...Dhe një histori

Marrëveshja e Hudejbijes qe shumë e rëndë për myslimanët, aq sa atyre iu prenë gjunjët e s’kishin fuqi të lëviznin nga vendi. Ndërkohë, i Dërguari i Allahut, atyre që kishin bërë nijet e kishin ardhur në umre me të, u kishte urdhëruar të thernin kurbanet dhe të dilnin nga ihrami. Mirëpo një sahab, me mendimin se mos ndoshta mund të bëhet ndonjë ndryshim në vendimin e marrë, po e merrte punën disi me ngadalë. I Dërguari i Allahut e përsëriti edhe një herë urdhrin. Mirëpo sjellja e pritjes dhe e shpresës te sahabi nuk ndryshoi... Natyrisht, kjo nuk ishte kurrsesi ndonjë sjellje për të kundërshtuar atë që urdhëronte i Dërguari i Allahut. Ata, thjesht, prisnin një urdhër i ndryshëm, pasi ishin nisur për rrugë me mendimin për të bërë tavaf rreth Qabesë. Nëse ato që ishin thënë në Hudejbije nuk do të gjenin zbatim, atëherë mund të bëhej ndonjë ndryshim në marrëveshje.

Prijësi i dy botëve, kur e ndjeu këtë gjendje te shokët e vet, menjëherë u kthye në çadër dhe u këshillua me bashkëshorten e tij, Ummu Selemen. Kjo grua me horizont të gjerë, foli vetëm për t’i dhënë hakun istishares, sepse ajo e dinte i Dërguari i Allahut nuk kishte aspak nevojë për fjalët e kurrkujt... I Dërguari i Allahut, me këtë istishare, po na jepte një mësim shoqëror. Në raste të tilla, nuk kishte asnjë të keqe që të bëhej konsultë edhe me gratë.

Nëna jonë i tha të Dërguarit të Allahut fjalë që mbartnin këtë kuptim: “O i Dërguari i Allahut! Mos e përsërit më urdhrin, se mos kundërshtojnë e bien në mëkat të rëndë. Ti vetë ther kurbanet e tuja dhe pa u thënë kurrgjë atyre, dil nga ihrami. Kur ta shohin se sa i prerë është urdhri që u ke dhënë, dashur pa dashur, do të të binden.” Edhe i Dërguari i Allahut i këtij mendimi ishte. Menjëherë mori në dorë thikën dhe doli nga çadra, mori kurbanët e vet dhe nisi t’i therë. Sapo kishte therur disa prej tyre, edhe sahabët u vunë të therin kurbanët e vet. Tashmë gjithsecili e kuptoi se në vendimin e marrë nuk kishte kthim prapa.

A ka ndonjë ndër ne nga ata që tregohen kaq të sjellshëm me gratë? Vallë, në çastet më kritike, sa krerë shtetesh këshillohen me bashkëshortet? A janë vallë të shumtë ata që, si kryefamiljarë, në jetën familjare i lënë vend këshillimit?

Po, po! Edhe këshillimi e konsultimi, si çdo punë e mirë, gjente zbatim në familjen e Profetit... dhe i Dërguari i Allahut këshillohej me bashkëshortet e veta. Ne ende vijmë rrotull këtij botëkuptimi pa i dhënë drejtim, vijmë rrotull kësaj dere të mistershme pa e ditur se nga do të hapet. Madje ende as nuk kemi gjetur mundësinë që të trokasim në atë derë. Sot, edhe në mendimet e atyre që mëtojnë të mbrojnë të drejtat e grave, gruaja ende nuk ka shpëtuar prej të konceptuarit si një qenie e dorës së dytë. Ndërsa Islami e sheh gruan si gjysmën e një njësie të vetme. Ajo është një pjesë aq domethënëse në këtë tërësi, saqë ekzistenca e saj është kusht për vlefshmërinë e gjysmës tjetër. Vetëm kur të dyja gjysmat bashkohen së bashku, besohet të marrë trajtë njësia njerëzore. Aty ku nuk ekziston kjo njësi tërësore, njerëzorja nuk ekziston. Po ashtu, nuk ekzistojnë as profetët e njerëzit e përkushtuar, as Islami e as kombi.

Profeti ynë i dashur, sikurse në sjelljet e tij tregonte plot mirësi me bashkëshortet e veta, me fjalët e tij të ndritura këshillonte gjithmonë që të gjithë të silleshin kështu! Në një hadith të tijin ai thotë: “Ndër besimtarët, më i ploti në çështje të imanit është ai që ka moralin më të bukur (përmes moralit, njeriu arrin të tilla pozita e maja njerëzore që nuk mund të arrihen me asnjë lloj riti). Dhe ai që ka moralin më të bukur është ai që sillet më bukur me gratë.”

Siç shihet, nëse gruaja si qenie, në historinë e njerëzimit, ka pasur ndonjëherë rastin ta gjejë atë që ka kërkuar dhe të nderohet në kuptimin e vërtetë të fjalës, kjo ka ndodhur në kohën e Profetit tonë të dashur (paqja qoftë mbi të!).117

Shënimet

  1. 97.Ebu Davud, Sunnet, 14; Musned, II, 250. 117 M. F. Gülen, Sonsuz Nur I, 355.