekspozon, pastaj vjen koha dhe i palos. Nefsi shpërhapet në të katër anët, por më pas vjen vdekja dhe e mbledh për ta marrë me vete.
Shënimet
- 71.85 Kushejrî, Risâle, 115.
- 72.Kushejri, Risale, 252; M. F. Gülen, Kalbin Zümrüt Tepeleri I, 69. 87 Ta’rifat, vkl, md.